-Jahjaga: Së bashku do të thellojmë partneritetin dhe miqësinë permanente mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës/
-Ambasadori i ri i SHBA-ve, Greg Delawie dorëzon letrat kredenciale dhe shëtiti më këmbë shesheve të Prishtinës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 21 Gusht 2015/ Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, sot pasdite dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës, pasi dhanë edhe deklarata për mediat.
Brenda takimit, pas ceremonisë zyrtare të dorëzim-pranimit të letrave kredenciale, Presidentja Jahjaga i dëshiroi mirëseardhje dhe punë të mbarë ambasadorit Delawie, dhe më pastaj biseduan për çështje të aktualitetit në Kosovë, sundimin e rendit dhe të ligjit, forcimin e luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekstremizmit, rrugën evropiane të Kosovës dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Presidentja Jahjaga dhe ambasadori Delawie theksuan rëndësinë e partneritetit dhe të miqësisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe SHBA-së dhe nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit. Ata thanë se përparimi në fushën e sundimit të ligjit do të ndihmojë vendin edhe në hapjen e perspektivës ekonomike dhe krijimin e një klime të mirëbesimit për investime të huaja.
Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, e falënderoi Presidenten për mikpritjen e ngrohtë dhe theksoi rëndësinë e thëllimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori Delawie fillimisht me mirëdita të gjithëve, duke folur edhe shqip.
“Faleminderit Presidente Jahjaga për mikpritjen e veçantë që ju dhe stafi juaj na ofruat sot. Kam nderin që përfaqësoj presidentin Obama dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtu në Kosovë. Jam krenar që po i bashkohem listës së gjatë të zyrtarëve amerikanë që mund t’ju quajnë juve – dhe Kosovën – miq”, u shpreh ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës , vijoi ambasadori Delawie, kanë qenë miq të palëkundur të Kosovës që prej hapjes së Zyrës Informative në vitin 1996.
“Tash, përderisa po bëhemi gati që me zell ta shikojmë ndërtimin e ambasadës së re gjatë mandatit tim, bashkëshortja ime Vonda, fëmijët tanë, Torrence dhe Fred dhe unë jemi shumë të lumtur që jo vetëm do ta kemi rastin t’i shohim vendet historike dhe kulturore në Kosovë, por edhe t’i shijojmë bukuritë e saj natyrore. E kam në plan që të zhytem në këtë menjëherë gjatë kësaj fundjave”, tha ai.
Po ashtu, vijoi ambasadori Delawie, i pres me padurim bisedat me prijësit qeveritarë, grupet afariste dhe me shoqërinë civile. E di se do të dëgjoj shumë për sfidat e shumta me të cilat përballeni, por edhe idetë tuaja të mira për vazhdimin e partneritetit tonë të fuqishëm përmes së cilit mund të arrijmë edhe më shumë suksese dhe të arritura.
“Jam i bindur se, duke punuar së bashku, udhëheqësit kosovarë mund ta vazhdojnë ta çojnë përpara sundimin e ligjit ta forcojnë sigurinë rajonale, të ndërtojnë institucione të fuqishme demokratike dhe ta vazhdojnë punën e rëndësishme për të ofruar mundësi ekonomike për të gjithë”, theksoi ai.
Po ashtu, tha ambasadori amerikan, pres me padurim t’i takoj të rinjtë e Kosovës, për të mësuar nga brezi i prijësve të ardhshëm rreth sfidave me të cilat përballet vendi.
“Ishte kënaqësi dhe nder që mora pjesë në këtë ceremoni sot, e cila shënon fillimin zyrtar të punës sime me Qeverinë e Kosovës. Mezi po pres që t’ia filloj punës. Ju faleminderit shumë”, përmbylli deklaratën ambasadori Delawie.
Presidentja Jahjaga tha se, kishte nder të jashtëzakonshëm që t’i uroj mirëseardhje në Kosovë, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie dhe familjes së tij, dhe t’i uroj punë të mbarë në detyrën e re në Kosovë.
“Së bashku, z. Ambasador, ne do të thellojmë partneritetin dhe miqësinë permanente mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ajo.
Presidentja e Republikës theksoi se, kemi kaluar një rrugë të gjatë për ta bërë Kosovën shtet dhe se, sot shteti ynë është promovues i paqes, sigurisë dhe stabilitetit, një demokraci e re dhe dinamike, në përpjekje të vazhdueshme për t’u përmirësuar, për t’u shndërruar në vend ku sundon rendi dhe ligji.
“Ambasador, në këtë rrugëtim populli i Kosovës ka gëzuar besimin e shtetit tuaj dhe mbështetjen e tij të pakursyer për t’i realizuar idealet dhe vlerat tona të përbashkëta. Kosova mbetet e palëkundur në këtë përkushtim. Përparimi i Kosovës është i jashtëzakonshëm. Natyrisht, neve na presin shumë punë për ta bërë këtë përparim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm”, u shpreh Jahjaga.
Ajo theksoi se, përpjekjet tona të përbashkëta kam besim se do ta mundësojnë ndërtimin e shtetit gjithëpërfshirës, dhe shtetit të së drejtës, që hap perspektivën për secilin qytetar, pa dallim dhe që e afron shtetin e Kosovës drejt qëllimit për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Kosova ka dëshmuar se është shtet që i kupton seriozisht obligimet e veta ndërkombëtare dhe që jemi partnerë të rëndësishëm në konfrontimin e sfidave globale që kërcënojnë sigurinë tonë të përgjithshme. Mbetet synim i ynë që të bëhemi pjesë e pandashme e organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë për ta dhënë kontributin tonë në axhendën e përbashkët”, tha Jahjaga.
Ne, vijoi Presidentja kosovare, kemi treguar përkushtimin për ndërtimin e marrëdhënieve të mira në rajon dhe i kemi hapur rrugën bashkëpunimit përmes dialogut dhe përmes arritjes së marrëveshjeve për ta bërë paqen të qëndrueshme dhe për t’i hapur perspektivën tërë rajonit.
“Ambasador Delawie, më lejoni që edhe njëherë t’ju shpreh mirëseardhjen time, në emër të popullit të Kosovës dhe të institucioneve të saj, duke u përkushtuar gjithnjë në partneritetin dhe miqësinë, vlerat dhe idealet që dy vendet tona i ndajnë së bashku”, tha në deklaratë Jahjaga.
Presidentja Jahjaga dhe ambasadori i SHBA-së, Delawie, bën një shëtitje në qendrën e qytetit të Prishtinës ku vizituan edhe panairin “Java e Mjedrave” që promovon prodhimin vendor dhe që mbështetet nga USAID-i.
Ambasadori amerian derisa ecte në sheshet Ibrahim Rugova, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e Nëna Terezë, ku vizitoi edhe panairin e mjedrave që promovon prodhimin vendor dhe që mbështetet nga USAID-i, u mirëprit e përshëndet përzemërsisht nga shumë qytetarë, edhe duke u takuar me shtrëngime duarsh.
Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pret sot në takim ambasdorin e ri të SHBA-ve, Greg Delawie, i cili ka mbërritur dje në Prishtinë.
Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.
Në fjalën në ceremoninë e betimit si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, në 24 korrik 2015, Delawie mes tjerash është shprehur: “Besoj që qytetarët e Kosovës e ndajnë vizionin tonë. Aspiratat e tyre e përfshijnë Kosovën si shtet demokratik, shumetnik, të njohur dhe në paqe me fqinjët e vet, me një qeveri që funksionon mirë dhe që e zbaton sundimin e ligjit dhe që është e lirë nga korrupsioni. Edhe ata e dëshirojnë një Kosovë që është në rrugë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në institucionet kryesore evropiane. Dhe ata dëshirojnë një Kosovë ku me arsye mund të presin të gjejnë vende pune që do t’u ofrojë familjeve të tyre të ardhme pozitive”.
Në 6 korrik, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në takimin e lamtumires e dekoroi ambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson me Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Ibrahim Rugova”, për kontribut të veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit në Republikën e Kosovës.
SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para mëse 19 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
“Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës është festë për kosovarët dhe përjetohet si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen”, raportoja nga korrespondentura e ATSH në Prishtinë atë ditë të lume gëzimi para 19 viteve..
Në 6 prill 2008 Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë, ndërsa më 18 korrik, po atë vit historik të shpalljes së pavarësisë, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.
Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe të ambasadave në Kosovë.
“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte presidentja e Republikës duke iu drejtuar ambasadores së SHBA-ve.