• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KOPSHTET E VATIKANIT, ME PAPËN E NDERIT,…

April 19, 2021 by dgreca

-risjellim emocionet me rastin datëlindjes së Atit të Shenjtë-

Nga Visar Zhiti/

 Ç’kopshte të mrekullueshëm brenda mureve në Vatikan, aq sa na duket se jemi futur në një ëndërr! Nga lart rrjedhin ujëvara qiellore, nga ato me misterin e dritës tjetër. Po edhe një qetësi mërmëritëse, që sikur ia zbulojmë kumtin tek udhët mes blerimeve, aq ndjellëse, për të ecur sa më paqësisht, tani e gjithmonë, në dashuri. Gjethnajë dhe bar gjallërues, cicërima të kristalta dhe frushullima flatrash. Jo, nuk janë vetëm zogjtë, por edhe engjëjt, kështu na duket. Pasditja sikur merrte frymë me mushkëritë e “Shpellës së Lourdes-it”, që na shfaqet befas fare pranë. Dhe na kap një ndjesi përlehtësimi dhe përhapjeje, sikur nuk kemi kufizime, jo vetëm ndaj njëri-tjetrit dhe ndihemi frymë gjithandej. I shtrëngova dorën sime shoqeje. Sikur merrnim nga drithmat e njëri-tjetrit kështu. Para nesh, e ndienim, rendte djali ynë, i padukshëm, ja, ja, i pashë një pjesës flatre, kjo pendë prej tyre ra… Andej duhej të shkonim. Tej pjerrinave të edenta pemët presin si meshtarë të lumtur. Dhe ja, lule të tjera që sendërtojnë me ngjyrat e tyre çaste të tjera mrekullie. Emblema papnore. Prej lulesh dhe ajo në sheshin qendror aty. Nga shatërvanët hovnin ujëra si bekime të kthjellëta. Kupola e mermertë e Bazilikës së Shën Pjetrit vezullon e madhërishme dhe nuk kuptohet ku mbaron ajo dhe ku fillon qielli. Një përzierje mistike me retë anash si të ishin një grup me Mikelanxhelo. Poshtë nëpër nikie statuja biblike… ja, ja, ati yt. Pranë është stacioni i trenit të Vatikanit, që sikur sjell dëshira dhe pak më tej gjykata, jo, jo e gjyqit të fundit dhe burgu, shpesh e më shpesh bosh, por ndodh të bujtë ndokush, ngjarje e rrallë, do ta kenë lajmin patjetër gazetat. Ime shoqe ma shtrëngon dorën prapë. Buzëqesha trishtueshëm. Madona që na mirëpresin. Ja, Zoja e Këshillit të Mirë, që është dhe Pajtorja e shqiptarëve, shkodrania. Dhe drurë biblikë, të mbjellë nga personalitete të larta të botës, presidentë, kryeministra… edhe ty ta pranuan kërkesën që si titullar i ambasadës, por edhe si bashkatdhetar i Shenjtes Nënë Tereza, – po nëpërmendja, – që me rastin e kanonizimit të saj, në jubileun e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, të sillje një ulli nga vendi yt, të mbillej këtu. Ia thashë kryeministrit. Prita… Mure të tjera kështjellore, heliodromi i vogël, livadhe me gëmushat si qingja, pylli natyral, një shenjtërore e mermertë, kthesat si ngazëllime mahnitjesh, kështu më erdhi t’i krahasoj, stola të drunjtë, të rrallë, rojat që të përshëndesnin të parët, Radio-Televizionit i Vatikanit, dielli që vazhdonte dhe derdhte ar. Me siguri po afroheshim. Pashë kolonat e Akademisë. Përballë, pas degëve të pemëve, sërish dritare, mbase ato të Arkivit Sekret a të Bibliotekës së vjetër Apostolike. Se ishte bërë dhe një e re, por ajo ishte pesë kate nën tokë, e bunkertë. Ku ishin letrat e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, po librat shqip? Mes qiparisave, tej në thellësi, vegim që afrohej, nuk po u besonim syve, në këmbë, me të bardha si i statujtë, ai, Papa i Nderit, Bendedikti XVI. Në kohën pas lutjeve të pasdites po na priste aty. Nuk mund të iknim pa e parë, pa i puthur dorën. S’po duronim sa të mbërrinim dhe një si lulnajë emocionesh po binte mbi supet tona. Ndjemë se shtangëm, nuk po ecnim ne, por pllaja mitike, sikur afrohej ajo, me Papën e Nderit në krye, ende larg, rrezëllitës. Po na aviteshin qiparisat. Një vezullim. Mbase i kryqit të argjendtë që i varej në gjoks Atit të Shenjtë, Ratzinger.

Wow! – do ia bënte djali ynë. Po aty, në krah, si i veshur me natë, sekretari i tij i veçantë, arqipeshkvi Georg Gänswein, njëherësh edhe Prefekt i Pallatit Pontefik të Vatikanit. Në këmbë dhe ai. Ruba e zezë i derdhej hijshëm deri në fund. Vetëm koletoja si një tufë rrezesh zbardhëllente. Dy gjermanë, besëtarë të një miqësie apostolike, magjepsës. Të dy pa kësula mbi krye. Flokë e bardhë të Ratzinger-it si fllad. Si muzg të Gänswaein-it. Ndalëm para tyre. U përkulëm. Arqipeshkvi, gjithë përzemërsi buzëqeshëse, na paraqiti te Papa i Nderit, që na përgëzoi për ardhjen. Sa zë të ngrohtë kishte, me pak si ngjirje si të marrë katakombeve, andej nga varret biblike. I thamë se është lumturi të takosh Shenjtërinë e Tij. Vuri buzën në gaz si me druajtje. Dhembshurisht. Ime shoqe i dhuroi një stola të kuqe, si gjaku i martirëve të kishës tonë, 38 prej të cilëve sapo ishin lumturuar dhe stola ishte punuar nga gra shqiptare të Veriut, këto po shpjegonte ime shoqe, kur Imzot Gänzwein ndërhyri entuziast: – Paskeni ardhur me dhurata, faleminderit! Atij i kisha dhënë ditë më parë një bibël të vjetër dy shekullore në gjermanisht, ma solli studiuesi nga Kosova Bejtullah Destani, s’e di ku e kishte gjetur. Dhe Gënswein ma ktheu duke më dhuruar “gemelli” embelematike manshetash. Heshtje. Heshtje folëse. – …dhe të kanë dënuar për poezi, s’mund të besohet… – tha Ati i Shenjtë duke më parë me sytë tejpërshkues si të një ikone. U trondita, ai e dinte, pra, se me kë ishte takuar. Kishte shkruar poezi dhe vetë në rininë e hershme. Kishte parë dhe Luftën e Dytë botërore si nxënës dhe i kishte ikur asaj, “dezertoi”. Gjithsesi, dënohesh dhe për poezi dhe Papa thotë “e pabesueshme”, me qëllim që e tillë duhet të jetë, të mos ndodhë më. Kurrë. Ndërsa fliste, po e vështroja me adhurim. Te sytë kishte rrathë të lehtë, pakëz të fryrë, mbase pagjumësia, lutjet e leximet natën. Ashtu i mpakur nën pallton e bardhë e të gjatë, ku renditeshin kopsat, edhe ato të bardha si varg i argjendtë yjesh, shtati sikur nuk ia pengonte shpirtin që të shtjellej edhe më, i përforcuar si me një si ethe përvëluese të ftohtë duke na dhënë dhe neve përreth forcë enigmatike. Filozof i Zotit, yll në teologji, shkruanin për të dhe “bashkë me Lessing, Kant dhe Beethhoven janë përfaqësuesit e fundit të gjenisë gjermane”, fat të jesh pranë tij, thoshin. Ula kryet, nuk e vështroja dot. Pashë nga këmbët që Papa i Nderit tani mbante sandale murgu. Ne të tjerët ishim me këpucë të zeza. Eda kërkoi leje për të bërë ndonjë foto. Imzot Gänswein u tregua i gatshëm, e mori ai aparatin. Pas nesh ishte muri i mbushur me bimë kacavjerrëse. Më shkrepi t’i kërkoj Papës një autograf mbi librin e tij “Deus Caritas Est”… Më dridhen duart, tha shenjtërisht, kur të shkoj në shtëpi do ta shkruaj… Dhe do na e dërgonin bashkë me librin e tij më të fundit “Ultime conversazioni” dhe me dy kartolina brenda. Ja ç’kishte shkruar: “Con la mia benedizione. Benedetto XVI”. Po dhe atje në kopshtet parajsore të Vatikanit u lut për mbrojtjen tonë. Amen! Në ballinën e pasme të librit më tërhoqi citati i tij: “Kurrë nuk e kam përftuar pushtetin si një pozicion force, por gjithnjë si përgjegjësi, si një detyrë të rëndës e të vështirë. Një detyrë që të shtrëngon çdo ditë dhe të kërkon: a ishe në atë lartësi”? Dhe tërheqja e Tij ishte po në atë lartësi, gjest historik për një papë, që ndryshoi rrënjësisht “ministrimin pjetrin” duke rifutur, krahas dimesionit njerëzor, edhe atë spiritual të origjinave. Iki se jam lodhur, të vijë ai që mund të bëjë më shumë. Dhe Papa i Nderit na mëson se nuk mund të japësh dorëheqjen në ditë të vështira e krizash, që t’u shmangesh detyrave, jo, por mund të ikësh, kur gjendjen e lë mirë që të bëhet më e mirë. Shikoja nga Papa dhe mbushesha me një lloj përdëllimi të tjetërsojtë, të ngjashëm me ato kur je para një kryqi të bukur. Vetmia e tij, pa vetmi. Kam Zotin, thotë. I mbyllur pa mbyllje. Është bota që s’e lë. Herë pas here i shkon pasardhësi, Papa Françesku, përqafohen, shkëlqejnë dhe kokë më kokë një Zot e di se ç’bisedojë, për një jetë pa luftëra e uri, por të begatë të mbarë njerëzimit, me paqe, dashuri e hirin e Hyut. Dhe përkushtimi i tyre, siperan e i përulur, është dritë shpresëdhënëse, udhërrëfyese. Kishim parë në Pallatin Papal në Castel Gandolfo, në muzeun vatikanas divanin ku rrinin dy papët. Janë të shenjta miqësia, bashkëpunimi e vazhdimi. Fjala ka nevojë për frymëzim, thotë Ratzinger. Dhe Vepra e tij vlerësohet si themel në doktrinën e besimit për mijëvjeçarin e tretë. Shkronjat në autografin e Tij e jepnin dridhjen, që jo, nuk ishte vetëm e dorës. Gishtërinjtë e bardhë, të hollë e të gjatë të tij më ishin dukur sikur pikonin muzikë. Na kishin thënë të njohur se ai është dhe pianist i shkëlqyer, i apasionuar pas Mozartit. Dhe po ata na kishin treguar gjatë një darke në Selinë e Shenjtë një thënie të Papës së Nderit, lakonike, përmbledhëse, se kur kishte rënë njëherë fjala që dhe vëllai i tij, klerik dhe ai, i binte pianos a ndokush tjetër, s’kishte rëndësi dhe Ratzinger ishte përgjigjur: “Po, ashtu i duket”, – dhe kishin buzëqeshur përreth. Më bëri përshtypje, merrte më forcë qortuese se kishte dalë nga goja e atij që njihet si “bashkëpunëtor i të vërtetës”, guximtar i fjalës. Dukja sot është bërë një dukuri e padurueshme, po mendoja. Ashtu na duket, kjo është çështja. Sa shumë pësohet nga ata njerëz, qofshin dhe vëllezër apo dhe vetja, që u duket sikur dinë të bëjnë atë që pikërisht nuk munden, veç e tjetërsojnë dhe bëhen shkak prapësish të rënda, jo veç në arte e letërsi, por edhe në veprimtari të ndryshme shoqërore e politikë duke i kthyer ato shpesh në të kundër të vetvetes, fare brutalisht. Poezia në kryq, m’u fanit, si Krishti, me dy hajdutë anash dhe turma që bërtiste: kryqëzojeni!… dhe këtë bëritmë ta quash poezi? Kjo po bëhet… Po më vinte rëndë që e kapa veten duke përsiatur kësisojshëm, kur isha kaq pranë së shenjtës, me një Papë që dhe tërheqjen e kishte bërë shenjtërisht dhe që po më dukej se më shumë se sa toka, tani po e ndillte qielli i pafund. Ai qiell ku ne kishim sytë, sepse të rënë në tragjedinë tonë si në një hum(b)nerë, vetëm lart mund të shikonim… Dhe ne nuk duruam pa e përqafuar Lartësinë e Tij të Shenjtë. Si për ta mbajtur sa më shumë pranë vetes. Kështu dhe Ai, na u duk. Pastaj, po kaq njëlloj, dhe me Imzot Gänswein. Mirënjohës, i mërmëritëm, që na i dha këtë mundësi, të një takimi që ndoshta vetëm një herë në jetë na ndodh. Pastaj erdhi një makinë e bardhë, e xhamtë. Papa Mobile. Qerre moderne e apostujve, e vikarit të madh. Ndali pranë nesh. Papën Ratzinger e ndihmoi për të hipur në të Imzot Gänswein. Dhe askush tjetër. Ne s’guxuam të lëviznin, por zgjatëm krahë të padukshëm dëshirash. Papa vështroi nga ne qiellërisht. Kryqi i argjendtë mbi gjoksin e pakët vezulloi sërish si në fillim. Na e bëri me dorë, ndërsa Monsinjori buzëqeshte. Aq tërësore ishte ajo buzëqeshje, sa dukej sikur shkonte dhe te gjërat përreth. Makina e bardhë zbriti pa u ndjerë në rrugën me drurët e lartë cedër anash dhe mori për nga Manastiri “Mater Eçlesiae”, mes blerimeve, ku banonte Papa. Zhurma e lehtë e një porte do të ishte e fundit. Dhe dielli gjithë urtësi të perëndishme treti nga ana tjetër e qiellit, ku nuk shihej, nga rifillonte një botë e dimensioneve të tjera, mbase ajo e amshueshmërisë. Po kërkonim nëpër qiell se mos pikasnim ndonjë flatër, atë të djalit tonë, që na paraprinte. Kishim mbetur ashtu në këmbë, të mahnitur. S’di se sa kohë, deri më tani…

Filed Under: Histori Tagged With: ME PAPËN E NDERIT, ne Kopshtet e Vatikanit, Visar Zhiti

Histori apo përrallë me patronazhistë!

April 19, 2021 by dgreca

T´u merrni të keqen patronazhisteve”- klith kryeministri ynë delirant  – “ata ju njohin juve”!!!/

NGA ALMA LIÇO/

Kështu ulërin kryerilindasi i sektit të rrezikshëm,  që si armik i përbetuar i popullit që qeveris vazhdon t´i ndajë shqiptarët në “NE” dhe “ATA”, ndërkohë që është dhe do vijojë të jetë edhe për pak ditë të mbetura kryeministër i të gjithëve. 

Tashmë është mëse e qartë që ai nuk mundet dhe nuk di të dëgjojë. Krizat psikopatike delirante ia pengojnë këtë funksion kaq të domosdoshëm për çdo qënie njerëzore.

E megjithatë po përpiqem t´i drejtohem e të shpreh qëndrimin tim për prononcimin e tij arrogant e përçarës:

-“Ata” na njohin “Ne”… vërtet kështu beson???…i gjori Ti!!…ky është një tjetër halucinacion që kohët e fundit rezulton të të jenë shtuar ndjeshëm! E vërteta është se aftësia a tyre si pasardhës të eksponentëve të Sigurimit  të Shtetit le shumë për të dëshiruar. Për të konkretizuar këtë opinion sjell në vijim një episod që e vërteton këtë: 

Një familjar imi historikisht me bindje të djathta dhe votues po i tillë, me kalvar persekucioni të gjatë individual dhe familjar rezulton sipas patronazhistes (që është një grua)  të ketë preferuar si forcë politike PS-në në vitin 2013, e dhënë kjo tërësisht e gënjeshtërt. Që ky perceptim ishte i pavërtetë edhe për  vetë inspiruesit e saj, e konfirmon fakti se  disa muaj me vonë e flakën nga puna pikërisht si person i padëshirueshëm politikisht për rilindjen e PS!!!…Por çudia nuk mbaron këtu. Pas shumë vitesh i pa punë dhe i persekutuar nga ky sekt banditësh, në formularin e përgatitur nga patronazhistja  rezulton të jetë aktualisht i pasigurtë në preferencën e tij politike!!! 

Lidhur me të dhënat e regjistruara, të njëjtat pasaktësi më konfirmuan më pas dhjetra miq dhe të afërm.  Shumë prej tyre, ndonëse emigrantë prej 30 vitesh, nuk rezultonin aspak të tillë në këta formularë.  Madje figuronin edhe me preferencë të përcaktuar politike pa mundur të votojnë asnjëherë për shkak të emigracionit. 

Episodet e mësipërme i ngjasojnë  përrallave alucinante që as një fëmijë tre vjeçar nuk do t´i gëlltiste dot!!!

Pra kjo është mënyra diletante si ata na njohin “NE”, për të cilën mburresh e kërcënon Ti, kryeministri ynë.

Por tashmë na u dha mundësia  që edhe “NE” t´i njohim “ATA”!!!

I njohim “ATA” me emër dhe mbiemër, si shpurën tënde që na përgjon. I njohim  si shkelës të normave morale të qytetarisë.  I njohin si dhunues të ligjit i cili i kriminalizon dhe penalizon ata shërbëtorë me dënime deri në 15 vite burg.

Por Ti kryeministër i perënduar nuk  ke ndjeshmëri të tilla. Ata zvarranikë për ty janë thjesht qënie në përdorim,  objekte për të mbrojtur pushtetin tënd të pakufizuar. Gëzoje edhe pak ditë!!!

Filed Under: Analiza Tagged With: Alma LIÇO, Perralle me Patronazhiste

KRYENGRITJA E MALËSISË E VITIT 1911 DHE SHQIPTARËT E AMERIKËS

April 19, 2021 by dgreca

NJË SHËNIM I SHKURTËR PËR 110 VJETORIN E KRYENGRITJES SË MALËSISË, NDIKIMI TEK SHQIPTARËT E AMERIKËS. FAIK KNICA PËR KRYENGRITËSIT…/

NGA DALIP GRECA-DIELLI/

Sivjet u përkujtua 110 vjetori i Kryengritjes së malësorëve gjatë vitit 1911, si prolog i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse vijon pandemia e Covid-19. Edhe Vatra u përfaqësua në veprimtarinë përkujtimore me një nga nënkryetarët e saj Dr. Pashko Camaj, bir i Malësisë.Përkujtimi i Kryengritjes së Malësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ushqyer në vazhdimësi patriotizmin e shqiptarëve të mërguar. Duke u përkujtuar në cdo përvjetor kjo ngjarje me ndikim në historinë e kombit shqiptar,si pragu i Pavrësisë së Shqipërisë, ka përcjellë tek brezat atdhetarizëm, veçanërisht tek brezi i ri .

Kam qenë me fat se që kur erdha në Neë York u vura në kontakt me shoqatat nga Malësia, që për cdo vit përkujtonin 6 prillin e vitit 1911 dhe udhëheqësin e kryengritjes Dedë Gjo Lulin. Madje në përkujtimin e prillit të vitit 2011, isha një nga ligjërusit, së bashku me diplomatin Sokol Neçaj.Në gazetën Illyria dhe më pas në Dielli, i kam ndjekur me emocion veprimtaritë.

Më 2004 kalova nëpër duar për Editim(Editor i librit) librin më të dokumentuar për këtë ngjarje historike me rëndësi kombëtare ”Kryengritja e Malësisë e Vitit 1911” e studuesit Gjergj Nikprelaj, të sjellë në shqip nga Fran Gjokaj, redaktor Qazim Muja, redaktor letrar Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, recezent Prof. Dr. Gazmend Shpuza, botim i shtëpisë botuse GjonlekajPublishing Co në Neë Yrok-Copyright-Luigj Gjokaj. Libri qe ndodhet ne biblioteken time, ma shtojë informacionin për kryyengritjen dhe kryengritësit.

Ndërsa në veprimtaritë e vitit 2015, në 100 vjetorin e vdekjes së Dedë Gjo Lulit, isha një nga ligjëruesit, në konferencën që organizoi Shoqata “Malësia e Madhe” në Neë York, në Royal Regency Hotel në Yonkers. 

Në konferencë prezantova kumtesën” Jehona e Kryengritjes së malësorëve në Diasporën Shqiptare të Amerikës”, ku solla  për të parën herë fakte për ndikimin e asaj kryengritjeje në rritjen e shpirtit kombëtar të mërgimtarëve të asaj kohe,që ishin ende të paorganizuar në shoqata Kombëtare.

Për të përgatitë kumtesën kisha shfletuar shtypin e diasporës të atyre viteve që publikoheshin në SHBA “Dielli”, si dhe citime nga gazeta “Trumpeta e Krujës”- The Trumpet of Croya”, që botohej nga Faik Konica, drejtor – Angelo Laska, manager. Shqiptarët e Amerikës, kishin një projekt për të nisë një dërgatë tek malësorët me qëllim që të ndikonin në mbajtjen gjallë të shpirtit kryengritës dhe për t’i dhënë shpirt Lëvizjes Kombëtare në viset Shqiptare. Trumpeta e Krujës në numrin e 15 prillit,1911, nëntë ditë pasi ishte ngritë Flamuri në Bratile, në kolonën editoriale, vetë editori Faik Konica, bën një shënim me titull” Kryengritja në Gegëri”, ku shkruan për një projekt të shqiptarëve të Amerikës në përkrahje të kryengritësve malësorë dhe shtron nevojën për një fushatë ndihmash.
Konica sqaron lexuesit se ky projekt kishte nisë që një mot më parë në vjeshtën e vitit 1910, kur shpërtheu Kryengritja në Shqipërinë e Veriut. Duke folur për kryengrtjen e Malësisë, Konica shkruan se”Këtë radhë fusha e luftës nuk është Kosova, por Malësia e Mbishkodrës, e cila po e sfidon Perandorinë e plakur. “
Pena e Konicës i këndon hymne kryengritësve që me trimërinë e tyre tërhoqën vëmendjen e Europianëve, nën këtën ndikim ai shkroi “marsejezën”…. Në krye të Ushtrisë shqiptare është Gjeneral Isa Boletini, karakteri i të cilit duket për dita më i madh, dhe fama e të cilit sa po vete dhe po forcohet.Në një Luftë të madhe që u bë afër Shkodrës, kryegjenerali ynë në krye të 8,000 Shqiptarëve, rrahu ushtrinë halldupe, vrau disa qindra nizamë, plagosi shumë më tepër edhe zuri shumë rob të gjallë.
Në kumtesë theksova edhe faktin se nga heroizmi i malësorëve dhe karakteri heroik i Ded Gjo Lulit, kanë tentuar të përfitojnë Mbreti Kral Nikolla dhe shteti i Malit të zi.Vetë Krajl Nikolla ,shkroi një poemë me titullin”Kryengritja e Malësorëvet”( Malisori Ustanak”, ku ai i thur lavde kryengritësve, por nuk harron që aty këtu t’i jap dhe merita vetes. Kjo Poemë që u botua edhe në shtypin shqiptar(Revista Leka), kishte 215 strofa katërshe, që përfshinin 860 rreshta në 22 faqe të revistës….

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Faik Konica, Kryengritja e 1911, ndikimi, Shqiptaret e Amerikes

NACIONALIZMI SHQIPTAR NË VITET 1912-1924

April 19, 2021 by dgreca

Dr. Sali Kadria nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, sjell para lexuesit studimin e tij “Nacionalizmi shqiptar në vitet 1912-1924”. Në një rrëfim për “Dielli”-n e “Vatrës” New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, Dr. Sali Kadria shprehet se Lindja e nacionalizmit shqiptar u nxit kryesisht nga publikimi i platformave shoviniste të shteteve fqinje ballkanike në vitin 1844. Nacionalizmi shqiptar i përket modelit të nacionalizmit etnik. Nacionalizmi shqiptar ka shfaqur një dallim të rëndësishëm nga nacionalizmat ballkanikë, ai nuk ka qenë ekstremist si dhe nuk është mbështetur në fondamentalizmin fetar dhe në përjashtimin etnik.

ZHVILLIMI I NACIONALIZMIT SHQIPTAR NGA VITI 1912-1924

Studimi paraqet interes për të kuptuar ecurinë e zhvillimit të nacionalizmit shqiptar; rrugët dhe proceset përmes të cilave mori formë identiteti dhe ideologjia kombëtare; rolin që luajti nacionalizmi për krijimin dhe forcimin e shtetit shqiptar dhe ndikimin që pati shteti shqiptar në përhapjen e ideologjisë së nacionalizmit. Punimi studion së pari, zanafillën, karakterin e nacionalizmit shqiptar, kushtet historike dhe faktorët që çuan shqiptarët drejt formimit të shtetit të tyre të pavarur; Së dyti, veprimtarinë dhe problemet me të cilat është ndeshur nacionalizmi shqiptar në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar; Së treti, marrëdhënien e grupeve të nacionalizmit me shtetin shqiptar; Së katërti, rrymat e shfaqura brenda nacionalizmit shqiptar dhe alternativat e parashtruara prej tyre për zgjidhjen e çështjes kombëtare. 

FAKTORËT QË KANË NDIKUAR MBI NACIONALIZMIN SHQIPTAR

Faktorët që kanë ndikuar mbi nacionalizmin shqiptar janë të shumtë, të brendshëm, të jashtëm dhe në disa raste të hershëm në kohë. Çështja e nacionalizmit shqiptar është trajtuar edhe më parë nga historiografia shqiptare. Në disa prej këtyre studimeve ka raste ku lihen mënjanë dobësitë e faktorit shqiptar. Ngjarjet dhe personalitetet historike që kontribuan për lindjen dhe përhapjen e ideologjisë kombëtare janë aq të shumtë në numër, sa që çdo kërkues shkencor do ta kishte të vështirë t’i studiojë, t’i shoshisë, t’i lidhë së bashku dhe t’i nxjerrë në dritë. Gjatë punës për realizimin e këtij punimi, është bërë përpjekje për të qënë sa më objektiv dhe në kërkim të shkaqeve historike që kanë nxitur dhe penguar zhvillimin e nacionalizmit shqiptar. Ky studim është trajtuar, duke kombinuar parimin tematik me atë kronologjik. Për përgatitjen e saj, jam mbështetur si në burimet arkivore shqiptare, austro-hungareze, britanike dhe italiane. Po kështu, të pasura janë të dhënat e shtypit shqiptar, të cilat hedhin dritë për të gjitha etapat në të cilat kaloi nacionalizmi shqiptar në vitet 1912-1924. Ky studim mbështetet gjerësisht edhe në literaturën historiografike shqiptare dhe të huaj. Përveç autorëve shqiptarë që janë marrë me këtë periudhë, kemi përdorur edhe studimet e autorëve perëndimorë, të cilët dallohen për lirinë e mendimit në trajtimin e problemeve që kanë të bëjnë me këtë temë. Gjatë studimit, më ka tërhequr vëmendjen këndvështrimi i studiuesit të njohur Anthony D. Smith, një nga përfaqësuesit kryesorë të shkollës së etno-simbolizmit, i cili mbështet idenë se kombi është njëherësh fenomen modern, po aq edhe paramodern. Përfundimet e studiuesit Miroslav Hroch, veçanërisht sa i përket fazave të zhvillimit dhe përhapjes së ideologjisë nacionaliste janë përdorur në këtë punim shkencor. Me interes për shtjellimin e kësaj teme kanë qenë edhe mendimet e studiuesit John Breuilly. 

NACIONALIZMI SHQIPTAR, SFIDA DHE VËSHTIRËSI

Gjatë punës sonë kemi ndeshur edhe disa vështirësi. Së pari, trajtimi i kësaj teme është multidisiplinar. Së dyti, ideologjia e nacionalizmit vazhdon të jetë ende pjesë e ligjërimit të epokës sonë. Prandaj, trajtimi i kësaj teme, kërkon një analizë objektive të kujdesshme. Së treti, trajtimi i nacionalizmit në këndvështrimin historik paraqet vështirësi në gërshetimin e tematikës me kronologjinë historike. Së katërti, materiali i nevojshëm dokumentar dhe literatura kanë qenë mjaft të shpërndara dhe në gjuhë të huaja. Përveç kësaj, vëzhguesit e asaj kohe si dhe studiuesit që janë marrë me çështjen e nacionalizmit shqiptar për probleme të veçanta kanë shprehur mendime të ndryshme dhe në disa raste kontradiktore. Kjo ka ardhur për shkak të interesave personale apo të shteteve që përfaqësonin, por që kanë çuar deri në shtrembërimin e fakteve historike. Punimi ynë përbëhet nga hyrja dhe tetë krerë. Në kreun e parë, kemi trajtuar nacionalizmin shqiptar si fenomen politik. Në kreun e dytë, nacionalizmi shqiptar është vështruar në raport me faktorët ndërkombëtarë. Kreu i tretë, trajton krizën e nacionalizmit shqiptar që u shoqërua me shpërbërjen e shtetit shqiptar. Kreu i katërt, i kushtohet dilemave të nacionalizmit shqiptar për arritjen e paqes pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Kreu i pestë, analizon përpjekjet dhe mangësitë e nacionalizmit shqiptar në procesin e ribërjes së shtetit. Kreu i gjashtë, pasqyron raportet e nacionalizmit shqiptar me institucionet fetare. Kreu i shtatë, trajton raportet që ndërtoi nacionalizmi shqiptar me minoritetet në Shqipëri. Kreu i tetë, analizon problemet që çuan në përçarjen e nacionalizmit shqiptar. Punimi mbyllet me burimet arkivore dhe literaturën historiografike. Me këtë rast e ndjej obligim t’i shpreh falenderimet e mia për motrën time Albana, udhëheqësen shkencore të tezës sime doktorale, Prof. dr. Fatmira Musaj, recensentëve të kësaj monografie, Akademik prof. dr. Beqir Meta, Akademik prof. dr. Marenglen Verli dhe Prof. assoc. dr. Anton Panchev, të cilët i falenderoj përzemërsisht për vërejtjet e sugjerimet me vlerë. 

KUSH E NXITI LINDJEN E NACIONALIZMIT SHQIPTAR?

Lindja e nacionalizmit shqiptar u nxit kryesisht nga publikimi i platformave shoviniste të shteteve fqinje ballkanike në vitin 1844. Mundësia e copëtimit të tokave të banuara shqiptarët nga shtetet fqinje, mbeti një shqetësim dhe rrezik permanent për banorët e këtyre viseve. Nacionalizmi shqiptar është zhvilluar me ritme progresive të shpejta gjatë çerekut të parë të shekullit XX. Natyrisht, përhapja e nacionalizmit shqiptar në mesin e banorëve nuk ka ecur gjithnjë në mënyrë drejtvizore. Procesi i ndërtimit të kombit shqiptar ka njohur uljet dhe ngritjet e tij në disa momente të shkurtra. Nacionalizmi shqiptar nuk është nacionalizmi më i ri dhe as më i fundit në Ballkan. Ideologjia kombëtare është shfaqur pothuajse në të njëjtën kohë te shqiptarët, siç u shfaq edhe te popujt e tjerë ballkanikë, por shqiptarët vonuan pak më tepër se fqinjët për formimin e shtetit kombëtar. Ndryshe nga nacionalizmat e tjerë ballkanikë, nacionalizmi shqiptar nuk u mbështet në doktrina fetare, por për shkak të vështirësive të tij të brendshme e të jashtme, ndryshe nga nacionalizmat fqinj, ai u përpoq të zbatonte parimin e njohur të Revolucionit Francez të vitit 1789 “Liri, barazi, vëllazëri”.

NACIONALIZMI SHQIPTAR I PËRKET MODELIT TË NACIONALIZMIT ETNIK

Nacionalizmi shqiptar i përket modelit të nacionalizmit etnik, megjithatë për shkak të ndikimit të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, nga fillimet e tij dhe gjatë gjithë periudhës së marrë në studim, ai ka shfaqur një natyrë mbrojtëse. Nacionalizmi shqiptar ka shfaqur një dallim të rëndësishëm nga nacionalizmat ballkanikë, ai nuk ka qenë ekstremist si dhe nuk është mbështetur në fondamentalizmin fetar dhe në përjashtimin etnik. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, detyrat kryesore që qëndronin para nacionalizmit shqiptar ishin: Ngritja e strukturës së shtetit shqiptar; “bërja e shqiptarëve” si komb modern; mbrojtja e territorit të shtetit shqiptar nga rreziku i aneksimit prej shteteve fqinje si dhe përpjekja për të gjetur mundësinë e bashkimit të trojeve etnike të banuara në shumicë nga shqiptarët. Pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, nacionalizmi shqiptar i konsideroi të padrejta dhe nuk i pranoi vendimet e këtij forumi ndërkombëtar. Sipas këndvështrimit të nacionalistëve shqiptarë, më shumë se gjysma e trojeve të banuara nga shqiptarë mbetën jashtë shtetit shqiptar. 

DY GRUPIMET KRYESORE BRENDA NACIONALIZMIT SHQIPTAR  

Pas vitit 1913 deri në vitin 1924 (e më vonë), brenda nacionalizmit shqiptar kanë ekzistuar dy grupime kryesore: 1. Grupimi i nacionalizmit të moderuar,i cili mendonte se “Pa Shqipëri nuk ka Kosovë dhe Çamëri” dhe 2. Grupimi i nacionalizmit irredentist, anëtarët e të cilit mendonin se “Pa Kosovë nuk ka Shqipëri”. Të gjitha lëvizjet kryengritëse brenda shtetit shqiptar në periudhën 1912-1924 janë zhvilluar gjoja si “lëvizje të kombëtarëve” për të përmbysur “antikombëtarët”. Kjo ka rrënuar themelet e shtetit dhe unitetin kombëtar të shqiptarëve. Në zhvillimin e ideologjisë kombëtare në harkun kohor 1919-1924 pati ndikim Lufta e Parë Botërore dhe sidomos ngritja e një administrate shqiptare sipas modelit perëndimor gjatë këtyre viteve. Në periudhën e mëvonëshme, modeli austro-hungarez dhe francez i administratës publike u mor si model nga nacionalistët shqiptarë. Gjatë viteve 1912-1924, dobësia kryesore e nacionalizmit shqiptar ishte ekzistenca në mënyrë permanente e një shteti të dobët, ndërkohë që kjo dobësi është shfrytëzuar me mjeshtëri nga shtetet fqinje për synimet e tyre ekspansioniste. Konsolidimi i shtetit shqiptar mbeti një brengë e vazhdueshme për këtë nacionalizëm.

NACIONALIZMI SHQIPTAR NJOHU NJË RRITJE VEÇANËRISHT NGA VITI 1920

Nacionalizmi shqiptar njohu një rritje veçanërisht nga viti 1920 e më pas. Qeveria e Sulejman Delvinës dhe ajo e drejtuar nga Ahmet Zogu kontribuan mjaft jo vetëm në ringritjen e shtetit kombëtar shqiptar, forcimin e sovranitetit, afirmimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në arenën ndërkombëtare por edhe në nxitjen e mobilizimit social të shqiptarëve. Në vitet 1921-1924, jetën politike dhe kombëtare të shqiptarëve e dominuan disa figura kryesore të nacionalizmit shqiptar: Fan Noli, Ahmet Zogu dhe Faik Konica. Ahmet Zogu synonte stabilizimin e brendshëm të shtetit shqiptar, duke u mbështetur në parimin se kombi shqiptar kishte nevojë për forcimin e autoritetit të shtetit dhe kjo arrihej vetëm përmes zbatimit të ligjit me dorë të fortë. Nga ana tjetër, Fan Noli si drejtues i opozitës mendonte se vendi nuk mund të zhvillohej përmes mënyrës autoritare. Fan Noli dhe Faik Konica mendonin se për të vendosur stabilitetin e brendshëm të shtetit shqiptar duhej të shmangeshin shkaqet politike, ekonomike dhe sociale që nxisnin pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj shtetit të tyre dhe që çonin shqiptarët në kryengritje të njëpasnjëshme. Ata mendonin se krahas zhvillimit ekonomik, vendi kishte nevojë edhe për vendosjen e një sistemi demokratik parlamentar. Ndonëse në këtë periudhë u hodhën themelet e traditës parlamentare shqiptare, ky model nuk ndikoi në stabilizimin e shtetit shqiptar.

ÇFARË NDIKOI NË DOBËSINË E NACIONALIZMIT DHE TË SHTETIT KOMBËTAR

Në dobësinë e nacionalizmit dhe të shtetit kombëtar ka ndikuar ruajtja nga periudha e kaluar e karakterit lokalist dhe e sedrës së sëmurë egoiste të një pjese të mirë të nacionalistëve shqiptarë. Për shkak se shteti shqiptar nuk arriti të konsolidohej, nacionalizmi shqiptar mbeti më i dobët krahasuar me nacionalizmat e tjerë të vendeve të Ballkanit. Për rrjedhojë, nacionalizmi shqiptar mbeti një kërcënim më i vogël për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit. Ideologjia e nacionalizmit shqiptar u mbështet në ligjërimin e “orientalizmit”. Sipas këtij diskursi, shqiptarët duhej të “arratiseshin nga Lindja”, pasi kjo e fundit ishte burimi i të gjitha të këqijave, ndërsa kultura dhe mënyra perëndimore e jetesës ishin mishërim i “së mirës dhe i progresit”. Ndërtimi i një administrate publike profesionale dhe kujdesi i shtetit ndaj qytetarëve të saj pa asnjë lloj dallimi, përmirësimi në mënyrë sa më të shpejtë i nivelit të mirëqënies ekonomike dhe kulturore të qytetarëve do të kishin qenë faktorët kryesorë që do të mund të forconin rolin dhe kontributin e shtetit dhe të kombit shqiptar në rajon. Për nacionalizmin shqiptar njësoj si edhe tek nacionalizmat e tjerë, territori ishte një nga elementët thelbësorë për ekzistencën kombëtare. Megjithatë studimet mbi nacionalizmin dëshmojnë se, faktori kryesor që e bën një komb të pasur e të fortë, nuk është sipërfaqja e territorit që zotëron një shtet i caktuar, por ritmi i zhvillimit ekonomik, social dhe politik i tij. Ecuria e zhvillimit të nacionalizmit dhe shtetit kombëtar shqiptar është mishëruar në shprehjen e njohur të Faik Konicës, botuar në gazetën “Dielli” në Boston Mass.:“Në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria-fjalë fatale-vdes, ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varit të saj: “U- ngjall nga idealistët; U- ruajt nga rastet; U-vra nga politikanët”.

Filed Under: Analiza Tagged With: 1912-1924, Nacionalizmi shqiptar, Sali Kadria, Sokol Paja

KDI publikon raport dhe infografikë për gjendjen e zbatimit të Marrëveshjes së 19 prillit

April 19, 2021 by dgreca

-Cilat pika të marrëveshjes janë zbatuar?
-Cilat pika ende nuk janë zbatuar?
-E cilat janë zbatuar vetëm pjesërisht?
-Cilat marrëveshje tjera të dialogut kanë buruar nga Marrëveshja e Parë?

Shihni infografikën dhe kuptoni më shumë detaje rreth këtyre çështjeve nga raporti më i ri i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), të cilin mund t’a shkarkoni në vegëzën: https://kdi-kosova.org/wp-content/uploads/2021/04/25-Raport-8-Vite-pas-marrveshjes-ALB-04.pdf

Filed Under: Featured Tagged With: KDI, Serbi-Kosovë, Zbatimi I Marrveshjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT