Tirane, 27 Qershor- Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu ka deklaruar sot se duhet të zhvillohet një trazicion i butë dhe i rregullt në Shqipëri.
Në një prononcim të shkurtër për mediat pas takimit me kreun e PS-së Edi Rama, ambasadori theksoi se i ka përcjellë kryesocialistit Rama mesazhin se SHBA-ja mbetet partnere e Shqipërisë.
“Zhvilluam një diskutim të mirë dhe substancial. Dy gjërat më të rëndësishme që diskutuam e para ishte që të kemi një trazicion të butë dhe të rregullt dhe arsyeja e dytë që është edhe arsyeja se përse ndodhemi këtu që të ripohojmë angazhimin e fortë të SHBA-së. SHBA mbetet një partnere e Shqipërisë dhe ky është mesazhi që SHBA-ja përcjell” theksoi Arvizu.
Meta: Të angazhuar për të përshpejtuar reformat integruese
Kreu i LSI-së Ilir Meta në një konferencë të përbashkët me ambasadorin Arvizu shprehu angazhimin e tij për të përmbushur të gjitha detyrimet në respekt të kodit dhe të ligjit dhe për të vazhduar marrëdhëniet shumë të mira dhe të fuqishme me SHBA-në.
“Do të vijojmë bashkëpunimin me SHBA-në me prioritetet që ne kemi për vendin tonë por edhe për SHBA-në sidomos në drejtimin e forcimit të ligjeve dhe pavarësinë e institucioneve. Për të krijuar një konsensus sa më të gjerë të përmbushjes së reformave që do të përshpejtojnë integrimin europian të Shqipërisë dhe do të adresojnë problemet e qytetarëve tanë” tha Meta.
Meta theksoi më tej se Shqipëria ka marrë një shtysë së fuqishme nga zgjedhjet e 23 qershorit dhe partneriteti me SHBA-në do të ndihmojë Shqipërinë të ecë më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit. “Ne do ta bëjnë SHBA-në edhe më krenare për ndihmën që i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe në BE” tha Meta.
Arvizu: Mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE
Ndërsa ambasadori Arvizu u shpreh se është takuar me kreun e LSI-së për t`i konfirmuar të ardhmen demokratike të Shqipërisë dhe anëtarisimin e saj në Bashkimin Europian.
“E falënderoj që gjeti mundësinë që gjeti të na presë dhe e falënderoj për kohën që na kushtoi pasi ai ka pasur një fushatë të lodhshme. Dhe arsyeja pse ndodhemi këtu është që të konfirmojmë të ardhmen demokratike e Shqipërisë dhe mbështetjen për në Bashkimin Europian. Sikurse janë në pritje për qeverinë e ardhshme, pritjet janë të larta, pritet një tranzicion i qetë dhe pres me kënaqësi të bashkëpunoj me z Meta dhe anëtarët e tjerë të koalicionit”, u shpreh Arvizu
Takimi me dy liderët e së majtës zhvillohet vetëm një ditë pasi në të gjithë vendin përfundoi procesi i numërimit të votave ku e majta fitoi bindshëm në zgjedhjet e 23 qershorit.