*Andrra që keni pasë pamë tash sa`kohë, sot u shfaq me ate gjuhë që ju e ruejtët si prushi në gji./
*Fjala e mbajtur para prindërve dhe qytetarëve Ulqinakë nga Jahja Domnori,Drejtori i shkollës së parë shqipe në Ulqin 1941-42, Jahja Domnori/
Zotni të ndershëm dhe vllazen ulqinakë,
Ma parë ju kërkoj të falun që keni pasë mirësinë me marrë mundimin e me urdhnue deri ktu. Arsyeja e mbledhjes së sotme s’âsht tjetër vetem se dishroj me pasë nji marrdhanie me ju me qellim që t’u apim edukaten e duhun fëmive tuaj.
Andrra që keni pasë pamë tash sa`kohë, sot u shfaq me ate gjuhë që ju e ruejtët si prushi në gji.
Sot po ju flet nji vlla i përzemërt i jueji. Më kujtohen fjalët e shkrimtarit Francez Builo i cili thote : se nji popull që ruen gjuhen e vet aj ka ruejt çilsin e rrugës së indipendencës. Por kjo gjuhë e ruejtun prej jush si drita e syve duhet punue, e këte punë e ban shkolla.
Prandaj ma parë do t’ju flas për randësinë e shkollës e mandej do të flas marrdhanien që ka shkolla me ju, per me rritë fëmit si duhet.
Shkolla si dihet ka për qellim të mbramë me mësue e me zhvillue inteligen e fëmis. ajo dishron me përpunue përnjiherësh e armonikisht të gjitha vetitë shpirtnore të fëmis. E aj nuk asht vetem nji shpirt, e as vetem nji trup që do t’i jepet edukata, por asht nji njeri.
Shkolla vegon me formue qenie të plotsueme d.m.th. burra e gra me trup te shëndoshë, me zemër trime,me vullnet të fortë,me nji shpirt te drejtë,por edhe njers që të jenë të zotët me mprojtë të drejtat e veta. Prandaj djelmve dhe varzave që do t’u bahet teslime edukata në dorën e tyne,do të jenë fëmit tuej ,fëmi shqiptarësh të shekullit XX.
Shkolla përpiqet me pregaditë qytetar e qytetare të rrespektueshëm ndaj ligjeve,me dashtë tek s’ban Atdheun e tyne e krejtë të gadshëm me ba çdo sakrificë për te.
Nji njeri që s’ka dashtni për atdhe aj s’ka besimin e sigurtë. Për këte arsye shkolla duhet me siguru vemendjen e të gjithë shpirtnave të njomë për nji qellim: Atdheu mbi të gjitha.
Shkolla e sotshme nuk do të japi njohuri të thata, por do të mundohet që me anë të punve të vogla me j’a pregaditë të gjithë ata cilësi shpirtnore që ka prirje fëmija.
Prej c’thame, se shkolla e jonë pregaditë përnjiheresh njeriun në kuptim të vërtetë të fjalës,qytetarin e mëtejshem.
Shkolla e sotme jo vetem që e mpron të drejten fetare të sejcilit, por edhe i ep shkas
e zhvillim të përhapjes se çdo feje tue e lanë të lirë mësimin e ushtrimin.
Âsht shumë i gabueshëm në qoftë se ndokuj i përshkohet nepër mend se shkolla shqiptare përbuz fetë. Kjo mund të jetë vetem nji propagandë e flligët e atyne që dishrojnë me ju ba varrin ju.
Me hi e me folë se ç’randsi kanë fenat, unë nuk jam kompetent për këte punë por di t’ju tham se nji njeri që hjek shpresen prej zotit aj nuk do të ketë shtyllë ku me u pshtetë ose shkop ku me u mbajtë.Të tanë jeta do t’i shkonte si i mbytuni nepër shkumë.
Por faktorët që përbajnë shkollen janë fëmitë e mësuesit e siç do mjeshtër, për me e krye zanatin (mjeshtrine) e tij i duhen veglat e brumi, ashtu edhe na, për me krye misionin e naltë t’tonin duhet të kemi brumin,që jane fëmitë të formuem si duhet.
Ju bie si shembull nji zdukthatar, se sado veglat e mira me i pasë, kur brumi asht i keq nuk mund të krijojë nji gja të përsosun.
Pra e para e punës na dona me pasë fëmit të gatuem deri diku prej nanave ulqinake e mandej na me i vu ne rrugë të mbarë.
Shkolla pra kërkon qi m’i vue fëmitë në marrdhanie me ju në kondita hygjenike si c’e lypë nevoja trupore e shpirtnore e tyne.Duhet ta dini se në pikëpamje të pastërtisë fëmija asht nji pasqyrë e nanës dhe e babës.
Prandaj puna e parë asht që me anë të pastertisë, fëmija munden me e pasë trupin e shendoshë e asht e dijtun se latini kot s’ka thanë: Mendja e shndoshë, ne trup të shndoshë.(Men sana in corpore sana).
Nji fëmi që ka trupin e shendoshë,aj ka edhe mendtë e shndoshtë e asht i gadshëm me i rrokë mësimet si duhen.Familja duhet të ketë kujdes, që femitë me i dërgue të pastër në shkollë.
Tash do te flasi për edukaten e shpisë e mandej të shkollës.
Ma pare se kërkushi, i takon nanës kujdesimi i fëmivet, për arsyet se:
1-Ndërmjet prindve e fëmive,gjindet lidhnije ma e ngushtë,pse fmija din me dashtë ma fort njate që i plotson dishirat e nevojat e tij. Nji fëmis po ju afrue nji i huej menjiherë nisë me u ngërvallë.
2-Ndërmjet prindve e fëmive, në mnyrë të veçantë, frymzimi nanës ka fuqinë ma të madhe,pse nanë e fëmi gjinden ma afër se kërkushi,aq afër sa gadi me u thane nji.
Pestalozi, themelues i edukatës na mësoj me i lshue nanës vendin e parë.
Nanat e edukueme, lindin e rrisin fëmi të edukuem. Këte fuqi të nanës e gjejmë edhe te fjala popullore: Ban nanë se të gjas e dy kambë i rreshqas.
Vepra e prindve ndaj fëmive asht çmos e fuqishme pse pak a shumë prind e fëmi kanë nji gjak e nji natyrë. Fëmija pa dalë mirë prej djepit mundohet me i ndihmue vllazënve të vet ma të dobët,këtu kuptohet edhe veprimi i përbashkët.Aty në shpi mundohet me u marrë parasysh personaliteti i fëmis.
Tue kenë se në familje janë fëmi ma pak,munden me ju plotsue të gjitha nevojat secilit fëmi
Por ktyne të mirave u rrinë përballë edhe këto te kqija :
Janë disa prind që nuk dien a as nuk ju vjen përdoresh edukata.
Disa për shkak të punve të shumta që kanë jashta shpijet,nuk mund t’ua barin kujdesin e as nuk mund t’u vien rreth fëmive.Disa të tjerë, nuk i japin randsien që i përket edukatës.Kto gjana ndodhin edhe nepër familje ku nanës e babës i del koha me rritë fëmit.
Jane disa nana,zoja shpijash,të cilat ja japin vet tamlin e gjiut fëmive.Kjo asht ndera e stolija ma e madhe për nji nanë shqiptare.Ka disa nana të tjera,të cilat për me i dhanë vedit randsi ose për me u dukë se janë shpijash të mira nuk merren aspak me rritjen e fëmivet, edhe tamlin e gjiut nuk ja japin atyne. E ktu vjen edhe rrenimi i familjeve të mëdha. Fëmit e tyne jane lanë ne dorën e disa të rejave, që janë ma fëmi se fëmija.
Prandaj tue marrë për bazë se shteti ynë të gjithë shpresen e ka pshtetë në familje,të cilat sa ma nalt që të jenë, aq ma nalt qendron shteti.
Duhet ta dimë se pasqyra e fëmijve në shkollë asht nana, e pasqyra e konstruktorit të shtetit asht shkolla.
Prej shka thamë deri ktu,kuptohet se shkolla e parë e fëmive asht familja,por edhe shkolla ka të mirat e saj.
Fëmija në shkollë gjindet si nji gjymtyrë e nji shoqnije e kjo gja asht ndër faktorët ma kryesor që e bajnë ate me përfitue ndiesit e rrelacionit shoqnuer. Aty shef se si mundet me i ndihmue nji ma t’vobegtit, nji ma të dobtit fizikisht.
Në shkollë e kqyrin edukatën njers kompetent (që e kane për zanat) të cilët kane mësue po për njate punë e janë të rrahun me çashtje fëminore.
Mësuesi në shkollë i rrin fëmis pa paragjykime e kjo punë i ndihmon fort për me pru nji gjykim të madh mbi sjelljen e mbi të metat e fëmis.
Në shkollë tue punue nxansit krijohet nji fare zelli me ja kalue njeni tjetrit. Kjo punë ka nji njoftje të madhe për fëmi deri sa të ruhet e të mos kalohet kufini.
Në shkollë, fëmija din me njoftë fuqitë e veta mendore e trupore e mos me i besue vetes
ma tepër se sa vlen, pra i zhduket madhështija.
Në shkollë, ku pa ndryshim rrin e mëson si i vobegti si pasaniku, përpjeket e afrohet ma tepër gjaja shoqnore. Ktu fillon pra, me ja diet pasaniku të vobegtit,zengjini fukarasë.
ktu mëson fëmija ç’asht zeqati, sadakaja, buka e shndandout. Sidomos në kohë të sotshme, ku popujt nji palë kane rrezervue kapitale e nji palë të tjerë janë denue me vdekë ûje, për kte shkak po përligjen me lufta e gjaqe.
Dhima për të vobegtin e drejtsia për të gjithë jane bazat esenciale të shkollës së sotshme.
Këtu do t’ju flas pak për edukimin e përbashkët ku do të mesojnë pa ndryshim varzat edhe djelmtë.
Në statistiken që kam në dorë,shof se janë regjistruem 227 djelm e 97 varza.
Kjo gja më ban me dyshue mbi formimin e nanave shqiptare (ulqinake) prej të cilave do të mvaret e ardhshmja e fëmivet.
Ndeja e pandame e djelmve me varza i ban të parët ma të paqët në fjalë.
Kur të dy palët do të edukohen në shkollë do të kenë respekt për njeri tjetrin.
E keqja asht, kur prindja i lanë fëmit, djelm e varza pa shkollë, ku asnji njeri s’merr mbi ta kurrfarë përgjegjsije. Prandaj ju thrras, o vllazen ulqinake që te mos i leni fëmit t’u rrugve, pse ktu në shkollë ecin zbashku djalë e vajzë, si në votër vllau me motër.
Prej shka thamë deri ktu, kuptohet se shpija asht baza e edukatës, ndërsa shkolla i çon përpara me disiplinen e vet.Prandej shkollë e shpi duhet të kenë nji lidhni e krahasueme si njena dore lanë tjetren e te dyja lajnë fytyren.
Femija në shkollë hyen 6 vjetsh, e aj i ka kenë shtrue edukatës se prindve e vazhdon gjithnji nën mbikqyrjen e tyne.
Në qoftë se nji fëmi kalon nji orë në shkollë e shumë orë në shpi ç’do të ngjante në qoftë se familja asht në kundërshtim me shkollen.
Po e xamë se në shkollë ndalohet kumbara,alkooli etj.c’do të ngjante në qoftë se familja i ep letra me luejt për natë ose pjek rakinë vetë .Puna e mësuesit në kte mnyrë shkon kot,në Buen.( në lum)
Pra nji gja që e ndalon mësuesi duhet të jetë e ndalueme edhe prej prindve.
Për kte âsht e domosdoshme me përmbledhe njohuni mbi jeten e fëmive tuej. Nji prind ankohet se djali s’kap libër me dorë.
Mësuesi ankohet se djali vjen vonë në shkollë.
Ka fëmi qe rrinë të mërzitshem në shkollë, mesuesi duhet të dijë në qoftë se ka ndonji hall apo ndonji smundje,e tue dijtë shpirtin e nji fëmije ,din me gjetë edhe shkakun për te.
Ka fëmi që vuejnë me smundje të ndryshme,prindi duhet të bisedojë me mësuesin, e mësuesi ka me kenë i gadshëm me u sjellë me te si i përket.
Shumë fëmi që kanë probleme, vehen në rrugë të mbarë prej nji mësuesi specialist,kur prindi e mësuesi punojnë zbashku. Por nji gja duhet me pasë parasysh,mos me i msue fëmit vetëm me urdhna.
Fëmija e sahati nuk duhen me u ngrehë shpesh por duhen lanë me ecë edhe vetiut.Në daç me e vu fëmin në rrugë të mbarë duhet me i kallxue ate c’ka do të bajnë e jo kurrë gjanë e ndalueme.
Në qoftë se mësojmë nji fëmi me punue vetem me urdhna, ka me mbetë gjallë e ngusht,e kur t’i bien ndonji gja mbi krye s’ka me diet me e plotsue .
Fjala që i thue fëmis duhet me kenë nji mur çeliku,nuk duhet të thyhesh e të bajnë ate që nuk e ke lejue ma parë.
Kurrë mos i fol me gjak të nxetë, e aty ku mundesh me krye punen me nji fjalë t’ambel. Fëmija bindet ma shpejt me fjalë të mira se sa me fjalë të ashpra apo me rrahje.
Fëmija asht tue u formue dhe na duhet ta respektojme ate që edhe ai mandej të na respektojë ne …….
Jahja Domnori Ulqin 1941
Pegatiti:Pertefe Leka
Fritz Radovani says
Mesuesi i Nderuem Jahjo Domnori, ashtu si e shifni ne foto, ashtu ishte deri diten e fundit te jetes se Tij: “Nje Burre i mire e me shoke te rralle…” Respekt per Emnin e Tij!