• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Luljeta Ademi: Kosova ende pa Shkollë Kombëtare të Baletit

April 13, 2021 by dgreca

Intervistoi E.B., Nju Jork /

Luljeta Ademi ka lindur më 26.04.1987 në Prishtinë, Kosovë. Ështe balerinë që nga viti 2000.  Luljeta është pjesë e gjeneratës së parë të balerinëve të shkolluar pas luftës në Kosovë dhe është njëra ndër solistet e para të Trupës së Baletit te Kosovës.

Përveç baletit ajo mëson edhe gjeneratat e reja të fëmijëve ku mban mësim në studion e baletit Pirouette dhe në British School në Prishtinë. Shkollën e mesme e përfundoi në Prishtinë në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”, dega balet. Ka përfunduar edhe fakultetin e pedagogjisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 2009.  

Luljeta Ademi e ka filluar baletin që në moshën 14 vjeçare dhe ka 20 vite që kërcen në profesionin e baletit. Në vitin 2002 u bë pjesë e Baletit Kombetar teë Kosovës. Është pjesëmarrëse në 40 shfaqje të kësaj trupe. Shfaqja e parë ka qenë “Trancion 2”. Në shfaqjen “Bukuroshja e fjetur” dhe “Carmen” në vitin 2009-2010 me koreografi të Sylvia Tomova, Luljeta Ademi u bë e njohur për performancën e saj spektakolare ku edhe pati rolin kryesor.

Luljeta Ademi ka patur rolin solistik në shumë shfaqje si Zhizel, Othelo, Dasma, Shehrazade, La Sylphide, Sisters, Don Kishoti, etj. Gjithashtu ka patur rolin kryesor në shfaqet e njohura: Bukuroshja e fjetur, Carmen, La file mal gardée dhe Stravinsky & Ravel. Në vitin 2014 ka performuar me trupën e baletit në Napoli, Itali me premierën Shehrazade dhe në vitin 2018 me shfaqen Zhizel në Bullgari. 

Kur u bëtë pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës? Si e konsideroni pjesëmarrjen tuaj në BLK?

Luljeta Ademi: Pjesë e baletit të Kosovës u bëra në vitin 2001. Pjesëmarrjen time në trupën e baletit e konsinderoj me fat që jam pjesë e saj pasi që kjo trupë është formuar pas luftës dhe me të gjitha vështirësitë e saj ka arritur të ketë një trupë profesioniste dhe të suksesshme, gjithmonë duke ju falenderuar profesorit tonë të ndjerë Ahmet Brahimaj, i cili bëri gjithçka që kjo trupë të ketë suksesin që e kemi.

Mund të na tregoni më tepër për shfaqen “Pushimi i Kalorsëve”? Cila është historia dhe roli juaj në këtë shfaqe?

Luljeta Ademi: Shfaqja “Pushimi i Kalorësve” është një shfaqje e baletit klasik që është punuar në mars të vitit 2020. Po pë fat të keq për shkak të situatës së Kovidit-19 nuk ka patur mundësi të reprizohet më shumë se dy herë. Po shpresojmë që do të kthehet së shpejti në repertorin e baletit të Kosovës. Roli im në këtë shfaqje ka qenë një vajzë e cila lufton me shoqen e saj pë të fituar dashurinë e të njëjtit burrë dhe kur e humbi ajo fillon e filtron me gjeneralin dhe kalorësit e tjerë.

Si e përshkruani jetën e një balerine në Kosovë?

Luljeta Ademi: Në kohën kur kam filluar baletin ka qenë vështirë sepse ishte periudha pas luftës dhe me iniciativë të profesorit tonë të ndjerë i cili dha gjithçka nga vetja e vet vetëm që baleti të ngritet dhe të avancohet nga dita në ditë. Mendoj që është privilegj të jesh balerinë në Kosovë ku ne jemi të vetmit balerinë që ka Kosova. Mirëpo kushtet nuk janë të mira dhe ne vazhdojmë ende të punojmë në këto kushte me shpresë që një ditë do të rregullohen dhe shteti do të punojë në këtë drejtim.

Çfarë është baleti për ju?

Luljeta Ademi: Baleti për mua është vetë jeta ime, sepse 70% të jetës ja kushtoj baletit ushtrimeve, provave, angazhimeve që i kam me fëmijet e vegjël. Nuk do e shihja veten në ndonjë profesion tjetër perveç baletit.

Ku jeni përgatitur si balerin?

Luljeta Ademi: Si balerinë kam përfunduar shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, dega balet dhe përgaditjet e mija kanë qenë gjithmonë në teatrin kombëtar me profesorin Ahmet si dhe bashkpunimi me koreograf të ndryshëm.

Si e përshkruani stilin tuaj dhe çfarë lloj vallëzimi ju pëlqen?

Luljeta Ademi: Mendoj që në baletin klasik e gjej veten më shumë. Por edhe në baletin modern neoklasik. Por më shumë më pëlqen baleti klasik sepse është i veçantë, ka rregullat e veta dhe e bën një balerinë të duket mirë në skenë në mënyrën më perfekte të mundshme.

Për cilin mentor ose profesor të baletit ruani kujtimet më të mira?

Luljeta Ademi: Profesori Ahmet ka qenë njeriu që vazhdimisht edhe pas përfundimit të shkollës dhe deri në momentet e fundit ai gjithmonë më ka motivuar. Ka qenë udhërrëfyes, profesor; ka qenë si prind për mua. Dhe sa të jetoj nuk do e harroj. Do të mundohem gjithmonë të jap më të mirën e mundshme nga vetja ime ashtu si edhe na ka mësuar profesor Ahmeti që mos të dorëzohemi asniëherë edhe përkundër sfidave që jeta na sjell. Jam me fat që në jetën time kam njohur një njeri me vlera njerëzore dhe me të gjitha virtyet që i ka poseduar profesori Ahmet. Gjithmonë falenderuese për të gjitha që ka bërë për mua dhe baletin e Kosovës.

A keni luajtur rolin kryesor në ndonjë shfaqe?  

Luljeta Ademi: Shfaqjet që kam pasur rolin kryesor janë: Bukuroshja e fjetur, Carmen, La file mal gardée, Stravinsky & Ravel. Ndërsa role solistike në shume shfaqje si Zhizel, Othelo, Dasma, Shehrazade, La Sylphide, Sisters, Don Kishoti e shumë shfaqje te tjera.

Cilat momente do veçonit në performanca jashtë vendit? Si ju kanë pritur?

Luljeta Ademi: Gjithmonë secili prezantim para publikut jashtë vendit ka pas rëndësi për mua. Mirëpo do të veçoja premierën Shehrazade, të cilën e kemi pregaditur një muaj në Prishtinë dhe premiera ka qenë në Napoli të Italisë. Ka qenë një emocion i veçantë dhe me shfaqjen Zhizel në Sveti Vllas të Bullgarisë ku ka qenë për herë të parë prezentimi jonë me shfaqje klasike. Dhe gjithmonë publiku i ka mirëpritur shfaqjet tona kudo që kemi qenë.

Çfarë konsideroni si arritjet e juaja me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?

Luljeta Ademi: Për çdo shfaqje jam krenare me veten time,dhe kontributi im nuk ka qenë vetëm si balerinë por edhe si profesoreshe e baletit për 5 vite dhe kam dhënë kontribut edhe në avancimin e gjeneratave të reja të cilat tashmë janë pjesë e baletit të Kosovës. 

Me cilën shfaqe po angazhoheni tani? 

Luljeta Ademi: Për momentin jemi në përfundim të premierës së re “Entre dos Aguas” dhe “Troy Game” ku jemi në prag të premierës e cila do të jetë me 15 prill dhe gjithçka po shkon mirë. Shpresojmë që do të japim më të mirën nga vetja secili balerin, që shfaqja të dalë në mënyrën më të mirë të mundshme. 

Përveç baletit, çfarë tjetër ju pëlqen?

Luljeta Ademi: Përveç baletit që na merr shumë kohë ne nuk kemi kohë të mjaftueshme për gjëra të tjera. Kohën e lirë mundohem t’ja kushtoj djalit tim Narit dhe ndërkohë mundohem të gjej kohë të lirë dhe të bëj ndonjë udhëtim.

Cilat janë ëndrrat e tua? 

Luljeta Ademi: Ëndrra ime ështe që të krijohet Shkolla Kombëtare e Baletit në Kosovë sepse ne nuk e kemi. Fatkeqësisht shteti nuk është duke punuar aspak në këtë drejtim. Duhet të kemi dhe shtëpinë tonë Teatrin e Operas dhe Baletit, si dhe balerinë të performojnë në një teater më të mirë dhe me hapësirë dhe kushte të cilat i meritojmë ne si trupë. Kjo ëndërr ka qenë edhe e profesorit tonë të ndjerë, Prof. Ahemti, i cili shkoi nga kjo botë duke mos iu realizuar kjo dëshirë. Shpresojmë që të kemi përkrahjen e duhur që një ditë të realizohen për të mirë të kulturës dhe artit në Kosovë. 

Filed Under: Featured Tagged With: E.B, Kosova pa Balet Kombetar, Luljeta Ademi

VATRA MORI PJESË NË PËRKUJTIMIN E 110 VJETORIT TË KRYENGRITJES SË MALËSISË SË MADHE

April 13, 2021 by dgreca

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra mori pjesë në përkujtimin dhe festimet në nder të 110 vjetorit të kryengritjes së Malësisë së Madhe. Me 6 Prill 1911 malësorët e Malësisë së Mbishkodrës me në krye plakun trim dhe atdhetar Dedë Gjon Lulin, vendosën Flamurin Shqiptar kuq e zi në Bratilë në afërsi të majës së Deçiqit. Kjo ngjarje frymëzoi jo vetëm malësorët por të gjithë shqiptarët, pasi ngritja e flamurit inspiroi popullin shqiptar në realizimin e ëndrrës shekullore të kërkuar me ngulm, atë të lirisë. Prijësit e 7 bajraqeve të Malësisë, Hot, Grudë, Kastrat, Kelmend, Shkrel, Triesh, Kojë por edhe fiset e tjera jashtë Malësisë së Madhe me ngritjen e flamurit treguan se kishin qëllime të qarta për një Shqipëri të lirë dhe autonome. Kryengritja e Malësisë së Madhe më 1911 u mbështet gjërësisht nga Malësorët e Malësisë së Mbishkodrës por nuk munguan përforcimet edhe nga shqiptarë nga Vilajete të tjera. Kryengritja e Malësisë së Madhe kulmin e saj e arriti më 23 qershor me Memorandumin e Greçës, shpalli kërkesën e autonomisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në organizimin e shkëlqyer nga shoqata Malësia e Madhe në New York me kryetar Nikoll Junçaj, morën pjesë patriotë shqiptarë nga Malësia e vise të tjera shqiptare dhe nga diaspora e Amerikës e më gjërë si dhe Këshilltari i Bashkisë së New Yorkut Mark Gjonaj, Famullitari i Zojës së Shkodrës Dom Pjetër Popaj, Ambasadori i Kosovës në Uashington Valdet Sadiku e shumë personalitete të tjera shqiptare që e bënë këtë mbrëmje të paharruar. Dr. Pashko Camaj si i deleguari i Vatrës përshëndeti të pranishmit dhe organizatorët duke sjellur edhe një herë në kujtesë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka në historinë e Shqipërisë kryengritja e Malësisë së Madhe. Kryengritja e vitit 1911 shënoi një hap shumë të rëndësishëm në organizimin e lëvizjes kombëtare. Dr. Pashko Camaj si nënkryetar i Vatrës apeloi për më shumë bashkëpunim ndërmjet shoqatave shqiptare në Amerikë dhe bashkim forcash e energjisë për të punuar e qenë bashkë kurdoherë në dobi të çështjes kombëtare. Mesazhi i trimave të kryegritjes së Malësisë është i fortë dhe aktual edhe sot. Bashkimi bën fuqinë, atdheu dhe liria mbi gjithçka janë edhe sot frymëzuese për të gjithë ne tha Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj. Kryengritja antiosmane e Malësisë së Madhe e vitit 1911, është pararendëse e Pavarësisë së Shqipërisë të cilën plaku i urtë i Vlorës Ismail Qemali e shpalli me 28 nëntor 1912. 

Filed Under: Politike Tagged With: 110 Vjetori, Dr.Pashko Camaj, Kryengritja e 1911

VATRA URON BESIMTARËT MYSLIMANË PËR MUAJIN E RAMAZANIT

April 13, 2021 by dgreca

Të dashur bashkombas të besimit Islam Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar Muajin e bekuar të Ramazanit. Zoti i gjithësisë i pranoftë sakrificat tuaja bujare. Zoti i gjithëmëshirshëm pranoftë agjërimin tuaj dhe veprat tuaja të mira. Ky muaj i shenjtë le të na shërbejë të gjithëve për më shumë reflektim, lutje, përshpirtshmëri, bujari, vepra të denja si besimtarë të devotshëm, sakrifica dhe kujtesë e kujdes ndaj të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve e të gjithë atyre që ndiejnë dhe kanë nevojën tonë. Duke dashur e respektuar njëri-tjetrin kemi dashur të madhin Zot. Ky muaj i begatë sjelltë për të gjithë ne më shumë optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe dhe dashuri për çdo shqiptar anëkënd botës. Ky muaj i shenjtë le ta afrojë sa më shumë me Zotin dhe njëri-tjetrin. I bekuar qoftë gjithmonë ai që sakrifikon në emër të Zotit. Begati, bekime dhe lumturi në jetën tuaj. 

Me respekt e gëzim 

Kryetari i VATRËS

 Elmi BERISHA

Filed Under: Opinion Tagged With: Uron Muajin e Ramazanit, Vatra

TË VOTOJMË PA TIFOZËRI T Ë SËMURË!

April 12, 2021 by dgreca

Nga Thanas L GJIKA/ Midis ne shqiptarëve bie në sy një tipar jo i mirë, madje i keq: na pëlqen vetja. Mendojmë se unë jam më i miri, unë i kam mendimet dhe shijet më të mira se të tjerët. Nuk pranojmë mendimet dhe opinionet e tjetrit si më të mira se tonat. Kjo mendësi ndikon që ne shpesh herë të shfaqemi në jetë si tifozë të tepruar. Mbrojmë me kokëfortësi një person, një ide ose një parti dhe nuk pranojmë të diskutojmë konkretisht për të mirat e të metat që ka personi, ose mendimi ynë, ose partia politike që ne simpatizojmë e mbrojmë me zjarr.

Me fjalë të tjera, një tifoz i sëmurë mund të quhet njeri me tru të shpëlarë, që nuk ha logjikë, po shprehet e vepron vetëm sipas disa idesh fikse që i janë ngulur në kokë prej kohësh dhe nuk pranon të ndërrojë mendimin e vet, nuk pranon të përqafojë të vërtetën, nuk pranon të evoluojë në përputhje me rrethanat shoqërore.

Tifozi i sëmurë është i keqi i vetes dhe i familjes, sepse ai zihet me të gjithë ata që mendojnë ndryshe. Ai do që t’u imponojë mendimin e vet të tjerëve. Këtë ves të keq e kultivuan në maksimun partitë komunistë midis anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre për të sunduat popullin sipas programeve të tyre.

Kur tifozëria prokomuniste mori përmasa globale u bë rrezik për mbarë njerëzimin, si u bë komunizmi në vitet 1921-1989, kur shkaktoi njëqind milion viktima që përkujtohen sot prej botës EuroAtlantike më 23 gusht të cdo viti.

Kurse kur tifozëria bëhet pjesë e mendësisë së pjesës më të madhe të shoqërisë brenda një vendi, ajo kthehet në një dukuri me pasoja shkatërrimtare për shoqërinë e atij vendi, si po ndodh në Shqipërinë e viteve 1991-2021. Shqiptarët në këto vite edhe pse jetojnë në ecurinë drejt demokracisë, ata kanë vijuar të votojnë të udhëhequr sipas tifozërisë së tyre të sëmurë ndaj këtij, ose atij drejtuesi partie, ose kandidatit të kësaj, ose të asaj partie. Votuesit shqiptarë nuk kanë menduar se personi për të cilin votojnë është njeri i korruptuar, njeri që është marrë e merret me drogë, të cilin e kanë votuar dhe më parë, por ky pasi ka ardhur në pushtet nuk e ka carë më kokën për premtimet që ka dhënë gjatë fushatës, por ka parë thjesht interesin e xhepit të tij dhe në parlament ose në postin që i është dhënë ka vepruar si robot i partisë që e ka emëruar.

Partia Socialiste, pasuesja e PKSh/PPSh-së, gjatë tranzicionit forcoi propgandën e fshehtë për të mbajtur grusht bashkuar pjesën besnike fanatike të ish-komunistëve dhe sigurimsave, me të cilët rimori pushtetin dhe po e mban me presione nga më të ndryshmit. Njerëzit që i kishin shërbyer sistemit të vjetër, duke mos pasur kurajo që të pranonin gabimet e krimet që kishin bërë në kohën kur ishin shërbëtorë të regjimit komunist, filluan të luftonin për ta paraqitur sistemin socialist si sistem më të mirë se sistemi i ri i ekonomisë së tregut të lirë. Këta njerëz mbas dështimit të diktaturës, u bënë tifozë edhe më të sëmurë të socializmit. Duke qenë shumicë në gjirin e klasës politike të sotme, ata e dëmtuan ecurinë e demokracisë së brishtë, mbushën partitë e reja opozitare me ish-komunistë e ish-sigurimsa dhe vijojnë t’i shërbejnë enverizmit, mbajnë gjallë nostalgjinë komuniste duke i mbajtur masat popullore të trembura e trushpëlara. Këto masa nuk e njohin ende forcën e votës së lirë.

Disa kuadro socialistë dalin në shtyp e në televizion dhe guxojnë të thonë pas tridhjet vjetëtësh nga dështimi me turp i sistemit komunist se në atë kohë ishim më të nderuar se sot, se ai regjim kishte më shumë të mira se të këqia.

Brenda në Shqipëri median kryesore e manipulon krahu i majtë socialist, kështu që atje ka shumë pak njerëz që punojnë për të kthjelluar popullin nga tifozëria e sëmurë prosocialiste. Ka rrezik që edhe më 25 prill 2021 votuesit shqiptarë t’ua japin votën po shërbëtorëve të enverizmit, prej të cilëve kanë vuajtur 75 vjet, të cilët quhen socialistë pa qenë eurosocialistë, ose demokratë e republikanë, pa qenë demokratë e republikanë të vertetë.

Zgjedhjet e popullit shqiptar në Kosovën kreshnike na treguan se shpëtimi vjen nga zgjedhja e njerëzve të përndjekur si Albin Kurti, Vjosa Osmani, vajza e heroit Isuf Gërvalla, etj. Pra na treguan se pjesa më e mirë e popullit përbëhet nga bijtë e familjeve të përndjekura dhe jo nga familjet e ish-komunistëve dhe sigurimsave, të cilët i tërheq për hunde klani i fshehtë Hoxha-Alia me në krye Edi Ramën, Gramos Rucin, Spartk Brahon, etj.

Populli ynë duhet të clirohet nga tifozëria e sëmurë dhe në zgjedhjet e 25 prillit të votojë kandidatët që janë bij të familjeve të përndjekura. Nga ana tjetër të përndjekurit pas këtyre zgjedhjeve duhet të jenë më aktivë dhe të bashkohen kudo ku jetojnë brenda e jashtë Shqipërisë për të forcuar partinë e tyre ashtu si punoi dhe Z. Albin Kurti për forcimin e partisë së tij Vetvendosja. Nëse kandidojnë në partinë e të përndjekurve intelektualë të shquar si Visar Zhiti, Jozef Radi, Spartak Ngjela, Romeo Gurakuqi, Robert Martiko, etj mendoj se populli shqiptar do t’i votonte me qejf sepse këta me jetën dhe veprat e tyre gjatë diktaturës dhe pas saj kanë treguar se mund të kryejnë me moral të lartë larg korrupsionit cdo detyrë që mund t’u ngarkohet qoftë si Kryeministër (J. Radi), President (V. Zhiti), Kryetar i Gjykatës Kushtetuese (S. Ngjela), Ministër Kulture (R. Martiko), Ministë Arsimi (R. Gurakuqi), etj.

ReplyForward

Filed Under: Opinion Tagged With: TË VOTOJMË, Thanas L. Gjika

KARDINALI ERNEST SIMONI, MARTIRI I GJALLË I KOMBIT SHQIPTAR

April 12, 2021 by dgreca

65-vjetori i Meshtarisë dhe mesazhi i tij për zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri/

SHKRUAN: FRANK SHKRELI/

Në një bisedë në 65-vjetorin e meshtarisë së tij me Radio Vatikanin në gjuhën shqipe, Kardinali shqiptar, Ernest Simoni përshëndeti mbarë Kombin shqiptar duke thenë: “Si popull me bujari, me dinjitet kombëtar, me Gjergj Kastriotin në krye, të mundohemi që të gjithë të bashkohemi në një harmonizim fjale, mendimi e veprimi, lutjeje, përshpirtërimi, dashnije, për paqë, buzqeshje e lumturi për të gjithë popullin, para të Madhit Zot, në forcën e Tij hyjnore që ka me kenë dritë e dhënë prej qiellit, me pa të gjithë diellin që do shëndrit të gjithë popullin, në rast se na përshëndesim të Madhin Zot e lutemi…”. Me ketët rast, Kardinali shqiptar ofroi bekimin e tij drejtuar Shqiptarëve kudo që janë, duke thenë: “Zoti Kjoftë me ju! Bekimi i Hyut të gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirtit Shejtë, qoftë gjithmonë në zemrat tuaja! Rrnoftë Populli Shqiptar, Rrnoftë Shqipënia!”

Radio Vatikani në gjuhën shqipe njoftoi se Kardinali shqiptar Ernest Simoni — i mbijetuari i burgjeve dhe internimeve të regjimit të egër komunisto-ateist të Enver Hoxhës – festoi, javën që kaloi, 65-vjetorin e meshtarisë.  Ka qenë 7 prilli i vitit 1956 atëherë kur Dom Ernest Simoni është shuguruar meshtar nga Imzot Ernest Çoba, ish-Arkipeshkvi i Shkodrës, i cili me një heroizëm të pashoq, vdiq edhe ai vet nën tortura mizore në duar të xhelatëve komunistë të burgut të Tiranës, në Janar të vitit 1980.

Fatin e Imzot Çobës dhe të qindra klerikëve të tjerë në fillim të regjimit komunist due më vonë e pësoi edhe prifti i ri në atë kohë, Don Ernest Simoni – sot Kardinali i parë shqiptar – i cili kaloi tre dekada të jetës së tij në burgjet dhe kampet e internimit komunist të regjimit të Enver Hoxhës.  Kalvari i Don Ernest Simonit nisi në prak të Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet nga komunistët si “armik i popullit”, ndër të tjera akuza, sepse kishte kremtuar një meshë pëkujtimore – siç është traditë e Kishës Katolike kushtuar të vdekurëve – për shpirt të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili ishte vrarë në Dallas të shtetit Teksas vetëm disa muaj më parë.  Si përfundim, Don Ernest Simoni arrestohet, burgoset, internohet, dërgohet në punë të detyruara, përfshir handrakët e Shkodrës dhe në miniera.  Besoj se Kardinali Ernest Simoni të jetë i vetmi klerik katolik shqiptar ende i gjallë i cili u mbijetoi torturave, burgjeve, kampeve të internimit dhe në përgjithësi barbarizmave që regjimi komunist i Enver Hoxhës kreu mbi klerikët shqiptarë të tre feve në përgjithësi — një barbarizëm që ishte veçanërisht brutal ndaj Kishës Katolike Shqiptare dhe përfaqsuesve të saj, siç ishte Don Ernest Simoni, në veçanti.  Kardinal shqiptar, mund të jetë i vetmi ndër klerikët katolikë të atij brezi të zhdukur nga Enver Hoxha, i cili “Rrnon ende për të tregue”.

Jo se nuk dihej kjo e vërtetë, por u bë edhe më e qartë me shembjen e Murit të Berlinit dhe me lirimin e disa prej klerikëve që për fatin e tyre e tonin kishin mbetur ende gjallë “për të tregue”.  Klerikë si Kardinal Simoni dhe At Zef Pllumi, i cili me veprën e tij, “Rrno për me Tregue”, rrëfimet rrënqethëse të vuajtjeve të klerikëve katolikë shqiptarë dhe shumë të tjerëve.  30-e ca vjet më parë dhe me ndryshimet historike anë e mbanë botës ish-komuniste në Evropë, përfshir Shqipërinë enveriste, këto tregime u bënë të mundura dhe u botuan, pasi diktaturat dhe diktatorët, përfshir monumentet e tyre po ç’rrënjoseshin dhe po groposeshin, përfshir Shqipërinë. 

Dom Ernest Simoni lirohet në vitin 1990, njëkohësisht filluan të hapeshin kishat e xhamitë.  Shqipëria nuk ishte më vendi i parë dhe i vetëm ateist në botë, sipas kushtetutës së diktaturës të vitit 1967 – “diktaturës kushtetuese”, siç e quajnë disa edhe sot në Shqipëri duke justifikuar pjesëmarrjen due mbështetjen e tyre ndaj atij regjimi sikur diktatura komuniste ishte e interesuar të zbatonte kushtetutën.  Me ndryshimin e sistemit, ushtrimi i fesë u bë i lirë përsëri, u hapen kishat e xhamitë, ato që kishin mbetur pa u rrënuar nga regjimi komunist i pa Zot dhe i pabesë.  Dom Ernest Simoni rifillon apostolatin e tij fetar e meshtarak në shërbim të Zotit dhe besimtarëve, të cilëve për pothuaj një gjysëm shekulli u ishte mohuar e drejta e ushtrimit të fesë në publik, megjithëse ka pasur shumë shqiptarë të guximshëm që e kishin ruajtur traditën e tyre fetare gjatë komunizmit, megjithëse mund ta pësonin keq po të diktohej një gjë e tillë nga regjimi komunist. 

Ndërkaq, pas vizitës historike të Papa Gjon Palit të II në Shqipëri me 25 prill, 1993 — në shtator të vitit 2014 Papa Françesku bëri vizitën e tij apostolike në Shqipëri që ishte edhe e vizita e pare e tij në një shtet të kontinetit evropian.  Gjatë asaj vizite Papa Françesku u takua me Dom Ernest Simonin dhe dëgjoi dëshmitë mbi vuajtjet e tija nën regjimin komunist. Nga takimi me priftin e vuajtur shqiptar, Papa Françesku mallëngjehet deri me lotë dhe emocionohet dukëshëm nga tregimi i vuajtjeve të Dom Ernestit në burgjet komuniste, sa që e përqafon vëllazërisht të mbijetuarin e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një fotografi kjo shumë domethenëse e që në atë kohë u transmetua anë e mbanë botës nga mediat ndërkombëtare.  Dy vjet më vonë, më 2016, Papa Françesku i akordon Dom Ernest Simonit titullin më të lartë administrativ e fetar – atë të kardinalit të Kishës Katolike – një titull nderi ky, pasi Dom Ernest Simoni e kishte treguar me vepra se kishte qenë gati të jepte edhe jetën për fenë e tij si dhe për lirinë dhe paqën e popullit të vet.

Kardinali Ernest Simoni megjithse i shkuar në moshë (93-vjeç) — edhe në këtë 65-vjetor të meshtarisë — vazhdon të jetë i interesuar për gjendjen aktuale të shqiptarëve, për të mirën e popullit të vet, për lirinë, paqën dhe mirëqenjen e bashkkombasve të tij në Shqipëri dhe kudo që janë ata.  Në këtë frymë vëllazërore dhe baritore, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – me rastin e 65-vjetorit të meshtarisë së tij – përcolli nepërmjet radio Vatikanit në gjuhën shqipe — këtë porosi të gjithë atyre që me 25 prill do të hedhin votën e tyre për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, duke thenë:

 “Po afrohen zgjedhjet. Zgjedhjet janë (shprehje) e vullnetit të lirë të popullit. I një populli të pjekur që kërkon dashuri, paqë, vëllazërim, mirësi e begati, për të gjithë. Secili mendon që me hedhë votën e vet, zgjedhjen e vet për njerëzit që janë vërtetë, gëzimi i popullit. Çdo deputet që do të zgjedhet do të konsiderohet prej popullit në rregull, si një babë i dytë që përpiqet të zgjidhë vështirsitë që ka në anën jetësore due ekonomike, me gjetë vende pune, me u interesu për edukatën e tyre, me ndejtë larg mëkatit, për të kriju nji shoqëri plot vëllazënim dhe nji buzëqeshje në zemër e në sytë e tyne, ashtuqë kur të shohin deputetët, të jetë si me pa njeriun më të dashur të tyre.  Kjo ashtë fjala e Zotit dhe u shkoftë në veshë të gjithëve”, porositi votuesit shqiptarë, Kardinali Ernest Simoni.

Kardinalit shqiptar Ernest Simonit i urojmë 65-vjetorin e meshtarisë dhe jetë të gjatë në shërbim të fesë dhe të Atdheut. Komunizmi dhe komunistët shqiptarë – atëherë dhe sot — mund t’i kenë konsideruar si fitore të përhershme të komunizmit shiqptar dhe atij ndërkombëtar, shtypjet dhe shfarosjen e klerikëve katolikë dhe të feve të tjera, në përgjithësi. Atyre nostalgjikëve të komunizmit shqiptar dhe mbështetsëve të tyre – të cilët janë prononcuar kohët e fundit se “Komunizmi ishte në anën e duhur të historisë” dhe se “komunizmi kishte më shumë të mira se këqia”, dua tu them që të gjejnë rastin e të flasin me Kardinal Ernest Simonin sa është gjallë e ndoshta mund të marrin një përspektivë tjetër për të “mirat e komunizmit”, për të cilat ata flasin.   Mbrojtja ose heshtja ndaj krimeve të shqiptarit kundër shqiptarit gjatë periudhës komuniste, mbetet një njollë kombëtare e cila nuk do të zhduket për derisa personalitete të larta të politikës shqiptare nuk përfillin zërin brendshëm të ndërgjegjes së vet dhe as interesat kombëtare. 

Por, e keqja kurrë nuk mbizotëron mbi të mirën, përjetësisht.  Siç është shprehur me një rast — kolegu dhe bashkvendasi im i nderuari Prof. Sami Repishti, edhe ky vet e familja e tij viktima të komunizmit dhe të fashizmit – se, “Njeriu i përket Zotit dhe si i tillë është përgjegjës ndaj ndërgjegjës së vet, atij zëri të fuqishëm brenda vetes tonë i cili na lavdëron dhe na qorton, por që është një zë që nuk mund të shuhet.  Natyra e tij shpirtërore dhe fuqia e tij e pamposhtur janë baza e bindjeve tona se ekziston vetëm një fitore, e vërteta, se e mira fiton gjithmonë mbi të keqën.”  

Jeta dhe vepra e Kardinal Ernest Simonit – megjithë vuajtjet e tmershme të tija dhe vrasjet e qindra bashkvëllëzërve të tij të pafajshëm klerikë, vetëm e vetëm, se kishin një mendim ndryshe ndaj imponimit me force të komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik mbi shqiptarët – na tregon sot se ndonëse pak me vonesë dhe pas humbjeve të mëdha, më në fund e mira gjithmonë fiton mbi të keqen.  Lavdi viktimave të pafajshme të komunizmit shqiptar – këtyre rrezeve të qytetërimit shqiptar!

                                    Papa Françesku përqafohet në Katedralën e Shën Palit  në Tiranë me Dom Ernest Simonin gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014 –L’Osservatore Romano via EPA)

                           Gjashtë vjet sot nga nga vizita e Papa Françeskut në ShqipëriNga vizita e Papa Françeskut në Tiranë, 2014 dhe takimi me Kardinalin Ernest Simonin

         See the source image  See the source image  Kalvari i Don Ernest Simonit nisi në prak të Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet nga komunistët si “armik i popullit”, ndër të tjera akuza, sepse kishte kremtuar një meshë pëkujtimore – siç është traditë e Kishës Katolike kushtuar të vdekurve – për shpirt të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili ishte vrarë atë vit në Dallas të Teksasit.

See the source image

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Kardinal Ernest Simoni, Kardinali Ernest Simoni, Martir i Gjalel, Martir i gjalle

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 117
  • 118
  • 119
  • 120
  • 121
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT