
Prof. Romeo Gurakuqi/
Atdheu është ai vend që të siguron dhe të përmbush nevojat minimale të jetesës dhe jo ai që të përgatit çdo ditë për ikjen ose vdekjen. Atdheu, si rregull, kurrë nuk nxjerrë jashtë bijtë e tij. Atdheu është përherë në gjendje të mbrojë njëlloj bijtë e tij, jetën dhe prosperitetin. Atdheu promovon drejtësinë dhe ligjin. Por kur atdheu të nxjerrë jashtë fëmijët, të përjashton nga gezimi i barabartë i të drejtave dhe të mirave, të dhunon përmes duarve të liga, ti mbetesh pa atdhe. Nëse atdheun e kanë zaptuar disa që thonë se ai është i mirë dhe i bukur veç për ata, ndërkohë që të tjerët duhet të vuajnë, të dhunohen, të përjashtohen, të varfërohen, ky lloj atdheu ka një gabim të rëndë në sistem: ai udhëton përmes udhëve të denacionalizimit dhe shpërbashkimit. Në momentin që atdheu nuk të pret më fëmijët, ai kthehet në një gënjeshtër. Dhe ky rast përbën një fatkeqësi që një komb i vogël, sidomos, duhet ta parandalojë dhe korrektojë me emergjencë.
Kjo sepse Atdheu nuk humb asnjëherë, sepse ai pret të bëhet, përmes drejtësisë, punës dhe mendjes së bijve të vet. Sepse Atdheu gjithmonë pret fëmijët që të kthehen…Sa më sipër është, sipas meje, mesazhi themelor i romanit “Saga e Sarajeves” të shkrimtarit Stefan Çapaliku.