• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIRIA E SHTYPIT – KJO “FERRË” NË SY TË POLITIKANËVE SHQIPTARË

September 29, 2021 by s p

 Nga Frank Shkreli

See the source imageKy ishte titulli i një shkrimi mbi lirinë e shtypit në Shqipëri që kam shkruar në vitin 2015, si një reagim i imi ndaj deklaratave të zyrtarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë në atë kohë Frank Shkreli/ Liria e shtypit, kjo “ferrë“në sy të politikanëve shqiptarë | Gazeta Telegraf, drejtuar medias shqiptare, ose “Kënetës mediatike” shqiptare, siç preferonte ta cilësonte Kryeminsitri Rama në atë kohë. Gjatë viteve, fjala e lirë dhe liria e shtypit kanë qenë dhe janë subjekte të preferuara për tu trajtuar, sidomos, përballë sulmeve dhe kritikave nga pushtetarët shqiptarë. Raste të tilla reagimesh anti-media, gjatë viteve, ku liria e shtypit dhe fjala e lirë duket se konsiderohen si pengesa kryesore e pushtetarëve shqiptarë, ka pasur dhe ka mjaft, sidomos në Tiranë.  Mbizotëron një atmosferë ku gazetarët dhe shtypi konsiderohen të rrezikshëm, veprimtaria e të cilëve duhet frenuar dhe kontrolluar — në sytë e politikanëve shqiptarë të të gjitha ngjyrave, pa përjashtim.  Janë shumë raste për të përmendur kur dhe sa herë janë bërë përpjekje dhe janë marrë masa efektive të kontrollit qeveritar ndaj medias gjatë këtyre 30-viteve “pluralizëm”, për të kontrolluar dhe penguar edhe ashtu gjysëm lirinë e veprimtarisë së medias në Shqipëri, duke shkaktuar në këtë mënyrë, edhe përhapjen e vet-censurës nga gazetarët e frikësuar se nëqoftse nuk i përshtaten vijës zyrtare mund të humabsin edhe punën, si rrjedhim i trysnisë zyrtare, kërcënimeve dhe frikësimeve të dala nga qarqet politike dhe mbështetsve të tyre, ndaj punës së përditshme të gazetarëve.  

Nuk besoj të ketë patur ndonjë subjekt tjetër me rëndësi publike – siç është liria e shtypit — që ka pësuar aq shumë ndryshime gjatë viteve dhe propozime ligjore me qëllim kufizimin e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias. Sikur liria e të shprehurit dhe liria e medias — në mbrojtje të interesit publik, siç ndodhë në çdo vend normal që e quan veten “demokratik” – është rreziku më i madh që i kanoset sot shoqërisë shqiptare dhe interesave kombëtare.

Duket sikur qëllimi për të penguar lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit në Shqipëri është një detyrë me orar të plotë për një ose më shumë persona. Vërtetë, gjatë viteve janë shënuar shumë raste ndërhyrjeje nga qeveria shqiptare kundër lirisë së fjalës dhe të medias në përgjithësi, por kësaj radhe më ra në sy propozimi më i fundit i Kryeministrit Rama – që në fillim të mandatit të tretë – gjëja më me rëndësi në sytë e qeverisë Rama-3, na qenka krijimi i asaj që ata e quajnë Agjensia për Media dhe Informim.  Jo, more jo, sot për sot nuk ka sfidë me të madhe se kontrollimi i medias dhe i fjalës së lirë as ndonjë plan më të rëndësishëm, si për shembull për të zbutur deri dikur zbrazjen e vendit, ndërkohë që rinia shqiptare dhe më të përgatiturit e vendit, po largohen masivisht, problemet ekonomike dhe shoqërore dhe shumë e shumë probleme të tjera me të cilat përballet sot Shqipëria dhe Kombi shqiptar. Por, për klasën politike në Tiranë, është pikërisht për ta, ajo “ferra në sy”: liria e shtypit dhe media e lirë që i ka të gjitha fajet për gjëndjen e krijuar ekonomike, politike dhe shoqërore në vend dhe si e tillë informacioni duhet të kufizohet dhe shpërndarja e informimit të përqendrohet në duart e qeverisë. 

Si përfundim, kufizimi i lirisë së fjalës dhe lirisë së medias për të shkuar përpara pa kokëçarje nga media — krijimi i Agjensisë për Media dhe Informim – është përparësi kombëtare dhe duhej miratuar, pa vonesë, në mbledhjen e parë të qeverisë Rama-3. Aq i rëndësishëm e serioz ishte ky propozim, përparësi numër një në krahasim me hallet e tjera të shqiptarëve!  Sipas vet Kryeministrit dhe zëdhënsve të tij, miratimi i këtij enti do bëhet me një ligj të ngjashëm me atë gjerman. Gjithmonë ruajuni dhe  të kini kujdes kur politikanët shqiptarë, në përpjekje për të bindur dike për meritën e propozimit të tyre — krahasojnë diçka që duan të miratojnë me ndonjë shembull nga vendet demokratike – kështu e bejnë gjermanët, amerikanët, italianët e tjerë, thonë ata.  Kësaj radhe, mos u shqetësoni na thonë mbështetsit e këtij propozimi, duke na siguruar se Agjensia Shqiptare për Media dhe Informim e propozuar nga Kryeminisitri Rama është, kryesisht, në përputhje me modelin gjerman dhe si e tillë duhet të pranohet nga të gjithë. Si mund të gabojmë me krijimin e një agjencie alla gjermane!?    Ja si e shpjegoi Z. Rama krijesën e tij të re, Agjencinë Shqiptare për Media dhe Informim, në një intervistë për Zerin e Amerikës javën që kaloi.  i pyetur se si do iu përgjigjej kritikëve të themelimit të këti enti qeveritar.  Zoti Rama u përgjigj kështu:  

 “Ky është një reagim që vjen me siguri nga mosnjohja dhe moskuptimi i rolit dhe i misionit të kësaj agjencie. Agjencia është ndërtuar mbi modele të konsoliduara në vende shumë të zhvilluara demokratike. Republika Federale e Gjermanisë e ka identikisht të tillë dhe, në fakt, prej shembullit të saj ne kemi krijuar këtë agjenci. Ata e quajnë Zyra për Mediat dhe Informimin e Qeverisë, ne e kemi Agjencia për Median dhe Informimin pranë Këshillit të Ministrave. Po kështu edhe Italia, po kështu edhe vende të tjera. Dhe kjo agjenci nuk ka lidhje fare as me propagandën as me kontrollin, por ka lidhje me një rritje të kapacitetit të qeverisë për të ndërvepruar me opinionin publik dhe me burimet e informacionit, në mënyrë që të garantojmë që informacioni, që kërkohet nga qeveria, të jetë sa më i shpejtë dhe njëkohësisht sa më integral në funksion të mediave dhe, nga ana tjetër, që qeveria të jetë në vijimësi e informuar dhe natyrisht e vetëdijshme deri në fund për opinionet e qytetarëve, për opinionet e mediave dhe opinionet në mjedisin pluralist shqiptar,” është shprehur Shefi i qeverisë shqiptare.

Sikurë, shoqëria shqiptare ka nevojë për një sistem më integral në funksion të mediave siç pretendon Kryeministri Rama. Sidoqoftë, nëse dikush mendon se me krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim, vërtetë, do të avancohet liria e fjalës dhe veprimtaria e shtypit të lirë, asnjanës, gjithpërfshirës dhe objektiv në Shqipëri, atëherë siç thonë këtu në Nju Jork, unë kam një urë t’ua shes juve: urën e Bruklinit.  Të jeni të sigurt se ashtu siç ka ndodhur këto tre dekada “post-komunizëm”, kjo krijesë e re për kufizimin lirisë së fjalës do ta lejë Shqipërinë, sa i përket lirisë së shtypit, aty ku është tash 30-vjet, e karakterizuar si një vend “gjysëm i lirë”, nga organizatat ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe nga disa shtete perëndimore.

Por nëqoftse prisni ndonjë kundërshtim ndaj kësaj nisme anti-demokratike të kryeministrit prej opozitës në Parlamentin e ri të Shqipërisë, mos u entuziazmoni shumë se shënjat nuk janë të mira as nga ajo palë, sa i përket lirisë së fjalës dhe medias së lirë. Këto ditë lexova në median shqiptare në lidhje me një debat brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike që të jep përshtypjen se opozita e re nuk do të mbrojë lirinë e fjalës në Kuvend dhe as nuk do të kundërshtojë krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim, kur ti paraqitet Kuvendit për miratim.  Sipas medias, edhe aty u fol me fraza anti-liriës së fjalës për deputetët, si për “koordinim” mesazhesh, “dakordësi me zyrën e shtypit”, leje nga lartë për dhenje intervistash nga deputetët dhe të tjera fraza të tilla që nuk flasin mirë për një grup opozitar nga i cili mund të prisnin shqiptarët mbrojtjen e lirinë e fjalës, as për të veten as për të tjerë.  Shpesh e kam thenë, nëqoftse nuk ka liri brenda partisë as vendi nuk gëzon liri. Dy partitë aktuale më të mëdha të vendit e pasqyrojnë këtë fakt, si më mirë nuk ka, për fat të keq të shqiptarëve.

Bazuar në përvojën e së kaluarës, edhe ndërkombtarët, siç është OSBE-ja apo diplomatët perëndimorë në Tiranë, kanë dështuar, mizorisht, në misjonin e tyre për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.  Vura re në fillim të këtij muaji se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po shënon, siç shprehet ajo, përparime të mëtejshme në përpjekjet e saj në ndihmë të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për ngritjen e një qendre trajnimesh për gazetarët e rinj të transmetuesit publik dhe studentët e gazetarisë.  Në shikim të parë, kjo duket një ndërmarrje fisnike nga ana e OSBE-ës, por ky nuk është problemi kryesor me të cilin përballet sot shtypi dhe gazetaria në Shqipëri. Shqipëria ka mjaft gazetarë të zotët që nuk kanë aq nevojë për trajnim se sa kanë nevojë për liri të plotë veprimi, jashtë dhe larg influencave dhe kontrolleve e pengesave qeveritare ndaj profesionit të tyre, siç duket të jetë kjo krijesa e re e Kryeministrit shqiptar e quajtur Agjencia Shqiptare për Media e Informim.

 Për lirinë e shtypit duhet folur haptazi dhe shpesh, si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lirë ose “gjysmë të lirë”, siç karakterizohet Shqipëria – për 30-vjet tani — nga shumë organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe qeveri perëndimore. Liria e shtypit, pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet nga të gjithë, por sidomos nga qeveria dhe entet shtetërore, me qëllim për të bërë Shqipërinë dhe shqiptarët pjesë të këtyre vendeve që ndajnë këto vlera të përbashkëta e universale. Kultivimi, mbrojtja dhe i zbatimi i plotë i lirisë së shtypit, në përputhje me vlerat shqiptare dhe me të drejtat universale të njeriut është dhe mbetet në interesin kombëtar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për të sigurar këtë angazhim edhe të Shqipërisë si një vend anëtar i organizatave ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e fjalës, nuk është i nevojshëm themelimi i ndonjë agjencie të re qeveritare, me pretendimin se gjoja kjo agjenci do të jetë në fundkison të lirisë së medias. Nuk është e tillë!  Ashtu siç bënte dikur regjimi komunist kur merrte me forcë pronat e shqiptarëve dhe i shtëtëzonte për qëllime të veta, ashtu edhe ky veprim është i njëjtë në thelb — megjithse në një fushë tjetër, fushën e lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë – por më në fund është një shtetëzim i mënyrës së përhapjes së lajmeve dhe të lirisë së shqiptarëve, në përgjithësi!

Frank Shkreli

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Liria e shtypit

RIANGAZHIMI I KONGRESIT AMERIKAN NË MBROJTJE TË LIRISË SË SHTYPIT NË RUSI

October 6, 2017 by dgreca

 

Nga Frank Shkreli

Kohët e fundit vihet re një aktivizim i ri nga ana e Kongresit amerikan në lidhje me lirinë e shtypit në botë, në përgjithësi dhe mbi masat shtypëse të Moskës ndaj gazetarëve dhe organeve të pavarura të medias në Rusi, në veçanti.   Vetëm gjatë dy javëve të fundit, në Kongresin amerikan u mbajtën dy sesione që kishin të bënin, njëri me keqinformimin rus anë e mbanë botës dhe tjetri me lirinë ose më mirë të themi me mungesën e lirisë së shytpit në Rusi.   Sesioni i fundit, i organizuar nga Komisioni Amerikan i Helsinkit dhe Grupi i Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në botë, u mbajt të mërkurën e kësaj jave.   Në diskutime morën pjesë, ndër të tjerë, edhe anëtarët e Kongresit, Demokrati Adam Schiff, bashkë themelues i një Grupi Dypartiak të Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë dhe Republikani Steve Chabot dhe përfaqsues të organizatave qeveritare dhe jo qeveritare, të interesuara për fatin e lirisë së shtypit anë e mbanë botës.  Vihen re gjithnjë e më shumë përpjekje, në radhët e disa anëtarëve të Kongresit amerikan – si rrjedhim i shtypjeve të lirisë së medies sidomos në Rusi, por jo vetëm atje –për një mbështetje më të madhe  për transmetimet e financuara nga qeveria amerikane, siç janë Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë.

Grupi dypartiak i Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë është themeluar në vitin 2006 nga kongresmeni Adam Schiff dhe nga ish-kongresmeni Mike Pence, sot Zëvëndës President i Shteteve të Bashkuara.   Me rastin e themelimit të Grupit të Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë, Kongresmeni Schiff kishte deklaruar se, “Shtypi i lirë dhe i pa penguar është jetik për një demokraci të shëndetshme.   Është e pa pranueshme që gazetarët të punojnë në një atmosferë ku kanë frikë nga qeveria se për arsye të punës së tyre, ata mund të burgosën ose ata vetë dhe familjet e tyre mund t’a pësojnë keq vetëm e vetëm se bëjnë detyrën e tyre si gazetarë të lirë.”   Ai pat thënë me atë rast gjithashtu se objektivi i krijimit të këtij grupi ligjvënësish amerikanë për mbrojtjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës — duke nënvijuar censurimin e lajmeve kudo që ndodhë në botë — ishte jo vetëm mbrojtja e gazetarëve nga persekutimi për punën e tyre që bëjnë, por njëkohësisht synon të mbrojë edhe të drejtën e qytetarëve për të qenë të mirë-informuar dhe për të pasur në dispozicion lajme të lira dhe të pakontrolluara nga autoritetet.   Ndërsa ish kongresmeni Mike Pence (sot Zëvendës President i Amerikës), si bashkë themelues i këtij grupi të Kongresit për mbrojtjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës, pat deklaruar me rastin e themelimit të këtij grupi se, “Aty ku nuk ekziston liria e shtypit, aty nuk ka as liri.   Nëqoftse Amerika do të vazhdojë të jetë dritë e shpresës në botë, ne duhet ta mbajmë lartë si ideal dhe ta mbrojmë shtypin e lirë dhe të pavarur, duke e avancuar dhe duke e përhapur nëpër botë, ndërkohë që ta mbrojmë edhe në vendin tonë.   E kam për nder të jem anëtar i këtij grupi burrash dhe grash të Kongresit amerikan të dy partive, qëllimi i të cilëve është mbrojtja e lirisë së shtypit për mbarë njerëzimin”, kishte deklaruar para pak më shumë se 10- vitesh, ish-kongresmeni Pence, sot numri 2 i Shtëpisë së Bardhë.

Ishte pikërisht në këtë frymë të mbrojtjes së lirisë së shtypit anë e mbanë botës dhe të qarkullimit të lirë të lajmeve dhe informacionit—deklaruar një dekadë më parë nga Kongresi amerikan — që këtë javë në  njërën prej sallave të Kongresit u mbajt sesioni i organizuar së bashku nga Grupi i Kongresit për Mbrojtjen e Lirisë së Shtypit në Botë dhe nga Komisioni Amerikan i Helsinkit — kësaj radhe mbi lirinë ose mbi mungesën e lirisë së shtypit dhe mbi sulmet kundër gazetarëve në Rusi dhe në shtetet ish-sovjetike.  Sesioni i Kongresit mbi sulmet ndaj lirisë së shtypit dhe medias së pavarur në Rusi, u mbajt një ditë para se policia të fillonte të ënjtën, bastisje me dhunë kundër një numri aktivistësh, gazetarësh dhe kundërshtarësh të regjimit të Presidentit Putin, anë e mbanë Moskës, përfshirë edhe apartamentin e gazetarit të njohur Andrei Konyakin, i cili raporton mbi raste të mëdha të korrupsionit në vend, njofton portali amerikan i lajmeve Daily Beast.Tema e diskutimeve nga pjesëmarrës të ndryshëm mbi shtypjet ndaj lirisë së shtypit në Rusi, përfshirë Drejtoren e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet dhe Drejtorin e Radios Evropa e Lirë, Thomas Kent, ishte se shtypi i lirë është gurthemeli i demokracisë, detyra e të cilit është për të mbajtur qeveritë përgjegjëse dhe llogari-dhënëse për punën e tyre ndaj qytetarëve dhe njëkohësisht të shërbejë si mjet informimi të saktë dhe objektiv për qytetarët.   Historikisht është provuar se qeveritë diktatoriale dhe autoritare e konsiderojnë lirinë e shtypit si ferrë në sy dhe përpiqen gjithmonë të kërcënojnë, të frikësojnë dhe t’i mbyllin gojën gazetarëve dhe shtypit të lirë, duke i bërë gazetarët subjekt të sulmeve të vazhdueshme të tyre.Gjatë diskutimeve, pjesëmarrës të ndryshëm theksuan se gazetarët në Rusi, në periferi dhe në shtetet post-sovjetike përballen me frikësime, bezdisje të lloj-llojshme, me arrestime e madje edhe me vrasje për kryerjen e detyrës së tyre si gazetarë të lirë.   Sipas të dhënave nga media që morën pjesë në sesionin e Kongresit, diskutimet nenvijuan faktin se sa të përhapura janë masat që ndërmerr Kremlini kundër zërave të pavarur si dhe ndaj shtypit të lirë dhe të pavarur.   Debati u përqendrua, jo vetëm për masat që duhen marrë për mbrojtjen e të drejtave dhe të sigurisë së gazetarëve, por edhe mbi ndihmën në të ardhmen dhe për promovimin e lirisë së medies në përgjithësi nga Organizata për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë dhe nha ente të tjera qeveritare dhe jo qeveritare perëndimore.

Për të ndihmuar në luftën kundër këtyre përpjekjeve – raporton VOA – kongresmenët Steve Chabot dhe Adam Schiff i thanë Komisionit të Helsinkit se Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve Ndërkombëtare, agjencia ombrellë e Zërit të Amerikës, është thelbësore.   Demokrati Schiff, bashkëthemelues i grupit dypartiak të Kongresit për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, u zotua se do të mbështesë përpjekjet e Bordit dhe të Zërit të Amerikës, ndërsa republikani Chabot u angazhua për mbështetjen e tij dhe të kolegëve në Dhomën e Përfaqsuesve, “Për një shtyp të lirë e të pavarur, si në Evropën Lindore ashtu edhe në Rusi”.

Fatkeqsisht, në shumë vende të botës, përfshirë Rusinë, megjithëse ligji ndërkombëtar qartazi garanton lirinë e të shprehurit dhe të drejtën e lirisë së medies, këto të drejta vazhdojnë të shtypen gjerësisht dhe pa asnjë ndëshkim.   Sipas disa statistikave të fundit të Komisionit për Mbrojtjen e Gazetarëve, deri më tani këtë vit, anë e mbanë botës janë vrarë 25 gazetarë, ndërkohë që vitin që kaloi ishin arrestuar 259 dhe 55 të tjerëve nuk u dihet fati.   Riangazhimi i Kongresit Amerikan në mbështetje të lirisë së medies në Rusi dhe anë e mbanë botës është i mirëseardhur dhe do të ndihmojë për të bërë të njohura për publikun e gjërë botëror, kërcënimet ndaj lirisë së shtypit dhe ndaj rreziqeve me të cilat përballen gazetarët, sidomos ata që veprojnë nën regjime autoritare, në vende dhe në kushte të rrezikshme pune.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Liria e shtypit

LIRIA E SHTYPIT SI E DREJTE UNIVERSALE E TE DREJTAVE TE NJERIUT…

July 28, 2016 by dgreca

….DHE E VLERAVE TE SHOQERIVE TE DEMOKRATIZUARA/
NGA:LULZIM MULLIQI-SHBA/
Liria e shtypit duhet te ruhet si e drejte e patjetersueshme e njerezve ne nje shoqeri te lire,progresive dhe demokratike.Ne te kunderten,ajo pariqitet shume sfiduese per vendet qe aplikojne praktikat autokratike ne zgjidhjen e shume ceshtjeve te rendesishme politike,diplomatike,shoqerore dhe kulturore.Ajo mbarte me vete lirine dhe pergjegjesine per te diskutuar veprimet dhe artikulimet e pushtetit apo te institucioneve Publike ne raport me qytetaret e nje vendi te caktuar.Ne kete kontekst liria e shtypit ka per detyre te kerkoje lajme te verteta ,te panshme dhe te jete e cliruar ndaj cdo interesi te ndryshem.Prandaj si e tille liria e shprehjes dhe e shtypit eshte nje e drejte themelore ne shoqerite demokratike dhe bashkekohore.Ajo e merr kete atribut ne saje te nenit 19 te Deklarates Universale per te Drejtat e Njeriut,pastaj nga neni 10 i Konvenetes Evropiane dhe nga neni 19 i Konventes Nderkombetare mbi te Drejtat Civile dhe Politike.
Por me gjithe kete fakt,liria e shprehjes dhe e shtypit ende ne te gjitha vendet nuk i gezon atributet e  nje te drejte absolute per arsye se ajo permban ne vetvete ashtu si detyrat edhe obligime te specifikuara ne raport me shoqerine,per kete arsye ajo i nenshtrohet ligjerisht terreneve juridike te kufizuara te vendeve te ndryshme.Keshtu ne gjejme shume shtete qe kane hartuar kuader ligjor te ndryshem nga njera -tjetra dhe me specifikat qe i perkasin vendeve te ndryshme te botes.Ndersa kur behet fjale per SHBA-te,legjislacioni eshte i pakushtezuari,i hapur,i lire dhe karakteristik per nje shoqeri demokratike qe eshte i mbeshtetur tek Amendamenti i pare i Kushtetutes amerikane.
Eshte poashtu e drejte konstituive per cdo qeveri demokratike ne te cilen cdonjeri,
jo vetem qytetaret e shtetit,kane te drejten njerezore te thone ate se cka mendojne
dhe ne te njejtin kohe ta kritikojne qeverine.Ne janar te vitit 1941, ish-presidenti
Ruzvelt shpalli lirine e te folurit dhe te shprehurit si njeren nga kater lirite mbi te cilat
duhet te mbeshtetet rendi boterore pas Luftes se Dyte Boterore.Poashtu, liria e shprehjes dhe liria e medieve jane te garantuara edhe me Kushtetute te Republikes se
Kosovës ne nenin 40,ku decidivisht thuhet” Liria e shprehjes perfshine te drejten per te shprehur,per te shperndare dhe per te marre informacione,mendime dhe mesazhe te tjera pa u penguar nga askush”.Prandaj se fundmi eshte per tu befasuar me nje kerkese
absurde dhe skandaloze te ambasades turke ne Prishtine,e cila kerkoi denimin e nje gazetari nga Kosova,per nje mendim te tij te shprehur ne rrejtin social- fejsbuk, ndaj ngjarjeve te fundit te zhvilluara ne Turqi.Ky lajm,pervec qe ka marre jehone ne te gjitha mediet vendore,rajonale dhe boterore eshte cilesuar si nderhyrje te nje shteti ne nje shtet tjeter.Ky veprim absurd i ambasades turke ne Prishtine, eshte kundershtuar edhe nga zyrtaret me te larte te Qeverise se Kosovës.I pari ishte zevendes ministri i jashtem
i Kosovës,Valon Murtezaj,i cili theksoi se te gjitha ceshtjet do te trajtohen sipas ligjeve demokratike te Kosovës.Lidhur me kete ceshtje,keto dite reagoi edhe Shefi i diplomacise kosovare,Enver Hoxhaj,i cili ne nje prononcim per medie tha se kjo kerkese e ambasades turke ne Prishtine eshte e pazakonte.Prandaj nderhyrja e ambasadores se Turqise per te burgosur gazetarin,Berat Buzhalen eshte vertete,nje hap jo etik,Jo diplomatik dhe i pamenduar mire nga ana e personelit te ambasades turke ne Prishtine.Ne raportet e sotme te Mardhenieve Nderkombetare liria e shprehjes dhe e shtypit eshte nje vlere e pakontestuar e shoqerive demokratike dhe eshte  sfiduese per praktikat e regjimeve autokratike dhe sunduese  sic eshte pushteti aktual ne Turqi.
Nga:Lulzim Mulliqi-Ekspert i Ceshtjeve Juridike dhe Mardhenieve Nderkombetare.

Filed Under: Analiza Tagged With: e drejte e njeriut, Liria e shtypit, Lulzim Mulliqi

LIRIA E SHTYPIT, 2016

May 3, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë botës, 3 Maji shënoi Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit e deklaruar si e tillë nga Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me qëllim për të nënvijuar rëndësinë e lirisë së shtypit anë e mbanë botës dhe njëkohësisht për t’u kujtuar qeverive anëtare të OKB-së, detyrën dhe përgjegjësinë  e tyre për të respektuar lirinë e të shprehurit, ashtu siç përcakton neni 19 i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut të vitit 1948 dhe Deklarata Ndërkombëtare e Windhoek e vitit 1991, një deklaratë kjo parimesh sepicifike mbi lirinë e shtypit.   Është interesant një fakt tjetër historik, ndoshta pak i njohur, se këtë vit Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, bie gjithashtu edhe në 250-vjetorin e Aktit të parë në botë në mbështetje të lirisë shtypit, miratuar më 1776, në Suedi.

Në këtë ditë të Lirisë së Shtypit në botë, gjendja e gazetarëve dhe e lirisë së tyre të veprimit dhe të kryerjes së detyrës së tyre që ata kanë ndaj shoqërisë dhe shteteve ku jetojnë, veçse vjen e keqësohet anë e mbanë botës.  Sipas statistikave, nga viti 1992, anë e mbanë botës janë vrarë 1,189 gazetarë e gazetare.  Ndërsa në raportin që botoi muajin e kaluar organizata jo qeveritare Freedom House — e cila raporton dhe mbështetë demokracinë, lirinë politike, lirinë e shtypit dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës – thuhet se sipas matjes së saj sot vetëm 13 për qind e popullësisë botërore gëzon lirinë e shtypit, ndërsa pothuaj gjysma e popullësisë botërore (46 %), nuk e gëzon këtë liri në asnjë formë.  Ente të ndryshme mediatike, me rastin e kësaj dite të lirisë botërore, i kanë bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të caktojë një përfaqësues të posaçëm për t’u kujdesur për sigurinë e gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre, me qëllim që të ndihmojë dhe të mbështesë të gjithë gazetarët dhe korrespondentët e mediave tradicionale dhe të atyre elektronike, anë e mbanë botës, ashtuqë që të kenë mundësi të zhvillojnë veprimtarinë e tyre të lirë dhe pa frikë ndëshkimi për punën e tyre si gazetarë e gazetare.

Duke shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Kryetari i Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Europë, njëkohsisht edhe Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u shpreh se, “Sot ne kujtojmë me nderim gazetarët anë e mbanë botës, të cilët përballin rreziqet, dhunën, persekutimet dhe frikësimet, në përpjekjet e tyre të përditshme për të raportuar të vërtetën.”   Kryediplomati gjerman dhe kryetari i OSBE-së shtoi se, “Media e lirë dhe e pavarur është një gur themel i pazëvendësueshëm për mbarëvajtjen e një shoqërie të lirë dhe demokratike”.  Ai nënvijoi se në këtë fushë, OSBE-ja, “Luan një rol jetik duke përcaktuar dhe duke mbrojtur standardet e përbashkëta, në promovimin e këtij parimi për lirinë e medias”, shtoi Ministri i Jashtëm gjerman.   Ndërsa përfaqsuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç tha  me këtë rast se, “Kjo ditë na kujton rëndësinë që luan media e lirë si dhe rolin thelbësor që ajo luan në shoqërinë civile. Gazetarët anë e mbanë botës”, shtoi ajo, “përfshirë edhe ata që punojnë në rajonin e vendeve anëtare të OSBE-së, po veprojnë gjithnjë e më shumë nën kushte të vështira pune.”

Ndërsa në emër të Bashkimit Europian (BE), Përfaqsuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, në deklaratën e saj me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, nënvijoi se, “E drejta e lirisë së opinionit dhe e të shprehurit përfshinë edhe lirinë për të kërkuar, për të marrë dhe për të shpërndarë informacionin.”   Ky, tha Përfaqsuesja e Lartë e BE-së, “Është çelsi kryesor i qeverisjes dhe zhvillimit demokratik në përgjithësi.   Njerzit kanë nevojë të informohen plotësisht dhe objektivisht me qëllim që të bazuar në informacionin e marrë, të kenë mundësi të formojnë opinionin e vet dhe të marrin pjesë në proceset vendim-marrëse që afektojnë jetën e tyre të përditshme.”   Federica Mogherini theksoi gjithashtu se, “Liria e informacionit ndihmon për një qeverisje më të mirë, ndërkohë që mbështetë dhe përforcon transparencën në jetën publike dhe mund të përdoret për të mbajtur përgjegjëse qeveritë dhe përfaqsuesit e klasës politikë për veprimet e tyre, sidomos në fushën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të korrupsionit.”   Në deklaratën e saj me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Përfaqsuesja e BE-së dënoi gjithashtu frikësimet dhe dhunën që po përdoret në rritje e sipër ndaj gazetarëve anë e mbanë botës ndërsa shprehu vendosmërinë e entit që ajo përfaqëson, “Për të promovuar dhe për të mbështetur lirinë e të menduarit dhe të të shprehurit, për të gjithë dhe kudo, bazuar në parimet e barazisë, mos diskriminimit dhe universalitetit – nepërmjet cilësdo media që ata dëshirojnë dhe pa pengesa kufijsh.  Kjo është e drejta juaj”, përfundoi deklaratën e saj Federica Mogherini.

Sipas organizatave të ndryshme botërore që merren me të drejtat e njeriut dhe veçanërisht me lirinë e medias në përgjithësi edhe këtë vit,  Dita Botërore e Lirisë së shtypit e gjenë median, në pjesën më të madhe të botës, në një atmosferë frikësimi, dhune, vet-censure dhe tensionesh publike dhe private.   Ndërkohë që qeveritë e ndryshme anë e mbanë botës, kanë shtuar masat e tyre shtypëse në këtë fushë — me legjislacion dhe pa legjislacion – për të kontrolluar dhe për të shtypur lirinë e medias, jo vetëm nga qeveritë por edhe nga interesa të ndryshme private të korruptuara, që mund të jenë të lidhura direkt ose indirekt me qeverinë ose përfaqsues të saj.   Arkitekti i fjalës së lirë, Thomas Xhefersoni ka thënë se shtypi, që me të vërtetë është i lirë të hetojë dhe të kritikojë qeverinë, është absolutisht i doemosdoshëm për demokracinë e një vendi që praktikon vetqeverisjen. Si rrjedhim, mbarëvajtja politike dhe ekonomike e një vendi, varet nga qytetarët e edukuar dhe të mirë-informuar.  Ai ka thënë gjithashtu se “ndonëse qeveritë tona duhet të bazohen dhe të veprojnë sipas opinionit të shprehur dhe të lirë të popullit, atëherë si rrjedhim, objektivi i parë duhet të jetë që kjo e drejtë, pra e drejta e lirisë së shtypit, duhet të ruhet dhe të kultivohet”.  Ndryshe nga shumica e udhëheqsve të sotëm botërorë, Xhefersoni besonte në triumfin përfundimtar të së vërtetës si dhe në lirinë e fjalës dhe të përhapjes së lire të ideve dhe besonte njëkohsisht në shtypin e lirë si një mjet për të arritur tek e vërteta përfundimtare.Por sot, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës së Korrespondetëve pa Kufijë, Christophe Deloire, “Për fat të keqë, është tepër e qartë se shumë prej udhëheqsve aktual botërorë janë duke zhvilluar një formë paranoje në lidhje me gazetarinë legjitime.”   Frikësimet dhe dhuna ndaj gazetarëve, thekson ai, përfundon në anashkalimin e debatit mbi pluralizmin dhe çon në shtypjen, në rritje e sipër të lirisë së medias dhe përfaqsuesve të saj, nga qeveritë autoritare shtypëse.  Z. Deloire shtoi se gazetaria e vërtetë, e cila meriton të konsiderohet si e tillë, duhet patjetër të mbrohet kundër propagandës së qeverive, në rritje e sipër, ndaj lirisë së shtypit anë e mbanë botës. “Garancia e të drejtës së publikut për të pasur në dispozicion lajme dhe informacione të pavarura dhe të besueshme është jetike nëqoftse kemi në mend të zgjidhim problemet e njerëzimit — qoftë në nivelin vendas, qoftë në nivelin botëror”, tha me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës së Korrespondentëve pa Kufijë, Christophe Deloire.

Filed Under: Analiza Tagged With: 2016, Frank shkreli, Liria e shtypit

LIRIA E SHTYPIT: KJO FERRË NË SY TË POLITIKANËVE SHQIPTARË

November 11, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Duke lexuar gazetën Illyria të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York të martën, lexova një shkrim nga korrespondenti i saj në Tiranë në lidhje me një konferencë të përbashkët me shtypin që Kryeministrit shqiptar Edi Rama zhvilloi me përfaqsuesen e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vllahutin, e cila i dorëzoi udhëheqsit shqiptar, Raportin e Përparimit (“Progress-Report”) të Komisionit Europian për vitin 2015. Ajo që më tërhoqi vëmendjen me këtë rast ishin komentet e Kryeministrit Rama mbi median, pjesë të cilës, sipas Illyrisë, ai iu referua disa herë si, “kënetë”. “Çfarë të komentoj?! Këto lajme nga këneta! S’kam çfarë të komentoj!” – ishte përgjigja e kryeministrit Edi Rama kur u pyet mbi zërat se është nën presion nga aleati Ilir Meta për ndryshime në qeveri, shkruan korrespondenti i gazetës Illyria në Tiranë, Denion Ndrenika. “Unë kur flas për “këneta mediatike”, nuk flas për median në tërësi, por flas për kënetat medatike në hapësirën ku operon media shqiptare”, citohet të ketë thënë Kryeministri Rama, duke u mbështetur, shkruan Illyria, në ato që kryetari i qeverisë shqiptare i cilësoi si “shpifje” dhe “akuza”, por pa dhënë ndonjë shëmbull konkret se kush dhe kujt i drejtohen këto shpifje dhe akuza.
Gazeta Illyriashkruan se as Zonja Vllahutin, nuk qartësoi qëndrimin e saj kur u pyet se si ndihej si ambasadore e Bashkimit Europian kur dëgjonte kryeministrin shqiptar t’i thoshte medias disa herë “kënetë”, gjatë konferencës me përfaqsues të medias shqiptare, por ajothjeshtë e shkurtimisht u shprehvetëm se, “Siç e dini edhe ju, liria e fjalës është një ndër vlerat thelbësore të BE-së dhe ne e ndjekim nga afër.”
Është e vërtetë se liria e fjalës është ndër vlerat thelbësore të Bashkimit Europian dhe në këtu në Shtetet e Bashkuara, liria e shtypit mbrohet nga artikulli i parë i kushtetutës, ndonëse mund të ketë edhe kufizime si në Europë ashtu edhe në Amerikë, siç është për shëmbull ligji kundër shpifjeve. Për më tepër,historikisht, edhe në këto vende ka patur raste abuzimi me të drejtën dhe lirinë e medias dhe trysni ndaj medias nga politikanët. Por fatkeqsisht, politikanët shqiptarë, tani dhe në të kaluarën, kudo dhe në përgjithësi — ndryshe nga kolegët e tyre në vendet Përendimore të cilave ata pretendojnë se duan tu bashkohen –shpeshherë në marrëdhënjet midis tyre dhe në takime me përfaqsues të medias — kanë venë në dukje të zëmëruar, se përsa u përket pikëpamjeve të tyre mbi fjalën e lirë dhe lirinë e medias, ata fatkeqsisht janë më afër qëndrimeve të “putinëve”, “erdoganëve” dhe “ajatollahëve” të kësaj bote, se sa vlerave perëndimore mbi lirinë e fjalës dhe të medias, për të cilat u shpreh ambasadorja e BE-së në Tiranë.
Është e vërtetë se media ka përgjegjësi gjithashtu, që ndër të tjera, të mbikqyrë veprimtaritë e qeverisë dhe të zyrtarëve të saj, duke raportuar faktet përgjithësisht dhe objektivisht, përfshirë edhe përspektiva të ndryshme por pa munguar edhe pikpamjet që mund të mos jenë në përputhje me politikën zyrtare qeveritare. Detyra e medias është që të mundësojë qytetarët të jenë të informuar më mirë, me qëllim që ata të jenë më në gjëndje për të influencuar pozitivisht veprimtaritë qeveritare në përgjithësi dhe zyrtarëve të lartë individual në veçanti. Për ndryshe, siç ka thënë Xhorxh Washingtoni, “Nëqoftse na mohohet liria e fjalës, atëherë si memecë në heshtje, do na çojnë si delet në kasaphane.”
Ndërkaq, sipas Zërit të Amerikës, dokumenti i Komisionit Europian, që iu dorëzua Kryeministrit Rama të martën, vëren se “një numër rastesh të profilit të lartë, përfshirë disa, ku faktet për dyshime për veprime të paligjshme nga ana e zyrtarëve të lartë, gjykatësve, kryebashkiakëve dhe ish ministrave, ishin publikuar nga mediat, nuk u hetuan asnjëherë seriozisht”. Ndërsa raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për Të Drejtat e Njeriut ka vërejtur më heret se një numër fushash që kanë nevojë për përmirësim, përfshirë lirinë e medias në Shqipëri, duke nenvijuar se: “Media ishte aktive dhe në masë të gjerë e pakufizuar; megjithatë, pati raste presioni politik të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi median, përfshirë kërcënime ndaj gazetarëve. Në disa raste presioni politik dhe mungesa e fondeve kufizuan median e shkruar të pavarur, dhe gazetarët raportuan se kishin ushtruar gjerësisht vetëcensurë…”.
Por të martën në Tiranë, sipas gazetës Illyria të New York-t, Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se ndonëse media në Shqipëri, “Ka të gjithë lirinë të thotë çfarë të dojë, ka lirinë të shpifë sa të dojë, ka të drejtën të akuzojë kë të dojë, ka luksin që të mos bëjë asnjë përpjekje për të provuar asgjë nga ato që thotë, unë besoj se media “nuk mund të sillet si ‘lulja mos më prek’, në kuptimin e fjalëve, sepse në kuptimin e veprave unë nuk di asnjë rast të një presioni, kërcënimi apo sulmi të mbështetur nga qeveria ndaj mediave”- komentoi zoti Rama gjatë konferencës me gazetarët.Pyes veten, si u larguan gazetarët shqiptarë nga kjo konferencë shtypi të martën: të sfiduar, të frikësuar, a po të kërcënuar — se të ofenduar po se po.
Këtu në Amerikë thonë se nëqoftse i futesh politikës, “You need to develop a thick skin”, që pak a shumë do të thotë se nuk duhet të preokupohesh shumë nga kritikat e medias ose të kundërshtarëve politikë, por të keshë durimin e nevojshëm dhe tolerancën e duhur edhe atëherë kur akuzat mund të duken të pa baza. Fatkeqsisht, në diskursin politik shqiptar të këtyre 25-viteve të fundit, midis kundërshtarëve politikë, midis politikanëve e medias dhe anasjelltas, për ditë e më shumë pohumb toleranca, po humb durimi dhe ç’është më keq dhe mbi të gjitha, po humbë njerzia.
Kjo vihet re kudo, duke filluar nga debatet, të cilat më shumë janë akuza dhe shpifje të ndërsjellta midis parlamentarëve se sa debate të mirëfillta politike që kanë të bëjnë me legjislacionin në Kuvendin e Tiranës dhe të Prishtinës, e deri tek konferencat që politikanët kanë, nga hera në herë, me shtypin. Nga diskursi politik me akuza dhe shpifje çnjerzore midis përfaqsuesve të ndryshëm politikë shqiptarë, kjo atmosferë mos tolerance ndaj njëri tjetrit –është transferuar fatkeqsisht edhe në ente të tjera të shoqërisë dhe medias, përfshirë edheprogramet televizive midis analistëve, tëcilat ngjajnë më shumë në duele me fjalë se sa diskutime intelektualësh për të frymëzuar dhe për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së shumë problemeve që kanë pllakosur shoqërinë — një dukuri e keqe kjo që vihet re anë e mbanë trojeve shqiptare.Me ndonjë përjashtim të vogël aty këtu, fatkeqsisht askund nuk ka vend për një çkëmbim normal ideshë e mendimesh pa u konfliktuar, as në nivelin politik e madje as në nivelet akademike dhe gazetareske. Të gjithë janë ngujuar në mbrojtje të ideve të tyre dhe interesave politike dhe partiake duke moslëshuar pe dhe pa u shqetësuar fare për mendimet dhe të drejtatlegjitime të tjerëve.
Liria e shtypit është baza e vlerave universale të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe e rëndësishme për të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ka thënë Presidenti amerikan Barak Obama me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit majin që kaloi.Duke lavdëruar profesionin e gazetarit, ai tha se gazetarët, “ekspozojnë padrejtësitë dhe mbajnë përgjegjës udhëheqsit si unë”, theksoi Obamaduke shtuar se:“Ajo që është gjithashtu me rëndësi është fakti se duhet folur haptazi dhe shpesh në mbështetje të këtyre vlerave të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta jonë dhe nga të drejtat themelore që ajo përmban, por që ne besojmë se këto vlera nuk janë thjeshtë vlera amerikane. Ne besojmë se disa vlera themelore, siç është liria e fjalës dhe e ndërgjegjes, është një e drejtë njerzore, por njëkohsisht është edhe e drejtë universale — një liri –zbatimi i së cilës më në fund e bën këtë botë më të mirë dhe më të fortë” për të gjithë ne, ka thënë udhëheqsi amerikan.

Për lirinë e shytpit duhet folur haptazi dhe shpesh si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lire ose gjysëm të lirë. Liria e shtypit pra,edhe për shqiptarët është një vlerëdhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet me qëllim për të bërë Shqipërinë dhe shqiptarët ndër më të mirët dhe më të fortit në botë.Si i tillë, zbatimi i plotë i lirisë së shtypit, në përputhje me vlerat shqiptare dhe universale, është edhe në interesin kombëtar të shqiptarëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Liria e shtypit

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT