• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vizat një makth i kohëve shqiptare

August 21, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Pse dridhen shqiptarët kur u kujtohen vizat? Dhe pse për vizat e tyre debatojnë ata që nuk kanë nevojë për viza? Pse është kaq e tmerrshme për ne lëvizja e lirë? Pse duket sikur nuk na do bota? Pse u sillemi atyre kohërave që i lamë pas, me një lloj qortimi, me gishtin tregues? Kujdes? Se ua kyçim derën prapë?, etj. Janë ca pyetje që nuk i jep dot përgjigje një opinion gazete. Pasi është tepër e makthshme puna jonë me vizat dhe perëndimin. Ndërkohë që plot të tjerë, shqiptarë, as që donin t’ia dinin për to. Për të mos thënë as që nuk ia pirdhte menderja. Merrnin malet. Dhe fatkeqësia më e madhe e jona sot, qëndron tek një fakt, historia e jetëve të humbura maleve dhe metropoleve. Tek ajo heshtja klasike e shtetarëve në lidhje me qytetarët e humbur, rrahur e përdhunuar, tek qytetarët e ikur. E ku e shumta pret normalisht asimilimin në grek, italian, gjerman etj. Në fund të fundit aty jetojnë. Kushedi se sa jetë të humbura ka atyre maleve me roja e borë. Kushedi se sa jetë të humbura ka dallgëve të detit. Apo metrove ku njerëz të thjesht, shqiptarë, e vetmja gjë që kishin mësuar përmendsh. Dhe dinin të bënin. Për të pasur pak lejueshmëri civile, ishte azili politik.

Eh vizat… një makth i kohëve tona.
2) Në tetorin e vitit 2010, Europa vendos që shqiptarët të udhëtojnë në vendet e rajonit pa vizë. Koha e Tanja Fajonit, eurodeputetes sllave. Qe një votim thuajse unanim, me shumicë, për arsyen e thjeshtë se perëndimi na konsideron pjesë të vetes, gjymtyrë organike. Edhe pse paradokset shqiptare nuk kanë të mbaruar. Në kohën e mbretërisë përshembull, lëviznim pa vizë, mjaft të kishe pasaportë. Kurse në kohën e blloqeve, i ndërtuam një mur perëndimit. I bëm karshillëk me bunkerë e garën e armatimit. Me luftën e klasave dhe planet pesë vjeçare. Por gjithmonë me një vullnet të imponuar nga lart. Asnjëherë atë të shqiptarëve. Ne ishim njëfarësoj ushtarë të devotshëm të një armiku fantazmë. I cili në vetvete ndërtonte rrugë, shtëpi, ekonomi, ushtri…, shtet. Kurse ne ideollogji. Katërcipërisht të bindur se në hënë shkohej me atë dhe punën vullnetare. Kurse perëndimi po njësoj. E fundit fare, kur nuk e do ti shtëpinën tënde, si do të ta dojë ai tjetri? Deri sa një ditë shqiptarët, buzë plasur, ia bën në kokë regjimit dhe morën kush malet e kush detin.
Pra ku shqiptarët popull. Dhe ku ata që impononin vullnet.
3) Në demokraci perëndimi erdhi sërish, ofroi sa mundi. Megjithëse shqiptarët, ata që deri dje pra impononin vullnet, ua vodhën ndihmat. Kurse vizat i kthyen në biznes, që për kohën ishin një fitim kolosal. Besoj se nuk ka familje shqiptare (e kam fjalën nga ato që ikën) që nuk ka paguar për të marrë një të tillë. Nuk ka njeri që nuk e di se sa privilegj ishte marrja e një vize. Se sa pushtet i jepte kjo sekserit. Madje ky shikohej si shenjt, edhe pse vidhte e pasurohej me të drejtën civile të qytetarit të shekullit të elektronikës, për të qënë i lirë.
Një që jepte viza, vriste e priste.
Ai sigurisht punonte në shtet. Ai sigurisht punonte në një dikaster. Shtetarët shqiptarë dhe dikasteristat thonë edhe sot miku im, për iks apo ypsilon ambasador. Këtu bëjnë pjesë edhe ata që punonin në ndonjë organ shtypi. Shtypistat kishin privilegj ambasadat. Edhe këta si shtetarët miku im thonë për iks apo ypsilon ambasador. Ky koncepti i mikut ndër shtetistat shqiptarë, sidomos kur përjeton fushën e ligjit apo marrëdhënieve ndërshtetërore, vendesh etj., është sa bajat po aq dhe demode. Një mburrje nga soji i atyre që imponojnë vullnet. Nga soji nga ata rrjedhin.
Kujdo intelektuali salce nga koha e Enverit, aq i bënte se si duhej të funksiononte ligji, shteti. Aq më shumë emigrantë të kishte, aq më tepër viza. Aq më tepër fitim. Madje edhe shefave u sugjerohej lufta e ashpër.
Edhe sot janë pikërisht po këta…, që edhe pse vazhdimisht dështojnë duan të të imponohen. Ata nuk kanë nevojë për viza. Janë në rregull vet. Rrezik, për vete, kanë edhe nënshtetësi amerikane.
4) Po njerëzve u dhemb… u kujtohen kaparet, pagesat, lekët borxh, malet, gomonet, trajlet e kamionëve të mëdhenj. U kujtohen ndarjet, vetmia. Kthejnë kokën, shohin atë rrugicën, hyrjen e pallatit, apo atë stacion autobuzi kur ikin herët. Si si e lanë dike motak dhe se sot ai është bërë burrë. Se si djali i një fqinji iku, e nuk dihet më se ku është. Ndjejnë ethet e doganës, policit, vulës. Një lloj sikleti që nuk e meritojnë.
Ata vet si qytetarë i kanë të gjalla këto, ndaj dridhen. Dhe bëhen si të dytë. Por ata tashmë edhe e dinë, ironi fati është viran’ja jetë. Kanë ikur dhe do ikin. Thjesht e për një të vetme arsye se, për vizat debatojnë ata që nuk kanë nevojë për viza. Ata që dështuan. Bëhen si të dytë se e dine se prapë, sado ta quash hero një shtetar, sado vandal një tjetër, si i pari si i dyti mbajnë po të njëjtën erë. Atë të halesë.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, makthi shqiptar, visat

FAIK KONICA: AMERI-KANËT DHE AMERI-SKANËT

August 20, 2017 by dgreca

1 faik_konicaFaik Konica i klasifikonte Shqiptarët e Amerikës në dy grupe:Grupi që kishte para dhe grupin e dytë e quante”Ameri-skanët”.

Vite të shkuara kur ndodhej në Durrës për një kohë të shkurtër, e vizituan në Hotelin ku qëndronte:Peshkop Vasil Camcja, Pandeli Cecoja dhe një shqiptar i tretë që nuk i është shënuar emrin. Vizitorët I thanë njërit prej shërbëtorëve të hotelit se ishin amerikanë dhe dëshironin të shihnin z. Konica. Punëtori vrapoi dhe e gjeti zotërinë. Konica zbriti nga dhoma e tij së bashku me shërbëtorin që e gjeti, I cili e drejtoi Faikun drejt tre mysafirëve, që dëshironin ta takonin dhe po e prisnin.

Faiku I shikoi mirë e mirë dhe I thotë shërbëtorit:-“Jo, ata s’janë amerikanë!”

Punëtori inistoi:-Po, amerikanë janë!

Faiku iu afrua punëtorit më shumë, dhe I thotë me të qeshur”Këta, mor bir,janë-Ameri-skanë”…

Peshkop Camcja që e dëgjoi, I tha:”Ku e dini zoti Konica që s’kemi para?”.

Konica iu përgjegj:- Nga e di unë që s’keni para ?…Shumë lehtë:Juve Hirësi ju pëlqeu kërraba dhe rroba e zezë,kështu pra s’mund të ëbni dot para me këtë zanat. Miku t’im dhe juaji, pot ë kish para , nuk shkonte në Amerikë. Sa për Pandeli Cecon e di që mban erë barut.”

Pandeli ceco shtoi:Zoti Konica e godite peronën në kokë”… Dhe qeshën së toku…

Filed Under: Featured Tagged With: amerikanet, dhe amerik-skanet, Fair Konica

MARRËDHËNIET E PRESIDENTIT TRUMP ME KONGRESIN PO KEQËSOHEN DITA-DITËS

August 20, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Ky është vlerësimi i medias amerikane dhe i vet anëtarve të Kongresit Amerikan, përfshirë disa prej emërave më të njohur të senatorëve amerikanë të Partisë Republikane.  Disa prej tyre nuk kanë munguar të shfaqin publikisht frustrimet dhe shqetësimet e tyre për mënyrën e qeverisjes nga ana e Presidentit Trump, mungesën e disiplinës dhe stililin e tij prej udhëheqsi dhe me gjëndjen që shpesh tashmë karakterizohet si kaotike në punët e përditshme brenda Shtëpisë së Bardhë.

Kritikat ndaj Z. Trump nga Partia Demokrate dhe e përfaqsuesve të saj në Kongres kanë qenë gjithashtu të ashpra, por ato priten të jenë të tilla nga një parti që është në opozitë. Por ajo që duhet të shqetësoj Presidentin Trump si dhe këshilltarët dhe mbështetsit e tij, është fakti se vet republikanët, përfshirë përfaqsuesit më të lartë në Kongres dhe në Senatin Amerikan, kanë filluar të tregojnë shënja lodhjeje me mënyrën e qeverisjes së administartës Trump dhe posaçërisht me deklaratat publike të Presidentit Trump mbi çështje të ndryshme të politikës së mbrendshme dhe të jashtme.  Ditët e fundit, Presidenti Trump është kritikuar ashpër se ishte i vonuar në dënimin e një grupi neo-nazistë që ishin mbledhur për një protestë në qytetin Çarletsvillë të shtetit Virxhinia 10-ditë më parë, protestë e cila përfundoi në vdekjen e një kundër-protetsuesjeje dhe në plagosjen e dyzina të tjerëve.

Për këtë Z. Trump u ndesh me kritika të ashpra nga shumë qarqe në Washington dhe nga shoqëria amerikane në përgjithsi, përfshirë median. Por ishin kritikat që erdhën menjëherë nga një numër senatorësh republikanë në Senatin Amerikan, për reagimin e ashpër të cilëve duhet të shqetësohet Z. Trump. Jo se kritikat e tjerëve nuk kanë rëndësi, por sepse janë pikërisht senatorët republikanë ata, për mbështetjen e të cilëve, ka nevojë Presidenti Trump.

Sidoqë të konsiderohen këto kritika të senatorëve republikanëve në Kongres, ditët e fundit, nga vërejtës të spektreve të ndryshme politike, pro dhe kundër, një gjë është e qartë: mund të thuhet se ato janë të pa precedencë në fjalorin politik amerikan, e që nuk janë dëgjuar ndoshta mund të thuhet ç’prej skandalit “Vuotergejt” në fillim të 1970-ave, atëherë kur në të vërtetë ishin vetë republikanët në Kongres ata të cilët hetuan skandalin që më në fund çoi në cenzurimin e ish-presidentit republikan, Riçard Nikson dhe në dorëheqjen e tij nga detyra e presidentit.

Njëri prej zërave më kritikë javën që kaloi kundër Z. Trump ishte ai i Senatorit Bob Crocker nga shteti Tenesi, i cili njëherazi mban edhe detyrën me influencë në Kongres, si Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie të Jashtme.  Senatori Crocker në një takim me gazetarët në qytetin Çatanuga në Tenesi – i pyetur për reagimet e tija mbi ngjarjet e fundit në Çarletsvillë të Virxhinias, u shpreh se, Presidenti Trump nuk i ka karakteristikat e nevojshme, duke thënë se ai, “Nuk ka mundur ende të demonstrojë stabilitetin dhe as disa prej aftësive të cilat ai duhet t’i ketë venë në dukje deri më tani, me qëllim që të dalë me sukses”, në realizimin e agjendës së tij si president.  Ai bëri thirrje për për një fillim të ri, duke thënë se nevojiten “ndryshime radikale” në Shtëpinë e Bardhë dhe se mos bërja e ndryshimeve të tilla e lë vendin në “rrezik të madh”.  Në të kaluarën, Senatori Crocker ka kritikuar ashpër por edhe e ka mbrojtur Presidentin Trump dhe administratën e tij, ndërsa ka thënë se pajtohet me disa politika kyçe të Shtëpisë së Bardhë.  “Ne kemi nevojë që ai (Presidenti Trump) të dalë me sukses. Kombi ynë ka nevojë që ai të dalë me sukses”, u ka thënë gazetarëve Senatori Bob Crocker.   Senatori Crocker i bëri komentet e tija kritike ndaj Presidentit Trump pasi një numër senatorësh të njohur republikanë, përfshirë Senatorët Xhon Mekejn, Mark Rubio dhe Xhef Flejk, Lindsi Gaham, e të tjerë, kritikuan gjithashtu përgjigjen e Presidentit Trump ndaj protestave dhe kundër protestave, në Çarlotsvillë, dhjetë ditë më parë.

Presidenti Trump është “fërkuar” edhe me udhëheqsin e shumicës republikane në Senat, Z. Mitç Mëkanëll dhe me Kryetarin e Dhomës së Përfaqsuesve me shumicë republikane, Kongresistin Polë Rajen, i cili është shprehur ditët e fundit se, “Duhet të jemi tepër të qartë se urrejtja dhe fanaticizmi janë në kundërshtim të plotë me të gjitha qëndrimet parimore të moralshme të këtij vendi. Për këtë, nuk guxohet të ketë asnjë dyshim.”  Ndërsa Senatori republikan nga shteti Arizona,  Xhef Flejk ka botuar kohët e fundit një libër ku, sipas të dhënave në media, paralajmëron se “Konservatizmi po komprometohet nga forca të tjera të fuqishme si –nacionalizmi, populizmi dhe ksenofobia”, një referebncë kjo ndaj ardhjes në fuqi të presidentit Trump.Ndërsa, Senatori Mëkejn, cili shpesh kritikon politikat e brendshme dhe të jashtme të Z. Trump, është shprehur në lidhje me zhvillimet në Çarletsvillë duke thënë se ”Nuk mund të ketë barazi morale midis racistëve dhe amerikanëve të cilët marrin një qëndrim parimor kundër urrejtjes dhe fanatizmit.”  Ndërkohë që një zë tjetër me rëndësi dhe influencë në Kongres, sidomos në punët e jashtëme, Senatori republikan Lindsi Graham i bëri thirrje Presidentit Trump duke iu drejtuar me fjalët: “Z. President. Ju inkurajoj që të përpiqeni të na bashkoni si komb, pas ngjarjeve të tmershme në Çarlotsvillë. Fjalët e juaja po i ndajnë amerikanët dhe nuk po i pajtojnë ata”, theksoi Senatori I Karolinës së Jugut.

Të gjitha këto reagime erdhën si përfundim i deklaratës së parë të Presidentit Trump në lidhje me ngarjet në Çarlotsvillë, ndërkohë që ishte shprehur se, “Dënoj urrejtjet, fanaticizmin dhe dhunën nga të gjitha palët.”  Kjo dekalaratë u kritikua ashpër dhe u konsideruar si e pa mjaftueshme – pasi u interpretua se Presidenti barazoi të dy palët, moralisht — gjë që çoi në një deklaratë të dytë të Presidentit Trump, në lidhje me ngjarjet në Virxhinia. Kësaj radhe ai bëri një deklaratë më të fortë kundër grupeve ekstremiste duke përmendur drejt për drejt me emër, organizatat ekstremiste dhe raciste KKK, neonzistët dhe të tjerë. “Racistët”, tha Presidenti Trump nga Shtëpia e Bardhë, “si dhe ata që shkaktojnë dhunë në emër të tyre, janë kriminelë dhe vrasës, përfshirë KKK dhe neo-nazistët, e të tjera grupe urrejtëse, të cilat janë fyese ndaj të gjitha parimeve që ne amerikanët i duam dhe i ruajmë si të shënjta.”

Heret ose vonë, besoj se zhurma rreth ngarjeve në Çarletsvillë do të pushojë, ndonëse ndoshta nuk do të harrohet aq shpejt. Por, marrëdhëniet e Presidentit Trump me Kongresin amerikan, sidomos me republikanët që kanë shumicën, janë aty dhe të përditshme. Të dy palët kanë nevojë për njëra tjetrën nëqoftse duan të zbatojnë agjendën e tyre të politikës së jashtme dhe të brendshme për kombin e tyre, agjendë për të cilën janë zgjedhur nëntorin e kaluar dhe të cilën ua kanë premtuar votuesve amerikanë se do ta miratojnë, në drejtim të cilës deri tashti nuk është bërë asgjë.  Janë pikërisht senatorët republikanë ata për të cilët ka më shumë nevojë Presidenti Trump, nëqoftse shpreson që Kongresi të miratojë agjendën e tij — ose pjesë të saj kryesore — për të cilën bëri fushatë në zgjedhjet presidenciale.

Për më tepër dhe çka është më e rëndësishme, Z. Trump duhet ta mbajë mirë me udhëheqsit republikanë në Kongres, sepse është ai që do të ketë nevojën e senatorëve republikanë nëqoftse — për një aryse ose një tjetër — vjen puna tek censurimi i tij në Kongres, si përfundim i hetimeve që po zhvillon tani prokurori i posaçëm Robert Mueller, në lidhje me ndërhyrjet ose jo të Rusisë në fushatën elektorale për president të Amerikës, vitin që kaloi.  Është në interesin e tij personal, por edhe në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që Presidenti Trump t’u japë një drejtim tjetër – ndoshta një ndryshim radikal — marrëdhënieve të tij me Kongresin, nëqoftse dëshiron të mënjanojë një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve me degën e fuqishme legjislative të vendit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kongres, Marrdheniet, Trump president

UDHETIM NE PISTEN E HAKMARRJES

August 20, 2017 by dgreca

1 Wild boars

“Derrat e egër”- ( The Wild Boars), një roman në anglisht i shkrimtarit Përparim Kapllani, historia tragjike e një vogëlushi shqiptar nga Gjakova që pa vdekjen me sy.

13173428_10208987815283147_5945577068020722256_o

Foto: Shkrimtari Perparim Kapllani/

Nga Avdulla Kënaçi/Kanada/

1 avdulla KenaciBotimi i një vepre letrare në gjuhë të huaj, është një sukses i kulturës shqiptare, aq më tepër që gjuha anglisht sot është bërë një gjuhë ndërkombëtare që e përdorin miliona njerëz në botë. Unë kisha lexuar më parë disa botime të Papit në gjuhën shqip dhe ato më kishin rrëmbyer me subjektin interesant dhe stilin letrar sa të thjeshtë, aq edhe tërheqës. Ai rreket të kapë tema të një interesi të gjerë kombëtar si ato historike me mbretëreshën Teutë, apo me brengën e një emigranti shqiptar nga Çamëria që gjithë jetën ia kushton një plani sekret se si të marrë tapitë e familjes së tij të groposura nën pragun e shtëpsë së djegur e të shkatërruar në kohën e maskrave të gjeneral Zervës që vrau, dogji dhe varrosi të gjallë mijra shqiptarë të pafajshëm të krahinës së Çamërisë.

Po cili është Përparim Kapllani, ose Papi  siç njihet midis miqsh këtu në Kanada. Një emigrant i fillim shekullit që jetojmë. Oficer i shkolluar në Akademinë Ushtarake në Tiranë, në të gjitha shkallët me rezultate të shkëlyera, njohës i mirë i anglishtes  dhe një ish gazetar i të përditëshmes “Shekulli” në kryeqytet. Trup pakët, modest, po me sy ngjyrë ulliri që i shkëlqejnë, energjik dhe i papërtuar në çdo  veprimatri të komunitetit shqiptar në Toronto të Kanadasë. Drejtuesi i aktivitetit apo kryetari i Shoqatës, gjithënjë do të thonë: “Pasi të mbarojmë, ju lutem të shijojmë picat e Papit që si gjithmonë janë falas…” Mendova se ai  i jep falas picat, por jo librat, ndoshta kjo është një mënyrë për të bërë tregëti. Isha i gabuar: Në 50-vjetorin e Ditëlindjes së tij, unë pashë se si të gjitha të ardhurat nga shitja e librave ia dhuroi Shoqatës.

Romanin “Derrat e egër”  ( The Wild Boars) ma dhuroi me autograf,  megjithëse mund ta gjeja edhe në Amazona. E lashë mënjanë për ta lexuar më me nge e me laps në dorë nga se më duhet të jepja një mendim të pjekur e pa u nxituar, kështu do të shprehja edhe unë respektin ndaj tij. Subjekti më befasoi dhe më ngjau si një histori e njohur. Kishte shumë vërtetësi. E them këtë sepse duke punuar në Televizion, luftën e Kosovës e kam ndjekur hap pas hapi. Kam pritur e përcjellë qindra të dëbuar nga trojet e tyre dhe kam dëgjuar në dhjetra intervista in live për përdhunime dhe masakra të papara e të padëgjuara.

Një histori si mijëra të tjera. Një fëmijë dhjetë vjeçqë me sytë e tij sheh se si masakrohet nëna dhe tri motrat e tij prej militarëve serbë. Habia i vjen kur midis tyre ai njeh babain e shoqes së klasës së vet me të cilën ndanin lodrat dhe mësimet. Përse ai kishte kaq shumë urrejtje ndaj shqiptarëve? Përse tinëzisht vret fëmijë dhe gra kur ata prej vitesh jetonin në të njëjtën rrugë, në të njëjtin qytet? Blenin në të njëjtin supermarket dhe pinin të njëjtin ujë?

Pavarësisht hutimit të vogëlushit, si një ushtarak karriere, autori spjegon hollësisht mentalitetin shovinist të militarëve serbë, frymëzimin dhe simbolet që ata mbajnë në zyra, urrejtjen etnike të mbrujtur në mendjet e tyre raciste dhe në fund, spastrimi etnik; duke rrahur, përdhunuar e vrarë në masë shqiptarët. Formacionet ushatrake paramilitare, nuk janë spontane, por mjaft të organizuara. Vrasjet dhe përndjekjet bëhen natën me një etje perverse. Operacioni “Patkoi” çfarosi mijra shqiptarë të pafajshëm, më shumë se dhejtëmijë. Për të fshehur gjurmët e krimit, forcat ushtarake serbe, policore e paramilitare, dëbuan me dhunë rreth një million shqiptarë duke zhdukur edhe regjistrat e tyre të gjendjes civile që kurrë ata të mos pretendonin më të ktheheshin  në Kosovë. Përdhunuan rreth 20 mijë gra e vajza duke përfshirë edhe fëmijë, disa i zhdukën. Mbytën në puse, (bunarë) qindar fshatarë, ekzekutuan pa gjyq dhe mbytën me thasë neiloni qindra të rinj e burra. Vranë në pritë të pabesë 14 burra dhe djem që hynin nga kufiri shqiptar duke i djegur me gjithë pajime. Legjendare është lufta e familjes Jashari në Drenicë duke luftuar me një ushtri të tërë deri sa u shuan 28 burra, gra e fëmijë. Diplomati amerikan William Walker zbuloi në Reak një varr masiv me 45 burra të ekzekutuar natën e të hedhur në një gropë të përbashkët, 22 kufoma u gjetën në puset e Kotlinës, 53 trupa u dogjën të gjallë në Batajnicë, ndërsa në ujrat e Danubit në një kamion frigoriferik u gjetën 86 trupa shqiptarësh të vdekur, u pushkatuan dhe u zhdukën të burgosurit e Dubravës, rreth 1000 shqiptarë ende nuk janë gjetur as sot, gati pas dy dekadash. Një genocid i pashembullt. Ne rikujtuam këtu vetëm disa…Po me sa duket, ngjarja konkrete që ka frymëzuar shkrimtarin Përparim Kapllani, është masakra e Gjakovës e 1 ,2 prillit e vitit 1999, kur fëmijët nga 2 deri në 10 vjeçdhe nënat e motrat e tyre të katër familjeve të fshehura në bodrumin e shtëpisë së Lulëzim Vejsit, u masakruan, vranë dhe u dogjën të gjallë. Ajo natë në qytetin e Gjakovës mund të quhet si Nata e Shën Bartolemeut sepse ve  këtyre në lagjen e parë u ekzekutuan 60 shqiptarë pa asnjë lloj gjyqi. Nga kjo natë nis edhe aventura e personazhit qendror të romanit “Derrat e egër”, Drenit 10-vjear (mëshiruar tek personazhi Ermal Bllaca) të cilit pasi iu masakruan tri motrat dhe nënën e tij Valbona, plagoset edhe vetë. Midis kriminelëve të maskuar, ekzekutorë, ai njohu babain e shoqes së tij sërbe me të cilën ishin fqinj dhe ndanin së bashku lodrat dhe mësimet. Si mund të ishte kriminel babai i një fëmije si ajo?  Vrasjet e tyre nuk kanë motiv dhe kuptim për vogëlushin. Këtu na vjen në ndihmë komenti i autorit i cili spjegon teorinë famëkeqe të akademikut Çubrilloviç i cili ka frymëzuar serbët fanatikë se Kosova është djepi i Sërbisë dhe shqiptarët janë të ardhur, kur hisorikisht është e kundërta.

Lufta me ndërhyrjen e Natos dhe UÇK mbaron me kthimin në Kosovë të  shqiptarëve të dëbuar, por Dreni (alias Ermal Bllaca) dhe i ati i tij përfundojnë emigrantë në Kanada. Aty rritet e burrërrohet ky djalosh që u arratis i plagosur, që pa vdekjen me sy, që pa si u shuan tri motrat dhe nëna e tij… Agjë nuk e ngushëllon Drenin deri sa kriminelët që masakruan familjen janë gjallë e të pandëshkuar. Ai thur plane si të hyjë në Serbi ku ka mësuar se ndodhen të patrazuar e të paindentifikuar kriminelët e spastrimit etnik. Pas një sërë kombinacionesh, ai hyn i maskuar në folenë e tyre në një rezervat gjuetie, (me identitet të rremë serb) njeh disa nga kriminelët dhe pret orën e hakmarrjes për të cilën kishte menduar e përgatitur për më se dhjetë vjet. Dhe hakmarrja vjen, mirpo në vend që ai të goditë dorën e zezë, qëllon derrin e egër që sulmon gjuetarin, babain e shoqes së vet sërbe, i cili në këtë rast është pikërisht ai që masakroi. Zbulohet dhe shpëton për herë të dytë nga duart e tyre. Për lexuesin është e habitshme kjo kthesë. Pse nuk vrau? Dreni këtë e bëri se nuk është kriminel, sepse kërkon që ata të bëhen shembull në gjyqin Ndërkombëtar të Hagës, apo këtu ka diça tjetër…Enigma zgjidhet aty afër fundit të romanit kur ai e gjurmon këtë fytyrë të urryer gjer në dasmën e shoqes së vet në Australinë e largët. I ndihmuar edhe nga shqiptarë të tjerë, ata e kapin dhe ia dorëzojnë drejtësisë Ndërkombëtare. (Dreni-Ermali më vonë do të dëshmonte ndaj mizorisë së natës së 1-2 prillit në Gjyqin Ndërkombëtar)

Gjesti i Drenit (Ermalit) është njerëzor dhe human, ai nuk dëshëron që fëmijët sërbë, qofshin edhe bij kriminelësh të mos pësojnë fatin e tyre. Duke ecur në pistën e hakmarrjes me vite të tëra, ai reflekton. Romani jep mesazhin e madh se shqiptarët në thelb janë njerëzorë, humanë dhe vlerësojnë drejtësinë, respektojnë ligjet dhe janë për bashkëjetesë, pa cënuar lirinë e tyre. Është debulesa e miqësisë së pafajshme fëminore e një vajze sërbe dhe e një djali shqiptar që triumfon mbi hakmarrjen e egër, mbi primitivitetin dhe trashëgiminë armiqësore që na kanë imponuar armiqtë shekullorë.

Çfarë e bën interesant këtë roman? Për lexuesit mbarë kombëtarë ai është një best seller që paraqit me vërtetësi genocidin serb, mentalitetin e tyre shovinist dhe mizoritë mbi një popull të vogël me gjuhë dhe besim fetar tjetër i cili në shekuj është dhe rron në trojet e veta. Krimi mbi fëmijë dhe gra të pafajshme është kulmi i egërsisë dhe i mizorisë së tyre, frymëzuar nga teori famëkeqe shoviniste. Autori në mënyrë bindëse përshkruan motivet dhe organizimin e tyre ushtarak, masakrat natën dhe urrejtjen shekullore që ata kanë grumbulluar pikë-pikë në shpirtin e tyre të zi.

Përparim Kapllani, duke u rritur vetë si një fëmijë jetim që nga mosha 10 vjeç jep mjaft bukur marrëdhëniet babë-bir, bashkëbisedimin dhe kujdesin për njëri-tjetrin në emigracionin kanadez. Një baba që mundohet të zëvendësojë me të gjitha mënyrat mungesën e nënës për birin e vet. Ai si një këshillëtar dhe ëngjëll mbrojës edhe aty ku nuk e pret, tregon se sa e fuqishme është familja shqiptare, sa solidare dhe njerëzore. Kjo dukuri vihet re edhe në korrelacionin midis shqiptarëve emigratë dhe lidhjen e fuqishme me Kosovën e Shqipërinë, dashurinë për gjuhën, kulturën dhe traditat shekullore që na kanë mbajtur gjithënjë të bashkuar. Shqiptarët janë një popull i vogël në Jug të Europës, por mjaft vital, krijues dhe krenarë për kombësinë e tyre. Romani ka vlera njohëse edhe në këtë drejtim, por mbi të gjitha ai bën thirrje që të tejkalohet kjo armiqësi dhe urrejtje etnike e cila e ka bazën tek një psikologji shoviniste e “Serbisë së madhe”, ushqyer nga një megallomani e ndryshkur shekullore. Personazhet negativë janë skalitur me merak dhe nga kapitulli në kapitull urrejtja ndaj tyre rritet si një ortek.

Pas leximit të këtij romani, me përshtypjet më të mira, u nisa në picerinë “Albania” në Toronto për t’i shprehur autorit mbresat e mia ballë për ballë e sy më sy. E gjeta me lehtësi “folenë” e tij nga se që larg dukej flamuri shqiptar. Ishte mëngjes herët kur ende kishte  fare pak klientë. Dera ishte e hapur dhe asgjë nuk pipëtinte. Zgjata kryet pas banakut dhe përpara kompjuterit pashë autorin e romanit. Më ofroi një karrike. Nisëm bisedat jo për picat, por për letërsinë dhe pikërisht për romanin  “The Wild Boars”…

–         Sigurisht që romanin e ke shkruar në shtëpi?

–         Jo, këtu, tek kjo kthina e vogël.

–         Si ka mundësi?

–         Këtu unë punoj 16 orë, kur nuk ka klientë, shkruaj….

Shikova rrotull. Një kamera sillte pamje nga dera e lokalit dhe një tjetër nga tavolinat. Djathtas, një pirg i madh  me libra gati në të rrëzuar, pjesa më e madhe letërsi në gjuhën anglisht. Çudi, ku e gjen ky njeri trupvogël gjithë atë energji për të mbajtur gjallë e më këmbë picerinë “Albania” dhe letërsinë artistike që endet sa nga Çamëria në Luginën e Preshevës…

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Derrat e egër” ( The Wild Boars), Avdulla Kenaci, Perparim Kapllani

Serwer: Serbia do ta pranojë sovranitetin e Kosovës

August 20, 2017 by dgreca

1Daniel SerwerAnalisti amerikan, Daniel Serwer, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi.Ai ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe ta heqë atë nga Kushtetuta sa më parë. Duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatikë në nivel ambasadorësh duhet të pasojnë më tej

Zëri: Është paralajmëruar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të zhvillohet në nivel presidentësh. Sa mund të jetë e pritshme kalimi i dialogut në një fazë të tillë?

Serwer: Presidentët kanë krijuar një raport reciprokisht të respektueshëm, i cili duhet të mbështetet. Por sigurisht paqëndrueshmëria politike në anën e Prishtinës mund ta bëjë dialogun të vështirë. Nga ana e Beogradit gjërat duken mjaft të qëndrueshme tani për tani, edhe nëse disa kundërshtojnë vlefshmërinë e zgjedhjeve të fundit.

Zëri: Presidenti i Serbisë Vuçiq ka paralajmëruar një debat të brendshëm për Kosovën. A prisni që lidershipi në Beograd, në kuadër të proceseve eurointegruese, ta heqë Kosovën nga kushtetuta e saj?

Serwer: Unë pres që Serbia në kuadër të procesit të eurointegrimit të pranojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke përfshirë (por jo vetëm) heqjen e saj nga Kushtetuta.  Anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe shkëmbimi i përfaqësuesve diplomatikë në nivel ambasadorësh duhet të pasojnë më tej. Pyetja është nëse kjo do të bëhet në çastin e fundit para pranimit në BE kur levat negociuese do të jenë krejtësisht në anën e BE-së ose më herët kur Beogradi mund të shpresojë të marrë një marrëveshje më të mirë. Unë mendoj se është më mirë të bëhet kjo sa më parë sesa më vonë, por sigurisht që i takon serbëve e jo të huajve që të vendosin dhe do të varet nga rezultati i debatit të brendshëm që presidenti i ka propozuar.

Filed Under: Interviste Tagged With: Serwer: Serbia do ta pranojë, sovranitetin e Kosovës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1839
  • 1840
  • 1841
  • 1842
  • 1843
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT