Rudolf Marku/
Qëllimi i kësaj përmbledhjeje është sjellja në një libër të vetëm i disa prej poezive që më kanë pëlqyer më tepër, gjatë leximit të poezisë botërore, përgjatë shumë viteve. Struktura e këtij libri nuk është as tematike, dhe as gjeografike. Është një përmbledhje e poezive që i kanë shfaqur rezistencë dhe qëndrueshmëri kohës, falë kanoneve të veta estetike me të cilat këto poezi janë shkruar, prej emrave më të njohur të Poezisë, që prej 3000 vitesh më parë e deri më sot.
Qëllimi im është t’iu ofroj lexuesve kënaqësinë e leximit poetik, në kuptimin e thjeshtë, dhe, njëherësh kompleks, të konceptit kënaqësi leximi.
Libri është një katalog poetik që përfshin krijimet që nga fillimet e shkrimit, Mesopotami dhe Rigvedat e Tibetit, deri në kohërat tona. Poezia e shekullit të XX zë një vend të rëndësishëm në këtë vëllim.
Në planin personal, ky libër është një ndalesë gjatë udhëtimit tim gjysmë shekullor në peizazhet e fushave, vargmaleve, honeve dhe greminave, njëkohësisht të frikshme dhe joshëse, të Poezisë Botërore. Një peizash, pjesë të rëndësishme të së cilit kam konsideruar dhe vazhdoj ta konsideroj edhe poezinë e shkruar në gjuhën Shqipe.
Përmbledhja përfshin tetëdhjtë e dy poetë, dhjetë prej tyre Nobelistë, dhe përmban njëqind e dyzet e pesë poezi.
Kam bindjen se ky libër përfaqëson disa nga arritjet më të mira të poezisë në botë, poezi e cila nuk kërkon të vetëspjegohet para kritikëve skeptikë dhe para lexuesve, përse është e tillë; një poezi që ka kurajon të vetëquhet poezi, ngase kanonet estetike përputhen me gjithë krijimtarinë më të mirë poetike në tërësi; por dhe duke qenë poezi që nderon përparësinë e komunikimit me lexuesin – sa kohë që jemi krijesa të gjuhës – dhe që është pjesë e tërësishme e vlerave të shpirtit Njerëzor! Libri është i treti me përkthime poetike që botoj këtë vit- 2024- krahas librave të Safos dhe Katulit, botuar nga Shtëpia Botuese e respektuar ‘Dukagjini’, Kosovë.
Ndërsa ‘Antologjia’ e Poezive më të bukura të Botës’ është botuar nga Mediaprint, një emër që shquhet për botimet me elegancë dhe sqimë profesionale, nën kujdesin e të palodhshmes dhe te pagabueshmes Elda Vela, redaktorve Katjusha Pogaçe dhe Silvana Farruku, dhe të Graphic Design të Elsi Kondos.
Libri mund të gjëndet në Librarinë Adrion dhe në shumë librari të tjera të Kryeqytetit.