
Prof.Begzad Baliu/
Ditë më parë Profesori, Martin Berisha, e ka bërë të njohur mundësinë e shkarkimit elektronik të revistës shkencore dhe kulturore të shoqatës “Migjeni” në Lubjanë “Alternativa”. Më gëzoi ky lajm dhe disa ditë më vonë i shkarkova të gjitha.
Numrin e parë të saj e kam blerë ilegalisht në kioskën që ishte në hyrje të korzës në Prishtinë, mbështjellë me një fletë gazete të “Rilindjes”, ndërsa të fundit, numrin vjetor të vitit 1990 në kioskën para xhamisë në Gjilan. Në bibliotekë kam edhe numra të tjerë, por nuk e dija se “Alternativa” paska dalë edhe viteve të fundit.
Sot i lexova gjithë ditën, sa njërin sa tjetrin, sa një artikull politik sa një tjetër kulturor. Artikujt shkencor i nxora në letër dhe i ndava për ditë më të mira. I lexova, në të vërtetë, i rilexova shumë tekste të Profesor Qosjes, Adem Demaçit, Ukshin Hotit, Martin Berishajt, Salih Kabashit, Bislim Elshanit, Emin Azemit, Halil Matoshit, Nikollë Berishës etj. Më bënë përshtypje sidomos politikanët dhe intelektualët sllovenë e kroatë, si Jasha Zlobec, Vladimir Sheks, Matjazh Hanzhek etj.
I lexova në mënyrë të veçantë artikujt e viteve të vona, kur nuk e dija se revista paska dalë më tej. E revista paska vazhduar të dalë edhe më tutje, por jo me konceptin e atyre politikave kur bëhej beteja e madhe për çlirimin e vendit nga prangat jugosllave, po me koncepte akademike të ngritjes shkencore të saj, me artikuj të zgjedhur në shërbim të shtetndërtimit të Kosovës dhe demokratizimit të shoqërisë shqiptare.
I lexoj artikujt publicistikë, politikë, letrarë, kulturorë, shkencorë e atdhetarë dhe ndalem e mendoj për rolin e saj në kapërcyell të shekullit XX. Rolin e saj, rolin e drejtuesve të saj dhe rolin e pjesëmarrësve në krijimin e frymës së saj. Dhe ndalem e mendoj e i krahasoj ata me përvojën e etërve tanë 100 vjet më parë në fund të shekullit XIX. Një përvojë pothuajse identike e një Rilindjeje, prej së cilës ky brez ka mësuar dhe është frymëzuar shumë.
Lexoj dhe ndalem e mendoj! Mirë, këtu mund të gjesh etërit e ri të Rilindjes Kombëtare, po pas tyre sot na mungojnë etërit e shtetndërtimit, të cilët në fillim të shekullit XX, pra pas Shpalljes së Pavarësisë, shtetin dhe kombin shqiptar e ndërtuan mbështetur në shtyllën e parë: gjuhën dhe arsimin.
Lexoj “Alternativën” dhe shoh se këtu në Kosovë, në pushtetin e Kosovës, nuk mungojnë ata që mungonin atje, në Lubjanë!
Dhe e kuptoj, pse “pushteti” mbahej edhe nën terrorin serb!
Dhe e kuptoj pse betejat për pushtet gjatë dy dekadave pas luftës së Kosovës ishin kaq të paparimshme!
Dhe e kuptoj pse Kosovës edhe më tej i duhet një Përlindje atdhetare e brezit të “Alternativës”.
Faleminderit, Profesor Martin!
Pa përpjekjet e shoqatës “Migjeni” dhe kontributit të revistës “Alternativa” nuk mund të shkruhet historia e re shqiptare përgjithësisht. Ato janë një prej referencave më të rëndësishme të europianizimit të çështjes shqiptare.

See Insights and Ads
All reactions:
11