• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Florind Belliu shfaq me sukses veprën “One Week” në Nju Jork

July 13, 2017 by dgreca

Aktori dhe skenaristi i talentuar Florind Belliu prezantoi me sukses shfaqen e tij “One Week” (Një Javë) në Nju Jork. “One Week” u shfaq tek teatri Producers Club Theaters në Times Square në Manhattan dhe u prit me sukses nga publiku. Shfaqja është roman i dramatizuar, që ndërthur aksion, komedi të zezë dhe dramë, shkruar nga novelisti i njohur gjerman Wolfgang Herrndorf.

Florind Belliu ka studiuar për aktrim tek Akademia e Arteve në Tiranë. Njihet për rolet e tij në filmat “Amaneti” me regji të Namik Ajazit, “Të fortët” me regji të Altin Bashës, “Shtremët” me regji të Indrit Kasmit (rol kryesor) dhe “Në kërkim te kujt” me regji të Gjergj Xhuvanit ku ka luajtur rolin kryesor.

img_0946img_0956img_0947img_0950img_0952img_0944

Momentalisht Florindi jeton në Nju Jork ku po merret me teatër në “of broadway” dhe po shkruan një roman.

Intervista me aktorin dhe skenaristin Florind Belliu

Intervistoi Ermira Babamusta 

Na tregoni më shumë rreth vetes. Fillimet në fushën e aktrimit?

Flori Belliu: Sigurisht pasioni për këtë ka nisur herët duke marr pjesë nëpër evente të ndryshme si amator. Unë kam mbaruar Akademin e Arteve në Tiranë dega Aktor. Më pas kam punuar në projekte të ndryshme film dhe teatër.

Me cilat projekte po mereni tani? Për çfarë bën fjalë?

Flori Belliu: Në fakt tani jam vendosur në New York kam rreth 10 muaj për arsyet e mia personale. Po punoj njëkohsisht disa gjëra. Kemi ndërtuar një grup pune një producent, nje regjisor filmi dhe unë, ku po punojmë konkretisht për të ndërtuar një projekt filmi. Kemi dy skenar fillestar, ngjarjet ndodhin Në New York. Bëhet fjalë për një histori dashurie dhe skenari tjetër për dy të pastrehë.  Jemi në fillesa dhe uroj të shkojë gjithçka mirë.

Ndërkohë kam dhe 2 projekte personale. Po shkruaj një roman që e mendoja prej kohësh. Kam dhe këtë shfaqen. Jam i kënaqur nga rezultati te dyja netët gjithçka shkoi mirë salla ishte plotë, spektatori e pelqeu. Tani po flasim se kur mund ta rikthejmë dhe ta vendosim në kalendar, në sezonin e ardhshëm, ndoshta nga fundi shtatorit. Për të gjithë ata qe nuk e panë shfaqa është e stilit “one men show”. Titullohet “One Week” dhe zgjat rreth 1 orë.

Çfarë ju pëlqen në rolin/personazhin që po luani në shfaqen “One Week”? 

Flori Belliu: Personazhi është një djalë në moshën e adoleshences ku ka problemet e moshës dhe të gjitha dukurit që ndodhin në këtë moshë, përshkruar me shumë mjeshteri nga autori Wolfgang Herrndorf.  Më pëlqen zgjidhja dhe mënyra e perceptimit që ka ky personazh për gjithçka i ndodhë rrethë e qarkë. Është një djalë naiv por me zemër të madhe dhe tepër i zgjuar.

Si lidheni ju me këtë personazh? 

Flori Belliu: Me këtë personazh ndryshe nga personazhet e tjerë ku në shumë raste duhet perdorur imagjinata për të arrituar të kuptosh apo perjetosh atë që i ndodhë personazhit sepse unë si aktor nuk e kam përjetuar dhe është një ndjesi e re. Nuk ka qënë e veshtirë kalimi sepse i kam të përjetuara dhe të gjalla në kujtesën time. Lidhja është shumë e madhe me këtë personazh pasi më pëlqen shumë, sa më vjen keq kur mendoj se do punoj një tjetër shumë shpejtë dhe do më duhet ta zhbëj.

Si është lidhja juaj gjatë punës me regjizorin?

Flori Belliu: Me regjisorin varet nga perqasja që ka ai sepse eshte ai vizionari dhe ka ngarkesën më të madhe të të gjithë projketit por un mundohem të bëhem “shokë” me të dhe dua ti “vjedhë” gjithçka ai ka në kokë. Kjo më bën shumë mirë për realizimin e figurës. Te ky projekt është ndryshe pasi jam krejtë i vetëm.

Çfarë do t’a befasojë publikun për këtë shfaqe? 

Flori Belliu: Për ata që nuk e patën mundësin ta shohin, te kjo shfaqe ajo që do e befasoj publikun është sepse nën një skenografi minimaliste dhe me një kostum të thjeshtë duke përdorur një teatër “të varfër” njerzve do tju duhet të përfshihen shpirtërish dhe emocionalish ne gjithë këtë. Pasi shfaqa përbëhet nga fjala dhe imagjinata. E kam ndërtuar në këtë lloj forme ku publiku do jetë pjesë e shfaqes pasi herë pas here thyhet muri i katert në komunikim me spektatorin. Do të shohim disa personazhe dhe shkëputja nga narracioni kalimi në aksion të personazhit.

Besoj se është e veçantë.

Cili ka qenë filmi më i bukur ku keni marrëpjesë?

Flori Belliu: Kam luajtur në disa filma që më kan pëlqyer puna dhe pastaj është pëlqyer nga publiku Filmi “Amaneti” me regji të Namik Ajazit apo filmi komik “Të fortët” me regji të Altin Bashës. Nuk mund të them se njeri ishte më i mirë. Sa për personazhin më të bukur në film nuk më ka ardhur akoma po e pres.

Në cilat filma keni luajtur rolin kryesor?

Flori Belliu: Në filmin me metrazh te shkurter “Shtremët” me regji të Indrit Kasmit. Nuk mund të them se kisha rolin kryesor pasi në serialin me titull “Në kërkim te kujt” me regji të Gjergj Xhuvanit kishte disa personazhe kryesor ku një prej tyre isha dhe unë.

Çfarë lloje filmash ju pëlqen të jeni pjesë?

Flori Belliu: Nuk është se i kushtoj shumë rëndesi ksaj pjese unë mundohem te merrem vetem me punen time nëse personazhi është i plot ka një gjë që më pelqen dhe më ngjit e bëj me shume dëshirë. Pastaj konceptet regjisorjale i takojnë tjetër kujt mua më pëlqejnë te gjitha mjafton të bej ate që dua.

Çfarë roli luan arti në shoqëri? 

Flori Belliu: Sigurisht që ka në dorë emancipimin e shoqërisë ju hapë sytë ndonjëherë ju tregon realitetin dhe ndonjëherë ju tregon perfekten. Në shumë raste arti bërtet atë që njerzit nuk kanë as guximin ta mendojnë.

Këshilla juaj për dikë që dëshiron të ndjeki këtë karrierë? 

Flori Belliu: Mos e bëni … bëni diçka tjetër … por nëse e bëni bëjeni mirë. Pa tjetër dokumentoni të gjitha punët tuaja. Dhe e fundit mos i lejoni askujt të ketë në dorë diçka që të mund të shkatërroj projektet tuaja.

Çfarë mund të presim nga ju për vitin 2018?

Flori Belliu: Teatri ku unë po punoj nuk është “on broadway “. Por of of broadway. Uroj që Zoti të ma mundësoj të kem një projektë serjozë on broadway.

Filed Under: Interviste Tagged With: “One Week”, Ermira Babamusta, Florind Belliu shfaq me sukses veprën, ne Nju Jork

UNESCO, ja ku studjojnë shqiptarët

July 13, 2017 by dgreca

harta-ku-studiojne-shqiptaret-jashte Numri i studentëve shqiptarë që zgjedhin të studiojnë jashtë vendit, përllogaritet të jetë 24,372 studentë, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të UNESCO-s.Rreth 80% e tyre kanë zgjedhur të studiojnë në vendet fqinje, Itali dhe Greqi për vitin akademik 2016-2017, raporton Monitor.Shteti me numrin më të lartë të studentëve shqiptarë edhe për këtë vit mbetet Italia, me rreth 11,460 studentë, megjithëse ka shënuar një rënie me rreth 177 studentë krahasuar me një vit akademik më parë.Destinacioni i dytë me numrin më të lartë të studentëve shqiptarë është Greqia me 7,339 studentë. Edhe Greqia ka pësuar një rënie nga viti i kaluar në numrin e studentëve. Një vit më parë në universitetet greke studionin  8,209 studentë shqiptarë, rreth 870 më shumë se në vitin akademik  2016-2017.

Destinacionet që po njohin rritje

Numri i studentëve shqiptarë që shkojnë në Turqi për të studiuar thuajse është dyfishuar krahasuar me vitin akademik të mëparshëm.  Nga 471 studentë që ndiqnin studimet në vitin akademik 2015-2016, numri i tyre ka arritur në 775.Europa Perëndimore është ndër rajonet më të preferuar të studentëve kudo në botë, por edhe i shqiptarëve.Vendet ku shqiptarët janë përqendruar më shumë në Perëndim janë: Gjermania me 559 studentë, Franca me 434 studentë, Austria me 285 studentë, Mbretëria e Bashkuar me 247 studentë,  dhe Zvicra me 95 studentë.Rritje të numrit të studentëve shqiptarë kanë njohur dhe vendet e ulëta, si Holanda (110 studentë), Belgjika (60 studentë), Luksemburgu (studentë).Në vendet nordike, Finlandë, Norvegji dhe Suedi, studiojnë 106 studentë shqiptarë.

Vendet e rajonit preferohen më pak

Në rajonin e Ballkanit, shqiptarët kryesisht preferojnë që të studiojnë në Rumani dhe Bullgari, ku numërohen përkatësisht 272 dhe 224 studentë shqiptarë.Në Maqedoni, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të UNESCO-s, numri i shqiptarëve që studiojnë atje është 91, ndërsa në Serbi studiojnë 20 studentë nga Shqipëria, në Kroaci 6 studentë dhe në Bosnjë 4.

Jashtë kontinentit

Nuk janë të paktë edhe studentët që studimet e tyre kanë zgjedhur që t’i kryejnë jashtë kontinentit europian. Nga 24 mijë studentët që kanë zgjedhur të studiojnë jashtë, 682 prej tyre janë vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth 75 në Kanada, 31 në Australi, 10 në Brazil dhe vetëm 1 në Zelandën e Re.Ka dhe nga ata që kanë zgjedhur vendet e Magrebit për të studiuar. Nga të dhënat, 26 studentë kanë vendosur që të studiojnë në Egjipt, 8 studentë studiojnë në Jordani, 4 në Marok, 7 në Emiratet e Bashkuara Arabe, 1 në Katar dhe 208 studentë studiojnë në Arabinë Saudite. {përgatiti për “Dielli-n”, SH.K.}

Filed Under: Kulture Tagged With: ja ku studjojnë shqiptarët, Shefqet Kercelli, UNESCO

Kosova, integrim evropian e bashkëpunim rajonal

July 13, 2017 by dgreca

-Kryeministri Mustafa në takimin qendror të Samitit të Triestes/

ZKM-03

-Orientim shumë i qartë i qytetarëve të Republikës së Kosovës për rrugën evropiane dhe se alternativën e vetme e shohim këtë rrugë, dhe përkrahemi nga ju që ta kapërcejmë këtë rrugë.

ZKM-05

Në Trieste, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në praninë e personaliteteve evropiane, kanë nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Transportit, marrëveshje me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit si dhe në raport me BE-në dhe shtetet e saj/
TRIESTE, 12 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori sot pjesë në Samitin e Triestes ku ishin të pranishëm liderët e disa shteteve të BE-së dhe kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në takimin qendror ku Republika e Kosovës përfaqësohej nga kryeministri Isa Mustafa, ishin të pranishëm edhe kryeministri i Italisë, njëkohësisht organizatori i Samitit, Paolo Gentiloni, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, sekretari i shtetit për Punë të Jashtme të Britanisë së Madhe, Boris Johnson, si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e personalitete tjera.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa fillimisht foli për rëndësinë e kësaj iniciative e cila ka krijuar një perspektivë të rëndësishme të bashkëpunimit dhe të komunikimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Unë shpresoj shumë që ky bashkëpunim do të na përgatis në rrugën e integrimit tonë në Bashkimin Evropian, dhe nuk e shoh në asnjë rast si formë të zëvendësimit të përkohshëm të kësaj rruge tonë”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa më tej theksoi të arriturat dhe zhvillimet aktuale në Kosovë.

“Ne në Kosovë tani jemi në fazën e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjeve të qershorit, dhe të themelimit të Qeverisë së re, por jam i kënaqur që mund të rikonfirmoj se edhe nga këto zgjedhje del një orientim shumë i qartë i qytetarëve të Republikës së Kosovës për rrugën evropiane dhe se alternativën e vetme e shohim këtë rrugë, dhe përkrahemi nga ju që ta kapërcejmë këtë rrugë.
Ne kemi arrit që gjatë kësaj periudhe të realizojmë bashkëpunim të mirë me Bashkimin Evropian, tani po punojmë në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, po punojmë në implementimin e Marrëveshjes Kornizë për Programet e Bashkimit Evropian, kemi përmbushur 94 nga 95 kriteret për liberalizimin e vizave, dhe shpresojmë që edhe kriterin e fundit do ta përmbushim. Ky kriter nuk ka të bëjë fare me kontekstin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, sepse Mali i Zi ka qenë shumë korrekt dhe ne jemi të bindur që puna është kryer në mënyrë korrekte, por është çështje e jona e brendshme dhe vlerësojmë se këtë proces ne do ta përfundojmë.
Ne po ashtu jemi shumë të interesuar që të qojmë përpara bashkëpunimin ekonomik të vendit tonë me vendet e Ballkanit Perëndimor. Shohim interes të madh në këtë hapësirë ekonomike rajonale, qoftë në tërheqjen e investimeve të huaja në këtë hapësirë, qoftë në zgjidhjen e problemit të papunësisë, me të cilin ne në Kosovë veçmas jemi të ballafaquar, sepse kemi papunësinë shumë të lartë sidomos të grave dhe të të rinjve. Kemi po ashtu edhe papunësinë strukturore e cila ka ndodh për shkak të ndryshimit të strukturës së ekonomisë, por mund t’ju them po ashtu që vitet e fundit kemi arrit edhe rritje relativisht të lartë të GDP-së, prej 4 për qind, për dy vitet e fundit, që siguron se ne mund të përmbajmë këtë rritje ekonomike, por edhe se duhet të kemi bashkëpunim më të mirë me vendet tjera.
Në suaza të realizimit të këtij bashkëpunimi, ne shohim nevojën që të bashkëpunojmë me Qeverinë e Bosnje dhe Hercegovinës në zgjedhjen e problemi të vizave, në mënyrë që mos të kemi pengesa në qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave me Bosnjen. Kemi po ashtu nevojë që me Serbinë ta zgjedhim problemin sa i përket njohjes së certifikatave të mallrave fitosanitare, certifikatave të origjinës së mallit dhe certifikatave të cilësisë. Unë shfrytëzoj rastin që t’i uroj zgjedhjen kryeministres së re të Serbisë, e cila është këtu, dhe po ashtu të shpreh gatishmërinë që ne të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe të zgjidhim të gjitha çështjet përmes procesit të dialogut.
Kemi nevojë po ashtu që me Serbinë aktualisht të zgjedhim problemin e energjisë dhe transmisionit i cili ka mbetur i papërdorshëm dhe në të cilin kemi investime rreth 70 milionë euro me përkrahjen e qeverisë gjermane dhe  Bankës Gjermane për Zhvillim, që kemi realizuar së bashku me Shqipërinë.
Unë konsideroj se përmes këtij bashkëpunimi do të arrijmë që të zgjidhim problemin e konkurrueshmërisë, që Kosova e ka sidomos me konkurrencën në tregun e Bashkimit Evropian, për çfarë kemi nevojë që ta mbështesim njëri-tjetrin dhe të arrijmë që të kemi suksese më të larta. Sikurse e kemi përkrahur Traktatin e Komunitetit të Transportit, vlerësojmë se ky traktat do të arrij që të rris edhe më tutje konjektivitetin në mes të vendeve tona. Ne kemi investuar mjaft shumë në fushën e infrastrukturës, dëshirojmë që rrugën që e kemi ndërtuar së bashku me Shqipërinë, do ta lidhim tani me Serbinë, dhe do ta funksionalizojmë edhe në aspekt më të gjerë. Dëshirojmë të bashkëpunojmë me Maqedoninë, në mënyrë që investimet të cilat i kemi në rrugën për Shkup, po ashtu ta përmbyllim me pjesën e Maqedonisë, e cila do ta  mbështes këtë projekt, siç tha edhe kryeministri i Maqedonisë me këtë rast” tha kryeministri.

Përpos bashkëpunimit rajonal, kryeministri Mustafa ka përmendur edhe iniciativat e reja të bashkëpunimit, duke kërkuar që bashkëpunimi të vazhdoj edhe në fushën e shkencës dhe teknologjisë.

“Sa i përket Traktatit të Komunitetit të Transportit, unë dëshiroj të shpreh interesimin e Kosovës këtu, që selia e këtij traktati të jetë në Kosovë, sepse deri më tani nuk kemi arritur që të kemi asnjë seli të programeve të cilat i kemi realizuar bashkërisht në suaza të bashkëpunimit tonë me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Unë e shoh të rëndësisë mjaft të madhe vazhdimin e këtij bashkëpunimi, e shoh të rëndësisë të madhe edhe iniciativën që kancelaria Merkel sot lidhur me Samitin e IT-së, që do të marrë, sepse kemi interes që të zbatojmë teknologjinë informatike dhe të përparojmë edhe më tutje, dhe po ashtu e shoh edhe interesin e Kosovës që në suaza të bashkëpunimit tonë, të kemi edhe bashkëpunim edhe në fushën e shkencës dhe teknologjisë, në mënyrë që të arriturat evropiane dhe botërore ne të mund t’i aplikojmë edhe në vendet tona, si të arriturat në ekonomi, në mënyrë që të të ulim diferencat tona në zhvillim, të cilat aktualisht ekzistojnë në mes të vendeve tona dhe vendeve tjera të Bashkimit Evropian.
Dëshiroj që t’ju falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur, që t’ju bëjë ftesë që ta në përkrahni edhe më shumë në të gjitha mënyrat dhe më të gjitha instrumentet, edhe juve edhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Mustafa.

Sot në Trieste, kryeministri Mustafa dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në praninë e personaliteteve evropiane, kanë nënshkruar Traktatin e Komunitetit të Transportit, marrëveshje me rëndësi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit si dhe në raport me BE-në dhe shtetet e saj.

 

 

 

Mustafa në Samitin e Triestes takon komisioneren e BE-së për Transport, Violeta Bulc/

 

 

Trieste, 12 korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, para fillimit të Samitit të Triestes, ka zhvilluar një takim bilateral me komisioneren e BE-së për Transport, Violeta Bulc.

 

Gjatë takimit është biseduar për progresin e Kosovës në fushën e transportit në të gjitha aspektet, si dhe për projektet aktuale dhe ato që planifikohen për të ardhmen.

 

Po ashtu, në takim është diskutuar edhe për Traktatin për Themelimin e Komunitetit të Transportit ndërmjet 6 vendeve të Ballkanit Perëndimore, që ka për qëllim përmirësimin e ndërlidhshmërisë në fushën e transportit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ndërlidhshmërinë me vendet e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Mustafa, në Trieste, Itali, merr pjesë sot në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku janë të pranishëm kryeministrat e vendeve të rajonit si dhe liderë të vendeve evropiane e të mekanzimave të Bashkimit Evropian, ndërsa do të zhvillojë edhe takime tjera bilaterale të nivelit të lartë.

 

Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore Muller: Rritja ekonomike në Kosovë rezultat i lidershipit të kryeministrit Mustafa

 

Trieste, 12 korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot në Trieste ka zhvilluar një takim me zëvendës presidentin e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller.

Gjatë takimit është diskutuar për të arriturat e Kosovës në zhvillimin ekonomik si rezultat i reformave fiskale dhe qeverisjes së fokusuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

 

Kryeministri Mustafa ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme, duke shprehur besimin se edhe më tutje Kosova do ta ketë përkrahjen e tyre në avancimin e vazhdueshëm të ambientit biznesor.

 

Nga ana e tij, zëvendës presidenti i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller, tha se rritja ekonomike e Kosovës është rezultat i lidershipit të kryeministrit Mustafa duke vlerësuar vendimet e marra në të mirë të zhvillimin ekonomik të Kosovës.

 

Ai ka shprehur besimin që edhe qeveritë tjera të ndjekin shembullin e Qeverisë Mustafa dhe të kujdesen për financat publike./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, e bashkëpunim rajonal, integrim evropian, kosova

ËNDËRR

July 13, 2017 by dgreca

1-astrit_lulushi

Nga Astrit Lulushi/

Që nga kohërat më të largta, ndoshta që kur Perëndia dënoi Abelin për vrasjen e vëllait të tij, individit gjithmonë  i është dashur të luftojë me njerëzit përreth a më tej. Dhe si mjet për të mbijetuar ai zgjodhi privatsinë a kujdesin për vete. Të bëhesh vetja është punë shumë e vështirë, sepse shpesh ndjehesh i vetmuar, dhe ndonjëherë i frikësuar. Por asnjë çmim, thotë Rudyard Kipling (..v1936), nuk është shumë i lartë të paguash për privilegjin e zotërimit të vetes.

Dhe liria e vetme që meriton të quhet e tillë, është ajo e ndjekjes së të mirës për vete, sipas mënyrës tënde, për sa kohë që nuk përpiqesh të privosh tjetrin nga mënyra që ka zgjedhur, apo të pengosh përpjekjet e tij për të fituar po të mirën për vete. Dhe këtu vijmë tek Aristoteli (..v322 pes), i cili thotë se shumë gjerëz, në mos të gjithë,  i kushtojnë më shumë vemendje gjërave që kanë vetë në zotërim, sesa atyre që kanë kolektivisht me të tjerët.

Cdo njeri është kujdestar i shëndetit të  vet, qoftë trupor, mendor e shpirtëror. Por njeriut i duket se përfiton më shumë për vete duke i shkaktuar vuajtje tjetrit, i cili pastaj hidhet në luftë për të mbijetuar a jetuar siç i duket atij mirë për vete, sesa të jetojë siç është mirë për të tjetrin. Kjo duket se është zanafilla e të gjitha konflikteve dhe luftrave në botë. Ka nga ata që thonë se çlirimi i njerëzimit – liria fizike, mendore e shpirtërore – nuk është gjë tjetër veçse ëndërr, dhe kanë të drejtë, shkruan poeti  Archibald MacLeish (..v1982), sepse ajo është Ëndrra Amerikane.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: – ËNDËRR, Astrit Lulushi

Hahn: “Një miliardë euro për Ballkanin Perëndimor”

July 12, 2017 by dgreca

Qëllimi i investimeve në Ballkan është ndërlidhja më e mirë e përgatitja e këtyre vendeve për anëtarësim në BE, pohon në intervistë ekskluzive për DW-n, komisioneri Johannes Hahn. Ai flet edhe për projekte konkrete.1 HahnNga Adelheid Feilcke/

Deutsche Welle: Zoti Hahn, a ka impulse të reja dhe pritje pozitive për samitin në Trieste? Muajt e fundit në raportet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE ka pasur vështirësi të shumta.

Johannes Hahn: Unë mendoj se samiti në Trieste është përgatitur në mënyrë të mrekullueshme nga nikoqirët italianë. Ne jemi përpjekur që në këtë samit të kemi sa më shumë rezultate konkrete. Për shembull, kemi përgatitur për nënshkrim një marrëveshje për transportin. Kjo do të thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërlidhen me ligjet  e BE – që forcon edhe raportet ekonomike dhe i jep impulse të reja rajonit. Ne do të miratojmë një radhë projektesh në fushën e transportit, respektivisht energjisë, në vlerë prej rreth 200 milionë euro, që në fund mund të rezultojnë me investime në vlerë prej rreth 540 milionë eurosh. Këtu është shumë me rëndësi që të krijohet edhe baza për rritjen ekonomike në rajon dhe për një tregti ndër-rajonale, ku ka shumë potencial. Ne mendojmë se në vitet e ardhshme në këtë rajon do të hapen rreth 80.000 vende të reja pune.

Këto janë lajme të mira, po ku ka më së shumti pengesa?

Po, si gjithmonë në rajon, më së shumti ka probleme me afatet kohore për zbatim. Ka shumë premtime, shumë pëlqime, por zbatimi i marrëveshjeve është më i ngadalshëm. Këtu kërkohet më shumë angazhim. Por kjo është gjendja në rajon dhe me këtë jemi mësuar. Tek e fundit, qëllimi është që 20 milionë banorëve të atjeshëm t’u hapet një perspektivë, të sigurohet stabiliteti, dhe nëse doni – të garantohet paqa në rajon.

Stabilitet, siguri, prosperitet ekonomik – të gjitha këto i përmendët, por jo edhe demokracinë. Shumë shpesh thuhet se me projektet e BE-së po forcohen tepër strukturat autokratike në rajon. Cilat janë argumentet tuaja kundër këtyre pohimeve?

Kur flas për stabilitetin, natyrisht që kjo nënkupton edhe forcimin e demokracisë. Nëse njerëzit nuk mund të shprehin mendimin e tyre të lirë, nëse nuk janë të lirë në veprim, atëherë nuk mund t’i gëzojnë këto vlera, të cilat Evropën e bëjnë kaq unike. Ky është edhe shkaku pse Evropa është kaq atraktive edhe për vendet e Ballkanit, të cilat duan që një ditë të anëtarësohen në BE. Zhvillimi ekonomik është i mundur vetëm nëse funksionon shteti juridik. Kjo sepse askush nuk do të investojë para në rajon, as investitorët e rajonit as ata nga vendet e BE, nëse p.sh. nuk funksionojnë si duhet organet juridike.

Në samitin e sotëm do të prezantohen projekte konkrete. Cilat?

Ne kemi përgatitur konkretisht gjashtë projekte për trafikun, si në fushën e rrugëve ashtu edhe hekurudhave. Projekti hekurudhor i njohur si “Korridor 8”, që ndërlidh Lindjen me Perëndimin, nga Bullgaria deri në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Më pas ajo mund të vazhdojë edhe për Shqipëri. Ne kemi parasysh edhe rrugët ujore mes Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë. Këtu bëhet fjalë në radhë të parë për ndërtimin e porteve. Të gjitha këto janë të rëndësishme. Apo dhe projekte të ndryshme për ndërtimin e rrugëve, si për shembull mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë. Këto janë investime vendimtare, por që duhet të realizohen. Në fushën e transportit do të japim në dispozicion rreth 145 milionë euro, që mund të shkaktojnë investime të përgjithshme deri në 450 milionë euro. Një projekt tjetër në fushën e energjisë është “Interconnector”, një linjë e përçimit të gazit mes Serbisë dhe Bullgarisë. Një investim prej rreth 50 milionë eurosh.

Zhvillimi ekonomik, marrëveshjet për transport – të gjitha këto tingëllojnë gati si anakronike nëse shikojmë konfliktet e hapura në raportet mes vendeve të këtij rajoni. Si do t’i zgjidhni këto probleme të mëdha?

Ky është në fakt edhe sharmi i këtij procesi, sepse ne themi: ne duam t’i bashkojmë të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku, pavarësisht nga niveli që kanë arritur në procesin e anëtarësimit të ardhshëm në BE. Ne konkretisht jemi duke zhvilluar negociata me Serbinë dhe Malin e Zi, me të tjerat jemi shumë larg. Por me përpjekjet tona që këto vende, të cilat janë të rrethuara nga anëtaret e BE-së, t’i fusim në infrastrukturën e BE-së në transport dhe në energji, krijohet një bazë për futjen e tyre në struktura të BE-së. Në këtë mënyrë krijohet edhe baza për zgjidhjen e njërit apo tjetrit konflikt, apo të paktën që të zhvillojmë një perspektivë, e cila mund të funksionojë në të ardhmen.

Cilët janë hapat që duhen ndërmarrë pas samitit?

Marrëveshjet duhet të zbatohen. Unë këtë vit kam marrë pjesë në fillimin e dy projekteve për ura, në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci, por edhe në Serbi. Edhe në sektorin e energjisë kemi financuar disa projekte, që duhet të ndërlidhin Malin e Zi me Italinë por edhe Malin e Zi – përmes vendeve të Ballkanit – me Rumaninë. Këtu në Trieste do të ndodh diçka shumë konkrete: bëhet fjalë për ndihmën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në kuadër të samitit do të nënshkruhet një marrëveshje për ndarjen e një buxheti prej 48 milionë eurosh, që mund t’u ndahen si kredi rreth 6000 sipërmarrjeve. Pra kemi të bëjmë me projekte shumë konkrete që duhet të ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Ne me siguri që do të përgatisim projekte konkrete edhe për samitin e ardhshëm. Sepse deri në fund të kësaj dekade duam të ndajmë rreth një miliardë euro, për të arritur diçka në këtë rajon…

…që këto vende të futen në BE?

…që këto vende të përgatiten për një kalim sa më të lehtë deri në BE.

Johannes Hahn është prej vitit 2014 komisioner i BE për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerimin.

 

Intervistën zhvilloi Adelheid Feilcke

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ballkanin Perëndimor, Hahn: "Një miliardë euro për

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1912
  • 1913
  • 1914
  • 1915
  • 1916
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT