tregim nga Hazir Mehmeti/
Gjëmimi i motit dridhi Luginën e Dushkajes. Edhe pse e rrethuar me kodra të thepisura, nuk ishte e vështirë të dallohej nga vinte.
-E hairit qoftë,- pëshpëriti Lam Burrguri i gërrmysur në kthinën nën themelet e mullirit. Sa herë që gjëmimi dëgjohej nga verilindja, nuk pritej mirë. Kjo ishte provuar disa herë. Ia lëshoi një sy mazerës, mbështolli fishekët me lecka çorapësh të vjetra dhe doli nga bunkeri nën rropatjet e çakalles, e cila ftonte kokrrat e misrit më radhë në mesvrimën e gurit të rrumbullakët që sillej pambarim, duke e hedhur fije mielli të bardhë në miellnik.
Çatia nga bungu me dërrasat e gjëra sipër të lyera me baltëbyku nuk dallohej nga bardhësia e paskajit. Lami nuk vinte shpesh aty, mullisi, Gurini, një burrë në moshë, kujdesej për çdo gjë natë e ditë. E donte zanatin e tij dhe ishte i respektuar nga i gjithë rrethi. Ai i njihte të gjithë drithëprurësit, bremet e thasët e tyre. I njihte edhe llojet e arnave të thasëve dhe dinte gati saktësisht sa peshonte, pa e varur në kandar. Ai e njihte mirë edhe të zotin e mullirit, e kursente atë nga shumë punë rreth vadës, ndërrimit të cyfunëve, pykave, cokatjen e gurëve sipas drithërave e shumë punë tjera që kërkonte mulliri. Nevoja për gurët e misrit ishte e madhe shpesh duhej udhëtuar gjerë në guroren e Boletinit disa ditë për t’i sjellë.
Kulla e Lam Burrgurit ishte tre çerek larg, pas Kodrës së Kalasë në rrafshnaltë, ku erërat shkundnin frutat para kohe. Rruga gjarpërore lart deri pranë kalasë nuk kalohej lehtë me qerrën e drunjtë, ngarkuar me breme drithi e rrallëherë ndonjë thes të dhintë me zastork, i cili peshonte me dhjetëra okë. Kur kjo ndodhte vendi për t’u ulur ngelte vetëm në bishtin e drunjtë zvarrës, i cili mbante drejtpeshimin sikur një bisht ketri në kërcimin e tij.
Djali i Lamit, Jaha, e kishte provuar thumbimin e gjarprit të rrasës, duke ndjekur pas qerren e rënduar, derisa kalonte Përroin e Mullirit. Pak sa nuk e kishte shuar, por gjysma e shputës e mbetur një guxhum pa gishta e përcolli si shenjë në jetën e rëndë të njeriut të gjymtuar.
Ara buzë lumit, mulliri në mes, lisat e gjatë përreth e bënin luginën e lakmuar. Mbi të gjitha pjellshmëria e saj, uji i përroit, i cili lagte të mbjellat e punuara me kujdes kur vapa digjte. Lugina e Dushkajës ishte nyje kaluese mes rrafshlartës dhe ultësirës, e cila zgjatej në pakufi deri në Fushën e Mëllenjave ku ngjarjet ndaheshin në epoka.
Gurini, i zbehur në fytyrë, u ngjit në ballin e Kodrës së Kalasë, palosi gurët njërin mbi tjetrin në gurapesh mbi të cilën vuri një postiqe të zezë. Lajmi për Komitet e Maleve ishte i ngutshëm.
-Ç’kemi Gurin, çka na polli tani, – pyeti Lami kureshtar, i cili kishte munguar disa ditë. Lufta e Çetës së Komitëve të rrafshlartës në Grykën e Përroit të Keq, ku xhandarmëria kërkonte grabitjen e tokave për kolonët serbë e malazez, kishte zgjatur këtë herë më shumë.
…Xhandarët e Kralit,- e filloi bisedën Gurini, kaluan këndej me armatim, ishin shumë dhe me qerre e kuaj. Mixha Prekë solli dy breme misër t’i bluaj, kur erdhi t’i marr me gomarin e tij ishte prishur në fytyrë, ishte bërë dhe. Kur e pyeta, u afrua afër dhe në vesh më pëshpëriti i frikësuar.
-Në besë po të tregoj dhe kjo të mbetet këtu mes nesh, përndryshe mua do më vrasin, shtëpinë do ma kallin me gjënë e gjallë.
-Fol,- i thash se nuk do ta di askush tjetër, dhe ai vazhdoi: Dje erdhën tre xhandarë në oborrin tim, ishin lagur nga shiu si pulat e nukta. Në kasollen skaj mali e ndeza një zjarr, u ngrohen dhe kërkuan raki. Pasi e paguan trefish ua solla. Qejfli filluan të flasin mbi planet e Kralit. Ai paska sjellë në Rrafshin e Kosovës kolonë serbë e malazez, që t’i vendos në tokat e shqiptarëve, kurse shqiptarët do dëbohen për Turqi.
-Kjo nuk është diçka e re Gurin, komita po lufton gjithandej vendit kundër këtyre planeve ogurzeza,- ndërhyri Lami i inatosur duke shkundur cigaren në rrasën e gurtë.
-Njëri nga ata, vazhdoi Gurini, tha se dhjetë kolonë do të vinin këto ditë të vendosen në Luginën e Dushkajës.
-Çka?,- i inatosur kërceu nga vendi Lam Burrguri. Kjo nuk do të ndodh, ose do lahet lugina me gjak.
– Ata e dinë se lugina ishte e mbrojtur, vazhdoi Gurini, por kishin përgatitur kurthe të rrezikshme për ta gllabëruar tokën bashkë me mullirin. Shputanët Leshtak do vërsulen me tapi nga Aga i Vushtrrisë që ta dëshmojnë zotërimin e arave dhe mullirit. Ata janë këtu sipër vetëm një çerek ore larg, janë shumë dhe të uritur për tokë. Si argument i tyre do të jetë kumbaria me kralin qysh nga gjyshi i tyre Gushkali.
Nga gryka lindore e luginës u dëgjua trokitje kuajsh e qerresh të shoqëruara me të qeshura e këngë që nuk kuptoheshin. Të dy burrat vrapuan nën muret e mullirit, morën pushkët dhe zunë pozicione. Zhurma e qerreve dhe troku i kuajve xhadesë së gurtë dëgjoheshin gjithnjë e më shumë, derisa u duk koka e oficerit që lëkundej në hapat e kalit. Lami mori në shënjestër, por akoma ishte shumë larg. Pas tij pasuan ushtarë me shajkat e tyre, shinjellë të gjatë deri në fund këmbëve, qerre të mbushura me burra, gra e fëmijë, kazanë, koftorë, kusia, sita, shosha, terplota, tërfurq, grabuja e vegla tjera që nuk dalloheshin, krijuan pamje të errët në kthesën e parë mbi urën e gurtë. Qerret e fundit ishin të mbushura me dhenë, dhi, derra, pula, rosa, pata e çka jo tjetër. Trupi zvarritës i kuçedrës lakohej xhadesë zigzage drejtë mureve të kalasë me flamuj në shtiza që luhateshin porsi thimthi helmues para kafshimit. Kuçedra serbe kërkonte gllabërimin e Luginës së Dushkajës, tokën pjellore të saj bashkë me mullirin ujëplotë dimër e verë.
