• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRENARI

August 25, 2017 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/

Cdo ndryshim vjen nga brenda…nëse…vendi është një i vetëm, pa lidhje varësie nga një tjetër, me përjashtim të…Zotit, dhe kur Ky mohohet…me përjashtim të vetes. Një vend i tillë i ngjan “atomit” që nuk mund të afektojë ose afektohet nga një tjetër; ai nuk ka dritare nëpërmjet të cilave drita mund të hyjë a të dalë. 

Fati i vendit të izoluar në mënyrë të tillë është i pavarur, e ardhmja e tij vjen nga pasojat e veta, cdo ndryshim vjen nga përbrënda. Kështu edhe kur del nga izolimi, ai u bënë ballë, anashkalon, ose kundërshton këshillat a ndikimet nga jashtë dhe përpiqet të veprojë “si di vetë”, prandaj tranzicioni ose kapërcimi nga një epokë në tjetrën merr kohë dhe bëhet i mundimshëm për njerëzit që e përjetojnë. 

Atom do të thotë ‘i pandashëm’ ose “pafundësisht i ndashëm” (Leibniz), nga natyra i padukëshëm dhe si i tillë, i pazhvilluar, me gjithë përcapjet për progres. Kjo të kujton analogjinë e dy orëve (të pa sinkronizuara) që filozofët në të kaluarën përdornin për të përshkruar anomalitë në lidhjet midis trurit dhe trupit a mendimit dhe veprimit.

Shihet sot, se njerëzit që kanë provuar një mbyllje a izolim, ndryshe thonë e ndryshe veprojnë, janë të coroditur, vijnë rrotull të hutuar, të trullosur, gënjejnë pa shkak, mashtrojnë për të jetuar, dhe kudo që t’i dërgosh, mes vyrtutit, do të pasqyrojnë veset e tyre, urrejten e cmirën për ata që kanë, dhe meqë s’kanë cfarë, tregojnë krenarinë që janë. 

Nëse ky është vendi më i mirë në botë, po vendet e tjera si janë?, pyeti Kandidi i Volterit (1759), pasi pa fatkeqësitë dhe vuajtjet mes njerëzve në Lisbonën e rrënuar nga tërmeti. 

Duket se Kandidi ndodhej në vend të gabuar në kohë të gabuar, por shoku i tij filozof, që e shoqëronte, i tha se ky ishte vendi më i mirë në botë, dhe Kandidi filloi të bindej se ashtu ishte. Por në fund të tregimit, edhe filozofi nuk ishte i prirur më të pranonte se vendi ku ndodheshin ishte më i miri, por meqënëse ishte filozof, tha ai, do të ishte e papërshtatëshme të ndryshonte mendje. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, krenari

Kosovë-“Ditët e Nënë Terezës” fillojnë në 26 gusht

August 24, 2017 by dgreca

Katedralja-Nene-Tereza-Prishtine

-Kjo ditë shënjon edhe fillimin e përgatitjes së afërt të festës së Shën Nënë Terezës, e cila kremtohet me 5 shtator, kur do të bëhet edhe shugurimi i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë/

1 Mother Teresa1 Dom lushi

-Edhe vatranë nga SHBA në “Ditët e Nënë Terezës”. Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite  me afër 2 milionë dollarë/

1 Vatra-SHBA-te-Imzot

PRISHTINË, 24 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, të shtunën, më 26 gusht 2017, ora 19:00,  në Katedralen e Kryeqytetit të Kosovës, do të bëhet hapja e “Ditët e Nënë Terezës”.

Kjo ditë shënjon edhe fillimin e përgatitjes së afërt të festës së Shën Nënë Terezës, e cila kremtohet me 5 shtator, kur do të bëhet edhe shugurimi i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.

Për këtë rast është përgatitur një program kulturor me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës, si dhe një ekspozitë e fotografive.

PROGRAMI I 26 GUSHT 2017:

Gjon Gjevelekaj  “Nënës së mire”, Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)

 “Lamtumirë” (poezi),  Jehona Gashi

Fjala e përshëndetëse:  Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovës

Alfredo Catalani: EBBEN! NE ANDRÒ LONTANA, Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)

Recitim të Poezive të Nënë Terezës, Lumnie Sopi

Shenjtëresha e Dashurisë – Shën Nënë Tereza,  Don Lush Gjergji

Avni Mula: AGIMET SHQIPTARE,  Adelina Paloja (soprano) dhe Pranvera Hoxha (piano)

Poezi të Nënë Terezës, Bislim Muçaj

Ekspozitë me fotografi

Koktej rasti

PAPA FRANÇEKU KA EMËRUAR KARDINALIN SHQIPTAR IMZOT ERNEST S. TROSHANI, TË DËRGUARIN E TIJ TË VEÇANTË PËR KREMTIMIN E SHUGURIMIT TË KATEDRALES NËNË TEREZA

1-kardinal-troshani

Papa Françeku ka emëruar Kardinalin shqiptar Imzot Ernest S. Troshani, të Dërguarin e Tij të Veçantë për kremtimin e shugurimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, u njoftua nga Vatikani – Selia e Shenjtë në 15 Korrik 2017.Po në këtë ditë Ipeshkvia e Kosovës ka shpallur Programin e Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza, që do të jetë në 5 shtator 2017, ditën e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Kremtimi solemn i Meshës së Shugurimit do bëhet në mesditë, nga ora 11:00.Kremtimi fillon me hapjen e “Ditëve të Nënë Terezës”, në ditëlindjen e saj dhe ditën e bekimit të gurthemelit të Katedralës, në 26 gusht. Në këtë ditë, nga ora 18:00, në Katedrale do ketë do ketë takim lutjeje dhe meditimi me Nënë Terezën.

Në 2 shtator bëhet hapja solemne e aktiviteteve kuturore e shpirtërore treditëshe të festës. Në 3 shtator në orën 11:00 zhvillohet meshë në Katedrale, ndërsa në 4 shtator  në ora 18:00 – Mesha, Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.

Në Këshillin Organizativ janë: Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, Vikari Gjaneral Mons. Lush Gjergji, Kancelari Don Shan Zefi, Famullitari i Katedrales Don Fatmir Koliqi, Sekretari i Ipeshkvit Don Meriton Dedaj, Drejtori i Caritasit Don Vitor Sopi, Ekonomi Don Kastriot Idrizi, Dekani Don Lenc Sopi.

Në  “Ditët e Nënë Terezës” do jenë të pranishëm edhe vatranë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që ndodhen në këtë kohë vere në Kosovë.

Në verën e vitit të kaluar- ditën e 16 gushtit 2016, një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, në Ipeshkvinë e Kosovës  dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Edhe nga ana e delegacionit të Vatrës edhe nga ana Ipeshkvit u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite  me afër 2 milionë – 1.800.000 dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Me delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA, ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj.  Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza, gurthemelin e së cilës e vuri Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe këtë të gjithë e kujtonim gjatë bisedës.

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra,  të gjithë vatranëve.

“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova.

Katedralja nisi të ndërtohet derisa shënohej në Kosovë edhe 600 vjetori i lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Presidenca e Kosovës ka vite që ndanë dekoratën Medalja Humanitare Nëna Terezë, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare…

Filed Under: Politike Tagged With: 26 gusht, 5 shtator, Behlul Jashari, ditet e Nene Terezes

DY NGJARJE ME RËNDËSI FETARE DHE KOMBËTARE NË TROJET SHQIPTARE

August 24, 2017 by dgreca

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Këshilli për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit ka shpërndarë njoftimin zyrtar dhe ftesat për Shënjtërimin e Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë, më 5 shtator 2017, që bie në 20-vjetorin e vdekjes dhe në 1-vjetorin e shenjtërimit të saj.  Ndërsa dy ditë më parë, me 3 shtator do të zhvillohet ceremonia e dedikimit të Katedralës së re Shën Pjetri në Tivar, një qëndër kjo e vjetër kishtare me një histori të gjatë, duke filluar nga themelimi i saj në shekullin e 9-të.    Kështu pra sivjet dhe brenda më pak se dy javësh, në të njëjtin muaj dhe në të njëjtin vit, dy qendra të mëdha në trojet shekullore autoktone shqiptare, përfshirë Dardaninë antike, po e rivendosin namin e vet historik.Në njoftimin e Administraturës Apostolike të Prizrenit thuhet gjithashtu se ceremoninë madhështore në Prishtinë do ta kryesojë i dërguari personal dhe special i Papës Françeskut, hirësia e Tij, kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani.  Në njoftimin e Kishës Katolike të Kosovës evokohet pak histori për vendin ku është ndërtuar Katedralja, e ku ndër të tjera thuhet:  “Në afërsi të Ulpianës, Shën Florit dhe Laurit, martirëve tanë të parë të Dardanisë (fillimi i shekullit të II pas Krishtit), krejt afër varrit dhe eshtrave të zhdukur të arqipeshkvit të fundit të Prishtinës, Imzot Pjetër Bogdanit, si dhe martirëve të panumërt të shumë gjeneratave, kemi hirin dhe dhuratën të lajmërojmë dhe të ftojmë në shugurimin e Shenjtërores, “Nëna Tereze” në Prishtinë, Bijës, Motrës dhe Nënës së këtij Populli dhe kësaj Kishe, në të cilën ajo mori sakramentet dhe thirrjen misionare në Shenjtëroren dioqezane në Letnicë”.

Njoftim-ftesa shënon gjithashtu një historik të zhvillimit të idesë për ndërtimin e Katedralës, shënon se duke konsideruar “faktet e mësipërme historike, si dhe nevojën e kahershme të Kishës sonë, Komuna e Prishtinës, me mbështetje të madhe të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, ndau truallin e caktuar për ndërtimin e kësaj Shenjtërore.  Pas studimit dhe përpunimit të projektit nga arkitekti Livio Sterlicchio dhe grupi i tij nga Roma, gur-themeli është bekuar më 26 gusht 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark Sopi, në praninë e të ndjerit Dr. Ibrahim Rugova, me pjesëmarrje të kardinalit amerikan Theodor McCarrick, Imzot Zef Gashi, Imzot Dodë Gjergji, meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore dhe të shumë besimtarëve dhe qytetarëve”.

auto_71503597248

Mesazhi i Nënë Terezes në gjuhën e saj amëtare drejtuar popullit shqiptar nga Oslo e Norvegjisë në vitin 1979

auto_711503597246

Ne Foto: Katedrala Shën Nëna Tereze në Prishtinë

Ndërkaq, thuhet se vdekja e papritur e ipeshkvit Imzot Mark SOPI, (11 janar 2006), si dhe e Presidentit të  Dr. Ibrahim Rugova, (21 janar 2006), kishte shkaktuar shtyrje të domosdoshme të procesit të ndërtimit. Por me emërimin dhe ardhjen e ipeshkvit të ri për Kosovë, Imzot Dodë Gjergji,  ky proces u përshpejtua, ndërkohë që puna për ndërtimin e katedralës filloi më 5 shtator  2007, në festën e së Lumes Nënës Tereze”, thuhet mëtej.

Në njoftim/thirrjen dërguar nga Mons. Lush Gjergji, e arritur të mërkurën(24 Gusht) në postën time elektronike theksohet domethënja, mesazhi dhe objektivat kryesore që mbartë prania e katedralës kushtuar Nënë Terezes në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Aty thuhet se:   “Shenjtërorja “Nëna Tereze” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ka dy qëllime dhe synime thelbore: “kthimin” apo mishërimin e saj në mendjet dhe zemrat tona, si dhe ndërmjetësimin e saj për Kishën dhe Popullin tonë.  Kështu, në këtë “shkollë” të dashurisë, ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereze i mori ndër ne dhe i dëshmoi dhe i barti në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e Kishës Katolike të Kosovës, kushtuar bijës së këtij populli të lashtë, “Gonxhe Bojaxhiu, kjo “Lule” e tokës dhe gjakut tonë, që u bë motra Tereze e Loretos (1929); Nëna Tereze, “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobeliste e Paqes (1979), e Lumja Nëna Tereze (2003); Shën Nëna Tereze (2016)”, përfundon njoftimi i Këshillit për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit, në lidhje me ceremoninë e 5 shtatorit 2017 në Prishtinë.

Ndërkohë që shugurimi i njoftuar tanimë i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë me 5 shtator ka siguruar edhe më heret publicitetin e merituar si ngjarje me rëndësi për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo, një tjetër Katedralë Katolike Shqiptare po merr një pamje tjetër, gjithashtu e ndodhur historikisht dhe aktualisht, në trojet autoktone shqiptare.  Është fjala për Katedralën e vjetër, tani të rindërtuar të Tivarit, e cila ka një histori të lashtë mbi 900-vjeçare, por edhe të pasur historikisht, nga pikëpamja fetare dhe kombëtare në trojet shqiptare, si njëra prej qendrave kryesore të katolicizmit në Shqipërinë e Veriut.

(Një shënim personal, nëqoftse më lejohet të përmend lidhjet e mia qysh në fëmijëri me këtë qëndër historiko-fetare.  Ishte prej derës së Katedralës së vjetër të Tivarit që Arkipeshkvi i atëhershëm, Aleksandër Tokiqi, fund gushtin e vitit 1965 — kur isha vetëm 15 vjeç – së bashku me prindërit e mi më përcolli për në anijen që shkonte nga porti i Tivarit për në portin e qytetit Rijeka në veri-perëndim të Kroacisë, për të vazhduar mësimet në gjimnazin klasik të urdhërit të salezianëve).

850x636_721503597244

Kështu, pra dy qendra të mëdha shqiptare, jo vetëm fetare por edhe kombëtare, po e rivendosin namin e vet historik në Dardani dhe në trojet shqiptare, Tivar-Ulqin-Malësi.  Këto dy qendra me rëndësi, nën rrethana të ndryshme historike kanë patur dhe do të kenë shumë të përbashkëta, ndërkohë që në frymën e Nënë Terezës, do t’i shërbejnë shqiptarëve, që të shtojnë dashurinë jo vetëm ndaj Perendisë, por edhe dashurinë ndaj njëri tjetrit – ku pa dallim feje a krahine, si vëllëzër të një gjaku, siç thuhet edhe në njoftimin e Këshillit për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit, “Ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereze i mori ndër ne dhe i dëshmoi dhe i barti në mbarë botën”.

Në të vërtetë, ishte kjo frymë dashurie, qytetërimi dhe bashkjetese fetare midis shqiptarëve të një gjaku – sidomos atyre në diasporë, por jo vetëm — që bëri të mundur financimin për ndërtimin e këtyre dy objekteve fetaro-kombëtare. Përsa jam në dijeni, ishin kryesisht ndihmat financiare të grumbulluara sidomos nga komuniteti shqiptaro-amerikan — pjesëtarë të tri feve kryesore të shqiptarëve pa dallim, në Shtetet e Bashkuara — por edhe amerikanë miqë të shqiptarëve, të cilët dhuruan shuma të mëdha drejtë realizimit të përfundimit të këtyre dy objekteve.  Ndërtimi i këtyre dy katedraleve është rezultat i ndihmës shqiptare për shqiptarët. Ishte kënaqsi të shikoje organizimet vjetore të lojës së golfit, organizuar nga Anton Raja me shumë shokë, ku merrnin pjesë shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim feje e krahine dhe shumë dashamirës të dy besimeve — vëllëzrit myslimanë dhe ortodoksë — me qëllim mbledhje fondesh nga viti në vit, ekskluzivisht, për ndërtimin e katedralës së Nën Terezës në Prishtinë.  Këto takime vjetore do të mbeten gjatë në kujtesën e pjesëmarrsëve.

Shqiptarët e Amerikës e kishin kuptuar me kohë rëndësinë e themelimit të qendrave fetare këtu në Shtetet e Bashkuara dhe mbëshetetjes së ndërtimit të këtyre objekteve në trojet shqiptare në Ballkan, sidomos pas shëmbjes së komunizmit.  Qëndrat fetare shqiptare dhe komuniteti shqiptaro-amerikan pa dallim kanë njohur jo vetëm dobinë shpirtërore por edhe rolin patriotik të këtyre qendrave, duke filluar nga veprimtaria fetaro-patriotike e Fan Nolit dhe themelimit të Kishës Ortodokse Shqiptare, Shën Gjergji në Boston e deri tek kohët e fundit por edhe më heret, në një histori jo të largët.  Duhet përmendur Teqenë Bektashiane në Detroit, xhamiat e shumëta shqiptare në qytetet kryesore të Amerikës,  kishat ortodokse shqiptare gjithashtu dhe kishat katolike si motra që me vite i kanë shërbyer këtij komuniteti, por edhe nuk janë kursyer kurrë së ndihmuari edhe projekte të ndryshme anë e mbanë trojeve shqiptare – përfshirë edhe ato fetare, siç janë rastet e lartëpërmendura.  Synimi është dhe ka qenë gjithmonë që me këto qëndra – në një botë të huaj shpesh të rënduar nga goditjet e fatit, larg familjeve e të dashurve — të mbahen gjallë sa është e mundur, jo vetëm besimi, por edhe gjuha, zakonet e doket, thjeshtë kombëtare.  Megjithë sulmet e dikurshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj imigracionit “armiqësor” dhe megjithë indiferentizmin që shpesh është shfaqur ndaj diasporës nga qeveritë post-komuniste të Shqipërisë dhe të Kosovës – flas kryesisht për komunitetin shqiptaro-amerikan të cilin e njoh deri diku  diaspora ka ndihmuar me zemërgjërsi dhe i ka dalë zot kombit të vet, pa kërkuar kurrë asnjë shpërblim, qoftë material qoftë politik për përpjekjet e tyre në ndihmë të Atdheut.

Besoj se shumë prej nesh që jetojmë këndej oqeanit mbetemi të interesuar dhe vuajmë për fatet e bashkombasve tanë në Ballkan. Kjo ndodhë ndoshta për arsye poetike, ndoshta për ndiesi shpirtërore, ndoshta për dashurinë ndaj një historie të lavdishme por shpesh të vështirë dhe plot vuajtje.  Për mua personalisht, madje edhe në një moshë të shkuar, interesimi për fatin e shqiptarëve kudo, mbetet gjithnjë një dashuri idealesh, që gjenë kënaqësi në vetvete, pa kërkuar asgjë hiç – në mbrojtje sado pak të vogël, të një pasurie dhe historie kombëtare të trashëguar nga të parët tanë – por që megjithse larg nga Atdheu i zanafillës sonë – na jep mundësi që ta quajmë veten shqiptarë në një botë të huaj.  Kjo, pra është edhe arsyeja që krenohemi me emërin e Nënë Terezës, sepse na nderon dhe na bën krenarë që ta quajmë veten shqiptarë — kudo që na ka hedhur fati i jetës në këtë botë.  Kështuqë, shpresoj që edhe inaugurimi, javën e parë të shtatorit, i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë dhe i Katedralës Shën Pjetri në Tivar, të jenë festa mbarëkombëtare, takime vëllazërore, pa dallime fetare a krahinore, a po ngjyrash të tjera.  Një gjë e tillë do të ishte shpërblimi më i madh për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e tyre.  Do të ngushëllonte gjithashtu edhe zemrat e të gjithë mërgimtarëve shqiptarë pa dallim feje, por të cilët kontribuan në ndërtimin e këtyre dy monumenteve madhështore, pikërisht për këtë arsye, sepse krenohen me emërin shqiptar. Shpërblim tjetër më të mirë se këtë nuk dëshiron askush.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 2 ngjarje Kombetare, E TIVARIT, Frank shkreli, Katedralja e Prishtines

KUJTIME TË PAHARRUARA NË LIBRIN E PRENJO IMERIT

August 24, 2017 by dgreca

Dr.-Prenjo-Imeraj1 Prenjoshpendi

KUJTIME TË PAHARRUARA TË SHPREHURA ARTISTIKISHT NË LIBRIN E PRENJO IMERIT/

Nga SHPENDI TOPOLLAJ/DIELLI/

Pashmangësisht, në jetën e njeriut vjen një kohë që kujtimet marrin përmasa akoma më të mëdha. Ato i shfaqen atij përherë e më të qarta. I bëhen edhe më të dashura dhe nga largësia e kohës, jo vetëm i shndërrohen në nostalgji, por dhe i shërbejnë për të gjykuar veprimet e kaluara të tij dhe të të tjerëve apo ngjarjet e shkuara, me gjakftohtësi e pa pasione. Zakonisht, lind dëshira për t`i evokuar ato gjithnjë e më shpesh, ndër biseda miqsh, nëpër tavolina kafenesh, aq sa ndofta pa e kuptuar i mërzisim bashkëbiseduesit. Kurse ai që ka durim dhe një fare prirjeje, preferon t`i sistemojë ato dhe t`i hedhë në letër. Pra, duke i botuar në ndonjë libër, mund edhe të presë romuze e ta qesëndisin duke i thënë shokët e miqtë që e rrethojnë se “na u bëre shkrimtar tani në pleqëri.” Atij s`i mbetet tjetër, veç të qeshë hidhur dhe me vete të thotë se “mirë keq, unë e bëra punën time. Fundja, llafet i përplas era në skutat e harresës, kurse e shkruara këtu mbetet.” Por ja që ka edhe nga ata, të cilët pasi ua lexon këto kujtime, kupton se falë kulturës dhe talentit të tyre janë shkrimtarë të mirëfilltë dhe sepse të vjen keq që pavarësisht rrjedhave të jetës, duhej ta kishin ushtruar shumë kohë më parë këtë talent me krijime të mirëfillta letrare. Të tillë e gjeta dhe unë doktor Prenjo Imerin, vëllanë e pedagogut dhe mikut tim të shtrenjtë, autorit të disa librave dinjitozë, kolonelit në rezervë dhe përherë të ri, Xhemalit, pasi lexova librin e tij voluminoz “Mall dhe brengë”. Me këtë libër, ai përmbush atë betimin e hershëm para varrit të së ëmës se: “Po betohem nëna ima / përmbi varr, /  Se për jetë do ju ngre / lapidar!” Me një kujtesë fenomenale, libri është një bashkim tregimesh të mrekullueshme që së bashku përbëjnë një roman të vërtetë, sikurse e ka quajtur edhe vetë autori. Këtë bënte dikur edhe James Joyce te “Dublinasit”, për çka i kumtonte botuesit se kam si qëllim “…të shkruaj një kapitull të historisë morale të vendit tim… Jam munduar t`ia paraqes publikut indiferent nën katër aspekte: fëminia, adoleshenca, pjekuria dhe jeta publike.” Por edhe në mos qoftë tamam kështu, më vjen për mbarë të kujtoj atë që dikush ka thënë për “Jetë fshati” (se dhe këtu me të tillë jetë ndeshemi më së shumti) të Amos Oz: “Në këtë libër ka gjithçka nga jeta mbi tokë, në këtë lloj jete ka njerëz dhe kafshë, me skena dhe pikturime mes qensh, të cilët, ku raktësisht e ku enkas, hyjnë në jetët e njeri – tjetrit. I shkruar kësisoj, çdo lexues e ka të drejtën ta lexojë këtë vepër si një roman. Por “Jetë fshati” nuk është roman, por copëza të lidhura jete, që japin e marrin mes tyre si arterie të një trupi, të tilla që i japin atij jetën e një qenieje intriguese. Besnik i lojës së tij psikologjike, i vizatimit të karaktereve, i përshkrimit në detaje të jetës dhe natyrës, të veshura të gjitha me sfond historik të kohës në të cilën jeton.” Përmenda pak më sipër talentin dhe kulturën e autorit, por sa pa vlerë do të ishin ato, sikur në këtë lloj letërsie, pra në të rrëfyerit biografik, të mungonte sinqeriteti. Se koha kur autori jetoi fëmininë, u arsimua dhe punoi, ishte e mbushur vetiu edhe me gënjeshtra e hipokrizi, ndaj sot ajo do dhënë ashtu sikurse ishte realisht; pa maska e doreza, pa drojë se mos i mbetet qejfi dikujt e mos zemërohet ndokush. Ndofta sinqeriteti është ndihmësi më i pazëvendësueshëm i artit të të shkruarit. Tragjasi i viteve kur lindi Prenjo Imeri, ishte si gjithë fshatrat e tjera të Shqipërisë, me të mirat e të këqiat e veta. Ama, për atdhedashuri, tragjasiotët ishin të parët. Vetë babai i tij Seferi, ashtu sikurse donte të thosh edhe emri i tij nga turqishtja, ishte një luftëtar sypatrembur, njeri i drejtë dhe burrë me karakter të fortë. Nacionalist besnik i idealit të tij antikomunist, ai u vra pabesisht së bashku me trimin Hysni Lepenica atje në Grehot më 14 shtator 1943. Edhe vëllai i madh, Bilbili, ndahet nga nacional – çlirimtarja dhe në fund largohet jashtë vendit dhe përfundon në Amerikë. Kurse vëllai tjetër, Xhemali bashkohet me partizanët. Pas çlirimit, pjestarët e kësaj familjeje që edhe far e fisi kishte dhënë kontribute të mëdha në luftën për çlirim, nuk dinte njeriu i gjorë ku t`i rreshtonte. Në fakt, ata ishin si shumica e familjeve shqiptare, ku komunizmi me rregullat e tij të rrepta e djallëzore, i përçau keq dhe sipas rastit mundohej t`i mbante të nënshtruar sipas parimit liro e shtrëngo. Me vullnet e këmbëngulje, ata u shkolluan brenda dhe jashtë vendit. Por letrat e kallximet e fshehta, survejimet e sigurimsave, nuk ju ndanë asnjëherë, gjersa Prenjon e kthejnë nga R.D.Gjermanisë, kurse të vëllanë, Xhemalin, pas përçartjeve të E. Hoxhës për “grupet armiqsore” në ushtri e përjashtojnë nga Partia dhe ushtria. Edhe pse ndonjë i shihte me përbuzje, ata të bindur në ndershmërinë e tyre, sido që u vajti filli, asnjëherë nuk u ndanë nga fshati. Me çfarë dashurie e malli i përshkruan Prenjua Tragjasin e vjetër që piktorit anglez Edwart Lear i kishte bërë aq përshtypje, sa gati kishe thirrur; “Shkoni o piktorë të vizitoni malet e Vetëtimës!”, ata njerëzit e mirë e bujarë, zakonet e tyre të trashëguara nga brezi në brez, vendet ku bridhte kur ishte i vogël e hipte pemë më pemë, stanet ku ruante bagëtitë, shkollën ku mësoi shkrim e këndim, burimet e Izvorit në krye të fshatit, ku shuante etjen gjatë verës, lëndinat ku u merrte erë luleve, ata tregtarët ambulantë që u thoshin pramatarë, ajo xhamia minarekëputur, fiqtë aq të shijshëm shëngjinës e deri manin legjendar të nënë Sulltanës. Me mjaft kompetencë autori sqaron toponimet e pambarimta të asaj treve dhe detajon ngjarjet kryesore historike të fshatit. Dhe pastaj burrat e gratë, pavarësisht nga rëndësia që patën në jetë. Ata, ai i sheh si pjesë e së tërës dhe i jep me vërtetësi dhe imtësitë më të vogla. Ka aty ngjarje herë të gëzueshme dhe herë të hidhura. Por që të mbeten në mëndje. Përpjekjet për t`u rregjistruar në shkollë, studimet, shokët, hareja mes tyre, vajtjen në shkollën “Skënderbej”, ai i pikturon me akuarel të ngrohtë, se janë vite të gëzueshme që mbahen mend tërë jetën. Dhe pastaj puna në Korpusin e Elbasanit si stomatolog ushtarak, miqësia me kolonelin e mirë rus Zarçenko dhe transferimi pas lirimit nga ushtria. Ai ruan kujtimet më të mira për drejtuesit dhe punëtorët e minierës së Krrabës që me dashamirësinë e tyre e vlerësuan ashtu siç ishte. Po ashtu, jep detaje rreth udhëtimit për jashtë shtetit, luftës për rezultate sa më të mira, domosdoshmërisë për të ruajtur dinjitetin si shqiptar, veprimtaritë kuturore, leksionet e albanologut Maximilian Lambertz, shoqërinë me vjazat si pjesë e pandashme e moshës, e pastaj kthimi i papritur në atdhe, ku nuk kishin harruar “vetëvrasjen” e dajiut të tij, guximtarit të çartur të luftës, kuadrit të lartë dhe deputetit Sali Ormëni, dhe vazhdimi i shkollës këtu. Sa mirënjohje ka ky njeri për këdo që ju gjend kur kishte nevojë. Sa i dhimbsen ata që nuk jetojnë më. Janë me dhjetra e dhjetra personazhet e këtij libri. Duke evokuar jetën e tyre, Prenjua shpesh përdor dhe një humor të hollë e të zgjuar, sa patjetër do të qeshësh me vete. Në krye të ç`do kapitulli, ai ka zgjedhur e vendosur nga një citat të goditur, pjesë e erudicionit të tij. Në gjuhën që përdor takon shpesh dialektalizma dhe fjalë zyrtarisht gati të harruara, por që janë pjesë e pasurisë sintaksore dhe që e bëjnë akoma më të besueshëm përshkrimin. Dhe ka një zgjidhje mjaft interesante, kur jetën e Sefer Ismail Imerajt, babait të tij, shpallur  Martir i Demokracisë nga Presidenti i Republikës, ja lë shënimeve mjaft interesante dhe të goditura të vëllait të tij Bilbilit, me të cilin u takua në SH.B.A. pas plot 53 vjetësh. Dhe me qenë se jemi në këtë vend të madh, kampion të demokracisë, po i mbyll këto shënime me fjalët e Williams S. Faulkner nga Nju – Albani, Misisipi, i cili në përshëndetjen e tij gjatë marrjes së çmimit Nobel tha shprehjen e vlefshme për cilindo shkrimtar serioz: “Jam i sigurt se njeriu nuk do të mbijetojë, ai do të ngadhënjejë. Ai është i pavdekshëm, jo sepse vetëm ai, midis krijesave, ka një zë të pashtershëm, po sepse ai ka një shpirt, një frymë, që janë të afta të dhembin, të flijohen, të mbijetojnë. .. shkrimtarit, s`i mbetet asgjë tjetër, por se të shkruaj për këto. Është privilegj ndihma që i jep njeriut që të mbijetojë duke i dhënë zemër, duke i ndërmendur guximin, nderin, shpresën, dhembshurinë, mëshirën, flijimin – lavdinë e së shkuarës së tij.” Ja, këtë detyrë e ka kryer mësë miri Prenjo Imeri me librin e tij lapidar “Mall dhe brengë”.

Filed Under: Histori Tagged With: Mall e Brenge, Prenjo Imeraj, Shpendi Topallaj

Terrorizmi, shtohen masat e sigurisë edhe në Shqipëri

August 24, 2017 by dgreca

1 Terrorizmi shqip

Në Shqipëri policia njoftoi sot se pas sulmeve terroriste në disa qytete të Europës dhe kërcënimeve për sulme të tjera nga ISIS, ka marrë masa shtesë për sigurinë në vend. “Do të ketë shtim të pranisë policore me uniformë dhe agjentë në terren, do të forcohen masat e kontrollit gjatë aktiviteteve me pjesëmarrje masive kulturore-sportive, qendra tregtare, objekte me rëndësi strategjike, si dhe trupit diplomatik”, saktëson njoftimi i policisë shqiptare. Forcim të kontrolleve janë parashikuar dhe “në Pikat e Kalimit Kufitar e kufirit të gjelbërt për persona që konsiderohen me risk, mjete dhe sende të kundraligjshme”.

Nga ana tjetër “strukturat e Antiterrorit po punojnë intensivisht në terren për mbajtjen nën kontroll të personave me risk, me prirje radikale por edhe lidhjet e tyre. Këto struktura – saktëson njoftimi – kanë intensifikuar bashkëpunimin me Prokurorinë, SHISH dhe agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere për shkëmbimin e ndjekjen në kohë të çdo informacioni për veprimtari kriminale me sfond terrorist me qëllim parandalimin, zbulimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar”.(VOA)

Filed Under: Politike Tagged With: Shqiperia shton sigurine, terrorizmi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1831
  • 1832
  • 1833
  • 1834
  • 1835
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT