Vlerësojmë mbështetjen e tij për marrëdhënie të forta me SHBA/
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndesin vendimin e kryeministrit Berisha për tërheqjen e tij nga politika. Në një deklaratë për mediat, Ambasada amerikanë e akredituar në vendin tonë falënderon kryeministrin në largim për mbështetjen e tij konseguente për marrëdhënie të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
“Falënderojmë Kryeministrin në largim Sali Berisha dhe vlerësojmë mbështetjen e tij konseguente për marrëdhënie të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Më tej në deklaratë ndërsa përgëzon popullin shqiptar për pjesmarrjen masive në zgjedhjet e 23 qershorit, Ambasada e SHBA u bën thirrje institucioneve që të certifikojnë sa më parë rezultatin e zgjedhjeve.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon qytetarët e Shqipërisë, të cilët morën pjesë masivisht në zgjedhjet kombëtare të 23 qershorit 2013 për të riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj të ardhmes demokratike të Shqipërisë. Me përfundimin së afërmi të numërimit, nxisim institucionet zgjedhore të certifikojnë me shpejtësi zgjedhjet dhe të konfirmojnë vullnetin e popullit shqiptar. Pas formimit të një qeverie të re, nxisim udhëheqësit dhe zyrtarët shqiptarët të riangazhohen ndaj procesit të integrimit europian dhe reformave të tjera që nevojiten. Ndonëse pjesa më e madhe e votimit në ditën e zgjedhjeve dhe numërimi që pasoi u zhvilluan në mënyrë të rregullt, pati disa akte të pafalshme dhune që njollosën frymën e zgjedhjeve. Qytetarët shqiptarë nuk kanë pse ta përjetojnë diçka të tillë; ata meritojnë të hedhin votën e tyre dhe që ajo të numërohet në një mjedis të sigurt, të lirë nga kërcënimet dhe shtrëngimet”, përfundon deklarata.