• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti nderon dëshmorët e Komunës së Prishtinës

April 18, 2021 by dgreca

–Kryekuvendari Konjufca: Serbia kishte qëllim shfarosjen e popullit tonë/

Prishtinë, 18 prill 2021– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë sot homazhe te varret e dëshmorëve të Prishtinës, në Velani.

“Dëshmorët e kombit e bashkojnë popullin”, tha kryeministri Kurti në shënim të kësaj Dite, duke thënë se sot bënë nderime të varret e dëshmorëve të kryeqytetit,  të cilët luftuan për  liri dhe ranë heroikisht që të ngritet edhe kauza jonë, e më pas të vijnë çlirimi, liria dhe pavarësia.

“Andaj në kthehemi e rikthehemi në këto vende në mënyrë që t’i kujtojmë ata, t’ia përkujtojmë vetes çmimin e madh që ka paguar populli ynë me gjakun e vet, për lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot, por në të njëjtën kohë edhe për të përkujtuar amanetet dhe idealet e tyre që të vazhdojmë për progres, për barazi, e mirëqenie që nuk e përjashton asnjërin”, u shpreh kryeministri Kurti.

Kryekuvendari Konjufca: Serbia kishte qëllim shfarosjen e popullit tonë/

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, nderuan sot dëshmorët dhe martirët që ranë për liri në Komunën e Prishtinës.

Të tre krerët shtetërorë fillimisht bën homazhe dhe vendosën lule në varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, duke vazhduar më pas në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në disa fshatra të Gollakut.

“Sakrifica e dëshmorëve qëndron e palëkundur në themelet e shtetit tonë. Pa sakrificën dhe rënien e tyre, nuk do të ishte e mundshme liria e popullit tonë, as shtetësia e pavarësia e vendit tonë”, tha z. Konjucfa.

Tutje, Kryekuvendari Konjufca, së bashku me Presidenten Osmani, vazhduan me nderime tek varrezat e Dëshmorëve dhe Martirëve në Makoc të Gollakut, të një prej masakrave më të tmerrshme të luftës në Kosovë.

“Ky është një akt i qartë i gjenocidit mbi popullin shqiptar të Kosovës. Qëllimi ishte shfarosja e popullit tonë, meqenëse nuk u kursyen as fëmijët, as gratë dhe pleqtë”, tha ndër të tjera Kryetari Konjufca.

Më pas, Kryekuvendari Konjufca takoi disa nga familjarët e të rënëve të Marecit, me ç’rast çmoi lart kontributin e më të dashurve të tyre dhënë për liri.

“Sa të ketë gjallë popull shqiptar, do të kujtohet dhe do të nderohet gjithmonë beteja e Marevcit, 27 dëshmorët dhe 16 martirët e rënë për lirinë e Kosovës, për shtetin tonë”, theksoi pas homazheve Kryetari Konjufca.

Ndalesa e radhës e nderimeve e kryetarit të Kuvendit ishte te Monumenti Memorial i masakrës së Dyzit dhe Koliqit.

“Pjesa më e dhimbshme në këtë situatë është se nuk ka drejtësi”, tha Kryetari Konjufca para banorëve të fshatrave Dyz dhe Koliq.

Tutje, Kryekuvendari Konjufca vlerësoi lart sakrificën e të rënëve dhe dëshmorëve nga Ribari i Vogël i Lipjanit, ku po ashtu ndaloi për të bërë homazhe.

Vazhdën e vizitave dhe nderimeve ndaj dëshmorëve, Kryetari Konjufca e përfundoi me nderime para shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, deshmorete. Prishtines, kryeministri

SOVRANITETI I RI DHE I PAPRITUR: KËSHTU KTHEHET SHTETI KOMBËTAR

April 18, 2021 by dgreca

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

Përktheu Eugjen Merlika /Me efektet që prodhon në realitetin e gjërave e në mendësinë e njerëzve pandemia, që prej kohësh ka pllakosur botën, po ndihmon fuqimisht për t’a bërë të dukëshme krizën e globalizimit. Krizën pra – në mos qoftë fundi – të asaj faze historike që, për së paku një tridhjetëvjeçar, ka zotëruar realitetin ekonomik e ideologjik të planetit tonë.  Janë së paku tre faktorët që po shënojnë fundin e mundshëm të një qarku historik të nisur në vitet 80 të shekullit të shkuar.

Faktori i parë është thërmimi përfundimtar i rendit ndërkombëtar të dalë nga fundi i “luftës së ftohtë” (1991). Në perëndimin e mbizotërimit amerikan që atëherë arriti majën e tij, të tjera fuqi botërore e rajonale në mënyrë mujshare dolën përpara gjithandej – Kina, Rusia, Turqia, Irani, Hindia – e të tjera më të vogla trysnojnë në kërkim të hapësirës. Të gjitha synojnë të krijojnë hapësira ndikimi, kërkojnë të zgjerohen, shkaktojnë konflikte, prishin barazpesha, duke ndjekur vetëm interesin e tyre, pa marrë parasysh asnjë normë, marrëveshje apo status quo të mëparëshme. Nga ana tjetër globalizimi duket se nuk ka sjellë asnjë përhapje të vlerësueshme të demokracisë, ndërsa miti i paqes – për më tepër si “botërore” – po zbulohet gjithënjë e më shumë se mbetet vetëm një mit.

Edhe themeli i dytë i globalizimit, shkëmbimi i lirë – që pati simbolin e tij në pranimin e Kinës komuniste në Organizatën e Tregëtisë Botërore më 2001 – ka humbur një pjesë të mirë të miratimit. Shkëmbimi i lirë, në fakt, ka përcaktuar po rritjen ekonomike të disa Vëndeve (me shumë gjasë në kurriz të asaj të të tjerëve), por ka nxjerrë në dukje një pikë të dobët dramatike. Madje dy. Para së gjithash mbas ekranit të tij dhe në sajë të tij ka mundur të marrë formë projekti alarmues i Pekinit për t’u bërë zot i pikave kyçe gjeografike, të burimeve dhe teknologjisë strategjike të ekonomisë botërore, me synimin për të ndërtuar zotërimin e vet planetar. Madje duhet të shtojmë nga ana tjetër, se çdo Vend është përpjekur në të vërtetë të vërtisë gjërat vetëm e vetëm në dobinë e vet e në rradhë të dytë, pikërisht gjatë pandemisë është parë se sa e pasigurtë është ajo aksiomë në themel të shkëmbimit të lirë, simbas së cilës pronësia dhe vendosja gjeografike e prodhimeve do të ishte krejtësisht e parëndësishme, sepse ajo që do të vlente do të ishte vetëm kostoja e tyre. Por sot po kuptojmë se pikërisht mbi këtë pikë është e drejtë të ushqehet më shumë se një dyshim: me të vërtetë, për shembull nuk ka asnjë rëndësi që një fabrikë, t’a zëmë vaksinash ose mbulesash fytyre, të gjëndet në Itali apo kush e di se ku? A është e parëndësishme që të kihet mundësi apo jo të prodhohen disa pjesë elektronike në shtëpi?

Elementi i tretë që shtyn të mendohet që po mbaron koha e globalizimit ka të bëjë me rolin e Shtetit, që vetë globalizimi parashihte e uronte të shkonte drejt perëndimit të tij. E diskutueshme apo jo mbetet dëshira e uruar, por sigurisht parashikimi nuk po shfaqet i goditur në shenjë. Në të vërtetë ardhja e kohëve të vështira të sjella nga pandemia ka detyruar të gjithë t’i drejtohen Shtetit: për të shpresuar që të kurohen, për të gjetur treguesit se çfarë duhet bërë, për të patur ndihma të çdo lloji, për të përfytyruar rikthimin e zhvillimit ekonomik. Nën sytë e pabesuar të shumëve Shteti, organizimi i pushteteve publikë, ndërhyrja e tij në rruzullin shoqëror, po marrin sot në Perëndim një riligjësim shumë të fuqishëm ideologjik nga i cili do të jetë shumë i vështirë rikthimi mbrapa. Aq më tepër se me ardhjen e piskamës, i gjithë gërshetimi i shumëanësisë dhe organizatave ndërkombëtare – në veçanti ai i Bashkimit Evropian që na intereson më shumë –  sigurisht nuk kanë treguar as një efektshmëri të madhe dhe as një përqindje të lartë të thuknisë e të përgjegjësisë së përbashkët. Si pikë riferimi ka mbetur për mirë apo për keq vetëm Shteti: e të mos i vijë keq askujt se për Shtet kuptohet natyrisht Shteti kombëtar.      

Nëse gjërat e thëna deri këtu janë të vërteta na zbulojnë një fakt shumë të rëndësishëm: ripohimin fuqishëm të temës së sovranitetit dhe gërshetimin e saj me politikën, pra temën e vetë aftësisë së Shtetit të ushtrojë pushtetin e shërbimit kundrejt një projekti të përbashkët. Një pushtet që mund të gjejë një kufizim vetëm në sajë të një vendimi të tij të pavarur: një pushtet sovran të Shtetit kombëtar që në regjimet demokratike, si i yni, është i barazvlefshëm me sovranitetin e popullit, burim i gjithë vendimeve dhe veprimeve të vetë Shtetit nëpërmjet përfaqësuesve të tij.

Një ndryshim i këtillë i perspektivës nuk mund të mos ketë pasoja pohenike mbi diskutimin politik italian, të përqëndruar në vitet e fundit në një pjesë të mirë të tij, në mënyrë të rreme rreth temës së sovranitetit. Me të majtën të gatëshme të nënvizojë dobinë e çfarëdo lëshimi apo ushtrimi të pakësuar të sovranitetit nga ana e Italisë – sikurse të trajtohej për pale çfarë shfaqjeje të një qytetërimi epror – dhe së djathtës shtazërisht kundër, të vënë në të njëjtën hulli  me përfaqësuesit më të shpëlarë të skenës evropiane, duke tërhequr mbi vete padinë e “sovranizmit”, që tashmë në të folmen e konformizmit ideologjik tingëllon pak a shumë si sinonim i nazizmit.

Por kohët këshillojnë që të bindemi se nuk është më çështje poje ose joje sovranizmit. Është çështje vetëm sovraniteti. Sot më shumë se kurrë duket i nevojshëm ripërcaktimi, për vitet që kemi përpara, i një roli veprues e shtytësi përpara në të gjitha fushat të Shtetit kombëtar e të vullnetit të tij politik. Ajo që nga një anë e bën tepër urgjente reformën e të gjithë administratave dhe kundërshtimin më të vendosur kundrejt copëzimit krahinor, e n’anën tjetër duhet të na shtyjë të mbajmë shtrënguar fuqimisht të gjitha lidhjet tona evropiane dhe atllantike, por duke mbajtur  të palëvizshëm kushtin paraprak që jo gjithmonë në të shkuarën e kemi mbajtur parasysh. Atë që të respektohet në mënyrë të rreptë një kusht i barazisë dhe i ndërsjelltësisë, pa kokëfortësi llogaribërëse por me një vendosmëri të mënçur.

“Corriere della Sera”, 15 prill 2021           Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ernesto Galli Della Loggia, Eugjen Merlika

Gjenocidi serb në Makofc të Prishtinës me rrethinë!

April 18, 2021 by dgreca

MOS-HARRESA NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE!/

Në këtë krim gjenocidal Serbia fashiste, më 17, 18 e 19 prill 1999,  i vrau 160 shqiptarë civilë, pa kursyer moshë as gjini, pleq e fëmijë, në mesin e tyre 8 trupa ende konsiderohen të zhdukur./

Nga Prof. dr. Nusret Pllana*/

Të rënët për liri kanë përmasë historike dhe kombëtare. Të rënët në luftën për liri dhe çlirim, janë themeli i kësaj Kosove që kemi sot, por edhe procesi i madh historik i bashkimit kombëtar. 

Të rënët në logun e betejës janë peshorja e ndërgjegjës së shqiptarëve. Ideali i lirisë, i të rënëve në të njëjtën kohë, për ata shqiptarë që ende kanë dilema se a duhej të bëhej lufta çlirimtare, është  kamxhikosje e psikologjisë së robit. Atdheu i të rënëve për lirinë e Kosovës është atdheu i të gjithë shqiptarëve. 

Masakra  në Gollak, përkatsisht në Makofc, më 17, 18 e 19  prill të vitit 1999, është ajo pjesa tragjike e jetës historike të popullit shqiptar, vazhdimësi e masakrës gjenocidale të masakrës së Parapashticës e Keqekollës, ku edhe para 100 viteve regjim barbar serb i pat vrarë dhe djegur 1020 shqiptarë të kësaj Prapashticës, kurse 514 të Keqekollës, e që pat shpëtuar vetëm një foshnjë në djep, dhe për fat të keq, sot e kësaj dite, as edhe një film dokumentar nuk e kanë bërë institucionet tona kompetente për këtë gjenocid të paparë të fillim shekullit XX në Kosovë.

Mëngjesin e 18 prillit 1999 forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe sulmuan shumë fshatra të Gollakut, të Komunës së Prishtinës,  ku vranë e masakruan në mënyrën më barbare 160 civilë shqiptarë duarthatë, burra, gra, pleq e fëmijë. Kjo ngjarje tragjike ka hyrë në histori me emrin Masakra e Makofcit me rrethinë.

Në Kosovë Lufta e UÇK-së kundër forcave ushtarake dhe policore pushtuese serbe kishte mbi dy vjet që zhvillohej. Gjatë kësaj periudhe në Kosovë kishin ndodhur edhe masakra të tjera, secila më e rëndë se tjetra, shumë tragjike dhe shumë të tmerrshme, por ajo që ndodhi në Makofc, kur edhe me sharrë druri ekzekutoheshin njerëzit e kësaj ane, andaj, këtë barbari e mizori fashizoide nuk do ta  duronte as logjika e as truri i njeriut, po të ndodhte edhe në kohë të mesjetës, e lëre më në zemër të Evropës, të ashtuquajtur ‘demokratike’, e cila për fat të keq, me gjithë këtë gjenocid të ushtruar nga barbaria dhe mizoria serbe mbi shqiptarët, për gati dy shekuj me radhë, ajo(Evropa pra) shqiptarët edhe sot e kësaj dite i konsideron qytetarë të rendit të dytë, ndërkaq Serbinë pushtuese e gjenocidiale e trajton edhe më tutje  si  të përkëdhelurën e Ballkanit.  

Skenat barbare nga masakra e Makofcit kishin tronditur opinionin ndërkombëtar, por edhe ngjarjet me kufomat e kësaj masakre dhe të masakrave të shumta gjithandej Kosovës, ishin akte shumë çnjerëzore, që e vërtetonte  për të satën herë brenda dy shekujve, urrejtjen patologjike të çmendurisë serbe ndaj racës pellazgo-iliro-dardane, përkatësisht shqiptare. 

Të nderuar udhëheqës të Republikës së përgjakur të Kosovës,

Të nderuar qytetarë të Gollakut me rrethinë,

Të nderuar të pranishëm të këtij këtij tubimi përkujtimor,

Nuk e mban në mend as një periudhë e historisë njerëzore lojen me të vdekurit, varrosjen dhe zhvarrosjen e tyre sa herë ju tekej, siç e kanë bërë regjimet barbare serbe mbi shqiptarët në vazhdimësi, e sidomos në fund luftën e viteve 1998/1999, vetëm e vetëm që të zhduknin gjurmët e këtij gjenocidi të paparë në Evropë, pas luftës së dytë botërore. Këtë lojë të çmendurisë së tyre me kufomat shqiptare, vazhdojnë ta bëjnë qe 22 vite rresht, dhe për fat të keq, në mungesë të presionit të mirëfillt ndërkombëtar, edhe më tutje na i mbajnë gjithandej Serbisë gjenocidale trupat e 1645 shqiptarëve civilë, që i vranë e masakruan barbarisht, vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin.

Dihet se pas masakrës, një luftë tjetër e ashpër u zhvillua për marrjen e kufomave, për varrimin e tyre dhe për analizat e komisionit ndërkombëtar, të cilat për pushtetin e satrapit të Ballkanit Milosheviq kishin pak rëndësi. 

Krimi shtetëror serb në Makofc ndikoi drejtpërdrejtë në ndërgjegjësimin e  opinionit ndërkombëtar dhe të qarqeve e të qendrave botërore vendimmarrëse për atë çfarë po ndodhte në të vërtetë në Kosovë. 

Prandaj, mos – harresa e kujtesës historike është jo vetëm obligim moral, edukativ e kulturor për ne të gjallët e vdekur, por edhe obligim historik, që t’i kujtojmë më të dashurit tanë, jo vetëm gjatë përvjetorëve të rënjes së tyre, por me vepra e punë të mira për atdheun tonë të larë me gjakun e djemëve dhe vajzave tona, të nënave dhe baballarëve tanë që u therrorizuan me shekuj për lirinë e Kosovës dhe Bashkimin e trojeve shqiptare. Sa herë atdheu i një populli të robëruar përgjaket, janë të rënët ata që bëjnë shenjat e ringjalljes së tij.

Andaj, sot jemi tubuar këtu të përkulemi para tyre, edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme pandemike, të betohemi para gjeneratave të reja dhe brezave që do të vijnë, se këto flijime me përmasë antologjike të djemëve dhe vajzave tona më të mira, të nënave dhe baballarëve tanë, nuk do t’i harrojmë kurrë, sepse gjaku i tyre është vet liria e Kosovës.

Sido që të merret, flijimi dhe sakrifica e të rënëve për lirinë e atdheut, janë pjesë e kujtesës sonë historike, të brezave që do të vijnë, sepse çdo gjë mund të harrohet, por gjaku i derdhur për liri nuk harrohet kurrë. Andaj, nuk harrohet as gjaku i këtyre 160 qytetarëve të Makofcit e fshatrave të tjera të Gollakut me rrethinë, të rënë këtu, sot e 22 vite më parë, nuk harrohet as gjaku i asaj nëne, i atij plaku, por as gjaku i asaj foshnje, që është bërë pjesë e lirisë sonë.

Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, të rënët për lirinë e Kosovës kanë përmasë historike dhe kombëtare. 

Të kësaj përmase janë edhe të rënët e Masakrës së Makofcit e të fshatrave të Gollakut me rrethinë.

LAVDI!

* Fjala e mbajtur ne takimin perkujtimor me 18 Prill 2021 

P.S. Një falënderim i veçantë nga ky manifestim përkujtimor i takon studentit të familjes së martirizuar Haxholli, z.Albion Haxholli, i cili sot(më 18 prill 2021) me shpenzime të veta e kishte stolisur Kompleksin Memorial të Makofcit, rreth e rreth me flamuj kuq e zi. 

Filed Under: Featured Tagged With: Gjenocidi Serb, Makofc, Prof.dr. Nusret Pllana

PERSE NUK KA DEMOKRACI NE SHQIPERI?

April 17, 2021 by dgreca

Nga Muharrem Xhydollari-Hudenishti/ Qeverite shqiptare mbas vitit 1920, me boten i hapen udhet. Dhe atehere prej Shqiperise dolen “te paudhet”. Ata qe t’i thoshin kominternit, jemi te vlefshem per ju, shkuan ne Spanje ne 1936 te mesonin si beheshe vrases, dhe sesi mbyteshe bota ne gjak. Nga rreth 200 shpirtera te paditur qe shkuan, vetem Mehmet Shehu mundi te diplomoheshe si kriminel, e gjakatar kryesisht per – dhe ne kombin e tij. Qe kete gjakderdhje se fundimi e provoi dhe mbi vetveten. 

Por, ne kete kohe qe ishin hapur udhet, jo pak djallezore shkuan dhe ne Parisin e Robespjerit, ku mesuan shume nga e kaluara Jakobine se si ndertoheshin dhe si funksiononin Revolucionet, per te cilat me vone Robespjeri i kishte quajtur te gabuara. Enver Hoxha vetem per keto mesime “u diplomua”, sa kur u kthye ne Shqiperine e varfer e te pushtuar, beri te pamunduren qe keshilltaret sllave te ishin me te suksesshem ne politiken e tyre kunder Shqiperise e shqiptareve, sesa ata keshilltare Angleze qe vepronin ne vendin tone gjate luftes. Shqiperine e mbasluftes e coi ne ate katrahure, sa shqiptaret arriten te mos e njihnin me njeri-tjetrin. E megjithate, jeta e tij perfundoi nen thirrjet e shqiptareve fatkeqe “Marsh nga ditet tona”. 

Eh sa nxuarren jashte keto udhe te hapura… Kostandin (Koco) Pashko dhe Sejfulla Maleshova studiuan e studiuan ne Mosken bolshevike dhe mesuan se derdhja e gjak-vellait kish pas qene e ligjshme. Ata mesuan se si shkaktoheshe varferia, si organizoheshin festat, dhe se si funksiononte litari per te siguruar pushtetin e diktatures leniniste-staliniste. Dhe keta personalitete studioze perfunduan rrugeve dhe burgjeve, vetkuptohet per ate ideal qe vet e kishin injektuar. 

Ne vendin tone fatkeq mbas vitit 1944, te paudhet, formuan pushtetin e tyre dhe gjate ketij pushteti ata u “nderzyen” me sllavo-kinezerine. Shtatzania e tyre shkoi gjate, afro gjysme shekulli. Krizat e lindjes ne fillimin e dekades se fundit te shekullit te njezet, nuk u shkaktuan lendime. Ata qete-qete linden Binjaket qe ua vune emrin PS dhe PD. Keta Binjake u rriten nen kujdesin e atij prindi shpirteror te diktatures, I cili u injektoi virusin e variantit shqiptar te Katovices, qe duke thirrur parullen “Poshte Komunizimi!”, te ngrinin lart komunistet me ekonomi te paligjshme, dhe si rezultat me nje pushtet ilegjitim. Ky pushtet ishte dhe eshte jashte standarteve perendimore, qe formalisht keta Binjake kerkojne te futen.

Binjaket ashtu sic I kane mesuar, hiqen sikur jane kunder njeri-tjetrit, por ideja e tyre eshte e njejte. Binjaket nuk I marrin per gjykim bemat anti-kombetare te njeri-tjetrit, por bejne cdo gje per tu siguruar imunitetet penale te secilit prej tyre. 

Eee, shqiptaret mbeten turme, ku instikti eshte gjithandej e mendimi asgjekundi… Binjaket turpshem e deshtuan tranzicionin e pretenduar. Ata nuk ndertojne demokraci, sepse nuk jane demokrate…

Filed Under: Analiza Tagged With: Muharrem Xhydollari-Hudenishti, shqiperia

Dr. Driton Salihu: „Në 321 shtëpi të shëndetit në Serbi, isha i vetmi i kombësisë shqiptare“

April 17, 2021 by dgreca

Intervistë ekskluzive me Dr.Driton Salihu, tash më ish drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë

Salihu: „Në 321 shtëpi të shëndetit në Serbi, isha i vetmi i kombësisë shqiptare“

„Konsideroj që arsyja e vetme e shkarkimit tim është ai politik. Komuna e Preshevës ka qenë njërsa ndër komunat me menaxhim më të mirë sa i përket vaksinimit të popullatës tek ata me mbi 65 vjet. Ne kemi qenë në top 5 komunat sa i përket vaksnimit të popullatës.“, na tha ndër të tjera, z.Salihu. 

Në këtë kohë të rëndë kur pandemia thuajse në çdo skaj të botës po qëndron dhe po merr jetë njerëzish, në Luginë të Preshevës, në vend se të bashkëpunohet, atje po krijohet panikë te qytetarët e Preshevës me rrethinë, duke e shkarkuar edhe drejtorin e shtëpisë së Shëndetit. Presheva me rrethinë, duke lënë anash simpatitë politike lokale, të gjithë së bashku, përcillnin çdo informacion që vinte nga drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, ku ai në forma të ndryshme në fillim të pandemisë, mundohej që në mënyrë profesionale me ato mundësi që kishte, që ti informoj banorët e asaj treve me një pandemi që e ka kapluar gjithë botën. Qysh në fillim edhe lexuesit tanë, kanë pasur mundësi të lexojnë një intervistë nga drejtori z.Driton Salihu, ku ai gjithnjë i bënte thirrje banorëve, që ti respektojnë masat e vendosura dhe ashtu u veprua, për një kohë, Presheva me rrethinë, nuk kishte as një person të infektuar. Kur dihet, se egziston shtëpia e shëndetit dhe është stafi që punon aty dhe punonte në çdo kohë edhe në fillim të pandemisë edhe telefoni privat i drejtorit nuk pushonte, për t`u informuar, ku edhe vetë ai nuk pritonte, por postonte githnjë informacione përmes FB, se si është gjendja dhe të mos bëhet panikë, por jepte informacione profesioniste. Shkurt e shqip, qytetari ndjehej më i besueshëm, kur në krye të një institucioni të shëndetësisë është një shqiptarë. Edhe pse një qytet me një përqindje mbi 90 përqind shqiptarë në pandemi, aty shkarkohet drejtori i shëndetësisë dhe në vend të tij vendoset një mjekë serb. Për të kuptuar më shumë pse ka ndodhur ky rast, se si është gjendja aktuale në Preshevë e me rrethinë në këtë pandemi si dhe për projektet që i ka pasur ndërmend ti ndërmarë, na flet ekskluzivisht, Dr.Driton Salihu, tash më, i shkarkuar nga detyra e të parit të shtëpisë së shëndetit në këtë qytet. 

Z.Salihu, përshëndetje të përzemërta. Të falënderoj fillimisht për kohën, që do të ndani për të realizuar këtë intervistë. Lajmin për shkarkimin tuaj nga detyra e e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, thuajse çdo banorë i Preshevës e me rrethinë e kanë pritur keq, sepse jemi në një kohë të rëndë të Pandemisë me Covid-19, plus kur dihen sukseset tua gjatë gjithë pandemisë. Lexuam disa prononcime tuat në disa media, por a mund t`na tregoni drejt, keni menduar, se do merni një shkarkim nga detyra në këtë kohë?


Ju falënderoj edhe juve gjithashtu. Presheva po kalon një situatë të vështirë epidemiologjike, sidomos nga muaji mars kur ndihmë në shtëpi të shëndetit kanë kërkuar 2211 pacient me simptome febrile ku prej tyre 412 kanë qenë pozitiv në Covid-19, çka është një shifër e lartë për një komunë si Presheva. Deri sapo përballeshim me pandeminë globale dhe vaksinimin masiv, unë me një letër nga ministri i shëndetësisë së Serbisë jam shkarkuar dhe në vend timin është emëruar një mjek i kombësisë serbe.

Pse, sipas jush jeni shkarkuar?


Në dokument shkarkimin nga ministria e shëndetësisë nuk ka asnjë edhe një arsyje të vetme për shkarkimin tim. Në momente kur përballesh me probleme në menaxhimin e shëndetsisë, por gjatë kësaj rruge duhet të përballesh edhe me letra “anonime” e procese të montuara gjyqësore e sabotime të inicuara nga persona të ndryshëm.

Kjo sfidë në asnjë moment nuk ndaloi motivacionin tim për një shëndetësi efikase dhe profesionale për Komunën e Preshevës. Këto në foto, që do ta shihni edhe në profilin tim në FB janë vetëm një pjesë e letrave “anonime” të cilat janë dërguar në Beograd për rë inicuar kontrollime të inspektorëve, për të shpifur, e shantazhuar dhe kompromituar Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë. Ata të cilët kanë qenë pjesë e këtij komploti e mbajn përgjegjësinë për këtë katrahurë. 

Mua më mbetet vetëm keqardhje për pacientet tanë që më së pakti e kanë merituar këtë situatë.

Sigurisht, keni pasur kontakte më herët me ndoj zyrtarë të ministrisë së shëndetit të Serbisë më herët, se si të menaxhohet kjo pandemi?

Po kontaktet kanë qenë të vazhdueshme me Insitutin për shëndet publik pasi ka të bëj me vaksnimin e popullatës po edhe testimet me Covid-19.

Pandeminë e keni menaxhuar që në fillim mirë, por tash, dita ditës, po vijnë lajme nga Presheva me rrethinë, se shumë po ka të infektuar dhe po ndahen nga jeta. Ku është faji?

Rastet e vdekjeve janë rritur, pasi Covid-19 nuk po pyet më as moshën po as gjininë. Të gjithë ata që po kanë sëmundje dytësore po edhe në një far mënyre po lajmrohen me vonesë, një numër i tyre po përfundon edhe me fatalitet.

Ishit i vetmi drejtor shqiptarë i Shtëpisë së Shëndetit në Republikën e Serbisë. Mos ndoshta, pse jeni shqiptarë jeni larguar?

Në 321 shtëpi të shëndetit që janë në Serbi, unë i vetmi i kombësisë shqiptare. Konsideroj që arsyja e vetme e shkarkimit tim është ai politik. 
Komuna e Preshevës ka qenë njërsa ndër komunat me menaxhim më të mirë sa i përket vaksinimit të popullatës tek ata me mbi 65 vjet. Ne kemi qenë në top 5 komunat sa i përket vaksnimit të popullatës.

Doktor, padyshim se edhe stafi i mjekëve e kanë pritur keq. Si ishte reagimi i tyre?

Në një komunë ku janë 95% e banorëve shqiptar dhe një drejtues i një institucioni kaq të rëndësishëm vendoset i kombësisë serbe, atherë len të kuptohet edhe revoltimi i shumicës së qytetarëve.

Cili është suksesi juaj më i madh gjatë mandatit tuaj?

Ne kemi qenë përfitues i projektit më të shtrenjtë financiar në Renovimin e plotë të objekteve të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, projekt i cili ende nuk është tenderuar nga Qeveria serbe, edhe pse të gjitha procedurat paraprake kanë kaluar që nga 2017-ta.

Renovimi i urgjencës me mjete Ndërkombëtare, realizimi i Programit të asistencës shtëpiake në bashkëpunim me Komunën e Preshevës për punësimin e stafit mjekësor, zgjerimin dhe avancimin e shërbimeve mjekësore në vendbanimet e komunës së Preshevës, renovimi i ambulantave në vendbanimet e komunës sonë, rekonstruksioni i sistemit të ngrohjes qendrore në një sistem ekologjik, sigurimi i autoambulancave si donacion nga vendet evropiane, vendosja e Sistemit të menaxhimit të orarit të punës për stafin medicinal, sigurimi i vendeve të punës në afat të pacaktuar për një numër të konsiderueshëm të punëtorëve medicinal, pajisje me aparaturë të re në laborator  e shumë projekte të tjera që janë me rëndësi vitale për një shëndetësi më të mirë për qytetarët e Preshevës.

„Këto dy komuna kanë rreth 80.000 banorë dhe shërbimin shëndetësorë dytësor Presheva e ka 45 kilometra larg në qytetin e Vranjës“

Përpos disa projekteve, që i keni realizuar, sa jemi të informuar, keni pasur edhe një projekt kërkese për të realizuar edhe spitalin e parë shqiptarë në Luginë të Preshevës, aty diku në mes të Preshevës e Bujanocit?

Presheva dhe Bujanoci e kanë momentin e fundit që të kenë një spital rajonal. Këto dy komuna kanë rreth 80.000 banorë dhe shërbimin shëndetësorë dytësor Presheva e ka 45 kilometra larg në qytetin e Vranjës.
Unë iu kam drejtuar me arsyje të qarta presidentit serb, kryeministres së Serbisë, ministrit të shëndetësisë si dhe së bashku me vetqeverisjen lokale që kjo iniciativë sa më shpejtë të aktualizohet pasi momentalisht kërkesat primare janë që reparti i pediatrisë dhe sëmundjeve interne janë të patjetërsueshme për qytetarët e komunës së Preshevës që mos të udhëtojnë në qytetet tjera.

Na flisni më shumë ju lutem në lidhje me këtë projekt, ku e keni menduar mbështetjen, nga Ministria e Serbisë, Shqipërisë, Kosovës apo nga diaspora jonë, apo tek të gjitha nga pak, me rëndësi të realizohet ky projekt?

Ne për fillim kemi nevoj vetëm për leje nga Ministria e shëndetësisë gjegjësisht nga qeveria e Serbisë. Vendin, ndërtimin apo edhe realizimin e këtij projekti e kemi më të lehtë, pasi siç dihet edhe diaspora e jonë ka shpreh interesim të madh që Presheva dhe Bujanoci të ketë spital, po ashtu edhe qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë me fondin e premtuar të solidaritetit mund të jap kontribut të veçant. Ne staf kemi, po edhe me angazhimin e mjekëve shtes, do të kompletohej i tërë spitali.

„Pasjani në Gjilan e cila ka 3-4 herë më pak banor se Presheva ka spital“

Pse sipas jush, nuk është ndërtuar deri më tash, një spital në Luginë të Preshevës?


Nuk ka pas interes as shteti, po edhe asnjëherë nuk është bë një kërkesë e mirëfilltë dhe e detajizuar që Presheva të ketë spitalin rajonal.
Kur një komunën si Pasjani në Gjilan e cila ka 3-4 herë më pak banor se Presheva ka spital, atherë edhe pse Lugina e Preshevës mos të ketë?

Qytetarët e Luginës së Preshevës, siç e dini edhe Ju, duhet të shkojnë në Vranjë, Nish, Shkup edhe më larg për ndoj sëmundje serioze, pse a nuk ka kapacitet mjekësorë lugina. Komenti juaj?

Po, qytetarët e Preshevës për edhe një shërbim më të vogël sekondar mjeksor duhet të udhëtojnë për nëspitalet tjera nëpër Serbi.

Ti kthehemi shkarimit tuaj nga detyra, a keni bërë ndoj ankesë apo keni ndërmend që të ankoheni?

Vendimi për shkarkim është i plotfuqishëm andaj edhe nuk ka asnjë mënyrë ankese.

Besoni, se do të fitoj drejtësia?

Të shohim, është vendim arbitrar nga Ministria e shëndetësisë.

Z.Salihu, edhe njëherë, si e shini shëndetësinë e Preshevës me rrethinë, mu në valën e tretë të Covid-19, ku dita ditës po merr jetë?

E rënduar, andaj edhe qytetarët duhet të kenë shumë kujdes në preventivën ndaj kësaj pandemie. Ende asgjë nuk ka përfunduar edhe pse vaksinimi po shkon mirë.

Për fund të kësaj interviste, mundem të them, nga shumë mendime të banorëve të asaj ane, sa i kemi përcjellur, se kanë thënë, po e humbëm një drejtorë, që nuk është ndal asnjëherë, që të jetë sa më afër nesh, sidomos tash me pandemi. Komenti juaj?

Ne kemi dhënë maksimumin dhe me mundësitë tona i kemi dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve që kanë pasë nevoj në luftë kundër Covid-19 dhe ia kemi arritur të menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të flm edhe njëherë e u dëgjofshim për gëzime.

Ju lutem. Ju falënderoj edhe juve dhe përshëndes të gjithë lexusit tuaj kudo që ndodhen. Lutem, që të kalohet kjo pandemi sa më shpejt, por edhe kësaj here, edhe pse nuk jam në detyrë, si bashkëqytetarë, ju kisha lutur të gjithë banorëve, që të kenë kujdes, ti mirëmbahen rregullave, sepse pandemia është e pamëshirshme. Prandaj, ju lutem, kujdes, jo panikë, por të kemi mirëkuptim për rregullat që janë vendosur, që të gjithë së bashku të dalim fitues para kësaj pandemie.

Intervistoi: Dashnim HEBIBI

Filed Under: Featured Tagged With: Dashnim Hebibi, Dr. Driton Salihu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT