Sokol PAJA – DIELLI/
Ambasador Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Shtetin e New Yorkut, USA, i shoqëruar nga Albesjana Iberhysaj Kapitaj, Ministër Këshilltar pranë Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, vizituan Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra. Në këtë takim të përzemërt diplomatët shqiptarë nga Kosova u pritën nga kryetari z.Elmi Berisha dhe përfaqësia më e lartë e VATRËS. Në përshëndetjen vëllazërore të mikpritjes, kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u shpreh: “I nderuar Shkëlqësi Ambasador z.Isufaj, e nderuar diplomate e nderuar zonja Iberhysaj Kapitaj. Jam shumë i gëzuar që ju sot vizitoni Vatrën, shtëpinë e të gjithë shqiptarëve. Vatra nuk është thjeshtë një Federatë, por një institucion shpirtëror, patriotik dhe atdhetar që ka punuar ditë e natë për kombin shqiptar. Vatra ka qenë dhe do të jetë kurdoherë në çdo qëndër diplomacie si në Uashington dhe në Perëndim ku merren vendime në dobi të çështjes kombëtare. Prej më shumë se një shekulli, Vatra ka zhvilluar fuqishëm diplomacinë e saj në dobi të kombit shqiptar. Jo më larg se dy muaj më parë, unë personalisht në emër të Vatrës nënshkrova me Ministren e Jashtme të Kosovës zonjwn Haradinaj Stublla, një memorandum, së shpejti do ta nënshkruaj edhe në Tiranë me Ministrinë e Diasporës për një bashkëpunim mes Vatrës dhe këtyre digastereve diplomatike, një bashkëpunim të thellë, të sinqertë, të plotë dhe dinjitoz me qëllim që ta çojmë përpara çështjen kombëtare, zhvillimin dhe bëgatinë e shteteve tona. Është domosdoshmëri për kombin tonë që të krijojmë miq dhe ura bashkëpunimi me Perëndimin dhe Uashingtonin. Vatra do jetë në çdo moment aty për të luajtur rolin e saj historik e shekullor. Vatra është shtëpija e juaj z.Ambasador. Ne do ju ndihmojmë me çdo kusht për të çuar përpara fuqinë tuaj diplomatike dhe misionin tuaj. Jam i gëzuar dhe i privilegjuar që të punojmë me një diplomat me cilësi të veçanta si ju” përfundoi fjalën e tij kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Ambasador Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Shtetin e New Yorkut u shpreh shumë i entuziazmuar për mikëpritjen dhe atë që i ofroi Vatra në të ardhmen. Ndër të tjera diplomati Isufaj tha: “Jam shumë i lumtur që gjendem në mesin tuaj. U jam mirënjohës për mikëpritjen. Kjo është vizita ime e parë në organizatat dhe shoqatat shqiptare në New York. Jo më kot kam zgjedhur Vatrën të parën sepse ju jeni të parët. Roli dhe kontributi juaj në histori është i jashtëzakonshëm. Shpreh vlerësim dhe nderim për Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra, për historinë e saj dhe kontributin e saj tash një shekull. Veç kur shikon rreth e rrotull gjithë këto figura të larta të kombit e shtetit shqiptar, ndjehesh shumë krenar dhe mirënjohës për rolin dhe kontributin e diasporës. Shqiptarët e Amerikës kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm që nga lufta, Pavarësia e shtetndërtimi në Kosovë. Ju keni mbajtur zjarrin ndezur dhe keni kontribuar në proceset historike të shtetit të Kosovës. Falë jush ne kemi miq shumë të fuqishëm në Senat dhe Kongres. Progresi dhe suskesi i Kosovës dhe institucioneve ka edhe rolin tuaj të jashtëzakonshëm. Si diplomat dhe si Ministri, ne do të bashkëpunojmë jashtëzakonisht shumë ngushtë me Vatrën. Konsullata e Kosovës në New York do jetë derë e hapur për Vatrën e çdo vatran e çdo shqiptar. Sëbashku me Vatrën do ulemi e do punojmë me axhendë të përbashkët në fushat specifike diplomatike si shkenca politike, ekonomi politike e dipomaci ekonomike. Ne si Konsullatë dhe ju si Vatër do bëjmë një punë të shkëlqyer në vazhdim duke ftuar dhe bërë pjesë të pandashme tonën të rinisë shqiptare në New York sidomos. Jemi me fat se rinia jonë studion në universitetet më të mira në USA. Kjo rini do të rrisë kapacitetet tona diplomatike dhe kombëtare” u shpreh Ambasador Frymëzim Isufaj. Sekretarja e Përgjithshme e Vatrës, Nazo Veliu përshëndeti takimin duke deklaruar: “Sot Kosova ka shumë nevojë për mbështetje dhe njohje ndërkombëtare. Puna juaj si Ambasador do të ndihmojë që në Kosovë të vihet drejtësi dhe shteti i Kosovës e progresi i saj të pasqyrohet kudo. Të gjithë së bashku në vendet ku jemi ti tregojmë botës së sa mund të bëjmë për vendin, për shtetin për kombin tonë. Ju urojmë sukses në këtë mision fisnik. Respekt dhe për punën e diplomatëve të shkëlqyer që ka pasur Kosova më përpara jush në Uashington dhe në New York. Ju jeni gjeneratë e re në politikë e diplomaci. Kjo është diçka fantastike sepse ju i jepni shpresë brezit të ri për themelet e shtetit të ri e të fortë të Kosovës. Ju e fituat lirinë me gjak e shtetin e ndërtuat me sakrifica. Në Hagë duhet të jenë kriminelët e Serbisë e jo trimat e luftëtarët e Kosovës. Në këtë pikë lypet shumë diplomaci e përpjekeje që të zbardhim faqen e luftës, lirisë e pavarësisë së Kosovës”. Arkëtari i Vatrës Marjan Cubi u shpreh në takim se: “Komunizmi në Shqipëri dhe Serbia në Kosovë kanë lënë pasoja të mëdha që na takon neve dhe ju brezit të ri të punoni fort. Unë kam besim se ju do të bëni një punë të shkelqyer. Ju do ta çoni përpara diplomacinë e Kosovës dhe ju premtoj se Vatara do ju mbështesë fuqishëm në çdo hap”. Mark Mrnaçaj, Anëtar i Kryesisë së Vatrës përshëndeti takimin patriotik dhe u shpreh se: “Ju uroj sa më shumë sukses në punën tuaj diplomatike. Ju falenderoj për mirënjohjen që i tregoni Vatrës. Si vatranë ne do të bëjmë gjithçka për të përparuar kombi shqiptar dhe shteti i Kosovës e Shqipërisë dhe çdo shqiptar kudo në botë”. Zef Balaj, Anëtar i Kryesisë së Vatrës u shpreh se: “Vatra ka punuar dhe do të punojë gjithmonë në dobi të çështjes shqiptare dhe në dobi të zhvillimit të Kosovës. Është kënaqësi që Vatra do jetë dera juaj e hapur në çdo kohë. Ju dëshirojmë sukses dhe punë të mira. Qofshi faqebardhë në punën tuaj. Paçi vetëm të mira”. Dr. Pashko Camaj, Nënkryetar i Vatrës deklaroi në takimin vëllazëror: “U jemi mirënjohës për vizitën dhe ju dëshirojmë sukseset më të larta në misionin tuaj. Vatra ka qenë gjithmonë një shtëpi e vogël e veprave të mëdha, veprave të jashtëzkaonshme në dobi të çështjes shqiptare. Edhe për Kosovën dhe Vatrën, bashkëpunimet në të ardhmen do të jenë një punë fantastike. Ardhja e rinisë në Vatër dhe Konsullatë do të na ndihmojë shumë në punët e mrekullueshme që ne si Vatër dhe ju si mision diplomatik do të bëjmë në të ardhmen. Rinia dhe intelektualët janë një potencial i madh për shtetet tona dhe të ardhmen e mirë të shqiptarëve në hapsirat shqipfolëse. Në çdo pikëpamje ju mbështesim dhe ju garantojmë se Vatra do të jetë përkrah nismave tuaja në dobi të shtetit dhe çështjes kombëtare”. Takimi u përmbyll shumë vëllazërisht dhe u la në të ardhmen e afër një tjetër tryezë vëllazërore për të vazhduar sëbashku axhendën diplomatike të shtetit të Kosovës e çështjes kombëtare e prosperitetit të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Kosovë, Shqipë, New York, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo në botë.