Armiku i Edi Ramës është Monika Kryemadhi!/
Nga Elida Buçpapaj/
Armiku i Edi Ramës nuk është Sali Berisha.
As Lulzim Basha!
As Ben Blushi apo Koço Kokëdhima,
Bile as Ilir Meta!
Armiku i Edi Ramës është…një grua
Natyrisht jo nga ato gratë e veta, deputetet, ministreshat, drejtoreshat, fotografeshat, që e adhurojnë si të ishte Zot!
Armiku i Edi Ramës është Monika Kryemadhi!
Harrojeni atë proverbin që thotë se koha i shëron plagët!
Se bashkëqeverisja ja shëroi pezmin Monikës!
Koha dhe durimi, sipas Lev Tolstoit, janë dy luftëtarë të fuqishëm, për t’u hakmarrë.
Në Shqipëri nuk ka drejtësi, ka hakmarrje.
Edi Rama ku ta gjente që të kishte armik njërin prej atyre të përmendurve më sipër, ose të ndeshej me të gjithë ata së bashku, veç me Monika Kryemadhin të mos kishte të bënte, së cilës i ka ardhur ora që t’i lajë hesapet me Edi Ramën për vitin e mbrapshtë kur Ilir Meta u detyrua të japë dorëheqjen dhe të heqë dorë nga imuniteti.
Të jetë për Monika Kryemadhin, ajo bëhet menjëherë me Berishën dhe e kalon në opozitë Edi Ramën, që tashmë ka kaluar në opozitë.
Të jetë për Monika Kryemadhin, Edi Rama ishte djegur në turrën e druve, metaforikisht.
Dhe me të drejtë, sepse asaj i del në ëndërr si makth dhe ankth 2010 kulmuar me janar-shkurtin e vitit 2011 kur PS kishte dalë në demonstrata me në krye Edi Ramën, pasi Dritan Prifti shfaqi videon e famshme dhe opinioni shqiptar u ngrit në këmbë.
Nuk e harron atë kohë apokaliptike Monika Kryemadhi, që e bëri të urrente në heshtje dhe me durim Edi Ramën dhe t’i ishte mirënjohëse për gjithë jetën Sali Berishës!
Edhe në intervistën e saj më të freskët, kur Edi Rama tashmë e ka luajtur kartën fatale, që e bëri Ilir Metën President të Republikës, Monika Kryemadhi shpërtheu pa doreza fare!
Iu bëri thirrje gjithë simpatizantëve të PS të votojnë për LSI, pastaj si kryetare partie, sepse Petrit Vasili është sa për sy e faqe, i doli hapur dhe ballë për ballë.
Tani që Ilir Meta ka siguruar vendin e Presidentit të Republikës, paçka se e shkel çdo ditë Kushtetutën e vendit, duke bërë fushatë për LSI, Monika Kryemadhi e ka ngrehur shpatën kundër Edi Ramës. Mllefet e kohëve të shkuara, të grumbulluara nëpër vite dhe me durim tani ka ardhur koha që t’i shprehë lirshëm.
Edhe Monika Kryemadhi është shkelëse e Kushtetutës, sepse ka konflikt të hapur interesi. Kushtetueshmërisht Presidenti duhet të shprehë unitetin kombëtar, dhe nuk ka sesi, kur bashkëshortja është kryetare e LSI-së, partia, që bashkëshortët e trajtojnë si pronën e tyre të patundëshme.
Por në Shqipëri nuk ka shtet ligjor! Dhe deri kur të vendoset shteti ligjor, kupola e faktorëve politikë që kanë 26 vjet duke e hequr zvarrë këtë vend, e bëjnë vetë ligjin!
Dhe Monika Kryemadhi e ka nënshkruar fermamin, për ta nxjerrë jashtë loje Edi Ramën, të cilit i ka shpallur hapur luftë.
Do të vijë një kohë, shumë shpejt, kur Edi Rama do të mbetet pa kryeministrinë dhe pa partinë, veç me lapsat për të zhgarravuar!
Nuk i ka fajin kush! As atij dhe as Berishës!
Edi Rama deri tani e ka patur kohën e të përpjetës. Tani i vjen rradha kohës së tatëpjesës, kur rënia është sikur e thonë italianët me fjalën e tyre më të gjatë me 11 rrokje e 26 gërma, precipitevolissimevolmente, por që ka kuptimin e kohës skajshmërisht të limituar, të zvogëluar e të shkurtër, që shqip thuhet, do të bjerë sa hap e mbyll sytë.