• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Trump nënshkruan protokollin e pranimit të Malit të Zi në NATO

April 11, 2017 by dgreca

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar të hënën Protokollin e pranimit të Malit të Zi në NATO, duke e përmbyllur procedurën e ratifikimit në SHBA, ka bërë të ditur Zëri i Amerikës në gjuhën serbe.

Shtëpia e Bardhë nuk ka njoftuar zyrtarisht për nënshkrimin e Protokollit.

Senati amerikan më herët e ratifikoi Protokollin me një shumicë të votave të senatorëve nga të dyja partitë, me 97 vota për dhe vetëm dy kundër, Rand Paul dhe Mike Lee.

Pas hapjes së dritës së gjelbër për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, senatorët vlerësuan se kjo do të forcojë Aleancën dhe njëkohësisht të forcojë edhe demokracinë dhe pavarësinë në Mal të Zi, bën të ditur Zëri i Amërikës në gjuhën serbe.

Gjithashtu thanë se anëtarësimi i Malit të Zi do të forcojë edhe sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe do t’i dërgojë porosi të fuqishme Rusisë “që po provon të pushtojë fqinj dhe të ndryshojë rendin botëror”.

Pas nënshkrimit të protokollit nga presidenti amerikan për zgjerimin e Aleancës, mbetet që këtë procedurë të verfikimit ta përmbyllin edhe Spanja dhe Holanda.

Zyrtarët malazezë presin që Mali i Zi të bëhet anëtar i barabartë i NATO-s në samitin e radhës në fund të muajit maj në Bruksel.

Filed Under: Rajon Tagged With: Mali i Zi NATO, nenshkruan, Presidenti Trump

Haradinaj: Nuk po kërkoj unë spastrim etnik, por Beogradi

April 11, 2017 by dgreca

1 HaradinajDeputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se ishte keq-interpretuar për deklaratën e dhënë ditë më parë në lidhje me reagimet që mund të pasojnë nëse Ramush Haradinaj ekstradohet nga Franca në Serbi.

Ai ka thënë se ka folur me vetëdije të plotë, por se deklarata e tij, siç ka thënë ai, është interpretuar më pas “ashtu siç i ka konvenuar dikujt”.

Sipas Haradinajt, lidershipi në Beograd po tenton ta destabilizojnë Kosovën, por siç u shpreh ai ‘ata duhet ta dinë se Kosova nuk do të lëshoj më pe’.

“U bëj thirrje të gjithë atyre që e kanë interpretuar dhe e kanë kapur për bishti një deklaratë timen se asnjëherë nuk kam thënë se do të ketë spastrim etnik, por në rast se mendojnë që përmes një njeriu ose me transferimin e tij në Beograd, atëherë duhet t’ia venë gishtin kokës dhe të kenë kujdes”.

“Ata po duan të tentojnë ta spastrojnë Kosovën. Beogradi zyrtar donte ta spastronte Kosovën etnikisht, jo Daut Haradinaj, jo shqiptarët… po nëse duan të luajnë me zjarr puna e mbarë u qoftë”, tha Haradinaj të martën gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i AAK-së tha po ashtu se deklarata e tij e bërë ditë më parë në RTV Dukagjini ishte interpretuar ashtu siç u ka konvenuar personave të caktuar.

“Është shumë e vërtetë se që ajo deklaratë është kapur për bishti, e kujt i ka konvenuar ajo le ta mbajnë përgjegjësinë vet”, tha Haradinaj.

Sipas tij, nuk duhet pasur dilema se në Beograd ka tendenca të hapura për ta destabilizuar Kosovën.

“Ata që sot po krekosen për serbët e Kosovës është mirë të na tregojnë neve hapur se si ndodhi vrasja e pandave në Pejë, e fëmijëve të Pejës, për t’i fajësuar shqiptarët e Kosovës. Unë kam folë dhe e përsëris edhe njëherë që të kihet kujdes se nuk luhet më me kombin tonë”, u shpreh Harandinaj.

Deputeti Haradinaj ka theksoi se me ndalimin e Ramush Haradinajt po mundohet të destabilizohet Kosova.

“Këtë duhet ta dinë edhe përfaqësuesit diplomatik se po e mbajnë një njeri peng për qëllime të caktuara dhe e kanë shumë gabim. Askush më shumë se unë vet nuk e do paqen dhe stabilitetin e Kosovës. Asnjë nga qeveritaret serb nuk i kanë ruajtur as serbët e Kosovës as monumentet historike e kulturore, i kemi ruajtur vet se e kemi kulturë si shqiptar”, ka thënë ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia së cilës i takon deputeti, Haradinaj tha të hënën në mbrëmje se deputeti i saj Daut Haradinaj, nuk ka bërë asnjëherë thirrje për spastrim etnik, por ka ngritur alarmin për provokimet e Serbisë ndaj Kosovës.

Në një emision televiziv në RTV Dukagjini, Haradinaj kishte deklaruar se “në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, [që Ramush Haradinaj të ekstradohet nga Franca në Serbi] atëherë të bëhen gati për tema më serioze. Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare me Ramushin”.

Pas kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta nga përfaqësues vendor dhe ndërkombëtar në Kosovë.

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, në një komunikatë të lëshuar të hënën tha se “deklarata e kësaj fundjave e një deputeti të parlamentit të Kosovës që përdori gjuhën e urrejtjes duke kërcënuar me spastrim etnik, është e papranueshme dhe shkakton shqetësime serioze”.

Zyra e Bashkimit Evropian, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, tha se “dënon deklaratat kërcënuese ndaj komuniteteve dhe etnive të tjera. Ato nxisin gjuhën e urrejtjes te pakicat, pengojnë pajtimin si dhe dialogun”…

Më herët gjatë fundjavës, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kishte shkruar në Twitter se “kjo është një gjuhë e rrezikshme dhe nuk ka vend në Evropë”.

Të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi në rrjetet sociale se “për institucionet dhe popullin e Kosovës, deklaratat kërcënuese ndaj etnive të tjera joshqiptare, nxisin mllef, urrejtje dhe hakmarrje, duke na kthyer në të kaluarën e hidhur. Për më tepër, bllokojnë dialogun për normalizim të marrëdhënieve, vënë në pikëpyetje pajtimin e domosdoshëm dhe perspektiven e Kosovës evropiane dhe shumetnike. Nuk kemi lejuar një gjë të tillë as gjatë luftës dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë as tani, sepse askush nuk e dëshiron”.

Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb.

Seanca gjyqësore, 6 Prill - Colmar

Seanca gjyqësore, 6 Prill – Colmar

Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi zotin Haradinaj me kusht që të qëndrojë në Francë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës për ekstradimin e tij në Serbi. Në seancën e fundit u caktua 27 prilli si datë për vendimin e mundshëm për të.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin. (Arton Konushevci- REL)

 

Filed Under: Politike Tagged With: Beogradi, Haradinaj, pastrami etnik

FALENDERIM I PRESIDENTIT TRUMP

April 11, 2017 by dgreca

1 leshimi i raketavePresidenti Trump falenderon  Komandantët e  USS ROS dhe USS PORTER/

Përktheu për “Dielli-in” Herion Kërcelli/

President Donald Trump talks on the phone to Commander Andria Slough, Commanding Officer of USS Porter from his office on board AF-1 en route Washington, D.C., Sunday, April 9, 2017.  Also shown is Lt. Gen. H. R. McMaster, National Security Advisor.  President Trump called Commander Slough to congratulate and thank the commanding officer for the flawless execution of the April 6 order to retaliate against the regime of Bashar Al-Asad for his chemical weapons attack against innocent civilians in Syria on April 4.  (Official White House Photo by Shealah Craighead)
President Donald Trump talks on the phone to Commander Andria Slough, Commanding Officer of USS Porter from his office on board AF-1 en route Washington, D.C., Sunday, April 9, 2017. Also shown is Lt. Gen. H. R. McMaster, National Security Advisor. President Trump called Commander Slough to congratulate and thank the commanding officer for the flawless execution of the April 6 order to retaliate against the regime of Bashar Al-Asad for his chemical weapons attack against innocent civilians in Syria on April 4. (Official White House Photo by Shealah Craighead)

 Mbasditen e 9 prillit 2017, Komandantët e Destrojerëve  të Klasës “Arleigh Burke”, të pajisur me raketa të drejtuara, përkatësisht, USS Ross (DDG-71) dhe USS Porter (DDG-78), patën nderin të flasin në telefon me Presidentin, njëkohësisht Komandantin e Përgjithshëm  të Ushtrisë së SHBA, zotin Donald J. Trump.

