• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GËZUAR DITËLINDJEN ELON HAXHOSAJ!

February 12, 2017 by dgreca

URIM I VATRËS: GËZUAR DITËLINDJEN ELON HAXHOSAJ!/

1 amb franceze

Djali që shihni në krahët e të atit në protestën e 9 Janarit 2017 organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” para ambasadës Franceze në Washington, quhet Elon Haxhosaj. Ai sot ka ditëlindjen dhe Vatra e uron: Gëzuar Ditëlindjen Elon!

2 Elon

Eloni mbushi 2 vjet nga ardhja në jetë. Edhe 100 vite të lumtura! Eloni është vetëm 2 vjeçar dhe natyrisht ai nuk mund ta konceptojë fjalën “protestë” në një ditë të ftohtë dimri, por nesër kur të jetë i rritur, kjo fotografi, do t’i përcjellë atij mesazhe krenarie. Le ta kujtojë dhe këtë urim për ditëlindjen nga Vatra!

Filed Under: Vatra Tagged With: Elon

JOSCHKA FISCHER:“Kam shqetësime serioze edhe për Ballkanin…”

February 12, 2017 by dgreca

INTERVISTË ME JOSCHKA FISCHER: “Kam shqetësime serioze edhe për Ballkanin…”/1 Joschka_Fischer

Marrë nga Paolo Valentino ( i dërguari i “Corriere della Sera” në Berlin)/

Përktheu per Diellin: Eugjen Merlika/1 Eugjen            Dy vjet më parë, Joschka Fischer shkrojti një libër me titullin apokaliptik : “Nëse Evropa do të dështonte?”. E pyes ish ministrin e jashtëm gjerman nëse sot jemi më pranë apo më larg humnerës. “Nuk kemi qënë kurrë më pranë dështimit. Por mundësitë e vënies përsëri në ecje, janë më të mëdha se atëherë, nëse evropianët do të mbeten  bashkë dhe do të hedhin një etapë të re të projektit të përbashkët. Në këtë kuptim jam i kënaqur, por vetëm pjesërisht.”

A ka qenë zgjedhja e Trump-it për t’i u bërë të ndërroni mendim ? Ju keni folur për rrezikun  e “perëndimit të Perëndimit”.

            “Është e vërtetë por nuk nënkuptonja Perëndimin e lindur në Mesdhe. Bëja fjalë për Perëndimin, botën transatllanike të ngritur mbas luftës së Dytë botërore e thyerjes së nazizmit, të themeluar mbi lidhjen mes Amerikës, Evropës perëndimore dhe Kanadasë dhe mbi garancinë e sigurisë së dhënë aleatëve nga SH.B.A.. Donald Trump, me moton e tij America First shënon konkretisht heqjen dorë dhe shkatërrimin e mundshëm t’asaj bote : ve në diskutim Nato-n, i kthen shpinën tregëtisë së lirë, gërryen , me fjalë të tjera, dy shtyllat e rendit global që kemi njohur. Nëse kjo do të ndodhte, pasojat do të ishin tepër të rënda për Evropën.”

E ku qëndrojnë mundësitë ?

            “Përballë kësaj perspektive Evropa, më së fundi, mund të bëhet e pjekur. Por duhet të rritemi pa rënë në kundëramerikanizëm.”

A janë shpejtësitë e ndryshme, për të cilat flet kancelarja Merkel , rruga për t’u ndjekur ?

            “Shpejtësitë e ndryshme janë realiteti. Do të ndjehesha më mirë sikur të dinja se më 7 maj në Francë nuk do të zgjidhej Marine le Pen. Nëse kjo do të ndodhte do t’ishte fundi i BE dhe i euros, me pasoja dramatike botërore. Por kam besim se nuk do të ngjajë e që, mbas zgjedhjeve gjermane në shtator, mund të hapet një dritare mundësie për të rishpërcaktuar projektin evropian.”

Në çfarë mënyre ?

            “Sigurisht eurogrupi do të jetë shtylla mbajtëse. Gjermania duhet të lëvizë, por duhet t’a bëjnë edhe të tjerët. Duhet të bëjmë më shumë për sigurinë, jo vetëm ushtarakisht, por edhe me një politikë të jashtëme të përbashkët në Mesdhe, ku nuk mund t’i ngarkojmë më Shteteve të Bashkuara interesat tona. Më së fundi duhet të marrim seriozisht mbrojtjen e përbashkët, bashkëpunimin kundër terrorizmit duke u mbështetur mbi përvojën e e shumë antarëve. Italia, për shembull, që mund të besojë mbi pasurinë e luftës kundër mafies.”

Mbrojtja evropiane a do t’ishte alternative ndaj Nato-s?

“Diskutim akademik. Duhet të ruajmë të gjithë atë që kemi. Por, në të njëjtën kohë, të ndërtojmë opsione të tjera në mënyrë që, nëse të tjerë do të tërhiqeshin mbrapa, të mos mbetemi të pambrojtur. Nuk ka nevojë të quhet ushtri evropiane, por një bashkëpunim më i fuqishëm sa i përket armatimeve, forcave të veçanta, trasporteve, komunikacioneve, është i mundshëm dhe i nevojshëm. Nëse do të fuqizojmë shtyllën evropiane edhe Nato do të jetë përforcuar.

Mund të bëhet kjo nëpërmjet pararojave ?     

“Sigurisht, traktatet e Lisbonës  e lejojnë. Është e qartë që kemi nevojë për një fillim të ri. Secili duhet të bëjë pjesën e tij : Gjermania duhet të bëjë më shumë n’ekonomi, barazia e bilancit është një çuditëri, nuk i shërben askujt. Franca që ka status bërthamor, mund të bëjë më shumë në sigurinë. Italia, më së fundi, duhet të bëjë reformat e saj. Të gjithë ata që duan e munden duhet të mundohen të gjejnë një miratim të ri.”

Por, si thoni ju, gjithshka varet nga një përfundim zgjedhor i vetëm, ai francez. A nuk është një shenjë e brishtësisë së projektit evropian ?

            “Është ashtu. Evropa mund të shkojë përpara pa Britaninë e Madhe, shtoj, fatkeqësisht. Por nuk mund t’a bëjë  pa Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kombet karolinge. I gjithë projekti evropian lindi nga kapërcimi i armiqësisë franko – gjermane. Pikërisht për këtë Italia u zotua që në fillim në këtë proçes. Nëse bashkëpunimi ndërmjet Francës e Gjermanisë do të mbaronte, do të mbaronte edhe Evropa. Por roli i Italisë si faktor i tretë , është themelor.”

A do t’a ndjekë popullsia ?

            “Tashmë jemi brënda një thyerjeje historike. Politika duhet të ketë guximin t’i thotë popullsive se cilat janë pasojat e mundëshme. Njerëzia nuk është e marrë, flasim për përgjigjet nevojave të saj konkrete : siguri, mirëqënie, e ardhmja e fëmijëve. Nuk mund të mendojmë të ndahemi nga rendi liberal evropian pa paguar çmime tepër të larta në planin ekonomik e shoqëror. Sa më shumë që këto çështje të mëdha të vihen në qendër të politikave kombëtare, aq më pak do të futin frikën populistët, sepse nuk kanë asgjë për të ofruar. Loja është tmerrësisht e dëmëshme për të gjithë”.

Me shpejtësitë e ndryshme Gjermania kërkon një pararojë në shembëlltyrë të saj ?

            “Gjermania nuk don një Evropë gjermanike. Nuk ka kuptim : perspektiva e Berlinit është sinonim i Be. Nëse Evropa do të mbetet e dobët, siç është tani, nuk do të ketë t’ardhëme. E vërteta është se një mirëkuptim me 27 është gjithënjë e më i vështirë. Prandaj është qenësore që zemra, pra Eurogrupi, të jetë i qëndrueshëm e të fuqizohet. Me monedhën e përbashkët kemi bërë një hap vendimtar drejt integrimit : tani bëhet fjalë për të kryer kërcimin e mëtejshëm, atë të bashkëpërgjegjësisë së rreziqevet. Por kjo nuk është Evropa gjermanike.”

E quan ende Merkelin të domosdoshme për Evropën ?

“Po. Duhet të komunikojë në mënyrë të ndryshme, është e zonja”.

Ҫfarë marrëdhëniesh duhet të kemi me Rusinë ? Ju keni kritikuar hapjet kundrejt Putinit.

            “Të jetohet në kontinentin tonë do të thotë të bashkëjetohet me një fqinjë shumë kabà dhe këtë nuk mund t’a ndryshojmë. Sa më e fortë të jetë Evropa, aq më të kollajshme do të jenë marrëdhëniet me Rusinë. Putini mendon “përça e sundo”. E kuptoj por na takon neve t’i a ndalojmë. Do të gabojmë nëse do të mendojmë se duke u bërë të vegjël do të kemi marrëdhënie paqësore me Moskën. Ndërsa duhet të bëjmë që të merremi me seriozitet në Moskë ashtu si edhe në Washington. Mbi konfliktet konkrete : sanksionet u miratuan mbas pushtimit të Krimesë dhe krizës n’Ukrainë. Nëse Moska ndryshon qëndrim, nuk ka asnjë arsye për t’i mbajtur”.

Imigracioni sjell para Evropës një problem identiteti. Si do të përballohet ?

            “Jetojmë në një yllësi gjeopolitike shumë të vështirë : në Veri, ndryshimet klimatike shkrijnë kësulën arktike ; në Lindje Rusia dhe në Jugë – Lindje Turqia janë fqinjë shumë problematikë ; në Jugë mërgimtarët na venë përpara një sfidë që nuk do të largohet e të cilën duhet t’a pranojmë. Me një kontroll më të mirë të kufijvet, por edhe me integrimin, me diplomacinë për të zgjidhur krizat, me marrëveshjet dhe investimet në Vendet e origjinës, si në Afrikën e Veriut, si në Afrikë. Por un kam shqetësime serioze edhe për Ballkanin.”

Në çfarë kuptimi ?

            Mund të diskutojmë nëse Turqia i përket apo jo Evropës, por për Ballkanin përgjigja është afërmendsh. Deri sa premtimi që një ditë, secili që është ende jashtë, do futet në Be, do të mbetet i besueshëm, gjithshka do të mbetet paqësore. Por nëse një ditë nuk do të jetë më ashtu, do të gjendemi menjëherë para një situate shpërthyese, të dhunës e të luftës civile. (nënvizimi i përkthyesit) Mos të harrojmë se vala e parë e madhe e të  ikurve në Evropë nuk erdhi nga Lindja e Mesme, por nga Ballkani”.

 

“Corriere della Sera”, 11 shkurt 2017        Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Interviste Tagged With: “Kam shqetësime serioze, edhe për Ballkanin, JOSCHKA FISCHER

Një amerikan në Shqipëri në mbarim të Luftës së Parë Botërore

February 12, 2017 by dgreca

Nga Fotaq Andrea/France/1 Fotaq-Andrea

Quhet Whitney Warren, dhe është Dikush. Fjala është konkretisht për arkitektin e njohur amerikan dhe bashkëthemeluesin e firmës “Warren and Wetmore” e cila, vetëm në vitet 1910-1930, ndërmori projektimin dhe ndërtimin e mbi 50 godinave madhështore në Manhatan e në New York City.

Siç del më poshtë nga artikulli i tij “Shqipëria”, botuar më 23 nëntor 1918 në organin francez “la Rennaissance”, ai ka qenë për vizitë në vendin tonë, pikërisht në mbarim të Luftës së parë botërore, një vizitë jo thjesht njohëse në rrafsh kulturor a turistik, por një vizitë me shumë gjasa politike, nisur nga nacionalizmi dhe angazhimi i tij pro-italian, për të mbështetur kërkesat e Italisë në Adriatik gjatë dhe pas Luftës së Madhe.

Është fakt historik se në kuadër të rivalitetit të Fuqive të kohës për vënie nën kontroll të zonave gjeostrategjike, “Çështja e Adriatikut” dhe vetë “Çështja shqiptare” dolën në plan të parë në mbarim të Luftës, kur përpara forcave politike shqiptare shtrohej detyra e ngutshme për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe përcaktimin e statusit të ri juridik të shtetit shqiptar. Veçse, vetë këto forca, për shkak të rrethanave të ndërlikuara kombëtare e ndërkombëtare, po përballeshin me dy prirje politike në gjirin e tyre: njëra palë që mbështeste idenë se shqiptarët janë në gjendje të ngrenë e të drejtojnë vetë shtetin e pavarur shqiptar, pa ndërhyrje të huaj, apo ndryshe pa “protektorat” (S. Nivica e B. Pejani); dhe tjetra palë që kërkonte vendosjen, për një kohë të caktuar, të shtetit të pavarur shqiptar nën mbrojtjen e një Fuqie të huaj, si kusht i domosdoshëm për mëkëmbje dhe shmangie të çdo rreziku nga jashtë, sidomos nga fqinjët ballkanikë. Por edhe në këtë rast, për vënie të Shqipërisë nën mandatin e një Fuqie të jashtme, do shfaqeshin dy orientime: njëri fraksion i patriotëve shqiptarë që do t’i kërkonin Konferencës së Parisit mbrojtje amerikano-angleze dhe kundërshtim të protektoratit italian (M. Turtulli, G. Adhamidhi e M. Konica, mbështetur nga kolonitë shqiptare në Turqi, SHBA e Rumani); dhe tjetri fraksion me orientim proitalian (Turhan Pasha, L. Bumçi, M. Kruja, L. Gurakuqi, por edhe mjaft personalitete të tjera politike si S. Gjika, M. S. Gurra, M. Frashëri, M. Libohova, L.Nosi, etj.), që shihnin tek Italia një shtet perëndimor si fqinji më i afërt i Shqipërisë, me lidhje tradicionale, historike e kulturore, dhe me qytetërim të përparuar.

Këta patriotë, me sytë nga Italia, synonin thjesht dhe vetëm një mandat ndihme ndaj Shqipërisë, për “asistencë dashamirëse” dhe sidomos “ndihmë për një kohë të caktuar”, siç nënvizonte memorandumi i tyre i 14 prillit 1919 drejtuar Konferencës së Paqes. Ndonëse Italia nuk përmendej konkretisht me emër në këtë memorandum si një Fuqi protektore për Shqipërinë, kjo gjë lihej të kuptohej, ndërkohë që shprehej në të qartë se “ndihma duhej të ishte e tillë që të pajtohej me pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit shqiptar të bashkuar”. Një protektorat italian ndaj vendit tonë, i kufizuar në kohë, dhe me frymë europiane, shihej kështu si domosdoshmëri në kushtet jashtëzakonisht të vështira të shtetit të ri shqiptar që rrezikonte të copëtohej për të tretën herë, deri në zhdukje, pas Kongresit të Berlinit dhe Traktatit të Londrës.

Nga ana tjetër, kërkesa për një protektorat italian ndaj Shqipërisë vinte edhe për arsye se mjaft personalitete politike shqiptare besonin në miqësinë e lashtë midis dy vendeve, e sidomos tek  deklarata e Italisë e vitit 1917, që kishte shpallur “pavarësinë e gjithë Shqipërisë”, ndryshe nga Austro-Hungaria, e cila kishte premtuar vetëm autonominë e saj. Në të njëjtën kohë, duke u mbështetur tek parimi i “vetëvendosjes së popujve”, si një aspiratë e çmuar për një paqe të drejtë e të qëndrueshme, parim i përkrahur fuqimisht nga presidenti amerikan Wilson, që deklaroi publikisht se nuk njihte traktatet e fshehta në kurriz të popujve – sikurse ishte Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915 që zhdukte Shqipërinë nga harta e Ballkanit -, patriotët shqiptarë ishin të detyruar të pranonin (maj 1919) vendimin e Fuqive për vënie të Shqipërisë nën mandatin italian me argumentimin se “vendi nuk kishte arritur ende një pjekuri politike të duhur, për një jetë shtetërore plotësisht të pavarur”.

Në të vërtetë, iluzioni se Italia do të ishte aleatja e jashtme më e mundshme dhe më e afërt e kombit shqiptar, shpejt do të shuhej më 1920 me Luftën e Vlorës, kur Italia (me mendësinë kolonialiste të kohës) do të këmbëngulte edhe ushtarakisht për vënien dhe mbajtjen nën kontroll të Vlorës, Sarandës, Durrësit, etj. Ashtu siç pati bërë edhe më 1915 me pushtimin e krejt rajonit të Jugut të Shqipërisë në akset Vlorë-Përmet dhe Tepelenë-Gjirokastër-Sarandë. Ashtu siç do të bënte më në fund, edhe më 7 prill 1939, kur do të pushtonte Shqipërinë, pa hequr dorë nga qëllimet e saj aneksioniste ndaj Shqipërisë…

Por, le te kthemi në nëntor 1918, në prag të Konferencës së Parisit tek amerikani Whitney Warren, që realizon në këtë kohë vizitën e tij në Shqipëri. Në fakt, që në vitet e Luftës së parë botërore e shohim atë në Europë, si bashkëthemelues të Komitetit të Studentëve Amerikanë të Shkollës së Arteve të Bukura në Paris, duke mbrojtur kauzën franceze. Dhe shumë shpejt, i lidhur me miqësi të ngushtë me shkrimtarin e njohur italian Gabriele d’Annunzio, mbështet aktivisht edhe kërkesat e Italisë në Adriatik, duke u emëruar njëkohësisht përfaqësues diplomatik i Shteteve të Bashkuara në shtetin e lirë të Fiumes (Rjeka). Përkrahës i nacionalizmit politik italian, ashtu si d’Annunzio, që kishte hartuar më 1915 broshurën politike “Per la piu grande Italia”, edhe Warren e kërkonte Italinë fuqi europiane të dorës së parë që duhej të shfaqte “frymë të re protektore” dhe “partneritet”, por pa e lënë në hije parimin e “vetëvendosjes” së popujve. Duke ndjekur logjikën dhe frymën e kohës, në këtë shkrim, ai i njeh Italisë përkujdesjen për zhvillim të Shqipërisë dhe partneritet me të.

Njeri i besuar i Departamentit të Shtetit dhe posaçërisht i presidentit Wilson, ai ishte një figurë qendrore mes intelektualëve dhe politikanëve të shquar të Europës dhe Ballkanit, tek mbante lidhje të ngushta me ta, për ta paraqitur sa më objektivisht, realisht e në mënyrë konstruktive gjendjen në Ballkan gjatë dhe pas Luftës së parë, pikërisht në atë zonë të rrezikshme të kontinentit të vjetër të quajtur “Fuçi e barutit”. I vetëdijshëm për rolin e Shteteve të Bashkuara si faktor paqeje, stabiliteti e progresi në rajon, dhe përfaqësues i tyre në Fiume (shpallur “shtet-tampon i pavarur “), një qytet në Kroaci, banuar kryesisht nga italianë e kroatë dhe konsideruar në atë kohë si “molla e sherrit” midis Italisë nga njëra anë, dhe mbretërisë kroato-serbe, nga ana tjetër, në çështjen aq delikate të kontrollit të Adriatikut, e shohim kështu amerikanin Warren të lidhur me letërkëmbim të dendur me mori personalitetesh të botës, që nga presidenti Th. Roosvelt dhe mbreti Albert I i Belgjikës deri te duka i Albës, mbreti i Monakos, shkrimtari Marsel Proust, konti Barbarini, shkrimtari dhe politikani Maurice Barrès, kryeministri francez G. Clémanceau, e me radhë, por edhe me personalitete europiane që ndiqnin nga afër “Çështjen shqiptare”, si Justin Godart, d’Estournelle de Constant, Antonio Baldacci e Victor Bérard. Mbi të gjitha, Warren nuk e kursen penën e tij për të shkruar artikuj e ese që i botonte në organe të ndryshme të Europës, por edhe në formë broshure. Përmendim këtu artikujt e tij “Për Neutralët”,  “Roli i Amerikës në luftën ajrore”, “Po Adriatiku?”, “Për miqtë e Francës”, “Amerika dhe Anglia”, “Duke vështruar Italinë”, “Uniteti i Organizatës”, “Bashkimi i Aleatëve”, “Çështja e Adriatikut dhe Trente Trieste”, “Hapi i fundit”, “Përpjekja ushtarake dhe Italia gjatë luftës”, “Mali i Zi: Krimi i Konferencës së Paqes”, etj.

Përballë frymës së rivalitetit gjeostrategjik që orientonte veprimet e Fuqive të kohës gjatë dhe pas Luftës së partë botërore, e cila do të bënte mbi 20 milionë viktima dhe do të rrezikonte mbi të gjitha të zhdukte krejt Shqipërinë, përballë kompleksitetit të ngjarjeve politiko-ushtarake që e shndërruan Shqipërinë në shesh-beteje në vitet 1914-1918, shohim personalitete të rëndësishme të botës shqiptare e të huaj të mobilizohen fuqimisht për të mbrojtur pas Luftës integritetin e kombit shqiptar në kufijtë e tij etnikë, të veprojnë mbi të gjitha, me mprehtësi e shkathtësi, në fushën diplomatike, e cila do të dilte tashmë në plan të parë për rivendosjen e Paqes së përgjithshme. Në kërkim të një “partneri strategjik” për Shqipërinë, nuk mungon në këtë mes edhe veprimtaria e amerikanit Warren, i cili e nis shkrimin e tij “Shqipëria” me një aluzion ironik nga bota e operave komike të Offenbach, “Banditët” dhe  “Dukati i Gerolsteinit.

***

Shqipëria/

Nga Whitney Warren/Whitney_Warren

“Z. Whitney Warren, ka pasur rastin të vizitojë kohët e fundit Shqipërinë dhe ka vërtetuar në vend dëshirat që ushqejnë vetë shqiptarët në gjendjen e përgjithshme që e karakterizon. Në artikullin që na ka dërguar, tregon mënyrën se si e sheh ai çështjen të zgjidhur në çastin e vendosjen së paqes së përgjithshme”. (Ndërhyrje redaksionale e gazetës “La Rennaissance”, 23 nëntor 1918).

 Mes tërë problemeve që shtrohen për zgjidhje para Traktatit të paqes së përgjithshme, çështja e Shqipërisë është nga ato me të dhëna nga më pak të njohurat prej publikut francez. Shqipëria nuk është, siç duan ta përfytyrojnë, një vend operete ku [liberti] Meilhac të na ndërtoka aty skenën për “Bandidët”, apo një shtet i tipit “Girolstein”, i bërë vetëm për të qenë teatri i të papriturave qesharake të një princ Wied-i. Është një truall tepër i lashtë që ka luajtur një rol të madh në Histori dhe që është në pritje të një zhvillimi mjaft të rëndësishëm nëse fati i saj rregullohet në një mënyrë të tillë që t’i sigurojë Europës së riorganizuar disiplinim të forcave dhe shfrytëzim të burimeve që zotëron.

Mbase nuk është e kotë të vërehet se përcaktohen me emrin “Shqipëri” të katër ish vilajetet e Turqisë europiane, të njohura me emrin vilajeti i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës, emra këto që komunikatat nga Orienti i kanë bërë aq të njohura dhe që janë themelet e një njësie të vetme etnologjike, gjeografike e historike. Emërtimi “Albania” është për më tepër krejt konvencional. Termi i vërtetë që duhet të shërbejë për të përcaktuar këto rajone është ai që përdorin vetë banorët e tyre: “Shkipëria”, vendi i Shqipes. Ky emërtim ka dobinë se karakterizon shumë saktë krenarinë, fisnikërinë si dhe traditat luftarake e të guximshme të një popullsie malësorësh të palodhur që llogarisin ndër stërgjyshërit e tyre një mbushulli heronjsh, ndër të cilët më i famshmi është Skanderbegu.

Kombësia shqiptare është me origjinë të largët e misterioze; shkon siç thuhet gjer në epokën primitive të Pellazgëve dhe shqiptarët konsiderohen përgjithësisht si pasues të drejtpërdrejtë të Ilirëve, të cilët kolonizuan të parët brigjet lindore të Adriatikut. Shihet pra se është fjala për një racë tepër të lashtë dhe që mund të rivendikojë me shumë arsye të drejtën për të mos u ngatërruar me asnjë tjetër.

Madje mund të thuhet se vetëdija e një trungu të përbashkët etnik ka shuar mes shqiptarëve grindjet që lindin zakonisht nga larmia e besimeve. Në fakt, praktikojnë tri fe, katolike, ortodokse e myslimane, por në dallim nga popujt e tjerë ballkanikë për të cilët feja dhe kombësia krijojnë një gjë të vetme, ata nuk janë të përçarë nga ndonjë mosmarrëveshje besimi. Përkundrazi, ekziston edhe tradita për disa fise katolike të martojnë djemtë e tyre me vajza nga fise myslimane. Zakon që tregon se deri në çfarë shkalle të lartë familja shqiptare krijon një njësi të plotë të pandashme.

Banorët flasin një gjuhë më vete që nuk ka të bëjë as me sllavishten, as me greqishten, por është me origjinë ilire, mësimi i së cilës u ndalua rreptë dhe për një kohë të gjatë gjatë sundimit të Turqisë. Bashkësive myslimane dhe ortodokse u imponohej njohja e gjuhës turke apo greke. Nuk mund të mësohej shqipja veçse në shkollat e hapura nga shtetit italian dhe Austria në Skutari, Durazzo e Valona. Edhe pse u përpoqën për ta zhdukur gjuhën shqipe, ajo përsëri mbeti e pacenuar: një provë tjetër e lidhjes së atyre që flasin këtë gjuhë me traditat e atdheut të lashtë.

Tek paraqitëm shkurtimisht këto çështje, cili është fati i Shqipërisë nëpër histori? E pavarur, me gjithë përpjekjet e grekëve për të mos e lënë të tillë, e nënshtruar ndaj romakëve vetëm me anë të tradhtisë, bashkohet rreth heroit të saj kombëtar Skënderbeut në shekullin XV; ky kapedan i madh, që mbante titullin mbret i Epirit e i Maqedonisë mbretëroi në vitet 1443-1467 dhe gjatë tërë kësaj periudhe nuk pati qëllim tjetër veç të siguronte lirinë dhe madhështinë e atdheut të vet kërcënuar nga ambicia turke. Pas vdekjes së tij, lufta për pavarësi zgjati gjatë katër shekujve dhe asnjëherë qeveria osmane nuk arriti të vendosë autoritetin e vet në rajonet malore të vendit; vetëm qytetet iu nënshtruan forcës. Por do të ndodhte sidomos në vitet 1870 që shqiptarët të kërkonin fuqimisht autonominë e tyre. Më 1878,  kur Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi dy kantone shqiptare, disa territore Serbisë e të tjera Greqisë, revolta shpërtheu kudo dhe u shtyp veç me gjak. “Lidhja Shqiptare”, e themeluar me qëllim që të shpallte e të realizonte kërkesat e saj autoktone, i dyfishoi përpjekjet më 1897 dhe 1903. Më 1908, propaganda e saj dha rezultate të mëdha mes fiseve shqiptare. Programi për pavarësi mori fillimisht një formë krejt parlamentare dhe deputeti shqiptar Ismail Kemal Bej themeloi një parti të re, “Bashkimi Liberal”, si kundërvënie ndaj Komitetit “Bashkim e Përparim”. Me ardhjen në fuqi të xhonturqve, shkëputja u bë përfundimtare midis Portës dhe Shqipërisë. Që prej kësaj kohe, lufta për pavarësi nuk rreshti një ditë; vijojnë kryengritje pas kryengritjesh të Fiseve: më 1911, revolta arrin pikën e saj kulmore, dhe më 1912, në mesin e Luftës ballkanike, Ismail Kemal Bej, themelues i “Bashkimit Liberal”, shpall në Valona pavarësinë e vendit të tij dhe krijoi një qeveri të përkohshme. Arrijmë këtu në ngjarje që ende janë të freskëta në kujtesë: më 1913, Mbledhja e Ambasadorëve në Londër pranoi që Shqipëria të bëhet një shtet i pavarur; do pasojnë kështu mbretërimi i shkurtër i princ Wied, pështjellimet, mosmarrëveshjet e nxitura nga Austria, kryengritjet e reja dhe më në fund, largimi i nxituar i princit. Pasandaj erdhi Lufta…

Nga këto fakte, të paraqitura në mënyrë të thatë, qëllimisht, për t’i bërë të mundur publikut të shohë përmbledhtas tiparet themelore të historisë dhe të karakterit shqiptar, del se ka ardhur çasti për Shqipërinë të fitojë një status qëndrueshmërie, për t’i garantuar një autonomi që asnjëherë nuk ka reshtur së kërkuari ndër shekuj, gjatë luftërash të panumërta, si dhe t’i sigurojë një mbrojtje që e ka të nevojshme për një jetë në paqe, një jetë frytdhënëse e të rregullt. Thuhet: “Përvoja e princ Wied-it vërteton se Shqipëria gjithmonë është e pakënaqur”. Nuk ka gjë më të pavërtetë e njëkohësisht më të vërtetë. Që këtej del se ndihma e një Fuqie të madhe është e nevojshme për këtë popull të organizuar keq, jeta politike e të cilit kurrë nuk ka pasur një kuadër të kënaqshëm, por aspak të prirë për një skllavëri të re. Mjaft të shohim shtetet e tjera ballkanike. Greqia fillimisht u mbështet, gjatë kohës së Otonit, nga një organizëm bavarez, pastaj, më vonë, nga një organizëm francez. Bullgaria u ndihmua nga Rusia, si dhe Mali i Zi. Në këtë mënyrë, edhe Shqipëria duhet të gjejë, në vitet e para të hovit të saj të ri, një mbështetje nga jashtë. Ku ta gjejë këtë mbështetje që as Turqia, as Austria kurrë nuk kanë qenë as të denjë, as të aftë për t’ia dhënë, ku tjetër përveçse tek Italia?

Të mos harrojmë se mbi bregdetin italian të Adriatikut, ekziston tashmë një koloni prej 200.000 shqiptarësh që janë vendosur atje për t’iu larguar zgjedhës turke; të mos harrojmë po ashtu se vetëm Italia ka një kuptim të saktë të gjendjes shqiptare. Programi i saj është: “Shqipëria shqiptarëve”. Ajo nuk kërkon tjetër veçse të mbështesë kauzën e tyre. Kush mund të thotë të njëjtën gjë ndër shtetet që kanë synuar dhe synojnë ende të vënë dorë mbi atë tokë pjellore?

Përpjekja e bërë nga aleatët tanë gjatë luftës së sotme (mund të shkruajmë tani: “gjatë luftës së fundit”), për të përmirësuar fatin e Shqipërisë dhe për të dëbuar që andej armikun e përbashkët ka qenë e madhe: bëri më në fund të mundur depërtimin e qytetërimit latin në rajone të egra dhe krijoi lidhje mirënjohjeje shumë të forta midis shqiptarëve e italianëve. Për të përmendur vetëm dy shembuj, le të kujtojmë veprën e mësuesve italianë që i vunë vetes si detyrë të përkujdesen krahë për krahë si ndaj fëmijëve katolikë, ashtu dhe ndaj fëmijëve ortodoksë e myslimanë në territoret e pushtuara dhe që arritën rezultate nga më të mirat; le të kujtojmë gjithashtu se që prej vitit 1915, ushtarët italianë çelën mbi 1.000 km rrugë, shtruan një rrjet të plotë linjash telegrafike, telefonike dhe radio-telegrafike, ndërtuan ujësjellës, kanale vaditjeje, ura, linja elektrike, etj…  Atje, si kudo, trupat e xhenios italiane përfunduan kryevepra, konkretisht ndërtimin e rrugës Vlorë-Sarandë, e quajtur ndryshe edhe rruga e Himarës, duke çarë shkëmbinj e pyje mijëvjeçare dhe duke zigzaguar guximshëm në rajone dikur të virgjëra. U deshën jo më shumë se 20 muaj për të përfunduar këtë rrugë të përkryer automobilistike, e gjatë 130 km. Ndërmarrje të tilla janë vetëm fillimi i një pune qytetëruese, që të njëjtat duar  duhet ta vazhdojnë.

Pozita e Shqipërisë në Adriatik – fqinjësia e saj me vende ku ndikimi latin është ndjerë prej kohësh, ku ndikimi italian, në vazhdë të tij, nuk ka reshtur kurrë së ushtruari një veprimtari bamirësie, qoftë edhe gjatë sundimit austriak – domosdoshmëria para së cilës gjendet Shqipëria për t’u mbështetur mbi një armaturë qytetëruese  – vetë dëshira e banorëve të saj, gjithçka përputhet për t’ia besuar Italisë drejtimin e një Shqipërie autonome. Siç shkruan gazeta “Kuvendi”, organ i interesave shqiptare: “Drejtuesi i sotëm, mbrojtësi i nesërm mban një emër që askush nuk mund ta shqiptojë pa u përkulur me respekt. Ky emër është “Roma“”.

Një politikë me synimin për t’i kënaqur të gjithë, ku të ushtronin ndikimin e tyre shumë Fuqi njëkohësisht do të binte ndesh me interesat parësore të kësaj treve dhe do të krijonte një gjendje të paqëndrueshme, të padrejtë, plot rreziqe, të papajtueshme me sigurinë për të cilën Europa ka nevojë.

Whitney-Warren

Qytetar Amerikan,

Anëtar i Insittutit.

Filed Under: Politike Tagged With: Fotaq Andrea, ne Shqiperi, nje amerikan, Whitney Warren

GAZETA RILINDJA NË 72 VJETOR, 15 VJET DËBIM E MBYLLJE – DEKLARATË PROTESTE

February 12, 2017 by dgreca

Speciale-Gazeta DIELLI në SHBA në përkrahje të Gazetës RILINDJA në Kosovë/

Gazeta-Rilindja-31dhjetor2004-foto-Behlul-Jashari-1-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana/Rilindja-pllakati- 60-vjetorNë një vend normal, të lirë e demokratik, të sundimit të ligjit e të drejtësisë, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në këtë 12 shkurt 2017 do të festonte 72 vjetorin.

Rilindja-12-shkurt-2002-foto-Gazeta-Dielli-Behlul-Jashari-1Por, në këtë Kosovë, në këtë muaj mbushen plot 15 vjet nga 21 shkurti 2002, ditës së dëbimit prej shtëpisë së saj, të kundërligjshëm dhe të dhunëshëm, nga administrata e UNMIK dhe detyrimisht mbylljes së gazetës historike Rilindja, e cila kërkoi të drejtën e saj edhe me padi në gjykatë e edhe duke nxjerrë rreth 40 numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes të uzurpuar, “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifillloi në 7 nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën  Rilindja edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, me punën e gazetarëve e punonjësve tjerë të saj nëpër shtëpa si në kohën e luftës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e kohëpaskohëshme në 30 dhjetor 2008, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.

Zgjidhja për Rilindjen, që ka statusin e ndërmarrjes shoqërore, pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 shkurt 2014.

“Kompensimi i punëtorëve në procesin e likuidimit të Ndërmarrjes Shoqërore Gazetare Rilindja, për dëbimin kolektiv nga puna dhe dëmet”, është kërkesa tjetër drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në  shkresën e  21 shkurt 2014.

Një e drejtë tjetër e garantuar me ligj për punëtorët e gazetës Rilindja, por që ende nuk u realizua, është pagesa e 20 përqindëshit të vlerës së çdo prone, përfshirë Arkivin e Rilindjes, pasuri e madhe e gazetës tradicionale dhe kombëtare, për dërgimin e të cilit në Arkivin e Kosovës kemi nënshkruar marrëveshjen në 29 janar 2007 bashkë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit – tash Privatizimit, duke pasur për këtë edhe vendimin me shkrim të Kryeministrit të Kosovës.

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

Behlul Jashari/

Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)

Prishtinë, 12 Shkurt 2017

***
PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA PER RILINDJEN-“BUJKUN”:0-2

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, vlerësonte Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, në funddhjetorin 2002, në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që i bëri kryeredaktorit të gazetës Rilindja, Behlul Jashari,  që ishte edhe kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së rezistencës “Bujku”, tash edhe korrespondent në Prishtinë i Gazetës Dielli, me ç’rast  i dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002, pak ditë pasi kishte festuar 57 vjetorin në 12 shkurt.

AMBASADORI I SHBA NË GAZETËN RILINDJA NË 12 SHKURT 2002: “SUNDIMI I LIGJIT” APO “SUNDIMI I BANDAVE”? KOSOVA DUHET TË VENDOSË

“‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”. Me këtë titull, Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë, shkruante ekskluzivisht për gazetën tradicionale të Kosovës në numrin e 12 shkurtit 2002, botuar në ballinë, ku fillimisht theksonte: “Sot shënohet 57-vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”.

Shkrimi i plotë:Rilindja-12-shkurt-2002-foto-Gazeta-Dielli-Behlul-Jashari-1

“Sundimi i Ligjit” apo “Sundimi i Bandave”? Kosova Duhet të Vendosë

Nga Ambasadori Xhon Menzis/

Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë/

Sot shënohet 57-vjetori i gazetës ditore “Rilindja”, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë. Kur filloi botimin në vitin 1945, Lufta e Dytë Botërore zhvillohej fuqishëm ende, bombat atomike ende nuk ishin hedhur, dhe Jugosllavia e Dytë ishte në formim e sipër. Shkurt, bota në të cilën u lind “Rilindja” ishte rrënjësisht e ndryshme nga bota në të cilën ajo jeton sot. Në këtë pjesë të botës, ndryshimet ndodhin shpejt dhe shpesh, dhe kurrë nuk dihet se kur do të jenë këto ndryshime për të mirë apo për të keq.Si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që  e ka “Rilindja” në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë. Me këtë rast të veçantë dëshiroj të flas lidhur me këtë rol të cilin duhet ta kenë mediumet në shoqëri.

Kosova e sotme është shumë më ndryshe se Kosova kohës kur u lind “Rilindja”. Kosova e sotme është shumë më e lirë, shumë më demokratike, thellë e futur në rrugën e formimit të institucioneve demokratike të vetëqeverisjes. Por poashtu, Kosova e sotme është një vend i ndarë keqësisht mes dy opcioneve – dhe mbetet të shihet se nëpër cilën rrugë do të shkojë ajo.Çështja është se a do të gëzojë Kosova sundimin e ligjit apo do të bie nën sundimin e bandave.Të premten e kaluar, bandat e demonstrantëve të padisiplinuar, me sa duket nën drejtimin e elementeve kriminale të vendosura që të shkatërrojnë sundimin e ligjit, janë turrur me tërbim nëpër rrugët e Prishtinës duke thyer dritaret, duke sulmuar policët ndërkombëtarë dhe ata kosovarë, dhe duke sulmuar kosovarët e tjerë të cilët nuk pajtoheshin me mendimet e tyre arrogante lidhur me kauzën e tyre të “drejtë”. Në vend se të mbronin tre të burgosurit, ish-anëtarët e UÇK-së, me anë të argumenteve, fakteve dhe me anë të mjeteve ligjore, ata do të përdornin vetëm forcën dhe taktikën e rrugës sepse me sa duket e dijnë se drejtësia nuk është në anën e tyre. Këta demonstrues zgjodhën grushtin, gurin dhe shufrën metalike për të argumentuar, e jo arsyen, debatin dhe institucionet e gjyqit.

Sidoqoftë, gjëja më e tmerrshme është se në rrahjen e shkaktuar nga demonstruesit u sulmuan dhe u lënduan dy policë amerikanë dhe pesë policë të tjerë ndërkombëtarë. Si mundi të ndodhë kjo? A harruan përnjëherë këta kosovarë gjithë atë që bashkësia ndërkombëtare – e veçanërisht amerikanët – ka bërë për ta që nga marsi i vitit 1999? A kanë harruar këta vagabondë të paktë, këta kriminelë, se amerikanët ishin të PARËT që erdhën në Kosovë në vitin 1996, dhe se përkushtimi i ynë ndaj paqës, drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë është i thellë dhe afatgjatë? Ky numër i vogël i kosovarëve – të cilët është e qartë se nuk i shprehin pikëpamjet e shumicës dërrmuese të popullit të Kosovës – a i kanë harruar ata pamjet dhe zhurmat e forcave ushtarake amerikane dhe të NATO-s duke e çliruar Kosovën nga shtypja? A kanë harruar ata se çfarë domethënie kishte këtu pamja e flamurit amerikan në vitet 1996, 1999, dhe përsëri tani gjersa ai valon mbi kulmet e shtëpive, në dritaret e dyqaneve të panumërta, madje edhe në veturat dhe veshjet e kosovarëve paqedashës dhe zbatues të ligjit? Kur këta banditë ngritën dorë të godasin një bashkëqytetar timin me gur, a nuk e panë ata flamurin në mëngën e tij dhe a nuk menduan ata se nuk po e sulmojnë vetëm një polic por vetë Shtetet e Bashkuara dhe gjithë njerëzit liridashës ? A kanë harruar ata se sa siguruese është për shumë kosovarë fakti se e shohin atë flamur në mëngët e qindra policëve dhe policeve që punojnë në Kosovë? Mua me duket se po, ata kanë harruar.Tre të arrestuarit do të ballafaqohen në gjyq me akuzat, me ç’rast procesi gjyqësor do të përcaktojë fajësinë apo pafajësinë e tyre. Çdo kosovar duhet të jetë i lumtur që njerëzit e akuzuar në këtë mënyrë nuk do të merren më në “biseda informative” dhe se ata nuk do të torturohen, por do të kenë mbrojtje juridike, proces të rregullt, dhe përfaqësim të drejtë dhe kompetent në gjykata. Nëse kanë faj, ata duhet të dënohen, ashtu si do të dëshironte çdo njeri i denjë. Prap, nëse janë të pafajshëm, atëherë gjyqi do ta vendosë këtë dhe ata duhet të lirohen – ashtu siç dëshiroj unë dhe çdo njeri tjetër që beson në sundimin e ligjit.Çka ka të bëjë e gjithë kjo me ditëlindjen e 57-të të “Rilindjes”? Shumë. Në një shoqëri që zhvillohet dhe transformohet në një shoqëri demokratike dhe shoqëri civile me sundim të ligjit dhe me institucione të vërteta të vetëqeverisjes, mediumet janë një ndër shtyllat mbështetëse të asaj shoqërie. Mediumet duhet të qëndrojnë gjithnjë si “roje” mbi institucionet e qeverisë, të veprojnë për interesa të popullit dhe të mbrojnë të drejtën e tyre për të ditur se çka ndodh në qeveri, se si punojnë udhëheqësit e tyre të zgjedhur, se çfarë vendimesh marrin ata në emër të popullit, dhe që të parashtrojnë vizionin lidhur me atë se ku shoqëria dëshiron të shkojë, dhe ta mbajnë atë vizion ashtu që të gjithë të mund ta shohin dhe ta diskutojnë.

Kur bandat dëshirojnë të kontrollojnë debatin, kur ato dëshirojnë të përdorin rrugaçërinë dhe dhunën për të shprehur vullnetin e tyre, kur ato dëshirojnë të mbysin zërin e kundërshtarëve dhe të frikësojnë të tjerët kur argumentet e tyre nuk qëndrojnë, atëherë mediumet duhet të jenë të parat që do t’i dënojnë dhe kritikojnë këto banda dhe kështu të mbrojnë sundimin e ligjit dhe ata të cilët e mbështesin sundimin e ligjit. Javën e kaluar e pamë sulmin e huliganëve kosovarë mbi forcën e re dhe trime policore të Kosovës. Ne kemi parë arrestimin e anëtarëve të TMK-së lidhur me veprat për të cilat është e qartë se nuk e kanë përkrahjen e TMK-së dhe të organizatës si tërësi, vepra këto të cilat shkojnë kundër po atyre vlerave mbi të cilat është ndërtuar TMK-ja. Në kohëra të tilla mediumet – TË GJITHA mediumet – duhet të marrin qëndrim dhe të apelojnë në të gjithë kosovarët që të dënojnë dhunën dhe të mbështesin sundimin e ligjit dhe të punojnë nga e para për të arritur krijimin e shoqërisë civile, gjë të cilën edhe ne edhe ju e dëshirojmë për Kosovën. Kjo vlen qoftë kur është fjala për trazira dhe sulme mbi policinë dhe njerëzit e pafajshëm, për frikësimin dhe madje vrasjen e figurave politike (madje edhe vrasjen e disa ish-komandantëve të UÇK-së) ose pjesëtarëve të grupeve tjera etnike, apo kur kjo ka të bëjë me çfarëdo forme tjetër të dhunës së përdorur si mjet i të shprehurit politik.Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës “Rilindja”, e uroj Z.Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave.

***

Nga arkivi – gazeta Rilindja: Shkrim ekskluziv para 15 viteve nga Ambasadori Xhon Menzis Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë,  në numrin-botimin festiv të 12 Shkurtit 2002 të 57 vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës,  Rilindja.

Në 12 Shkurt 2017 – ditën e 71 vjetorit të Gazetës Rilindja, foto e korrespondentit në Kosovë të Gazetës Dielli – Behlul Jashari: Ballina e gazetës Rilindja me shkrimin e Ambasadorit Amerikan, Menzis.

Filed Under: Opinion Tagged With: 15 vjet, Behlul Jashari, DËBIM E MBYLLJE, GAZETA RILINDJA NË 72 VJETOR

Rohrabacher “ndanë” Maqedoninë mes Kosovës dhe Bullgarisë

February 11, 2017 by dgreca

Rohrabacher nxit reagime me deklaratën “Maqedonia nuk është shtet”/1 robaherKongresisti amerikan, Dave Trott, bashkudhëheqës i Komitetit të Kongresit për Maqedoninë dhe Maqedono-Amerikanët, tha se Maqedonia është aleat i rëndësishëm i SHBA-së dhe nënvizoi mbështetjen për sovranitetin e saj.

“Maqedonia ka qenë partner i rëndësishëm në avancimin e përpjekjeve të SHBA-së për siguri kombëtare në gjthë botën. Për më tepër, diaspora e Maqedonisë në SHBA ka qenë pjesë e rëndësishme e komunitetit tonë dhe i ka kontribuar diversitetit dhe avancimit të të gjithë kombit tonë”, tha Trott.

Komentet vijnë pasi ligjvënësi republikan, Dana Rohrabacher, ka thënë se Maqedonia “nuk është shtet” dhe se ajo duhet të ndahet midis Bullgarisë dhe Kosovës.

“Kosovarët dhe shqiptarët nga Maqedonia duhet të jenë pjesë e Kosovës dhe pjesa tjetër e Maqedonisë duhet të jetë pjesë e Bullgarisë ose e ndonjë vendi tjetër, me të cilin beson se është e lidhur”, ka thënë për kanalin televiziv Vizion Plus Rohrabacher, kryetar i Nënkomitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Evropën dhe Euroazinë.

Rohrabacher, mbështetës i fuqishëm i Rusisë, ka thënë se krijimi i Maqedonisë në vitet 1990, gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, ka qenë gabim, sepse “vendi është i ndarë në kampe etnike, që nuk mund të jetojnë bashkë në paqe”.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë i hodhi poshtë këto komente, duke thënë se “ato krijojnë ankth të madh” dhe “ndezin retorikën nacionaliste” në rajon.(RFL)

Filed Under: Komente Tagged With: Bullgari, Kosove, ndane Maqedonine, Rohrabacher

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2199
  • 2200
  • 2201
  • 2202
  • 2203
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT