• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” Promovohet në Prishtinë

November 7, 2017 by dgreca

1 faik-konica-dritehijet-e-nje-diplomatiPRISHTINË, 7 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/ Libri “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati”, i autorit Agron Alibali, promovohet nesër në mesditë Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në Amfiteatrin e Madh.

Libri bazohet në arkivën e legatës shqiptare në SHBA, në tërë praktikën diplomatike dhe konsullore të legatës së Konicës dhe konsullit Prifti në Boston dhe në arkiva të tjera në SHBA.Libri “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” është nderuar me çmim nga Federata Panshqiptare VATRA – THE HEARTH dhe është përuruar më parë në Bibliotekën e Kongresit në SHBA dhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, etj,,thekson ftesa për promovimin./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: “Faik Konica - Dritëhijet e një Diplomati”, Promovohet në Prishtinë

PROFILI I NJË DIPLOMATI

November 7, 2017 by dgreca

1 Wess_Mitchell_250_1KUSH ËSHTË DIPLOMATI I RI AMERIKAN QË DO TË MERRET ME PUNËT E EVROPËS DHE TË EUROAZISË?/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në një deklaratë për medien ka njoftuar muajin që kaloi se ai është Dr. A. Wess Mitchell, i cili me 12 tetor bëri betimin duke filluar detyrën e tij të re si Ndihmës Sekretar i Shtetit me përgjegjësi për zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me 50 shtete të Evropës dhe Euroazisë si edhe me organizatat shumë-kombëshe, siç janë Aleanca ushtarake NATO, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja.  Në këtë detyrë, Dr. Mitchell zëvendëson ish-ambasadoren Victoria Nuland e cila kishte shërbyer në atë detyrë nga shtatori i vitit 2013.

1 Ndihmes sekretariNe Foto:  Gjatë ceremonisë së betimit në detyrën e re të Dr. Wes Mitchell në Stejt Departmentin Amerikan, në prani të familjes së tij dhe të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z.  Rex Tillerson/

Në njoftimin e (DASH) për emërimin e tij në detyrën e lartë diplomatike thuhet se para se të fillonte nga detyra e re në Departamentin Amerikan të Shtetit muajin që kaloi, si përgjegjës për zbatimin e politikës së jashtme amerikane në Evropë dhe në Euroazi, Dr. Mitchell ka punuar për 12 vjetë pranë entit të studimeve dhe çështjeve evropiane të quajtur “Center for European Policy Analysis”, si bashkthemelues i këtij enti, ndërkohë që ka shërbyer edhe si President i tij nga viti 2006 deri më 2017, kur u emërua në detyrën e lartë të Departamentit të Shtetit.   Vlen të përmendet se në atë ent të quajtur në anglisht “think tank”, punon edhe Janusz Bugajski, një njohës i mirë i çështjeve evropiane, përfshirë, Shqipërinë dhe Kosovën dhe i njohur nga bota shqiptare për ananlizat e tij të thella dhe komentet pikante mbi çështjen shqiptare në Ballkan.

Dr. Mitchell ka luajtur rolin kyç në drejtimin e këtij enti të njohur akademik dhe politik, me zyra në Washington dhe në Varshavë të Polonisë.  Ai ka shërbyer gjatë viteve në një numër bordesh dhe institutesh të njohura amerikane dhe evropiane, përfshirë, “The Zbigniew Brzezinski Institute for Geostrategy”, “The Slovak Atlantic Commission”, “The Prague Center for Transatlantic Relations”, “Atlantic Initiative Berlin” dhe “The Alexander Hamilton Society”.   Dr. Mitchell është gjithashut edhe autor i shumë artikujve dhe raporteve mbi marrëdhëniet transatlantike dhe mbi sigurinë ndërkombëtare.   Veprat e tija janë përkëthyer në 10-gjuhë të huaja, ndërkohë që artikujt e tij janë botuar në gazetat më të njohura amerikane dhe ndërkombëtare.   Dr. Mitchell është edhe autor i dy librave mbi gjeopolitikën dhe pret që librin e tretë ta botojë vitin që vjen, thuhet në njoftim të DASH.   Dr. Mitchell është doktoruar në Shkencat Politike në institutin “Otto Suhr Institut für Politikwissenschaft at Freie Universität” në Berlin të Gjermanisë dhe masterin e ka nga “Center for German and European Studies, Georgetown University’s Edmund A. Walsh School of Foreign Service” në Washington DC.   Ndër gjuhë të huaja flet gjermanishten dhe ka studiuar gjuhën çeke dhe holandeze, thuhet në profilin e tij.

Dr. A. Wess Mitchell, Ndihmës Sekretar Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë

Ditët e fundit, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi gjithashtu se me të marrë detyrën e re të Ndihmës Sekretarit Amerikan për Punët Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Wess Mitchell, pa humbur aspak kohë, u nis të martën për në Evropë për të vizituar një numër kryeqytetesh të rëndësishme evropiane, me qëllim, sipas njoftimit, “për të nënvijuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës sonë transatlantike dhe ndaj partneritetit tonë” me vendet e evropiane dhe euroaziatike.   Thuhet se Ndihmës Sekretari i ri Amerikan i Shtetit do të vizitojë, gjatë dy javëve të ardhëshme, Brukselin, Parisin,Londrën, Berlinin, Varshavën dhe Kievin.

