• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VRITET EDHE NJË HERË PREKË CALI….

September 16, 2017 by dgreca

…PRIJËSI I MALEVE DHE PIRAMIDA E KUFIRIT SHQIPTAR/                                           

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Për disa vite tashti, ishte shtëpia e At Gjergj Fishtës që ka tërhequr vëmendjen, e shpallur si monument kulture, por i lënë krejtsisht pas dore nga autoritetet vendore dhe qëndrore shqiptare, ndërkohë që po shembet vetvetiu nga moskujdesja, megjithë disa përpjekjeve private për ta restauruar atë.   Ja tani, sipas lajmeve të fundit, i paska ardhë radha Kullës së Prekë Calit, turpi i radhës i qeverisë!   Rrëxohet dhe vritet për të dytën herë Prekë Cali.   Urrejtje ndaj  Gjergj Kastriotit- Skenderbe, urrjetje ndaj At Gjergj Fishtës, urrejtje ndaj Prekë Calit.   Këto ndërtesa, as Enver Hoxha nuk i kishte shembur, por i përdorte për qëllime të tjera.   Ja, sot jemi dëshmitarë të një ngjarjeje të pa shembullt në trojet shqiptare, alla talebançe.   Njoftohet se fadromat e Inspektoriatit Ndërtimor të Malësisë së Madhe nën mbikyrjen e Policisë së shtetit shqiptar, të ënjtën shëmben muret dhe themelet e Kullës së Prek Calit, trimit të maleve dhe mbrojtësit të kufijve të Shqipërisë nga synimet grabitqare  shekullore të shovinstëve sllavë.

1 ok Kulla

Ne Foto:Kulla e rrënuar u shemb nga fadromat e Qeverise të enjten me 14 Shtator 2017/

Duket se sipas të gjitha gjasave, për arsye që vetëm ata i dinë, autoritetet shqiptare kishin hesituar deri tani të autorizonin legalizimin e restaurimit të kullës së Prek Calit në Vermosh të Kelmendit të Malësisë së Madhe, ashtu siç ka ndodhur më përpara edhe me shtëpinë e At Gjergj Fishtës.   Duket gjithashtu se sipas burokratëve të revolucionit kulturor në Tiranë, At Gjergj Fishta dhe Prekë Cali nuk përfaqësojnë asgjë, asnjë vlerë, jo vetëm për Malësinë e Madhe, por as për historinë e Shqipërisë dhe as të kombit shqiptar dhe si të tillë duhet tu fshihen gjurmët, përfshirë shembjen e shtëpive ku kanë jetuar.   Jam i sigurt se autoritetet do të justifikojnë shembjen e kullës duke thënë se nuk kishin dhënë lejet e nevojshme për resaturimin e kullës, gjë që mund të jetë e vërtetë.   Nëqoftse është kështu, pse mos të jepej urdhëri për ndalimin e punimeve dhe të mos shembeshin themelet e kullës, në pritje të autorizimeve të nevojshme, pasi ato fonde të mbledhura dhe të përdorura për atë qëllim, janë mundi dhe djersa e dikujt?   Por, si zakonisht, askush nuk jep ndonjë shpjegim zyrtar se pse ndodhi kjo shembje e kullës së Prek Calit, që në fakt ishte shpallur monument kulture që në vitin 1993, por që as qeveria e atëhershme as qeveritë e mëvonshme nuk kanë bërë asgjë për ta mirëmbajtur ose për të rinovuar kullën e regjistruar, si një monument kulture.   Kështu kishte ndodhur fatkeqsisht më heret edhe me shtëpinë e At Gjergj Fishtës, lënë në mëshirë të fatit, pa i dhënë asnjë zgjidhje projektit, nga ana e autoriteteve zyrtare.   Duket se autoritetet e Ministrisë së Kulturës dinë të shembin e të shkatërrojnë, por jo të ndërtojnë, të pakën në këto dy raste!

Thuhet se falë fondeve të mbledhura nga diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara kishin filluar punimet për restaurimin e kullës së Prek Calit, por dita e enjtë ishte dita që shënoi shembjen e saj, përball protestave të banorëve vendas, të cilët sipas disa mediave e cilësuan këtë si një ditë të zezë ndër ato troje , në prani të policisë së shtetit.   Përdorimi i fadromave për shembjen e kullës së Prekë Calit, duket se mund të kishte lidhje edhe me njoftimet e kohëve të fundit nga komuniteti shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe Detroit, për të mbledhur fonde muajin që vjen, për restaurimin e kullës ku ka jetuar Prekë Cali, i cili u pushkatua nga regjimi komunist pas kryengritjes së Këlmendit kundër regjimit të Enver Hoxhës.  Burime të komunitetit njoftojnë se janë planifikuar dy takime për mbledhje fondesh nga “Fondacioni Prekë Cali”: njëri në Nju Jork me 1 tetor dhe tjetri në Detroit, me 7 tetor, 2017.   Nuk është e qartë tani nëse përballë ngjarjeve të fundit në Vermosh, rrafshimit pra të kullës së Calit, do të shkohet përpara me planet për mbledhjen e fondeve për restaurimin e kullës së Prekë Calit, nga ana e komunitetit shqiptaro-amerikan, në Nju Jork dhe në Detroit.Merreni me mend tashti. i ashtuquajturi Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka shembur themelet e shtëpisë së Prek Calit, Mbrojtësit të vërtetë të Territorit dhe të Kufijve të Shqipërisë.   Çka e bën këtë situatë edhe më të ndërlikuar, por edhe absurd, ashtu siç më njofton një mik i imi nga Shkodra, janë edhe akuzat për falsifikime dokumentash si dhe procedurat burokratike ose më mirë të themi grindjet për të drejtat jurisdiksionale mbi territorin ku gjëndej shtëpia e Prek Calit, midis dy enteve qeveritare me rëndësi, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Kulturës.   Po kush i kontrollon këto ministri?   Hajde dreq e merre vesh!

Si dhe pse ndodhë që në këtë rast, ashtu si edhe në rastin e përpjekjeve, tani të dështuara falë Ministrisë së Kulturës për rinovimin e shtëpisë së poetit kombëtar At Gjergj Fishtës, pengesat kryesore paraqiten nga ata që pikërisht duhet të jenë ruajtsit e këtyre vlerave kombëtare, i.e burokratët e Tiranës!   Turp e faqe e zezë!   Nëqoftse nuk dëshironi të harxhoni fondet tuaja, atëherë lejoni njerzit që janë gati të mbledhin fondet për rinovimin e këtyre objekteve, në këtë rast diaspora shqiptare në Amerikë.

Ironia e kësaj ngjarjeje tragjike qëndron në faktin se kushedi për të satën here, kjo situatë pasqyron hipokrizinë e kësaj klase politike shqiptare të shëmtuar të 27 viteve të fundit – tjetër flasin e tjetër bëjnë.   Ndërkohë, që në Vermosh jepet urdhëri për shembjen e kullës së Prek Calit, i cili udhëhoqi atë që besohet të ketë qenë kryengritja e parë anti-komuniste në Evropë, përfaqsuesit më të lartë të Organizatës NATO-s — aleancës më të fortë ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit dhe mburoja anti-komuniste për gjysëm shekulli – janë duke u mbledhur në kryeqytetin e shqiptarëve në Tiranë për të biseduar sigurinë dhe paqën në Evropë dhe në botë.   Ndërsa autoritetet shqiptare, si talebanët hedhin në erë kullën e Prek Calit.   Kam drojë se as përfaqsuesit e NATO-s të mbledhur në Tiranë nuk e kuptojnë ende se me kë kanë të bëjnë.   A ka gjë më turp!

2 prek_cali_n

Ne Foto: Prekë Cali/

Veni more gishtin në ballë e mendoni pak.   Cilat do që të jenë arsyet, legjitime ose jo legjitime, për shembjen e kullës së Prek Calit, ky akt është i pafalshëm.   Ky akt duhet të shqetësoj ndërgjegjen e çdo shqiptari, kudo.Kulla e Prek Calit nuk është më, por për ata që duan të dinë se ku ishte dhe çka përfaqësonte ajo kullë, lahutari i Malësisë – ndonëse sot mund të jetë duke vajtuar shembjen e kullës së Prek Calit — për derisa të jetë lahuta ai do të këndojë dhe do tu tregoj brezave se ku ishte dhe çka përfaqsëonte ajo kullë:

Bash ku rrinë shqipet e malit
Ka pas kenë kulla e Prekë Calit
Ka pas kenë nji kullë e bardhë
S’thonë kot malet derë e parë
Derë kreshnikësh ku knohet lahuta
Hije i ka pas sofra dhe pushka…

…Atëherë krajlat po bajnë kuvend

Po, Hot e Grudë, Shkrel e Këlmend

O me ia falë o Malit të Zi

Kur Kongresi o i Berlinit
Ne na i dau o foshnjet prej gjinit
Trupin tonë o e ndau me mur
Qysh se na ndau o shqipen flamur
Njaj Prekë Cali u del përballë
Nuk t’i lshoj këto bjeshkë për të gjallë.

Prekë Cali është pushkatuar me 25 Mars 1945 nga forcat komuniste të Enver Hoxhës në vendin e quajtur Zall i Kirit.   Dëshmitarët kanë shënuar se para se të rrëxohej trupi vigan i këtij malësori — i cili nuk njohu as Londrën as Berlinin — por mbrojti kufirin, burri i Kelmendit sy pa trembur, para se të jepte shpirt, jo nga plumbat e sllavit të cilin e luftoi gjithë jetën, por nga plumbat e  shqiptarit — ka bërtitur me një zë të fuqishëm:  “Rrnoftë Shqipënia, Rrnoftë populli shqiptar.   Heret ose vonë, Shqipënia do të fitojë”.

Fatkeqsisht, me shëmbjen e kullës së Prek Calit këtë javë në Vermosh të Malësisë së Madhe nuk fiton as Shqipëria as kombi shqiptar.   Kur të merret parayshë debati i kohëve të fundit mbi Gjergj Kastriotin Skenderbe, shëmbja e kullës së Prek Calit dhe mos ndërhyrja për vite me radhë për rihabilitimin e shtëpisë së poetit kombëtar, At Gjergj Fishtës – do e s’do – të bën të pyesim veten se çfarë forcash veprojnë në vendin e të parëve tanë dhe ku është shteti.   Çuditërisht, një mik imi më dërgoi një mesazh duke më thënë se kështu pat filluar edhe në vitin 1945.

Filed Under: Opinion Tagged With: Edhe nje here, Frank shkreli, Prek Cali, vritet

Vritet Ambasador rus në Ankra, Andrei Karlov

December 19, 2016 by dgreca

Russian ambassador to Turkey killed in Ankara shooting/

1-mbasadori-rusMinistria e jashtme ruse e ka konfirmuar se ambasadori i Rusisë në kryeqytetin turk është vrarë gjatë një sulmi që u bë sonte në një galeri arti në Ankara. Zëdhënësja e kësaj ministrie, Maria Zakharova e ka konfirmuar se ambasadori Andrei Kralov ka vdekur si pasojë e plagëve të shkaktuara me armë zjarri.“Sot në Ankara, si rezultat i një sulmi, ambasadori i Federatës ruse në Turqi, Andrei Gennadyevich Karlov, ka marrë një plagë, prej të cilës ka vdekur”, ka thënë Zakharova.Mediat turke më herët kanë raportuar se ambasadori i Rusisë në Turqi, Andrei Karlov është “plagosur rëndë”, si pasojë e një sulmi me armë zjarri.

Faqja e internetit e gazetës, Hurriyet, versioni në anglisht, ka thënë se ambasadori Karlov është plagosur derisa mbante fjalim në një galeri arti në Ankara.Agjencia turke e lajmeve, Anadolu, raporton se personi i armatosur në këtë sulm është “neutralizuar” pa dhënë ndonjë detaj tjetër.Një fotograf i Associated Press, që ka qenë në audiencë në vendin e ngjarjes, ka thënë se sulmuesi i dyshuar kishte veshur kostum, ndërsa ka thirrur “Allahu Akbar” derisa ka shtënë tetë herë.NTV raporton se edhe tre persona të tjerë janë plagosur.Zëdhënësi i Kremlinit ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për sulmin. Ndërsa në Uashington, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, ka thënë se SHBA-ja e dënon sulmin. Sulmi është dënuar edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara

Russian ambassador to Turkey killed in Ankara shooting

1-atentaori

The Russian ambassador to Ankara has been killed in a gun attack at an art gallery in the Turkish capital, the Russian news agency RIA Novosti reported.

Reports said Andrei Karlov was attending the opening of an exhibit at a contemporary arts centre when he was attacked. Karlov was several minutes into a speech at the exhibit when a man shouted “Allahu Akbar” and fired at least eight shots, according to an AP photographer who was present.The attacker also smashed some of the photographs, AP reported. A source told RIA that Karlov had died at the scene.Turkey’s NTV reported that the gunman had been killed by police.Turkish officials said the gunman had entered the building claiming he was a police officer. Other bystanders alleged he shouted “Aleppo” when he shot Karlov, but the claims could not be immediately confirmed.The attacker was said to have first shot Karlov in the back, before ordering people to leave the room. He then reportedly fired a second time as Karlov lay on the floor.The Russian foreign ministry said it was in contact with Ankara over the events, RIA Novosti reported. President Vladimir Putin called an urgent meeting with the foreign minister, Sergei Lavrov, and the heads of the security services.

The ambassador had been part of discussions between Turkey that led to an evacuation of east Aleppo getting under way late last week. He had also been a central conduit to the Turkish government’s rapproachment with Moscow in April.The Turkish foreign minister, Mevlüt Çavuşoğlu, was due to travel to Moscow on Tuesday for talks with Russian and Iranian counterparts.Russia and Turkey have recently gone some way towards mending ties after a freeze in relations after Turkey shot down a Russian fighter plane in November 2015.Fatih Öke, the press attache of Turkey’s embassy in Washington DC, tweeted: “The bullet to Ambassador Karlov is not only aims him. It aims also Turkish Russian relation.”Karlov was a career diplomat who had previously served as ambassador to North Korea.

Filed Under: Featured Tagged With: ambasadori rus, Karlov, ne Ankara, vritet

VRITET NE RADHET E ISIS-it KAMPIONI VALDET GASHI

July 6, 2015 by dgreca

Valdet Gasi iu bashkua ISIS-it kohë më parë.
Kikboksieri dy herë kampion, Valdet Gashi është vrarë gjatë luftimeve në Siri përkrahë ISIS’it.
20min.ch ka njoftuar se Gashi është vrarë të shtunën, teksa lajmin për ta e konfirmoi vëllai i Valdetit.
Vëllai i Gashit përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se kikboksieri është vrarë në betejë.
Gashi ishte i famshëm në sportin e tij në Zvicër, duke qenë edhe trajner te Winterthur

Filed Under: Kronike Tagged With: ne radhet e ISIS-it, Valdet Gashi, vritet

NË PARIS VRITET LIRIA E SHTYPIT

January 8, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Të mërkurën në Paris të Francës, terroristë të maskuar sulmuan kryeqëndrën e revistës satirike Charlie Hebdo duke vrarë 12 veta të pafajshëm, 10 gazetarë dhe dy policë dhe kanë plagosur disa të tjerë. Ndër gazetarët e vrarë përfshishej redaktori Stephane Charbonnier dhe satiristët e njohur Georges Wolinski, jean Cabut dhe Bernard Verlhac.
Sido që ta shikosh, ky ishte një akt barbar që shkaktoi një tragjedi njerzore, por në thelb ishte një akt terrorist i shëmtuar kundër lirisë dhe demokracisë. Sulmi në Paris kundër gazetës satirike dhe gazetarve të saj ishte mbi të gjitha, sipas gazetës The Financial Times, “Një akt i bërë me qëllim për të frikësuar shtypin, ishte një sulm kundër lirisë së fjalës, që është shtylla e çdo shoqërie demokratike.”
Sulmi barbar kundër gazetës satirike Charlie Hebdo në Paris shokoi botën dhe reagimet ndërkombëtare ishin të shpejta dhe të vendosura nga presidentë e kryeministra, nga organizata private dhe ndërkombëtare, mbështetse të fjalës së lirë dhe të lirisë së shytpit. Presidenti Francez, Francois Hollande e cilësoi sulmin si një akt barbarizmi të veçant kundër medias dhe shtoi se, “Asnjë sulm barbar nuk do të vrasë kurrë lirinë e shtypit”. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i organizatës franceze, “Reporters Sans Frontières” (Korrespondentët pa Kufij”), e cila merret me promovimin dhe mbështjetjen e lirisë së informacionit dhe të lirisë së shtypit kudo në botë, Z. Christophe Deloire, i shokuar nga sulmi në Paris, u shpreh se “Sulmet me armë kundër zyrave të gazetave ndodhin në Irak, në Somali dhe në Pakistan”. A mund ta kishim parashikuar një sulm të tillë kaq të tmershëm në Paris, bëri pyetje ai. Drejtori i Organizatës “Reporters Sans Frontières”, që me vite ka mbrojtur lirinë e medias anë e mbanë botës, u shpreh se sulmi ishte një “Ëndërrë e tmershme që u bë realitet. Ky sulm terrorist”, shtoi ai, “shënon një ditë të zezë në historinë e Francës.” Christophe Deloire deklaroi gjithashtu se, “Nuk mund të ketë një sulm më të tmershëm kundër lirisë së medias dhe lirive në përgjithësi, se sa sulmi me armë kundër një enti gazetaresk, duke vrarë gazetarët. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për liri dhe tolerance, përball këtij barbarizmi. Do ta bëjmë këtë në kujtim të gazetarëve që u vranë në Paris si dhe për të gjithë ata që kanë dhënë jetën në mbrojtje të vlerave themelore të lirisë së fjalës dhe të informacionit”, përfundoi deklaratën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, “Reporters Sans Frontières”.
Reagimet ishin të shpejta edhe nga udhëheqsit më të lartë botërorë të cilët u shprehën të shokuar nga sulmi në Paris. Ata ofruan ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave dhe mbarë popullit francez dhe njëkohësisht dënuan ashpër sulmin e të mërkurës, në zemër të Europës. Ndër të parët që reagoi ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i cili dënoi ashpër vrasjet barbare të gazetarve francezë dhe i ofroi qeverisë franceze të gjitha ndihmat e nevojshme të vendit të tij, në këtë moment të vështir për Francën, duke thënë se “Franca është ndër aleatët më të vjetër të Amerikës dhe se ajo ka qëndruar krah për krah me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrroristëve, të cilët kërcënojnë sigurimin tonë dhe botën.” Pas një takimi me Zëvëndës Presidentin Joe Biden dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry për të biseduar mbi situatën e krijuar në Francë, Presidenti amerikan e cilësoi gjithashtu aktin barbar në Paris si një sulm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi. “Fakti se ky sulm u bë kundër gazetarve, kundër lirisë tonë të medias, nënvijon gjithashtu frikën që këta terroristë kanë nga liria e fjalës dhe nga liria e shtypit”. Në deklaratën e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara shtoi se, “Por, gjëja për të cilën jam tepër i sigurt, është fakti se unë jam i bindur se vlerat të cilat ne i ndajmë me popullin francez, besimin – një besim universal në lirinë e fjalës – është diçka që nuk mund të shuhet nga dhuna e pakuptimtë që ushtrojnë disa.”
Reagimi ndaj barbarizmit kundër gazetarve francezë në Paris ishte i shpejt edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, i cili duke shprehur indinjatën e tij të thellë, dënoi sulmin duke thënë se, “Ky akt i tmershëm barbar ka për qëllim të ndajë e të pëçajë dhe si rrejdhim ne nuk guxojmë të biem në atë kurthë. Ky është një moment për të treguar solidaritet në mbarë botën, duke qëndruar të fortë në mbështetje të lirisë së fjalës dhe tolerancës dhe kundër forcave përçarëse dhe atyre të urrejtjes”, u shpreh Ban ki Moon. Ndërsa Papa Françesku e dënoi ashpër atë atë që ndodhi në Francë duke e cilësuar si një “sulm i tmershëm”, i cili tmeroi jo vetëm Parisin dhe Francën por shqetësoi dhe habiti të gjithë njerzit vullnet mirë dhe të gjithë ata që dëshirojnë paqën. Udhëheqsi i Kishës Katolike u bëri thirrje të gjithëve, “Që të kundërshtojnë me çdo mjet që kanë në dispozicion përhapjen e urrejtjes si dhe të gjithë format e ushtrimit të dhunës fizike dhe morale, të cilat shkatërrojnë jetën njerëzore dhe shkelin dinjitetin e njerëzve, dhe që nga ana tjetër, minojnë në mënyrën më radikale të mirën themelore të bashkjetesës midis individëve dhe njerëzve pa marrë parasyshë dallimet kombëtare, fetare ose kulturore.” Cilado qoftë arsyeja për atë sulm, dhuna që përfundon në humbje jete njerzish duhet të dënohet dhe nuk mund të justifikohet kurrë, është shprehur Papa Françesku. Ndërsa Organizata për Sigurim dhe Bashkunim në Europë në një komunikatë që lëshoi me këtë rast thotë se, “Në një shoqëri demokratike është e nevojshme të pranojmë që të shokohemi, të zemërohemi, madje edhe të ofendohemi. Por përdorimi i dhunës, kundër atyre që kanë një mendim ndryshe, është i papranueshëm”, dhe u bën thirrje qeverive të ndryshme që të “marrin të gjitha masat që është e mundur për të luftuar presionet, frikësimet dhe dhunën, përdorimi i të cilave ka për qëllim ndalimin shfaqjes dhe të përhapjes së opinioneve dhe ideve të ndryshme.”

Ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në një deklaratë në lidhje me sulmin në Paris tha se Franca, si asnjë vend tjetër e di se liria ka një çmim, sepse ishte ajo vet që e lindi demokracinë. Franca, shtoi ai, ishte nxiti aq shumë revolucione të shpirtit njerëzor, të lindura nga liria dhe nga fjala e lirë dhe kjo është ekzaktërisht ajo nga e cila kanë frikë ekstremistët, nënvijoi kryediplomati amerikan. John Kerry u bëri thirrje francezëve që të mos demoralizohen nga këto kërcënime duke thënë se, “Liria e fjalës dhe liria e shtypit janë vlerat themelore. Ato janë vlera universale. Janë parime që mund të sulmohen por kurrë nuk mund të zhduken, sepse njerëz të ndershëm dhe të guximshëm anë e mbanë botës, nuk do të dorëzohen kurrë para frikësimeve dhe terrorit të atyre që përdorin mënyra të tilla me qëllim për të zhdukur ato vlera universale.”Mbarë bota po e konsideron sulmin në zyrat e gazetës satirike Charlie Hebdo Paris që mori jetën e 12 vetave të pafajshëm, pikëspari si një humbje dhe tragjedi njerëzore, por edhe si një sulm të përgjakshëm kundër lirisë së të shprehurit dhe lirisë së shtypit në përgjithësi dhe jo vetëm në Francë. Sulmi që shkaktoi vrasjen e 12 vetave të pafajshëm, po shikohet dhe komentohet njëkohsisht edhe si një përpjekje për t’i mbyllur gojën jo vetëm medias së lirë franceze dhe asaj europiane, por edhe më gjërë. Media të ndryshme dhe përfaqsues të medias së lirë dhe të pavarur në Francë dhe anë e mbanë botës, thonë se janë të vendosur që të mos frikësohen dhe të mos adaptojnë vet-censurimin, si rrjedhim i masakrës së gazetarve në Paris. Për ndryshe, siç thotë edhe gazeta e famshme Financial Times në një koment të saj në lidhje me masakrën e Parisit, shtypi i lirë nuk ka kurrfarë vlere, nëqoftse praktikuesit e shtypit, dmth gazetarët, nuk e ndjejnë veten të lirë të flasin dhe të shkruajnë lirisht.

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, Liria e shtypit, ne Paris, vritet

Atentati mafioz te ish-Blloku trondit Tiranen

June 26, 2014 by dgreca

Vritet biznesmeni Artan Santo, Policia: 100 mijë euro shpërblim për gjetjen e autorëve, Ndalohen dy persona/
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot në orët e para të mëngjesit kryeqytetin. Drejtori i bankës “Credins”, Artan Santo është qëlluar nga dy persona të maskuar me motor në mes të ish-zonës së Bllokut dhe si pasojë ka ndërruar jetë menjëherë.
Biznesmeni i njohur 54-vjeçar, ka qenë duke shkuar në punë teksa papritur dy persona e kanë qëlluar me armë zjarri për t’u larguar më pas menjëherë nga vendngjarja.
Autorët e vrasjes së Santos, duket se kanë organizuar çdo gjë në mënyrë perfekte dhe kanë ndjekur itinerarin e biznesmenit. Autorët kanë qenë të maskuar për të mos u identifikuar nga kamerat e shumta të sigurisë në këtë zonë. Ata kanë kryer ekzekutimin dhe janë larguar pa asnjë gjurmë.
Roja i sigurisë i cili ka parë të gjithë ngjarjes është dëshmitari kyç i këtij ekzekutimi, pasi sipas dëshmisë së tij paraprake ka deklaruar se ka dëgjuar një bisedë mes biznesmenit dhe atentatorëve.
Trupi i viktimës ka qëndruar për rreth gjysmë ore i shtrirë përpara mjediseve të bankës deri sa një makinë ambulancë ka ardhur dhe e ka transportuar në morgun e Tiranës.
Në vendngjarje, përveç krerëve më të lartë të policisë së shtetit dhe policisë së kryeqytetit, kanë mbërritur edhe prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, të cilët pasi kanë këqyrur vendin e ngjarjes, kanë nisur hetimet për zbardhjen e krimit dhe zbulimin e autorëve.
Një polic rrugor ndoqi autorët deri në Fushë Krujë. Policia ngre postblloqe të shumta
Dalin detaje të reja pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo në mes të Tiranës. Burime policore konfirmojnë se kanë qenë dy atentatorë që kanë qëlluar dhe teksa largoheshin të hipur mbi motor në drejtim të Librit Universitar, janë pikasur nga një efektiv i policisë rrugore, i cili ka filluar t’i ndjekë nga pas me motor.
Ndjekja ka vazhduar deri në dalje të Fushë Krujës, tej Ura e Gjolës, më pas polici rrugor i ka humbur gjurmët e tyre. Ai i ka njoftuar kolegët e tij në radio për ndihmë, por autorët e krimit nuk kanë lënë më gjurmë.
Policia e shtetit, me forcat speciale RENEA dhe FNSH-së ka nisur disa operacione kontrolli në zonën e Fushë Krujës për kapjen e tyre dhe deri tani nuk ka asnjë informacion. Postblloqe të shumta janë ngritur dhe janë bllokuar një sërë aksesh rrugore për verifikimin e elementëve të dyshuar.
Të paktën nga skema dhe mënyra sesi është zhvilluar ngjarja, autorët dyshohet të kenë qenë vrasës me pagesë dhe policia ka ngritur shumë pista për vrasjen e biznesmenit.
Dëshmitarja: Kalimtarët u tmerruan, u fshehën pas pemëve
Vrasja e biznesmenit të njohur Artan Santo në zonën e ish-Bllokut, është parë nga afër nga njerëz të shumtë të pranishëm në vendngjarje apo kalimtarë të rastit.
Një grua, e cila ka qenë pranë vendit ku u qëllua Santo ka qenë dëshmitare pasi ajo shet lule prej vitesh në atë zonë.
Ja çfarë tregon ajo për mediet: “Dëgjuam krismat të cilat ishin të zhurmshme. Njerëzit u frikësuan dhe filluan të fshihen pas makinave të parkuara dhe pas trungjeve të pemëve, – rrëfen shitësja ambulante, duke lënë të kuptohej se vrasja nuk është bërë me silenciator. – Nuk pamë asgjë, sepse personat që qëlluan ishin të maskuar dhe të veshur me të zeza dhe u larguan me motor. Mes njerëzve u krijua panik. Unë e njihja viktimën, sepse blinte lule tek unë, ishte njeri i lartë…”.
Edi Rama: Na vranë mizorisht një mik të mirë
Kryeministri Edi Rama ka dënuar vrasjen e biznesmenit, Artan Santo. Në një shkrim në rrjetin social “Facebook” Rama shkruan “Na vranë mizorisht një mik të mirë, çun Tirone nga ata të vërtetët, që donte jetën e donte”.
Berisha: Vrasja akt i shëmtuar, rendi i dominuar nga mafia
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me ekzekutimin e biznesmenit Artan Santo. Në një mesazh në rrjetin social “Facebook”, Berisha e cilësoi këtë akt si të shëmtuar dhe mizor, që dëshmon se rendi në vend nuk ekziston.
“Artanin e kisha njohur në moshën e tij 4-5 vjeçare, fëmijë i dy prindërve të mrekullueshëm. Artani shkëlqeu gjithë jetën e tij, tashmë të shkurtër. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar mizor, dëshmi e një rendi që nuk ekziston apo një rendi që është tërësisht i dominuar nga mafia dhe krimi i egër”, shkruan Berisha.
Ish- kryeministri shpreh ngushëllimet për familjen e Santo, bashkëpunëtorët e tij. “Lutem që shpirti i tij të gjeje paqen e merituar”, shkruan Berisha.
Basha: Ekzekutimi, një alarm qytetar për të gjithë
Edhe Lulzim Basha ka përcjell një mesazh ngushëllimi në rrjetin social “Facebook”. Kreu i PD-së ka shkruar: “Ndiej dhimbje e tronditje, përtej fjalëve për vrasjen e Artan Santos. Ky sulm i pashembullt mafioz, është një alarm qytetar për të gjithë. Ngushëllime dhe solidarizim me familjen dhe miqtë e ngushtë të Artan Santos”.
Parlamenti shqiptar mban një minutë heshtje
Vrasja e biznesmenit Artan Santo ka solidarizuar edhe Kuvendin e Shqipërisë. Edhe pse në seancën e sotme mungonte opozita, kreu i i parlamentit Ilir Meta i ka ftuar deputetët në sallë dhe ministrat e pranishëm të mbanin një minutë heshtje në nder të biznesmenit të vrarë në mes të ish-Bllokut.
Deputeti i PS-së, Ben Blushi i ka bërë thirrje policisë të zbardhë çështjen dhe të kapë autorët. “Duhet t’i shkohet deri në fund kësaj ngjarjeje mafioze”, – tha Blushi.
PD: Vrasja e Santos tregon sa e pambrojtur është jeta në vend
Pas vrasjes së biznesmenit Artan Santo në orët e para të mëngjesit në Tiranë, gjatë një dalje publike, deputeti i PD-së Arben Ristani ka deklaruar që rendi dhe siguria në vend ka arritur kufijtë minimalë.
“Krimi vret në mes të ditës, në mes të Tiranës, ndaj askush nuk është më i sigurt në këtë vend. Ekzekutimi mafioz dëshmon se krimi ka arritur në ato nivele të organizimit dhe kurajës, sa të marrë jetën e një personaliteti të fushës së tij, të një biznesmeni nga më të spikaturit, pa ju dridhur dora gjakatare”.
“Partia Demokratike ndan tronditjen e madhe për vrasjen e biznesmenit, bankierit dhe pronarit të medias, Artan Santo, sot paradite në mes të Tiranës, në derën e zyrës së tij të punës. Partia Demokratike shpreh tronditjen e thellë dhe është në krah të familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve të tij. Të tronditur sot janë gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Vrasja e sotme mafioze, tregon se sa e lirë dhe e pambrojtur është jeta sot në Shqipëri”.
Kush është Artan Santo
Artan Santo është prezantuar shumë vite më parë para publikut shqiptar me filmin Guximtarët. Njeriu që kishte një dashuri të madhe jo vetëm për jetën e biznesin ku ai u rendit si një nga bankierët më të suksesshëm, por për artin ku ai dha një kontribut të madh.
u lind në Tiranë më 7 shtator të vitit 1957. Edhe pse pasioni i tij i hershëm ishte arti dhe dëshironte të vijonte studimet në mjekësi, arkitekturë apo juridik, ai vijoi studimet e larta në financë. Pasi përfundoi studimet ne fakultetin ekonomik, Artan Santo ndoqi instiktet e tij dhe vijoi studimet në degën e juridikut, ku u diplomua me rezultate të larta. Artan Santo është një nga bankierët më të njohur në vend.
Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm si drejtues në Bankën e Kursimeve e më pas drejtoi bankën “Credins”, ku edhe është bashkëpronar. Artan Santo është jo vetëm një bankier, por edhe biznesmen i suksesshëm. Ai është bashkëpronar i medias “Focus Group” dhe televizionit “TV Scan”.
Artan Santo gjatë këtyre viteve ka treguar përmes veprimeve të tij se ishte një njeri mjaft i zoti në botën e shifrave edhe pse nuk hoqi kurrë dorë nga dashuria e tij e madhe që kishte për artin.
Policia: 100 mijë euro shpërblim për gjetjen e autorëve. Ndalohen dy persona/
Pasi kanë humbur gjurmët pas ndjekjes së policisë, dy atentatorët kanë braktisur mjetin motor tip “Scooter” në rrethinat e daljes së Fushë Krujës. Policia me të marrë njoftimin ka mbërritur menjëherë në vendin ku ishte braktisur mjeti dhe ka nisur hetimet për të zbardhur ndonjë detaj të mundshëm për verifikimin e autorëve.
Ndërkohë, nga ana tjetër, policia e shtetit ka publikuar dy foto të autorëve të krimit, të cilët po largoheshin me motor pas kryerjes së krimit.
Të veshur me xhupa të zinj, pantallona xhinse dhe me skafandra mbi kokë, vrasësit, pasi kanë kryer krimin, kanë marrë rrugën drejt Librit Universitar për të kaluar më pas pranë Liqenit Artificial.
Sipas fotove të publikuara nga policia, ata kalojnë në kryqëzimin e Librit Universitar, duke shkelur edhe rregullat e qarkullimit rrugor, me semaforin që në ato momente ishte me drita të kuqe. Në foto duket edhe një polic rrugor që me sa duket nuk ka pasur informacion për atë që kishte ndodhur.
Policia shoqëron në komisariat pronarit e motorit: E kam shitur mjetin!
Ndërkohë policia e Fushë Krujës ka shoqëruar në komisariat pronarin e motorit që u përdor për ekzekutimin e biznesmenit të njohur Artan Santo.
Para agjentëve të policisë, pronari i motorit ka mohuar të ketë lidhje me krimin, duke deklaruar: “E kam shitur motorin, pasi e kisha lënë në një pikë servili në zonën e Rinasit”.
Po ashtu policia ka shoqëruar në komisariat edhe pronarin e pikës së servilit në Rinas për të verifikuar pohimet e pronarit të motorit “Scooter” që u krye vrasja.
Policia jep 100 mijë euro shpërblim për çdo informacion
Policia e kryeqytetit e ka shumëfishuar vlerën e shpërblimit, nga 10 mijë, në 100 mijë euro, nëse jepet informacion mbi vrasësit, duke ruajtur në anonimitet të plotë identitetin e tyre.
Me anë të një njoftimi për shtyp, bëhet me dije se: “Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e sotme, mbi ngjarjen e ndodhur në rreth orës 09.30 në zonën e ish-Bllokut, ku si pasojë e të shtënave ka gjetur vdekjen e menjëhershme shtetasi Artan Santo, Policia e Kryeqytetit vendos në dispozicion një shpërblim prej 100 mijë euro.
Për çdo informacion të vlefshëm që do të çojnë në kapjen e autorëve Policia e Tiranës vendos këtë shpërblim, në çdo rast duke ruajtur anonimatin duke ju ftuar të telefononi në numrin 069 41 00003.
Krahas sa lartë, kërkojmë bashkëpunimin qytetar për të telefonuar për informacione të vlefshme edhe në numrin pa pagesë 129. Aktualisht grupi hetimor po punon me intensitet në drejtim të zbardhjes tërësisht të kësaj ngjarje dhe identifikimin e autorëve.”(Kortezi-Shqip)

Filed Under: Kronike Tagged With: Artan Santo, Atentat mafioz, vritet

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  
  • Në veriun e Mitrovicës para 23 viteve serbët vranë e dëbuan shqiptarët
  • Boshnjakët dhe shqiptarët kërkojnë reciprocitet të të drejtave
  • Maya Angelou mbretëresha e poezizë zezake 
  • SHQIPTARO-AMERIKANËT SHËNOJNË 1-VJETORIN E VARRIMIT TË SENATORIT BOB DOLE
  • New Proposal on School Meals Includes First Limits on Added Sugars
  • Nga Dante Aligieri dhe piktori i famshëm italian Mariotto Albertinelli tek djali i Drenicës përndjekur nga genocidi serb
  • SHQIP NË ASPROPIRGO – ATHINË
  • 15 VJETORI I PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NEW YORK
  • Emri im nuk është Marjuana!
  • PIKËPYETJE…
  • William McKinley, Presidenti i 25-të i ShBA
  • Kosova’s 15th Anniversary of Independence Celebration
  • PAL ËNGJËLLI, KRYEIPESHKËV I DURRËSIT I SHKRUAN GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT – PRINCIT TË EPIROTËVE PËR FILLIMIN E LUFTËS KUNDËR SULLTANIT OSMAN – MEHMETIT TË II-TË
  • In Memoriam Presidenti Woodrow Wilson

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT