Vritet biznesmeni Artan Santo, Policia: 100 mijë euro shpërblim për gjetjen e autorëve, Ndalohen dy persona/
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot në orët e para të mëngjesit kryeqytetin. Drejtori i bankës “Credins”, Artan Santo është qëlluar nga dy persona të maskuar me motor në mes të ish-zonës së Bllokut dhe si pasojë ka ndërruar jetë menjëherë.
Biznesmeni i njohur 54-vjeçar, ka qenë duke shkuar në punë teksa papritur dy persona e kanë qëlluar me armë zjarri për t’u larguar më pas menjëherë nga vendngjarja.
Autorët e vrasjes së Santos, duket se kanë organizuar çdo gjë në mënyrë perfekte dhe kanë ndjekur itinerarin e biznesmenit. Autorët kanë qenë të maskuar për të mos u identifikuar nga kamerat e shumta të sigurisë në këtë zonë. Ata kanë kryer ekzekutimin dhe janë larguar pa asnjë gjurmë.
Roja i sigurisë i cili ka parë të gjithë ngjarjes është dëshmitari kyç i këtij ekzekutimi, pasi sipas dëshmisë së tij paraprake ka deklaruar se ka dëgjuar një bisedë mes biznesmenit dhe atentatorëve.
Trupi i viktimës ka qëndruar për rreth gjysmë ore i shtrirë përpara mjediseve të bankës deri sa një makinë ambulancë ka ardhur dhe e ka transportuar në morgun e Tiranës.
Në vendngjarje, përveç krerëve më të lartë të policisë së shtetit dhe policisë së kryeqytetit, kanë mbërritur edhe prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, të cilët pasi kanë këqyrur vendin e ngjarjes, kanë nisur hetimet për zbardhjen e krimit dhe zbulimin e autorëve.
Një polic rrugor ndoqi autorët deri në Fushë Krujë. Policia ngre postblloqe të shumta
Dalin detaje të reja pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo në mes të Tiranës. Burime policore konfirmojnë se kanë qenë dy atentatorë që kanë qëlluar dhe teksa largoheshin të hipur mbi motor në drejtim të Librit Universitar, janë pikasur nga një efektiv i policisë rrugore, i cili ka filluar t’i ndjekë nga pas me motor.
Ndjekja ka vazhduar deri në dalje të Fushë Krujës, tej Ura e Gjolës, më pas polici rrugor i ka humbur gjurmët e tyre. Ai i ka njoftuar kolegët e tij në radio për ndihmë, por autorët e krimit nuk kanë lënë më gjurmë.
Policia e shtetit, me forcat speciale RENEA dhe FNSH-së ka nisur disa operacione kontrolli në zonën e Fushë Krujës për kapjen e tyre dhe deri tani nuk ka asnjë informacion. Postblloqe të shumta janë ngritur dhe janë bllokuar një sërë aksesh rrugore për verifikimin e elementëve të dyshuar.
Të paktën nga skema dhe mënyra sesi është zhvilluar ngjarja, autorët dyshohet të kenë qenë vrasës me pagesë dhe policia ka ngritur shumë pista për vrasjen e biznesmenit.
Dëshmitarja: Kalimtarët u tmerruan, u fshehën pas pemëve
Vrasja e biznesmenit të njohur Artan Santo në zonën e ish-Bllokut, është parë nga afër nga njerëz të shumtë të pranishëm në vendngjarje apo kalimtarë të rastit.
Një grua, e cila ka qenë pranë vendit ku u qëllua Santo ka qenë dëshmitare pasi ajo shet lule prej vitesh në atë zonë.
Ja çfarë tregon ajo për mediet: “Dëgjuam krismat të cilat ishin të zhurmshme. Njerëzit u frikësuan dhe filluan të fshihen pas makinave të parkuara dhe pas trungjeve të pemëve, – rrëfen shitësja ambulante, duke lënë të kuptohej se vrasja nuk është bërë me silenciator. – Nuk pamë asgjë, sepse personat që qëlluan ishin të maskuar dhe të veshur me të zeza dhe u larguan me motor. Mes njerëzve u krijua panik. Unë e njihja viktimën, sepse blinte lule tek unë, ishte njeri i lartë…”.
Edi Rama: Na vranë mizorisht një mik të mirë
Kryeministri Edi Rama ka dënuar vrasjen e biznesmenit, Artan Santo. Në një shkrim në rrjetin social “Facebook” Rama shkruan “Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun Tirone nga ata të vërtetët, që donte jetën e donte”.
Berisha: Vrasja akt i shëmtuar, rendi i dominuar nga mafia
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me ekzekutimin e biznesmenit Artan Santo. Në një mesazh në rrjetin social “Facebook”, Berisha e cilësoi këtë akt si të shëmtuar dhe mizor, që dëshmon se rendi në vend nuk ekziston.
“Artanin e kisha njohur në moshën e tij 4-5 vjeçare, fëmijë i dy prindërve të mrekullueshëm. Artani shkëlqeu gjithë jetën e tij, tashmë të shkurtër. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar mizor, dëshmi e një rendi që nuk ekziston apo një rendi që është tërësisht i dominuar nga mafia dhe krimi i egër”, shkruan Berisha.
Ish- kryeministri shpreh ngushëllimet për familjen e Santo, bashkëpunëtorët e tij. “Lutem që shpirti i tij të gjeje paqen e merituar”, shkruan Berisha.
Basha: Ekzekutimi, një alarm qytetar për të gjithë
Edhe Lulzim Basha ka përcjell një mesazh ngushëllimi në rrjetin social “Facebook”. Kreu i PD-së ka shkruar: “Ndiej dhimbje e tronditje, përtej fjalëve për vrasjen e Artan Santos. Ky sulm i pashembullt mafioz, është një alarm qytetar për të gjithë. Ngushëllime dhe solidarizim me familjen dhe miqtë e ngushtë të Artan Santos”.
Parlamenti shqiptar mban një minutë heshtje
Vrasja e biznesmenit Artan Santo ka solidarizuar edhe Kuvendin e Shqipërisë. Edhe pse në seancën e sotme mungonte opozita, kreu i i parlamentit Ilir Meta i ka ftuar deputetët në sallë dhe ministrat e pranishëm të mbanin një minutë heshtje në nder të biznesmenit të vrarë në mes të ish-Bllokut.
Deputeti i PS-së, Ben Blushi i ka bërë thirrje policisë të zbardhë çështjen dhe të kapë autorët. “Duhet t’i shkohet deri në fund kësaj ngjarjeje mafioze”, – tha Blushi.
PD: Vrasja e Santos tregon sa e pambrojtur është jeta në vend
Pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo në orët e para të mëngjesit në Tiranë, gjatë një dalje publike, deputeti i PD-së Arben Ristani ka deklaruar që rendi dhe siguria në vend ka arritur kufijtë minimalë.
“Krimi vret në mes të ditës, në mes të Tiranës, ndaj askush nuk është më i sigurt në këtë vend. Ekzekutimi mafioz dëshmon se krimi ka arritur në ato nivele të organizimit dhe kurajës, sa të marrë jetën e një personaliteti të fushës së tij, të një biznesmeni nga më të spikaturit, pa ju dridhur dora gjakatare”.
“Partia Demokratike ndan tronditjen e madhe për vrasjen e biznesmenit, bankierit dhe pronarit të medias, Artan Santo, sot paradite në mes të Tiranës, në derën e zyrës së tij të punës. Partia Demokratike shpreh tronditjen e thellë dhe është në krah të familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve të tij. Të tronditur sot janë gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Vrasja e sotme mafioze, tregon se sa e lirë dhe e pambrojtur është jeta sot në Shqipëri”.
Kush është Artan Santo
Artan Santo është prezantuar shumë vite më parë para publikut shqiptar me filmin Guximtarët. Njeriu që kishte një dashuri të madhe jo vetëm për jetën e biznesin ku ai u rendit si një nga bankierët më të suksesshëm, por për artin ku ai dha një kontribut të madh.
u lind në Tiranë më 7 shtator të vitit 1957. Edhe pse pasioni i tij i hershëm ishte arti dhe dëshironte të vijonte studimet në mjekësi, arkitekturë apo juridik, ai vijoi studimet e larta në financë. Pasi përfundoi studimet ne fakultetin ekonomik, Artan Santo ndoqi instiktet e tij dhe vijoi studimet në degën e juridikut, ku u diplomua me rezultate të larta. Artan Santo është një nga bankierët më të njohur në vend.
Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm si drejtues në Bankën e Kursimeve e më pas drejtoi bankën “Credins”, ku edhe është bashkëpronar. Artan Santo është jo vetëm një bankier, por edhe biznesmen i suksesshëm. Ai është bashkëpronar i medias “Focus Group” dhe televizionit “TV Scan”.
Artan Santo gjatë këtyre viteve ka treguar përmes veprimeve të tij se ishte një njeri mjaft i zoti në botën e shifrave edhe pse nuk hoqi kurrë dorë nga dashuria e tij e madhe që kishte për artin.
Policia: 100 mijë euro shpërblim për gjetjen e autorëve. Ndalohen dy persona/
Pasi kanë humbur gjurmët pas ndjekjes së policisë, dy atentatorët kanë braktisur mjetin motor tip “Scooter” në rrethinat e daljes së Fushë Krujës. Policia me të marrë njoftimin ka mbërritur menjëherë në vendin ku ishte braktisur mjeti dhe ka nisur hetimet për të zbardhur ndonjë detaj të mundshëm për verifikimin e autorëve.
Ndërkohë, nga ana tjetër, policia e shtetit ka publikuar dy foto të autorëve të krimit, të cilët po largoheshin me motor pas kryerjes së krimit.
Të veshur me xhupa të zinj, pantallona xhinse dhe me skafandra mbi kokë, vrasësit, pasi kanë kryer krimin, kanë marrë rrugën drejt Librit Universitar për të kaluar më pas pranë Liqenit Artificial.
Sipas fotove të publikuara nga policia, ata kalojnë në kryqëzimin e Librit Universitar, duke shkelur edhe rregullat e qarkullimit rrugor, me semaforin që në ato momente ishte me drita të kuqe. Në foto duket edhe një polic rrugor që me sa duket nuk ka pasur informacion për atë që kishte ndodhur.
Policia shoqëron në komisariat pronarit e motorit: E kam shitur mjetin!
Ndërkohë policia e Fushë Krujës ka shoqëruar në komisariat pronarin e motorit që u përdor për ekzekutimin e biznesmenit të njohur Artan Santo.
Para agjentëve të policisë, pronari i motorit ka mohuar të ketë lidhje me krimin, duke deklaruar: “E kam shitur motorin, pasi e kisha lënë në një pikë servili në zonën e Rinasit”.
Po ashtu policia ka shoqëruar në komisariat edhe pronarin e pikës së servilit në Rinas për të verifikuar pohimet e pronarit të motorit “Scooter” që u krye vrasja.
Policia jep 100 mijë euro shpërblim për çdo informacion
Policia e kryeqytetit e ka shumëfishuar vlerën e shpërblimit, nga 10 mijë, në 100 mijë euro, nëse jepet informacion mbi vrasësit, duke ruajtur në anonimitet të plotë identitetin e tyre.
Me anë të një njoftimi për shtyp, bëhet me dije se: “Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e sotme, mbi ngjarjen e ndodhur në rreth orës 09.30 në zonën e ish-Bllokut, ku si pasojë e të shtënave ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Artan Santo, Policia e Kryeqytetit vendos në dispozicion një shpërblim prej 100 mijë euro.
Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojnë në kapjen e autorëve Policia e Tiranës vendos këtë shpërblim, në çdo rast duke ruajtur anonimatin duke ju ftuar të telefononi në numrin 069 41 00003.
Krahas sa lartë, kërkojmë bashkëpunimin qytetar për të telefonuar për informacione të vlefshme edhe në numrin pa pagesë 129. Aktualisht grupi hetimor po punon me intensitet në drejtim të zbardhjes tërësisht të kësaj ngjarje dhe identifikimin e autorëve.”(Kortezi-Shqip)