Arvizu – Spahiut: Shmangni rrëshqitjen në retorika nacionaliste/
Ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu është takuar sot me kreun e aleancës “Kuqezi” Kreshnik Spahiu.
Takimi mes ambasadorit Arvizu dhe Spahiut është zhvilluar në zyrat qëndrore të kësaj force politike ndërsa në fokus të bisedimeve kanë qënë zgjedhjet e 23 qershorit.
Në një prononcim për mediat pas takimit, ambasadori Arvizu ka vlerësuar konkurrencën në politikë por ka këshilluar të shmanget rrëshqitja drejt retorikës nacionaliste.
“Konkurrenca politike është gjë e mirë, në çdo lloj demokracie duhet të ketë një konkurrencë të tillë. Për këtë arsye vlerësojmë pjesëmarrjen e saj aktive në këtë fushatë. Kemi folur për platformën, theksin e fortë që kanë, shtetin ligjor dhe antikorrupsionin. Ne gjithashtu folëm për atë që është e rëndësishme për çdo parti në vend dhe SHBA, që të flitet në mënyrë të moderuar për vazhdimësinë në rajon prandaj e kam nxitur Spahiun në këtë kuptim që patriotizmi është gjë e mirë, por është e rëndësishme që në axhendën tuaj të shmanget tundimi që të rrëshqitet drejt retorikës nacionaliste, e cila mund të jetë kundër stabilitetit dhe moderacionit për të cilën folëm dhe kemi marrë garanci prej tij dhe lidershipit të AK-së që në fakt politika e tyre do të jetë siguria” tha Arvizu.
Ndërsa kreu i AK-së Kreshnik Spahiu është shprehur se forca politike që ai përfaqëson do të publikojë platformën politike e cila do të ketë në fokus luftën kundër korrupsionit.
“Shqipëria është në prag të zgjedhjeve më vendimtare për shqiptarët, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe për të ardhmen e procesit të gjithë shqipatreve në rajon dhe natyrisht për standardet e integrimit ta gjithë shqiptarëve na BE. AK tashmë do ta prezantoja programin dhe platformen e saj të orientuar në një luftë pa kompromis kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, për ta nxjerrë për të parën herë nga harta e zezë Shqipërinë, si një nga vendet më të korruptuar në të gjithë Europën si një nga vendet e përfshira në trafiqe dhe me probleme të krimit të organizuar ” tha Spahiu.
Ai ka theksuar gjithashtu se AK-ja do të kërkojë edhe hartimin e një ligji për kufizimin e mandateve të lidershipit politik.
“Aleanca “Kuqezi” do të kërkojë një ligj për vendosjen e standarteve ashtu si në SHBA-ja ku ndryshon lideri edhe në Shqipëri të kufizohet mandati i lidershipit politik shqiptar, jo më shumë se dy mandate, duke filluar nga kryetarët e komunave, të bashkive, kryeminitri, presidenti, liderët e partive, etj” tha Spahiu.(BS)