
Valon Shkodra/
Këtë vit gazetari the kulturologu Elez Osmani e botoi librin e titulluar “Udhëpërshkrime nga vendet e bekuara”. Kjo vepër, si të thuash, vjen si vazhdimësi e botimeve të autorit përkitazi me udhëpërshkrimet e tij bërë vendeve të ndryshme. Sepse një vit më parë autori Elez Osmani ka botuar veprën “Egjipti flet me gjuhën e shekujve”, po ashtu botim i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë 2022, f. 320.
Libri “Udhëpërshkrime nga vendet e bekuara” ndërkaq përfshin përshtypjet dhe udhëpërshkrimet e autorit gjatë vizitës që ky ua ka bërë vendeve të shenjta të myslimanëve dhe gjatë kryerjes nga autori të njërit nga pesë kushtet kryesore të fesë islame – haxhit. Autori, përveçse e ka kryer këtë obligim sublim fetar dhe jetësor, si një haxhi dhe intelektual i vëmendshëm, ka mbajtur edhe shënime në ditarin e tij, po sikurse një etnolog në punën e tij në terren.
Gjerë më tani, nga përvoja jonë, mund të themi se ka pak udhëpërshkrues shqiptarë që do të kenë botuar ditarët ose shënimet që do të kenë mbajtur gjatë udhëtimeve të tyre. Deri vonë këso lloj botimesh jemi mësuar t’i lexojmë vetëm prej autorëve të huaj, mirëpo tani një gjë e tillë ka filluar të bëhet edhe prej autorëve tanë.
Në kapitullin e parë të këtij libri ofrohen të dhëna të bollshme për shqiptarët në haxh dhe për kontributin e tyre në vendet e shenjta përgjatë shekujve. Lidhur me këtë, me të drejtë studiuesi Qemajl Morina shprehet se: “Me përqafimin e fesë islame, shqiptarët gradualisht u integruan në rrjedhat e përgjithshme të jetës shoqërore, politike dhe kulturore islame. Ata morën nga popujt e ndryshëm myslimanë, por edhe u dhanë atyre”.
Nga “Udhëpërshkrime…”, të autorit E. Osmani kuptojmë se qysh në shekujt XV-XVI, shqiptarët kanë filluar të shkojnë në haxh, përmes rrugës Stamboll – Damask – Mekë, e cila ka zgjatur me muaj të tërë dhe kushte jo fort të favorshme, deri kur u ndërtua hekurudha e parë Damask – Medinë, në vitin 1908. Me këtë rast ia vlen ta themi se për njëfarë kohe, në deceniet e fundit të shekullit XVI, ishte ushtaraku shqiptar Hysen Arnauti ai që kishte përcjellë dhe ishte kujdesur për rrugën e haxhinjve nga Damasku deri në Mekë. Kurse, një tjetër shqiptar, Ahmet Arnauti, me detyrë vali në Perandorinë Osmane, në vitin 1634, në qytetin e Damaskut kishte ndërtuar një kompleks urban, që kishte shërbyer si vendpushim për haxhilerët që bënin rrugën për në Mekë. Autori E. Osmani përmend edhe arkitektin e njohur me prejardhje shqiptare, Mimar Sinanin, i cili kishte qëndruar në Mekë e Medinë për të ndërtuar një serë objektesh shoqërore, arsimore e fetare. Pastaj shqiptari tjetër nga Topojani i Lumë, Koxha Sinan Pasha, i cili njihet si “Fatihi Jemen” (Çliruesi i Jemenit) dhe pesë herë sadriazem i Perandorisë Osmane, themelues i qytetit të Kaçanikut, i cili kishte ndërtuar disa objekte, hajrate e vakëfe në Mekë dhe në Medinë. Mirëpo, këta nuk janë personalitetet shqiptare të vetmet të njohura përgjatë historisë që do të kenë shkuar në haxhillëk dhe që do t’i kenë vizituar vendet e shenjta, por ka edhe shumë të tjerë të mëvonshëm, e që janë vizitues edhe nga grupi i personaliteteve të tjera të mëvonshme, siç janë: Mustafë Pasha Bushatliu, Haxhi Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Vehbi Dibra, si dhe shumë e shumë të tjerë.
Pjesë e punës së autorit për këtë botim kanë qenë edhe hulumtimi në arkiva dhe biblioteka të ndryshme. Studiuesi Elez Osmani tregon për dokumentet e kohës dhe itineraret e haxhilerëve shqiptarë, të cilët i kanë vizituar vendet e shenjta. Në Arkivin e Kosovës ruhet një dorëshkrim unik i veprës, në gjuhën arabe, “Sherh Rahati al Kulub”, i shkruar në vitin 1559, prej një autori prishtinas, Pir Mehmeti, i biri i haxhi Aliut, që dëshmon se gjyshi i tij, haxhi Aliu, kishte qenë në haxh qysh para vitit 1559. Në dorëshkrimin tjetër të veprës “Menasiku ‘l-Haxhxh”, të vitit 1816, përveç itinerarit të haxhilerëve, gjejmë edhe emrat e tyre dhe koston e udhëtimit të tyre. Në vazhdim është kronika e haxhi Hasan Koplikut nga Shkodra, kronikë kjo me shumë interes për nxjerrjen në pah të të dhënave për haxhilerët, haxhin dhe transportin e asaj kohe, po edhe të të dhënave të tjera me rëndësi.
Në kapitullin e dytë bëhet fjalë për haxhilerët nga Shqipëria, të cilët ishin organizuar për të bërë vizitë në vendet e shenjta, në vitin 1991. Në të vërtetë, kjo ishte vizita e para për në haxh, në kohën e demokracisë, përkatësisht pas rënies së komunizmit. Për lexuesit e rinj autori rithekson faktin e rëndësishëm se regjimi komunist në Shqipëri, që nga viti 1967, i kishte ndaluar të gjitha aktivitetet fetare, deri në rënien e sistemit, me ardhjen e demokracisë, në vitin 1990.
Eelez Osmani në këtë kapitull vazhdon ta shpalosë përvojën e tij dhe atë të kolegëve të tij me organizatorët e tjerë të Bashkësisë Islame nga Prishtina, duke i treguar të gjitha hollësitë e rrugëtimit të 180 haxhilerëve nga Shqipëria për në qytetin e Mekës – Qabenë e bekuar, e cila për çdo vit pranon me miliona vizitorë.
Në kapitullin e tretë kemi nënshkrimin e marrëveshjes për organizimin e haxhit për Kosovën, në vitin 1994, prej kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Dr. Rexhep Bojës dhe përfaqësuesve nga Ministria e Haxhit nga Arabia Saudite. Më tutje, në këtë kapitull, autori e përshkruan qytetin e Medinesë, si vend i mbushur me plot haxhilerë, nga e mbarë bota, njerëz me ngjyra të llojllojshme, pamje që dallon nga fiziku i tyre dhe veshja tradicionale. Siç shkruan autori për veshjen e banorëve në këtë qytet, shumica e tyre mbanin fustanella të bardha dhe shamia me ngjyrë të larme, të zeza, të punuara prej artizanëve me traditë nga ky vend. Në qytetin e Medinesë, vizita është e veçantë, sepse besimtarët myslimanë e vizitojnë xhaminë dhe varrin ku pushon Pejgamberi, a.s., duke bërë lutje dhe dua për të.
Për Xhaminë e Pejgamberit, a.s., në Medine, autori thekson se ajo ka pamje magjepse, me bukurinë e saj qoftë nga pamja e jashtme, apo edhe nga ajo e brendshmja. Një arkitekturë e bukur e funksionale dhe joshëse për syrin e njeriut, e stolisur me disa minare. Autori për këtë xhami na flet edhe për historikun e saj dhe zhvillimet arkitekturore në periudha të ndryshme kohore.
Vizitë tjetër në qytetin e bukur të Medinesë ishte edhe Kampusi i Universitetit. Këtu ka studentë nga vende të ndryshme të botës, gjithsej 110 nacionalitete. Pas Mekës dhe Medinesë, autori na e përshkruan edhe qytetin e tretë – Xhiden. Për këtë vend të bukur autori bën krahasime me qytetet e bukura të Evropës.
Në këtë kapitull autori përsëri ndalet në përshkrimin e qytetit të Qabesë në Mekën e shenjtë. Qytet që asnjëherë nuk pushon nga numri i haxhilerëve, që e vizitojnë vendin për haxh dhe umre. Ky është qytet që ka gjallëri 24 orë, është qytet i bashkimit shpirtëror, është vendlindja e Muhamedit, a.s. Nuk ka asnjë vend në botë që është më i respektuar apo më i shenjtë për një numër të madh njerëzish, sikurse është Meka.
Zemra e qytetit të Mekës është Qabeja e Shenjtë, e cila qëndron në mes të sipërfaqes së rrethuar me mure, që kanë një stil të veçantë dhe xhaminë e njohur “El Harem”. Qabeja është epiqendra e Mekës. Godina më e famshme në historinë e njerizimit, e ndërtuar me gur graniti të thjeshtë dhe e “veshur” me mbuloj të zezë. Për autorin, në të gjitha vizitat e tij është gjithmonë një përvojë e re dhe e mrekullueshme, sepse shumë praktika islame të dëgjuara apo të lexuara tani autori i sheh dhe i përjeton vetë, sikurse, për shembull: vizita në Arafat, kuptimi i hedhjes së guralecëve, Dita e Bajramit, prerja e kurbanit, prerja e flokëve, rëndësia e ritualit të haxhit etj.
Në kapitullin e katërt kemi rrëfimin e studiuesit Elez Osmani për vizitën e tretë në haxh. Kësaj here autori kishte shkuar si bedel për kushëririn e tij Fatosin, i cili kishte ndërruar jetë në moshë të re, në Amerikë. Autori flet për ceremonialin e varrimit dhe të pamet e organizuara sipas traditës, mirëpo të realizuara në qytetin e Nju York-ut (New York), dhe në këtë ceremonial varrimi, në atë kohë, kishin marrë pjesë edhe ish-presidenti i Amerikës z. Bill Clinton dhe ish-sekretarja e parë e Amerikës znj. Hillary Clinton.
Në kapitullin e pestë, autori flet për umren – “haxhin e vogël”. Kjo, sipas fesë islame, nuk është e detyrueshme për një besimtar mysliman, sikurse vizita e haxhit, por është e rekomanduar në Kuran. Sipas rregullave islame, besimtarët mund ta realizojnë vizitën e tyre për umre në çdo kohë të vitit. Gjatë vizitës për umre kërkohet që myslimanët t’i kryejnë dy vepra kryesore, tavafin (sjellje rreth e rreth Qabesë për shtatë herë) dhe sajin (të vraposh, të përpiqesh për adhurimin e Allahut…).
Çdokush që e viziton Qabenë, për umre apo për haxh, fillimisht duhet ta bëjë nijetin, t’i falë dy rekate namaz, e pastaj duhet të vishet ihrami. Kjo është një veshje specifike e haxhit dhe e umres. Kjo veshje përbëhet nga dy pjesë. Me njërën pjesë mbulohet pjesa e poshtme e trupit, nga kërthiza e deri te këmbët, kurse me pjesën tjetër mbulohet pjesa e epërme e trupit. Sipas rregullave, ihrami duhet të jetë i bardhë dhe jo i qepur. Kur vishet ihrami, zhvishen të gjitha rrobat e tjera të trupit. Ihrami është shenjë që e dallon atë që do të hyjë në tokën e shenjtë. Kapitulli vazhdon me qëndrimin në Arafat, që është nga themelet e haxhit. Kjo është dita kur lutjet e haxhinjve në sheshin e Arafatit plotësohen tek Allahu i Madhëruar, sepse kjo është ditë e përsosjes së fesë, e festës dhe e faljes së mëkateve.
Krahas përshkrimit për Qabenë dhe xhamitë, kemi edhe të dhëna të tjera për muzeun në Mekë. Ky muze ishte krijuar prej zyrtarëve sauditë, për ta rikujtuar të kaluarën e Mekës, sepse ndërtimet e mëdha dhe planet urbane të zhvilluara sistematikisht kishin rezultuar në humbjen e gjurmëve të së kaluarës. Muzeu përmban disa relikte dhe makete të ndryshme. Njëra nga ato paraqet plan për vendosjen e Mekës në vitin 610, ku në mes shihet Qabeja, ndërsa afër saj burimi i ujit Zemzem, shtëpia ku ka lindur Pejgamberi, a.s., si dhe shtëpitë e kalifëve, Ebu Bekrit dhe Omerit, r.a. Krahas këtyre maketeve, muzeu ka edhe shtatë salla, dhe posedon njëqind mijë eksponate, ndër të cilët shumë edhe janë qindravjeçare.
Në kapitullin e gjashtë, “Udhëpërshkrues të ndryshëm për haxhin ndër shekuj”, autori i përmend disa personalitete, e të cilët kanë lënë gjurmë në udhëtimet e tyre, sikurse, për shembull: Naser Hosrau (1003-1077), Ibën Xhubejr (1145-1217), Ibën Betuta (1303-1368), John Levis Burckhardt dhe Rozhe Garodi.
Në përfundim të këtij librit, nuk gjej përmbyllje më të mirë sesa paragrafin e parë të autorit Elezi Osman, të vënë në librin e tij, e i cili thotë: “Një njeri, gazetar, që të shkruajë mirë, duhet ta krijojë bagazhin e tij, pikërisht si ato gjyshet që mbledhin gjëra të vjetra. Ai duhet të grumbullojë ngjyra, aroma, tinguj, lëvizje; duhet ta kultivojë një perceptim të mprehtë të zakonshëm…”. Duke u nisur nga kjo thënie, mendoj se autori Osmani ka arritur ta krijojë bagazhin e tij me materiale të dorës së parë, nga hulumtimet, përvoja dhe nga udhëtimet e tij. Kontributi i këtij libri pa dyshim se është edhe një ndihmesë më shumë për t’i njohur vendet e shenjta të botës islame nga një udhëpërshkrues shqiptar, e që deri më tani ka pasur shumë pak botime të kësaj natyre.
(Recension për librin: Elez Osmani, “Udhëpërshkrime nga vendet e bekuara”, botoi: “Dituria Islame”, Prishtinë, 2023, 225 faqe)
Valon Shkodra
Instituti Albanologjik,
Prishtinë