Alfons Grishaj/
Mitomanit…/
O Rrenë që vjell hijen e lisit ,/
Mantel m’u mbulu me madhshtin’ e tij,/
Dhe nëse gjak sojniku prej fisit/
Nuk do me thanë se bahesh njeri./
Atje ke mbetë n’ranë pa torfë,
N’ rreshkinën e thatësinës pa ujë,
Si nji imazh shkretine amorf,
Si avulli ke me u tret pa bujë…
Kapacitete të Rreme
Lektisun mbi krijime shkarravina…
Kokat e ushqyeme me dije të cungueme
Vyshken shpejt si fidane të mbjelluna cekët.
Maratona e krijimeve mbesin si pllaka t’ ftofta
Që kur i hap ndjen lagshtinën..
Rrajza dhe brumbuj pagojcë të gjuhës njerëzore .
Koha jonë mikluese e sfidave për buk dhe jo për dije
Ka thirrë nën armë parazitët e shekullit të ri,
Ku me “bujarinë” e sajimeve habisin dhe njorancën vetë.
Institucionet “akademike” derë e hapun për mediokrit piratë
Që si sorrat shijojnë viktimën duke këndu refrenin e vdekjes .
Një Pyetje Për Gjergj Kastrioti-n :
Kastriot, lart në paqe pranë Perëndisë ,
Një fjalë për gjakprishurit që lehin si zagarë…
Që për t’huajt çallmuan turpin e tradhëtisë…
Çfarë ti thërrasim , armiq a shqiptarë?!
Maskaradë Patriotike
Qeleshet dhe qylafët i gjymtuan barsolinat.
Reverancë Markezësh , Kontësh , Dukësh…
Ballo maskash si në Venecia.
Në lupën e vëzhguesit, mozaiku i këmbëve
Qorrohet prej freskoreve që
Emetojnë parfumet… rikosheta flirti .
Nuk ka Tango , As valle Napoleoni.
Valle shpatash …?! Jo se jo !
Lahuta qan tjetërsimin e tingujve të çiftelisë,
Zumaret dhe mandolinat mjergullën e buzuqeve ,
E flamuri rënkon … shqiponja rrallon puplat me sqep të hekurt,
Koka e Deas, vajton trupin e grabitur si trojet e mëmëdheut.
Heshtje …!
Patriotizmi një ekuacion i pazgjidhur
Në shekuj , midis tradicionit dhe tundimit të metalikut robërues…
Ksenomania kjo sëmundje patetike që moleps popujt në udhëkryq,
Më bën ta dua më fort rrjellën e Drinit,
Që lëmon gurët si jehona e fyellit lëmon malet.
Atje ku pulëbardhat dhe dallëndyshet fillërojnë
Melodinë e dudukut që ndjell shtojzovallet.
Echo…!
Sado madhështore Statuja e Lirisë ,
Bash në kryqëzimin e qytetërimeve…
Kurrë nuk e ka hijen e Rozafës!
Kërcejnë maskat…Reverancë Markezësh…,
Kontësh, Dukësh e Princër …burra zakoni.
Por , sa bije perdja dhe hiqen maskat,
Makjazhet e grimierëve tradhëtojnë …
Ka ardhë Koha
Ehtin helmi vjetër, shazam !
Adet mbeturinash nizam,
Pak grurë e shumë hashash
Muzikë ciganësh e kallash.
Habitet i mirë e shejtan
Si e përçudnuan vatanë,
Ca “Rilindas” plot shyret,
Disa të kuq e ca Gajret .
Quajnë veten matrakçinjë…?!
Delirantë e batakçinjë
Vezë të prishura në gen
Shqipërinë e bënë verem .
Ka ardhë koha për ca trima
Me u thur vargje vetëtima ,
Qe këndohen brez pas brezit,
Kush i pret rrug’n edepsizit !