(Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow)
Terenc Toçi (1880-1945)
Nëse i hedh një sy Medias së Shkruar dhe bën një kërkim të thjeshtë mbi emrin e një personaliteti si Terenc Toçi, ajo që të tërheq menjëherë vëmëndjen është fakti se ka një bollëk artikujsh mbi jetëshkrimin e këtij patrioti, politikani dhe juristi par excellence i cili vuri themelet e drejtësisë moderne shqiptare, por mungojnë ndjeshëm shkrimet mbi konceptet dhe idetë e tij politike, ekonomike, shoqërore e kështu me radhë.Mesa duket edhe pse ka kaluar shumë kohë, ne vazhdojmë që të merremi ende me hartime biografish, me “njollat” dhe “zbardhjen” e tyre nga njëri apo tjetri apo “ndonjë grimcë pikante që shet” por pa i kushtuar rëndësinë e duhur mendimeve, ideve apo edhe koncepteve të vyera që këta njerëz të mëdhenj kanë lënë në gjirin tonë me qëllim që të përfitojmë sadopak prej tyre, duke u bërë mjekë të vetvetes dhe duke i kuruar një e nga një si shoqëri plagët tona.
Një synim të tillë për të përcaktuar diagnozën e plagëve tona dhe për të ofruar një mjekim për shërimin e trupit kombëtar ndërmerr edhe politikani ynë patriot Terenc Toçi.Në vitin 1922, dy vjet pas Kongresit të Lushnjes (1920) dhe katër vite përpara se të shkruante veprën e jetës “E Drejta Penale”(1926) Toçi do të shkruante një tjetër vepër, të titulluar “Krimet e Politikës” në të cilën me syrin e një njohësi të shkëlqyer të realitetit të kohës së vet na përshkruan anatominë e destruktivitetit të politikës shqiptare, plagë që fatkeqësisht kanë mbetur të njëjta edhe në kohën tonë.Por cila është kuintesenca e këtij libri?!
Dr.Toçi në hyrjen e kësaj vepre kujdeset që të theksoj se Pushtuesi 5-Shekullor Osman jo vetëm që na bëri të humbasim karakterin tonë kombëtar por ai na la gjithashtu edhe një zakon të lig mes nesh, Akraballëkun.Me këtë zakon e nisëm organizimin dhe ndërtimin e Shtetit Shqiptar, i cili lindi në Vlorë dhe në Lushnje.Por ç’do të thotë “akraballëk”?! Në qoftë se i referohemi Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe të Akademisë së Shkencave, definicioni për këtë term me prejardhje turke (Akraba) është “Përkrahje që u jepet miqve e farefisit, në dëm të interesave të përgjithshme.” Kështu ky gjarpër fillimisht i vogël, u transformua papritmas në një bollë të rrezikshme laramane dhe iu përdrodh trupit kombëtar me sa forcë që kishte, për ti marr Frymën.
Por si ndodhi diçka e tillë?! Përgjigjen na i jep në mënyrë mjaft të qartë vet Dr.Toçi kur shkruan se “një gjë e tillë ndodhi pasi ky Cinematograf Ministrash që shkojnë e vijnë njëri pas tjetrit e rriti dhe e ushqeu me veprimet dhe intrigat veta politike këtë gjarpër duke hapur zyra apostafat për njerëz të pazotë, njerëz që s’din ku janë dhe çfarë janë dhe duke çuar dëm paret e Popullit (për zyra ku pihet kafe e duhan).”Eshtë e dhimbshme teksa konstaton që edhe në vitin 2022 sheh po të njëjtin fenomen, me institucione shtetërore të gllabëruara farefisnisht, me zyra të reja të hapura më kot për të punësuar militantët partiakë dhe njerëz të afërm me pushtetin, me inaptokratë injorantë dhe arrogantë që të trajtojnë në mënyrë shtazarake dhe jo si një qytetar i denjë i këtij vendi dhe me një shërbim publik që lë mjaft për të dëshiruar.
Toçi e ofron madje edhe zgjidhjen sesi t’ia presim kokën këtij gjarpëri i cili po na rrezikon jetën kombëtare: “Spastrimi i zyrave duhet kryer urgjentisht pasi këto shpërdorime burokratike janë duke na marr m’qafë.Nuk duhet të vazhdojmë më me këtë marrëzi, duke shpenzuar dhe duke mësuar analfabetët, berberët dhe këpucarët sesi të bëhen zyrtarë të lartë…Selektimi i nënpunësve duhet bërë me zgjedhje, me provime, me kontroll.Hatri dhe klikat duhen ndëshkuar dhe këta tradhëtarë të Interesit Kombëtar duhen bërë shëmbull me anë të Ligjit dhe Drejtësisë. Populli derdh gjakun e tij në arkën e Shtetit që të mbaj gjallë, të përparoj dhe të madhëroj Kombin, jo që të majmë budallët e papunë.” Sa do të zhgënjehej Avokat Terenci nëse do ta vizitonte tani Shqipërinë dhe të shikonte se pavarsisht një shekulli të kaluar, asgjë nuk ka ndryshuar.Që edhe pse parimisht ekziston një institucion për përzgjedhjen e nënpunësve të administratës i quajtur “Departamenti i Administratës Publike”, përzgjedhja bëhet me urdhër nga lart, nuk vlerësohet meritokracia dhe nëpër konkurse fiktive, fitues me pikë të plota del përherë dikush, “nip a mbesë e dikujt” (Nepotizmi) nga brënda Institucionit ku aplikon.
Një problem tjetër që Dr.Toçi konstaton është edhe ai i Kolltukofagisë.Ja sesi e shpreh revoltën e vet Ai: “Ne-Populli-me të gjitha mjetet që na caktojnë Ligjet, do ti themi Qeverisë (në qoftë se disave ju dhimbset që ta lirojnë kolltukun dhe nuk ju vjen turp të qëndrojnë përpara popullit) se shumë deputetë nuk i njohim më si përfaqësues të Popullit pse na kanë rrejt; se të gjithëve do t’ua marrim pas mandatin, dmth përfaqësimin.Këta deputetë jo vetëm që na rrejtën por e treguan atdhetarizmin e tyre me intriga dhe dallavere, duke luajtur poker dhe tavëll dhe duke e kaluar kohën gëzueshëm nëpër restorante në vend që të merrnin parasysh detyrën që u është caktuar.Të kishin qënë të huaj, në daç edhe prej Afganistanit-ata deputetë besoj do të bënin ndoshta edhe më tepër për këtë të shkretë popull…Ne i bojkotojmë këta njerëz! Shqipëria është e Popullit dhe jo e Disave!” Edhe pse është shkruar më 1922-in e largët, ky përshkrim realist i deputetëve tanë vazhdon të jetë ende mjaft aktual.Ne jo vetëm që vazhdojmë të kemi edhe sot në jetën politike të vendit deputetë qysh nga koha e Zemanit, që na kanë dëndur me mashtrime dhe janë ndryshkur mbi karrige por gjithashtu kemi edhe individë të caktuar të cilët kanë zënë poste publike kyçe në administratë dhe politikën e jashtme, shpesh edhe familjarisht dhe posi Harpitë nuk i shqisin thonjtë prej tyre duke i konsideruar tashmë si domene vetiake. (Bajraktarizmi Politik)
Kopja e librit “Krimet e Politikës” e Dr. Terenc Toçit
Një problematikë tjetër shqetësuese që Terenc Toçi paraqet është edhe Çilimillëku Ekonomik.Kështu sipas tij, vendi ynë e ka vuajtur shumë mungesën e financierëve të zotë dhe një organizator financash i duhet domosdoshmërisht Shqipërisë, edhe sikur ky i fundit të merret nga jashtë vendit. “Një vend i cili nuk i kushton rëndësinë e duhur vëllimit të shkëmbimeve tregtare dhe eksport-importit nuk mundet me jetue.-vazhdon më tej Ai.” Ne jemi në fazën që vetëm importojmë pa kriter dhe ky është një akt çilimillëku ekonomik.
Në optikën ekonomike të Terenc Toçit shteti duhet të zhvilloj një politikë proteksioniste me qëllim që të stimuloj prodhimin dhe shitjen e produkteve vendase.Gjithashtu ai duhet të nxis zhvillimin e bujqësisë dhe industrisë.Produktet që ekziston mundësia që të prodhohen në vend, pse ti porosisim nga jashtë kur fare mirë këto të ardhura mund ti qarkullojmë këtu, duke ndihmuar në këtë mënyrë ekonomikisht edhe bashkë-kombasit tanë?!- pyet Ai. Por “Baba Ryshfeti” dhe “Batakçinjtë e Interesit Kombëtar” janë si vena e qafës pranë Kreut të Qeverisë dhe influencojnë për interesat e tyre vetiake edhe në këtë drejtim.Mjafton ti hedhësh një sy Shqipërisë së vitit 2022 dhe menjëherë e konstaton këtë gjë.I vetmi ndryshim është se nuk janë bejlerët e djeshëm dhe tregtarët aristokratë, por Parvenu-ja dhe Oligarkët me konglomeratet e tyre ata që influencojnë pranë Kabinetit Qeveritar.“Si dje po ashtu edhe sot Bajraktarët që i kanë vënë pushkën Atdheut e përdorin Injorancën dhe Varfërinë e Popullit për ta sunduar dhe mbajtur nën kontroll atë” përfundon Terenc Toçi.
Mungesa e Vizionit Politik na ka ndjekur përherë nga pas si një Stihi e keqe.Kjo ndoshta për faktin se nuk kemi pasur lidera të vërtetë të nxjerrë prej gjirit të këtij populli por thjesht politi-kanë, të cilët shohin më tepër interesat e tyre të momentit…Ja sesi shprehet për këtë fenomen eruditi ynë Arbëresh, Terenc Toçi: “Ne jemi i vetmi shtet që nuk ka borxhe (Sot që flasim borxhi i jashtëm i Shqipërisë shkon diku tek 10.9 miliard $- Shën.im) dhe kemi të paprekur një pasuri të madhe e cila kap begatinë e detit, fushës, malit, me resurse minerare, me një ndryshim natyral dhe me begati që gati nuk kanë shokë në Evropë.Por në kjoftë se nuk losim dhe presim që të na e punoj Perëndia që na e fali këtë pasuri, atëherë do të kemi një fat shumë të keq.Ay që kapet me çështje politike, tuj punue për ditën e sotme, duhet të ketë parasysh edhe më tepër kohën dhe nevojat që janë shumë larg.” Por ashtu si dje, edhe sot ne ose nuk i shfrytëzojmë siç duhet këto resurse, ose i japim me konçensione (të fortëve, oligarkëve apo edhe MNC-ve të huaja) Kjo mungesë vizioni na ka varfëruar kombëtarisht, ka rrit nivelin e papunësisë në vend dhe na ka lënë në një gjëndje të mjerë rrojtjeje, duke na kujtuar kështu ofshamën profetike: “Populli im humbet për mungesë vizioni.”
Por çfarë duhet të bëjmë?! Terenc Toçi porsi “Simfonia e Botës së Re” së Antonin Dvorak na fton për veprime konkrete: “Erdhi koha që të lahemi nga këto krime të politikës, që të hapim sytë, të çohemi prej gjumit që na ka kapluar dhe të veprojmë.Duhen vepra dhe jo fjalë! Sepse janë njerëzit ata që e bëjnë të mundur lartësimin apo turpërimin e Atdheut. Kështu gjithësecili prej nesh ler të mbaj parasysh se begatia e përgjithshme është edhe begati e gjithësecilit, se ligjet e mira, qetësia kombëtare, rregullimi i zyrave, forcimi i Shtetit dhe vizioni politik do të jenë ato që do të na bien jetën e re.Ndaj të punojmë si një mëndje dhe dorë e vetme që ti çrrënjosim këto të meta prej nesh sa më parë.Ndoshta një ditë do ti shërojmë këto plagë prej trupit kombëtar dhe mund t’ia zbardhim faqen Kombit!”