

Bela Krosi/
Me shumë krenari, Albanian Eagles Dance përfaqësoi Shqipërinë në Punta Gorda International CultureFest, duke ndarë me komunitetin ndërkombëtar pasurinë e kulturës dhe traditave tona. Një falënderim i përzemërt për Pearl Cruz dhe Cultural Heritage Center of Southwest Florida për ftesën dhe mundësinë të jemi pjesë e këtij organizim të veçantë.
Programi ynë nisi me një kolazh këngësh dhe një valle çame, vijoi me “Katjushka” dhe një valle me motive tiranase, për t’u përmbyllur me këngën “Kuq e Zi”, të udhëhequr nga Elisa Qytyku. Krahas performancave, sollëm edhe Sofrën Shqiptare, ku përmes objekteve tradicionale dhe mikpritjes sonë, vizitorët patën mundësinë të njihnin më nga afër zakonet dhe trashëgiminë shqiptare.
Një mirënjohje e veçantë për z. Illison Hoxha, i cili me bujarinë dhe sponsorizimin e tij na ndihmoi të përfundonim kostumet tradicionale çame. Mbështetja e njerëzve që besojnë në rëndësinë e ruajtjes së kulturës sonë na jep mundësinë ta përcjellim atë me dinjitet te brezat e rinj.
Për ne, çdo dalje e fëmijëve në skenë ka një vlerë shumë më të madhe sesa vetë performanca. Janë përvoja që u mbeten në kujtesë, miqësi që krijohen dhe momente që i lidhin më fort me prejardhjen e tyre. Përmes valleve, këngëve dhe historive që mësojnë, ata rriten me dashuri për atdheun, me respekt për sakrificat e brezave para tyre dhe me krenarinë për të përfaqësuar identitetin shqiptar, kudo që të ndodhen.
Një ditë, këta fëmijë do të rriten dhe do të jenë ata që do t’ua mësojnë fëmijëve të tyre vallet, këngët dhe historitë që po mësojnë sot. Ndoshta nuk do të kujtojnë çdo hap që kanë hedhur në skenë, por do të kujtojnë emocionin e të mbajturit flamurin shqiptar, krenarinë e veshjes së kostumit tradicional dhe ndjenjën e përkatësisë që i bashkoi. Pikërisht këtu qëndron vlera e punës sonë: të krijojmë kujtime që me kalimin e viteve kthehen në dashuri për rrënjët dhe në dëshirë për t’ua përcjellë ato brezave që vijnë.