• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MERITAT E HARRUARA TЁ KURDЁVE

November 6, 2017 by dgreca

…Ne perёndimorёt kishim premtuar se nё rast se ajo betejё do t’ishte fituar, nuk do t’i kishim braktisur kurrё nё dorё tё ushtrive shiite tё armatosura nga Bagdadi dhe Teherani. Dhe ata na besuan. Tё themi tё vёrtetёn : n’atё kohё, as edhe mё ciniku prej nesh, do tё mund tё pёrfytyronte qё (mbasi i kishim pёrdorur pёr tre vite tё pambarueshme nё luftime trup me trup e metёr pёr metёr), do t’i kishim braktisur nё fatin e tyre. E qё, madje, do t’u kishim hapur rrugёn xhelatёve tё tyre, sa hap e mbyll sytё. Por ndodhi./

1PAOLO MIELI

Shkruar nga PAOLO MIELI/“Corriere della Sera”/E shqipёroi pёr Dielli-n Eugjen Merlika /

Nё orёt nё tё cilat bota e tёrё (dhe ne bashkё me tё) prekeshim pёr viktimat e atentatit terrorist tё Manhattan-it, na duket e detyrueshme – pёr tё kuptuar nёse ka tё çara ose vetёm paqartёsi nё zotimin tonё kundёr radikalizmit t’armatosur tё islamistёve – tё ndaleshim pёr tё pёrsiatur mbi tragjedinё qё po jeton populli kurd. T’atyre kurdёve qё, mbasi kanё ndihmuar gjatё tre vjetёsh tё pafund Amerikёn dhe Perёndimin pёr tё shpartalluar  terroristёt e Daesh-it, janё lёnё prè e ushtrive shiite Hashd al – Shaabi, tё drejtuara nga gjakёsori Kasem Sulejmani. E sё bashku me tё tё kujtdo nё rajon, qё do tё donte tё pёrfitonte nga cfilitja e tyre nё luftёn e gjatё kundёr Kalifatit, pёr t’i shqyer njёherё e pёrgjithmonё. Njё tradhёti e tmerrshme, e jona. Ai popull qё, me çmimin e flijimeve tё papёrfytyrueshme nё jetё njerёzore, na ka bёrё tё mundur tё hidhnim n’erё qёndrёn e terrorizmit botёror (pa menduar se nё sajё tё tyre skajorёt islamikё mund tё quhen pёrfundimisht tё shpartalluar), pikёrisht nё kёto ditё i jepet pёr haje xhelatёve t’ardhur nga Irani dhe Iraku. Ndёrsa kryetari i tyre, Massoud Barzani, edhe sepse i tradhёtuar nga njё grupim kundёrshtar, ёshtё i shtrёnguar tё japё dorёheqjen me fjalё plot dinjitet, tё cilat mbas pak vitesh do tё pёrfundojnё nё librat e historisё. Edhe kurdёt, nё tё njёjtёt ditё tё Katalonjёs, kishin shpallur njё referendum pёr tё pёrcaktuar pavarёsinё e tyre. Bota nuk tregoi vёmёndje pёr kёtё kalim tё çёshtjes sё tyre historike.

Edhe se, nё ndryshim nga pasuesit e Puigdemont-it, populli i Barzanit gёzonte tituj tё posaçёm ligjёshmёrie morale pёr tё ecur n’atё drejtim. Ashtu si – pёr tё sjellё njё shёmbull fantazie (nёnvizoj fantazie tё thjeshtё) – do t’i kishte patur populli katalanas nёse, nё fillim tё viteve 40, tё kishte mbetur i vetёm duke luftuar kundёr ushtrive naziste. Katalanasve nuk i u ёshtё dhёnё rasti tё tregonin vlerёn e kёtyre meritave. Kurdёve po. Dhe ёshtё njё padrejtёsi e stёrmadhe fakti, qё e gjithё bota perёndimore nuk don tё njohё borxhin moral qё duhej tё ndiente kundrejt tyre. E qё, pёrballё dramёs sё kёtyre njerёzve, tё kthejё kokёn nga ana tjetёr.

Historia nuk ёshtё e re pёrballё kёtyre pabesive tё tmerrshme. Mjafton tё kujtojmё, duke zgjedhur rastёsisht, traktatin e Campoformio-s, qё mori emrin nga njё fshat friulan nё tё cilin mё 17 tetor 1797 Napoleon Bonaparti i dhuroi Austrisё qytetin e Venedikut, krenarisht i pavarur prej mё shumё se njёmijё vjetёsh. Venediku, me asnjanёsinё e tij, deri nё atё çast kishte ndihmuar ushtrinё franceze n’Itali, madje dhe i ishte dorёzuar asaj. Mbasandaj gjenerali francez e kishte shpёrblyer me Campoformio-n. Ai veprim cinik i Bonapartit shkaktoi pёrçmim tek intelektualёt e gadishullit, pёrveçse, nga ai çast e mё tutje, njё mosbesim skajor  kundrejt Napoleonit. Ёshtё e mjaftueshme tё lexohet ndonjё faqe nga Letrat e fundit tё Jacopo Ortis, pёr tё matur  fuqinё e atyre ndjenjave tё mospёlqimit. Por tashmё, sa i pёrket kurdёve nuk ka (me pёrjashtime rastesh shumё tё rralla) ndonjё Ugo Foscolo qё tё kujdeset pёr fatin e tyre.

Ajo kurde ёshtё njё histori e gjatё dhe e mundimёshme. Pёr tё ndenjur vetёm nё 150 vitet e fundit, kurdёt u pёrdorёn nga turqit nё luftёrat me rusёt tё viteve 1877 – 1878. Por kur, tё udhёhequr nga Ubayd Allah, kёrkuan tё merrnin autonominё, e cila u ishte premtuar nё mёnyrё tё heshtur, u shtypёn barbarisht nga vetё turqit (me miratimin e heshtur t’anglezёve). Pastaj u pёrdorёn nga otomanёt, mё 1915, nё holokaustin armen, e vetmja njollё e pashlyeshme nё tё shkuarёn e tyre. Edhe atё here nuk fituan asgjё. Ndёrmjet 16 e 18, qenё nxitur kundёr perandorisё sё Portёs sё Lartё, mё parё nga Rusia cariste e mё pas, nё fazёn pёrmbyllёse tё luftёs sё Parё botёrore, nga Britania e madhe qё u premtoi atyre, ashtu sikurse arabёve dhe hebrenjve, njё “vatёr” kombёtare.

Mbas luftёs, mё 1920, me traktatin e Sèvre-s arritёn tё kenё kёnaqёsi e mё sё fundi u pёrcaktua nё hartёn gjeografike njё Shtet i Kurdistanit. Ose, sё paku, kёshtu u duk : ёndёrra zgjati shumё pak dhe u bё copё e çikё nga mёsyemja e turkut Mustafa Qemal (e jo vetёm nga ai). Kaluan tre vjet e me Traktatin e Lozanёs (1923) bashkёsia kurde u copёtua ndёrmjet Turqisё, Sirisё, Irakut dhe Iranit. Qё nga ai çast loja e fuqive rrethuese ishte ajo e tё nxiturit njёri kundёr tjetrit. Nё kёtё qe shumё e vlefshme Turqia, por akoma mё shumё, qё nga vitet Tetёdhjetё, Irani i ajatollahёvet. Nё fillim tё viteve Nёntёdhjetё, mbas luftёs sё parё tё Gjirit (1991) Shtetet e Bashkuara dhanё shenja pendese dhe detyruan njё no-fly zone, mbi territoret kurdё, deri atёherё, tё masakruar nga Sadam Huseini. Doli si njё farё vetqeverie, e majisur nga nji luftё mes tarafesh kurde kundёrshtare (veçanёrisht e pёrgjakёshme ndёrmjet 1994 e 1997). Kaluan katёrmbёdhjetё vite tё tjera – me luftёn e dytё kundёr Sadamit (2003) – dhe nga 2005 u krijua njё krahinё kurde gjysёm e pavarur nё Veriun e Irakut. Njё e tillё u krijua, mё 2012, nё Veri-Lindje tё Sirisё, t’asaj Sirie nё tё cilёn kishte filluar kryengritja kundёr Asadit. Mё pas, mё 2014, erdhi stina e Kalifatit dhe kurdёve i u besue misioni qё t’a luftonte nё terren, aty ku ushtritё, irakene e siriane, ishin pёrlarё nga njerёzit e Al Bagdatit. Peshmergat luftuan me njё guxim e njё kёmbёngulje qё, nё fillim, asnjё nuk mund t’i pёrfytyronte. Amerikanёt dhe rusёt dhanё ndihmesёn e tyre nga qielli, por tё pёrgjakeshin nё terren kundёr atyre kokёprerёsve tё tmerrshёm ishin ata e, pothuajse, vetёm ata : kurdёt. Ne perёndimorёt kishim premtuar se nё rast se ajo betejё do t’ishte fituar, nuk do t’i kishim braktisur kurrё nё dorё tё ushtrive shiite tё armatosura nga Bagdadi dhe Teherani. Dhe ata na besuan. Tё themi tё vёrtetёn : n’atё kohё, as edhe mё ciniku prej nesh, do tё mund tё pёrfytyronte qё (mbasi i kishim pёrdorur pёr tre vite tё pambarueshme nё luftime trup me trup e metёr pёr metёr), do t’i kishim braktisur nё fatin e tyre. E qё, madje, do t’u kishim hapur rrugёn xhelatёve tё tyre, sa hap e mbyll sytё. Por ndodhi.

E tani ? Shteteve tё Bashkuara nuk u bёhet vonё fare pёr ta. Evropa, si gjithmonё, tregohet e shkujdesur nё prani tё kёtyre lloj tragjedive. Ndoshta me pёrjashtim tё Parisit ku sonde, nё kinemanё e Saint – Germain numur 22 tё rrugёs Guillaume – Apollinaire, do tё organizohet njё manifestim solidariteti kundrejt atij populli heroik : do tё titullohet “Sё bashku me Kurdёt mё shumё se kurrё”. Do tё marrin pjesё Bernard Kouchner, Kendal Nezan, Caroline Fourest, Bernard – Henri Lévy, gjenerali Hajar Aumar Ismail, Anne Hidalgo dhe Manuel Valls. N’atё rast mund tё dёgjohen fjalё adhurimi pёr luftёtarёt e kthyer mbasi kanё dhёnё njё ndihmesё themelore sipёrmarrjes qё bёri copё e thёrrime tiraninё e Isis-it. Nё tё njёjtёn kohё tё padisё – lexojmё nё afishen e thirrjes nё ngjarjen e Saint – Germain – tё “tankseve amerikane Abrams, qё i kanё bёrё tё mundur divizioneve irakene dhe ushtrive iraniane t’ardhura nga Teherani tё zotёrojnё Kirkukun”. Ёshtё pak ? Po ёshtё pak. Shumё pak. Gjithsesi tek neve, n’Itali, nuk do tё ketё asnjё kinema qё do tё strehojё njё mbrёmje tё tillё.

“Corriere della Sera”, 2 nёndor 20017     E shqipёroi Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, MERITAT E HARRUARA TЁ KURDЁVE, PAOLO MIELI

Paralajmërimi i vrasjeve të opozitës dhe vrasja e Azemit

November 5, 2017 by dgreca

2 azem PermendNGA ALFONS GRISHAJ/ 2-Alfons-Grishaj1-250x300

Gjithë këto vite kam dëgjuar gjëra të bukura për Azemin por dhe gjëra që vijnë  prej hamendjeve  dhe dashakeqësisë…1-Alfonsi2-300x225

Azemin, e njoha prej miqve të mi studentë shkodranë: Arben Broci, Arben Ibro, Arben Okaj, Shinasi Rama, Mond Bushati, Kolec Ndoja, Tefalin Malshyti, Arben Lika etj. Më pas, ne u bëmë miq.

Ditët e para të lirisë ishin të shpejta.  Duhej të ecje me hapin e kohës ose humbisje shansin e shumëpritur. Në ndërgjegjen tonë nuk kishte plus minuse, por vetëm një gjë: Lufta për liri dhe rrëzimi i komunizmit.

Azemi nuk ishte vetëm. Ai kishte me qindra shokë studentë. Mbase disa kishin dalur në protesta para Azemit, për të kërkuar ndryshimin e kushteve të jetesës miserable në konvikte, që më vonë u kthyen në kërkesa politike. Muaj më parë, Shkodra dhe Kavaja, kishin shpërthyer në protesta duke frymëzuar “banorët” e Qytetit Studenti dhe mbarë Shqipërinë. Si pasojë pati arrestime dhe dënime. Dy apo tre studentë nga Shkodra me në krye, Arben Lika (më patën shpjeguar se)  shkuan tek godina e Azemit dhe i bënë thirrje që t’i bashkohej grupit protestues. Po cila ishte arsyeja që Shkodranët e ftuan Azem Hajdarin të bashkohej me ta, se Azemi qe me “inteligjencë të cunguar”,  apo ai ishte një trim dhe njihej si shpresë anti-komuniste ?!

Në atë kohë, të dilje kundër komunizmit nuk ishte e lehtë, duhej guxim dhe vetmohim, cilësi që inteligjenca i ka nganjëherë të pamjaftueshme. Pastaj, sikur të flasim për inteligjencën e viteve të komunizmit, e kam thënë dhe më parë, ajo inteligjencë që doli nga bankat e shkollës së komunizmit, ishte në mjerim si nga idetë dhe pregaditja, tekste të varfëra katramahi, kërkesa e deri tek mësimdhënia. Jo se  intelektualët e asaj kohe ishin leshko, por se mënyja marksiste-leniniste  atë ushqim sërvirte. Tani, na shfaqen ca “super-intelektualë ” të dalë po nga ato banka, me ca studime sipërfaqësore, që gjykojnë figurat tona historike që nga Skënderbeu e deri tek Azemi dhe më pas Zotin…! Hëm, i pasforcuar më duhet të them, sikur sorrën ta ngjyrosësh si pavodë, krrakëllitjen të njëjtë e ka!

E keqja nuk është tek mendimi i lirë, as tek gjykimi shterpë i personit, por e institucioneve dhe gazetave me zë që i bëjnë jehonë fodullëkut dhe inkompetencës. Kam dëshirë që të shoh opinione të thyera logjike që i paraprijnë progresit, por jo opinione të stisura sintetike që përbëjnë në vetvete artificialen, meskinitetin dhe inkompetencën.

Azemi, ishte një djalë i thjeshtë me zemër të madhe. Asnjëherë ai nuk u hoq ai që nuk ishte. Në ditët e para të lirisë, ai qe shprehur disa herë me të qeshur: “Unë jam Kryetar se, në takimin me Ramizin, ai më tha, ti je Kryetari i këtyre studentëve… Po ai nuk ka të drejtë të na diktojë ne që kemi dalë kundër tij. Tjetra, si mund të dal para Marshallit (Dr. Berisha) dhe Dr. Pashkos, ata janë intelektualë të kompletuar, janë profesorat e mi…” Sinqeriteti i tij ishte nganjëherë gati fëminor, kurse i kundërshtarëve të tij, kafshëror! Gjatë atyre ditëve u propozua kandidatura e tij për Deputet në Shkodër. Lagjia e Kirasit, një lagje anti-komuniste, që në ditët e para e kërkonte me ngulm kandidaturën e Azemit, ashtu si fshatrat e Shkodrës, Kolec Ndojën. Azemi erdhi tek unë dhe më pyeti: “A mundem unë me përfaqësu Shkodrën e madhe, të njerëzve të mëdhenj si, Gurakuqi, Pashko Vasa etj, apo kam me u ba qesharak?!” Unë  e qetësova dhe fola fjalët e mia. Një nga shokët e mi me një mllef që nuk e di prej nga i erdh më tha në vesh: “Mos e afro këtë karaduzë Bajram Curri, se ka Shkodra boll njerëz të ditun me udhëheq Europën!” Ula kokën duke i shpjeguar që nuk ishte koha për pasion… Miku im i ngushtë, “Pishtari i Demokracisë” Kolec Ndoja, dhe “Pishtari i Demokracisë” Eduard Grishaj, dhe disa miq të tjerë, ardhjen e Azemit, e konceptuan si nevojë  që përkonte me shpirtin demokrat Shkodran.  Kandidatura e tij u pranua jo me dëshirë të madhe nga disa shokë tanë.

Po çfarë ndodhi më vonë? Kandidaturë e ardhur ishte dhe Blerim Çela, intelektual dhe patriot. Por, lufta e PP-së, nuk u bë kundër tij, as kundër kandidaturave të buta. P.P. u fokusua kundër Azem Hajdarit, Ali Spahisë dhe Pjetër Arbnorit. Disa misionarë të PP-së, erdhën të “negocionin” me ne për të larguar Ali Spahinë, me arsyetimin se kandidimi i tij, ishte një “turp”, gjoja ngaqë Spahia, qe një ish i dënuar ordiner dhe si i tillë ai do humbiste. Po kaq kontradiktorë dhe fëminore ishin mendimet dhe propozimet e tyre sa dhe sot me vjen për të qeshur. Ishte “për të mirën tonë” që të largonim tri figurat kryesore dhe t’i lëshonim vendin   intelektualëve “poliedrik” marksistë-leninistë siç ishte Lisien Bashkurti etj?! Kështu pra donin të na ndihmonin “dashamirësit tanë” komunistë, të na e zbardhnin faqen para popullit të Shkodrës. Nuk ka rëndësi çfarë u fol aty, por ne u përgjigjëm: “Do i fitojmë të gjitha zonat në Shkodër…” Për njërin prej tyre, z. Ali Laçej, kisha respekt, por ai ishte në krahun e gabuar.

Dashuria e PP-së për Alinë Spahinë, u mbyll shpejt. Kurse për Pjetrin dhe Azemin, vazhdoi  më tej. Kundër Azemit erdhën disa fletushka që ishin shpërndarë derë më derë në Kiras. Gjoja në një “raport mjekësor” përpiluar nga PP-ja, shkruhej se Azemi ishte psikopat, hajdut, kontrabandist etj. Po a mund të shkruhen gjitha këto në një Epikrizë Përcjellëse, se ky tip përkufizimi i ngjan më tepër një akt-akuze se sa terminologjisë së raportit mjekësor?! Komenti është i tepërt …

Kundër Pjetrit, u shfrytëzuan deklarimet e një Prifti të nderuar (mik i imi dhe i vëllaut tim), i cili deri sa u ballafaquan me njëri-tjetrin nuk pushoi luftën kundër tij. Me Priftin u bashkuan dhe disa demokratë parazitë që nuk e dinin derën e PD-së, por  më vonë, pasi ikëm ne, u bënë “heronj” dhe tashmë e kanë katandisur PD-në në kuota të mjerueshme elektorale…

Pse shqetësohej kaq shumë Partia e Punës për kandidaturën e Azem Hajdarit, dhe donte me çdo mënyrë të degradonte figurën e tij? Sikur të ishte njeri dosido, i pagdhendur, PP-ja do gëzohej  se do fitonte kandidati i tyre. Përse Partia e Punës, qe kundër Ali Spahisë dhe Pjetër Arbnorit? Figura nga më të nderuarat në Shkodër. Thua PP, e donte kaq fort PD-në e Shkodrës… ?! Jo, o tungjatjeta! Porse komunistët përdornin shprehjen e romakëve të vjetër: “ Divide et impera”,  dhe se  Pjetri, Azemi, Alia dhe shokët e tyre përbënin simbiozën e ndryshimit rrënjësor të një sistemi të kalbur diktatorial. Azemi, përfaqësonte shpirtin e lirë të rinisë, kurse Pjetri dhe Alia, disidencën, ëndrrën e lirisë.

Pasi PP-së, nuk i bëri punë kjo propaganda shterpë, filluan kërcënimet…Na u desh dy herë të ndërronim vendin e mitingjeve tona se donin të vrisnin Pjetër Arbnorin. Kështu na informoi shefi i policisë së asaj kohe, Dilaver Papare…

Pas mitingut në Bajzë, Azemin dhe kandidatin Dodë Kaçaj komunistët i kërcënuan me vdekje. Azemi, sulmoi ashpër Ramiz Alinë, kurse Doda, ngriti lart figurat e patriotëve nacionalistë të vrarë nga diktatura komuniste. Gjatë asaj kohe u kërcënuan shumë nga ne, biles na u bënë dhe atentate, ku qëllimi i ekzekutimit mbulohej me propagandë ordinere…!!! Ngjarja e 2 Prillit, vulosi   krimin shtetëror komunist…

Azemit, iu bënë disa tentativa ekzekutimi deri në vrasjen e tij. Njëri, ai më flagranti u bë në mjediset e Parlamentit. Të tjerat, një pjesë e opinionit i di, një pjesë tjetër i ka injoruar…Për mua , vrasja  e Azemit , nuk qe e papritur . Ai qe shprehur disa herë në prezencën time . Njëherë më tha : “ Kanë me më vra ! Nëse vdekja jeme ka me i shërby çështjes  ,  Shqipnisë dhe demokracisë  ja kam ba hallall, se burrat vdesin njiherë! Po nëse vdekja jeme ka me shku kot , do m’kish ardh keq.” Pasi mbaroi sentencën ,  treti  sytë  diku midis dy botëve si njeriu që parandjen largimin… Po ashtu , miku im Arben Broci ,  e pat parandjerë vrasjen e tij, duke u shprehur disa herë midis nesh, pothuajse me të njëjtin fjalor …Një natë apo dy para vrasjes , Arbeni  , i kish treguar një ëndërr të tmerrshme  nënës  Lije (…) , që u bë realitet. Pas disa viteve , nënë Lija , kish parë tek varri i të birit, vrasësin me Kuran në dorë, i cili kish qenë polic brenda KPP. Ish-polici i qe përgjëruar Lijes, ta falte , se ai nuk kish dashur ta vriste të birin , por e kishin urdhëruar …  Pas përgjërimit  ,  vrasësi qe zhdukur pa gjurmë…

Dy ditë para se ta vrisnin, ai qe në Shkodër në një aktivitet të Unionit Anti-Komunist.

( Azemi ish anëtar i Kryesisë së Unionit…)  Si drejtues i Unionit , kisha planifikuar dhe një “takim” më të ngrohtë në Restorant “Hamami” në lagjen Xhabie, një ndërtesë rreth katërqind vjeçare për nder të miqve nga Tirana. Në shpurën e tij kishte me vete dhe Brutin …U përqafuam me Azemin, dhe nuk mendoja se ai do ishte takimi i fundit në këtë botë. Unë u nisa për gjueti në Grishaj. Lajmin e kobshëm ma solli djali i xhaxhait Artan Grishaj.

Nëse vrasja e Arbenit , më kish prekur thellë në  shpirt ,  vrasja e Azemit , më preku në  ndërgjegjen e burrit që nuk e ka  për asgjë sakrificën sublime… Bëra ca telefonata patriotëve antikomunistë që të mblidheshim në Tiranë , për t’i dhënë lamtumirën mikut tonë . Atë natë , sëbashku me një grup  antikomunistësh patriotë mbërritëm në kryeqytet. Nga darka shkuam në redaksinë e “Gazetës 55” që drejtohej nga  Fahri Balliu ,  i cili ishte  njeri i penës , por dhe  pjesmarrës aktiv në  luftën antikomuniste dhe  mbeturinave  të regjimit . Fariu mu lut që të shkoja tek shtëpia e tij , por ne ishim shumë , prandaj pranuam që ta gdhinim në atë ndërtesë që për ne ishte bërë simbol.

Më pas ndodhi ajo që pritej…

Dr. Berisha dhe pse një burrë shteti, nuk qe i vendosur ta mbante pushtetin. Sikur ai do e bënte një gjë të tillë çdo gjë do të ndryshonte përgjithmonë. E kuptova Dr. Berishen, kishte presion të jashtëm shumë të madh. Prishja me Amerikën, ia kishte lidhur disi këmbët…Më vonë, një diplomat i huaj, D.E. me pat thënë: “Ishte një shans  i madh për ndryshimin e historisë, por mund të përfundonte me një lum gjaku…” Mbase këtë të fundit pati parasysh dhe Berisha…

Sot, më duhet të publikoj një gjë që nuk e kam publikuar më parë, por e kemi konsumuar me Organizmat Ndërkombëtare… Vrasësi i Azemit, u arrestua në Shkodër (para se të arrestohej përfundimisht), nga P. Ç. (dëshmia e tij para nesh dhe OSBE),  Shef i Krimeve të Shkodrës. Pas arrestimit, po atë natë ai u mor me mikrobuzin e Policisë së Tiranës (gjoja për siguri), për çudinë tonë, të P.Ç.,  OSBE dhe Monitoruesve të KE, vrasësi  që kërkohej më këmbë të kalit, u pa të nesërmen i lirë, duke shëtitur nëpër Tiranë… How about that! Pse e liroi vrasësin Qeveria e Tiranës, që kërkohej me ngulm nga Organizmat Ndërkombëtare, Parlamenti Europian dhe SHBA?! Kjo nuk don përgjigje as koment se i ka brenda të gjitha …

Pas kësaj, presioni i Organizmave Ndërkombëtarë u bë shumë më i ashpër, sa  detyruan qeverinë e Tiranës të arrestonin përsëri ekzekutorin dhe shokët e tij. Sikur të mos ishin OSBE, Monitorët e KE dhe presioni ndërkombëtar, vrasësit e Azemit do të ishin akoma të lirë dhe sot. Shpresoj, kjo është e mjaft për stisësit shpirtëligj e diletantë që tymosin propagandë të ndyrë për të  ushqyer  sëmundjen e rrezikshme  mikro gazetareske: “Mania e Vëmendjes.” Ndonjë mjeran thotë, “Azemin e vranë për gjakmarrje” dhe se gjykatat për këtë kanë dënuar filanin dhe fistekun. Shpirtligësia dhe helmi i urrejtjes nuk mund të mbulojë të vërtetën. E vërteta ka fuqinë të çjerrë çdo prapamendim sado i sofistikuar të jetë, të ndriçojë arsyen analitike, të pastrojë oksidimin e gotës së metaltë dhe të shpërbëjë opiumin e servirur. Ky turp ndodh vetëm me palo-analistët shqiptarë. Kush është ai burrë që thotë se, unë e vrava filanin për politikë dhe se me shtyu ky apo ai?! E para, ai që vret për politikë dhe e pranon një gjë të tillë nuk hyn në “gjak” thjesht me një familje, me krimin e tij ai hyn në luftë me mbarë shoqërinë, kështuqë vrasësi e ka më të lehtë të thotë se e vrava për çështje personale dhe jo për politikë. E dyta, në raste të tilla, dekonspirimi ka një kosto fatale, ku në momente pendimi dhe sqarimi përfundon me eliminimin e të penduarit nga klani. Në botë, ka qindra shembuj…

Gjithashtu , akuza se: “  Berisha dhe Pollo kanë vrarë Azem Hajdarin”,  është një gënjeshtër e turpshme. Dhe nëse shpifësit e kësaj “gjëme” kanë thënë  ndonjëherë  ndonjë të vërtetë në jetën e tyre , me këtë shpikje  trashnike  nuk i beson më askush , biles as  jeniçerët me shpata të ndryshkura .

Trimëria dhe intuita e Azemit , buronin nga  trashigimi  genetike, nga hija  e  kreshtave Tropojës.  Fryma  anti-komuniste, referimi në kulturën shkodrane ,  uji i Selitës dhe Shpirti i PD , e bëri  atë  një lider të kompletuar.  Ai kurrë nuk u bë rob i fallsitetit dhe i portofoleve ministrore që vinin e shkonin pa lënë asnjë  gjurmë. Azemi erdhi si frymëzim dhe mbeti hero popullor .Nuk po zgjatem në fotosintezën e asaj kohe dhe të mërzis lexuesin me kujtimet e mia për Azemin dhe  demokratë të tjerë që jetojnë dhe nuk jetojnë më , por dua të theksoj tri gjëra:

1-Bustet, nuk janë objekte që bëjnë hije në errësirë, por dritë për breznitë dhe historinë.

2- Sakrifikimi për liri është akti më  sublim i njeriut, prandaj  quhet heroizëm. Në raste të tilla , përpjekja për të degraduar heronjtë nuk është asgjë tjetër , vetëm vetëpaditje e degjenerimit amorf.

3-Opinioni i stisur sintetik   është artificial,  dhe si i tillë nuk mund të jetë jetësor e jo më të merret si mendim apo fakt!

(Fund!)  Dikur,  Shandorf Petef  shkruajti : “Për dashurinë do të jepja jetën , kurse për lirinë do e falja dashurinë.”     Azemi jonë  , e bëri këtë sakrificë .

Filed Under: Featured Tagged With: alfons Grishaj, dhe vrasja e Azemit, Paralajmërimi i vrasjeve të opozitës

Dea shqiptare e “Butrintit” Penelopa, që udhëton me Odisenë

November 5, 2017 by dgreca

Dea shqiptare e “Butrintit” Penelopa, që udhëton me Odisenë e Iliadës në Metropolitan Art/23316811_296020700896907_1833559947559875313_nNga Keze Kozeta Zylo/23376238_296020974230213_2440168839103438030_n

Kori artistik i të rinjve të Manhattanit ku midis tyre është dhe Dea jonë shqiptare kanë interpretuar operën epike “Odisea” në Metropolitan Muzeum të Artit. 23316696_296021090896868_7408088058737341823_n

Odisea – Mbreti i Itakës, komandant i lartë grek që mendohet të jetë dhe tragjedia e parë në botë vazhdon të jetë në vëmendjen e miliona shikuesve në botë dhe domosdo dhe nga artistët me emër në gjithë planetin.

1 VatraSirenat qe joshnin monstrat për gjak, e bëjnë Odisenë të përballet me mjaft pengesa dhe pasoja të paimagjinueshme.  Në këtë performancë të shkëlqyer dhe të interpretimit fantastik ku bashkohet dhe zëri i mrekullueshëm i Deas ilustrohen dhe me pamje nga koleksionet e gjera të artit grek në Muzeumin Metropolitan si dhe të artfakteve të Muzeumit.

E kush më bukur se Dea shqiptare mund ta luante rolin e Penelopës, pasi dihet historikisht dashuria dhe besnikëria bashkëshortore e gruas iliriane që prisnin burrat e tyre të ktheheshin nga luftërat e shumta, por ajo qe ka shans më shumë në botën e metropolit është vetëm talenti i shkëlqyer që mund të tërheqin kompozitorët dhe regjisorët e mëdhenj…

Dhe Dea jone ia arriti, pasi sukseset e saj te njëpasnjëshme kanë filluar qysh në moshë të vogël në skenat me koncerte shqiptare dhe amerikane.  Ajo ka debutuar në disa koncerte, por vlen për të përmendur pjesëmarrja e saj në korin artistik të të rinjve të Nju Jorkut gjatë ceremonisë së pritjes së Papa Franceskut në Amerikë, në mbledhjen e fondeve për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe sidomos shtete dhe qytete të tëra të shkatërruara nga sunamet si në Japoni në vitin 2011-të, aktivitet që i kryen së bashku me të rinjtë artistë japonezë.  Performancat e saj tashmë të njohura kulmuan me operën “Odisea” luajtur nga të rinjtë e Nju Jorkut me kompozitor Ben Moore, libreti nga Kelley Rourke, bariton Brian Vu dhe në rolin e Penelopës Dea shqiptare…

Homeri e rrëfeu mjeshtërisht  rikthimin e Odisesë në poemën “Odiseja”, çka vazhdon të jetë aktuale dhe në ditët e sotme.  Eshtë mjaft interesante se Odisenë “Uliksin” e ka interpretuar dhe aktori i famshëm shqiptar nga Kosova Bekim Fehmiu me Irene Papas, një aktor legjendë për kinematografinë botërore.

Ç’kocidencë e bukur brezash që medoemos të bën të ndjesh krenari dhe njëkohësisht të të mos shuhet kurrë shpresa se arti do e ndryshojë botën e çakërdisur.

Penelopa që duket sikur dhe sot thur e shthur pëlhurë për të pritur bashkëshortin e saj Odisenë i cili është zhdukur për në detin “Mesdhe”, vazhdon më të njejtin temp dhe dëshirë të lexohet dhe të interpretohet në skenat më të mëdha botërore.

Artistja e re shqiptare me emrin e bukur historik Dea e “Butrintit” që interpreton Peneolopën e Homerit në Manhattan janë një bashkim perfekt sepse koka e bukur e Deas skulpturë që ruhet nga Fondi i kulturës botërore Unesko edhe Odisea me Penelopën ruhen në muzetë e famshme të botës si në Muzeumin Metropolitan të Artit në Manhattan.

Dhe vjen një ditë që vajza e shkëlqyer gjimnaziste e Bronxit në New York, Dea të interpretojë aq mjeshtërisht rolin e Penelopës, te duartrokitet nxehtesisht nga pjesemarresit artdashës të publikohet në mediat amerikane dhe të ngelet e arshivuar përgjithmonë në historikun e skenës të Metropolitan të artit në Manhattan. Dea jonë shqiptare është një histori suksesi në botën e artit dhe premton shumë për të ardhmen e saj të shkëlqyer.

Manhattan, New York

5 nëntor, 2017

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dea e Butrintit, Nga Keze Kozeta Zylo, Penelopa, udhetim me Odisene

Pacolli-ambasadorit rus: Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran

November 5, 2017 by dgreca

-Deklaratë për media e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, në lidhje me deklarimet e Ambasadorit rus në Beograd, Alexander Chepurin/1 BexhetPacolli1

-Pacolli: Sipas Ligjeve dhe Rregullave Ndërkombëtare Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran/

PRISHTINË, 5 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/  Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dërgoi sot këtë deklaratë të ministrit Behgjet Pacolli në lidhje me deklarimet e ambasadorit rus në Beograd, Alexander Chepurin: “E lexova me vëmendje të shtuar deklaratën e Ambasadorit rus në Beograd, Alexander Chepurin, i cili sipas raportimeve të mediave, ndër të tjera, kishte deklaruar se ‘…sa i përket Kosovës, sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare, Kosova mbetet pjesë e Serbisë…’. Është, vërtetë, për keqarjdhje, që një titullar kaq i lartë diplomatik bën deklarata të tilla, që nuk i kontribojnë aspak paqes, stabilitetit dhe ndërtimit të besimit dhe pajtimit në Ballkanin Perendimor.

Rusia, në vazhdimësi  ka qenë pjesë e procesit të negociatave për zgjidhjen e statusit përfundimtarë të Kosovës.Mbase ka kaluar një kohë pak sa e gjatë –rreth 6 vjet dhe Ambasadorit rus nuk i është kujtuar, por, po e shfrytëzojë këtë rast për t’i ri-kujtuar se Organi Kryesor i Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, kishte vërtetuar me vendimin e saj se ‘shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel as të Drejtën e Përgjithshme Ndërkombëtare, Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 apo Kornizën Kushtetuese…’.Në këtë proces edhe shteti, që ai përfaqëson deponoi kontributet e tij me shkrim dhe me gojë. Unë, thjeshtë nuk e di se për çfarë Ligjesh dhe Rregullash tjera ndërkombëtare flet përfaqësuesi diplomatik rus. Në mbështetje të asaj që u tha më lartë, nuk mund të jap vlerësim tjetër pos atij të vazhdimësisë së pretendimeve ruse për krjimin e lajmeve të rreme dhe krijim hutie tek opinioni lokal dhe ndërkombëtar”. /b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: ambassador rus ne Kosove, Behxhet Pacolli, deklarate

Greqia presion primitiv me bllokimin e kufirit

November 5, 2017 by dgreca

Vetë Greqia nuk njeh asnjë minoritet, megjithëse brenda saj jetojnë shqiptarë, sllavo-maqedonas, polakë, turq, vllehë, romë, egjiptas, bullgarë, hebrenj./arben-llallaNga Arben LLALLA/

Përherë Greqia për t’iu bërë presion qeverive shqiptare prej 27 vitesh ka përdorur metoda primitive si operacioni “Fshesa” më 1993, ku brenda 15 ditësh u kthyen forcërisht rreth 90 mijë emigrantë shqiptarët, të cilët punonin për bukën e gojës.

Bllokimi i shqiptarëve për 18 orë në kufi me Greqinë u justifikua se ka problem sistemi elektronik TIMS. Konsulli shqiptar në Janinë, Pervin Gjukuria gënjeu tek deklaroi që ka rënë i gjithë sistemi TIMS në gjithë Greqinë. Përse në doganat Greqi-Maqedoni nuk ka rënë sistemi TIMS? Përse nuk ka rënë sistemi TIMS me doganat Bullgari-Greqi? Përse nuk ka rënë sitemi TIMS për ata që udhëtojnë me linjë ajrore Tiranë-Athinë? Në këto dogana vazhdoi lirshëm qarkullimi i qytetarëve nga dy anët e kufirit.

Loja e presionit politik e rënies së sistemit TIMS në Greqi me doganat me Shqipërinë është e njohur prej 20 vitesh. Ndërsa kyeministri i deklaratave boshe patriotike nga zëri i gurmazit, Edi Rama pasi u shpërblye me Kryqin e Artë të Kalorësit si Mbrojtës i Ortodoksisë Greke nga Patriarku i Jeruzalemit dhe për t’i treguar Greqisë se do jetë një kryeministër i dëgjueshëm, vasal i ri i Greqisë izoloi Çështjen Çame. Por, Greqia nuk hesht dhe nuk ndalet pa kërkuar favore të tjera për të realizuar projektin e vllehut Joanis Koletit; Megallo Idenë. Pra, ndërtimin e 5 varrezave gjigandë në Jugun e Shqipërisë nga Korçë-Leskovik-Përmet-Gjirokastër-Bularatë me 8 mijë varre bosh, të cilët do shiten si dëshmorët që ranë për të çliruar motrën e vogël të Vorio Epirit, sepse kështu thotë edhe himni ushtarak i Greqisë. Greqia më 12-15 nëntor në Kretë do t’i kërkojnë kryeministrit Rama dhe ministrit Bushati njohjen e Himarës si zonë e pakicës greke, faljen e detit, ku në anën e Shqipërisë flenë 450 miliardë euro rezerva nafte dhe gazi. Prandaj, Edi Rama duhet të mendohet mirë para se ta hedhë nënshkrimin për këto marrëveshje, madje do të bënte mirë që të përdorte reciprocitet dhe jo gafën historike, kur njohu nëntë minoritete, ku merre me mend as Maqedonia e Kosova nuk kanë njohur më shumë se gjashtë pakica.

Vetë Greqia nuk njeh asnjë minoritet, megjithëse brenda saj jetojnë shqiptarë, sllavo-maqedonas, polakë, turq, vllehë, romë, egjiptas, bullgarë, hebrenj.

Kurse qeveritë shqiptare nuk kanë guxuar asnjëherë të vetme për të kërkuar njohjen e minoritetit shqiptar që jeton në Çamëri, Aleksandopoli, Kavallë (këto janë njohur zyrtarisht nga vitit 1923 si zona ku jeton minoriteti shqiptar) apo për të drejtat e minoritetit arvanitas për reciprocitet. Çfarë do na thotë Ditmir Bushati për vrapin që bëri sot në Derviçan për të paraqitur me aq propagandë zëvendësministren e jashtme grekofone, ndërsa prej tre vitesh sa ishte zëvendësministër me origjinë nga Çamëria nuk e prezantoi asnjëherë, por e fshehu se mos na mërzitej greku.

Hakmarrja e Greqisë për bllokimin 18 orë të kufirit nuk ka justifikim, ajo është një hakmarrje primitive mbi fëmijët, pleqtë dhe njerëzit që i lidhin shumë gjëra me Greqisë. Këto sjellje dallkaukësh nuk nxisin dashurinë mes popujve, por përkundrazi nxisin urrejtje, sepse kur një shtet i tërë merret me pengimin e lëvizjes lirshëm të fëmijëve dhe pleqve, rrëfen se kemi të bëjmë me probleme psikologjike të një shteti të tërë që pretendon se është babai i demokracisë.

Për rikujtesë, fatkeqësia e shqiptarëve është që Shqipëria udhëhiqet ende nga politikanë të dobët përballë politikës dinake të Greqisë dhe grekëve. Sot, populli shqiptar dhe ai grek ndodhen politikisht shumë larg njëri-tjetrit. Lufta e Kosovës tregoi se grekët janë besnikë, avokat të politikës raciste serbe, janë në anën e kundërshtarëve të kombit shqiptar. Teoria, sipas të cilës mërgimtarët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek që jeton në Shqipëri janë urë lidhëse midis dy vendeve bie poshtë si e pa vërtetë. Mërgimtarët shqiptarë janë pengje, urë e minuar që shpërthen sa herë që Tirana nuk i bindet Athinës, kur kjo e fundit me “fshesat e veta periodike” kthen me forcë në heshtje ose me bujë mijëra njerëz të halleve, njerëz të bukës së gojës që nuk merren me politikë.

Sa herë që Shqipëria do të kërkojë të drejtat e mërgimtarëve në Greqi dhe ngritjen në Forumet dhe Asambletë botërore për zgjidhjen e drejtë të Çështjes Çame, atëherë Greqia me satelitët e saj minoritarë grekë do të kërkojnë Autonomi të “Vorio Epirit” dhe ndërhyrje ushtarake në Jug të Shqipërisë për “shpëtimin” e pakicës greke.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Greqia presion primitiv, me bllokimin e kufirit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1696
  • 1697
  • 1698
  • 1699
  • 1700
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT