• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova përkrahje nga UEFA

August 17, 2017 by dgreca

presidentiuefakomitetiekzekutiv-Presidenti i UEFA-së, Aleksander Ceferin viziton Kosovën, thekson përkrahjen për futbollin/

presidentiuefa-isamustafa2

PRISHTINË, 17 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit – UEFA-s, Aleksander Ceferin, mbërrriti sot në Prishtinë, ku gjatë vizitave e takimev e shprehu përkrahjen e UEFA-s për futbollin e Kosovës edhe në të ardhmen.presidentiuefa4

Presidenti Ceferin vlerësoi, po ashtu, punën që institucionet e Kosovës po bëjnë në rregullimin e infrastrukturës sportive dhe në përkrahjen e futbollit duke premtuar mbështetje konkrete të UEFA-s.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim presidentin e UEFA-së, Aleksander Ceferin, i cili po viziton Kosovën.

presidentiuefa-53Të pranishëm në takim ishin edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, zyrtarë të tjerë të UEFA-s dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Kryeministri Mustafa e falënderoi presidentin e UEFA-s për përkrahjen gjatë anëtarësimit por edhe mbështetjen e madhe që UEFA po vazhdon të jap për Kosovën.

presidentiuefa-57
Po ashtu, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë për përkrahjen e futbollit, konkretisht për vazhdimin e trajtimit me prioritet të investimeve në infrastrukturën sportive, në infrastrukturën ligjore, fuqizimin e sportit dhe përkrahjen e drejtpërdrejtë për futbollin e Kosovës.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, sot mbërriti për vizitë zyrtare në Federatën e Futbollit të Kosovës, i shoqëruar nga zyrtarët e UEFA-s Zoran Lakoviç, Luka Zajc dhe Zlatko Pavlica. Në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë i  priti dhe mirëseardhje u dëshiroi presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili ka falënderuar presdientin Çeferin për këtë vizitë që për futbollin e Kosovës është historike dhe shumë domethënëse.Në takim, presidenti Vokrri e njohu presidentin Çeferin për zhvillimin e futbollit, përparësitë dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohet FFK-ja. “Pas pranimit në UEFA dhe FIFA gjendja dukshëm është përmirësuar dhe po vazhdon të përparojë falë edhe ndihmës që po japin këto dy institucione”, u shpreh ai.

FFK-ja, vijoi Vokrri, po punon fort  në përmirësimin e kushteve, përmirësimin e infrastrukturës si dhe në organizimin dhe ngritjen profesionale të zyrtarëve, gjyqtarëve e trajnerëve, e poashtu po punohet edhe në zhvillimin e futbollit të femrave dhe futsallit.

“Ju falënderoj për gjithë mbështetjen që keni dhënë si president i UEFA-s, por edhe sa ishit president i Federatës së Futbollit të Sllovenisë”, theksoi ai.

Nga ana e tij, presidenti i UEFA-s Aleksander Çeferin tha se, ndihet shumë i privilegjuar që kishte mundësinë ta vizitojë Kosovën si federatë dhe përgëzoi presidentin Vokrri për angazhimin, ndërsa theksoi se këtu po shihte një vullnet për zhvillimin e futbollit.

“UEFA do të jetë mbështetëse e fortë dhe ne jemi të vetëdijshëm se si Federatë e pranuar vonë keni nevojë për shumë gjëra e ne do të jemi gati gjithmonë t’u dalim në ndihmë për të ecur para”, tha ai.

Në vazhdim, delegacioni i UEFA-s vizitoi stadiumin e Prishtinës, i cili po renevohet për t’u përgatitur për  ndeshjet ndërkombëtare. Presidenti Çeferin u nda i kënaqur me nivelin e punimeve si dhe me cilësinë e ndërtimit. UEFA ka dhënë kontributin e saj me mbikëqyerjen dhe këshillat rreth ndërtimit. Presidenti i UEFA-s me bashkëpunëtorët e tij vizitoi edhe Muzeun Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, afër Stadiumit të Qytetit.

Në pritjen e shoqërimin e delagacionit të UEFA-s ishin edhe  zyrtarë të tjerë të Federatës së Futbollit të Kosovës – nënpresdienti Agim Ademi, anëtari i KE Agron Mustafa dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu.

Presidenti Çeferin dhe delagacioni i UEFA-s në selinë e FFK-së vizituan të gjitha zyrat dhe takuan edhe zyrtarët e tjerë.

Filed Under: Featured

QEVERIA MJEL DHITË E NIVICËS SI 4 MIJË VJET MË PARË

August 17, 2017 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/

1 Kolec Traboini

E paska botuar një shkrim për Nivicën e izoluar të Shqipërisë si një mrekulli natyrore e qeverisjes rozë me kryelashën Rama në krye, kjo gazeta “Washington Post”. Dhe mburret kryeministri inë duke i thënë popullit të vet raja “mirëmëngjes”, me këtë sihariq të madh që la pa frymë tërë Ballkanin e zilepsur, vetë Erdoganin dhe tej e përtej Evropën. Po Evropa, bota dhe shqiptarët e dinë mirëfilli se kur të thuash ti mirëmëngjes, ik se të zuri nata, o Krieministri inë. E di apo nuk e di? Nëse nuk e di po ta them u…

2 dhite

Po “Washington Post”-i, si ti presësh një faturë të majme me 10 mijë dollarë të pranon jo një por dhjetë shkrime ku thua se Rama është Prometeu i Ballkanit dhe Zeusi i bejlurçinave shqiptarë e për më tepër është “Supermen” me “Adidas”, është “Batman” i lëpirë nga fantomasët shqiptarë të medias. Gjithçka të boton “Washington Post” nëse u jep çekun me dollarë. Madje “by one get one free”. Pra paguaj një artikull e të botojnë dy. Është ekonomi tregu, babam.

O ju kripsha trutë, o batalioni i propagandës  së shfrenuar të Qeverisë që fusni çek dhe nxirrni lajme. Lavatriçe jeni edhe sepse e trajtoni popullin si gomar që sa herë i bie me kamxhik ai pjell florinj.

Ja me këtë pasazh heroik mburret krieministri inë mendjendritur për sukseset e veta fantazore, qumështore, nën muzikën magjepese meeeeheheheheeee të dhive, cjepve dhe kecave të Nivicës:”Këtu shihni njerëzit që mjelin delet dhe dhitë e tyre ashtu siç bënin 4.000 vjet më parë. Shikoni barinjtë në jetën e përditshme, e cila është jashtëzakonisht tërheqëse për ata që e kanë humbur atë trashëgimi, ndaj dhe ata që vijnë këtu vijnë për të gjetur atë pasurim shpirtëror në jetën e tyre”.

Po  Cannabis Sativa a panë gjëkundi nëpër pllaja ata gazetarët e “Washington Post” që gjoja na paskan ardhur në Shqipëri. E tymosën ndonjëherë të shkretën se shkrimi duket disi nën influencë.  Po a i bënë analizat e qumështit se sa e kishin përqindjen e drogës, sepse kullotat anë e mbanë Shqipërisë janë zënë me Cannabis Sativa e këtë ka 4 vjet që e di gjithë bota në saj të qeverisjes se lartmadhështisë së tij. Po nuk u paska vajtur në vesh atyre të “Washington Post”. Çudi…

4 mijë vjet e dhitë po dhi mbetën. Dhe malet po ato. Dhe bimët po ato. Dhe qielli po ai. Veç retë e shiu shkojnë e vinë e hallakatën sipas qejfit.

Kjo po që është lajm. Lajmi i parë në botë për delet, dhitë e cjeptë e Shqipërisë që janë të lumtur e kullosin si të trullosura nga aroma e Cannabisit dhe begatia e qeverisjes, e cila i ka fotografuar e i ka vënë në një gazetë në Amerikë. Shkak i fuqishëm moral për të prodhuar qumësht më tepër. Jepini dhi. Shtrëngohuni!

Kaq zili ka vënë kjo gazetë sa tani ca mediatikë analista po i thonë njëri-tjetit: “Paçim fatin e dhive e cjepve të Nivicës” të na dalë surrati në  “Washington Post”. Po do dollarë me grushte ajo punë more djema. Eh, këta kasnecët e shtypit të qeverisjes bëjnë si ato vajzat e mbetura të dikurshme që thoshin “Paçim fatin e kurvës!”.  Se edhe politika kështu e ka, kush kurvëron fiton.

Jepi, o Qeveri e katruveve, se katruve e qypa kemi patur me bollëk edhe 4 mije vjet më parë. Ende pa ardhur në pushtet ju kokë qypat e sotëm që vazhdoni me mendjen e Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhes se nuk ka qeveri më të mirë se sa ajo që ja bën nënën e gjëmën popullit të vet.

Lajmin për qypat e katruvet 4 mijë vjeçare do ta botojë “Washington post”  javën tjetër si të iki vapa e gushtit. Kësaj herë është xhaba. Se thamë: “by one get one free”.  Jalla Insan!

 

17 gusht 2017

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Kolec Traboini, me pare, QEVERIA MJEL DHITË E NIVICËS, SI 4 MIJË VJET

NË KUJTIM TË ARBËN XHAFERIT

August 17, 2017 by dgreca

Me rastin e 5-vjetorit të vdekjes /

1 ekipi i xhaferrit Nga Frank Shkreli/

1 Frank Arber

Ne Foto:Autori me Arbën Xhaferin, Tetovë, 2005/

Pesë vjetë më parë, me 15 gusht 2012, ndërroi jetë, intelektuali, publicisti, politikani, por mbi të gjitha patrioti me zemër e me shpirt, i trevave shqiptare, Arbën Xhaferi.  Në jetë, secili prej nesh takon njerëz të thjeshtë dhe personalitete të njohura dhe jo aq të njohura dhe pas takimit me ta, disa qëndrojnë mbi të tjerët, për nga përshtypja që kanë lënë nga takimet sa do të shkurtëra, por të mjaftueshme për të arritur në një vlerësim të personit dhe çfarë e   dallon nga të tjerët.  Për disa shprehemi duke thënë se falënderojmë Zotin që m’u dha mundësia t’i takoj,  Për mua, njëri nga këto përsonalitete të shquara intelektuale të botës politike dhe të publicistikës shqiptare që kam pasë fatin, nderin dhe privilegjin ta takoja, ka qenë edhe Arbën Xhaferi, i njohur si i tillë, anë e mbanë trojeve shqiptare, 5-vjetori i vdekjes së të cilit bie këtë javë.

Ishte viti 2005 dhe kisha vendosur që të bëja një turne fakt-mbledhës në trojet shqiptare, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (KKSHA) për t’u këshilluar me kryepolitikanët shqiptarë dhe me përfaqsuesit diplomatikë amerikanë në rajon dhe për raportuar mbi gjëndjen — me të këthyer në Washington – organizatës që përfaqsoja KKSHA-në, si dhe zyrave e personave përkatës të administratës dhe të Kongresit Amerikan, të interesuar për çështjet shqiptare në Ballkanin Perëndimor.  Qëllimi i vizitës në Tiranë, në Prishtinë, Shkup e Tetovë — me kolegun tim David Scotton, këshilltarin e lartë të KKSHA-s – ishte për të parë dhe për t’u njoftuar nga afër me gjëndjen aktuale në rajon.

Pjesë e këtij turneu ishin, natyrisht, takimet me udhëheqsit politikë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, përfshirë edhe udhëheqsit e partive politike shqiptare, pa dallim, pozitë dhe opozitë.  Vizitën në Maqedoni, si pjesë e këtij turneu, e filluam në Amabsadën amerikane në Shkup për të marrë vlerësimin e ytre për gjëndjen në rajon dhe pastaj takimin e parë me përfaqsuesit politikë shqiptarë  në atë vend, e filluam në Tetovë, pikërisht, duke u takuar me Z. Arbën Xhaferi.  Në kapacitetin e tij si Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Z. Xhaferi pati mirësinë të na priste për një takim – të rezervuar më heret — e që zgjati gati një orë, në kryeqendrën e Partisë së tij në Tetovë — ndonëse sëmundja kishte filluar t’a rëndonte.  Megjithse dukej i lodhur fizikisht dhe i thjeshtë në pamje dhe modest në bisedë, në të shprehur të mendimeve, ishte i këthjelltë dhe i thellë.  Pas përshëndetjeve të rastit dhe kafesë, filluam të flasim për situatën në vend.

Pyetjes time mbi gjëndjen aktuale politike, Z. Xhaferi iu përgjigj duke filluar të fliste për marrëdhëniet midis partive politike shqiptare në Maqedoni si edhe për marrëdhëniet e tensionuara midis popullësisë shqiptare dhe asaj maqedonase në atë vend.  Ndërsa po fliste për marrëdhëniet ndër-partiake, më ra menjeherë në sy, për të mos thënë se më habiti fakti, se ndryshe nga takimet e mia, pothuaj me të gjithë përfaqsuesit etjerë të politikës shqiptare të asaj kohe anë e mbanë trojeve shqiptare — me përjashtim të Ibrahim Rugovës, të cilin nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste keq dhe kundër partive të tjera ose liderëve të tyre – gjatë atij takimi, Arbën Xhaferi nuk e tha asnjë fjalë të keqe, as nuk shqiptoi ndonjë kritikë as dënim të pikpamjeve ose të qëndrimeve të udhëheqësve të tjerë të partive politike shqiptare anë e mbanë trojeve, siç isha mësuar të dëgjoja në takime me përfaqsues të tjerë politikë shqiptarë.   Çfarë freskie e këndshme por e pazakontë, ndonëse e mirëpritur për politikën shqiptare, thashë me vete – një cilësi dalluese kjo që e karakterizonte Arbën Xhaferin, por që është aq e nevojshme sot për një diskurs të qytetëruar në radhët e udhëheqësve politikë në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe gjithandej trojeve shqiptare.  Ndonëse nuk tha gjë, specifikisht, mbi mosmarrveshjet dhe grindjet politike ndër-shqiptare të kohës, mua mu duk se vuante nga përçarjet dhe grindjet e vazhdueshme dhe të pakuptimta në radhët e udhëheqësve shqiptarë.  Ai në të vërtetë, ndryshe nga të tjerët, është shprehur vazhdimisht për një politikë ndryshe në diskursin politik ndër-shqiptar.   Respekti për Arbën Xhaferin, si njeri i arsyesë dhe si politikan tolerant ndaj mendimeve të tjerëve, kishte tejkaluar kufijt ndër-shqiptarë dhe si i tillë ka lënë mbresa të thella edhe ndër të huajt, me të cilët ishte takuar – mbi të gjitha, për diplomacinë dhe karakterin e tij, në takimet që kishte zhvilluar me udhëheqës të huaj, me përvojë ndërkombëtare.  Njëri prej këtyre liderve të huaj, ish-Presidenti i Italisë, Z. Giorgio Napolitano citohet të ketë thënë për dy mendimtarë shqiptarë që i respektonte bota, se, “Nëse Arbën Xhaferi dhe Ibrahim Rugova do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do t’a kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një populli shumë të vogël.”  Një atribut shumë me vend ndaj kujtesës së Arbën Xhaferit, në këtë 5-vjetor të vdekjes.

Në vazhdim e sipër të bisedës në Tetovë me 2005, Z. Xhaferi u ankua se kontrata midis dy popujve, Marrëveshja e Ohrit, që ishte arritur midis shqiptarëve dhe maqedonasve, nuk po zbatohej nga pala maqedonase, e cila si dukej, nuk kishte marrë seriozisht dhe nuk kishte për qëllim të përmbushte obligimet e marra.  Si përfundim, shtoi ai, ajo marrveshje midis dy palëve nuk po zbatohej, sipas planit, nga ana e autoriteteve maqedonase – marrveshje  që e kishin nënshkruar në prani të dëshmitarëve ndërkombëtarë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare.  Në zhvillim e sipër të bisedës miqësore që patëm mbi gjëndjen politike në Maqedoni në atë kohë, Arbën Xhaferi foli edhe për zgjedhjet vendore që ishin mbajtur në atë kohë e për të cilat mbajë mend se shfaqi pakënaqësinë e tij të thellë.  Shpjegoi se, si rezultat i problemeve me zgjedhjet, ai dhe Partia e tij kishin vendosur largimin e deputetëve të partisë së tij nga parlamenti maqedonas.

E mbyllëm bisedën dhe takimin tonë me Zotin Xhaferi duke dëgjuar mendimet e tija, edhe mbi gjëndjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht, mbi gjëndjen në Kosovë.  E njoftova me atë rast Z. Xhaferi se, bazuar në burime të besueshme zyrtare të asaj kohe në kryeqytetin amerikan, Shtetet e Bashkuara — në parim — kishin vendosur në favor të Pavarësisë së Kosovës, por vetëm pritej rezultati i konsultimeve përfundimtare me aleatët evropiano-perëndimorë, para se të bënin publik njoftimin zyrtar të Washingtonit.  Këtij lajmi, i ndjeri Xhaferi iu gëzua shumë – e priti me një buzqeshje të sinqertë — dhe tha se shqiptarët në këto troje janë të vetdijshëm, por shtoi se edhe Washingtoni duhet ta dijë, se pa angazhimin serioz të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, asgjë e mirë nuk do të ndodhë për ne, në këto troje tona, u shpreh ai.

U largova prej atij takimi me të ndjerin Arbën Xhaferi, i ndërgjegjshëm për nderin dhe privilegjin për t’u njohur dhe për të biseduar me njërin prej vazhduesve të punës së rilindasve të vërtetë të kombit shqiptar dhe me njërin prej politikanëve, intelektualëve dhe publicistëve më të dalluar të botës shqiptare në përgjithësi — vepra, filozofia politike dhe publicistika e të cilit, fatbardhësisht, mbeten një trashëgimi e artë dhe pikë referimi për frymëzimin e brezave.

Filed Under: Politike Tagged With: 5 vjetori, Arber Xhaferri, Frank shkreli

Takim me Nolin në Boston University

August 17, 2017 by dgreca

1 agim Kola 2Nga Agim Kola/Sapo u kthyem nga një vizitë e bukur në Universitetin e Bostonit, një ndër universitetet më prestigjiozë të Amerikës. Ndër ata që kanë mbaruar shkollën këtu është Martin Luther King Jr., Bill O’ Reilly, Geena Davis, Howard Stern, Jason Alexander, Julianne Moore, Marisa Tomei, William Cohen, Rosie O’Donnell, Samuel Adler, si edhe Noli ynë që mbaroi studimet doktoriale në degën e historisë, me dizertacionin mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbeun në vitin 1945.1 kisha Univ

Punonjësve e bibliotekës u bëri përshtypje kur ju tregova pak mbi jetën e Nolit, për gjuhët e shumta që zotëronte, për përkthimet që janë edhe sot më të arrirat nga Ibsen, Molier, Stendal, Shakespeare, Servantes, Omar Khajam, e Hugo, për dizertacjonin mbi heroin tonë kombëtar. Me shumë dashamirësi më drejtuan në katin e tretë, ku ndodhej vendi i caktuar me libra rreth Shqipërisë. Këtu ishin vëllimet e Durham-it, The Albanian National Awakening nga Stavro Skendi, La Nazione Albanese nga Eugenio Vaina, Press Information Report on Albania, dhe të tjera.

1 Fan_S._Noli

Por sigurisht prekja me dorë e veprës së Nolit ishte sikur të bisedoje me mjeshtrin e penës vetë. Ndërkohë që shfletoja punën e tij, më erdhi nëpër mend se ky është i vetmi studim mbi Gjergj Kastriotin që është i aprovuar nga historjanët profesorë të universitetit. Vatra e botoi këtë punë të rëndësishme në gusht të vitit 1947, por që nga ajo kohë, kanë humbur pothuaj të gjitha kopjet.

NOLI

Vendosa ta pyes mjeshtrin e penës me imagjinatën time.

Pyetje: Çfarë mendoni për shqiptarët në përgjithësi Imzot Noli?

Dhe Noli u përgjigj:

Anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

Pyetje: Cili është mendimi juaj rreth flamurit tonë:

Përgjigjet Noli:

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Pyetje: Cili është mendimi juaj për Bajram Currin?

Përgjigjet Noli:

0 Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë. (Shpell e Dragobisë)

Pyetje: Po për Luigj Gurakuqin?

Përgjigjet Noli:

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor. (Elegji per Luigj Gurakuqin)

Pyetje: Cili është vizioni juaj për Shqipërinë dhe shqiptarët:

Përgjigjet Noli:

Qan e lutet Nën’ e mjerë,
Kërkon vatrën edhe nderë,
Do lirinë dhe atdhenë,
Si ç’e pat me Skënderbenë,
Bijt’ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë. (Jepni për nënën)

Kur po kthehesha në New York, po mendoja se pse ne jemi të këqinjtë e vetvehtes, dhe pse nuk ka një fondacion për botimin e veprave me kërkime dhe hulumtime historike, dhe ndihmë financjare për studentët më të talentuar. Vatra jep një mundësi të vogël në këtë drejtim, por duhet bërë më shumë. Armiqtë tanë i kanë fondet jo vetëm për të studjuar historinë e tyre, por edhe për të bërë çmos që historia jonë si shqiptarë të mos egzistojë. Rasti i historjanit kroat Milan Šufflay që u vra nga serbët në mënyrë barbare ngaqë po nxirrte në dritë fakte historike në favor të Shqipërisë se Mesjetës na tregon qartë qëllimin e armiqve tanë.

Lobi grek ka filluar aktivitetin në US qysh me 1768. Qëllimi: promovimi i interesave nacjonale të Greqisë në Kongresin Amerikan, dhe të bashkojë komunitetin grek kudo që janë në Amerikë me organizatat e tyre të fuqishme si American Hellenic Educational Progressive Association (AHEPA), The Hellenic Society “Paideia,” Greek-American Foundation, National Hellenic Society, Onasis Foundation, Hellenic Times Scholarship Fund. Kanë përfaqësues në Federal level, State level, e Local level, si psh. Sherley Berkley, Gus Bilirakis, Michael Bilirakis, John Brademas, Michael Dukakis, Nick Galifianakis, George Gekas, John Negroponte, John Podesta, Jen Psaki, George Tenet, etj.

Lobi serb përfaqësohet me Melissa Bean, Rod Blagojevich, Mark Brnovich, Helen Delich Bentley, George Voinovich, Rose Ann Vuich, Michael Stepovich etj. Kur e panë që s’mundën ta marrin Kosovën me forcë, futën kalin e Trojës, vehabizmin ekstremist, duke e paraqitur Kosovën ndryshe nga ç’ishte në 1990.

Lobi turk në vitin 2009 ka shpenzuar 1.7 miljon dollarë për çështjet turke dhe për çështjet e Lindjes së Mesme, së bashku me Arabët. Ish anëtari i Kongresit Dick Gephardt dhe Bob Livingston punojnë në favor të Turqisë. Turkish Coalition of America (TCA) është një ndër organizatat që punon për këtë qëllim.

Po ne shqiptarët ku jemi? Sa i fortë ështe lobi shqiptar në Kongresin Amerikan? Vetëm me mbështetjen e ish anëtarit të Kongresit Joseph DioGuardi dhe Senatorit Elliott Engel? Sa të suksesshëm janë politikanët shqiptarë të zgjedhur në zyrë në mbledhjen e fondeve, jo vetëm për t’u rizgjedhur, por në shërbim të çështjes kombëtare? Sa ka investuar qeveria shqiptare në këtë drejtim për forcimin e interesave shqiptare në diasporë? Cfarë plani afatgjatë ka qeveria jonë në lidhje me këtë problem jetik? Sa i lidhur dhe i organizuar është komuniteti shqiptar në Amerikë? Sa lufton ai për rrënjosjen serioze të vlerave dhe ruajtjen e simboleve kombëtare?

Më bën përshtypje se si mburremi ne shqiptarët me njëri-tjetrin, se si i nxjerrim të gjithë me origjinë shqiptare, duke filluar me udhëheqësit e botës, dhe duke mbaruar me artistët e sportistët, a thua se nga kjo do të shpëtojmë. Mendoj që kjo vjen nga një mungesë e të besuarit në vetvete (self esteem). Tregohemi patriotë të flaktë me njëri-tjetrin, por nuk shkojmë më tutje. Historia nuk bëhet me broçkulla e thashetheme, por me fakte të bazuara, të vërtetuara dhe të servirura në gjuhët ku mund të debatosh me studiuesit botërorë të kësaj teme. Gjithashtu, nuk është mjaft që të dish historinë, por duhet edhe ta bësh brezin e ri të interesuar për mësimin e historisë, gjuhës, muzikës e traditave tona, që i kemi sa të lashta, aq edhe të rralla. Shumë pak bëhet në këtë drejtim. Nuk ka aspak organizim dhe dëshirë për këtë punë. Një shtëpi kulture do të ishte e nevojshme për komunitetin tonë, ku do të mësohej gjuha, historia, muzika, vallet, dhe do të zhvilloheshin aktivitete të ndryshme letraro-artistike.

Ju që i kini mundësitë financjare, ju bëj thirrje të jepni për edukimin e brezave të rinj, që në të ardhmen edhe ne të kemi shqiptarë përfaqësues në politikën amerikane. Krijoni institucjone të vërteta, që të jenë në shërbim të shqiptarizmit dhe të shërbejnë në ruajtjen e konsolidimin e vlerave nacjonale. Sot, kur figurat tona kombëtare po merren nëpër këmbë, a nuk do të ishte me vend botimi i veprës së Nolit mbi Gjergj Kastriotin përsëri? Noli po të ishte gjallë ndoshta do të thoshte:

“Jepni për kisha e xhami

Por jepni edhe për dituri

Se pa gjuhë e dituri

Nuk mund të ketë Shqipëri”!

Filed Under: Mergata Tagged With: Agim Kola, në Boston University, Takim me Nolin

DELEGACIONI I FSK PRITET ME NDERIME NGA GARDA E AJOVES NE SHBA

August 17, 2017 by dgreca

SHBA-Kosovë – Komandanti i FSK viziton Gardën Kombëtare të Ajovës/

3 IYOVA2 FSK IYOVA1 FSK IYOVA

-Gjenerallejtënant Rrahman Rama viziton Gardën Kombëtare të Ajovës/

Ajova, 17 Gusht 2017-Gazeta DIELLI/

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në krye të një delegacioni të përberë nga kolonel Ilir Qeriqi-atashe i FSK-së në SHBA, rreshter major Genc Metaj- rreshter major i Komandës së FSK-së dhe majori Berat Shala, asistent ushtarak i KOMFSK, po qëndron për një vizitë zyrtare në Gardën Kombëtare të Ajovës. Gjatë kësaj vizite GLT Rama dhe delegacioni i FSK-së janë pritur nga komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Timothy Orr dhe stafi i lartë i kësaj garde.

Gjeneral Rama gjatë vizitës së tij po ashtu ka vizituar njësitë dhe Shtabin e Përbashkët të Gardës Kombëtare të Ajovës. Gjeneral Rama dhe gjenerali Orr në takimin që zhvilluan së bashku biseduan për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e përvojave në mes dy forcave, si dhe për avancimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen. Më pas gjeneral Rama vizitoi Institutin Regjional të Trajnimit, Qendrën e Trajnimit për Mbështetje si dhe Komandën e Gardës Kombëtare Ajrore të Ajovës. Gjatë takimeve që gjeneral Rama zhvilloi në këto qendra, ndër tjera, nga drejtuesit e tyre kërkoi mbështetjeje për pjesëtarët e FSK-së në fushën e mirëmbajtjes, mjekësisë ushtarake, mbrojtjes kibernetike si dhe në fushën e zhvillimit profesional të udhëheqjes.

Gjatë vizitës, delegacioni i FSK-së është shoqëruar nga konsulli gjeneral i Republikës së  Kosovës në Ajova, Xhavit Gashi.Gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe rreshter majori Genc Metaj morën pjesë edhe në Paradën e Veteranëve, e cila organizohet me rastin e panairit të bujqësisë në Des Moines Iowa.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, vazhdon vizitën zyrtare në SHBA deri më 20 gusht, ku pritet të realizojë vizita dhe takime pune në Gardën Kombëtare të Ajovës.

Filed Under: Featured Tagged With: FSK delegacion, Garda e Ajoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1844
  • 1845
  • 1846
  • 1847
  • 1848
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT