• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Më mirë pa heronj, sesa keqpërdorimi i tyre!

September 27, 2017 by dgreca

2 enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Ramush Haradinaj eshte per vizite zyrtare në Tiranë. Dhe është për të kjo vizita e parë që bën në postin e kryeministrit jashtë Kosovës. Për mua kjo është gjithashtu një ngjarje. Dy kryeministra që nuk kanë nevojë për përkthyes, flasin, bisedojnë dhe rekordojnë me njëri-tjetrin. Eshtë një zhvillim ky shumë pozitiv nga pikëpamja formale, sepse në atë qëi jepet publikut duket shija e një spekullimi, manipulimi dhe përpunimi të trurit të shqiptarëve në favor e pse jo në mbështetje të një qeverisjeje me shumë probleme, me shumë dështime. Ata rekorduan, por jo për projekte zhvillimi. Rekorduan për Vitin e Skënderbeut dhe Ditën e Flamurit!

Sapo jam kthyer nga Austria dhe një nga njerëzit prominentë të këtij vendi, me ndikim në Bruksel, më thotë: “Nuk e kuptoj pse Shqipëria është kaq prapa në integrimet europiane, kur Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar shumë”! I them se “Vijmë edhe ne drejt integrimit, por pak më me ngadalë”! Nuk doja që jashtë kufijve të vendit tim të fajësoj dikë, qofshin këta dhe përgjegjësit kryesorë të kësaj situate, pra ata që na qeverisin keq.

Vizita e zotit Haradinaj u shfrytëzua mjeshtërisht për ta fsheh këtë qeverisje të mbrapshtë! Skënderbeu u bë përsëri simbol i keqqeverisjes. Megjithëse zoti Rama ia la këtë lojë manipuluese ta ekzekutojnë presidenti Meta dhe presidenti Thaçi, ata mblodhën grupet e punës për “Vitin e Skënderbeut”! Pastaj caktuan datën e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive në një ditë feste, më 28 nëntor. Diabolikët do të marrin daullet dhe do t’i krahasojnë këta të dy me Skënderbeun. Do t’i himnizojnë dhe mitizojnë dhe me këtë akt, politikanët tanë do ndjehen si në qiellin e shtatë! Entusiazëm, eufori, flamuj, protrete të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, diku mundet që të shfaqen edhe portretet e diktatorit Hoxha. Kjo do të jetë panorama e atmosferës së brendshme.

Do “hedhim vallen në gojë të ujkut”, thjesht për të mos vënë re varfërinë, hajdutërinë, krimin, trafiqet, korrupsionin, por edhe lëvizjet mbas perdes për të krijuar atë që quhet “Jugosllavi e Re”. Duke mitizuar Skënderbeun, qeverisjet e sotma na e ngushtojnë më shumë lakun në fyt dhe e lirojnë atë, sa për të na lejuar të marrim pak frymë. Ndërsa oksigjenin na e japin me komandë, patriotizmin na e shesin me okë, mjafton që të mos kuptojmë se na mungon frymëmarrja, mjafton të bëhemi rob të ireales,

Jo për kompromis, por nuk dua që për këtë ta fajësoj kryeministrin e Kosovës, zotin Haradinaj. Ai kishte nevojë për ndihmën e zotit Rama dhe është i detyruar si malësor të jetë mirënjohës ndaj tij. Ky është një princip njerëzor i patjetërsueshëm, nëse kemi të bëjmë me njerëz. Por zoti Rama nuk mundi që të njëjtën gjë ta bënte me Isa Mustafën, i cili mund të kishte njëmijë gabime, ndërkohë që duhet vlerësuar për ruajtjen e integritetit të tij përballë kërcënimit të kryeministrit shqiptar me paternalizëm klasik!

Në mungesë të rezultateve në ekonomi, në infrstrukrurë, në rritjen e të ardhurave për qytetarët, në kryerjen e reformave aq të bujshme, zoti Rama ka zgjedhur të luajë me mjeshtri muzikën e mitizimit të figurave historike e patriotike shqiptarë dhe t’i keqpërdor ato në funksion të forcimit të pushtetit të tij. Në këtë skemë ai ka bërë llogari të qarta. Në Ballkan mitet janë modë e nacionalizmit dhe nacionalistëve. Njerëzit jetojnë ende me legjendat religjioze dhe heroizmat, të cilat janë të pakapshme për trurin njerëzor, siç i definon ato shkrimtari britanik, Robert Graves.

Studiuesit e shkencës së mitologjisë venë në dukje gjithashtu se mitet dhe mitizimi i historisë bëhet me qëllim homogjenizimin e kombit.  Të njëjtën gjë synon zoti Rama me fushatën e shpalljes së vitit të Skënderbeut. Serbët prej dy shekujsh e kanë homogjenizuar kombin e tyre përmes miteve të krijuara, me qëllim sundimin e kombeve të tjera në rajon dhe fatkeqësisht asgjësimin fizik të shqiptarëve. Prandaj ata zgjodhën si model mitizimin e Betejës së Fushë-Kosovës të 28 qershorit 1389, ditë të cilën e shndërruan në festë fetare si dita e Shën Vidovdanit. Në këtë ditë janë kryer disa akte politike: U vra Fnaz Ferdinand ne Sarajevë (1914), u publikua letra e Informbyrosë, Stalinit (1948), u bënë mitingje me një milion pjesmarrës (1989), etj.

Ndërsa ne shqiptarët më së shumti i kemi përdorur heronjtë e vendit për të justifikuar keqqeverisjen. Diktatori komunist shpalli “Vitin e Skënderbeut” (1968), sepse dështoi me revolucionin kulturor btë tipit kinez të vitit 1966-1967 dhe i mëkoi shqiptarët me mitin e heroit kombëtar. Një dekadë më vonë, kur Shqipëria ishe izoluar tërësisht dhe kishte dështuar në politikat e tij zhvillimore, pra vitin 1968 e shpalli vitin e Lidhjes së Prizrenit (100 vjetori).

Tani është riktyer miti i Skënderbeut si një model jo për të krijuar një momogjenitet kulturor, etnik, fetar, por për t’i bashkuar shqiptarët rreth një elite politike, që fatkeqësisht me shumë gjasa është e lidhur me krimin, trafiqet dhe oligarkinë, duke rrënuar kështu shpresën e shqiptarëve për një jetë më të mirë, më cilësore dhe më të denjë. Askush nuk mund ta qortojë përkujtimin e ngjarjeve dhe figurave historike, nëse ato zhvillohen natyrshëm dhe thjesht si nevojë e kujtesës historike. Kjo mënyrë e trajtimit të ngjarjeve të tilla nuk ka nevojë për shpallje politike e qeveritare, aq më pak për impenjime në 365 ditët e një viti. Thjesht do të mjaftonte mbështetja e qeverisë për veprimtaritë që mund të zhvillojnë institucionet e specializuara.

Nga pikëpamja e shkencës moderne në studimet bashkëkohore, nuk është historia ajo që përcakton shkallën e nivelit të integritetit dhe dinjitetit të një kombi e të një populli. Përkundrazi, është suksesi politik zhvillimor, gjendja ekonomike dhe të ardhurave, situata sociale në të cilën jetojnë njerëzit e një vendi, shteti. Nëse do të ishin mitet historike prova e përparimit dhe progresit e për pasojë edhe integritetit dhe dinjitetit të një kombi, shqiptarët, ballkanasit, sidomos serbët, do të ishin shënuar në histori si vendi/vendet më të civilizuara në botë. Por nuk ndodh kështu! Janë kritere të tjera ato që përcaktojnë pozitën civilizuese të kombeve dhe popujve. Qeverisja e mirë është në themel të këtij civilizimi.

Ndërsa ne vazhdojnë të na i japin e ndërkohë t’i pranojmë mitet historike si nevojë e përditësuar për përceptimin e gradës identitare tonën. Sa kohë do të vazhdojmë me këtë logjikë, ne do të mbetemi peng i një politike të gabuar, nuk do të bëjmë hajr, e ndërkohë do të shënohemi në rendin e parë të refugjatëve e të pjesmarrjes në kriminalitet e në veprimtari të paligjshme!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Më mirë pa heronj, sesa keqpërdorimi i tyre!

Rama e Haradinaj nisin me “Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut”

September 27, 2017 by dgreca

Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Ramush Haradinaj janë zotuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve./

1 Rama HaradinajNga Zijadin Gashi/

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar edhe nga disa prej ministrave të kabinetit të tij, po qëndron në Tiranë, ku me nikoqirin, kryeministrin Edi Rama kanë ndërmarrë nismën për përurimin e Komisionit për organizimin e “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut”.Paraprakisht, Rama dhe Haradinaj janë pajtuar që më 27 nëntor, një ditë para shënimit të Ditës së Flamurit shqiptar, qeveritë e dyja vendeve të takohen në Korçë.

Kosova dhe Shqipëria, ka thënë kryeministri Edi Rama, mund të nisin me ri-aranzhimet e kufirit, duke i bërë kalimet kufitare ndërmjet dy shteteve, të ngjashme me ato që i aplikojnë vendet e Bashkimit Evropian.Po ashtu, tha Edi Rama, shfrytëzimi vetëm i Portit të Durrësit nga ana e Kosovës, nuk është i mjaftueshëm dhe kërkoi që të ketë edhe pika tjera.

Të dy kryeministrat thanë se Prishtina dhe Tirana duhet të thellojnë bashkëpunimin, shkëmbimet tregtare dhe të krijojnë lehtësime për aktivitetet e bizneseve.

Një temë e pashmangshme e takimeve të kryeministrit Haradinaj me liderët rajonal, mbetet edhe çështja e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si një prej kushteve të paplotësuara të Kosovës për liberalizimin e vizave.

Haradinaj, nuk e ka komentuar qëndrimin e fundit të Malit të Zi se Demarkacioni për këtë vend është mbyllur me marrëveshjen e gushtit të vitit 2015, nga Qeveria e kaluar e Kosovës, por të cilën të cilën Haradinaj nuk e njeh. Por, ai tha se do të punohet në gjetjet e reja në lidhje me shënjimin e vijës kufitare.

“Kosova po procedon në përputhje me rregullativën e vet dhe obligimet e saj politike. Kur ta kemi një situatë të re dhe më të qartë të gjeturave tona, ne do t’i drejtohemi fqinjit tonë”, theksoi Haradinaj.

Mirëpo, homologu i tij, Edi Rama kishte një porosi për Haradinajn, duke i kërkuar atij që të gjejë një zgjidhje për Demarkacionin.“Interesi i Kosovës është zgjidhja sa më e shpejtë e këtij problemi i cili është kthyer në ngërç në raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar”, tha Edi Rama.Ai tha se kryeministri Haradinaj tani duhet të ndahet nga qëndrimi i tij i ngurtë sa ishte në opozitë dhe të gjejë zgjidhje sa më të shpejtë për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ndryshe, vizita në Tiranë, paraqet vizitën e parë zyrtare jashtë vendit të kryeministrit të ri të Kosovës.Kryeministri Haradinaj është pritur në Tiranë me ceremoni shtetërore me rreshtimin e Gardës së Republikës së Shqipërisë.Haradinaj pritet të takohet edhe kreun e opozitës, Lulzim Basha, dhe kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se ky vit do të shërbejë si “yll orientues i rrugës së përbashkët krah për krah njëri-tjetrit në funksion të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë shqiptarët”.

Filed Under: Kronike Tagged With: Haradinaj, Rama, Viti i Skenderbeut

FSK-ja ushtri, jo me ligj po me Kushtetutë, thotë Delawie

September 27, 2017 by dgreca

1 FSK

Qëndrimet zyrtare amerikane në lidhje me çështjet fundamentale politike – prej çështjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi e deri tek procesi i transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri, nuk kanë ndryshuar me ardhjen e Qeverisë së re të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, shprehet i vetëdijshëm për kufizimet që ka një qeveri me shumicë të ngushtë parlamentare, por ai po ashtu pret që opozita të ndihmojë në kalimin e çështjeve që nuk janë politikisht kundërthënëse, meqë “Kosova duhet të ecë përpara”.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, Delawie ka sqaruar edhe qëndrimet rreth dialogut me Serbinë, krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, akuzave të ngritura kundër ministrit Nenad Rikalo, keqardhjes së shprehur me përmbysjen e vendimit për decertifikim të kandidatëve me dënime gjyqësore, si dhe efekteve të asistencës amerikane për Kosovën.

Në intervistë, ambasadori Delawie ka dalë në mbrojtje të lirisë së mediave, duke ia tërhequr vëmendjen “secilit zyrtar në Qeveri që të mos bëjë asgjë që do ta kërcënonte pavarësinë e mediave të lira në Kosovë”, për të cilat ka thënë se “janë një element i fortë në këtë vend”.

KD: Z. Ambasador, tani kemi Qeverinë e re. Cilat janë pritjet tuaja nga Qeveria e re dhe sa është realisht e mundshme që Qeveria e re të përmbushë pritjet – si tuajat ashtu edhe të shoqërisë kosovare – duke e pasur parasysh shumicën tejet të ngushtë që e kanë?

Delawie: Jam takuar me shumë ministra të rinj të Qeverisë së re dhe pritja e shpresa ime është se të gjithë ata do të punojnë për avancimin e interesave të Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës, si brenda ashtu edhe në botë. Prioritetet për të cilat e kam fjalën janë sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe siguria; natyrisht janë edhe prioritetet e tjera të brendshme, që Qeveria duhet t’i ketë parasysh.

Për sa i përket çështjes së numrave që ngritët, 61 nga 120 vende është shumica më e ngushtë që mund të jetë dhe prapë të kesh shumicë. Por, duhet ta kesh në mendje qeverinë e kaluar. Kuvendi i fundit kishte shumicë të gjerë, prapë Kuvendi nuk është se ka mundur të arrijë shumëçka. Kështu që shpresoj që Kuvendi i ri, edhe nëse janë vetëm 61, mund të arrijë të bëjë diçka…

Filed Under: Interviste Tagged With: FSK-ja ushtri, jo me ligj po me Kushtetutë, thotë Delawie

VATRA DO MBYLLET, DIELLI U SHUA, SA HERE I KEMI DEGJUAR…?

September 27, 2017 by dgreca

*Vatra do mbyllet, e mbaroi qëkuri misionin, Dielli u shua…Sa here na kanë dëgjuar veshët fjalë të tilla?

1-GAZETA-DIELLI-VATRA-300x107

*Jetegjatesia e Vatres-105 vjece,  shkelqimi i Diellit ne 109 vjetorin e krijimit- kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve(dhe shpifësve), kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare./

-NJE ESSE PER MISTERIN E JETEGJATESISE SE VATRES DHE DIELLIT-/

Peter-prifti-300x139

Shkroi: PETER R. PRIFTI*/

“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”!

“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.”!
Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?
Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.
Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.
Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.
Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.
Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.
Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.
Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.
Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.
Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.
* Peter R. Prifti, ishte editor I Diellit dhe sekretar I VATRES. Ky artikull u botua DIELLI, Nju Jork, numri janar-shtator 1994.)

Filed Under: Featured Tagged With: Dielli u shua, Peter Prifti, Vatra u mbyll

“Vëllau” Erdogan nuk na njeh më

September 27, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/1 thaci-erdoganLamtumirë Irak, lamtumirë Irak…, këto ishin thirrjet rrugëve të Irbilit të hënën mbrëma, 25 shtator 2017-të, pas daljeve të rezultatit të referendumit të mbajtur në provincën kurde në veri të Irakut. Kurdistani është një dhimbje më vete, një komb jo i vogël, rreth tridhjetë e ca million, toka e të cilit është ndarë në katër shtete, Iran, Irak, Turqi, Siri. Territoret më të mëdha janë në Irak dhe Turqi. Pas rënies së regjimit të Sadam Hysenit, por edhe për mosfunksionimin si duhet të demokracisë, trazirat, Isisi etj., kurdët e Irakut kanë fituar më shumë të drejta. Madje e kam përmendur edhe më përpara, kanë një ekonomi më stabël se vet irakenët. Por edhe një mobilizim popullor duke mbrojtur identitetin nga mortaja e rajonit Isis. Shteti ku bënin pjesë, mezi po mbahej vet. Sikur mos të kish ndërhyrë Amerika, Isisi do e kishtë përfshirë me kohë. Por ndodh e kundërta me realitetin kurd në Turqinë e Erdoganit. Megjithatë, ato thirrjet në anglisht, bye, bye Iraq…, sigurisht nuk kishin kujt t’i digjnin tjeër kujt më shumë se pashait të Bosforit, Rexhep Taip Erdogan. Njeriun që pak ditë më pare intelektualja dhe shkrimtarja e njohur Elif Shafrak, në të përditshmet e metropoleve do ta cilësonte si shkaktarin kryesor për varrosjes e demokracisë në vendin e saj. Jo rastësisht ai do i paraqitej botës, referendumit të asaj pjesë të kombit kurd, plot ironi se një një votim popullor nuk e bën fët e fët një shtet. Kësisoj edhe kurdëve brenda Turqisë, partisë popullore të Abdullah Oçalanit të cilin e mban të izoluar në burgun e ishullit Imral që prej vitit 1999. Intervista e tij qe e gjitha një ironi. Dhe midis të tjerave përmende edhe faktin Kosovë. Shtetin e ri që e kanë njohur 114 vende e akoma nuk u bë, e nuk ka për t’u bërë.
Nga ana tjetër, shoh webeve tona, e sidomos aty në Kosovë, një lloj habie. Një lloj mbetje qejfi me baba dovletin që foli ashtu hidhnak për Kosovën kur u tregonte reporterve se e kishte në tavolinë një ushtri të tërë, gati për të shuajtuar çdo pretendim për shkëputje nga Turqia.
Ky është problemi jonë, kujtojmë se duke na dhënë ca para për një xhami Turqia apo Erdogani na do të mirën. Nisur dhe nga ato vajtje ardhjet e shpeshta, komercialiteti me Turqinë, sot shqiptarët në përgjithësi janë në një debat ku po ngatërrojnë në llogje dite, besimin fetar edhe identitetin e tyre kombëtar. Ndihen turq për shkak të fesë dhe kanë kurajon ta quajnë terrorist heroin kombëtar.
Por të gjitha këto nuk kanë ardhur rastësisht.
Madje edhe Erdogani nuk afrohet rastësisht.
E ka thënë bash në Prizëren se Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë. Dhe ne jemi shurruar nga histeria. Jemi ulur këmbëkryq shesheve si me vetë Allahun.
Megjithëse Erdogani ka qënë dhe është gjithmonë kundër asaj që tashmë në opinionin e lindjes, bizantit apo otomanizmit njihet si ideja e Shqipërisë së madhe. Kur…., nuk është kurrë gjë tjetër, Shqipëria normale, e gjora, në dorë të këtyre turkoshakëve që ndihen turq, arabë, isisas. Këtë ia deklaruar sysh edhe televizioneve tona. Por ne harrojmë plot gjëra për pak qyl. Madje edhe shqiptarinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, nuk na njeh më, Vëllau Erdogan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1772
  • 1773
  • 1774
  • 1775
  • 1776
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT