Nga Shefqet Kërcelli/
Më 11 janar 2018, në Komandën e Forcës Detare, zhvilluan një vizitë atashetë ushtarakë të SHBA, të akredituar në vendin tonë. Vizita u zhvillua me rastin e përfundimit të mandatit 2-vjeçar të atasheut ushtarak të SHBA, Kapiten i Rangut të II-të Sam G. Wartell, i cili ja la vendin Commander James Hilton. Në takim ushtarakët amerikanë u pritën nga Komandanti i Forcës Detare., Gjeneralmajor Ylber Dogjani dhe Shefi i Shtabit, Kapiten i Rangut të II-të, Arsen Mullaj. Fillimisht Gjeneral Dogjani, i uroi mirëseardhjen ushtarakëve miq, duke i uruar suksese secilit në detyrën e re. Në vazhdim të takimit u evidentua bashkëpunimi shumë vjecar midis dy vendeve dhe dy ushtrive tona, vecanërisht ndihma që ka dhënë Departamenti i Mbrojtjes i SHBA dhe Pentagoni për Forcën Detare.
Kjo ndihmë ka konsistuar në reformimin dhe modernizimin e Forcës Detare, nëpërmjet pajisjes me aparatura dhe mjete të reja detare, riparimin dhe mirmbajtjen e tyre, trajnimin, arësimimin dhe kualifikimin e dhjetra kuadrove të Forcës Detare në Institucione e Baza të rëndësishme detare në SHBA, që kap vlerën miliona dollarë. Lidhur me këtë, Komandanti i Forcës Detare shprehu falenderim dhe mirënjohje për bashkëpunimin ushtarak dhe ndihmën e dhënë nga pala amerikane për Forcën Detare, duke vlerësuar në këtë kuadër dhe angazhimin e atasheut në largim, z. Wartell për rritjen e mëtejshme të nivelit të bashkëpunimit gjatë kohës së qëndrimit të tij në vendin tonë. Nga ana e tyre ushtarakët amerikanë, vlerësuan bashkëpunimin e frutshëm me Forcën Detare, duke theksuar se ky bashkëpunim do të vazhdojë të jetë i tillë edhe gjatë mandatit të atasheut të ri, Commander James Hilton. Theksojmë se ushtarakët amerikanë krahas vizitës në Komandën e Forcës Detare, më parë zhvilluan vizita në Komandën e Forcës Tokësore dhe Ajrore. Ndërkohë pjesë e këtyre vizitave ishte dhe pritja e rezervuar nga Ministre e Mbrojtjes Zonja Xhacka për Atashetë ushtarakë Amerikanë. Në pritjen e rezervuar dy ditë më parë, Ministrja e Mbrojtjes Xhaçka, i akordoi “Medaljen e Mirënjohjes”, atasheut ushtarak amerikan në largim, Kapiten i Rangut të II-të Sam G. Wartell. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, morën pjesë gjithashtu dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, Ambasadori i SHBA në Tiranë, z. Donald Lu, si dhe Drejtorë Drejtorish në MM dhe SHP. Ministrja Xhaçka, pasi i uroi mirëseardhjen Atasheut të ri ushtarak amerikan në vendin tonë, Kapiten i Rangut II-të, James Hilton, vlerësoi kontributin 2-vjeçar të Commander Wartell, në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke i cilësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerin kryesor strategjik në fushën e mbrojtjes, Ministrja Xhaçka theksoi se:”Këto marrëdhënie tashmë kanë hyrë në një fazë të re dhe më cilësore. Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes është e angazhuar në një proces modernizimi të Forcave të Armatosura, me synim rritjen dhe përmirësimin cilësor të kapaciteteve operacionale të strukturave tona ushtarake dhe veçanërisht të atyre strukturave që janë pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO”.