Krisma e pushkës së Lam Burrgurit mori dhënë. Koloni mbeti varur në dorëzat e parmendës, në nisjen e brazdës së parë. Freskia e luginës mori erë baruti. “Më mirë të vdes unë e të shpëton kulla”-mendoi Lami me përvojën e tij kaçake. I vetëdijshëm se armiqtë e shumtë do ia kallnin kullën me gjithë familje, zbriti nga thepi, ia lidhi varrën, e mori në shpinë zaptuesin ta dërgoj poshtë luginës nga kishte ardhur.
Të alarmuar kolonët e gjetën të plagosurin në krahët e Lamit. Lugina u mbush me kukama e vaje të panjohura deri më tani. Sëpata, kmesa e tfurqë u drejtuan mbi gjoksin e trimit. I plagosuri mbahej akoma dhe iu drejtua djemve me frymën e fundit: Ky ma shpëtoj jetën duke me ndihmuar. Lëshojeni!
Sapo nisi Lami shtegun e Kodrës së Kalasë, Komandanti i doli para, e mori ngrykë, pas tij shokët e çetës.
-U tregove strateg, na kurseve fyshekë për komandarë- i tha Kryetrimi i Çetave Kaçake, duke qeshur.
Në gjithë vendin lufta e çetave për liri tmerroi armiqtë. Kulla e Lam Burrgurit ishte në shënjestër të djajve. Mëngjesi i ditës së premte u gdhi me hije hienash në uniforma rreth mureve të saj. Çdo qëndresë do thoshte shuarje e të gjithëve.
-Po ti si qëllove në kullë?- i tha nipit të tij Bardhit, Lam Burrguri në qelinë e burgut famëkeq brenda mureve të Manastirit ku pushtuesit kishin folenë. Ah, “i ligu as dynjanë as ahiretin” fshau Lami. Si nuk tregoi Koti të vërtetën kur e dinte se ti je mysafir nga Albaniku, ndoshta do të lironin.
-Bardhi drodhi skajet e mustaqeve të zezë dhe ia krisi këngës sa gjëmoi e gjithë lugina.
Pa ngadalë o shkau i shkinës
sa t’ia fus fyshekt martinës…
Jehona e këngës u shpërnda Luginës së Llaushës, duke hapur frenxhitë e kullave hijerënda. Zanat e malit hapën krahët në dashurinë e pritur e të mbytur në lot.
Gardianët e tmerruar vrapuan si bishat mbi trupin e trimit. Që të dy u lajmëruan nga kryexhandari se tri ditë nuk do pranojnë ushqim. “Do ngordhni si qetë në çeli”- u tha ai duke u zgërdhi.
Z… nga fshati rrëzë Bjeshkëqyqes sillte ushqim për trimat. Në hyrje të manastirit afrohej ngadalë. “O Zot, sa e rëndë hija e mureve të gurta erë myshku”- sa nuk pëshpëriti me zë. Pasi kaloi dy kthina të mbushura përplot sheshla druri, dërrasa arkëmortesh, copa drush arriti në shkallët e podrumit skajet të cilit shtriheshin sikur një oktapod nëntokës së mbushur me të burgosur shqiptarë. Dalja nga skëterra e mistershme përfundonte me kthinën e arkivoleve, të cilët bashkë me trupat pa jetë të shqiptarëve humbeshin pa shenjë pa dok.
Hija e rojës gjarpëronte fytyrave të zbehta në pritje të vdekjes. Mes krismave mbi dërrasat e arkivolit, Z.. dëgjoj pëshpëritje në shqip. “Vëlla, dua besën tënde, dje kam punuar dy arkivole”… Vëlla, dua besën tënde, dje kam punuar dy arkivole, mos sill bukë. Mos sill bukë kot”.
Me shikim nga duart që punonin lodhshëm qëlloi fuqishëm mbi gozhdën e ngulur si shprehje e revoltës së tij i burgosuri arkivolpunues në pritjen e arkivolit të fundit.
Shqiponjat mbi Bjeshkë dridhen krahët, duke lëshuar jehonën e hakmarrjes. Liria e kërkonte.
Drenicë, janar 2014