Nga Ilir Levonja/
Shumë forca politike janë këto ditë në tensionin e zgjedhjeve të emrave për kandidatët në pushtetin lokal. Kryetarin e Bashkisë. Shoh vlime dhe fryerje erërash. Shoh gjithfarësoj komentesh e mendësish. Shoh ide vlerash dhe antivlerash. Shoh ide meritash dhe frymën e pritjes. Atë të shpërblimit. Idenë e lutjes. Dëshirën e glorifikuar të atij që e pret ta thërrasin. T’i thonë, froni yt baba. Shoh se si po fyen në masë, duart e thjeshta, të anëtarit të thjesht, të votuesit të thjesht. Të numrit që plotëson kuadratin e rregjistrave të anëtarëve të partisë. Shoh se ngrihen barriera klanesh, që përmendin dekoratat. Meritat. Dhe presin nga tarraca e hardhive, me projektin gati, për pronën e tyre. Jo shoqërinë e hapur. Për njerëzit. Çfarë nuk po shoh?!
Le të sqarojmë disa mendje. Duke filluar për së pari nga kryetarët. E deri tek anëtari më i thjesht. Ai që tashmë e quajnë militant. Dhe jo anëtar. Pra rikujtim.
Çdo anëtar i një force politike, ka të drejtën njerëzore të ëndërroj. Të zgjidhet dhe të zgjedhi. Deri sa ia kërkoni votën, ka të drejtën e balancës ta kërkojë edhe ai votën tënde nga ty?
Çdo anëtar i një force politike, është anëtar. Jo vlerë apo antivlerë. Ata që mendojnë se janë vlerat e kësaj force, duke i cilësuar plehra anëtarët. Janë ata, më pavlerat. Janë ato milingonat që futen si të tilla dhe ikin si voza me rrota. Nga partia.
Çdo anëtar i një force politike, qoftë ky, qytetar, fshatar, është anëtar. Ata që mendojnë se kanë të drejtën e zgjedhjes vetëm qytetarët, janë ata fshatarët. Janë këta njerëzit që kanë, edhe kthyer në formën përkeqësuese kuptimin e emrit fshatar.
Çdo anëtar i force politike, është anëtar. Qoftë femër apo mashkull, i ri apo e re. E ardhmja e partisë. Ka të drejtë të zgjidhet. Jo të përbuzet. Kush rri në shtëpi, në tarracën e verandës në një pallat të ri. Diku në një qytet tjetër. Dhe pret që ta thërrasin si vlerë, si historia e partisë. Eshtë pa vlera, është antihistoria.
Çdo anëtar i një force politike, është anëtar. Qoftë ky i zi, i kuq, i bardhë. Ka të drejtë të zgjidhet. Ata që i përdhosin e i quajnë plehra. Ka domethënien që këta, me një fjalë përdhosësit, janë bërë tashmë të tilla. Dhe normale që plehrat nxirren nga shtëpia.
Çdo anëtar i një force politike është anëtar i përjeshtëm. Jo pushtetar i përjetshëm.
Çdo parti, është parti. Si e tillë është e anëtarëve. Nuk ka fshatarë, qytetarë, fise, apo koloni fisesh, meritash, vlerash.
Diku në një vilë fshati, faqeve të kodrave, në verandë. Duke parë perëndimin e diellit në det. Një burrë i gufosur nga shëndeti, edhe pse ka vite që nuk e shikon zyrën e partisë. Pret të shkojnë e ta thërrasin. T’i marrin dorën. Pasi mendon se është historia, vlera etj.
Ndërkohë një e re, plot diell. Një i ri plot energji. Një tjetër njeri cilidoqoftë. Me teserën anëtar. Eshtë i priviar nga e drejta për tu zgjedhur. Pasi është i dënuar vetëm të votojë.