Nga Gjergji Mima/ TIRANË, 13 Janar – Ecuria e reformave drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE, zhvillimi i Shqipërisë si aleate e NATO-s dhe forcimi i institucioneve demokratike janë tre prioritetet e misionit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu.
Në një konferencë për shtyp, pas prezantimit të letrave kredenciale me Presidentin Bujar Nishani, ambasadori Lu u shpreh se, “Uashingtoni më ka dhënë 3 prioritete për ecurinë e reformave drejt anëtarsimit në BE, zhvillimi i Shqipërisë si aleate e NATO-s dhe forcimi i institucioneve demokratike”.
Duke uruar Shqipërinë për marrjen e statusit të vendit kandidat, ambasadori Lu u shpreh se shqiptarët duhet të ndjehen krenarë për këtë arritje.
Ambasadori Lu u shpreh se SHBA do të mbështesë përpjekjet e mëtejshme euro- atlantike të Shqipërisë, do të nxisë përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe nxitjen e përmirësimit të klimës së biznesit.
Gjithashtu, rifokusimi i trajnimeve dhe ndihmës amerikane për të përgatitur ndihmën e ushtrisë shqiptare në misionet e NATO-s, do të jetë pjesë e punës së ambasadorit Lu. Po ashtu si bashkëpunimi në reformën në drejtësi dhe fuqizimi i sektorit të OJQ-ve.
“Shqiptarët presin shumë nga Ambasada e SHBA dhe Ambasadori amerikan për shkak të lidhjeve historike dhe miqësisë mes vendeve tona. Do të jemi miq të sinqertë”, tha ambasadori Lu.
Lidhur me politikën e SHBA-së ndaj Shqipërisë, ambasadori Lu u shpreh se, “ambasadorët amerikanë ndryshojnë, por politika nuk ndryshon. Unë kam respekt për të gjithë ambasadorët që kanë punuar më parë në Shqipëri. Bashkëpunimi mes vendeve tona ka arritur nivel të larta. Kemi politikën kundër ISIS dhe parandalimit të largimi të luftëtarëve në Siri. Ky lloj bashkëpunimi ka qenë i paimagjinueshëm vetëm 20 vite me parë”.
Ndërsa duke folur për tragjedinënë redaksinë e gazetës satirike franceze ‘Charlie Hebdo’, ambasadori Lu u shpreh se, “një nga fushat e qarta pë partneritet është antiterrorizmi dhe sulmi në Charlie Hebdo nuk ishte sulm ndaj disa individëve, por kundër vlerave demokratike dhe asaj mënyre jetese të vlerave perendimore. Këto janë vlera që i ndajmë me Shqipërinë. Po punojmë me Shqipërinë dhe partnerët e tjerë me të cilët ndajmë vlera të njëjta”. /ATSH