Nga Frank Shkreli/
Disa ditë më parë, gazeta e Tiranës Telegraf njoftonte për gjëndjen e mjeruar të shtëpisë ku ka jetuar poeti kombëtar At Gjergj Fishta, duke thënë se vetëm disa ditë para 144 vjetorit të ditlëlindjes së Fishtës më 23 tetor, janë disa foto të hedhura në facebook që na kujtojnë gjëndjen e mjerueshme të shtëpisë ku ka banuar poeti dhe rilindasi shqiptar. Gazeta vazhdon duke theksuar se ndonëse busti i Fishtës ndodhet përpara shtëpisë, mbrenda saj është një gjëndje me të vërtetë e mjerueshme dhe për të ardhur keq, ndërkohë që dhomat e shtëpisë janë këthyer në magazinë për kallamishtët e misrit, shkruante gazeta Telegraf.
Nuk është hera e parë që shtëpia, në rrënim e sipër, ku ka banuar At Gjergj Fishta bie në sytë e medias dhe të publikut. Tetorin e vitit të kaluar biznismeni nga Kosova Sabri Maxhuni u kishte propozuar autoriteteve qëndrore në Tiranë dhe administratës vendore në Shkodër restaurimin e shtëpisë, duke ofruar që shpenzimet për restaurimin e banesës së atit të letrave shqipe t’i merrte ai vet përsipër, ndërsa kishte deklaruar se projektin për një nismë të tillë e kishte gati, duke u shprehur se do i kushtohej vëmendja më e madhe rujatjes së orgjinalitetit të shtëpisë. Në atë kohë Z. Maxhuni kishte deklaruar për median se nuk duhej të përballej me ndonjë pengesë për miratimin e këtij projekti, por duket se e kundërta ka ndodhur, pasi ka kaluar më shumë se një vit dhe asgjë nuk ka ndodhur, madje as ndonjë prononcim nga autoritetet, në favor ose kundër. Sipas lajmeve të asaj kohe, Sabri Maxhuninuk kishte marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe asnga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Shkodër. Në të vërtetë, ai kishte paralajmëruar se autoritetet shqiptare mund t’i qisnin probleme, ndërsa pat deklaruar se, “Kam bindjen se askush nuk ka arsye që të bëhet pengesë për restaurimin e shtëpisë”, së At Gjergj Fishtës.Por Sabri Maxhuni megjithë vullnetin e tij të mirë, ai nuk mundi të përballonte burokracinë anti-fishtjane të Shqipërisë post-komuniste.
Për arsye të mungesës së transparencës nga autoritetet, është e pamundur të thuhet se çfarë komunikimesh mund të ketë pasur midis Sabri Maxhunit dhe autoriteteve përkatëse shqiptare në lidhje me këtë projekt dhe se ku mund të qëndrojë problem. Por ajo që duket e qartë sot, sipas lajmeve në median shqiptare, del se asgjë nuk është bërë në këtë drejtim, gjatë vitit të kaluar. Përkundrazi, ajo që është e qartë, është se përveç mungesës së vullnetit të mirë zyrtar për ta restauruar shtëpinë e Gjergj Fishtes, ajo banesë në të vërtetë po denigrohet, duke u këthyer në një magazinë për kallamishtët e misrit. Vendi ka përvojë 50-vjeçare nën komunizëm për të këthyer monumentet dhe qëndrat e kulturës shqiptare në magazina dhe salla sporti e për kallamishte misri!Mos prononcimi i deritanishëm zyrtar në lidhje me banesën e At Gjergj Fishtës, në të vërtetë, tregon mos interesim dhe heshtjearrogante të autoriteteve për këtë projekt. Si e tillë, nuk mund të cilësohet më thjeshtësi një zvarritje burokrate ndaj kësaj çështjeje. Kjo tregon një mos respekt të theksuar dhe të kalkuluar mirë nga autoritetet shtetërore, ndaj Homerit shqiptar, At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij me vlera kombëtare, në një kohë kur në midis të Tiranës ndërtohet një bunker, gjoja për t’i kujtuar brezave të ardhëshëm kohën e komunizmit, ndërkohë që anë e mbanë Shqipërisë ka ende me mijëra bunkere të asaj kohe.Bunkerat, këto simbole të izolimit të Shqipërisë dhe të një politike absurde të udhëheqjes së saj komuniste, gjoja për t’u mbrojtur nga armiqë që nuk ekzistonin!
Megjithë absurditetin e shpenzimeve për ndërtimin e një bunkeri mu në qëndër të Tiranës, është e vërtetë se shteti nuk mund dhe nuk duhet të financojë lloj projektesh, por ama janë disa projekte dhe figura të historisë kombëtare që duhet të kujtohen dhe vlera e vepravedhe kontributi historik i tyre të përjetësohen për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve por edhe si pasurim i historisë dhe kulturës shqiptare edhe për të tjerët. Një i tillë është dhe duhet të jetë At Gjergj Fishta,në mirënjohje ndaj tij dhe në kujtim të kontributit historik kombëtar në përgjithësi, të alfabetit të gjuhës shqipe dhe të veprave të shumëta letrare e sidomos të epopesë kombëtare, Lahutës së Malësisë: të kësaj kënge, që sipas At Daniel Gjeçajt, “Ashtë kanga që të ban të thithish ajrin e kulluet të maleve arbnore, gjithmonë të lira. Ashtë gurra që rrjedhë nga dejtë e tokës sonë e që kurrë nuk shterret, sado llagemi a tërmeti të trondisë në themel alpet e mjelluna me kulla-shkamb të Shqiptarit”.
Për më tepër, At Daniel Gjecaj ka shkruar në parathanjën e Lahutës së Malësisë të cilë ai e kishte botuar në Romë më 1958 se kjo vepër e At Gjergj Fishtës,është një thesar i vlerave stërgjyshore të kombitshqiptar, është terësia e tipareve morale të shqiptarit, të cilat janë çmuar dhe çmohen nga bota.“Ashtë shkolla e votrës gjyshore, ku rreth zjarmit mikpritës u ruajt, deri më sot nderi, burrënia e virtyti, besa, trimënia, dashunia për vatan, shpirtmadhësia dalluese e racës , bujaria, ideali i pazhigla e i prem: me nji fjalë, bërthama e thelbi i nji kombi që s’vdes derisa “Lahuta” të këndohet, e të ndiqetsi shembull heroizmi i Oso Kukës, vendosmënia e Ali Pashës, bashkimi i Lidhjes së Prizrenit, trimënia e Dragonjve legjendarë në Bigë të Shalës, fëtyrat historike në Rrzhanicë, Qaf-Hardhi, Sutjeskë e Deçiq, dashunia e vetmohimi i Patër Gjonit, guximi e burrnia e Dedë Gjo’ Lulit, fisnikëria e virtyti mashkulluer i Tringës”, shkruante At Daniel Gjeçaj në paraqitjen e botimit të Lahutës më 1958 në Romë.
Fatkeqësia — që ka pësuar gjatë shekullit të kaluar dhe vazhdon të pësojë edhe sot At Gjergj Fishta është se ai po vazhdon të injorohet madje edhe sot në Shqipërinë post-komuniste, ashtu siç qe përjashtuar ai dhe vepra e tij nga regjimi komunist për një gjysëm shekulli. Nga vet kombi i vet të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat dhe interesat e tij në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, por mbit të gjitha, t’i ruante ato dhe në veprat e tija të pavdekshmetë përjetësonte vlerat kombëtare të fisit të shqiptarit.
Megjithëkëtë, kundër At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij vazhdon “përdhunimi historik”, harresa dhe denigrimi, nga një grup siç duket gjithnjë me influence në vendimarrje të tilla, nga një grup historianësh politikë të idoktrinuar, të cilët gjithnjë i referohen Homerit të Shqiptarëve me epitet më fyese si si “fashist” e “tradhëtar’’. Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve shqiptare në lidhje me këtë çështje. Kjo heshtje nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian – dhe nuk çon aspak ujë në mullirin e dobisë së interesave kombëtare – të një familjeje të madhe trako-ilire, një familje kjo sipas At Gjergj Fishtës, “në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve”.
Fishta i kishte thënë Konferencës së Parisit se nga kjo familje rrjedhë kombi i sotëm shqiptar, “aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë”. Ndonëse, At Gjergj Fishta, gjithë jetën mbrojti të drejtat dhe vlerat e shqiptarit që historikisht gjykohej aq zi në Europë dhe nga armiqët e tij për rreth, lind pyetja se kush do të dalë sot zot e të mbrojë Gjergj Fishtën dhe trashëgiminë e tij nga harresa, denigrimi dhe “përdhunimi historik” nga vet populli tij, zakonet, tiparet dhe vlerat e të cilit ai i përjetësoi, i bëri të pavdekshme!!!!!!????????
Kujtimi, vepra dhe kontributi i At Gjergj Fishtës në historinë, kulturën dhe letërsinë shqipe duhet të ruhen dhe të kultivohen, sepse kështu do të ruhen vetë vlerat shekullore të shqiptarëve. Vlerat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar – simbol i të cilave ishte Fishta — duhet të shpëtohen nepërmjet kujtesës së trashëgimisë së At Gjergj Fishtës,vlera të cilat ai i përjetësoi në vargjet e pavdekshme të Lahutës së Malëcisë dhe veprave të tjera. Restaurimi i banesës ku ka jetuar At Gjergj Fishta do të ishte një hap i nevojshëm në këtë drejtim. Fatkeqsia është se ushtarët e lodhur dhe mbështetsit në këtë përpjekje — janë të pakët në numër — për të mos thënë në zhdukje e sipër, e me ta edhe kujtesa ndaj poetit kombëtar, At Gjergj Fishta.