


Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by dgreca



by dgreca
Thaçi nuk ndalet-Editorial në „Financial Times“/

Shkruan: Hashim Thaçi, President i Republikës së Kosovës*/
Këtë vit Kosova festoi 10 vjetorin e pavarësisë së saj. Është kohë e përshtatshme për festë dhe reflektim për popullin tonë dhe aleatët tanë. Kosova është një demokraci e re, e qëndrueshme dhe e begatë, që synon të bashkohet me BE-në dhe NATO-n si shumica e fqinjëve dhe partnerëve të saj. Por, rruga përpara është e gjatë dhe e mbushur me pengesa.
Ne besojmë që Kosova është treguar një partner i besueshëm ndaj BE-së. Ne i ndajmë të njëjtat qëllime. Jemi angazhuar në mënyrë aktive në dialog me Serbinë, një proces që unë jam krenar që e udhëheq për shumë vite. Atyre që u kujtohen luftërat e tmerrshme të viteve 1990, do ta kuptojnë rëndësinë e kësaj përpjekjeje. Kosova ka qëllime dhe pritshmëri të qarta nga përpjekjet tona për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu duhet ta çojë Kosovën dhe Serbinë drejt njohjes formale të ndërsjellë dhe marrëdhënieve të plota diplomatike me njëra-tjetrën. Kosova duhet të ketë një rrugë të qartë, të barabartë dhe të papenguar të anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB.
Kosova do ta ruajë sistemin e tanishëm politik si një republikë unitare. Ajo është efektive në integrimin e të gjitha komuniteteve dhe siguron se ata mund të udhëheqin jetën e tyre të përditshme. Ne nuk do të shqyrtojmë eksperimente që do të bënin rrëmujë nga rendi kushtetues.
Deri sa Kosova dhe Serbia të zgjidhin dallimet e tyre, ne nuk do të jemi në gjendje t’i bashkohemi BE-së. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme për mua që të arrijmë një traktat ligjor të detyrueshëm të paqes me Serbinë. Njerëzit e Kosovës do të kenë një të ardhme më të ndritur dhe më të mirë si pjesë e familjes së madhe euroatlantike.
Për Kosovën nuk ka alternativë ndaj anëtarësimit në BE dhe NATO. Ne nuk kemi një Plan B, as nuk jemi duke e kërkuar një të tillë. Dritarja e mundësisë për të arritur marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është e hapur, por ajo është duke u zvogëluar. Potenciali për të tjerët për të përfituar nga vakumi dhe paqartësitë është i madh. Për këtë arsye unë jam angazhuar sërish me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për të kërkuar në mënyrë aktive zgjidhje kreative që do të sjellin një marrëveshje të drejtë dhe përfundimtare. Ne kemi nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme që mbulon dy dallimet aktuale dhe pikat potenciale të konfliktit të ardhshëm. Ne nuk do të pranojmë marrëveshjet e përkohshme apo vazhdimin e status quo-s.
Një çështje tensioni mbetet kufiri midis dy vendeve tona. Është shkruar shumë për këtë javëve të fundit. Disa prej tyre edhe gjëra të panevojshme nxitëse. Dëshiroj të qartësoj këtu diçka. Historia e Ballkanit nuk është ajo e marrëveshjeve, por e mosmarrëveshjeve. Ne kemi një shans për të ndryshuar këtë kurs.
Ashtu siç i kemi vendosur kufijtë tanë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, çdo marrëveshje përfundimtare me Serbinë do të duhet të adresojë kufijtë tanë shtetërorë. Duke vepruar kështu, ne besojmë se çdo korrigjim kufitar duhet të bazohet në parimet e forta të ligjeve ndërkombëtare dhe vlerave tona të përbashkëta.
Së pari dhe më kryesorja, një korrigjim kufitar nuk duhet të bazohet në parimin e ndarjes etnike. Ne nuk duam të ndajmë dy popujt tanë. Është e panevojshme të thuhet se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të shoqërohet me garanci të forta për mbrojtjen e vazhdueshme të të drejtave të të gjitha komuniteteve që mbeten në vendet tona përkatëse, duke përfshirë ruajtjen e monumenteve fetare.
Së dyti, ne nuk po kërkojmë të krijojmë kushtet për ndryshimin e kufijve kudo në rajon, si shembull me Shqipërinë, pavarësisht asaj që disa thonë. Kosova kurrë nuk ka qenë precedent. Ajo do të mbetet si një rast Sui Generis. Kosova dhe Serbia janë shtete sovrane. Ligji ndërkombëtar i lejon shtetet sovrane të përcaktojnë kufijtë e tyre, siç ato e shohin të arsyeshme, dhe vendimet tona nuk kanë asnjë ndikim ndaj ndonjë shteti tjetër.
Aktualisht, tensioni mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i lartë. Historia e BE-së tashmë ka treguar se kufijtë e rënë dakord së bashku me një vizion të përbashkët të një të ardhmeje paqësore dhe bashkëpunuese mund t’i bëjnë kufijtë shtetërorë më pak të rëndësishëm. Ne duam që ky model të funksionoj edhe për ne. Një kufi i pranuar reciprokisht, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë përfundimtare, do t’i lejojë Kosovës dhe Serbisë të hedhin themelet për një marrëdhënie më të hapur dhe një të ardhme më paqësore.
*Ky editorial i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është botuar në „Financial Times“.
by dgreca

Nga Angelo Panebianco/“Corriere della Sera”/

Pёrktheu pёr Diellin:Eugjen MERLIKA/
I drejtohemi mё shumё shёmbёllesave historike kur kohёt turbullohen, kur shkimen pikat e referimit tё zakonshёm, ato qё mё parё pёrdornim pёr tё ndёrpretuar botёn. Kёrkohen, nё historinё e shkuar, çaste e gjendje tё krahasueshme, pёr aq sa ёshtё e mundur me rrethanat e pranishme, me shpresё tё gjindet njё busull qё tё na ndihmojё neve tё drejtohemi. T’a zёmё se Steve Bannon, ish ortaku i Donald Trump-it e teoriku i nacional – populizmit, dhe mendimi i tij (ai qё shumёve prej nesh na duket njё distopi, njё utopi e keqe) pёr njё Evropё tё rihedhur nё garёn mes Shtetesh, plotёsisht sovranё, do tё fitojnё. T’a zёmё se nё zgjedhjet e ardhёshme pёr Parlamentin evropian do tё vёrtetohet fitorja e madhe zgjedhore e nacional – populistёve. T’a zemё se do tё rritet kushtёzimi i ushtruar mbi qeveritё gjermane nga Alternativa pёr Gjermaninё, njё lёvizje kundёr tё huajve (dhe kundёr Evropёs), sot partia e tretё nё Bundestag, qё nё Francё rёnia e pёlqimit popullor pёr Macron-in do t’a bёjё pёrsёri tё besueshme sfidёn lepeniste, qё n’Itali do tё ngulin rrёnjё nacional – populistёt, sot nё fuqi, e qё lёvizje tё tilla do tё vazhdojnё tё fuqizohen gjithandej. Bashkimi Evropian, larg kalimit tё krizёs sё sotme, do tё kishte pak mundёsi tё merrte vehten. Le tё pёrfytyrojmё , sё fundi, se lidhjet ndёr – atllantike (edhe pёr shkak tё ripohimit tё njё mandati tё dytё presidencial tё Trump-it, mbas dy vitesh), do tё vazhdojnё tё dobёsohen.
Nёse gjithshka u tha mё sipёr do tё sendёrtohej, cilёs hyllёsie historike duhet t’i drejtohemi pёr t’u rrekur tё kuptojmё gjendjen e re evropiane? Mund tё kuturisim qё nё kёtё rast Evropa do tё gjindej nё kushte tё krahasueshme me ata tё Italisё nё gjysmёn e parё tё Pesёqindёshit: nё harkun e kohёs qё shkon nga 1494, vit i zbritjes nё Itali tё mbretit tё Francёs, Karli VIII, deri nё 1559, viti i traktatit tё paqes tё Cateau – Cambrésis. Gjatё gjithё asaj periudhe, me pushime tё shkurtёra, Franca e Spanja (Franca dhe Perandoria Habsburge nёn Karlin V, nga 1519 deri nё 1556,) luftuan pёr kontrollin e Italisё. Sherret mbaruan mё 1559 me ngadhnjimin e Spanjёs, qё siguroi mbizotёrimin, nga Mbretёria e Napolit nё Milano, nё njё pjesё tё mirё tё Gadishullit.
Italia mbas 1494 ishtё bёrё tokё e lakmuar nga fuqitё evropiane sepse kishte dy karakteristika (qё i gjejmё edhe n’Evropёn e sotme): ishte e pasur nё burime ekonomike dhe nё prestigj dhe ishte politikisht e copёtuar, e ndarё nё Shtete shemra, tё paaftё tё formonin njё front tё pёrbashkёt kundёr orekseve t’atyre fuqive. Nё njё vepёr klasike kushtuar “Historisё sё republikave italiane” mё 1832, historiani dhe ekonomisti Sismondi shkruan: “Nё fund tё shekullit XV zotёrinjtё e kombeve francez, gjerman e spanjol u tunduan nga begatia e mrekullueshme e Italisё, ku grabitja e vetёm njё qyteti u premtonte atyre herё herё mё shumё pasuri se sa mund t’i xhvatnin miliona vartёsve. Me pretekstet mё tё kota ata mёsynё Italinё e cila, nё dyzet vite lufte, herё pas here u shkatёrrua nga gjithё ata popuj qё mundёn tё depёrtonin nё tё. Grabitjet e kёtyre barbarёve tё rinj shkaktuan zhdukjen e begatisё qё i kishte joshur ata ”.
Le tё mbajmё parasysh tani rastin e njё Evrope “tё shprishur”: fundi i hegjemonisё sё Shteteve tё Bashkuara, fundi i integrimit evropian, kthim i plotё nё Evropёn e Shteteve kombёtare tё pa lidhura – siç kanё qenё deri tashti – nga ajo hegjemoni dhe nga ai integrim. Tё pёrfytyrojmё gjendjen mё ngjyrё trёndafili, njё skenar nё tё cilin tё mos jenё tё pranishme, nё ndryshim nga çfarё ndodhi nё Italinё e Pesёqindit, kundёrshtitё e armatosura (edhe se e dijmё se gjatё kufirit mes Vendeve tё Natos dhe zonave tё ndikimit rus, shpejt a vonё mund tё shpёrthejnё pёrplasje tё rёnda). Evropa gjithsesi do tё jetё tokё e lakmuar e fuqive tё mёdha. E para qё do tё pёrfitonte nga rёnia e hegjemonisё amerikane dhe ndalimi i njёhershёm i integrimit evropian, natyrisht do tё ishte Rusia (e cila, sё bashku me disa miq tё saj evropianё, po punojnё me zell pёr atё pёrfundim). Do tё synonte tё zёvendёsonte Shtetet e Bashkuara nё rolin e lordit mbrojtёs t’Evropёs. “Asgjё e keqe” thonё ata qё nuk kuptojnё se çfarё pasojash do tё kishte mbi shoqёrinё nё tё cilёn bёjnё pjesё e mbi vetё jetёt e tyre, kalimi nga hegjemonia e njё fuqie demokratike e liberale nё atё tё njё Shteti iliberal. Merrni me mend: ekspertёt e Rusisё mendojnё se Putini ёshtё mё i miri qё gjindet nё sheshin e atyre anёve. Pasuesit e tij, pёr pjerrje autoritare dhe prirje imperialiste, do tё jenё me gjasё, mё tё kёqinj.
Por Rusia nuk do tё kishte fushё tё lirё. Do tё haste pengesa nё veprimin e tё tjera fuqive tё mёdha. Edhe se politikisht tё kufizuar, jo mё nё gjёndje tё ushtrojnё njё hegjemoni tё pakundёrshtueshme, Shtetet e Bashkuara, sigurisht nuk do tё braktisnin krejtёsisht fushёn: do tё kёrkonin gjithsesi tё kundёrshtonin trysninё ruse mbi Evropёn. Pastaj ёshtё Kina me synimet e saj perandorake, rruga e re e Mёndafshit, e gjithshka tjetёr me investimet e saj tё mёdha jo vetёm nё Azi dhe nё Afrikё, por edhe nё Mesdhe e n’Evropё.
Evropa e pasur dhe e ndarё do tё bёhej pre (tё shpresojmё sё paku, paqёsore) e garёs ndёrmjet fuqive tё mёdha tё sotme. Nё njё Evropё tё ndarё do tё rindizeshin shumё shemёri, deri tani (mbas 1945) vetёm tё fashitura: ndoshta kundёrshtia e fortё mes Italisё dhe Francёs mbi Libinё paralajmёron njё fazё tensioni ndёrmjet evropianёve pёr çёshtjet mё tё ndryshme. Nga ana tjetёr, rifillimi i tensioneve do tё lehtёsonte, kryesisht nё Vendet evropiane mё pak tё fuqishme, lindjen e grupeve partiake ose tё rrymave tё partive, tё lidhura me fille dyfishe me njёrёn apo tjetrёn fuqi tё madhe rivale. Nuk po zemё nё gojё faktin qё nё njё Evropё tё ndarё, dhe tokё mёrgimi nga Lindja e Mesme, do tё shtoheshin akoma mё tepёr prania dhe aftёsia e ndikimit tё ndonjё fuqie (autoritare) tё asaj zone.
Elitat europeiste apo kozmopolite qё mendonin se n’Evropё Shteti kombёtar tashmё ishte tejkaluar, kanё bёrё gabime tё mёdha. Kanё lehtёsuar kundёrveprimin sovranist. Evropa duhet tё mbajё parasysh gjallёsinё kёmbёngulёse tё Shteteve kombёtarё. Por evropianёt qё pёsojnё yshtjen e kushtrimit nacional – populist duhet tё dijnё mirё se çfarё çmimi do tё paguajmё tё gjithё, nёse ai projekt do tё sendёrtohej.
“Corriere della Sera”, 24 shtator 2018 E pёrktheu Eugjen Merlika
by dgreca




Të Mërkurën, 26 Shtator 2018, Editori i Diellit, priti në VATËR një mysafir të veçantë, Gjeneral Xhavit Gashi, i pari Atashe ushtarak i FSK-së në Washington, i cili tashmë është konsull i Republikës së Kosovës në shtetin IOWA të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shtet me të cilin Kosova ka marrdhënie shumë miqësore dhe është e binajkëzuar. Zoti Gashi shoqërohej nga Avni Gecaj, djali i biznesmenit të njohur, njëkohësisht anëtar i këshillit të Vatrës, Rrustem Gecaj.
Mysafiri u njoh me Historinë e Vatrës dhe të gazetës së saj Dielli, u ndal para fotografive dhe dokumenteve arkivore të rrugëtimit 107 vjecar të Vatrës dhe shprehu kënaqësinë që vizitoi këtë tempull të shqiptarizmit më shumë se një shekullor në SHBA. Ai shkroi në librin e vizitorëve:” Ndjehem i nderuar që mu dha rasti të vizitoj selinë e Vatrës. Falenderim i vecantë për Editorin që më spjegoi në detaje historikun e Vatrës, histori që realisht është vetë historia e Shqiptarëve të Amerikës, histori edhe e shtetit shqiptar, rol të cilin e ka luajtë Vatra për disa vite, kur shteti shqiptar ishte i vdekur, sic thoshte Konica. Kjo histori na bën krenarë, vecanërisht urëlidhja mes Kombit Amerikan dhe atij Shqiptar, që ndërmjetëse kanë pasë Vatrën. Vatra është një shembull se si i ruan këto vlera të përbashkëta. Faleminderit Vatrës”….
by dgreca

– KOMUNITETI SHQIPTAR NE NJU JORK E RRETHINA BËRI HOMAZHE PRANE ARKIVOLIT TE SE NDJERES ROSE KARAGJOZI(PESHKEPIA)/
Mbrëmë, 26 Shtator 2018, nga ora 6.00 P.M-9.00 P.M, komuniteti shqiptar dhe ai amerikan, bënë homazhe pranë arkivolit të së ndjerës Rose Karagjozi(Peshkepia) në Shtëpinë Mortore”Dalton Funeral Home” në Floral Park, Nju Jork.
Familja Karagjozi, djemtë Zudi e Shpëtim, vajza Angel, mbesat dhe nipërit, kushërinj e miq të familjeve Karagjozi dhe Peshkëpia , u ngushëlluan edhe nga shumë vatranë.
Një grup që përbëhej nga zv.Kryetari Agim Rexhaj me zonjën Laura, anëtari i Kryesisë së Vatrës Zef Balaj, ish nënkryetari Asllan Bushati, editori i Diellit Dalip Greca, ngushëlluan në emër së Kryesisë së Vatrës.
Vatra dërgoi një kurore të vecantë në nderim të së ndjeres.
E ndjera do të varroset sot, ditën e enjte, 27 Shtator 2018. Ceremonia e varrimit nis në orën 11 e 30 A.M deri në 1 e 30 P.M.