• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEKLARATË- VATRA DHE RRËNJËT SHQIPTARE MBËSHTETJE STUDENTËVE

December 11, 2018 by dgreca

DEKLARATË E PËRBASHKËT E FEDERATËS VATRËS DHE “RRËNJËVE SHQIPTARE”/

1 a studente-1

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra dhe Organizata Rinore Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots mbështesin  pa asnjë rezervë protestat studentore në Shqipëri, si shprehja më sublime kundër varfërisë që ka kapur për fyti familjet shqiptare.

Studentët janë viktimat e para të mungesës së shpresës për një të ardhme në Shqipëri, shtresa më vitale dhe e sinqertë, ndaj kjo protestë është këmbana më e fortë për krizën e përgjithshme shoqërore, gjendjen e mjeruar ekonomike dhe situatën e pashpresë ku ndodhet sot vendi.

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra dhe Organizata Rinore Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots janë dhe do të jenë deri në fund në mbështetje të parezervë të studentëve dhe i bëjnë thirrje Qeverisë Shqiptare të plotësojë menjëherë kërkesat legjitime të tyre.

Fitorja do të jetë me studentët!

Nju Jork

11 Dhjetor 2018

Filed Under: Featured Tagged With: Protesta e studenteve, rrenjet shqiptare, Vatra

VATRA: PROTESTA E STUDENTËVE, RINGJALLJE E SHPRESËS PËR NDRYSHIM

December 11, 2018 by dgreca

-Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto dhe Presidenti i Rrënjëve Shqiptare z. Marko Kepi, pritën në Vatër Presidenten e rrjetit rinor të USAID, Juela Hamati-/

1 Juela Drit Marko

Të Hënën, 10 dhjetor 2018, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z. Dritan Mishto së bashku me presidentin e Rrënjëve Shqiptare z. Marko pritën presidenten e sapozgjedhur të rrjetit rinor të USAID, Juela Hamati, të cilën e uruan për detyrën e re.

Gjatë takimit biseda u përqëndrua tek protestat e studentëve në Tiranë. Kryetari i Vatrës deklaroi se: Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, po i ndjek me vëmendje protestat dhe i mbështet plotësisht ato. Vatra, tha kryetari Mishto, përshëndet protestat studentore të Dhjetorit 2018 dhe i vlerëson ato  si një ringirtije shpritërore të revoltës për një Shqipëri më të mirë, për ringjalljen e shpresës tek të rinjtë dhe luftës kundër mendësive totalitare në udhëheqësinë e vendit.

Pritet që Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe “Rrënjët Shqiptare” të dalin me një deklaratë të përbashkët në përkrahje të Protestave të studentëve!

Mysafirja falenderoi për pritjen e ngrohtë. Ajo shkroi në librin e vizitorëve:”Faleminderit që mbani gjallë historinë, traditat dhe kulturën tonë Kombëtare këtu në Amerikë. Gjysmën e zemrës e kemi tek Ju dhe kudo ku ka shqiptarë!

Filed Under: Featured Tagged With: dritan Mishto, Juela Hamati, Marko Kepi, Vatra

Orët e fundit të Edi Ramës

December 11, 2018 by dgreca

 

 Ilir-Levonja-300x298

Nga Ilir Levonja/

Sapo shikon një tekst të tillë…, ”vazhdojeni sa të doni protestën, por është hera e parë në botë që protestuesit nuk ulen në bisedime”, ia ndjen grahmën fundit. Ky është një nga ato pasazhet idote, e të zakonshme të Edi Ramës në atë farsën e komukimit live në FB.

O Zot, mbaja mendjen mbushur kryeministrit, se vetëm ai nuk e ka kuptuar akoma fundin e një qeverisje. Mbaja se vetëm ai nuk e kishte menduar kështu zbythjen nga karrika. Mbaja në ato shifra me 10 mijë a 20 mijë studentë protestues, kur Shqipëria sipas tij ka rreth 140 mijë studentë.

Çudi si nuk po poston foto nga qielli?

Foto nga sipër… si ato në protestat e Lulit.

Bravo Edo, ashtu vazhdo… thuaja troç, plasja, vazhdoni, shkundni tokën me këmbë, ulërini se asgjë nuk do të merrni. Ti nuk je rasti i parë i shtetarit që injoron masën. Shembujt janë me shumicë dërrmuese. Kjo nga ajo kultura e mendjembushurit se i pari i atij vendi është Zoti vet. Këtu jam me kokëfortësinë tënde. Sepse po e shoh me sytë e mi se vitalitet, sa gjak i ri po i shkund vërtetë rrugët a bulevardet e Tiranës. Dhe ta themi shkoqur vendi ynë e kishte më se të domosdoshme. Por dhëntë Zoti që ti nuk del nga politika pa u lagur, kaq.

E kishte nevojë Shqipëria jonë edhe për të ndrequr një mentalitet të mbrapsht që rëndom e has mes studiove, intelektualëve a kuadrove të rryshfetit dhe të informalitetit total. Aq sa ta shpifin me tema të tilla televizive si dhe çfarë kërkojnë studentët. A është apo s’është politike protesta e tyre? A ka aq buxhet Shqipëria sa të përmbushi kërkesat e stdenteve etj? Përse nuk negociojnë studentët etj? Një farsë sociale e gjitha. Sepse çdo protestë karshi një ligji, që në rastin konkret është pjesë e të ashtuquajturës reformë në arsim, ka tagrin e plotë të quhet sa ekonomike po aq edhe politike. Sepse është pikërisht politika ajo që ndërmerr reforma. Politika ajo që sjell edhe krizat. Ndaj është naive të kërkosh të mësosh se çfarë kërkojnë studentët. Por kjo duket më se normale studiove tuaja. Atyre që i pinë gjakun buxhetit të brishtë të shqiptarëve. Intelektualëve të rremë, por miliarderë. Një farsë sociale edhe kur diskutojnë pamundësinë e buxhetit për të përmbushur kërkesat e studentëve për thjesht kushte më të mira, tarifa më të ulta, të përafërta me vendet e rajonit dhe me gjerë. Është farsë sepse nivelet e ulta të buxhetit qëndrojnë për shkakun e thjeshtë të informalitetit, korrupsionit fantastik me tenderimet etj. Vetëm në Shqipëri ndodh që 5 metër rrugë të ndërtohen me të njëjtin fond që përshembull Kroacia ndërton 5 kilometër.

Buxheti jonë është një fole mjalti, përmes tij ti dhe sëra jote janë bërë kalorës të parasë. Sikur të ardhurat tuaja informale dhe sojit e sorollopit rreth teje t’i nënshtrohen një procesi filtrimi, buxheti i shqiptarëve do ishte i njëllojtë me atë Hollandës. Por kjo nuk ndodh. Pasi një bateri e tërë intelektualësh informal e quajnë, lëvizje a manovër populiste. E quajnë gjyq publik. Dhe na kujtojnë xhaxhin, na kujtojnë se po bëjmë atë që bëri Enveri. Megjithëse janë raste të pakrahsueshme në raport me kohën dhe demokracinë. Eshtë vazhda e asaj kulturës farsë, që na mban në kuadrin e fjalëve, në kuadrin e llogjeve. Mirëpo duket se ky brez, e ka kuptuar këtë. Të vjen mirë. Madje ta kenë dhënë shpjegimin pse nuk negociojnë. Eshtë një kalbëzim total social dhe mirë e kanë, i panegociueshëm. Po ti vazhdo kokë mbushur… se sa më shumë kështu, orët e lirisë së vërtetë po afrohen. E kam fjalën për shtetin e së të drejtës dhe lirive të individit. Jo shtetin e shokëve, grupeve, të fortëve…, i thuaj atij apo këtij, na kaq dhe bëje për mua etj. Një shtet dhe Shqipëri pa ty.

Të qofshin këto orët e fundit Edi… veç mos harro shallvaret dhe atletet addidas. Gruevski e pati një mik në Hungari. Por edhe ti e ke një në Turqi. Bëhu gati, check in…

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Orët e fundit, të Edi Ramës

Jo 29 Nëntorit 1944!

December 11, 2018 by dgreca

Elida 1

Nga Elida Buçpapaj/

Klasa politike dha show-n e rradhës. 28 Nëntorin e festuan të ndarë e të përçarë. Njëra palë në Vlorë, tjetra duke lamentuar në Facebook. S’ka shëmtim më të madh.

Çdo 29 Nëntor e njëjta histori e pështirë, njëra palë për Shkup e tjetra për Shkodër, si dy paralele që vrapojnë për hesap të vet pa asnjë pikë takimi.

Kemi mbi një çerek shekulli që përballemi me dilemën se kur është çliruar Shqipëria dhe se kur është larguar prej vendit çizmja e fundit naziste.

Këtë dilemë e kish zgjidhur në mënyrë të politizuar historiografia komuniste që retushoi historinë për 50 vjet sipas vullnetit të diktatorit.

Këtë dilemë nuk e kanë zgjidhur historianët e shkolluar në Perëndim gjatë periudhës të tranzicionit.

Dhe, sa vjen 29 nëntori, shoqëria sherrohet dhe thellon bipolarizimin e saj. Njëra palë insiston, tjetra mohon sa për show.

Ndërsa Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një arenë cirku nga tempulli ku mbrohet statura e shtetit të së drejtës.

29 nëntorin e respekton çdo herë edhe Presidenti i Republikës, si përfaqësues i unitetit kombëtar!

Po a ka unitet kombëtar kur njëra palë në mënyrë histerike mbron 29 nëntorin dhe tjetra në mënyrë pasive mbron 28-tën!

E çfarë rëndësie ka largimi i çizmes së fundit naziste, kur më 29 nëntor 1944 do të startonte katrahura kombëtare, vëllavrasja dhe diktatura e proletariatit!

E çfarë rëndësie ka data kur u tërhoq ushtria pushtuese kur vendin e pushtoi terrori i kuq që ishte po aq i tmerrshëm sa terrori i zi!

E çfarë rëndësie ka saktësia në orë, minuta e sekonda e largimit të pushtuesit të fundit kur në Shqipëri më 29 nëntor 1944 nisi kasaphana e drejtuar nga një regjim përbindësh, që i mohoi të gjitha të drejtat elementare të njeriut, që eleminoi jo vetëm çdo kundërshtar, por i konsideroi kundërshtarë dhe gratë e fëmijët e viktimave, duke ua mohuar të drejtën e jetës!

Mjerim për elitën shqiptare që përdridhet si karavidhe dhe bën çdo lloj konçensioni për interesa të ngushta personale, duke qenë dëshmitare e territ gjysmë shekullor të regjimit barbar!

Kemi mbi çerek shekulli që për demagogji, ithtarët dhe klientët e regjimit të vjetër sa herë vjen 29 Nëntori, vendosin shenjën e barazimit midis diktaturës së Enver Hoxhës, 29 nëtorit 1944 dhe luftës antifashiste!

Deri kur populli shqiptar do të ushqehet nga kjo trushplarësi idiote, kur dihet me fakte se gjysmën e atyre që shkuan partizanë diktatura i vrau, i burgosi apo i ekskomunikoi nga shoqëria së bashku me familjet e tyre, dmth me gra e fëmijë!

Sot për një vend pune, elita bëhet gur varri dhe nuk e kthen kokën për të parë fatkeqësitë që solli 29 Nëntori 1944 që damkosi, vrau e burgosi sa e sa baballarë që duarlidhur nuk mund të bënin asgjë për të ardhmen pa të ardhme të fëmijëve të tyre që mbetën pa shkolla, nëpër internime, me biografi të nxirë!

Po a mund të mbulohet dielli me një shoshë gazete apo me një skuadrilje historianësh që vazhdojnë ta kthejnë historinë përmbys sikur bënte Arben Puto, kunati i të mynxyrshmit Manush Myftiu, që firmoste internimet e familjarëve të armiqve të partisë të krimit!

Këta që mbrojnë 29 Nëntorin 1944 si ditën e çlirimit të Shqipërisë, mbrojnë diktaturën që ka ekzekuruar krime kundër njerëzimit. Diktatura është e parehabilitueshme!

A mund të quhet Shqipëria e pas 29 Nëntorit 1944 e lirë, kur liria u prangos nga terrori komunist!

Lufta antifashiste e shqiptarëve s’ka lidhje me 29 nëntorin 1944. Shumica e viktimave të diktaturës enveriste ishin antifashistë, mendimtarë, liberalë!

Nuk mund të retushohen kurrë më faktet historike, mbi të cilat shkruhet historia, se si diktatori i nxitur nga Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, hodhi në kosh të plehrave Konferencën e Pezës dhe Marrëveshjen e Mukjes duke nxitur luftën civile vëllavrasëse; se Enver Hoxha eleminoi jo vetëm kundërshtarët e deklaruar por edhe liderët e antifashizmës, sikur ishte Qemal Stafa me shumë të tjerë, të rinj të kulturuar e të ditur që i shihte si rrezik për pushtetin politik!

S’ka demokraci, s’ka shtet të së drejtës pa dekomunistizimin dhe distancimin me Kushtetutë nga e djeshmja kriminale e ekzekutuar nga sistemi.

Mjaft me demagjogji të nivelit kooperativist të denjë për shoqëri analfabete! Jeni qesharakë!  Lerini pallavrat e aleancës të diktatorit me Perëndimin! Kur dihet se posa mbaroi lufta dhe menjëherë pas 29 nëntorit 1944,  Enver Hoxha i dëboi aleatët Perëndimorë si armiq të vendit, ndërsa shqiptarët që kishin punuar me ta ose i vrau ose i rrasi nëpër burgje si tradhtarë!

E përse duhet që Shqiptarët të pranojnë 29 nëntorin si ditën e çlirimit, kur prej asaj dite liria për të cilën luftoi rinia shqiptare u burgos!

Im atë poeti Vehbi Skënderi la bangat e shkollës dhe doli partizan që 14 vjeç, ku u plagos tri herë. Idealet e tij ishin Liria, Barazia dhe Vllazëria – Liberté, Égalité, Fraternité – për të gjithë. Diktatura ia shkatërroi jetën, sikur edhe familjes së tij! Bashkëkohësit e tim eti janë gjallë dhe uroj të rrojnë e të gëzojnë jetën, por duhet të flasin; ka nga ata që duhet të kërkojnë ndjesë, por nëse e kanë gojën e rrudhur, të paktën moral të mos na bëjnë! Memecëria apo demagogjia nuk mund ta retushojnë të vërtetën, sikur i retushonte Enveri shokët e luftës që i vriste!

E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se diktatori e zgjodhi këtë datë për servilizëm ndaj Titos, si shenjë gjunjëzimi për ta kthyer Shqipërinë në republikë të shtatë të ish-Jugosllavisë!

E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se kjo datë lidhet me izolimin dhe bunkerizimin e vendin? Shqipëria në zemër të Europës dhe askush nuk dinte asgjë për të!

E përse shqiptarët duhet ta pranojnë këtë datë që solli frikë, terror, që i bëri shqiptarët spiunë, i bëri frikacakë, i dehumanizoi, i bëri të kënaqen me fatkeqësinë e vëllait, i bëri të gjithë t’i thonë amin diktatorit në vend të Zotit !

Le të bëjnë kompromis e le ta zgjedhë e majta datën e çlirimit të vendit.

Le të jetë, për shembull, 5 Maji. Dita e vrasjes së Heroit antifashist, djaloshit 21 vjeçar Qemal Stafa! Le të jetë një datë që lidhet me dinjitetin dhe sakrificat e shqiptarëve, por jo me diktatorin, as me diktaturën që mbolli ndarje, vuajtje dhe dhimbje.

Ka ardhur Momentumi që politika shqiptare të distancohet nga diktatura, jo në mënyrë retorike, por me ligje dhe rregulla ashtu si është vepruar në vendet e ish-Europës Lindore. Të dënohen krimet e regjimit enverist dhe nomenklatura e kuqe! Elita e rehabiliton veten duke deklaruar të vërtetën!

Të mos spekulohet më me kolaboracionizmin!

Po flasim për Shqipërinë dhe shqiptarët e prej 29 nëntorit 1944! Për krimet e kryera prej kësaj date të kobëshme! Nuk mbrohet dot regjimi kriminal me sulme ndaj njerëzve të vrarë, të burgosur, ndjekur apo të syrgjynosur nga regjimi komunist!

Civilizimi Perëndimor është 180 gradë ndryshe nga nazizmi, fashizmi dhe totalitarizmi stalinisto-enverian.

Shqipëria nuk mund të pretendojë të jetë anëtare e NATO-s apo të anëtarësohet në BE – kur liderët e shtetit shqiptar simpatizojnë ish-eksponentët e nomenklaturës të regjimit komunist, apo kur trashëgimtarët bilogjikë të ish-regjimit totalitar emërohen në postet më të larta të administratës publike pa u distancuar nga gjyshërit dhe etërit e tyre.

Vetëm Bashkim Shehu e ka bërë këtë. Dhe është i nderuar!

Trashëgimtarët biologjikë nuk mund të mbajnë poste në administratë pa i dënuar krimet e etërve dhe pa lypur ndjesë për viktimat e diktaturës.

Gjermania demokratike vazhdon e kërkon ndjesë për krimet e Hitlerit, edhe kur Lufta e Dytë Botërore ka gati treçerek shekulli që ka përfunduar!

Shteti i së drejtës imponon rregulla. Shteti shqiptar nuk mund të mbajë qëndrim konfondues ndaj së shkuarës diktatoriale, ku përfshihet edhe 29 nëntori 1944.

Vetë e majta shqiptare ka plot argumenta për të arsyetuar se përse kjo datë nuk përkon me atë të çlirimit të Shqipërisë. Do të mjaftonte lista e gjatë e vrasjeve të bashkëpunëtorëve të diktatorit që i likuidoi si gjatë luftës dhe për gati gjysmë shekulli!

Askush nuk mund të mohojë se 29 nëntori 1944 mbolli në Shqipëri dhe ndër shqiptarë vdekjen, përçarjen, vëllavrasjen, ndarjen, burgjet, frikën, izolimin,internimet, kampet, Gulagët, luftën e klasave, varfërinë dhe katastrofën kombëtare!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Jo 29 Nëntorit 1944!

LAHUTA NUK KËNDON MË PËR SHQIPËRI DHE PËR SHQIPTARË!

December 11, 2018 by dgreca

1 franikursll

Nga Frank Shkreli/

Unë nuk e di se ku qendron e vërteta mbi këtë çështje, por i vjen një erë shumë e keqe: nëse është pranuar ose jo propozimi i Serbisë për të regjistruar Lahutën si instrument të saj në UNESCO, si pasuri e saj kulturore.  Qeveritë dhe Ministritë e Kulturës gjatë viteve kanë një reputacion me të cilin nuk mund të krenohen, përsa i përket ruajtjes, mbrojtjes dhe kultivimit të kulturës së lashtë dhe të re shqiptare – si në nivel kombëtar dhe ashtu edhe në atë ndërkombëtar – siç pasqyrohet edhe nga ky rast. More, ja merrte kujt mendja se serbët do të përvetësonin lahutën si pjesë e trashëgimisë së tyre?  Po, kështu kanë vepruar gjithmonë këta, në kurriz të tjerëve.  Hajdutë kanë qenë gjithëherë.  Por, se serbët do t’a merrnin lahutën prej nesh pa “zbrazur asnjë fishek” në mbrojtje të pasurisë sonë kulturore, kjo nuk mund të merret me mend.  At Gjergj Fishta do të rrotullohej në varr, por fatkeqsisht, varrin nuk ia dimë dhe eshtrat ia hodhi Enver Hoxha në lum.  Edhe ai i kishte kënduar Lahutës – Lahutës së Malësisë.

Për hir të së vërtetës duhet shënuar se Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë ka përgënjeshtruar lajmin e përhapur në media një ditë më parë, se lahuta është njohur nga UNESCO si trashëgimi kulturore e Serbisë.  Në deklaratën e saj thuhet se, “Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se ‘lahuta nuk është shqiptare, por serbe’”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës.  Ministria e Kulturës shpjegon se “Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj. Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin”, sqaron më tej ministria.

A është kjo mbrojtja më e fortë që Ministria e Kulturës mund t’i bëjë lahutës si një instrument i lashtë i Shqiptarëve.  Ndoshta, sipas deklaratës së Ministrisë shqiptare, ende nuk është marrë vendimi nga Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s, por Ministria shqiptare nuk e mohon se UNESCO do e njohë lahutën si trashëgimi kulturore e Serbisë, me justifikimin se të, “kënduarit me lahutë është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.  Të na rrojë internacionalizmi proletary i Enver Hoxhës.

Ky konfuzion është rezultat i papërgjegjësisë zyrtare dhe një arrogance që është bërë traditë tanimë për të zbardhur të vërtetën, e që zmadhohet edhe më shumë nga shkrimet hamendëse në medien publike, pikërisht për arsye të mungesës së informacionit të sakt.  Ja disa nga titujt në median shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, në lidhje me propozimin e Serbisë për të regjistruar Lahutën si instrument të Serbisë: “Lahuta serbe në UNSECO”; “Lahuta shqiptare është gati npër në UNESCO”; “Ministria e Kulturës -UNESCO-s: Lahuta është e jona”;  “Lahuta njihet si trashëgimi e Serbisë”; “Lahuta Trashëgimi e Serbisë?  “Vendimi sklandaloz i UNSECO-s”; “Lahuta gati për UNESCO, mungon lobimi”;  “Lahuta është shqiptare apo serbe?”;  “Ministria e Kulturës: S’ka asnjë vendim nga UNESCO”; “Lahuta Shqiptare e penalizuar nga Kosova”; “Lahuta s’është shqiptare, por serbe”, e të tjera.

Në të vërtetë, ky ka qenë gjithmonë dhe është objektivi përfundimtar i sllavëve, i grekëve dhe i turqëve, që më së pari të mbjellin dyshime dhe konfuzion në radhët e vet shqiptarëve mbi identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor, si dhe mbi historinë dhe prejardhjen e tyre.   Kështu kanë bërë ata dhe vazhdojnë të mbjellin dyshime — madje edhe me ndihmën e vet shqiptarëve — edhe mbi figurën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skenderbeu dhe për identitetin kombëtar të Nënë Terezës.

Edhe kjo na ka munguar! Armiqtë e Kombit shqiptar, tashti duan edhe Lahutën – simbolin e lashtësisë së Kombit shqiptar — pasi na morën ose më mirë të themi pasi ua dhamë dhe po u japim tokat tona, detin dhe tashti po u dorëzojnë edhe një pjesë të identitetit të kulturës kombëtare.  Edhe ajrin për të marrë frymë, do të ua mohonin shqiptarëve këta, gjithmonë sipas orekseve dhe interesave të tyre politike, fetare, ideologjike dhe historike, të momentit.

Çdo gjë e shenjtë shqiptare duket se është në shitje, në ankandë.  Serbia do tokën shqiptare, se nuk ka marrë mjaft gjatë 100- vjerëve të kaluar. Tashti do të përvetësojë edhe Lahutën, simbolin më të njohur të lashtësisë së Arbërit.  Prisni edhe pak se shpejt Akademia e Shkencave e Serbisë do të pretendojë se edhe xhubleta, veshja e grave malësore ç’prej epokës ilire, do të kërkojë ta regjitrojë në UNESCO si trashëgimi kulturore serbe dhe askush nuk do të shqetësohet për këtë punë.  Turqia pretendon se “Kosova është Turqi” dhe kërkon me ngulm ndryshim të historisë shqiptare, ndërsa Greqia ka marrë Çamërinë, do të marrë detin dhe nuk heq dorë nga i ashtuquajturi Epir. Çdo ditë, popat e Kishës ortodokse serbe përpiqen të përvetësojnë gërmadhat e kishave shqiptare në trojet shqiptare nën Mal të Zi, sikur të kenë qenë të tyre, historikisht, aty ku asnjëherë nuk ka ka shkelur këmbë e serbit.  Nëqoftse shqiptarët nuk i dalin zot historisë së tyre, të tjerët do e përvetësojnë, siç është rasti i trashëgimisë kulturore me lahutën.  Më e keqja e kësaj situate të mjerueshme është se të gjitha këto po ndodhin në heshtje  ose me marrveshjen e kësaj klase politike shqiptare sot, ose si trysni ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Keni venë re ndonjë reagim nga zyrtarë të lartë ndaj këtyre hajdutlleqeve e pretendimeve antishqiptare nga Tirana dhe nga Prishtina?  Hiç, përkundrazi! Tirana dhe Prishtina zyrtare sillen me këto tre shtete, si shtete “strategjike”, ose si “popuj miq”, siç i quante Enver Hoxha — gjithmonë sikur fajin për gjithçka e kanë shqiptarët.  Shqiptarët vazhdojnë të japin e të japin ndërsa këto tre shtete nuk ngopen duke vjedhur nga shqiptarët, madje edhe trashëgiminë kulturore, siç është instrumenti muzikor, Lahuta.  Është për të ardhur keq, “për ca zuzarë, që u lindën shqipëtarë”, siç ka shkruar dikur Faik Konica e të cilët,

“S’na lënë dhe ne të tjerët,

T’dalim nga gjum’i errët,

Po ç’dëgjojnë ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhëtojnë

Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash”

Për çdo shtet normal, mbrojtja e historisë, e heronjve kombëtar si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe mbështetja e identitetit historik kombëtar nga sulmet dhe nga pretendimet e të huajve, janë çështje të shënjta të mbijetesës dhe të sigurimit kombëtar, të vet ekzistencës së kombit dhe vazhdimësisë së tij.  Përgjegjësia numër një e një qeverie dhe e përfaqësuesve të saj është që të mbrohet historia, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar, ashtu siç do të mbrohej kufiri tokësor e detar, në rast të një sulmi ushtarak.  Pse heshtin këta njerëz!  Pse heshtin historianët shqiptarë? Ku është zemërimi?

Në Malësitë tona dikur, shtëpia pa pushkë e pa lahutë nuk konsiderohej shtëpi.  Në shtëpinë ku kam lindur e jam rritur unë, kishim tre lahutarë.  Gjyshin tim Lukë Tomën e Shkrelit dhe axhën Gjergjin dhe më vonë djalin e axhës Vasel Shkrelin, i cili e vazhdon këte traditë të familjes tonë edhe këtu në Amerikë, si më poshtë, i cili i ka kushtuar këtë këngë lahutës, si instrument i traditës e i trimërisë, si një instrument që ka mbajtur gjallë historinë dhe trashëgiminë e shqiptarit në vatrat stërgjyshore të kullave shkëmbore tona, si një instrument i bekuar e i lashtë arbëror, i cili u ka zgjatur jetën heronjve, sipas fjalëve të lahutarit:

https://www.youtube.com/watch?v=iEay5gMwtUI

https://www.youtube.com/watch?v=NmJODhiKkT4

Sulmet kundër identitetit të shqiptarëve dhe trashëgimisë së tyre historike dhe kulturore po bëhen gjithnjë e më kërcënues, për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.  Ku janë mbrojtësit e visarit dhe të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Kombit Shqiptar, kësaj race iliro-trake, bartës të ligjëshëm dhe historikë të traditave shekullore të saj.  Pse nuk ngrejnë zërin në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore të Kombit, para se të bëhet vonë?  Sot, Lahuta vajton fatin e saj.  Lahuta duhet të shpëtohet ashtuqë të këndojë përsëri për Shqipëri dhe për Shqiptarë!

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE PËR SHQIPTARË!, Frank shkreli, LAHUTA NUK KËNDON MË PËR SHQIPËRI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1179
  • 1180
  • 1181
  • 1182
  • 1183
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT