
KUJTESA E KOSOVES- PRILLI I PËRGJAKUR

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by dgreca

by dgreca
Nga Flutura Açka/
Ishte mëngjesi i 11 prillit, kur për herë të parë pas atyre muajve të vitit të parë të ekonomikut, nipi i Sofo Lazrit, emri i të cilit nuk më kujtohet këtë çast, erdhi i zymtë në klasë. Rrathët e syve i kishte të kuq dhe ninëzat nuk i shiheshin nga trishtimi që e kishte zënë.Atë e kishim si lidhës me Komitetin Qendror, klasa jonë e studentëve kishte ‘privilegjin’ e madh të mos luteshim për ndonjë lajm nga kupola, por lajmet na vinin vetë; sigurisht për ata që i kishin merak ato lajme. Për vete nuk e di shumë, por një mikja ime më kujton atyre viteve që unë vetëm qeshja dhe më pëlqenin pastat.Ai vetëm tha se do ta mësonim shpejt se Shqipëria do të thyhej më dysh nga dhimbja që do të mësonte. Aty nga ora 11 a më pas, lajmi u njoftua zyrtarisht dhe natyrisht mësimi i asaj dite shkoi.
Si sekretare e grupit që isha (më shumë nga notat dhe natyra organizative) kisha për detyrë të organizoja grupin për ngushëllimin mbarëkombëtar që duhet t’i shkonte Komitetit Qendror nga çdo klasë, organizatë, zyrë, arë me miser me kubik dhe pa kubik, kantier, furrnalta, minierat, lulishte, kopësht e klinikë.E gjithë Shqipëria po bënte ngushëllimin kombëtar historik dhe po e siguronte partinë se ishte pranë saj ato ditë të rënda të cfilimës sonë. Shkurt, edhe në, nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e nipit tonë të dashur, e bëmë si mos më mire, vumë emrat tanë, të gjithë me radhë (mos e vër po deshe!), firmosëm dhe e nisëm. Çuditërisht një kopje të saj e kam në arkivën time personale, me gjithë marrëzinë që përfshin ajo.
Dhe m’u për faktin që isha biçim lidere e grupit, emri im u shënua tek studentët që do të kishin ‘privilegjin’ të mbanin kurorat, kurorat e të tjerëve. Nuk më kujtohet në fakt se cilën kurorë kam mbajtur unë me dike tjetër, por mbase atë të Frontit Demokratik, pasi nuk isha në radhët e para. Kurora ishte e rëndë dhe e vështirë ta mbaje nëpër boulevard, por deri atë ditë, kur pikërronte shi dhe kronologjia e shënoi si përlotje e natyrës ndaj fatit tone, unë pata ca periperci, jo aq të vogla po të kthehesh në kohë.
Të nesërmen, drejtoresha e godinës 15 të Qytetit Studenti ku bujtnim ne të ekonomikut, më thirri në zyrë dhe më pyeti për veshjen. “Shko vishu siç do të vishesh atë ditë dhe eja në këtë dhe të orë të shoh se a je përshtatshëm”. Edhe pse veshjet e mia i qepja vetë me time më me një ‘Butterfly’ kineze që kishin në shtëpi, nuk kisha veshje të zeza (kodi i detyruar për atë ditë), pasi ajo i urrente. Kështu që lypa te vajzat e dhomës – dhe ishim jo pak, por nja pesëmbëshjetë rioshe – dhe u sajova disi. Kur vajta te F. SH., drejtuesja e konviktit, një grua që më donte dhe e doja fort, ajo më këqyri dhe kur pa gjysmëkëpucët e mia në ngjyrë të kuqe, tha: “Flutura, hiqi shpejt, këto nuk lejohen!”.
I thashë se nuk kisha të tjera dhe se asnjëra nga shoqet e dhomës nuk e kishte numrin tim të këmbës, as këpucë të përshtatshme. Më urdhëroi të shkoja në shtëpi, në Elbasan dhe të nesërmen të isha aty ‘gjallë ose vdekur’ me këpucë të zeza.
Kështu që udhëtova me tren atë mbrëmje dhe të nesërmen në kthim, me orë e orë të tëra për shkak të vonesave të trenave atyre viteve dhe të popullimit të madh që u kishte ndodhur vagonëve nga shqiptarë të pikëlluar që po vinin për homazhe dhe të ishin afër parties atyre ditëve që armiku i jashtëm ishte duke festuar.
Mbase nëpër fqinjë a në të afërm, dhe këpucët e zeza u sajuan, kështu që këpucët e mia të kuqe, nuk ishin dëshmitare të asaj dite funeral, kur njerëzit binin nga ligía në trotuar dhe kur kurorat tona ndiqnin topin ku mbahej kuptimi i deriatëhershëm i frymëmarrjes sonë. Të nesërmen askush nuk do të dinte se si të merrte frymë pasi të ndaheshim nga udhëheqësi ynë.
Atyre ditëve në mbrëmje, në dhomën e vogël të televizorit të godinës 15 mblidheshin rreth 800 vajza dhe qanin me ligje. Kishte që rrinin më larg, por po të rrije në dhomë, mund të përfundoje të nesërmen në burg. Armiku atë ditë kuptohej lehtë, dhe partia përveç vajit, ishte syçelët të shihte kush po festonte atë ditë. Ulërima e atyre ditëve në atë sallë të vogël, është gjëja që nuk më është shlyer kurrë nga kujtesa, piskama i shponte muret, që mbase atë ditë kishin nisur të tronditeshin.
Pak ditë më pas unë iu ktheva kënaqësisë së këpucëve të mia të kuqe dhe pranverës që premtonte ngjyra për vete dhe shqiptarët, një pjesë e të cilëve mbase ende nuk i kishin palosur të errëtat. Natyrisht të përbetuarit nuk kanë harruar as sot të vajtojnë, të vizitojnë të venë që po bën jetë princeshash dhe që ka zëdhënëse ca gazetare e gazetarë që nuk kanë mundur të kuptojnë se nga cila gijotinë kemi shpëtuar atë 11 prill 1985.
by dgreca
Opinion nga Dr. Islam LAUKA/

Ideja e hedhur në Samitin e Sarajevës (16.03.2017) për krijimin e tregut të përbashkët ballkanik po bëhet, gjithnjë e më shumë, objekt debatesh në kryeqytetet e gjashtë vendeve që parashikohen të përfshihen në këtë grupim, por edhe në qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare. Sipas Deklaratës së Përbashkët të pjesëmarrësve të Samitit, nisma synon lëvizjen e lirë, pa pengesa, të mallrave, shërbimeve, kapitalit, të fuqisë punëtore të kualifikuar, krijimin e një hapësire dinamike investimesh, etj. Është vendosur që kjo nismë të jetë pjesë e axhendës së Samitit të Triestes, që do të mbahet më 12 Korrik të këtij viti.
Midis protagonistëve të kësaj ideje po spikasin Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Të vetëshpallur si omnipotentët e Ballkanit, që mund të bëjnë breshërin dhe diellin në këtë rajon të trazuar, duket se në çështjen e krijimit të tregut ballkanik ata janë marrë vesh mirë dhe kanë bërë edhe ndarjen e punës për promovimin e kësaj ideje. Me gjasë, Vuçiçi, ka marrë përsipër që ta shesë atë në hapësirat e ish Jugosllavisë, ndërsa Rama, në botën shqiptare. Deri tani, Vuçiçi paraqitet si më i suksesshëm. Para pak ditësh, në një intervistë në gazetën, Politico, ai i ëmbëlsoi jugonostalgjikët me pilulën “tregu i përbashkët ballkanik është Jugosllavia e vjetër plus Shqipëria”.
Ndarja e roleve nuk kufizohet vetëm në promovimin e këtij projekti. Revista britanike, The Economist, “zbulon” se rolet janë ndarë edhe në funksionimin e tregut të përbashkët ballkanik. Ajo vë në dukje se aty Serbia do të ketë rolin që ka Gjermania në BE, pra lokomotivë e këtij organizmi. Ajo nuk shkon më tej për të sqaruar se cili do jetë roli i Shqipërisë, dhe i Kryeministrit “omnipotent” të saj. As nuk ka nevojë ta bëjë këtë gjë, sepse, mëse një herë, vetë Rama, duke folur per pajtimin shqiptaro-serb, i është referuar shembullit franko-gjerman. Pasi është “zbuluar” Gjermania në Serbi dhe Adenaueri te Vuçiçi, pjesa tjeter e ekuacionit del vetiu – Shqipëria është Franca dhe Rama, kush tjetër, veç vetë De Goli!
Të zhytur në delirin e tyre të madhështisë, Ramës dhe Vuçiçit nuk iu bëhet vonë për pakënaqësitë që ka ngjallur ideja e krijimit të tregut ballkanik tek “të vegjëlit” e rajonit tonë, Malit të Zi dhe Kosovës, sidomos tek kjo e fundit. Drejtuesit e saj më të lartë shtetërorë, Kryeministri, Isa Mustafa dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj kanë shprehur qartë qëndrimin e Prishtinës zyrtare kundër kësaj nisme, si të papajtueshme me interesat e saj politike, ekonomike dhe ato të sigurisë, si një “ambalazhim i ri i së kaluarës”, apo “një projekt i stilit rus”.
Qëndrimi i Vuçiçit është i kuptueshëm. Ai shpreh dhe mbron interesat kombëtare të shtetit serb, në kushtetutën e të cilit sanksionohet që Kosova është pjesë përbërëse e tij. Dhe që nuk lë gur pa lëvizur për të minuar pavarësinë dhe integritetin shtetëror të saj, si dhe për të penguar, me çdo kusht e me çdo mjet, anëtarësimin e saj në strukturat euroatlantike dhe në organizatat ndërkombëtare.
Po Edi Rama interesat e kujt mbron, duke promovuar e mbrojtur idenë e një projekti që është në kundërshtim të hapur me interesat jetike të Kosovës? A mos ka harruar që vetë ai ka firmosur “ Deklaratën e Partneritetit strategjik” midis Shqipërisë dhe Kosovës? Apo ai është për partneritet strategjik me Kosovën, në letër dhe më Serbinë, në vepër?
Nuk ështe hera e parë që Edi Rama dëshmon që problemet e Kosovës janë të huaja për tё. Ai nuk i njeh as nuk i kupton ndjeshmëritë e saj historike. Ai nuk e ka kuptuar dhe, duket se nuk ka për ta kuptuar kurrë, se çfarë kanë hequr shqiptarët e Kosovës nën sundimin e Beogradit, pavarësisht formës së atjeshme të regjimit.
Por nuk janë vetëm ndjeshmëritë historike që i bëjnë shqiptarët e Kosovës ta perceptojnë idenë e tregut të përbashkët ballkanik si kërcënim serioz të interesave të veta. Edhe analiza e ftohtë racionale i çon ata tek i njëjti përfundim. Serbia është shteti më i fuqishëm i Ballkanit Perëndimor, me territorin dhe popullsinë më të madhe, si dhe vendi më i militarizuar i rajonit. Nuk do shumë mend për ta kuptuar që pikërisht ajo do të dominojë në tregun e përbashkët ballkanik. Që do të thotë, se aty do të mbizotërojnë interesat e saj gjeopolitike dhe ekonomike, në dëm të të tjerëve. Në konceptin e Prishtinës, tregu I përbashkët ballkanik nuk e afron atë me BE-në, por me Serbinë; ai nuk iu hap rrugë mallrave të standardit europian, por atyre të standardit serb, të prodhuara qëllimisht për të mbytur tregun kosovar; para se të flitet për qarkullimin e lirë të trangujve e patateve, duhet të sigurohet lëvizja e lirë e njerëzve; nuk mund të ketë bashkim doganor a treg unik me atë që mohon ekzistencën tënde, si shtet. Analiza e ftohtë racionale duhet që edhe Tiranën zyrtare ta çojë në përfundimin se ky projekt, duke qenë kundër Kosovës, në të vërtëtë, është kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përgjithësi, pra është anti kombëtar.
Historikisht, idjea e dominimit ka shoqëruar çdo projekt ballkanik të Beogradit, pavaresisht, etiketimit të tyre, si federatë, konfederatë, aleancë ballkanike, bashkim doganor, a treg i përbashkët. Shqiptarët, kudo në Ballkan, i kanë provuar në kurrizin e tyre pasojat e rënda të projekteve serbe.
Dominimi i Serbisë në Ballkan, në thelb, do të thotë dominim i Rusisë. Beogradi është pajtuar me rolin e tij si instrument i ndikimit të Moskës në rajonin tonë, në këmbim të ndihmës së Kremlinit në çështjen e Kosovës dhe në faktorizimin e Serbisë në sytë e BE-së. Fakti që ideja e tregut të përbahskët ballkanik mbështetet nga Brukseli dhe disa kryeqytete europiane nuk ndryshon asgjë. Ky nuk është hapi i menduar e i pjekur i Brukselit të qetë, të dikurshëm, por hapi i nxituar i Brukselit të sotëm, në ankth dhe të kapluar nga kriza ekzistenciale. Nuk i qëndron kritikës ideja se tregu i përbashkët ballkanik e afron rajonin tonë më shumë me Bashkimin Europian. Më afër së vërtëtës është argumenti që tani Brukseli, më shumë, mendon për të larguarit ose ata që mund ta braktisin, se sa për anëtarësimin e të rinjve. Nuk i qëndron kritikës as ideja tjetër që, duke i dhënë Serbisë rol qëndror në Ballkan, pra duke ndarë me të një pjesë të përgjegjësisë për rajonin, Brukseli mund të çlirohet disi nga problematika ballkanike. Së pari, roli udhëheqës nuk dhurohet, por fitohet. Çfarë ka bërë Beogradi që të konsiderohet si udhëheqës i rajonit? Ka filluar 4 luftra në hapësirat e ish Jugosllavisë. Ka kryer genocid e spastrim etnik kundër popullsisë civile. Sot e kësaj dite, Serbia vazhdon të mos kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë, të mos zhdëmtojë dëmet e shkaktuara prej saj, të mos kthejë eshtrat e të vrarëve prej saj dhe të fshehura, po prej saj. Së dyti, Brukseli duhet ta dijë se ndarja e përgjegjësisë me Serbinë për problemet e Ballkanit, në fakt, është ndarje përgjegjësie me Moskën. Më saktë, është ndarje dominimi. Në mungesë të hapave konkretë të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ekziston rreziku real që peshorja e dominimit në rajon të anojë nga Rusia. Se çfarë “çlirimi” mund të sjellë dominimi rus në Ballkan, këtë mund të mos e dinë vetëm postmodernistët e Brukselit dhe Edi Rama.
Shërbimet e Ramës ndaj politikes së Beogradit dhe Presidentit Vuçiç kundër Kosovës nuk mbarojnë me kaq. Duke e paraqitur Tiranën zyrtare si nismëtare dhe mbështetësë të projektit për tregun ballkanik, nga njëra anë dhe, duke braktisur Kosovën në kundërshtimin e saj të vendosur të këtij projekti, nga ana tjetër, Kryeministri Rama i bashkohet tezës së Beogradit se ai mund të merret vesh me të gjithë shqiptarët, me përjashtim të atyre të Kosovës, se ata nga natyra, janë të këqinj, të papërgatitur e të paaftë për shtet. Kjo është edhe pikëpamja e Moskës, e cila Kosovën e konsideron “pseudoshtet artificial”, një nga burmet bazë të destabilitetit, bartës kryesor i potencialit konfliktues në Ballkan”. Shërbim më të mirë, as Vuçiçi, as Beogradi dhe as Kremlini nuk mund të prisnin nga shqiptari “i mirë”, Edi Rama.
Kuvendi i Shqipërisë, Komisioni Parlamentar i Politikës së Jashtme, partitë politike, intelektualët e përgjegjshëm dhe shoqёria civile duhet të ngrihen në këmbë për t’ia ndalur turrin Edi Ramës, i cili, në partneritet të plotë me Vuçiçin, nisur nga axhenda, ngushtësisht personale, kryesisht, për t’u shitur në Perëndim si liberal e pajtues i madh midis popujve, po punon intensisivisht kundër Kosovës. Qeveria shqiptare, Ministra e Jashtme, duhet të organizojnë konsultime, sa më shpejt të jetë e mundur, me Qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme të Kosovës, në Tiranë dhe në Prishtinë, për të dëgjuar pikëpamjet dhe argumentet e njëra tjetrës. Do ishte mirë që kjo çështje të shtrohet në mbledhjen e përbashkët të qeverive, jo për butafori, siç është vepruar në takimet e deritanishme, por për të diskutuar seriozisht e për t’u dhënë zgjidhje problemeve që nuk janë të pakta në marrëdhëniet tona dypalëshe. Qëllimi duhet të jetë që në Samitin e Triestes, Kosova dhe Shqipëria të shkojnë më qëndrim të unifikuar – kundër idesë së krijimit të tregut të përbashkët ballkanik, si një projekt që, në rrethanat e sotme, u shërben të tjerëve, jo interesave kombëtare e shtetërore të shqiptarëve.
by dgreca
Kreu i PD, Lulzim Basha nuk heq dorë nga kërkesa e tij për qeveri teknike që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha tha nga çadra e lirisë se është i gatshëm për dialog, por jo për pazare. Ai tha se Rama në dialog duhet të vijë si kryeministër, por duhet të dalë nga ky dialog i dorëhequr.
Basha: Kujtoni çfarë ka thënë 5 ditë më parë: Më jep vendin më jep orën. Ja pra vend dhe orë nuk ka patur dhe nuk mund të kishte sepse zgjidhjet e vërteta jo zgjedhjet fasadë nuk kanë nevojë vetëm për vendin dhe orën siç takohen të dashurit, por ka nevojë për një përkushtim serioz për të zgjidhur krizën politike. Citoj atë që i kam thënë, në këtë çadër të vijë i dorëhequr. E kuptoj që kjo çadër të bën xheloz, eja në këtë çadër me dorëheqje të firmosur në xhep dhe ne do të presim paqësisht. Por leri lojërat e fjaleve, dialogun e dakordësuam të mërkurën 6 ditë më parë. U ra dakord që do flitej për formimin e qeverisë teknike dhe mandatin e qevrisë teknike, ndaj të nesërmen dhe deri sot ekipi negociues i opozitës ka qenë në gadishmëri të dialogut të vërtetë. Në një dialog të tillë mund të vijë dhe duhet të vijë edhe si kryeministër, nëse ky dialog është i vërtetë do të ketë produkt qeverinë teknike. Mund të vijë si kryeministër në dialog, këtu në çadër do vijë i dorëhequr. Nuk ka lojëra fjalësh, do të vijë në dialiog si kryeministër, por do të dalë nga dialog si kryeministër i dorëhequr .
Duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet mediatike se opozita do të futet në zgjedhje, Basha i bëri thirrje aleatëve që të shmangin çdo kurth që i jep oksigjen republikës së vjetër.
Basha: Nuk e kanë me të vërtetë, do vijë orë do futen në zgjedhje. Do ikë Duka, do iki ky apo ai. Gënjeshtra, mashtrime dhe diversion. Kur ke me vete faktet, kauzën dhe kur ke shumicën dërmuese të qytetarëve shqiptarë gënjeshtrat nuk të bëjnë përshtypje, e vërteta shkon përpara dhe shkon në vend. Edhe sot është momenti t’i drejtohem me një falenderim të gjithë aleatëve të kolaicionit opozitar: Jo besën me mua, as me PD, por fjalën e dhënë para qytetarëve shqiptarë sepse kjo betejë është për qytetarët shqiptarë. Ka nisur si e tillë dhe duhet patjetër të përfundojë si e tillë. Për të përfunduar si e tillë duhet të shmangim çdo kurth që ka për qëllim ti japë oksigjen republikës së vjetër në koma dhe të ngadalësojë projektin e republikës së re. Që të ndodhë kjo duhet me durim dhe vendosmëri të çmontojmë gënjeshtrat që dalin nga goja e njeriut të papërgjegjshëm.
by dgreca
11 PRILL 1985: E vetmja shprehje popullore që i pershtatet edhe sot ngordhjes së “shokut” Enver, asht shprehja e vjeter shkodrane: “Na shkoi si qeni në rrush..!”
Kjo shprehje të jep pershtypjen se perdoret vetem në Shkoder me 11 prill… Kjoftë per atëherë, kur ai po qelbej në Tiranë e ne, nuk na jepej me e besue se nuk merr frymë, mbasi vetem fryma i pat mbetë zagarit Gjinokastres, që Ai Plaku i Grisë e ka futë në Fjalorin tonë Frazeologjik: “Kur qeni fillon me ngranë njerzit e shtëpisë, ai duhet vra!”…
Kaluen sa vite e ai vazhdon me kenë perkrah Aranit Çelës, Rahman Perdhakut, Shyqyri Çokut e kompani, në saje të “veteranëve” dhe dylberave të Kuvendit Popullor, që as nuk e diskutojnë veshjen e tij me dekorata e tituj tash 27 vjetë, që emni i tij qelbë Tiranen. Jam tue shkrue per vitet e turpit të shqiptarëve që vazhdojnë me kenë vasal të qeverisjes komuniste, dhe pranojnë me u quejtë pasues të atij Kuvendi Popullor, ku si sa vite para: “Vazhdojnë me ngranë bar dhe parimet sllavoanadollake nuk i shklasin!!”
E kush na siguron se nder nevojtoret e tyne moderne nuk e kanë të varun surratin e tij?!
Asht kenë i pashem plehu! Dem Xhepa ishte i burgosun prej tij e vazhdonte me e lavdrue madje, edhe tue u jargitë per netët e bukra që kishin kalue në Pazarin e Vjeter të Tiranës. Thuej si të duesh, po ka sakrifikue gjithë rininë per kauzen e partisë Titos, me të cilin ka kalue ditë të bukra, kur u patne nisë bashkë në Konferencen e Paqës në Paris në 1946…
Ndryshej, nuk do t’ ishte “Hero i Popujve të Jugosllavisë”!.. Beogradi i di këta!
Udhëheqsit e “vendeve demokratike” të mbasluftës, mbasi dekoroheshin dhe jepshin provat e tyne si “besnikë të parimeve marksiste – leniniste”, shkonin në Kremlin tek shoku Stalin, e mbasi ai ua çveshte palltot e pantollonat “bisedonin lakuriq ose haptas” dhe garantonin postet e drejtimit të shteteve socialiste… Nëse nuk më besoni, lexoni librin e Enver Hoxhës “Me Stalinin”, dhe do të bindeni se kjo asht e verteta!
Bota vazhdon të rrotullohet me të mirat dhe të kqijat e veta. Po, mos me pasë “një të mirë”, nder 41 vjetë të drejtimit të një shtetit të vogel mu në zemren e Europës, pervç një “epitafi” që tregon mjerimin e Asaj Shqipnije të mjerë e të varfen nga plaçkitësit, të vujtun edhe pertej jetës, të vramë edhe mbas torturave, të humbun edhe pertej varrit, të shnderuem edhe mbas vrasjes, të pergojuem edhe pertej shnderimit, të çveshun edhe mbas pushkatimit, të dhunuem edhe mbas groposjes, apo të kalbun edhe para vdekjes… Ndoshta, kjo ngjanë vetem kur drejtuesi i shtetit e fillon jeten me flligështi, dhe e mbyllë tue qelbë edhe “flamurin siper arkivolit vet me yllin sllavokomunist të bolshevizmit”…
Lotët e Nanave Shqiptare i duheshin me shperla trupin atëherë, kur plagët e gerbulës së flligështisë rinore, nuk e lenin me mendue se cilin nga miqtë “do të mbys neser?”… Asnjëherë Zoti nuk kishte pasë punë me té!.. Ai kishte lind dhunues e vdiq vrasës!
Mbi varrin e tij një ditë do të mbijnë vetem një shelqe… ku do të këndojnë vetem një qyqe, dhe ajo ka me u plakë mbi ato pllaka mermeri tue ndye per me fshij atë “emen”, e shelqja lotuese një ditë ka per ta la pergjithmonë nga Historia per mos me ju dijtë emni!
E Nana e tij nga Gjinokastra ka me vrritë nga dishprimi: “Mirë ia bënë qenit!”…
Gjithë jeten mendoi vetem me vra! Me zhdukë Fise e Lisat e Atdheut bashkë me filizat… Donte që edhe syni qorr i veti mos me pa tjeter gja veç ferra e kelkaza… I unshem gjithë jeten e kerkonte urinë edhe nder kufomat e tuneleve të Spaçit dhe Qafë Barit… Zgavrrat e syve të kufomave të Atyne Shpellave, i pastronte me gishtat e vet dhe i thithte si palcin e kandshem të fëmijve të njomë që rriste jetima nder kampet e shfarosjes…
E kur Ata të varfnit thërrisnin “O Nanë !!” tue ra nga shkrepat e Bjeshkëve të Nêmuna në humnera e prroje, knaqej tirani e qetsohej nga ngjyra e kuqe e lumejve tanë…
I vetmi ngushllim i disave të “pashpresa” asht: “Jemi Popull i namun !!”
– Jo, e jo, po u them! Ne jemi Populli i vetem në Botë që perballë perbindshave të Historisë, kemi nxjerrë Heroj e Martirë që pikrisht ata popuj barbar që u munduen me na zhdukë nga faqja e Dheut, pikrisht ata.., po zhduken para nesh!
Ata po plasin me zhdukë Gjergj Kastriotin e Formulen e Palë Engjullit, ata po perpiqen me llomin e skutave anadollake e sllavokomuniste të Beogradit e Athinës, me aprovimin e Stambollit e bekimin e Triestes, me shlye nga Historia Dedë Gjo’ Lulin, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Don Nikoll Kaçorrin e At Gjergj Fishten, e po mujten, besa edhe Nanen Tereza…Të Asaj Shqipni që plot 24 vjetë perpara Papa Gjon Pali II (Sot Shejt) i pat thanë: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e gjithë Kontinentit Europjan dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë. Dhe në fakt ky duhet të jetë piksynimi sot, me kthye shpejt fleten tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue perpara… Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazen e Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerzimit!” (25 Prill 1993, në Sheshin “Skenderbeu” Tiranë)
Melbourne, 10 Prill 2017.