Njoftohet se në Bruksel, Dr. Mitchell do të takohet me zyrtarë të lartë belgë për të biseduar mbi një seri çeshtjesh bilaterale, ndërkohë që me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel do të shqyrtojë sfidat e përbashkëta globale, ndërsa me zyrtarë të NATO-s, pritet të theksojë angazhimin e përbashkët për ruajtjen e sigurisë, duke u përballut me kërcënimet dhe sfidat aktuale me të cilat përballen Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Paris, pritet që, sipas njoftimit në fjalë, zyrtari i lartë amerikan të zhvillojë bisedime me përfaqsues të lartë të qeverisë dhe të shtetit francez mbi një numër çështjesh me rëndësi të sigurisë globale dhe humanitare, përfshirë Iranin, Sirinë, Korenë e Veriut dhe Afrikën.   Gjatë qëndrimit të tij në Londër ai do të takohet me udhëheqës të lartë britanikë për bisedime që kanë të bëjnë me çeshtjet që janë pjesë e “marrëdhënieve të veçanta” midis dy vendeve në fushën ndërkombëtare dhe bilaterale, ndërsa në Gjermani, diplomati amerikan do të zhvillojë bisedime me zyrtarët më të lartë të Berlinit, gjithashtu për një numër çeshtjesh bilaterale dhe ndërkombëtare, përfshirë Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Në Varshavë, thuhet se përfaqsuesi i lartë diplomatik amerikan do të marrë pjesë në celebrimet me rastin e Ditës së Pavarësisë së Polonisë, ndërkohë që do të takohet edhe me përfaqsues të lartë të qeverisë polake, me udhëheqës të shoqërisë civile, si dhe me përfaqsues të biznesit amerikan në atë vend.   Ndalesa e fundit e turneut të Z. Wes Mitchell në Evropë dhe Euroazi do të jetë Kievi, ku ka në plan të takohet me udhëheqës të lartë ukrainas, me qëllim për të ritheksuar rishtas angazhimin e politikës së Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe njëkohësisht për të inkurajuar atë vend që të zbatojë reformat, të cilat janë kritike për një zhvillim normal të atij vendi, thuhet në njoftimin zyrtar të (DASH).   Në Kiev, Zëvëndës Sekretari i ri Amerikan i Shtetit do të takohet gjithashtu edhe me përfaqsues të shoqërisë civile dhe të biznesit për të çkëmbyer mendime mbi përpjekjet e Ukrainës për transformimin e vendit në një shtet evropian të begatë,të sigurt dhe demokratik.

Duket se, me të drejtë ose pa drejtë, është bërë pjesë e vizitave diplomatike të zyrtarëve amerikanë, përfshirë ata të nivelit më të lartë, për të bindur Evropën se politika e Shteteve të Bashkuara nën administratën e Presidentit Trump, nuk do të ndryshojë nga politikat e mëparshme, megjithëse gjatë fushatës elektorale kandidati Trump mund të ketë aluduar për një ndryshim të tillë.   Deri më sot nuk është parë ndonjë ndryshim i madh i politikës së jashtme ose asaj ushtarake karshi aleatëve amerikanë në Evropë, megjithse ndihet nevoja që të përdoret çdo rast që të binden evropianët, se pa marrë parasyshë deklaratat e kandidatit Trump, çdo gjë është në rregull dhe se nuk ka asnjë nevojë për shqetësim nga aleatë e Amerikës në Evropë, përsa i përket angazhimit amerikan politik dhe ushtarak ndaj kontinentit evropian, përfëshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Madje edhe në median shqiptare është folur shpesh për mundësinë e ndryshimit të politikës amerikane ndaj shqiptarëve, nën administratën e re amerikane, pa ofruar asnjë provë për këte.   Është deklaruar disa herë nga zyrtarë të ndryshëm amerikanë dhe është theksuar nga ambasadat amerikane në Tiranë dhe në Prishtinë se politika amerikane karshi Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të ndryshojë nën administratën e Presidentit Trump.   Politika e jashtme amerikane ndaj shqiptarëve në Ballkan ka qenë gjithnjë konsekuente dhe mbështetëse nga të gjitha administratat amerikane të çerek shekullit të kaluar dhe si rrjedhim, asgjë nuk pritet të ndryshojë as me emërimin e Dr. Wess Mitchell në detyrën e Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën, ku përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova, si pjesë e mandatit të tij.

Por, jam i bindur se edhe nën drejtimin e politikës amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor nga Dr. Wes Mitchell, prioriteti i politikës amerikane ndaj Shqipërisë dhe Kosovës për tu bërë pjesë e integrimit të plotë euro-atlantik — me përgjegjësi dhe të drejta të barbarta — nuk do të ndryshojë, siç nuk do ndryshojnë as thirrjet amerikane për përpjekje më të mëdha dhe më serioze nga ana e autoriteteve në Tiranë dhe në Prishtinë, për të bërë më shumë kundër korrupcionit, ndaj luftës kundër drogës, për një angazhim më serioz ndaj reformave në drejtësi, e tjera çeshtje që prekin negativisht marrëdhëniet bilaterale – çeshtje të cilat autoritetet qeveritare dhe shtetërore të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, i dinë fare mirë se ato janë njëkohësisht edhe prioritete të politikës amerikane pikëspari për të mirën e vetshqiptarëve, por edhe për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të lidhjeve miqësore historike midis dy kombeve.

 

                    

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. A. Wess Mitchell, Frank shkreli, PROFILI I NJË DIPLOMATI

SHKRIMTARI TREBESHINA SI PO BIEN LISAT E MALIT?

November 7, 2017 by dgreca

 1 Kasem_Trebeshina

NGA GËZIM LLOJDIA/

Rënqethet njeriu nga era e ftohtë,siç dridhem unë në një ditë emigrimi. Mirëpo kur përpara syve më del pasqyra Kasem Trbeshina është krejt i  ndryshëm krahasimi. Shpalosen kalavarët dhe vuajtjet njerëzore që kanë prekur  deri në kockën, që e kanë goditur deri në palcë .Dhe i ziu njeri duron,duron sa mali me dëborë. Dhe këtë e bënë sepse deshën të rronin një ditë pranvere. Në të vërtetë Trebeshinën unë e kamë parë  dhe në dimër kur barra e dëborës e ka pikëlluar edhe ne pranverë. Ne shkonim në Mezhgoran dhe im vjehrri më thotë e shikon atë mal,e dini kush është ,sigurisht që jo. Është Trebeshina. Po për një shkrimtarë Kasëm Trebeshina ke dëgjuar,kam dëgjuar. Maja e malit sikur u lëkund atje lartë dhe gurët ranë përpara këmbëve. U rrëzua plepi më tha vjehrri,duke nënkuptuar rrëzimin e Kasëmit.Dhe heshti u mek,sepse ngado mbinin rojtarët e mjegullinave. E dini pse dielli është larg shprehet një poet,për të na ngrohë të gjithëve mirë. Dhe emri i Kasëm Trebeshinës tek brezi ynë erdhi nga largësia,pra ai vinte nga ajo largësi që ne e quanim distancë e gjatë kohore dhe vetë ndëshkimi i tij përmbante një mister.

Nëpër labirintet e lidhjes së Shkrimtarëve

Një ndërtesë aty në rrugën  e Kavajës ku unë dhe të gjithë të atij brezi e kishim ëndërruar. Ne studentët, që vinim pikërisht nga jugu na shfaqej ajo dhe na rrethonte me mister. Çfarë ruante në të vërtetë ajo brenda ose çfarë kishte parë ndërsa në vite,thinjej ngadalë? Kur shikonim shkrimtarët e ulur në oborrin e saj ne zgjasnim koka për të parë ata,prapa mureve me hekura të saj.”Ishte ora 22.30 dhe kalendari shënonte minutat  e fundit që ndanin në mes muajin prill të vitit 1980,shkruan publicisti  Nuri Dragoi në hyrje te një libri të mrekullueshëm për Kasem Trebeshinën,që quhet “Kasem Trebshina-një jetë përpara gjyqit”.Që prej këtij vargu hynë dhe merr pjesë aktive në çdo moment të jetës së njeriut që ruante mbiemrin e malit Trebeshinë. Duke hyrë në faqet e këtij libri që unë do ta quaja ndershmërisht roman i mirëfilltë artistik dhe më i lexuari me personazhe të gjallë ke ecur nënë ca labirinte që koha i kishte stisur si të tillë. Ndërtesa vazhdon te jete atje ku ishte në kohën kur ajo përdorej edhe për krime kundër shkrimtarëve,mirëpo tashmë ajo ka ndryshuar bojën,vendet dhe pozicionimin është një ministri kulture. Ku janë zyrat ku u thurën ose u përgatiten sulmet kundër Kasëmit,në kohën  e përndjekjes së madhe. Në të vërtetë po të zhbirosh këtë godinë në sipërfaqe të saj ngjet si  e pafajshme,mirëpo nëpër labirintet e saj janë fshehur sa e sa ndëshkime janë përgatitur sa e sa goditje kundër atyre që kishin në dorë jo më pushkë,por penën. Një ndër ata është Kasemi, njeriu simbol që vinte nga jugu i vendit në kryeqendrën shqiptare me përfundimin e luftë së dytë të përbotshme .Dhe nëpër labirintet e saj do të ngatërrohej letërsia me politikën ose më shkoqur,politika do të shkonte përpara saj dhe letërsia do të ecte pas gjurmëve  të saj. Kështu ato u rritën si lisi me kulpurën,ku kjo e dita gjithë kohën do ta gjente shtrojën të shtruar tek trungu i lisit.Një simbiozë ose bashkëjetesë e lidhur për një qëndrim kohor rreth ose më tepër se 50 vjet.Për Lidhjen e shkrimtarëve sot ka ende gjëra të pathëna që janë fshehur qëllimisht. Për Lidhjen e shkrimtarëve shqiptarë ka ende shumë gjëra për tu thënë. Sepse nuk ishte thjeshtë një mekanizëm por edhe prisja shpesh herë e politikës së atij realiteti që sot e quajmë soc-realizëm. Por ajo që tërheq interes është mënyra se si u trajtuan shkrimtarë,banorët e saj. Prej saj u zbua që nga Ali Asllani që kur shkonte atje pak muhabet i bëhej,Petro luftëtari i Spanjës,djaloshi kaçurrel,Kasemi,dhe ne qe quanim të ikur Lasgushin,yllsorin shqiptar,magnetin ndriçimin apo të tjerë pena që fshinë germat ose gjetën mënyra për ti mbyllur burgjeve,për ti degdisur fshatrave mes baltës,për ti shpurë tek hekurat në vrullin e klasës. Më e pashpirt mbetej mënyra e dënimit të shkrimtarëve që shpesh rridhte nga gjykimi politik apo edhe nga mllefi për talentin e tyre,ndërsa ndërseheshin mediokrit për tu bërë gjëmën devijatorëve të kësaj letërsie. Kam lexuar edhe Petron dhe së fundi Trebeshinën .Një hulli e përbashkët i përndiqte.U mohohej kontributi dhe u fshihej talenti. Bënin emër veç ca  mediokër që i nxori koha në breg si bëzhdile,thoshin plakat tona në jug. Përse Kasemi u përndoq.Ka njëmijë e një arsye që u servilen,ashtu si në rastin e Petro Markos dhe më kryesorja ishte truri dhe zemra e atij pushteti, diktatori.Mirë që nuk i lanë të botonin,dhe nuk i linin të ushqeheshin,por në burg,përse i mbyllnin ata, që nuk kishin asgjë me ato ndërtesa të brishta dhe me banorët halabakë të tyre,nuk ishin as kusar dhe me kusërit skishin asgjë të përbashkët. Dhe nuk u lodh asnjëherë dhe nuk e mposhti dot. Ndërsa kemi kufirin kohor që kapërcejmë dhe analizojmë ngjarjet,vrejmë se diktatori emri i tij po shuhet deri sa të harrohet në harrim ndërsa Kasemi dhe vepra e tij ka për të mbetur i freskët dhe i sjellë nëpër mëndë janë veprat e tij dhe frymëzimi i tij që nuk sosen.

Filed Under: Komente Tagged With: Gezim Llojdia, SHKRIMTARI TREBESHINA, SI PO BIEN LISAT

KASËM TREBESHINA….

November 7, 2017 by dgreca

1 Trebeshina K

Nga Roland Gjoza*/

…Kasëm Trebeshina erdhi me pamje të murrëtyer, pa qejf për të folur, disi i bezdisur prej pranisë sime. Ai që ish bërë ndërmjetës për mua, më tha disi i çuditur: Kujdes, ai nuk i do spiunët. Dëgjo gojëkyçur dhe mbaje drynin të mbyllur. Ai nuk i do fjalët. S’kërkon dafina. Nuk di si do të presë, paç fat. U ul përballë meje në një divan të vjetër, bashkoi duart si për t’ia nisur një lutjeje. Sytë i kishte të lodhur me një grimë dritë vetëtitëse, që më lëbyrej si përmes një mjegulle. Po ama sytë i kishte tejet të vëmendshëm e kërkues gjer në një mani bezdisëse, sikur prisnin të të nguleshin si gjilpëra në pllakën e një gramafoni të vjetër.

Kasëmi bëri tri herë burg, pothuaj tërë periudhën e socializmit e kaloi atje, pa pasur rast të kthehej ndonjëherë në Lidhjen e Shkrimtarëve apo të hynte te kafe Tirana (e cila ndodhej përbri me ish Estradën) ku pinin kafe shkrimtarët. Kasëmi nuk njihej, veç prej shkrimtarëve të vjetër, që kishin frikë të shpreheshin. Veprat e tij të shumta kishin mbetur të pabotuara.

A mund të flitej për dinjitet njerëzor në atë kohë? Kjo po na mundon sot kur po ata vrasës i kemi në parlament dhe në qeveri. Me naivitet dhe përplot iluzione hymë dhe ne në lojën e sistemit të ri, por jo si lojtarë, po thjesht si spektatorë. Si në kohën e Cezarit po ata lëvizin gishtin sot: lart për të dhënë lirinë dhe poshtë për të dhënë mandatin. Lojë. Po ata, vrasësit me pushtet dhe po ata, viktimat pa pushtet. Një rotondo në ajër, sa për ta parë sytë e polemit se rrotullimi ndodhi.

Kasëm Trebeshina ishte shkrimtari profet. Ai s’provoi pothuajse asnjë ditë gëzimi si krijues. Dalëngadalë para syve të tij shuheshin qirinjtë e jetës, një agoni ngjethëse që zgjati dhe zgjat ende si një mallkim saturnal. Dhe idealet vriten. Kasëm Trebeshina! U vra me burg dhe me persekutim shtëpie.

Kasëmi e prishi heshtjen: Tani rri e mbledh dorëshkrimet që i kishte shpërndarë nëpër kushërinj. Një kopje në shqip e tjetra në anglisht. Kanë humbur plot, po unë pothuajse i kujtoj dhe do t’i rishkruaj. Kujtesa s’më ka lënë. Unë e di pse keni ardhur. Ju ka çuditur ajo shprehja ime: Unë nuk jam shqiptar! E them prapë. Dola nga varri dhe ku hyra? Përsëri në varr. E pse? Kundërshtova. E thashë të vërtetën, iku një Enver, erdhi një tjetër, po ai bark i pjell. Prandaj iki e kur kthehem përsëri i ikur jam, se këtu me urrejnë. E pse? Them të vërtetën. Kështu dhe për teatrin. Pothuajse 70 mijë dollarë për të vënë një pjesë të Sartrit dhe dy të miat.

U ngrit, eci me hapa të mëdha, hapi derën, e mbylli pas vetes. Prita një copë herë duke parë atë dhomë të rëndomtë, ku sendet dukeshin sikur nuk kishin lëvizur që prej dyzetë vjetësh. Ishte me tepër një trallisje imja, prej një dëshpërimi si në mort. U kthye dhe me tregoi një shkrese që e tundi në ajër. Ja, tha, kjo është! Ma dha qeveria franceze. Dhe unë jam gati që para syve të tu ta gris ose ta djeg, se nuk më vlen. E ç’më duhet? A ka teatër këtu? Jo, s’ka! Ua thashë këtë, po s’më besuan. Ka, si s’ka, më thanë. E ku dini ju, iu përgjigja, atje s’ka teatër. E mora, megjithatë. Të lutem, i thashë, pse e betë këtë? Ja, ma ktheu, edhe ju s’më kuptoni. Kot iu prita. Kot ua hapa derën. T’iu kisha dhënë një shkelm pas bythe e t’iu hidhja nga shkallët. More, kupton ti, s’ka ndryshuar asgjë. Është po ajo kohë. Ju të rinjtë fluturoni me presh, s’kuptoni asgjë.

U ngrit në këmbë, eci drejt meje, po qëndroi papritur, me atë murrëtim në fytyrën nervoze, aspak tërheqëse, sikur të kishte kaluar një sëmundje të rëndë dhe me përshkroi në një kohë të shkurtër se ç’ishte arti që nga kohët e lashta Asiro-Babilonase, me shembuj konkretë derisa sa erdhi në kohët tona, mbushur ajo ligjëratë e tij cit me cit me informacion të mahnitshëm. Poliglot, mendova, gjeni i dënuar me heshtje. E përjetoja si fat praninë time aty. Me duan të vdekur, tha papritur, ja që më duan të vdekur. I mërzis shumë, sikur iu prish shijen për të ngrënë dhe për të dashuruar, jam si një gozhdë që iu del në këpucë. Ju do të thoni se kush merret me mua, po janë të detyruar të merren. Veç, me dëgjon, djalosh? veç unë iu prish imazhin e demokracisë, e kësaj gjoja demokracie, prania ime është shembulli me i mirë se unë që duhej të zgjidhesha si prekusor, u lashë siç isha, në dënim. Sepse s’kishte ndryshuar asgjë. Hetuesit e mi janë në qeveri, gardianët e mi janë në polici, spiunët e mi janë në parlament. Edhe kur doli libri im: Odin Moldvalsen, i shkruar herët, kur këtu i bëhej hosana «Çlirimtarët» të Dhimitër Shuteriqit, dhe u krahasua me «84» të Oruellit, u mbyll sipari, shfaqja u anulua. Pse? Unë vija nga galerat po s’gjeta kohën time, gjeta sërish atë kohë që më kishte futur brenda. Atëherë duhet të protestoja dhe thashë: Unë s’jam shqiptar! Tani vuaj brenda, ja këtu ku më shikon. Ha pak, se s’kam, paratë, me mungojnë si gjithmonë, që të mbaj veten në formë, pres të bjerë errësira, që të shndërrohem në një fantazmë dhe i bie rrotull Tiranës në këmbë, një rotondë kjo që me ndihmon të sjellë e përsjell nëpër tru temat e mia letrare, të flas me veten, të kaloj në trans. Vërtet ecja kaq e gjatë çdo mbrëmje, në shi, në të ftohtë, në vapë e në freski, me ka ndihmuar shumë të freskoj gjithë atë kopsht të rëndë të mejtimeve, të zgjoj një botë të fjetur shqiptare që me vjen kaq e pasur, e begatë, po fort e hidhur. Një shkrimtar shqiptar me mbi dyqind dorëshkrime, tretur ca, plaçkitur të tjerat, humbur e më keq, vjedhur atëherë kur me futën në burg. Tri herë më kanë zbritur në ferr. Të tria herët vinin e me merrnin ç’më gjenin, ua jepnin shkrimtarëve të tyre, për t’i lexuar e dhënë mendim, kuptohet ç’mendim jepnin ata e ç’mund të kuturisnin me atë mall belik. Keq me vinte domosdo, po Zoti me kishte dhënë frymëzim të pashterur, s’ka gjë, thosha me vete, edhe bota e qytetëruar është djegur e plaçkitur herë-herë, po sërish është ringritur dhe kujtoja shembuj që nga kohët e vjetra. Me duan jashtë, austriakët duan të me japin nënshtetësi austriake, po kështu gjermanët, francezët, turqit, më duan, për çudi, kurse në vendin tim më dëbojnë, sepse iu kujtoj mashtrimin me demokracinë. Ik Kasëm, s’na duhesh! Mallkim që vjen nga burgjet. Duhet të kishe mbetur jashtë që të të donim. Dhe unë dola jashtë, endem si çifuti në shkretëtirë. Atëherë pse të jem shqiptar? S’jam. E pse të mos e them?

Kasëmi u nda nga jeta. Ai nuk e donte kohën e tij. Kasëmi kërkonte të vërtetën. Kasemi ishte i ftohtë, i papajtueshëm, stoik. Kasëmi ishte armiku, pra s’kishte si ta harronte. Dyzet vjet armik. Dhe u mësua me këtë gjendje. Kasëmi vuante prej mendjes, disa herë ishte shtruar në psikiatri. Ai shikonte në ëndrra demonë dhe luftonte. Nëpër burgje dhe në shtëpi.

Kasëm Trebeshina e shpërfillte disidencën e vet. Të gjithë e morën këtë anatemë për disidencën si një skup, kur diheshin burgjet e tij si një rotondo nëpër rrathët e ferrit, po pati dhe nga ata që gjykonin ftohtë dhe i dinin ca më mirë punët e disidencës në komunizëm. Se edhe sot bëhet pyetja: A kishte vërtet disidencë? E kam si këtë xhaketë, që e heq dhe e var ja, këtu në kremastar (e hoqi vërtet dhe e vari në kremastar) kjo s’më intereson, po dua të di nëse jam shkrimtar për ju, a pëlqehem, por…  edhe kjo s’më intereson dhe aq, se unë rroj në tjetër sferë që s’njeh kohë, është amshimi. Këtë ta fal vetëm frymëzimi, që ende s’më ka lënë. Ju doni të dini për mundimet dhe vuajtjet që kam hequr, e ç’ju duhen ato, më mirë t’ju tregoj për veprat e mia, kur të më vijë ajo dalldia për të rrëfyer për veten, gjë që më ndodh rrallë.

…Dhe ndërsa shkruaj këto radhë, Kasëmi ka mbushur 91 vjeç, s’sheh dhe s’dëgjon, po ama qesh. Është në tjetër botë që ne s’e kuptojmë. Ai qesh. Nuk është më i murrëtyeri në fytyrë, i pakënaquri i vrerosur në pamje, po gati një fëmijët që rron me efemeren. Hajde dhe kuptoje! Po dhe mitet kështu e kanë, kur vjetrohen bëhen më të lexueshëm për fëmijët. Kthehen në përralla. Kasëm Trebeshina përrallë. Në po atë dhomë të ngushtë, që ai nuk e sheh, se është amshimi i pafund ku ecën nëpër re, se atje janë temat e tij, ato të zezat tema, që duan shumë re të kullojnë, shumë stuhi të na trallisin, shumë rrufe të na përcëllojnë me të vërtetat morbide, që ne s’jemi mësuar t’i dëgjojmë, ngaqë ende s’jemi shkëputur nga nina nanat e shqiptarizmës bajate. E Shqipërisë së gënjeshtërt, të derbederëve, rezilëve e kopukëve që shtohen, si mizat në vapë, që shesin dhe blejnë, po veç jo të vërteta të trishta dhe idealizma shqiptarie.

Kasëmi ka mbushur 91 vjeç. A ka sfidë më të madhe për vuajtjen? Mos ishte ai binjak me parajsën? Se edhe në një qeli të akullt, po edhe në një dhomë të ngushtë, mund të gëzosh parajsën, ndërsa sheh se edhe buka të mungon. 91 vjeç, po fëmijë. Një kthim mbrapsht i ligjeve solemne të natyrës. Tashmë nuk ka hyrë sërish në mitrën e nënës, po në atë të Shqipërisë, të pavdekësisë. Se në pavdekësi u shkoka si fëmijë. Mbi 100 vepra dorëshkrime që presin dritën e botimit dhe, të paktën, një vëmendje, një ndalim të Krishtit në dhomën e tij. Po asgjë. Shkoi ditëlindja e tij, heshtur, si mbrëmja e dimrit, kur njerëzia struken pranë zjarrit. Asgjë fare. As edhe një kandil nuk u ndez në këtë terr njeriu. Ai që duhej të shpallej simboli, u shpall armiku! Dje dhe sot! Të shohim përjetësinë. Dhe të gjitha këto atij s’i interesojnë, sikur të bëhet fjalë për një çimkë në jakën e këmishës. Frymëzimi, ky është caku, në qoftë se ai vjen ende, rron dhe Kasëmi, në qoftë se një ditë, nuk troket, atëherë ai do të ngrihet dhe do të hapë derën tjetër që është diku në hapësirë dhe do të shkojë reve, dimrave e pranverave, se me to u ngushëllua e u gëzua, ato ishin natyra dhe ai ishte natyrë.

Dhe një ditë më dhanë një leje të posaçme për të hapur dosjet e shkrimtarëve të dënuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kisha arritur të hyja në zyrat e ferrit, në arkivin e tij. Pa më ndjekur kush, krejt fillikat. Zyra numër tre. Hyra brenda. Dhe seç m’u kujtuan prej atij numri, tercinat e Dantes. Më kishte mbetur në mendje ai burg i gjatë i Kasëm Trebeshinës. Më dukej sikur më shfaqej si kont Ugolini duke iu ngrenë kokën burgjeve të tij.

Ma sjellin dosjen. E vërdheme, përplot noti dhe myk, sikur të ishte lëkurë e një të vdekuri. Kambanat duhet të binin, por kjo s’ndodhi se ato kishin rënë njëherë. Veç jehonën e tyre e dëgjova, prej një asociacioni të çuditshëm që na kaplon ne letrarëve kur e kur, ashtu papritur. Më falni, që do t’i përmbahem rigorozisht shënimeve të mia, pa koment.

Dosja 8908. Avokat Dhimitër Evangjeli i bën mbrojtjen. Kam shkëputur prej shumë faqeve të tij paragrafin e fundit të faqes 15. «Lidhja e Shkrimtarëve ka gabimet e veta dhe e ka provokuar në lidhje me librat e tij që ishin për t’u botuar dhe ajo ia refuzonte duke e cilësuar të marrë. »  26. 6. 1954

Më poshtë gjeta këtë shënim: «Vjeç 29, lindur në Berat, fshatar i pasur, aktor teatri, pa profesion, pa parti, pa dekoratë, dy klasë të larta, kapiten i klasit të parë. » Faqe 38.

Dhe paragrafi i parafundit: I pandehuri Kasëm Trebeshina ka shkruar një seri veprash, në shumicën e tyre, gjërat janë parë me pesimizëm, nihilizëm, jashtë realitetit dhe kundër frymës së partisë, kundër realizmit socialist. »

Me 25. 6. 1954 Kasëm Trebeshina i drejton lutje gjykatës se lartë. Kam shkëputur disa fraza.

Lutje

«Në të tilla raste djalli im poetik më ka vënë brirë. »

…  …  …  …  …  …  …  …  .

«Nuk pretendoj që nuk kam dëmtuar, por ngul këmbë se nuk kam shkruar me «logjikë të ftohtë», se nuk jam udhëhequr nga dëshira për të bërë propagandë dhe se nuk jam armik, po poet. Kjo është një çështje psikologjike shumë e ngatërruar, prandaj i lutem asaj gjykate që ta dënojë sa më ashpër artistin, po të tregohet më tepër se e butë me mua dhe të më japë mundësi për t’i larë të gjitha gabimet e mia duke më liruar. »

Shokut Mehmet Shehu, Tiranë. Faqe 49

Çdo njeri duhet të bëjë atë që i ngarkon epoka. Këtë e ka për detyrë dhe duhet ta bëjë patjetër. Por kur dinjiteti njerëzor nuk përfillet dhe shqelmat që çdo vlerë zemërgjerë nga të pavlefshmet merr e bëhen të paduruara, atëherë njeriut nuk i mbetet të thotë veçse «lamtumirë dhe në qoftë se përgjithmonë lamtumirë, prapë lamtumirë. » Tashti duket qartë se për shkak të servilëve të vegjël të Lidhjes se shkrimtarëve mund të merren nëpër këmbë njerëz e vlera pa marrë asgjë parasysh. Duke mos dashur të jem lodër e fatit dhe e kapriciove njerëzore, kërkoj vizën për t’u larguar përgjithmonë nga Shqipëria për në Zvicër. Vizën tranzit do ta kërkoj nga shteti Italian.

Me respekt

 Kasëm Trebeshina

(Dhe firma e tij)

Tiranë me 8. 12. 195

Në faqen 53 është marrë në shqyrtim një vjershë e tij, mbushur me pikëpyetje dhe nënvizime.

Çudi pse vallë kjo qetësi

I humbur shoh. Jam i vetmuar

Ja, mal e pemë e deti hesht

Çdo gjë është e trishtuar.

I zgjuar fle. Asnjë s’më zgjon.

Përkundet varka mbi kujtime

Dhe një agim që kurrë s’agon

S’ushqen më shpresën time

Në një letër ai përmend se do të vetëvritet dhe do të dalë nga partia. Në procesverbalin e datës 30. 12. 1953, e mohon që do të shkojë jashtë shtetit, po këtë e bën, sipas hetuesit të çështjes, ose që të sikterisej, ose që t’i hapej rruga për ta lënë të lirë dhe e pranon që është mbërthyer nga kontradiktat.

Me 1980 është vendosur për zhdukjen e shkrimtarit.  Atë e arrestojnë përsëri, për të tretën herë.

Konkluzioni i ekspertizës mjeko-ligjore. Dosja 12192/ 1, faqe 22

Kasëm Trebeshina është psikopat paranojak i dekompesuar dhe veprën penale e ka kryer nën ndikimin e ideve delirante.

  1. Nuk është i përgjegjshëm ndaj ligjit për veprën penale që ka kryer.
  2. Të dërgohet për mjekim të detyruar në spitalin neuropsiqiatrik të Elbasanit. (doktor Ylvi Vehbiu)

Po nuk janë të kënaqur me kaq, duan ta dënojnë patjetër dhe me 5. 8. 1980 e dërgojnë sërish për ekspertizë.

Konkluzioni:

  1. Kasëm Trebeshina nuk është i sëmurë psiqik.
  2. Ai paraqet shregullime paranojake që nuk e kalojnë kufirin e një personaliteti normal.

3 Është i përgjegjshëm për veprat e kryera. (doktor Nestor Polimeri)

Në të njëjtën dosje: 12192/ 1, Akt N: 83, faqe 29, ndodhet letra drejtuar Sekretarit të parë, Enver Hoxhës dhe dy Promemoriet të nënshkruar nga Kasëm Trebeshina, në datat 6. 11. 1975 dhe 26. 8. 1976

Ata që kanë shkruar recensat për veprat e pabotuara të Kasem Trebeshinës janë: Dalan Shapllo, Naum Prifti, Bashkim Kuçuku, Moisi Zaloshnja, Llambro Ruci, Resul Bedo, Ruzhdi Pulaha.

Dy promemorie, jo një, siç përsëritët shpesh, po dhe atë duan ta mohojnë. Parashkime gjeniale që u dëshmuan, pa hequr as edhe një presje. Të mos harrojmë se është dhe një Promemorie tjetër, kjo i është drejtuar Sali Berishës, botuar në Zërin e Rinisë, në dy numra, me 1994. Parashikim gjenial edhe ky. Po i harruar.

*Kasëm Trebeshina u nda nga jeta. Një humbje që kombi e ndien thellë. Eseja e mëposhtme është nxjerrë nga libri me ese «Satirikon» i shkrimtarit Roland Gjoza, përgatitur për botim nga shtëpia botuese «Uegen».  Xhevair Lleshi/

Filed Under: Opinion Tagged With: Iku Kasem Trebeshina, roland Gjoza

Përse Rama nuk flet më për Çështjen Çame?

November 7, 2017 by dgreca

  • Pyetje të thata për Edi Ramën që duan përgjigje:A është Edi Rama  studenti i financuar nga Fondacioni grek i Sokrati Kokkalis në komunikim administrativë dhe shkencat politike? dhe…./

Nga Arben Llalla/Greqia me veprimet e fundit antishqiptare, deklaratat, bllokimi i doganave, provokimet për aneksimin e Jugut të Shqipërisë po i bën presion qeverisë së Edi Ramës që të nxitojë hapat për të realizuar premtimet që i ka dhënë Athinës më 2016, që janë: Falja e detit, njohjen e Himarës si zonë greke, ndërtimin e 8 mijë varreve boshe të ushtrisë greke, e të tjera.

Rama deri tani po realizon projektet greke, sepse ekzistojnë me dhjetëra materiale nga takimet e tij. I gjithë ai fjalor kombëtar i Ramës mbështetet vetëm për Kosovën, por Kosova është shtet i pavarur. Pyetjet që çdo shqiptar duhet t’i bëjë kryeministër Edi Rama janë:

Përse Rama dhe Bushati s’kanë folur asnjëherë për hapjen e Konsullatës shqiptare në Manastir, për rastin Mostra, Kumanova, e kështu me radhë?

Përse Rama nuk flet më për Çështjen Çame?

Përse Rama dha urdhër me sms që të votohet PD (le të pyesim Gjiknurin, Leskaj e të tjerë), me qëllim që Vangjel Dule të zgjidhet deputet?

Përse Rama u nderua me Kryqin e Artë si Kalorësi Mbrojtës i Ortodoksisë Greke?

Këto ditë do të ngrihet në Komisionin e Kongresit SHBA çështja për njohjen e Himarës si zonë greke dhe këtë e mundësoi Edi Rama me veprimet e tij të pa kontrrolluara duke mos parashikuar të ardhmen dhe dëmet?

Përse Rama i ka prishur raportet me Hashim Thaçin, Turqinë, Italinë, Merkelin, SHBA?

Kutia e Pandorës veç është hapur, por çështja është se çfarë vendi do të zërë Edi Rama në tërë këtë hulli, sepse historia nuk korruptohet, ajo thotë dhe mbron të vërtetën me fakte.

Tashti Edi Rama për këto akuza që ia bëj publikisht (pa asnjë përfitim politik dhe ekonomik nga ana ime) si do të përgjigjet?

Edi Rama është studenti i financuar nga Fondacioni grek i Sokrati Kokkalis në komunikim administrativë dhe shkencat politike.

P.S. Edi Rama bëj të fala mareshallit, nëse s’e kupton pyet Xhafën, ai e di se për kë e kam fjalën. E ardhmja nuk e dimë se çfarë befasirash na ofron, por një gjë është e sigurt se Çështja Çame do jetë më e pranishme në arenën ndërkombëtare dhe ballkanike. Fillimi i shekullit XXI po tregon se më shumë ka shqiptarë se sa grekë e serbë në Ballkan, kjo është ajo që i tremb ata dhe që mua më jep siguri për zgjidhjen e çështjeve kombëtare të lëna në errësirë prej dhjetëra vitesh.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, Pyetje të thata për Edi Ramën, që duan përgjigje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1692
  • 1693
  • 1694
  • 1695
  • 1696
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT