• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PËR DISKUTIMIN E KUFIJVE KOSOVË – SËRBI

September 3, 2018 by dgreca

1-Thanas

Shkruan: Thanas L. GJIKA/

Këto ditë po diskutohet problemi i korrigjimit të kufijve midis shtetit të Kosovës dhe shtetit të Sërbisë. Po marr guximin edhe unë të shpreh shkurt mendimin tim:

Ideja e krijimit të shteteve kombëtarë në Gadishullin e Ballkanit ku të përfshihen gati gjithë territoret ku flitet gjuha e popullit të tyre, më duket ide e drejtë. E them këtë sepse popujt e Ballkanit janë larg nga mendësia e tolerancës europiane. Ideja e krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan shpie tek krijimi i një shteti kombëtar Shqiptar në Ballkanin Perëndimor, një shteti Sërb në Ballkanin Qendror, një shteti Bullgar në Ballkanin Perëndimor. Pra nuk ka pse të krijohen dy shtete shqiptare dhe një Maqedoni ku shumicën e përbëjnë Bullgarët e Shqiptarët.

Nëqoftëse shtrimin dhe zgjidhjen e problemit të krijimit në Ballkan të shteteve kombëtare e marrin përsipër ShBA-të dhe BE-ja, atëhere nuk ka pse të shqetësohemi dhe nuk ka pse ta kundërshtojmë.

Bashkimi me shtetin e Kosovës i Luginës së Preshevës ku shqiptarët përbëjnë shumicën dhe bashkimi me shtetin e Sërbisë i Mitrovicës së Veriut ku sërbët përbëjnë shumicën, siguron paqen midis këtyre dy shteteve dhe nuk e dëmton Kosovën. Puna është që ky proces të shpihet deri në fund, pra deri tek krijimi i shtetit kombëtar Shqiptar, shtetit kombëtar Sërb dhe shtetit kombëtar Bullgar.

Fjalët se Mirovica e Veriut përbën “zemrën e Kosovës”, ose pasurinë e saj më të madhe, etj, nuk duhet të na shqetësojnë, ato janë fjalë e asgjë tjetër.

Begatinë e një shteti dhe të banorëve të tij nuk e sjellin pasuritë nëntokësore, e mbitokësore, as fushat e gjera dhe as brigjet e bukura të deteve. Begatinë e një shteti dhe të banorëve të tij e krijojnë njerëzit, sidomos qeveritarët me punën e tyre. Nëse një shtet e drejtojnë njerëz të ndershëm dhe atdhetarë, ai shtet dhe populli i tij jetojnë në begati e paqe. Nëse një shtet e drejtojnë njerëz të pandershëm dhe jo atdhetarë, ai shtet dhe populli i tij jeton në varfëri. Shëmbujt janë të shumtë, por unë po ju sjell vetëm një:

Populli i Zvicrës, popull i një shteti të vogël me shumë male me pak fusha e pak minerale, dhe pa bregdet, jeton në begati; kurse populli i Rusisë, popull i një shteti të madh me fusha të gjera, plot pasuri minerale e brigje të shumta detare, jeton në varfëri. Për të njëjtat arsye jetojnë në begati si populli i Zvicrës edhe populli i Belgjikës, Hollandës, Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë, etj. Dhe po për këto arsye jetojnë në varfëri si populli i Rusisë dhe populli i Indisë, Meksikës, Kongos, etj.

Pra dhe populli i Kosovës në ditët tona dhe ai i Shqipërisë së bashkuar nesër, si dhe ai i Sërbisë së sotme dhe ai i Sërbisë së bashkuar nesër, do të jetojnë në begati e paqe nëqoftëse do të drejtohen nga burra shteti atdhetarë e të ndershëm dhe jo se do të kenë nën qeverisje edhe këto ose ato krahina.

Popullit shqiptar nuk i duhen disa shtete, por një shtet i vetëm kombëtar ku të përmblidhen sa më shume territore ku shqiptarët përbëjnë shumicën. Ekzistenca e shtetit të Kosovës si shtet shqiptar i pavarur, ishte një zgjidhje e përkohëshme derisa t’i mbushej mendja klasës politike të shtetit Sërb se Kosova nuk ishte pjesë e Sërbisë. E tani që u kuptua se për shtetin Sërb është më mirë të bashkojë teritoret ku populli Sërb përbën shumicën dhe të mos pretendojë më për Kosovën dhe Luginën e Preshevës, problemi i bashkimit në një shtet shqiptar i trojeve ku populli shqiptar përbën shumicës merr rrugën e zgjidhjes.

Në rast se Kosova pasi të lëshojë Mitrovicën e Veriut dhe të marrë Luginën e Preshevës, do të vijojë të jetë shtet i pavarur, lind problemi: shqiptarët e Maqedonisë do të jenë minoritet i shtetit Shqiptar të Shqipërisë apo minotitet i shtetit Shqiptar të Kosovës?

Zgjidhje më e mirë dhe paqesjellëse është bashkimi i Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës në një shtet dhe shkrirja e shtetit të Maqedonisë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë së bashkuar. Përderisa shqiptarët e ballkanit Perëndimor, që sot jetojnë të ndarë në disa shtete luftuan kundër pushtuesit osman dhe shtetit Sërb me një flamur të përbashkët, flamurin e Gjergj Kastriotit, do të thotë se ky popull duhet të krijojë një shtet kombëtar nën këtë flamur. Zgjidhjet e tjera janë afatshkurta… 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Kosove-Serbi, PËR DISKUTIMIN E KUFIJVE, Thanas L Gjika

LARG DUART NGA KOSOVA E KOSOVAREVE!

September 3, 2018 by dgreca

“Kosova i ka kufijtë e vet, me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Ne i respektojmë këto kufij dhe nuk mendoj se duhet ndonji kreativitet i ri për rishikim të tyre, por duhet të respektojmë kufijtë që kemi.”( KM i Kosovës, Ramush Haradinaj)/

1-Sami-Repishti1-240x300

Shkruan:  Sami Repishti, PhD./

 Ridgefield,CT.- Sot, Republika e Kosovës sime zien nga nji kercënim që synon coptimin e saj, rrjedhim i nii “fantazie” me perspektiva të pa parapame për të ardhmen e saj. Akoma e pa forcueme mirë si “shtet” në arenën ndërkombëtare, aksione që rrezikojnë të tashmen e brishtë dhe të ardhmen e pa sigurtë, në Kosovë kryhen me lehtësi adoleshenti, akte që sfidojnë nji rrezik të pa aftë me u kontrollue.

Thirrjet e fundit që kanë marrë tone histerike kanë hjedhë botën kosovare në qendër të nji stuhie që ka prekë edhe botën e jashtëme. E papranueme akoma në OKB-në si anëtare me të drejta të plota, as në Bashkimin Europian si kandidate për anëtarsim, kryesisht si rezultat i mosnjohjes si shtet i pavarun nga pesë anëtarë me të drejtë veto të BE-së, as në organizata tjera ndërkombëtare që plotësojnë mangësitë e pavarësisë së plotë, njeriu ka përshtypjen se Kosova sot vetë-lëkundet pa llogaritë përfundimin e aksionit të saj: ndryshim, modifikim, korrigjim kufijsh me Republikën e Serbisë, nji fenomen negativ që nga viti 1877 me përfundime gjithmonë në dam të hapësinës tokësore të Kosovës! Kryministri Haradinaj ka të drejtë. Deklarata e masipërme tregon përgjegjsi politike!

Megjithate, nji takim në mes të dy presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, që promovojnë idenë e ndryshimeve kufitare ashtë planifikue të mbahet me 7 shtator 2018, në Bruksel, Belgjikë. Para se të gjindemi përballë nji “fakti të kryem” duhet të veprojmë vendosmënisht dhe me shumë kujdes! Duhet të mobilizohemi, të gjithë!

Në vitin 1990, KM Gjermanisë, Helmut Kohl, ndertoi argumentin për riunifikimin e Gjermanisë si “…shprehje e vullnetit të popullit”, nji akt që inkurajoi shqiptarët e Kosovës, dhe serbët e Krajinas me kerkue shtete të lira dhe të pavaruna. Me 2 korrik 1990 Kosova shpalli Deklaratën e Pavarësisë. Me 7 shtator 1990, Kuvendi i Kosovës deklaroi Republikën e Kosovës shtet i lirë e i pavarun.

Momenti historik për “territorin e Kosovës” ka qenë data 13 mars 1991. Parlamenti i Europës kaloi nji Rezolutë ku thuhej:”…republikat konstituente dhe krahinat autonome të Jugosllavisë duhet të kenë të drejtën (“must have the right”) me përcaktue lirisht të ardhmen e tyne me mënyra paqësore, dhe demokratikisht, “në bazë të kufijve të njohun ndërkombëtarisht si dhe të kufijve të mbrendshëm” (“on the basis of recognized international and internal borders” (Clause 8)(Theksi i im.SR).

Referenca për kufijtë e mbrendshëm në veçanti, sugjeron se parimet e Helsinki Final Act (1975) do të aplikohen edhe për kufijtë e republikave dhe krahinave autonome gjithashtu (paprekëshmënia e kufijve). Ky vendim me randësi, dhe referenca e Helsinki-t nenkuptojnë mosndryshimin e kufijve ekzistues, nji qendrim që bani të mundun formimin e Republikës së Kosovës ma vonë në të gjithë hapësinen e territorit të ish “Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”(KAKM). Fakti që në qershor 1999, Serbia u tërhoq nga i gjithë territori i ish KAKM-së, tregon randësinë e madhe të këtij parimi ndërkombëtar. Për ma tepër, asnji pllambë toke jashtë Kosovës nuk ashtë marrë me dhunë ose manovrime politike e marrëveshje të mshehta. Kosova ka fitue pavarësinë e saj si rezultat i shtypjes së patolerueshme serbe, dhe përpjekjeve të shumanëshme të popullit të saj, të njohuna ndërkombëtarisht.

Fatmirësisht, qendrime të këtilla u banë të mundëshme për hir të ndryshimit të klimës politike botënore, dhe europiane veçanërisht. Hapat e mëdha të ndërmarrun nga Fuqitë Aleate në ngritjen e strukturës ndërkombëtare të mbasluftës parashikuen nji botë ma të lirë, ma paqësore, dhe ma të zhvillueme ekonomikisht. Bota e Versaille-s kishte vdekë njiherë e përgjithmonë. Mbas Kartës së OKB-së për ruejtjen e stabilitetit dhe paqës (1945), u aprovuen edhe dokumentë të tjerë si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (1948), dy Konventat për të Drejtat Politike dhe Ekonomike (19 dhetor 1966), themelimi i Europës së Bashkueme, Akti Final i Helsinki-t (1975), Karta e Parisit (1980) e tjerë instrumentë që u përdorën në ndertimin e botës së mbasluftës. Me shkatërrimin e strukturës shtetnore artificiale të ish Jugosllavisë, u mundësue përpunimi i dispozitave me frymë ma liberale dhe sidomos ma të drejta. Nga këto zhvillime përfitoi edhe “problemi” i Kosovës dhe avancimi i tij drejt pavarësisë së plotë (17 shkurt 2008) në territoret e njohuna ndërkombëtarisht.

Me 25 shtator 1991, “UN Resolution 713, bashkë me thirrjen për armëpushim në Jugosllavi dha mbështetjen e plotë përpjekjeve të Bashkësisë Europiane, tue përfshi edhe pozitën e saj të marrun mbi mosshkeljen e kufijve republikanë dhe krahinorë”. (Susan Woodward). Me 3 tetor 1991, përfaqsuesi i Bashkësisë Europiane (EC) van der Broeck dhe Lordi Carrington, pranuen, inprinciple,nji plan paqe që nisej nga koncepti “konfederacion”, dhe parashikonte pavarësinë eventuale për të gjitha republikat që e dëshirojnë. Me 15 tetor 1991, u vunë tri kondita për njohje të pavarësisë:

1)garanci për të drejtat e minoriteteve, përfshi edhe status special për disa regjone.

2)Asnji ndryshim kufitar arbitrarisht.

3)Pjesëmarrje në negociata mbrenda Konferencës së Paqës mbi krijimin e nji aleance shtetesh të pavaruna e sovrane (që nënkuptonte pavarësia e shteteve individuale të njihet vetëm në kuadrin e nji marrëveshje të përgjithshme).

Ndërkaq, OKB-ja  pranonte gjykimin e Komisionit Badinter të BE (EC) se doktrina legale e utis possidetis (“mbaj atë që zotnon”) zbatohet edhe për kufijtë embrendshëm të Jugosllavisë (Theksi i im SR) – “nji referencë që, jshte situatave koloniale, u përdorue për Kosovën për të parën herë .” (Marc Weller)

Në shtator 1994, kemi nji situate ma të komplikueme. Mbas kërkesës nga ana e kroatëve të Bosnjes dhe Hercegovinës me u “konfederue” me Kroacinë, ministri i jashtëm francez, Alain Juppe, deklaroi se nuk shihte nji arsye përse edhe serbët e Bosnjes dhe Krajinas të mos konfederohen me Serbinë. Ky qendrim rezultoi në reagimin e shpejtë të presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me 9 shtator, 1994, se shqiptarët gjithashtu kanë të drejtën me u konfederue me Shqipërinë. Ai deklaroi: ”Në rast se marrëdhanjet konfederale të serbëve boshjakë legalizohen, atëherë na menjiherë do të kërkojmë marrëdhanje të njillojta me Shqipërinë” njoftonte Borba,Bilëtin Vesti,10 shtator 1994 (citue nga Susan Woodward). Nga qeveria  komuniste shqiptare nuk erdhi inkurajim!

Dy aspektet themelore të problemit të Kosovës -pavarësia dhe integriteti territorial- po merrshin drejtimin e duhun: pozita e Kosovës si njisi politike dhe njisi territoriale në vete, priste momentin për njohjen ndërkombëtare të kësaj situate. Ky moment erdhi në vitin 1999 kur bashkësia ndërkombëtare, nën udhëheqjen e SHBA-së vendosi të jap fund agresionit dhe shtypjes serbe në Kosovë me ndërhymje ushtarake. Në qershor, me hymjen e trupava aleate në Kosovë, rruga për konfirmimin legal të gjendjes së krijueme për nji Kosovë të lirë e të pavarun ishte e hapun. Aspektet legale të problemit dhe pozita e Kosovës u konfirmuen me dokumente të njimbasnjishëm dhe përfunduen me Planin Ahtisaari, akti i fundit që solli pavarësinë e Kosovës me 17 shkurt 2008, mbrenda kufijve te njohunndërkombëtarisht.

*****

Ashtë nji situatë inkurajuese kur shohim se që nga dita e parë e deklaratës së Presidentit Thaçi për ndryshim/shkembim territorial me Republikën e Serbisë, nji numër i konsiderueshëm studjuesësh, nga të gjitha trojet shqiptare, filluen shqyrtimin e kësaj ideje në përgjithësi me dyshim dhe frikë. Arsyeja ashtë e thjeshtë. Kosova sot ma shumë se kurr ma parë ashtë nji ‘problem “gjithëshqiptar”, i pandashëm dhe shumë sensitiv. I ndermarrun me inisiativen e Presidentit Thaçi, ndryshimi/korrigjimi i kufijve shtetnorë të dy shteteve europiane ashtë “nji çeshtje europiane”, aq ma shumë për dy vende që aspirojnë anëtarsimin e tyne në Europë.

Simbas Kushtetutës së Kosovës:

“Neni 1/3- Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnji shteti ose pjese të ndonji shteti. (Në këte rast ndaj shtetit fqinj të Serbisë.SR)

Neni 2- Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës ashtë i pacenueshëm, i patjetërsueshëm (me ndryshim/shkembim. SR), dhe i pandashëm, dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktueme me këte Kushtetutë dhe me ligj.”

Çdo republikë parlamentare, ashtu siç ashtë edhe Republika e Kosovës, ka faktorin e vet stabilizues: Parlamentin, i vetmi organ i zgjedhun lirisht nga “sovrani” (populli i Kosovës). Funksjonarët e “shtetit” – ose pushteti ekzekutiv- janë parimisht qytetarë të aftë, profesionistë, të besueshëm, dhe të ngarkuem me zbatue ligjët e aprovueme nga Parlamenti. “Korrigjimet/ndryshimet e kufijve” nuk ashtë prerogativë e tyne, dhe ata që shkelin ligjin, përgjigjen para Gjykatave të pavaruna. Kështu vepron nji shtet demokratik!

Në takimin e fundit të mbajtun në Vjenë nga Ministrat e Jashtem të Bashkimit Europian, 30 gusht 2018, me ata të vendeve kandidate për anëtarsim, ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas quejti “të gabuara” idetë e ndryshimeve të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Ne mendojmë se kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra dhe së këndejmi jemi shumë skeptikë” u tha ai gazetarëve. (Zëri i Amerikës) Kështu deklaruen edhe ministrat e Luksemburgut, Finlandës, Austrisë. Edhe Britania e Madhe e kundërshton nji shkëmbim të këtill. Ndërsa, Shefja e politikës së jashtëme europiane, F.Mogherini, tha se do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk çon në “krijimin e shteteve etnike”. Nji qendrim i këtill ashtë  diametralisht i kundërt me ate të Presidentit serb, A. Vuçiç,  se “ndarja ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vija etnike” ashtë pikësynimi i tij.

Përsëri, kundërshtimi i KM Haradinaj erdhi menjiherë dhe i plotë: ai ritheksoi kundërshtimin e tij ndaj ideve për korrigjim kufijsh e shkembim territoresh, nji qendrim që Presidenti i Kosovës, H.Thaçi e cilësoi si “disa individë të caktuar po tentojnë të krijojnë panik dhe paqartësi…”. Z. Haradinaj shtoi: “Kosova ka paguar nji çmim të shtrenjtë për paqën që kemi sot dhe nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm….Njohja reciproke dhe paqja e qendrueshme duhet të jetë rezultati i vetëm kredibël nga kjo marrëveshje. Diskutimi për shkembimin e territoreve …krijon pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqën në Kosovë dhe rajon”. Para nji situate të këtillë, “partitë opozitare synojnë që me 4 shtator të mbajnë nji séancë të jashtëzakonshme të Parlamentit ku do të hidhet për miratim një rezolutë që, si thuhet, ‘i ndalonpresidentit dhe kujdo tjetër tënegociojë për terësinë territoriale të Kosovës’.”(Zëri i  Amerikës, 31 gusht). Çdo shqiptar duhet të përkrahë këte qendrim!

Qendrimi i dy fuqive të mëdha del nga deklaratat e perfaqësuesve të tyne. Shkurtimisht: në se dy palët arrijnë nji marrëveshje, ata nuk do të sjellin pengesa.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh: “Dialogu Serbi-Kosovë ashtë ndertuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes dhe stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin europian të dy vendeve. Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur. Çdo devijim nga ky realitet, përveç se provokon emocione dhe retorikë populiste nuk sjellë dobi. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i njohur dhe i pranuar tashmë nga shumica bindëse e vendeve anëtare të OKB-së. …Pavarësia e Kosovës ka qenë një nga investimet më të mëdha dhe të suksesshme të BE-së dhe të SHBA-së në Ballkan… Çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve, jo vetëm do të cenonte stabilitetin e rajonit, por do të vinte në rrezik edhe frymën e parimet e BE-së.”

Eksperti britanik për Ballkanin, Paddy Ashton, shqetësohet se nji ndryshim i kufijve Serbi-Kosovë do të lehtësojë mundësinë e bashkimit të të gjitha zonave të banueme nga serbët në nji shtet të vetëm serb. Deklaratat e KM serb Vuçiç se dëshiron “ndamjen e serbëve dhe shqiptarëve” gjithashtu kanë këte synim: formimin e shtetit etnik serb. Nji qendrim i tmerrshëm, nji zgjidhje që rrezikon çdo kohë paqën në Ballkan.

*****

“Në mes të serbëve dhe shqiptarëve pothuejse nuk ka komunikim. Kur të kalojë breznia e tashme kosovare që u rrit nën Jugosllavi, shqiptarët do te komunikojnë me ne, në gjuhën angleze. Në Prishtinë në vitin e parë të hapjes së fakultetit të sllavistikës në universitetin lokal, nuk u rregjistrue njeri. Në Serbi, askush nuk mëson gjuhën shqipe, as edhe kur kishim ‘Vëllaznim-Bashkim’. Praktikisht na nuk njohim njeni tjetrin” shkruen Zeljko Pantelic, në Vjesnik on line, me 30.VIII.2018).

Këte dëshiron KM serb Vuçiç: anmiqsi të përjetëshme, frikë e pasiguri!

Qendrime të këtilla tallen me idenë e europianizimit të Ballkanit. E kaluemja e hidhët e këtij kontinenti u përshtatet ma shumë sepse u lejon me grabitë tokët e të tjerëve- zakonisht të vendeve ma të vogla; shqiptarët e dinë mirë këte eksperiencë!-dhe me krijue shtete që i përngjasin “imperatorive” mesjetare të Car Dushanit…..

Për fat të mirë, koha ka ba punën e vet, dhe Europa me gjithë “gabimet” e së kaluemes, ka hy në nji fazë të qendrueshme përparimi, paqje dhe stabiliteti, e mbështetun në respekt reciprok, dhe në respektimin e të drejtave të njeriut në të gjithë kontinentin. Idetë e renesancës dhe të humanizmit e frymëzojnë!

Ideja e “europianizimit” të vendeve tona ashtë forma ideale e përparimit në të ardhmen tonë. Shqiptarët, kudo që banojnë, duhet ta përshëndesin dhe ta përkrahin. Për mendimin tim, ashtë e vetmja e ardhme që premton për ne dhe për breznitë tona .

Le ta përqafojmë!

   Me 5 shtator 2001, ish Ambasadori amerikan në Tiranë, William E.Ryerson shkruente këte Letër: “ …Pa dyshim, merita për çlirimin e Kosovës i takon Sekretares (së Shtetit) Albright, që pati urtësinë me përkrahë ate që ishte e drejtë si dhe aftësisë saj me bindë “boss-in” (Presidentin Clinton) dhe kolegët e tij me veprue e jo me u kufizue në deklarata pa efekt. Megjithate, ajo nuk do të dilte me sukses sikur ju, dhe të tjerë si ju, të mos kishin shpenzue vite të gjata sidomos me edukimin e publikut amerikan dhe, akoma ma me randësi me edukimin e udhëheqësve tonë (amerikanë) mbi problemin serioz që paraqiste shtypja serbe në kurriz të shqiptarëve të Kosovës.

    Ju keni të drejtë me qenë kryenalt për të gjithë sukseset e jueja. Jo, ju nuk i keni arrijtë vetëm këto suksese; por, unë dyshoj në se pa përpjekjet e jueja të gjata, udhëheqsit politikë amerikanë do të kishin veprue ashtu si vepruen.

    Sinqerisht i jueji, William E. Ryerson, ish ambasador i SHBA-së në Tiranë”

( Letter, to: Prof. Sami Repishti).

Ashtë me këte frymë që shkruej unë sot këto rradhë në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Kosovë: nji dashuni e sinqertë për “Nanën Kosovë” – nji vëlla për motër e vëlla!

———————————————————————————————————-

(Në vitin 2003, autori ashtë dekorue nga i ndjeri Dr.Ibrahim Rugova, President i Republikës së Kosovës, me “Medaljen e Artë -125 vjetori i Lidhjes së Prizrenit)

———————————————————————————————————-

Filed Under: Opinion Tagged With: Larg duart nga Kosova, Prof. Sami Repishti

FAMILJA CUBI CELEBROI FESTEN E SHEN TEREZES

September 3, 2018 by dgreca

1 dom Pjetri OK
1 a Marjani flet1 agim
1 valle1 Tav dom Pjetri1 dalip

Familja e Marjan Cubit ne Nju Jork organizoi mbremjen e se Dieles me 2 Shtator 2018 ne restorantin East WoodManor Festen e Shen Nene Terezes. Si çdo familje katolike familja Cubi ka pase festuar Shenjtin e krahines, sipas tradites te te pareve te vet. Tash qe Nena Tereze eshte shpalle Shenjtereshe, ne zgjodhem Shen Terezen per Shenjt, tha z. Cubi per gazeten Dielli.
Z. Cubi e ka takuar Nene Terezen ne te gjalle te sak, ka preker veren dhe bamitresite e sak, ka shkuar edhe ne Kalute sebashku me bashkatdhetare te tjere per t’i dhêne Lamtumiren. ka shkuar ede ne Vatikan kur u shenjterua… Eshte Shenjti qe ka bere aq shume per te varierait e te gjithe botes, por dhe Shenjti qe ia ngrit aq shume emrin Kombit tone.
Bekimin e Festes e ka bere famullitari i Kishes Zoja e Shkodres Dom Pjeter Popaj, i cili pasi foli per figuren e Nene Terezes, e vleresoi organizimin e Festes se Shen Terezes nga Familja Cubi.
Marjan Cubi ka falenderuar dom Pjetrin dhe pjesmarresit qe iu pergjigjen Fteses se Tij. Me pas ai ka treguar perse zgjodhi qe ai dhe Familja e Tij, vllaznia dhe mqiesia, nga ky vit e pas te celebroje si feste te tyre Shen Nena Tereze. Ne emer te Vatres ka pershendetur zv/Kryetari Agim Rexhaj. Permes kengeve dhe valleve festa ka vazhduar deri ne oret e vona…

(Per me shume do te lexoni ne Diellin e printuar, me hume fotografi shini ne Facebook)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Familja Marjan Cubi, Festa e Shen Terezes

HAVEL-KOMUNIST I MIRE ESHTE KOMUNISTI I VDEKUR

September 2, 2018 by dgreca

3Pellumb-Lamaj-300x199Nga Pellumb LAMAJ/

Ne romanin MORTAJA E KUQE nobelisti amerikan John Steinbak pershkruan ngjarjet e viteve njezete-tridhjete ne USA kur agjentet e Moskes te infiltruar ne shoqerine amerikane propagandonin komunizmin dhe tentonin te benin revolucion e te percanin shoqerine amerikane.Ata viheshin ne krye te turmave dhe benin thirrje per terror kundra pronareve te fermave duke hedhur idene e shkaterrimit te tyre.Dhe kur turmat e lara trush fillonin te prisnin,digjnin e shkaterronin c’do gje ,ata fshiheshin dhe ja mbathnin duke i lene turmat ne doren e policise.Dhe i madhi Steinback shkruante; ‘Ja pse une nuk e di se deri ne c’pike duhet besuar nje i kuq’
Ka kaluar nje shekull dhe duket se historia po perserit veteveten por kete rradhe jo nga agjente te fshehur, por nga politikane qe ne emer te barazise kerkojne t’u lajne trute masave e te bejne kariere ne kurrizin e tyre.
Sistemi kapitalist nuk eshte i perkryer, por duke e krahasuar me sistemin me barbar qe ka njohur historia njerezore komunizmin qe deshtoi me turp e gjak, natyrisht qe eshte me i pranueshmi e me i suksesshmi dhe une mendoj se edhe keta politikane cilitdo qofshin do te deshtojne me turp ne perpjekjet e tyre mashtruese qe kane si qellim vetem interesin e tyre personal.Historia ka treguar se politika amerikane,kur vjen puna per interesa kombetare eshte nje dhe vetem nje dhe propagandat e mediave qe duan te shesin lajmet s’jane gje tjeter vecese shashka qe do te shuhen shpejte.
Eshte e vertete se pas renies se murit te turpit te Berlinit dhe shembjes se sistemit komunist shumica e komunisteve ja mbathen ne perendim me parate e popullit dhe u shndruan ne kapitalist, por ne shpirt mbeten po ata.Nuk thone kot se c’del nga macja do te gjuaj minje.Une mendoj se aresyeja kryesore qe kjo specie qe ka lindur te haje veteveten nen devizen mashtruese te barazise e qe vazhdon te bej propaganden e saj, qendron ne faktin se perendimi jo vetem nuk beri nje gjyq te dyte te Nurembergut per krimet e komunizmit qe ja kaluan qindra here krimeve te nazizmit,perkundrazi ju hapi dyert dhe pse jo ju beri dhe privilegje.Por privilegjet me te medha ishin per perendimin dhe kjo nuk ishte rastesi.Kapitalizmi s’ka miq ,as armiq por vetem interesa dhe kete e shpreh hapur.Ne aspektin moral dhe ate te vleres i fituar doli perseri kapitalizmi qe i beri komunistet te vine ne shtepine e tyre dhe natyrisht te lepijne ate qe peshtyne per gjysem shekulli.Dhe natyrisht ne aspektin kryesor te kapitalizmit,kjo jashteqitje komuniste erdhi ne perendim me shumice marramendese kapitali te vjedhur dhe i fituar doli perseri kapitalizmi.Oligarkia e vjeter komuniste qe errdhi ne perendim ngordhi pa e realizuar enderren per ndertimin e internacionales komuniste mbi germadhat botes se vjeter kapitaliste.I njejti fund i pret dhe pjellen e tyre .Komunist i mire eshte komunisti i vdekur HAVEL

Filed Under: Komente Tagged With: KOMUNIST I MIRE ESHTE, KOMUNISTI I VDEKUR HAVEL, Pellumb Lamaj

Diskursi serbisht me ambasadorët i presidentit të Republikës së Kosovës!

September 2, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Kur Kosova shpalli pavarësinë më 2008-ën, kryeministri Thaçi i atehershëm deklaroi me mburrje se “brenda tre muajve shtetin e Kosovës do ta njohin më shumë se 100 vende”! Ndërsa dje në një takim me ambasadorët e Qutintit në Prishtinë pohoi se “BE-ja nuk arriti ta krijojë konsensusin për ta njohur shtetin e Kosovës”, duke e fajësuar Brukselin për korrupsionin dhe paaftësinë e zotit Thaç për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Entusiasmi i tij i para dhjetë viteve tashmë është shndërruar në një bumerang, të cilin kërkon ta shkarkojë te faktorë të tjerë. Pas kësaj presidenti me ambasadorët vijoi të përsërisë të njëjtat deklarata të homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq, se “është koha për marrëveshjen e madhe, historike mes dy shteteve”, se “nuk mund të kthehemi prapa”… , se “As ne as Serbia nuk kemi kohë për të humbur”, se “ngecja dhe pritja në zgjidhjen e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë është thirrje për tensione, për destabilizim, për probleme të mëdha, jo vetëm në mes nesh, por edhe në mbarë rajonin”. Më pas për të fshehur intrigën tha se “Do t’iu them shumë sinqerisht: Kosova si shtet, si politikë, si shoqëri, është lodhur nga ngecja në procesin e konsolidimit të brendshëm dhe atë ndërkombëtar” dhe radhiti tetë arësye pse duhet nënshkruar marrëveshja e ndryshimit të kufijve me Serbinë. Ndër këto aresye ai përmendi dëshirën e tij “për marrëveshje të përhershme me Serbinë, për normaliziin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke të të dy shteteve”, që “Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, OSBE-së, NATO-s”, që “të krijohet mundësia e “korrigjiit të kufirit” midis dy vendeve”, që “të shënohej fundi i konfliktit dhe jo rifillimi i tij” dhe që “të ketë stabilitet në rajon e Kosova të forcojë finjësinë e mirë me shtetet kufitare”. Në tri pikat e fundit Thaçi u dha abasadorëve “garanci” se “pas ndarjes së Kosovës do të ruhet karakteri shumëetnik i shtetit dhe do të respektohen të drejtat e pakicave”, se “do të ruhet trashëgimia religjioze dhe kulturore serbe në Kosovë” dhe se “do të ecet përpara në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar”. Në fund ai e mbyll infon e tij me konstatimin se “gjithë ky proces bart në vete rreziqe të panjohura të shumta. Por nuk ka rrezik më të madh për ne si Kosovë, sesa të vazhdojmë të qëndrojmë kështu në një gjendje pezull si shtet dhe si shoqëri”. E riprodhova deklaratën e zotit Thaçi, pavarësisht se lexuesit janë të njohur me të, për të ballafaquar idetë e tij me ato të Aleksandër Vuçiq. Nëse dikush do të kërkojë në google deklarimet dhe fjalimet e presidentit të Serbisë, do të shohë se ai i ka shprehur në mënyrë të përsëritur të njëjtat “argumente” dhe pohime, si edhe ato të Hashim Thçit dje, çka do të thotë se presidenti i Kosovës i merr tashmë të gatshme fjalimet e tij nga Beogradi, përmes koordinatorit të këtyre lidhjeve, Baton Haxhiut dhe ia transmeton publikut shqiptar. Ndërkohë, fjalime si këto redaktohen në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë, me qëllim që propaganda serbe te shqiptarët të bëhet më perfide, më e pranueshme dhe diplomatët e huaj të intrigohen nga diskursi, pa mundur të shihet përtej retorikës propagandistike në linjën Tiranë-Prishtinë-Beograd. Kjo retorikë vetëm se nuk u lansua në gjuhën serbe, por nuk pati asnjë ndryshim nga tezat e Beogradit. Gjithçka na kishte shkuar në mendje, por që presidenti i Kosovës të bëhet papagall i programeve serbe të ndarjes së Kosovës dhe t’i lutet bashkësisë ndërkombëtare që ta pranojë këtë prjekt, kjo nuk ishte parë e dëgjuar as nga kuislingët në kohë pushtimesh! I marrshin të keqen Mustafa Krujës, Mehdi Frashërit dhe Xhafer Devës, të cilët nga stani hoxhist e Stalinist i Thaçit dhe Ramës etiketohen si “kolaboracionistë”! Nëse këta bashkëpunuan me fashizmin, e bënë këtë për të zgjeruar territore dhe jo për të shitur një pjesë të atdheut të tyre! Hashim Thaçi është shndërruar në një kavie eksperimentale e politikave të Beogradit dhe Moskës, me qëllim që ta realizojë objektivin e Serbisë e të Rusisë për daljen në Adriatik. Atë që Pashiçi nuk mundi ta bënte më 1912-1913-ën, pra krijimin e kushteve të daljes së Serbisë në Adriatik, po e bën sot vetë presidenti i asaj që tashmë vetëm në letër quhet Republika e Kosovës, i ndihëmuar nga kryeimnistri i Shqipërisë, Edi Rama! Dhe kjo në kundërshtim me kushtetutën e vendit, në të cilën thuhet shprehimmisht: “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”. (Neni 1, Pika 2 e kushtetutës së Reublikës së Kosovës). Në anën tjëtër ambasadorët mbajtën shënim deklarimet e kopjes së Vuçiqit në Prishtinë, por është e sigurt se ata kuptojnë që “zgjidhja” e ofruar nga dy presidentët siamezë” nuk ofron paqe e stabilitet, përkundrazi rikthen konfliktet në rajon dhe kërcënon vetë Bashkimin Europian. Edhe Hitleri kur pushtonte një vend, kishte retorikë paqen. Në këtë rast mund ta kuptojmë Vuçiqin, por është paradoksale sjellja e njëjtë e presidentit të Kosovës! Tirae, me 02.09.2018

Filed Under: Politike Tagged With: Diskursi me ambasadoret, Enver Bytyci, Presidenti Thaçi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1287
  • 1288
  • 1289
  • 1290
  • 1291
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT