Gëzim Zilja/
At Shtjefën Gjeçovi (1873-1929) etnolog, arkeolog, shkrimtar dhe mbledhës i këngëve folklorike u lind në Janjevë të vilajetin e Prizrenit Prindët e dërguan më 1884 në kolegjin françeskan të Troshanit, në Vilajetin e Shkodrës, ku mori mësimet e para të rrugës së meshtarisë. U urdhërua meshtar më 1896, kur meshoi së pari në Troshan dhe hyri në radhët e françeskanëve. Krahas punës si meshtar ai nuk rreshti së studiuari dhe botuari artikujt e shumtë të tij, në revistat e kohës “Albania” dhe “Hylli i Dritës. Kudo shkoi e shërbeu ai veç Ungjillit predikoi përhapjen dhe dashurinë për gjuhën shqipe, për të cilën do të shkruante: “man komin n’jetë, tuj kênë kjo shêji i paar e i vetmi, me të cillin dahen komi me komë… Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mund t’ndalet kurrë. Asht nji gja send qi nuk mund t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji send asht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhanti e posaçme e Perëndisë e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhanti… asht giuha shqype.: Sa mund t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”.
Në veprat e tij shprehej se toskët e gegët janë një, duhet të jenë të bashkuar dhe gjuha e tyre duhet të jetë e unifikuar e shkruar sipas rregullave të vendosura në Kongresin e Manastirit të vitit 1908. Në prag të Pavarësisë ai shkruante: “Gegë e toskë janë vllazën! Ata duhet të jenë të bashkuar të flasin të njëjtën gjuhë e të shkruajnë me alfabetin e përbashkët. Kjo i bën shqiptarët më të bashkuar e më të fortë.” Gjithë jetën e vet ia kushtoi punimeve për rëndësinë e gjuhës shqipe, krijimeve e përkthimeve të mirëfillta letrare, studimeve të folklorit, dokeve e zakoneve shqiptare madje bëri dhe kërkime arkeologjike e etnografike, të cilat i botontë në gazetat dhe revistat e kohës. Gjeçovi kurrë nuk pushoi së mbledhuri e studiuari kryeveprën e tij, Kanunin e Lekë Dukagjinit. Vdekja tragjike bëri që ai të mos e botoi Kanunin sa ishte gjallë. Kanuni u kodifikua në vitin 1933 në një botim të etërve françeskanë. Gjeçovi e dinte mirë rëndësinë që kishte Kanuni në historinë e Shqipërisë.
Pas autoriteteve osmane, i pari që mblodhi material për kanunin dhe zakonet ishte prifti Nikollë Ashta, i cili i botoi te Gazeta “Albania” tw Konicës, më 1897-98. Pas tij Lazër Mjedja më 1901, dhe Gjeçovi tek e përkohshmja “Hylli i Dritë.s” Ai studioi e mblodhi gjithçka ishte botuar për Kanunin deri në atë kohë. Administrata turke duke dashur të ndalojë gjakmarrjen e kodifikoi (përmblodhi rregullat dhe udhëzimet që duheshin zbatuar) Kanunin e Lekë Dukagjinit më 1872. Botimi ishte jo i plotë dhe kishte të bënte kryesisht me nenet e vrasjes e të gjakmarrjes, të trashëgimisë e të nderit. Turqit edhe në këtë nismë si në gjithë të tjerat dështuan dhe nuk arritën ta shuanin gjakmarrjen me gjithë dëshirën e mirë. Puna e Gjeçovit për mbledhjen e plotë të Kanunit të Maleve për kohën, ishte nga më të përparuarat dhe seriozet. Ai nuk la katund, derë e prag të Shkodrës dhe Malësisë së Veriut pa trokitur, duke mbledhur nga pleqtë gjithçka ata dinin për ligjet e Kanunit. Ishte i bindur në rëndësinë e jashtëzakonëshme të Kanunit dhe jo rrallë do të shprehej me fjalët: “Po mësuem, studjuam të kaluarën, kjo Kanu’ kje e vetjma mburojë që nuk e la fisin shqiptar, i vogëluem përherë e ma tepër prej peripecive historike të mos shkrihej e asmilohej nga kombet e tjera.”
Pa punën e jashëzakonshme për më shumë se tridhjetë vjet të At Gjeçovit, vështirë se Kanuni do të vinte i kodifikuar, aq i plotë sa është sot në duart e lexuesit shqiptar e të huaj. Kanuni i Lekë Dukagjinit është përkthyer në gjuhët: anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, rusisht dhe serbisht. Në një udhëtim për në Gomsiqe për të takuar Gjeçovin ku Ati Françeskan shërbente, mendjendrituri Faik Konica befasohet me varfërinë dhe mjerimin e atyre viseve, kupton sakrificën e jashtëzakonshme të Gjeçovit për të përhapur “pakëz dritë” në ato vise tw egra dhe shkruan midis të tjerash: “… Famullia një biná prej guri e ndritur dhe e pastër, gjysmë e zbrazur nga plaçkat, po e mbushur dhe e zbukuruar nga zemëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit të shtëpisë, qëndronte mikëpritëse dhe e qetë anës së një lumi. Këtu rronte at Shtjefën Gjeçovi. Këtu e çonte jetën mes lutjes e mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria”.
Më 1926 Gjeçovi u caktua famullitar në Zym të Hasit, në atë kohë pjesë e Mbretërisë Jugosllave dhe qe pjesë e një komiteti për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve. Ngaqë nuk e ndërpreu mësimdhënien e shqipes pas mbylljes shkollave shqipe nga qeveria jugosllave, as punën e tij për mbledhjen e folklorit dhe ekspeditave arkeologjike, u vra pabesisht nga njerëz të paguar nga serbët në Kodër Rrezina. Vrasja e At Shtjefën Gjeçovit, ishte një humbje e madhe jo vetëm për klerikët françeskanë por për mbarë shqiptarët, si një patriot i madh që punoi gjithë jetën për kulturën, gjuhën dhe historinë e shqiptarëve.