Nga Air Force One, Presidenti Trump në prani të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare H.R. McMaster, falenderoi, Komandantin Russell Caldwell dhe Komandanten Andria Slough, bashkë me ekuipazhet e tyre, për profesionalizmin dhe zbatimin e shpejtë të urdhërit për goditjen me raketa të bazës së aviacionit “Shayrat” të Asadit. Ky sulm ishte kundërpërgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike kunder popullsisë civile nga regjimi Sirian i Asadit.

USS Ross, drejtuar nga Komandanti Russell Caldwell, ishte bazuar në Rota, Spanjë. DDG-71. Ju bashkua Flotiljes së pestë më 3 prill 2017, e cila kryente patrullim rutinë në zonën e Fllotës së 6-të të Shteteve te Bashkuara, për mbështetjen e operacioneve të sigurisë kombëtare të SHBA në Europë. Komandanti Caldwell e mori Komandën e Ross më 12 Nëntor, 2015. Mbas bisedës me Komandantin Trump, ai u shpreh:-“Suksesi i këtij misioni varet nga trajnimi, njohuria teknike dhe dedikimi ndaj punës i marinarëve tanë të shkëlqyer”. “Ishte një nder i vecantë të dëgjoje drejtpërdrejt nga Kryekomandanti jonë se, këto operacione kishin një ndikim të drejtpërdrejtë në mbështetjen e objektivave tona kombëtare.”

Ndërkohë, USS Porter, drejtuar nga Komandantja femër, Andria Slough, bazuar më parë në Rota, Spanjë, ju bashkua anijeve të tjera më 30 Nëntor, dhe ishte duke organizuar patrulla rutinë në zonën e përgjegjsisë së Flotës së 6-të të SHBA. Edhe kjo në mbështetje të operacioneve për Sigurinë kombëtare të SHBA  në Europë.

“Presidenti u impresionua me precizionin dhe efektshmërinë e USS Porter. Ai shprehu kënaqësinë  për performancën e treguar në këtë operacion dhe ndjehej  i gëzuar që ne jemi këtu duke patrulluar në përbërje të Fllotës  së 6-të të SHBA”, u shpreh mbas bisedës Komandantja Slough. Komandante Slough mori Komandën e USS Porter më 28 Janar 2016. Në shkurt të v.2016, USS Porter lundroi në Detin e Zi dhe mori pjesë në stërvitjen e përbashkët me Flotën Rumune, të emërtuar “Mburoja e Detit”. Në mars 2016, DDG-78, mori pjesë në stërvitjen “Dinamik Manta” për betejat anti-nëndetëse dhe anti-sipërfaqe, në kuadër të Komandës së përbashkët Detare me aleatët. Gjithashtu në mars 2016, USS Porter-it ju dha cmimi “Fllota Atlantike 2016”, “Bllodhound” {Dedektivi}, që do të thotë anija më e mirë në Flotë për betejat kundër-nëndeteseve.

Flota e 6-të e SHBA, me Komandën e Përgjithshme në Napoli, Itali, organizon dhe drejton spektrin e plotë të operacioneve të përbashkëta detare, ajrore dhe tokësore, shpesh në bashkëpunim me partnerët aleatë, të përbashket dhe ndëragjensi, në mënyrë që të sigurojë interesat kombëtare, sigurinë dhe stabilitetin e Shteteve te Bashkuara në Europë dhe Afrikë.

 

Sipas Zyrës së Shtypit të Presidentit dhe Zyrës së Marrdhënieve me Publikun të Fllotës së 6-të të SHBA.  9 prill 2017.

Shënim: USS Porter, DDG-78, në muajin shtator të v.2015, zhvilloi një vizitë në Gjirin e Vlorës. Në nderim të misionit që kryejnë marinarët e DDG-78, në shërbim të paqes e sigurisë në Mesdhe, po e risjellim këtë vizitë në Faqet e “Dielli”-it.

 

Filed Under: Featured Tagged With: dhe USS PORTER, e USS ROS, Herion Kercelli, Komandantët, Presidenti Trump falenderon

A ËSHTË KJO KOHA E ERRËSIRËS SË MADHE?!

April 11, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

A është kjo periudhë e historisë shqiptare, koha e errësirës së madhe politike dhe morale?  Kur dihet rruga që duhet ndjekur për të mirën e përbashkët, por nuk ndiqet.  A është kjo një prej periudhave fatkeqe të historisë së shqiptarëve e cila po shfaqet si një prej më të shëmtuarave të mos besnikërisë së madhe ndaj njëri tjetrit dhe ndaj ardhmërisë dhe interesave afatshkurtëra dhe afatgjata të kombit?!

Nga ngërçi aktual politik në Shqipëri dhe nga polemika e intolerancës,  arritjet e shqiptarëve këtë çerek shekulli, janë në rrezik të pësojnë goditje të rënda, të cilat kollaj mundë të këthejnë mbrapa sukseset e deritanishme historike të kombit shqiptar, të arritura me gjak e sakrifica të mëdha gjatë gjithë historisë.  Fatkeqsisht, si përfundim i ngërçit politik midis pozitës dhe opozitës dhe luftës me fjalë që po zhvillohet midis palëve, sidomos në Tiranë, nuk kemi të bëjmë më me imazhin e vendit, se imazhin e ka marrë dreqi, por kemi të bëjmë me lirinë dhe demokracinë e vendit, për të mos thënë me vetë mbarvajtjen e institucioneve të qeverisë dhe të shtetit, por edhe me marrëdhëniet e vendit me botën.   Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta deklaroi në fund të javës që kaloi se, “Shqipëria nuk mund të bëhet turpi i Evropës” nga gjëndja e krijuar, por kam drojë se është tepër vonë për këtë.  Dihet tashti se çka mendon Evropa për Shqipërinë dhe për klasën politike që e ka udhëhequr këto 25 vitet e fundit. Perëndimorët, me të gjithë të metat e tyre gjatë viteve, në marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë në periudha shumë kritike janë përpjekur, me shumë pak sukses, të ndihmojnë vendin dhe klasën politike të arrijnë në një konsensus të përbashkët për të çuar Shqipërinë përpara në rrugën e lirisë dhe të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të drejtësisë.   Duket se perëndimorët, në rastin e krizës aktuale të thellë politike, kësaj rradhe po rrijnë larg ndërhyrjeve dhe ndërmjetësimeve midis palëve kundërshtare të politikës shqiptare.  Edhe mirë bëjnë!  Këto nuk janë si çështje ndërkombëtare që në rast konfliktesh, nevojitin ndërhyrjen e një pale të tretë ose një organizate të paanshme ndërkombëtare siç janë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian ose diçka e tillë, por janë probleme krejtsisht të panevojshme të krijuara prej klasës politike të vendit, për interesa personale e partiake dhe si të tilla konfliktet midis tyre duhet të zgjidhen nga palët vendase.  Ky konflikt duhet të zgjidhet nga vetë shqiptarët!

Perveç problemeve të shkaktuara nga vetë klasa politike shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare të cilat kane rrezikuar seriozisht, sidomos gjëndjen e mbrendshme, por në disa raste, përfshirë marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës me vendet aleate të Përendimit — janë edhe  influencat dhe provokimet nga jashtë, sidomos provokimet nga fqinjët dhe sponsorizuesit e tyre putinistë dhe erdoganistë – që presin gjithmonë të peshkojnë në ujra të turbullta —  e të cilët historikisht, kurr nuk ia kanë dashur të mirën kombit shqiptar, as nuk ja duan tani.   Të huajtë, fqinjtë dhe padronët e tyre, nuk i kanë dashur kurrë të bashkuar shqiptarët — por kështu të ndarë e të përçarë politikisht siç janë sot — në gjëndje kaotike – me qëllim për të justifikuar pretendimet e tyre historike se shqiptarët nuk kanë ndërgjegjen dhe as interesat e përbashkëta për formuar shtet të tyre.  Lista e provokimeve dhe e përpjekjeve për të nxirë imazhin e shqiptarëve është e gjatë dhe e gjithanëshme dhe siç duket e koordinuar mirë nga qarqe të mirënjohura anti-shqiptare.  Qëllimi i të gjitha këtyre masave e akuzave armiqësore anti-shqiptare ka qenë dhe është që të shkaktohet dëmi maksimal ndaj  intersave të mbrendshme dhe të jashtme të shqiptarëve, por edhe emërit të mirë dhe prestigjit që sado pak gëzon sot kombi shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.  Fatkeqsisht, duke se ata po ia arrinë qëllimit.

Pa marrë parasyshë se sa serioze mund të jenë  ndërhyrjet dhe provokimet e jashtme, besoj se është në dorë të shqiptarëve që shekulli XXI të jetë shekulli i kombit shqiptare, ashtu siç mendohej dhe siç pritej.  Shqiptarët sot janë më të lirë se kurr për të vendosur dhe për të marrë në dorë vetë fatin e tyre — nëqoftse kanë kurajo politike dhe morale.  Breza të mëparshëm të shqiptarëve mbijetuan një prej regjimeve komuniste më të egra të botës, si edheu shpëtuan shtypjeve, terrorizmit e gjenocidit të Serbisë  kundër shqiptarëve në Kosovë  me ndihmën e aleatëve perëndimorë — luftuan dhe më në fund fituan kundër një prej regjimeve me raciste dhe terroriste të Evropës dhe botës.  

Historia e kombit shqiptar është një testament guximi.  Ky guxim historik duhet të shëndërrohet sot në një mirëbesim dhe mirëkuptim e respekt të përbashkët, në radhë të parë, midis kësaj klase politike konfliktuale, në të gjitha trojet shqiptare, e sidomos të klasës politike në shtetin amë.  Në këtë moment të konflikteve dhe ndërçit politik në lidhje me zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri, është detyrë e përgjegjësi politike dhe morale, por mbi të gjitha përgjegjësi atdhetare — e këtij brezi politikanësh shqiptarë që të kenë parasyshë ndjenjat e popullit dhe që në të njëjten kohë, të pasqyrojnë dëshirën dhe vullnetin  e zgjedhesve, në vendimet politike të qeverisë e të shtetit për të mirën e epërbashkët, afat-shkurtër dhe afat-gjatë të kombit shqiptar.  Paraardhësit dhe rilindasit e kombit, të cilët shkrinë jetën për të venë në dritë bujarsinë e kombit shiptar, sidomos karshi njëri tjetrit, por edhe para botës, nuk presin as ma pak as më shumë, që politikanët e sotëshëm të pozitës dhe të opozitës, të tregojnë atdhedashurinë  e tyre me sjellje të mira e vetdije të thellë të detyrave dhe përgjegjësive shoqërore e kombëtare.   

Nuk ka alternativë tjetër për zgjidhjen e ngërçit politik, përveç të shkruarjes përpara duke ecur së bashku në udhën e mundimshme të këtyre kohërave të fundit që vetë ju me sjelljet tuaja kini krijuar.  Nuk ka as shpëtim tjetër për ju as për Shqiprinë dhe as për kombin shqiptar, veçse bashkpunimi me njëri tjetrin, si individë, si parti politike dhe si shqiptarë.  Bashkimi i politikës është masa më e fuqishme për të siguruar bashkimin dhe shpëtimin e shqiptarëve.   Pozita dhe opozita, në  një shtet demeokratik, kanë nevojë për njëra tjetrën.  Nuk ka as parti socialiste as parti demokratike pa Shqipëri.  Kujdes, se po humbisni Shqipërinë dhe gjithë arritjet e deritanishme të saj.  Ka ardhur koha për një kethesë historike në mendime dhe në sjellje ashtu që më në fund, kjo klasë politike të perqendrohet jo në  konflikte,  mos tolerance, mosmarrveshje, mburrje e pontifikime midis tyre per interesa thjeshtë personale e partiake.  Shihet rezultati i konflikteve poltike të këtyre 25-viteve të fundit. Nevojitet një besëlidhje e re ndaj interesave madhore të kombit shqiptar, për të çuar përpara idenë e pajtimit të pikepamjeve tëndryshme dhe bashkjetesës politike në interes të kombit.  Këte, ia kini borxh historise, fëmijëve tuaj, nipave e mbesave si edhe brezave të ardhëshem të kombit shqiptar, që ai të jetojë në paqë me vetvehten dhe me të tjeret.

Përgjegjësia morale, politike dhe atdhetare është krejtësisht e juaja! Koha për të vepruar është tani, për ndryshe në mungesë të një zgjidhjeje, historia do ta konsiderojë këtë periudhë të shqiptarëve, jo vetëm si koha e errësirës së madhe politike por edhe si periudha e mosbesnikërisë së madhe ndaj atdheut dhe historisë së kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: E ERRËSIRËS SË MADH, Frank shkreli, koha

Historia e Javës së Madhe të Pashkëve

April 10, 2017 by dgreca

Java, që i paraprin Pashkëve, qysh nga kohët më të lashta quhet Java e Shenjtë. E vërtetojnë këtë shkrimet e Shën Atanazit, që jetoi në shekullin IV. Në Lindje kjo javë quhej “e Madhe”. E kështu quhet prej shekujsg edhe ndër shqiptarë. Quhej e vijon të quhet ‘e Madhe’ – na shpjegon e Shën Gjon Gojarti – jo pse ka më shumë ditë sesa javët e tjera, as pse i ka ditët më të gjata, por pse në këtë javë Jezu Krishti kreu gjestet më larta”.Duhet sqaruar se në zanafillë, e ndoshta që nga kohët apostolike, kremtoheshin vetëm e Premtja dhe e Shtuna” ‘ditë në të cilat – siç vèren Tertuliani – Kishës ia morën dhëndrrin”.

Gjatë këtyre dy ditëve besimtarët agjëronin më shumë se ditëve të tjera e, në shenjë zije, nuk shkëmbehej përqafimi e puthja e paqes. Kremtimi përfundonte  me të Dielën e Pashkëve.Kremtohej kështu Triditshja e Pashkëve, nga e premtja, tek e diela. Në shekullin IV nisën të kremtohen në formë historike ngjarjet që rrëfehen nga Ungjilli, posaçërisht themelimi i Eukaristisë, të enjten. Ky kremtim shënoi një risi në Triditshen e Pashkëve, që nuk zgjatej më nga e premtja tek e diela, por nga e enjtja, tek e shtuna.

Më pas u shtua edhe një ditë tjerë, e mërkura, në kujtim të vendimit që morën judenjtë për ta mbytur Krishtin. Më pas, herë pas here, u shtuan edhe e hëne dhe e marta, aq sa tek shën Atanazi gjejmë porosinë për të agjèruar në mënyrë të posaçme në këto gjashtë ditë shenjte e të mëdha të Pashkëve.

Kjo nuk do të thotë se që në shekullin IV të gjitha ditët e Javës së Madhe patën, në këndvështrimin liturgjik, rëndësinë që morën më pas e që e kanë edhe sot e kësaj dite. Në Lindje ndiqeshin nga populli e nderoheshin shumë më tepër se gjetiu. Kemi dëshmi të lashta për kremtimet e veçanta të Kishës së Jerusalemit. Në Viset e Shenjta, përplot me kujtime tronditëse, nisin të kremtohen liturgji të posaçme, të cilat më pas, pak nga pak, përhapen në perëndim, duke arritur edhe në Romë.

Në Qytetin e Amshuar përveç kremtimit të Eukaristisë, të Enjten e Madhe u shtua edhe rrëfimi i pendestarëve si dhe bekimi i Vajrave të shenjta. Gjithnjë në Romë, të hënën e të martën e Javës së Madhe të Pashkëve, nisi të kremtohej një liturgji e posaçme, e porositur nga Papa Hilari, në shekullin V. Të premten e të shtunën e Pashkëve, në Romë e në vise të tjera, nuk u lejua asnjëherë kremtimi eukaristik.Ritet që kremtohen sott ë Premten e Madhe – adhurimi i Kryqit e Mesha e të parashenjtëruarve – hyjnë në liturgjinë romake rreth shekullit VII; e ata të së Shtunës së Madhe, dhe më vonë.

E Hëna Madhe e Shenjtë e Pashkëve

Sot është e Hëna Madhe e Shenjtë e Pashkëve. Me të Dielën e Larit, që kremtuam dje, kemi hyrë në Javën e Shenjtë e të Madhe të Pashkëve të mundimeve, kryqëzimit me vdekje mbi kryq dhe Ngjalljes së Jezu Krishtit.Pra, dje, në rrëfimin e historisë së hyrjes së Jezusit në Jerusalem, për të plotësuar veprën e Tij shëlbimpruese, jehonin ende britmat e turmës e të fëmijëve, të mbledhur rreth Krishtit, që ngadhënjente përvujtërisht mbi shpinë të gomarit. Njerëzit e ardhur nga larg për të kremtuar Pashkët në qytetin e shenjtë, pyesnin banorët e Jerusalemit, që dyndeshin rrugëve duke brohoritur: “Kush është ky?”. “Jezusi i Nazaretit”, u përgjigjeshin, Profeti, Biri i Davidit, Mesia! Hosana atij që vjen në emër të Zotit!”.

Ai kishte sy të butë, që të hynin deri në zemër. Depërtonte vështrimi tij në thellësinë e shpirtrave, që prisnin zbulesën, për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të panumërta, kahmot pa përgjigje.

Shikimi i tij depërtonte në ditët që do të vinin së shpejti, kur “Hosanave” do t’ua zinte vendin britma më tragjike që u dëgjua ndonjëherë në skenën e kësaj bote: “Kryqëzojeni!”. E u thoshte krerëve plot mllef të popullit, që s’mund t’i duronin më brohoritjet, se po t’i detyronin fëmijët të heshtnin, do të këlthisnin gurët e sokakëve!.

Po sot është një ditë e re. Jezusi e kaloi natën jashtë qytetit të Jerusalemit, drejt Betanisë, larg kurtheve. I mbështjellë me mantel, shtrirë poshtë një peme, kundron ndërmjet degëve hënën, që s’është ende e plotë.

Sa mbrëmje i mbeten deri në përmbushjen e misionit të shëlbimit? Edhe katër ditë e Qengji i Hyjit, do të flijohet. Qengji i flijes së re, që historia e njerëzimit e pret, e pavetëdijshme e që dielli e ka përgatitur në vitet e amshuara. Pas pak, në një kopsht tjetër, do të derdhë lot e gjak, i pushtuar nga angështia e vdekjes, e mijëra sfilitjeve, e mëkateve të botës…

E tani ka një shpresë të vetme: “O Atë, largoma nga buza e gojës këtë kelk!”. Për Ty s’ka asgjë të pamundur!”. Ti mund t’u japësh ngjarjeve të caktuara në thellësitë e pakohë, një kthesë e orientim tjetër, duke e shikuar fatin tim më shumë  me mëshirë, sesa me drejtësi, që të mos vuaj kaq shumë e korpi im njerëzor të mos rrënqethet përballë kryqit, gozhdëve, shqyerjes së nervave, gurrës së gjakut, tmerrit të vdekjes. Për Ty s’ka asgjë të pamundur, o Atë. Ti mund t’ua rikthesh njerëzve pafajësinë e lashtë, pa inate, pa urrejtje, pa hakmarrje; mund t’ua rikthesh gëzimin e zemrës së pafaj, t’i largosh nga pasionet e errëta, nga lakmia, nga dhuna, nga etja e ndyrë për pushtet. Për Ty s’ ka gjë të pamundur! Ti mund ta fashitësh edhe zemrën  time. E kështu unë do të përsëris në amshim, i lëshuar megjithsejt në dorën tënde: “Atë. U bëftë vullneti yt, jo imi!”.

Po sot është një e re. Tekat e pranverës ngacmojnë erën, që fryn mbi shkretëtirë, duke e mbuluar qiellin me re të ulta, ngarkuar me shi. Njerëzit ikin me vrap nga udhët e strehohen në Tempull. Luten, bëjnë flijime (kurbane), sillen e përsillen në hapësirën vigane, duke shikuar me droje, por edhe me një ndjesi sigurie, krerët që ecin të krekosur e dyshimtarë. E pastaj, në turmë, dëgjohet një zë:

“Si ju duket ju? Një njeri kishte dy djem: duke iu drejtuar të parit, i tha: Bir-o, shko sot e puno në vresht. E ai u përgjigj: ‘Po, zotëri; por nuk shkoi.

Duke iu drejtuar të dytit, i tha të njëjtën gjë. E ai u përgjigj: ’S’po jam në terezi; por mbrapa, i penduar, shkoi.

Kush nga këta të dy e çoi në vend vullnetin e të atit?”.

I thanë: “Ky i fundit”.

E Jezusi u tha atyre: “Me të vërtetë po ju them: publikanët e gratë e përdala do të kalojnë para jush në mbretëri të Hyjit”.

Njerëzit dëgjojnë e shikojnë, të çakërdisur, si zbehen fytyrat e krerëve, ndërsa ndjejnë në shpirt shpërthimin e një ujërave të ylbertë me premtime, një paqe të panjohur, dhuratë e një lirie të re, e cila s’pyet për atë që është në krye, s’pyet për ligjin, nuk pyet cilit popull a tradite i përket, nuk pyet për fjalë, por për vepra shenjte. I jep vlerë të re pendimit, pranimit të përvujtë të gabimeve e dëshirës për të ndërruar rrugë. E kush nga ne nuk është sadopak publikan, njeri që flijon ndershmërinë për përfitime materiale, për para të rrëmbyera; që shkel drejtësinë, i shtyrë nga etja për pasuri e s’pyet fare për urinë e shumicës, pa shpresë për të nesërmen? Kush nuk e shiti sadopak, si gratë e përdala, dinjitetin e vet për favore, për privilegje, për vlerësime, për pushtet?

Turma është gjithnjë aty; e heshtur, e fyer, e penduar, por edhe plot me shpresa: nuk arrin dot ta dallojë fundin e kësaj ndeshjeje misterioze e pa mëshirë. Por zëri vijon e thotë: “Guri i lënë mbanësh nga ndërtuesit, u kthye në gurë themeli”.

Tani e dinë të gjithë: krerët e popullit tashmë e kanë dënuar. Ai nuk ka më vend në këtë ndërtesë e duhet lënë mbanësh, duhet flakur jashtë me turp. Duan ta kapin, por druhen. I ngrenë kurthe. E pyesin, prandaj: “A lejohet, a jo, t’i paguhen të dhjetat Qesarit? Pushtuesit të kombit tonë, zotërisë së botës? Ne duhet t’i japim, apo jo?”. Sa dëshirë do të kishin të përgjigjej ‘jo’, për ta paditur pastaj tek romakët! Por sa dëshironin edhe të thoshte ‘po’, që  njerëzit të mos i besonin më, të mos e ndiqnin më, të mos e mbronin më! Por ai diti t’i ndajë përgjegjësitë e qiellit nga ato të tokës. E shikoi, i lirë, duke pritur orën në të cilën, në përkim të plotë me vullnetin e Atit Hyjnor, do të ngadhënjejë mbi furinë e terrinave!

Duam të të ndjekim pas, Jezus, dishepuj të largët nga ato ditë, edhe ne të njollosur me faje, edhe ne të tunduar të mos besojmë. Por duam të ecim pas teje, o Krisht, sepse shpresojmë në ty, sepse presim përmbushjen e misterit, i cili që nga kohët e largëta vijon të na i trondisë zemrat, vijon të na shtyjë ndërmjet buzë greminave të asgjësë e horizonteve të pamasa të gjithësisë. Na i përsërit pambarim fjalët tuaja, Jezus, Mësues i ëmbël, sepse fjalët tuaja janë fjalë jete, fjalë shprese. Duam të të ndjekim pas.….(Kortezi:Radio Vatikani)

Filed Under: Featured Tagged With: e Javës së Madhe, historia, të Pashkëve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2081
  • 2082
  • 2083
  • 2084
  • 2085
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT