
Dr. Dorian Koçi/
Romani “Janicsárok végnapjai” (në shqip, “Ditët e fundit të jeniçerëve”) është një roman historik-romantik i shkrimtarit hungarez Jókai Mór, botuar në vitin 1854. Fillimisht u publikua në formë serish në revistën Délibáb, ndërsa më pas doli edhe në formë libri, fillimisht në dy pjesë, ku pjesa e parë titullohej Lufta Ballkanike. Ky roman, i shkruar në vitin 1852, është një nga veprat më të hershme dhe më të rëndësishme të romantizmit hungarez dhe trajton një figurë shqiptare me ndikim të jashtëzakonshëm në historinë e Perandorisë Osmane. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e imazhit të Ali Pashë Tepelenës në kulturën evropiane, veçanërisht në atë hungareze, ku Ali Pasha paraqitet si një figurë magnetike që mishëron rezistencën lokale, fuqinë absolute dhe tragjedinë orientale. Për më tepër, ngjarjet që paraprijnë romanin gjenden në veprën e mëparshme të Jókait, The White Rose.
Frymëzimi i shkrimtarit Jókai Mór për të shkruar këtë roman vjen nga një interes i thellë për Lindjen ekzotike, për historinë e Ballkanit dhe për figurat që sfidojnë pushtetin qendror — një tematikë që rezonon me përvojën e tij personale si pjesëmarrës në revolucionin hungarez të vitit 1848. Ali Pasha i Janinës, i njohur për autonominë e Pashallëkut të tij në jug të Shqipërisë dhe Greqinë kontinentale, si dhe për përplasjen e tij të hapur me Sulltanin, i ofroi shkrimtarit Jókai Mor një figurë të përkryer për të zhvilluar një narrativë dramatike e romantike, ku përzihen lufta për pushtet, hakmarrja dhe tragjedia. Ai u ndikua edhe nga udhëtimet e autorëve perëndimorë në Ballkan, si François Pouqueville, Lord Byron dhe John Hobhouse, të cilët kishin përshkruar takimet e tyre me Aliun dhe oborrin e tij në Janinë.
Romani ndërthur elementë historikë me fantazi letrare. Ngjarjet zhvillohen në Janinë dhe përreth territoreve që dikur kontrolloheshin nga Ali Pasha. Ai paraqitet si një figurë e fuqishme, plot kontradikta: një udhëheqës i ndritur që ndërton qytete, rrugë dhe ujësjellës, por njëkohësisht një tiran i pamëshirshëm, i dhënë pas hakmarrjes dhe i prirë për të mbretëruar me frikë. Skenat e oborrit të Janinës janë të ngarkuara me intriga politike, dashuri të ndaluara dhe dramë ekzistenciale — një mikrokosmos i Lindjes romantike që për Jókain është po aq i bukur sa dhe i rrezikshëm. Ky pështjellim shprehet fuqishëm në skenën përfundimtare të romanit, të bazuar mbi ngjarje historike, kur pas vdekjes së Aliut, kokën e tij ia dërgojnë Sulltanit.. Jókai Mor përshkruan me mjeshtëri reagimin e popullit të Stambollit ndaj ekzekutimit të një prej figurave më të frikshme dhe enigmatike të kohës:
“Në ditën e caktuar, tatari mbërriti në Stamboll me kokën e Aliut.
[…] Te porta ku ishte ekspozuar koka e Tepelenës, turma ishte aq e madhe për tri ditë me radhë, sa disa njerëz u shtypën për vdekje nga ata që donin ta shihnin – të gjithë kishin ardhur për të parë atë fytyrë me mjekër të thinjur, para vështrimit të tërbuar të së cilës kishte dridhur për një kohë të gjatë gjithë perandoria.”
Ky përshkrim jep jo vetëm fundin tragjik të një tirani, por edhe thellësinë simbolike të frikës dhe respektit që kishte ngjallur figura e tij.
Romani ndihmoi në ndërtimin e një imazhi të romantizuar të shqiptarëve në mendësinë hungareze të shekullit XIX. Shqiptarët përshkruhen si luftëtarë krenarë, të egër, por të ndershëm, që respektojnë ligjet e nderit dhe të besës. Për lexuesin hungarez, ky ishte një popull i panjohur, por i respektueshëm për heroizmin dhe për natyrën e paepur. Figura e Ali Pashës, e shkëputur nga imazhi tipik i pashallarëve osmanë, u bë simbol i një fuqie shqiptare me ambicie perëndimore dhe organizim modern. Kjo e bëri romanin të veçantë dhe shumë të lexuar në kohën e vet, duke i ofruar një paralelizëm mes përpjekjeve për autonomi në Ballkan dhe luftës së Hungarisë për pavarësi nga Habsburgët. Në këtë mënyrë, Jókai ndërtoi një urë emocionale mes lexuesit hungarez dhe një realiteti gjeopolitik që ndodhej larg Vjenës, por që përmbante ngjashmëri të dukshme.
Romani i Jókait është një ndër të parat që i kushtohet tërësisht Ali Pashës në mënyrë artistike. Në krahasim me veprat më të vona si “Ali Pasha” nga Alexandre Dumas apo paraqitje e tij në veprën e Bajronit, vepra e Jókait është më pak patetike dhe më e ndërlikuar në ndërtimin e karakterit të protagonistit. Ai nuk e sheh Aliun si thjesht një hero apo një tiran, por si një njeri të pushtetit që lufton me vetveten dhe me sistemin që e krijoi. Gjithashtu, në krahasim me përshkrimet dokumentare si ato të Pouqueville apo Leake , romani i Jókait qëndron si një dëshmi letrare e mënyrës se si Lindja interpretohej për lexuesin perëndimor – një interpretim që ndonjëherë shkon përtej fakteve historike në emër të ndjeshmërisë estetike dhe ideologjike të kohës.
Romani “Janicsárok végnapjai”( i përkthyer në shqip “Luani i Janinës” nga gazetari Ahmet Qerriqi dhe botuar në Prishtinë 2018 nga Radio Kosova e Lirë) i Mór Jókait nuk është thjesht një rrëfim për jetën e një sundimtari shqiptar. Ai është një pasqyrë e mendësisë romantike evropiane për Orientin, një interpretim letrar i forcës dhe tragjedisë, si dhe një dëshmi e marrëdhënieve kulturore mes Ballkanit dhe Evropës Qendrore. Për lexuesin shqiptar, kjo vepër ofron mundësinë për të kuptuar se si është parë Ali Pasha në letërsinë evropiane dhe çfarë roli ka pasur figura e tij në ndërtimin e një imazhi kulturor që ende rezonon në studimet historike dhe kulturore të sotme. Ky roman është një dritare e rrallë letrare në historinë shqiptare, që e meriton të lexohet, të përkthehet rishtazi dhe të analizohen në mënyrë të thelluar ndikimet e tij në perceptimin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe shqiptarëve në shekullin XIX.