Nga Elida Buçpapaj/
Klasa politike dha show-n e rradhës. 28 Nëntorin e festuan të ndarë e të përçarë. Njëra palë në Vlorë, tjetra duke lamentuar në Facebook. S’ka shëmtim më të madh.
Çdo 29 Nëntor e njëjta histori e pështirë, njëra palë për Shkup e tjetra për Shkodër, si dy paralele që vrapojnë për hesap të vet pa asnjë pikë takimi.
Kemi mbi një çerek shekulli që përballemi me dilemën se kur është çliruar Shqipëria dhe se kur është larguar prej vendit çizmja e fundit naziste.
Këtë dilemë e kish zgjidhur në mënyrë të politizuar historiografia komuniste që retushoi historinë për 50 vjet sipas vullnetit të diktatorit.
Këtë dilemë nuk e kanë zgjidhur historianët e shkolluar në Perëndim gjatë periudhës të tranzicionit.
Dhe, sa vjen 29 nëntori, shoqëria sherrohet dhe thellon bipolarizimin e saj. Njëra palë insiston, tjetra mohon sa për show.
Ndërsa Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një arenë cirku nga tempulli ku mbrohet statura e shtetit të së drejtës.
29 nëntorin e respekton çdo herë edhe Presidenti i Republikës, si përfaqësues i unitetit kombëtar!
Po a ka unitet kombëtar kur njëra palë në mënyrë histerike mbron 29 nëntorin dhe tjetra në mënyrë pasive mbron 28-tën!
E çfarë rëndësie ka largimi i çizmes së fundit naziste, kur më 29 nëntor 1944 do të startonte katrahura kombëtare, vëllavrasja dhe diktatura e proletariatit!
E çfarë rëndësie ka data kur u tërhoq ushtria pushtuese kur vendin e pushtoi terrori i kuq që ishte po aq i tmerrshëm sa terrori i zi!
E çfarë rëndësie ka saktësia në orë, minuta e sekonda e largimit të pushtuesit të fundit kur në Shqipëri më 29 nëntor 1944 nisi kasaphana e drejtuar nga një regjim përbindësh, që i mohoi të gjitha të drejtat elementare të njeriut, që eleminoi jo vetëm çdo kundërshtar, por i konsideroi kundërshtarë dhe gratë e fëmijët e viktimave, duke ua mohuar të drejtën e jetës!
Mjerim për elitën shqiptare që përdridhet si karavidhe dhe bën çdo lloj konçensioni për interesa të ngushta personale, duke qenë dëshmitare e territ gjysmë shekullor të regjimit barbar!
Kemi mbi çerek shekulli që për demagogji, ithtarët dhe klientët e regjimit të vjetër sa herë vjen 29 Nëntori, vendosin shenjën e barazimit midis diktaturës së Enver Hoxhës, 29 nëtorit 1944 dhe luftës antifashiste!
Deri kur populli shqiptar do të ushqehet nga kjo trushplarësi idiote, kur dihet me fakte se gjysmën e atyre që shkuan partizanë diktatura i vrau, i burgosi apo i ekskomunikoi nga shoqëria së bashku me familjet e tyre, dmth me gra e fëmijë!
Sot për një vend pune, elita bëhet gur varri dhe nuk e kthen kokën për të parë fatkeqësitë që solli 29 Nëntori 1944 që damkosi, vrau e burgosi sa e sa baballarë që duarlidhur nuk mund të bënin asgjë për të ardhmen pa të ardhme të fëmijëve të tyre që mbetën pa shkolla, nëpër internime, me biografi të nxirë!
Po a mund të mbulohet dielli me një shoshë gazete apo me një skuadrilje historianësh që vazhdojnë ta kthejnë historinë përmbys sikur bënte Arben Puto, kunati i të mynxyrshmit Manush Myftiu, që firmoste internimet e familjarëve të armiqve të partisë të krimit!
Këta që mbrojnë 29 Nëntorin 1944 si ditën e çlirimit të Shqipërisë, mbrojnë diktaturën që ka ekzekuruar krime kundër njerëzimit. Diktatura është e parehabilitueshme!
A mund të quhet Shqipëria e pas 29 Nëntorit 1944 e lirë, kur liria u prangos nga terrori komunist!
Lufta antifashiste e shqiptarëve s’ka lidhje me 29 nëntorin 1944. Shumica e viktimave të diktaturës enveriste ishin antifashistë, mendimtarë, liberalë!
Nuk mund të retushohen kurrë më faktet historike, mbi të cilat shkruhet historia, se si diktatori i nxitur nga Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, hodhi në kosh të plehrave Konferencën e Pezës dhe Marrëveshjen e Mukjes duke nxitur luftën civile vëllavrasëse; se Enver Hoxha eleminoi jo vetëm kundërshtarët e deklaruar por edhe liderët e antifashizmës, sikur ishte Qemal Stafa me shumë të tjerë, të rinj të kulturuar e të ditur që i shihte si rrezik për pushtetin politik!
S’ka demokraci, s’ka shtet të së drejtës pa dekomunistizimin dhe distancimin me Kushtetutë nga e djeshmja kriminale e ekzekutuar nga sistemi.
Mjaft me demagjogji të nivelit kooperativist të denjë për shoqëri analfabete! Jeni qesharakë! Lerini pallavrat e aleancës të diktatorit me Perëndimin! Kur dihet se posa mbaroi lufta dhe menjëherë pas 29 nëntorit 1944, Enver Hoxha i dëboi aleatët Perëndimorë si armiq të vendit, ndërsa shqiptarët që kishin punuar me ta ose i vrau ose i rrasi nëpër burgje si tradhtarë!
E përse duhet që Shqiptarët të pranojnë 29 nëntorin si ditën e çlirimit, kur prej asaj dite liria për të cilën luftoi rinia shqiptare u burgos!
Im atë poeti Vehbi Skënderi la bangat e shkollës dhe doli partizan që 14 vjeç, ku u plagos tri herë. Idealet e tij ishin Liria, Barazia dhe Vllazëria – Liberté, Égalité, Fraternité – për të gjithë. Diktatura ia shkatërroi jetën, sikur edhe familjes së tij! Bashkëkohësit e tim eti janë gjallë dhe uroj të rrojnë e të gëzojnë jetën, por duhet të flasin; ka nga ata që duhet të kërkojnë ndjesë, por nëse e kanë gojën e rrudhur, të paktën moral të mos na bëjnë! Memecëria apo demagogjia nuk mund ta retushojnë të vërtetën, sikur i retushonte Enveri shokët e luftës që i vriste!
E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se diktatori e zgjodhi këtë datë për servilizëm ndaj Titos, si shenjë gjunjëzimi për ta kthyer Shqipërinë në republikë të shtatë të ish-Jugosllavisë!
E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se kjo datë lidhet me izolimin dhe bunkerizimin e vendin? Shqipëria në zemër të Europës dhe askush nuk dinte asgjë për të!
E përse shqiptarët duhet ta pranojnë këtë datë që solli frikë, terror, që i bëri shqiptarët spiunë, i bëri frikacakë, i dehumanizoi, i bëri të kënaqen me fatkeqësinë e vëllait, i bëri të gjithë t’i thonë amin diktatorit në vend të Zotit !
Le të bëjnë kompromis e le ta zgjedhë e majta datën e çlirimit të vendit.
Le të jetë, për shembull, 5 Maji. Dita e vrasjes së Heroit antifashist, djaloshit 21 vjeçar Qemal Stafa! Le të jetë një datë që lidhet me dinjitetin dhe sakrificat e shqiptarëve, por jo me diktatorin, as me diktaturën që mbolli ndarje, vuajtje dhe dhimbje.
Ka ardhur Momentumi që politika shqiptare të distancohet nga diktatura, jo në mënyrë retorike, por me ligje dhe rregulla ashtu si është vepruar në vendet e ish-Europës Lindore. Të dënohen krimet e regjimit enverist dhe nomenklatura e kuqe! Elita e rehabiliton veten duke deklaruar të vërtetën!
Të mos spekulohet më me kolaboracionizmin!
Po flasim për Shqipërinë dhe shqiptarët e prej 29 nëntorit 1944! Për krimet e kryera prej kësaj date të kobëshme! Nuk mbrohet dot regjimi kriminal me sulme ndaj njerëzve të vrarë, të burgosur, ndjekur apo të syrgjynosur nga regjimi komunist!
Civilizimi Perëndimor është 180 gradë ndryshe nga nazizmi, fashizmi dhe totalitarizmi stalinisto-enverian.
Shqipëria nuk mund të pretendojë të jetë anëtare e NATO-s apo të anëtarësohet në BE – kur liderët e shtetit shqiptar simpatizojnë ish-eksponentët e nomenklaturës të regjimit komunist, apo kur trashëgimtarët bilogjikë të ish-regjimit totalitar emërohen në postet më të larta të administratës publike pa u distancuar nga gjyshërit dhe etërit e tyre.
Vetëm Bashkim Shehu e ka bërë këtë. Dhe është i nderuar!
Trashëgimtarët biologjikë nuk mund të mbajnë poste në administratë pa i dënuar krimet e etërve dhe pa lypur ndjesë për viktimat e diktaturës.
Gjermania demokratike vazhdon e kërkon ndjesë për krimet e Hitlerit, edhe kur Lufta e Dytë Botërore ka gati treçerek shekulli që ka përfunduar!
Shteti i së drejtës imponon rregulla. Shteti shqiptar nuk mund të mbajë qëndrim konfondues ndaj së shkuarës diktatoriale, ku përfshihet edhe 29 nëntori 1944.
Vetë e majta shqiptare ka plot argumenta për të arsyetuar se përse kjo datë nuk përkon me atë të çlirimit të Shqipërisë. Do të mjaftonte lista e gjatë e vrasjeve të bashkëpunëtorëve të diktatorit që i likuidoi si gjatë luftës dhe për gati gjysmë shekulli!
Askush nuk mund të mohojë se 29 nëntori 1944 mbolli në Shqipëri dhe ndër shqiptarë vdekjen, përçarjen, vëllavrasjen, ndarjen, burgjet, frikën, izolimin,internimet, kampet, Gulagët, luftën e klasave, varfërinë dhe katastrofën kombëtare!