– Mbrëmë nuk kishte vetëm fjalë: Afër komunës së Prishtinës vetura e kryeministrit të Kosovës është gjuajtur me vezë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 29 Gusht 2015/ Në Kosovë, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në raportet mes pozitës dhe opozitës ashpërson fjalorin e “replikave” në distancë, që priten të barten edhe në Kuvend, pas “heshtjes” së pushimeve verore. “Në seancën e parë të sesionit vjeshtor do ta informojmë Kuvendin për katër marrëveshjet, të cilat, më 25 gusht , i arritëm në Bruksel”, ka paralajmëruar kryeministri Isa Mustafa.
“Lidhur me marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel në mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë, ne në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe në Zyrën e Kryetarit të Kuvendit, presim që, në rrugë institucionale, të kemi informatat e plota zyrtare mbi procesin dhe përmbajtjet e këtyre marrëveshjeve”, ka deklaruar kryeparlamentari Kadri Veseli.
Lideri i LDK-së, partisë që udhëheqë me qeverinë, kryeministri Mustafa dhe lideri një kohë të gjatë i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti, kanë “replikuar” ashpër mbrëmë, jo në të njëjtën orë, nga studiot e dy televizoneve të ndryshme, njëri publik e tjetri privat.
Por, mbrëmë nuk kishte vetëm fjalë. “Mbrëmë derisa shkoja në intervistë në RTK dëgjova një krismë në makinë, por mendova qe ishte jashtëqitje (glacitje) e zogjve. Më paskan gjuajtur me vezë njerëzit që marrin rrogë te Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu”, ka shkruar sot Mustafa në ‘facebook’, ku emrat që i përmend janë të kryetarit e nënkryetarit të komunës së Prishtinës që udhëheqet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Policia në njoftimin e dërguar bën të ditur se, “gjatë realizimit të lëvizjes në eskortë, afër komunës së Prishtinës vetura e kryeministrit të Republikës së Kosovës është gjuajtur me vezë nga disa persona”.
Më tej njoftimi bën të ditur se, “Policia e Kosovës duke u bazuar në informacionet e sakta ka pranuar informatën se dy persona të moshës së re kanë lëshuar një qese të mbushur me diçka (të dyshuar) tek rrethoja e komunës së Prishtinës (saktësisht tek gardhi i gjallë).
Dy zyrtarët policorë në detyrë kanë shkuar në atë lokacion për të verifikuar se për çfarë qese bëhet fjalë në mënyrë që të eliminohet dyshimi për ndonjë mjet të dyshuar. Në ato momente nga dera hyrëse e Komunës ka dalë një person i dyshuar, S. Z., duke thirrur me zë të lartë, duke fyer, e pastaj edhe duke sulmuar fizikisht zyrtarët policorë të angazhuar në detyrë zyrtare.
Pasi që i dyshuari S. Z. ishte mjaft i dhunshëm, dhe si rezultat i sjelljeve agresive ka lënduar dy zyrtarët policorë, në asistencë për të vënë kontroll janë angazhuar edhe dy zyrtarë të policisë në rroba civile.
Pas reagimit efikas të policisë i dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit kompetent është dërguar në qendrën e mbajtjes për vazhdim të procedurave të mëtejme ligjore”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.
Lëvizja Vetëvendsosje ka organizuar “aksione simbolike” dhe paralajmëruar edhe protesta për të kundërshtuar “Zajednicën” (Bashkësinë) – Asociacionin e komunave serbe. “Krijimi i Zajednicës sjell tensione të reja”, tha mbrëmë Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa kreu aktual i këtij subjekti politik më të madh opozitar në Kosovë, Visar Ymeri, e ka ftuar kryeministrin Mustafa “në një debat publik për të diskutuar për Zajednicën, dëmin që ajo e shkakton, dhe rrezikun që i kanoset Kosovës nga ajo”, derisa kryeministri ka ritheksuar se “Asciacioni është në harmoni me ligjet e Kushtetutën e Kosovës dhe me Paketën Ahtisaari”.