-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zgjedhje të brendshme në periudhën shkurt-maj 2018, në të gjitha nivelet. Kështu vendosi sot Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një mbledhje të kryesuar nga kryetari i partisë që udhëheqë qeverinë – kryeministri Ramush Haradinaj/PRISHTINË, 20 Janar 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Zgjedhjet e brendshme në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës mbahen në periudhën shkurt-maj 2018, në të gjitha nivelet e kësaj partie. Kështu vendosi sot Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një mbledhje të kryesuar nga kryetari i partisë që udhëheqë qeverinë – kryeministri Ramush Haradinaj.“Aleanca këtë proces e konsideron ndër detyrat më të rëndësishme të radhës, kjo me qëllim të demokratizimit dhe të hapjes së mëtutjeshme të parties. Ishte vlerësim unanim që AAK të vazhdojë të jetë e hapur për të gjithë ata që besojnë se kontributin e tyre për proceset politike në parti dhe në vend mund ta japin përmes kësaj partie”, thekson deklarata e dërguar pak më parë.
Kryetari Ramush Haradinaj shprehu synimin e afrimit të secilit qytetar të vendit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
“Të synojm afrimin i secilit qytetar të vendit me Aleancën, me strukturat tona në çdo cep të Kosovës. Aleanca ka kuadro të dëshmuara në proceset e deritanishme dhe këtyre strukturave duam t’i shtojmë edhe vlera të reja me afrimin e të rinjëve, grave, ndërmarrësve, shoqërisë civile dhe profesionistëve tjerë të ndryshëm”, tha ai.
Zgjedhjet e fundit në AAK janë mbajtur në vitin 2015 dhe zgjedhjet e reja përmbushin kriterin statutar që ato të organizohen në afatin e rregullt.