• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“DIELLI” PËR CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS NË SHQIPËRI

April 19, 2019 by dgreca

REAGIM I GAZETËS “DIELLI” NË SHBA PËR CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS NË SHQIPËRI/

– GAZETA “DIELLI” DENONCON CËNIMIN E LIRISË SË MEDIAS, MBRON LIRINË E SHTYPIT DHE TË DREJTËN KUSHTETUESE TË INFORMIMIT DHE APELON PËR TË MOS LEJUAR HAPSIRA KU PERSEKUTORËT TË SULMOJNË TË PERSEKUTUARIT-

DIELLI është i ndërgjegjshëm për rolin e vet në fushën mediale si gazeta që ka nderin të identifikohet me Rilindjen Kombëtare, dhe që në udhën e vet 110 vjeçare, i ka paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë dhe momenteve kyçe të historisë. Qysh  nga fillimi i shekullit të 20 patriotët shqiptarë të Amerikës i kanë prirë lëvizjes së zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të bashkëatdhetarëve të tyre nëpërmjet veprimtarisë së Federatës VATRA të shprehura qartazi tek gazeta DIELLI. GjatëDiktaturës komuniste ka qenë DIELLI që ka denocuar cënimin e lirive njerëzore, përfshirë dhe atë të informimit. Në ditët e sotme DIELLI konstaton se liria e medias në Shqipëri është e rrezikuar. Përballë akteve të rënda të censurimit të informimit nga elita politike e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama, “DIELLI” denoncon shtetin shqiptar për hapat mbrapa në lirinë mediale. DIELLI mbron shprehjen e lirisë si “abetarja” e një vendi demokratik, që synon Demokracinë Europiane.

Raporti i Përvitshëm i “Gazetarëve pa Kufij” e rrëzoi Shqipërinë shtatë shkallë më poshtë se ç’ishte në raportin e vitit të mëparshëm. Organizata Boterore për Lirinë e Shtypit ka dhënë alarmin për gjendjen reale të medias shqiptare dhe presionet mediale nga institucionet qeveritare. Shantazhet, sulmet ndaj gazetarëve dhe shtimi i censurës qeveritare cënon vetë Demokracinë Shqiptare dhe zgjat tranzicionin që po i afrohet dekadës së tretë. Shkelja e së drejtës së shprehjes dhe presionet ndaj lirisë së mjeteve të informimit flasin për përpjekjet agresive të mbetjeve të sistemit totalitar, dhe mendësisë totalitare, të veshura me pushtet ekzekutiv për të kontrolluar demokracinë shqiptare.

Reagimi i Kryeministrit Edi Rama se në qeverisjen e tij nuk ka media të shantazhuara e liri të mohuara është shprehja tipike e pushtetarit autoritar për të cilin media mbetet thjesht një kazan.

Në të njëjtën kohë, DIELLI i bën apel Medias Shqiptare që të vetëdijësohet për rolin e “pushtetit të katërt”, dhe ta ruaj pavarësinë e vet nga politika për të mos u bërë instrument anti-demokratik.

DIELLI e sheh me shqetësim që sulmet e ish persekutorëve të diktaturës komuniste ndaj ish viktimat e pafajshme, gjejnë hapsirë në gazetat dhe portalet e Tiranës. Rasti i sulmeve ndaj shkrimtarit Visar Zhiti prej ish torturuesit të tij, Edmond Caja, përbën një precedent të rrezikshëm. Të tilla akte sulmi ndaj Visar Zhitit tregojnë mosveprimin e demokracisë shqiptare që jo vetëm nuk i ka dënuar ish persekutorët dhe fajtorët për krimet e komunizmit por edhe i lejon të ri-viktimizojnë disidentët e diktaturës.

Visar Zhiti mbetet një ikonë e letërsisë shqiptare të pasburgut dhe demokracisë si edhe model për qendresën në diktaturë, prandaj është detyrë morale e shoqërisë që ta përkrah dhe ta mbrojë atë si të tillë.

Demokracia shqiptare, e ngecur nëpër labirinthet e merimangave të stilit të diktaturës së Ramës, po tregohet e pafuqishme për të kundërvepruar mbi qeverinë që ka hapur frontin e luftës ndaj gazetarëve dhë ka çuar në rrënimin e lirive të shprehjes. Kapja e të gjithë pushteteve nga Kryeministri Edi Rama dhe fronti i hapur i luftës me median po e kthen Shqipërinë në errësirën mediale që minon Demokracinë dhe kultivon tiraninë.

Gazeta DIELLI do ta përcjellë shqetësimin e vet për censurën mediale të ushtruar nga qeveritarët ndaj mjeteve të informimit dhe gazetareve shqiptarë në instancat amerikane dhe ato botërore.

Filed Under: Featured Tagged With: Liria e Medias-Gazeta DIELLI

SHTETI DHE FEJA JANË DY ENTE ME ROLE TË NDRYSHME

April 19, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Njoftohet se këtë javë, qeveria e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama miratoi fonde nga buxheti i shtetit për vitin 2019, për pesë komunitetet fetare në Shqipëri.  Vendimi i qeverisë përcakton se si duhet të shpërndahen këto fonde në mbështetje të komuniteteve fetare në vend, mos qofsha gabim, përfshirë edhe ndarje rrogash për disa nëpunës fetarë.  Unë jam besimtar dhe mbroj të drejtat dhe lirinë e të gjitha enteve fetare dhe të secilit person që të ushtrojë lirinë e fesë, sipas ndërgjegjes së vet.  Ndoshta është përvoja ime prej një gjysëm shekulli në Amerikë dhe trajtimi i marrëdhënieve midis fesë dhe shtetit këtu në Shtetet e Bashkuara, ato që influencojnë pikëpamjen time në lidhje me këtë çështje, por them se vendimi i qeverisë shqiptare, për të ndarë fonde për bashkësitë fetare, është një ide e keqe dhe pranimi i këtyre fondeve nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri, që kanë nënshkruar marrëveshje me të,  është i gabuar. 

Është detyrë dhe obligim moral dhe ligjor, bazuar edhe në konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut — që qeveria të garantojë lirinë e fesë për të gjithë qytetarët e vet, pa dallim dhe në rastin e Shqipërisë, që qeveria t’ua këthej komuniteteve fetare pronat e konfiskuara nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.  Vende të ndryshme anë e mbanë botës, sipas kushetutave dhe strukturave ligjore të tyre, historikisht, kanë marrëdhënie dhe përvoja të ndryshme midis shtetit dhe enteve fetare që veprojnë në to.  Disa e konsiderojnë veten shtete laike, (laicite ose secular) ndërsa vende të tjera njohin, në një mënyrë ose një tjetër, një fe zyrtare shtetërore.   Shqipëria është një shtet shekullor, laik, që në parim dhe në kuptimin e plotë të fjalës, qeveria e saj duhet të mbajë një distancë politikedhe duartë larg nga entet fetare dhe përfaqsuesit e tyre, por, ama gjithmonë duke garantuar lirinë e fesë dhe të veprimit të këtyre enteve në shoqërinë shqiptare, sipas besimit dhe ndërgjegjës së tyre.  

Kjo nuk do të thotë se feja dhe entet fetare nuk duhet të kenë ndonjë rol shoqëror së bashku.  Përkundrazi!   Në besimin e tyre, fetë kryesore të shqiptarëve në thelb kanë dashurinë për njëri tjetrin dhe ndihmën për të varfërit, si një aktivitet njerëzor, shoqëror dhe hyjnor.  Gjëja që politikanët dhe përfaqsuesit fetarë duhet të kenë të përbashkët është  roli dhe përgjegjësia e tyre prej udhëheqsish politikë e fetarë — se përveç kujdesit dhe ndihmave që duhet tu ofrojmë, “të varfërve më të varfër” në shoqëri, siç i ka cilësuar Shën Nëna Tereze më të nevojshëmit midis nesh — është urdhëri më domethënës i Perëndisë,  që të duam dhe të respektojmë njëri tjetrin, si nga pikëpamja politike ashtu edhe fetare.  Në këtë fushë, politikanët mund të marrin pak shembull nga udhëheqsit fetarë shqiptarë dhe të tregojnë më shumë respekt ndaj njëri tjetrit, në diskursin e tyre politik dhe në komunikimet e përditshme midis tyre, duke u bërë më të njerëzishëm e më të kuptueshëm edhe ndaj nevojave njerëzore dhe problemeve të mëdha me të cilat përballen bashkatdhetarët e tyre, pa marrë parasyshë përkatësitë fetare, ose qëndrimet politike ose partiake.

Por duke pasur gjithmonë parasyshë dallimet e roleve të ndryshme që shteti dhe feja duhet të luajnë në një shoqëri moderne dhe demokratike.  “Sigurisht që feja dhe qeveria janë dy ente krejtësisht të ndryshme nga njëra tjetra”, ka shkruar në vitin 1768, John Dickinson, njëri prej baballarëve të Kombit Amerikan.  “Qëllimi i njërës (qeverisë) është që të promovojë mirëqenjen shoqërore dhe kënaqësinë e përkohshme në këtë botë, ndërsa objektivi i tjetrës (fesë) është që të promovojë mëshirat dhe dashurinë e Perëndisë për njerëzit, me qëllim të amëshimit të shpirtit dhe të sigurimit të jetës së pasosur.  Nëqoftse këto dy ente janë të ndara nga njëra tjetra, me role të ndryshme, atëherë në përgjithësi mbrohet paqëja midis njerëzve dhe mirëqenja shoqërore, do të ruhet.  Por, nëqoftse ngatërrohet roli i tyre duke përzier detyrat dhe përgjegjësitë e shtetit me fenë, atëherë midis shtetit dhe komuniteteve fetare do të lindin konflikte, armiqësi dhe persekutime, të cilat kanë mbuluar botën me gjak dhe kanë turpëruar natyrën njerëzore”, ka shkruar John Dickinson në vitin 1768.  

Historia e marrëdhënieve midis shtetit dhe enteve fetare në Shqipëri, gjatë shekullit të kaluar, dhe persekutimi i fesë dhe përfaqsuesve të tyre nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, duhet të bëjë më të kujdeshëm përfaqsuesit fetarë dhe qeverinë aktuale si dhe ato në të ardhmen, se si duhet të trajtohen marrëdhëniet midis fesë dhe shtetit në radhët e shqiptarëve, ashtuqë të mos përziejnë rolet dalluese që duhet të ekzistojnë në shoqëri.  A është ndarja e buxhetit nga qeveria për bashkësitë fetare në Shqipëri e njoftuar këtë javë, një ndihmë a po një shpërblim?  Kjo mbetet për tu parë, por një gjë është e sigurt.  Asgjë e mirë nuk vjen nga kjo përzierje rolesh midis fesë dhe shtetit.  Mund të jem gabim por kështu mendoj unë.  Shikoni përvojën e Greqisë fqinje në këtë mes, ku në fund të vitit që kaloi qeveria e Kryeminsitrit Tsipras nënshkroi një marrveshje me Kishën Ortodokse greke për t’i dhënë fund statusit të nëpunsit pubik për priftërinjtë ortodoksë.  Ndonëse kjo nismë e Athinës nuk ka giasë që të ndajë rolin e Kishës dhe shtetit në Greqi, edhe ata kanë parë se roli që luan Kisha Ortodokse greke në punët e shtetit është diçka anakronike për shekullin e 21.

Këtu në Shtetet e Bashkuara, ndarja e qartë e roleve midis fesë dhe shtetit, për më shumë se dy shekuj, është bërë pjesë e strukturave ligjore, qeveritare dhe shoqërore.  Si e tillë, kjo ndarje konsiderohet si një prej gur-themeleve bazë të vlerave demokratike të këtij vendi.  Qeveria ose shteti, duartë larg nga feja dhe feja duartë larg nga qeveria dhe shteti!  Ky është muri që duhet të ekzitojë midis tyre.  Shqipëria është një republikë kushtetuese dhe jo një teokraci.  Bashkësitë fetare që saksionohen dhe që mbështeten nga shteti, financiarisht dhe politikisht, heret ose vonë, bëhen kukëlla të shtetit e të qeverisë në fuqi.  Le të kujdeset qeveria për sigurinë kombëtare, për ndërtimin e infrastukturës dhe mirëqenjes ekonomike, ndërsa udhëheqsit fetarë le të predikojnë fjalën e Zotit dhe dashurinë midis njerëzve nga mjediset e kishave dhe të xhamive.

Filed Under: Politike Tagged With: FRANK SHKRELI-SHTETI _FEJA

AN ILLUSTRATED BOOK AS PART OF HISTORY

April 19, 2019 by dgreca

BY RAFAELA PRIFTI/

“Is a graphic novel a good way to learn history?” I asked at the book launch last night.

“Yes,” answered Anna Di Lellio, the author of Dimri i Gjate i Vitit 1945 Tivari

who was present at the release party for the book at Fadil Berisha’s studio in the city. 

In order to relate the story she has chosen the visual format with the illustrations made by her Kosova based co-author and designer Dardan Luta. Secondly, she has based the story from the oral testimonies from survivors. And the purpose of the illustrated book is to bring to light the tragic events that occurred in Tivar in the last winter of World War II. The killing of the Kosova Albanians at the hand of the Serb-Montenegrin forces is ‘a footnote’ in the history books, says Anna, who has extensive knowledge of the region both professionally and personally. She is a co-founder of Oral History project in 2010. Indeed it was through the testimonies and accounts related to this project that gave rise to the idea of the illustrated book, in which the voice of a Kosovo young man tells the story of the march of unarmed foot soldiers heading for Trieste, Italy. Three groups of approximately 7,700 men left from Prizren on a difficult journey towards the Montenegrin town. For most of them, the journey ended there in what is known at the massacre of Tivar. As is often the case with Balkan history, the facts surrounding the mass killings are disputed and even denied by Serbia. The co-author of the book Anna Di Lellio maintains that the massacre is an important event of the silent yet unforgotten part of Kosova’s history and as such should not be ignored by war historians. For Anna, this novel highlights the importance of the survivors’s story. She writes that the historians’ documentation of the massacre is incomplete without the eyewitness’ account. Although she understands trauma from her own previous work in refuge camps before the Kosovo war, Anna Di Lellio, who teaches at New York University and The New School, upholds the academic approach of a professor with a deep appreciation for historical facts. With regards to historian Uran Butka’s book released in 2011 The Bar Massacre and the Responsibility of the Albanian State, where he maintains that the Albanian State was involved in the Bar tragedy, Anna responded by saying that there was no Albanian state at the time. The purpose of the novel is to make a part of history known to the young generation in the format of an illustrated account based on the oral testimonies of the massacre. 

Most authors know that releasing the book is only the beginning. The release book party in New York City, after its launch in Prishtina in March, was a good start. The gracious and ever professional host, Fadil Berisha was at hand. The attendees included people of different generations. Among the dignitaries, there was the Head of the Consulate General of the Republic of Kosovo in New York, Ambassador Teuta Sahatqija, along with ranking diplomats and representatives of the media.

Anna Di Lellio, and Dardan Luta’s book Dimri i Gjate i Vitit 1945 – Tivari published by Oral History Kosovo is available in English. The cost is $10.00

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti-Anna Di Lellio

PEN: PËRULEMI PARA VEPRËS DHE QENDRESËS SË VISAR ZHITIT

April 19, 2019 by dgreca

Nga PEN-I Shqiptar/

“PEN Internacional” është organizatë botërore e Poetëve, Eseistëve dhe Narratorëve, “P.E.N.”, me qendër në Londër, themeluar në vitin 1921, me bashkëkryetar shkrimtarin nobelist  John Galsworthy dhe tashmë me filiale e degë të vetat në Europë e në të gjithë botën, mbi 100 qendra. Kjo organizatë u krijua me qëllim mbrojtjen e shkrimtarëve që burgosen apo sulmohen dhunshëm në vendet totalitare apo me demokraci të pa konsoliduara.

PEN-i Shqiptar, i themeluar vite më parë, me President Nderi shkrimatrin bot:eror Ismail Kadare dhe me drejtesuese poeten dhe përkthyesen Entela Kasi, ndërkohë pedagoge në Qendrën Universitare të Gjuhëve të huaja në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, bën një apel dhe del në mbrojtje të shkrimtarit Visar Zhiti duke iu kundërvënë sulmeve të forcave të errëta, fantazma të diktaturës së shkuar dhe i quan “akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë…”

SULMET NDAJ SHKRIMTARIT VISAR ZHITI

janë veprime të qëllimshme. Janë akte kriminale, të cilat po përsëriten, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë. Kjo është e vërteta.

Sot nuk është koha që të pyesim se për çfarë arsye shkrimtari Visar Zhiti, ish i burgosur politik, intelektual i përmasave evropiane, sulmohet në Shqipëri.

Sot është koha që të pyesim se si këto akte të qëllimshme, amorale, kriminale, gjejnë hapësirë në media të caktuara në shtypin shqiptar.

Kjo është pyetja që shtrohet sot nga shkrimtarët e huaj, nga elitat e mendimit botëror të PEN International, dhe jo vetëm.

Visar Zhiti, sulmohet herë pas here në Shqipëri, në atdheun e tij për shkak të veprës, për shkak të qëndresës së tij nga forca të errëta të diktaturës, nga persekutorët e tij. Persekutorët kanë dhe mbajnë detyra të larta në Shqipëri, sepse krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u ndëshkuan asnjëherë! 

Kjo është një kambanë alarmi për klasën politike shqiptare, e cila, pas rënies së murit të Berlinit, ka dështuar duke veshur me pushtet dhe imunitet të gjithë ata individë, të cilët duhet të ishin jo vetëm jashtë jetës politike të vendit, por duhej të ishin përballur me akuzat për krime, të cilat i kanë kryer në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit.

Kjo është e vërteta, të cilën e artikulojnë elitat e mendimit botëror të letërsisë në PEN International, lidhur me këtë çështje. 

Pyetja tjetër që shtrohet është: si ka mundësi që intelektualët, shkrimtarët dhe njerëz të medias në Shqipëri, lidhur me këtë çështje nuk kanë të njëjtin reagim për rastin e shkrimtarit Visar Zhiti?

Kësaj pyetjeje, e cila na drejtohet të gjithëve në Qendrën PEN të Shqipërisë po i përgjigjem në statusin e drejtueses të PEN Qendrës së Shqipërisë.

Për aq kohë sa ata që shkruan akt ekspertiza kundër shkrimtarit Visar Zhiti në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri për dënimin e shkrimtarit, sot i kemi në ekrane , në auditorë të promovuar , të mbrojtur, të pushtetshëm, ky është tregues se persekutorët e djeshëm nuk mund të jenë garant për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, e për më tepër të jenë misionarë të lirisë! Kjo është e pamundur.

A nuk i kemi parë të gjithë me sytë tanë se si atyre as u dridhet qerpiku, kur na shfaqen edhe në auditorë edhe në mikrofona sikur të ishin këta persekutorët , viktima të asaj perjudhe të errët të Shqipërisë gjatë të cilës kryen krime kundër njerëzimit duke shkelur mbi çdo vlerë e parim të dinjitetit njerëzor, e në post diktaturë nuk shprehën asnjë lloj pendese?

Sot më kujtohet një fjali e Visarit, në një çast tjetër të vështirë, ndërsa sulmohej nga të gjitha anët nga majat e Institucioneve të shtetit në Shqipëri, fjali të cilën po e sjell për të gjithë ne të tjerët kudo ku jemi si një kambanë për veshët tanë të shurdhuar e sytë tanë të verbër. ‘Zot fali, nuk dinë çfarë po bëjnë’…

Ishte koha kur shkrimtari Visar Zhiti, po shkonte në Vatikan, ndërsa pengohej nga Shqipëria. Një prej ngjarjeve më të rënda kjo jo larg në kohë!

Shqipëria e sotme ka probleme me vetveten, për faktin se nuk mundi të shkëputet nga e kaluara e errët, e cila na është kthyer sot edhe më e egër se dikur.

Visar Zhiti me veprën, jetën, integritetin e tij intelektual, personalitetin dhe dinjitetin njerëzor të tij mund të ishte pa dyshim një Nobel i Paqes si  Nëna Terezë, Shën Tereza e shqiptarëve, dhe mund të ishte kandidati i Nobelit të letërsisë po ashtu, nëse  ne do të kishim propozuar emrin e tij. Por ne nuk i kemi bërë këtë nder Shqipërisë së Visarit, sepse na mungon vizioni po aq sa dashuria, për faktin e thjeshtë se ishim e jemi po ne nga atdheu i tij që në mënyrën më të ulët ende edhe sot lejojmë që akte të tilla monstruoze të kryhen kundër shkrimtarit Visar Zhiti në Shqipëri.

Përballë tij ne jemi thjesht të pa- moral, e kjo na zhvesh në sytë e Evropës dhe botës.

Personalisht, si njeri dhe si drejtuese e PEN – Qendrës së Shqipërisë përulem me respektin më të thellë ndaj shkrimtarit shqiptar Visar Zhiti.

Sot shoqëria politike, Insitucionet e shtetit, shoqëria intelektuale, akademikët, shkrimtarët e njohur të vendit, duhet të veprojnë për të ndaluar çdo akt e sulm ndaj shkrimtarit Visar Zhiti.

Nëse ne lejojmë që të tilla ngjarje të përsëriten kështu siç vërtet po ndodh, nëse ne heshtim ne të gjithë pa përjashtuar askënd, po pranojmë që të nëpërkëmbet, shkelet, cënohet çdo vlerë e dinjitetit njerëzor në Shqipëri.

Entela Kasi

Presidente e PEN Qendrës së Shqipërisë,

PEN Internacional,

me Seli në Londër

Tiranë 19 . 04. 2019

Filed Under: Emigracion Tagged With: PEN-VISAR ZHITI

KUJTESË- GJURMË TË NJË MËSUESI DHE SPORTISTI ME EMËR

April 19, 2019 by dgreca

                  -Me rastin e dy vjetorit të ndarjes nga jeta në Boston të Zhani Pilikës/

                                                     Nga Fuat Memelli/*

Nxitje për këtë shkrim u bë një përkujtimore e mbajtur në kishën shqiptare, Shën Trinia në Boston, me rastin e dy vjetorit të ndarjes nga jeta të mësuesit dhe sportistit të përkushtuar korçar, Zhani Pikika. Por, siç u shprehën disa pjesëmarrës, një përkujtimore, është pak për këtë njeri. Njerzit që kanë lënë gjurmë në historinë e një qyteti apo fshati, meritojnë më shumë. Ata e mbaruan misionine tyre, por nderimi për ta, nuk duhet të shuhet.

RRUGA SI MËSUES

Ishte viti 1954 kur Zhani kur mbaroi shkollën Pedagogjike në Korçë . Dëftesa e tij kishte gjithë notat pesa, notat më të mira të asaj kohe. Ëndëronte të vazhdonte shkollën e lartë por një “ njollë” në biografi nga gjyshi, e pengoi. Shokët e tij moshatarë si Xhevat Lloshi, Andonaq Lubonja, Dhimitër Orgocka, Viktor Gjika, Pirro MIlkani, Andrea Marjani, et, vazhduan shkollën , dikush në Shqipëri e dikush jashtë, ndërsa ai, jo. Kjo e mërziti djalin e ri, por ai vazhdoi me këmbëngulje rrugën e jetës. Në vitin 1955 e caktojnë mësues në Qafëzez të Kolonjës. Ishte djalë qyteti, i lindur e ritur aty dhe qe hera e parë që largohej nga Korça. Pasioni për profesionin fisnik të mësuesit si dhe ëndërat për të ardhmen, e bënin  që të kapërxente vështirësitë e fshatit. Kishte qënë vetë nxënës ndërsa tani duhet t’i jepte mësim atyre. Pas dy vjet pune në fshat, me që loste futboll, e sjellin në Korçë dhe e caktojnë mësues në shkollën “24 Maji”. “Stacioni” tjetër  i punës së tij, ishte Shkolla e Muzikës “Tefta Tashko Koço”, ku jepte mësim lëndën e matematikës. Megjithëse ishte lëndë e vështirë, ai e shpjegonte bukur dhe e bëntë tërheqëse për artistët e ardhëshëm. Megjithatë Zhani nuk iu nda shkollës, vazhdoi me korespondencë degën Biokimi , në  Universitetin e Tiranës dhe Institutin Pedagogjik të Skodrës. Megjithëse u diplomua në dy degë të ndryshme, nuk hoqi dorë nga matematika, pasi e deshte këtë lëndë. Arben Kallamata, një nga ish nxënësit e tij, i diplomuar në anglisht në Shqipëri dhe tani mësues i kësaj lënde në Kanada, tregon:”  Zhani Pilikën ne e adhuronim. Në kujtesën time ai ka mbetur i veçantë nga gjithë mësuesit e tjerë. Unë e konsideroj veten me fat që kam pasur këtë mësues aq të mire, simbol i përsosmërisë. Nuk ishte thjesht përkushtimi që ai kishte për të shpjeguar lëndë që ishin të vështira (na jepte matematikë dhe fizikë) dhe njohuritë që kishte për lëndën. Ishte edhe marrëdhënia e përsosur që ai krijonte me ne, sensi i pagabueshëm i drejtësisë, i masës, i gjithçkaje. Zhani ishte barazisht i drejtë me të gjithë, nuk anonte as nga ai që i kuptonte gjërat shpejt, dhe as nga ai që kërkonte kohë dhe shpjegim më të detajuar. Ai na vinte çdo ditë përpara një standardi tepër të lartë mësimor e moral dhe dinte të nxiste e të merrte maksimum nga secili”.

FUTBOLLI-PASION I HERSHËM I TIJ

Qysh të vogël e bëri për vete topi i futbollit. E dëshmon këtë edhe një nga fotot e herëshme të fëminisë. Mori pjesë në fillim në ekipin e të rinjve që  ahëherë quhej “Puna”  e më pas mori emrin “Skënderbeu”. Më 1955 kalon në ekipin e të riturve të kësaj skuadre. Ishte i vetmi me profesion mësues në atë ekip. Loste në mesfushë dhe mbante numurin 6. Sportdashësit korçarë e kujtojnë atë si  organizator të lojës. Disa gola të kësaj skuadre, kanë zënë fill nga pasimet e tij. Dy-tre vjet kanë luajtur në një kohë me Skënderbeun, të dy vëllezrit, Zhani dhe Aleko Pilika. Alekua u bë sportist edhe më me emër se i vëllai e vazhdoi të meret me sport për një kohë më të gjatë. Në vitin 1965 e mbyll karierën e tij si futbollist. Gjatë viteve që loste futboll, ka patur trainer Kristaq Bimblin, Spiro Koçon dhe Maqo Prodanin. Teodor Vasua, një nga sportistët ikonë  të “Skënderbeut” si dhe të Kombëtares sonë kujton :” Loja me ekipin e Skenderbeut, na bashkoi me Zhani dhe Aleko Pilikën në fund të vitit 1959. Zhani kishte filluar të stërvitej me ekipin “Puna” të Korçës, që në vitin 1959 rimori emrin “Skënderbeu”. Lojtëm bashkë me ekipin e Korçës nga vitet 1959 deri në shtator të vitit 1963, kur unë ika ushtar dhe kalova në ekipin e “Partizanit”. Mësuesi i shkencave ekzakte, Zhani Pilika, dollonte në lojën e futbollit për teknikë racionale elegante dhe për pasime të pagabushme. Figura e tij përcillte tek spektatorët, tek lojtarët e skuadrës sonë por dhe tek rivalët, imazhin e një personaliteti të edukuar me kulturë  qytetare, pasi vinte nga një familje e tillë. Me lojën e tij ne morëm një pikë kulminante, pasi shënoi një gol vendimtar në ndeshjen me Lezhën, që na kualifikoi për të hyrë në kategorinë e parë në fund të vitit 1959”.

PASIONE TË TJERA

Veç mësuesisë dhe sportit, Zhani Pilika ka patur edhe pasione të tjera: ishin kërcimi dhe fotografia.Qysh në vitin 1950 ai mer pjesë në grupin e valleve të pallatit të Kulturës në Korçë. Fotot e fiksuara me atë grup, flasin më mirë për këtë pasion të tij. Fotografia-një pasion tjetër i tij. Fotot e shumta të bërë gjatë jetës, flasin për këtë. E ku nuk e sheh Zhanin?! Me familjen, me shokët, me nxënësit e klasës, me mësuesit, në stadium, etj..Fotografët e qytetit, ishin ndër mitë e tij të afërt. Djali i tij, Alfredi, duke i ngjarë babait, është jo më pak i pasionuar pas fotografisë. Ai i ka dixhitalizuar gjithë fotot , duke i vënë edhe diçiturat, siç duken edhe në disa fotot që shoqërojnë këtë shkrim.

NË AMERIKË

Në vitin 1999, Zhani vjen në Amerikë., duke bërë bashkim me vajzën e tij që kishte ardhur më parë.Më pas vjen nga Italia edhe djali i tij, Alfredi dhe kështu gjithë familja mblidhet në Boston. E kishte pasur ëndër Amerikën, pasi edhe paraardhës të fisit të tij, kishin qënë këtu. Në vitin 2007, bëhët qytetar amerikan. -U gëzua pa masë atë ditë, tregon djali i tij. Koha bën të vetën dhe në vitin 2007, ndron jetë në moshën 81 vjeçare, duke lënë pas një emër të nderuar, si mësues dhe sportist, mbi të gjitha, si njeri.

*Per me shume fotografi shihni ne Facebooki Gazeta Dielli

Filed Under: Opinion Tagged With: Fuat Memelli-Zhani PILIKA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1041
  • 1042
  • 1043
  • 1044
  • 1045
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT