• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Një jetë…disa Histori “-DR.ANNA KOHEN

January 24, 2021 by dgreca

Marjana Bulku:Doktoreshë Anna  kohen , jeta juaj ka kaluar përmes Shqipërisë, çfarë ka mbetur e paharruar  në kujtesën tuaj nga ai vend ?
Ana Kohen :Unë kam lindur edhe jam rritur në Shqipëri .Kujtimet  më  të bukura janë ato të fëmijërisë, jeta jone si jehudi  në Vlore, shoqet dhe shokët e shkollës së mesme. Por vetëm  kur u largova nga ai vend kuptova se zemrën time unë e lashë në Shqipëri.Si pa kuptuar ai vend kuptova se kishte  qenë dashuria ime e parë e cila nuk harrohet   dot kurrë edhe sot e kësaj dite.
Marjana Bulku :Gjuha shqipe mbeti kaq e gjallë dhe e pastër  tek ju? Si ia dolët të mos e harroni atë as në Amerikë?
Në fakt gjuhën shqipe e kisha harruar sepse gjithmonë flisnim greqisht në familje dhe siç dihet familja është baza e çdo lloj zhvillimi dhe kultivimi gjuhësorKur u ktheva në Shqipëri pas shumë vitesh , pata rastin të jepja leksione në degën  e stomatologjisë  të Universitetit të Tiranes . Aty e ndjeva të nevojshme  që të kisha ndihmën e një përkthyesi nga greqishtja.Në vitin 1990-të  pas  shumë përpjekjesh arrita të sjell në Amerikë gjithë familjen time prej 37 vetash të cilët jetonin ende në Shqipëri . Duke komunikuar me ta  fillova  ta  ripërdor edhe ta përmirësoj  dukshëm   përdorimin  e gjuhës shqipe .Më vonë  , pasi u zgjodha   kryetare e AAWO Motrat qiriazi, fillova ta përdor  më lirshëm gjuhën shqipe kuptohet nga takimet e shumta me shqiptarët .
Marjana Bulku :Ju i doni shqiptarët , e keni vërtetuar këtë me vepra , pse i do  shqiptarët kaq shumë Ana Kohen?!
Ana Kohen :Prindërit  e mi  kishin ardhur nga Janina e Greqisë në Vlorë  . Gjate luftës  ata u strehuan  në Fshatin Trevllazer ku arritën  që të mos zbulohen dhe arrestohen  nga nazistët gjermanë.Këtë fat nuk e pati familja e mamasë  time e cila jetonte në Janinë të Greqisë , ata për fat të keq u shfarosën në Kampet e Përqëndrimit.Kjo e ka dhe shpjegimin e pyetjes tuaj brenda , prandaj unë nuk kam se si të mos i dua shqiptarët në sajë të të cilëve ne ekzistojmë .
Marjana Bulku :Doktoreshë, humanistë , aktiviste në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan çfarë tjetër do ta bëjë të paharruar për ne shqoptarët Ana Kohenin? 
Ana Kohen: Unë i dua njerëzit prandaj dhe trajtoj të gjithë njerezit me respek dhe dashuri , kjo është shkak pse unë jam mjeke në profesion ose ndoshta edhe pasojë e profesionit .
Marjana Bulku:Motrat Qiriazi , Nju Jorku, Florida , projekte të shumta me në qendër familjen, gruan ,fëmijën, çfarë e ushqen kaq fort humanizmin tuaj; profesioni , apo shpirti juaj tërësisht human?
Ana Kohen:Nuk ka qene e lehtë  per mua që të drejtoj organizaten “Motrat Qiriazi “ për më shumë se  25 -vjet . Vetë  historia e familjes time më ka mësuar që ta vlerësoj humanizmin edhe gjithmonë të përpiqemi  të ndihmojmë njerëzit  në nevoje .Që kur isha e vogël  gjithmonë i kam ndihmuar shokët  dhe shoqet   e shkollës  . Mbaj mend një herë kur duke dashur ta ndihmoj me çdo kusht një shok të klasës  i tregova në provimin e frengjishtes. Si pasojë  mësuesi më nxorrri jashtë  nga klasa .Ky konsiderohej një turp për një studente të shkëlqyer .Dëshira për t’ju shërbyer  njerëzve Ishte një nga arsyet kryesore në zgjedhjen e profesionit tim.
Edhe unë kam kaluar  një periudhë  të vështirë në vitet e para të emigracionit. Kêshtu  i kuptoja vështirësitë që kalonin shqiptaret pasi kisha kaluar edhe vetë nëpër to.Nuk mohoj që edhe familja ime ishte një shembull për mua , historitë e saj natyrshëm na kishin imponuar modelin e vet.
Marjana Bulku:Modeli juaj njerëzor, profesional dhe estetik  ka frymëzuar kaq shumë miqtë sidomos ato që ju njohin nga afër , çfarë mesazhi ke për ata që pak ju njohin dhe duan të ndjekun udhën tuaj altruiste?
Sa herë  të keni mundësi  ndani njohuritë  tuaja me të tjerët!Dhuroni sipas mundësisë tek organizatat që ndihmojmë  komunitetin tuaj por edhe njerëz të tjerë në nevojë .Gjithmonë përpiquni të ndihmoni njëri-tjetrin edhe jo të armiqsoheni . Trajtoje me dashuri jo vetëm mikun por edhe armikun. Tregoju që ti ke një zemër më të madhe se ata që nuk të duan, apo të kanë zili.  Vitet kalojnë  shpejt e kur të plakesh dhe ta pyesesh vehten: Çfarë kam bërë  unë në jeten time…(?!) do të ndjehesh mirë kur din se i ke dashur edhe i ke ndihmuar gjithë njerëzit , përndryshe  do ndjehesh shumë keq. Por do jetë  vonë.
Marjana Bulku : Si ndjehet Ana Kohen gjyshe , na përshkruaj një ditë nga jeta juaj brenda asaj që konsiderohet e paprekshmja Mbretëri ; Familja ? 
Unë jam bërë gjyshe në moshë të re nga fëmijët e burrit .Fëmijët tanë na kanë  dhuruar dy nipa dhe një mbesë  Vajza jeton në Florida shumë afër nesh  duke na dhënë kënaqësi  që ta kemi gjithmonë pranë mbesën e ta shijojmë rritjen e saj. Alana më kujton veten  time kur isha femijë  dhe rrija gjithë ditën  pas gjyshes time e ajo kujdesej  për mua me aq shumë ashuri . Ajo përpiqet të më imitojë   dhe e quan veten  Mini NonaGjyshi shkon  në ballkon  edhe pi cigare Ajo e din që unë shqetësohem më shikon  dhe  më pyet: -“Where is Papu? Let me go and check on him.
Oh, Papu you are smoking. Please stop , is not good for you.
Than she comes back inside and tell me. Nona, Papu is smoking and he does not listen to me. 
I will become a dr like  nona, but Papu are you going to be alive when I finish school?”
Kur unë sëmuren ndonjëherë , ajo shqetesohet edhe me një pamje serioze më pyet:Nona, when are you going to die? Well I don’t know, only god knows.Oh, but after that the only thing left is for you to go to heaven correct?Yes.Ne të dyja kuptohemi me sy , ajo din të dallojë kur diçka nuk shkon ,marrdhënia ime me Alanën plotëson kohën kur unë rrisja time bijë, midis karrierës profesionale dhe angazhimeve ne humbasim kohën më të artë të jetës atë të rritjes së fëmijëve.Megjithatë unë dua të pohoj që kam punuar shumë për të qenë mama, bashkëshorte , grua në karrierë në të njejtën kohë dhe gjithmonë pyes veten :-A ia kam dalë ?!

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Anna Kohen, Marjana Bulku

Vajzë reaksionari, moter tradhetari dhe grua komunisti

January 24, 2021 by dgreca

nga” Bota me nje sy”(2019) – (Episodi Rrefimi i nenes)/

Nga Albana M. Lifschin/

Lajmi që im vella u vra si tradhëtar më ra në kokë si bombë. Isha e rrethuar nga komunistë e nuk guxoja të pyesja askënd për më gjatë. Qaja çdo kohë, sa herë mbetesha vetëm. Lotët e mia ishin bërë një liqen me rrathë e sikur do të më përpinin në fund të tij. Im shoq më ndiqte me sy në çdo lëvizje. M’u duk vetja jetime. Ndjeja nevojën e një vetëpërmbajtje e fortë dhe e vendosur për të qëndruar mbi ujë. S’më ndahej nga mendja endëra që kisha parë ato ditë. Sikur më qe këputur krahu i djathtë e unë përpiqesha ta ngjisja me pe.

-Lëre , o Marie , sikur më tha dikush- nuk ngjitet krahu me pe.

Im vella që krahu im i djathtë që e humba përgjithmonë.

* * *

Ditët kalonin njëra më e zezë se tjetra. Midis meje dhe bashkëshortit qe hapur një hon i madh në mes.

Ai përpiqej të hante heshtjen me dhëmbë, por të vetëpërmbajturit ishte shumë i vështirë për të. Kur dallga e mërzisë dhe helmit u bë mal, ai u zbraz:

-Ma nxive jetën, ma nxive! E ke të gjithë rrethin familjar të përlyer me armikun!

Unë nuk flisja. Ndryshe nga ai, njerëzit e tij ishin bërë si mure mbrojtëse për mua.

Ata më donin dhe kjo më mbante gjallë. Asnjëherë nuk ma zinin në gojë familjen vetëm që të mos më lëndonin. Një ditë i vëllai, Hamiti, i tha:

-Ti nuk e meriton Marien! Ajo është fisnike dhe shumë po të duron. Lëre rehat, se e ke tepëruar!

Ai e pa të vëllanë me inat dhe iu kthye:

-Punët e mia i di vetë!

-Pa më thuaj një çikë, ç’të ka bërë?

-Asgjë! Por është reaksionare! Çfarë tjetër, duhet të më bëjë?

Unë mësova të hesht. Më qe coptuar zëmra.

* * *

Ai i ndiqte me vëmendje ngjarjet dhe ndihej i pasigurtë. Martesa me mua i kishte lëkundur pozitën në Parti dhe në shoqëri. Filloi të ankohej se ishte i sëmurë, por unë e kuptoja që nuk ishte ajo arsyeja. Ai vinte i lodhur dhe i mërzitur nuk hapej në bisedë dhe unë nuk e pyesja se ç’kishte, por nga sa dëgjoja nga të afërmit e tij, atë vazhdonin ta kritikonin se përse kishte marrë për grua një vajzë nga një derë e reaksionarëve më të mëdhenj të vendit. Këto kritika nuk ia ndanin në parti dhe në shoqëri, madje kishte edhe disa nga ata të fisit të tij. Në organizatën e partisë i bënin presion se do ta përjashtonin nga Partia. Ai filloi të lëkundej.

I pata thënë që në fillim, që ne nuk përputheshim në asnjë drejtim. Por nuk më dëgjoi.

Më pisk se aq, e kisha unë jetën. Me përjashtim të nënës sime dhe vëllezërve, i gjithë trungu familjar me farë e me fis , më kishin marrë inat. Isha e braktisur nga të gjithë. Së pari, sepse kisha vajtur në hekurudhë, dhe së dyti sepse u martova me një komunist dhe mysliman. Por sa e sa vajza kishin vepruar si unë, në të katër anët e Shqipërisë. “Por jo, thoshte opinjoni injorant,-ato për ne janë të përdala”. Si e si të njollosnin vajzat e pafajshme. Këto epitete silleshin vërdallë nëpër Mirditë.

Triskat e bukës

Krizën e bukës, mos e provofshi kurrë!

Im shoq kishte një çantë dore që ia mbaja mënd që kur punonte në komitetin e rinisë në Mirditë. Në këtë çantë me shumë xhepa mbante dokumentat e ditës dhe triskat e bukës

që u jepeshin familjeve të qytetit për dy, katër deri 6 muaj. Ato duhet të ruheshin me shumë kujdes se shteti nuk jepte dublikatë, pra mbeteshe pa bukë. Muka duke e marrë poshtë e lart çantën diku kishte lënë triskat. Kur erdhi në fshat për të më marrë mua se isha në prag të lindjes të fëmijës, më thotë:

-Ku i ke lënë triskat e bukës? 

Unë hapa sytë.

-Ato i mban ti, -i thashë.

-Kam kaq ditë që i kërkoj.

-Mendohu, se ku i ke vënë.

Ai m’u kthye dhe në prezencën e së ëmës më tha:

-Ato triska do t’i gjesh ti! Gjallë a vdekur, nëqoftëse nuk i ke zhdukur me qëllim!

-Çfarë thua, more! Iu ktheva unë,- janë buka jonë, ato janë të përbashkëta. Pa ato s’jetojmë dot asnjë ditë.

-Ti je reaksionare! Ato triska vetëm ti e di se ç’ke bërë me to. Si reaksionare që je, kaq ke në dorë të bësh kundra një komunisti!

Ishte mbushur kaq keq sa kishte humbur arsyen. Kishte filluar ashpërsisht lufta e klasave në familjen tonë. Unë me barkun tek goja, përpiqesha të mbaja veten. Isha tmerrësisht e dëshpëruar.

-Kjo që thua ti, nuk ka llogjikë, që të vdes veten për bukë. Ndërsa që jam bijë e reaksionarit, duke jetuar dy vjet me ty, dashje pa dashje jam bërë komuniste!

* * *

Horizonti për mua kish dy drejtime

Jeta po më shkonte e hidhur si duhani. Dolëm nga shtëpia dhe u ngjitëm në xhade, pranë shkollës. Aty ndaluam se duhet të prisnim për ndonjë makinë të rastit. U duk një kamjon. Ai u ngjit shpejt e shpejt dhe zuri vend. Shoferi po priste të hipja edhe unë. Muka s’e zgjati dorën të më tërhiqte, pa pyetur fare që unë isha në muajin e fundit dhe s’më linte barku të ngjitesha në atë karroceri aq të lartë. Shoferi po çuditej. Atëhere ai nxorri kokën nga kabina dhe tha:

-Ore, ose zbrit dhe ti, ose ndihmoje këtë nuse që ngjitet, nëqoftëse e ke tënden. Dhe u fut në kabinë pa e ndezur makinën. Muka gjithë inat më thirri:

-Hip lart, moj!

U përpoqa pak dhe ai shtriu dorën e më tërhoqi rrëshqanthi tek tehu i makinës. Aty pashë jo burrin, por djallin! Çudi si lindi fëmija pa cen.

Kur hymë në Kotë, “ Zbrit! më tha, -e më prit këtu se kam një punë te zyrat”.

U kthye pas një gjysmë ore.

-Tani, makina e parë që do të vijë, unë do të iki dhe ti do të rrish këtu. Dy drejtime ke, zgjidh e merr : ose shko drejt në Vlorë, por jo me mua, ose ktheu prapa në Tepelenë.

Atëhere iu ktheva:

-Unë vetëm nuk shkoj asgjëkundi! Nuk më ke marrë nga rruga! Ti, që do vrisje veten, po te mos me merrje mua!

Erdhën e shkuan disa makina. Asnjëri nga ne nuk lëvizi nga vendi. Më në fund i erdhi truri. Hipëm në një makinë dhe shkuam në Vlorë.

* * *

Motra e madhe e tij, Faria, që më donte si fëmijët e saj, banonte në një shtëpi ngjitur me tonën. Sa zbritëm nga makina u futa në shtëpinë e saj. Tek ajo gjeja ngushëllim, me atë qaja hallet që m’i shkaktonte i vëllai. Ajo si më e madhe që ish, i fliste: “Mos e mërzit Marien, se është njeri pa njeri. Vetëm ne na ka”.

Faria na jepte hua çdo tre ditë një triskë buke. Vjehrra na dërgoi një thes me miell gruri, por në kohën që e shmangëm urinë. Se fundi triskat u gjeten. Siç tha, ishin ” futur” në astarin e çantës. Dhe as që më kërkoi falje për tronditjen që më shkaktoi. “Me fal” nuk ishte në fjalorin e tij.

Pas këtyre ngjarjeve, në fund të dhjetorit më lindi Albana. Ky fëmijë erdhi në jetë si për të më larguar trishtimin dhe për të m’u bërë shoqe. Ditët e para qante shumë, por pastaj u shëndosh dhe vetëm qeshte. Duke bërë punët e shtëpisë e duke u marrë më vajzën e kaloja ditën më e qetë dhe më e gëzuar. Ishte fëmijë e bukur dhe e pastër. Para se t’i mbushte ditët erdhi dhe më mori me vete nëna e një shoqes sime. Quhej Lale Koka. Asaj i kishte rënë vajza në luftë , quhej Qeriba Koka. Lale-ja ishte tipike labe, e fortë, trime dhe e gojës. Ajo më mbajti dy javë në shtëpinë e saj, si për të më zëvëndësuar nënën që më mungonte. Lale-ja , gjithashtu ishte e motra e Lutfi Shehut, ish kuestorit të Elbasanit, që u burgos nga partia komuniste dhe vuante dënimin në burgun famëkeq të Burrelit. Laleja ishte nga ato gra që nuk pyeste për luftë klase. Ajo, pasi u njoh me mua, mori guximin të shkonte të njihte nënën time në internim në kampin e Tepelenës duke i çuar ushqime e shumë gjëra të tjera.

Nana jonë kishte një natyrë që nuk kërkonte kurrë ndihma. Ajo mbahej me dinjitet. “ Ky është fati im”- thosh gjithnjë.

Pak drite ne jeten time

—….

Një ditë, një polic i quajtur Medin, nja 40 vjeç, tek kisha dalë me Albanën në oborr më pyeti:

-Nga të kemi moj nuse?

-Jam nga veriu, thashë.

-Po, nga ç’vend?

-Nga Mirdita, u përgjigja.

-Po, si e ke llagapin?

-Melyshi.

-Po, një Nikoll Melyshi që ka punuar në këto anë, e ke gjë ti?

-Jam e bija,- i thashë.

Ai m’u afrua duke më përqafuar.

-E të keqen Çeçua! Ta dish ti moj bijë, çfarë babai ke! Ai ishte zotëri burrë. E kishte ngritur shtabin në fshatin Mazhar, aty më tutje Sevasterit. Po Nikolla megjithëse kishte ardhur me batalionin e major Dod Nikollës për punë të tjera, i dha një ndihmë të madhe njerëzve të kësaj krahine.

-Po, si?- e pyeta unë me kureshtje. Sa kohë kisha pa e parë babanë!

Medini që dukej kishte nostalgji, nxorri kutinë e duhanit dhe u ul në një gur që të vazhdonte bisedën më mua.

-Po, si ishte ngritur ky shtab?

-Ky shtab, filloi ai, drejtonte punët e mercenarëve. Babai yt, ishte njeri i ndershëm e nuk pajtohej me plaçkitjet e reprezaljet që bënin ata në jug. Orientimet i jepte major Dod Nikolla, vetë. Ai vetë vendoste me karta biankë për të vrarë shumë njerëz të komunistëve dhe për t’iu internuar familjet komunistëve. “Çudi, thashë me vete . Edhe këta si partizanët! A thua të ketë kryer veprime të tilla edhe babai im?” dhe e pyeta Medinin:

-Po babai im, a merrte pjesë në këto operacione?

-Jo, përkundrazi. Ai shkonte keq me majorin, e nuk i zbatonte urdhërat e tij. Nga sjelljet e tij mizore, majorit ju vranë shumë mercenarë dhe plani i dështoi dhe ai vetë u çmend. Kurse babai yt që unë dhe shumë sevasteras dhe shkozjotë kemi mall për të, ai kur merrte urdhëra nga ato që lëshonte Doda, bënte të kundërtën. Për tërë natën u çonte njoftim familjarëve që do të dënoheshin, që të mos i gjente mëngjezi në shtëpi. Sa familje ka shpëtuar ai! Unë vetë kam qënë dëshmitar i këtyre ngjarjeve , prandaj Nikoll Melyshi ka lënë emër të mirë në këto anë. Kështu moj bija e mikut tonë. Pastaj ai hodhi pushkën në krah dhe iku.

M’u ngroh zemra. Babai m’u shfaq në dritë, e m’u bë se më erdhi pranë.

(Albana M Lifschin , shkeputur nga libri ” Bota me nje sy”, Rrefim i nenes, 2019. Charlotte, NC. )

Filed Under: Histori Tagged With: Albana M. Lifshin, Vajze reaksionari

TIRANA, MAFIA E BETONIT DHE TEMPULLI I ZOTIT

January 24, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA – DIELLI/

Tirana kthehet 54 vite pas. Tempulli i Zotit kërcënohet nga mafia e betonit. Babëzia e lejeve të ndërtimit shkatërron minaren e xhamisë së Et’hem Beut, një prej simboleve karakteristike të kryeqytetit të Shqipërisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës ndërmori një akt të pashembullt kundër historisë, trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës së qytetit. Veliaj bëri atë që nuk e bëri as diktatori Enver Hoxha kur rrënoi Kishat e Xhamitë dhe çdo objekt kulti fetar 54 vite më parë. Leja e ndërtimit ngjitur me Kullën e Sahatit, simbolit historik të kryeqytetit dhe Xhamisë së Tiranës, është njësoj si urdhëri i diktatorit Hoxha për ti shkatërruar tempujt e Zotit në kohën e revolucionit ateist në Shqipërinë komuniste. Madhështia e tempullit të Zotit mbulohet nga perversiteti korruptiv i kullës hijerëndë. Pushteti i lidhur me mafien, pastrimin e parave, lejet e pafundme korruptive të ndërtimit, babëzia dhe makutëria tashmë nuk pyesin as për Zotin dhe tempujt e tij.

Verbëria para pasurimit të shpejtë, gjobës 20% të ndërtimit, shërbimit ndaj shefit të radhës dhe lidhja e tmerrshme me mafien që pastron çdo para të krimit e trafiqeve ndërkombëtare, i ka kthyer politikanët shqiptarë në përbindësha gjigandë që nuk pyesin për asgjë, as për ligj, as për interes kombëtar, as për Zot e aq më pak për tempujt apo faltoret e tij. Qyteti është i asfiksuar. Shteti në shërbim të krimit. Pushteti në shërbim të mafies. Kryeqyteti shqiptar ka humbur çdo pikë identiteti dhe vlere historike. Kullat që gërvishtin qiellin shqiptar dhe mbushin xhepat e pushtetarëve të kurruptuar kokë e këmbë tash 30 vjet e kanë shndërruar Tiranën në një prej destinacioneve më fantastike të pastrimit të parave në Ballkan. Pushteti e ka kthyer Shqipërinë në një çiflig personal. Pushteti i ka kthyer shpinën me kohë qytetarëve dhe interesit kombëtar.

Njerëz që ikin nga sytë këmbët sepse vidhen dhe pushtetarë që pasurohen çdo ditë e më shumë. Përgjimet e Ndragheta-s janë maja e Ajsbergut. Mafia italiane, bullgare, turke, serbe, arabe etj nën bekimin e pushtetarëve lokal dhe qëndror e kanë kthyer Shqipërinë në një shtet problem jo vetëm në Ballkan por edhe më gjërë për institucionet inteligjente, të hetimit e parandalimit të krimit dhe me transfertat e fuqishme bankare kanë destabilizuar ekonominë dhe sistemin bankar në vend. Qarkullimi i kësaj paraje të frikshme mafioze ka vënë në rrezik serioz sigurinë kombëtare të shtetit shqiptar. Zaptimi i të gjitha hapësirave publike, i ka kthyer sytë e pushtetit tashmë edhe drejtë centimetrave të fundit në oborret e Tempujve të Zotit. Tirana është në asfiksi inxhinierike dhe arkitekturore. Kullat që po ngrihen në Tiranë e kanë shndërruar kryeqytetin në një qytet kozmopolit. Qeratë në kullat e Tiranës janë më të shtrenjta se në Nju Jork, Londër, Milano apo Paris. Një qytet që lundron në paratë e mafies. Tirana nuk u përket më qytetarëve, Tirana nuk u përket më shqiptarëve. Mafia e Tiranës rrafshon e kafshon çdo gjë, tashmë pas Minares së Xhamisë së Et’hem Beut me siguri një tjetër objekt kulti fetar do shkatërrohet. Dhe për Zotin do kujtohemi vetëm në një ditë gjëme apo termeti kur të lutemi si shtiracakë: O Zot mbaj dorën. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Mafia e betonit, Sokol Paja

Përse këmbëngulin demokratët për gjykimin e ish-presidentit Trump

January 24, 2021 by dgreca

Nga Patsy Widakuswara*/

Dhoma e Përfaqësuesve do të dërgojë të hënën në Senat akuzën zyrtare kundër ish-Presidentit Donald Trump. Zoti Trump akuzohet se ka nxitur dhunë gjatë protestave të 6 janarit kur turma u fut me forcë në ndërtesën e Kongresit amerikan. Materiali në vazhdim shqyrton arsyet se pse demokratët po i mëshojnë procesit për të dënuar zotin Trump edhe pse tashmë ai e ka mbaruar mandatin.

Një javë pasi mijëra mbështetës të zotit Donald Trump u futën me dhunë në Kapitolin amerikan me 6 janar, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për ngritjen e akuzave kundër tij. Të hënën Dhoma e Përfaqësueve i dërgon Senatit akuzën se ish-presidenti nxiti protesta të dhunshme që rezultuan me sulmin në Kapitol. 

Senati do të zhvillojë gjyqin për të gjetur fajtor ose jo zotin Trump. Republikanët thonë se demokratët po nxitojnë me procesin. Mitch McConnell është udhëheqës i pakicës republikane në Senat.

“Dhoma e Përfaqësuesve e filloi procesin me një shpejtësi të paparë dhe procedurë tepër minimale. Senati nuk mund të ofrojë një gjyq të cunguar që i mohon ish-Presidentit Trump proces të rregullt, ose përndryshe kjo do të dëmtonte Senatin dhe vetë presidencën.”

Ndërsa Presidenti Joe Biden theksoi mesazhin e unitetit në fjalimin e inaugurimit, presioni i demokratëve për dënimin e zotit Trump po kritikohet si hipokrizi, një akuzë e hedhur poshtë nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi. 

“Të thuash le ta harrojmë atë që nodhi, nuk ëshë diçka që i bashkon palët.”

Ekspertët ligjorë nuk pajtohen nëse Sentati mund të gjejë fajor ish- Presidentin. Por me epërsinë e vogël që kanë demokratët, gjykimi ka gjasa të vazhdojë.

Që të shpallet fajtor zoti Trump kërkohet një votim i shumicës prej dy të tretash, që do të thotë të 50 senatorët demokratë dhe të paktën 17 senatorë republikanë.Aziz Huq është profesor i së drejtës kueshtetuese në Universitetin e Çikagos. 

“Një nga pasojat e gjetjes fajtor mund të jetë skualifikimi për poste të ardhshme. Mendoj se qëllimi i demokratëve është dërgimi i mesazhit për futjen me dhunë në Kapitol me 6 janar dhe së dyti, për t’u siguruar që zoti Trump nuk mund të konkurrojë për post publik.”

Zoti Trump ka lënë të kuptohet se mund të kandidojë përsëri në vitin 2024. 

“Ju duam shumë. Do të kthehemi në një mënyrë.”

Meqenëse zoti Trump nuk u hoq deri sa i mbaroi mandati, ai gëzon privilegje, përfshirë pensionin, fonde për zyrën dhe punonjësit dhe mbrojtje nga Sherbimi Sekret. Por kjo mund të ndryshojë nëse demokratët ndryshojnë ligjin për ish-presidentët nëse zoti Trump shpallet fajtor. 

Ndërsa zoti Biden tha se po e lë çështjen e zotit Trump në duart e Kongresit, ai dëshiron të sigurohet se kjo nuk do të ngadalësojë procesin e konfirmimit të kabinetit të tij nga Senati.

“Sa më shpejt të fillojmë nga puna përballë këtyre krizave, aq më mirë do të jetë”, tha Presidenti Biden.

Gjyqi ndaj zotit Trump mund të nisë në fillim të shkurtit. Ai është i vetmi president amerikan ndaj të cilit janë ngritur akuza dy herë. Asnjë president tjetër nuk është gjykuar në Senat pas largimit nga detyra.Kortezi Zeri i Amerikes

Filed Under: Analiza Tagged With: Kembengulja e demokratve

Rrugëtimi i suksesit i Jeton Kadriut cDJ Dark Child”

January 23, 2021 by dgreca

Nga Ermira Babamusta, Nju Jork/

DJ i mirënjohur shqiptar Jeton Kadriu në profesionin e tij njihet me emrin “DJ Dark Child”. Ai ka patur shumë sukses si në bashkëpunime me artistë shqiptarë dhe botërorë me renome, por edhe në këngët e punuara së fundmi në të gjitha platformat muzikore. 

Lindur në vitin 1991 në Gostivar, Maqedonia Veriore, me prindër Naser (baterist) dhe Nevrije, Jetoni u shpërngul në Zvicër në vitin 2016, ku jeton edhe sot. Shkollimin e lartë e ka kryer në Universitetin Shtetëror të Tetovës, dega “Gjuha Angleze dhe Letërsi” (2016).

Jeton Kadriu, që në moshën 10-vjeçare është marrë me sportin e futobllit deri në moshën 19-vjeçare. Ka luajtur në të gjitha grupmoshat e KF Gostivarit, por pas lëndimit në kurriz e kishte të pamundur të vazhdonte karrierën në këtë fushë si profesionist. 

Karrierën si DJ Jeton Kadriu (DJ Dark Child) e nisi në fund të vitit 2008. Sot DJ Dark Child është një nga DJ-t më të kërkuar, qoftë në festivale, koncerte apo turne. Ka luajtur krah artistëve botëror si Tyga, The Game, Lloyd Banks, G4SHI, Migos, Wiz Khalifa, Lil Jon, etj. Nga bashkëpunimet me artistët shqiptar, Jeton Kadriu njihet për bashkëpunimin me këngëtarin e mirënjohur, Butrint Imeri, me të cilin ka realizuar turne në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni dhe Europë. 

Si DJ resident në klubin më të famshëm në Europë, “Rinora4”, Jeton Kadriu ka pushtuar skenat e muzikës dhe zemrën e mijëra adhuruesve. Fama e tij ka bërë jehonë në klubet e muzikës në Gjermani, Austri, Turqi, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Itali, etj. 

Intervista me Jeton Kadriun: Të jesh DJ është art në vete

Babai juaj Z. Naser Kadriu ka qenë baterist, që e keni luajtur dhe ju si fëmijë. Çfarë kujtimesh të bukura ke nga fëmijëria me babin, dhe muzikën?

Jeton Kadriu: Babai im Naseri është një ndër bateristët më të vjetër të qytetit tonë, ndoshta me një karrierë diku 30 vite. Ka diçka interesante që sot e kësaj dite them si nuk ka përtuar sa herë që unë kam dashur të luaj në bateri gjithmonë i ka pru nga vendi i punës, i ka montuar dhe çmontuar për mua. Gjë që kërkon shumë punë dhe sjell lodhje fizike. Nuk e di për vete a do e kisha bërë këtë për fëmijën tim. Kam luajtur bateri ndoshta që prej moshës 7 vjeçare. Sepse atëherë kam pasur edhe fuqinë t’i çoj vetë dhe t’i montoj vetë (qesh). 

Çfarë mund të na thuash për qytetin e lindjes, Gostivarin? Kur ishte vizita juaj e fundit në vendlindje?

Jeton Kadriu: Qyteti i Gostivarit është një qytet i vogël, i bukur, jo se ka shumë gjëra për të bërë po çka do që të bësh do të ishte kënaqësi. Ndonjëherë kur rri mendoj ose shoh foto të vjetra më kujtohet dhe ndonjëherë më mungon, sidomos familja që jetojnë atje pastaj dhe shoqërija e fëmijërisë që disa kanë ngelur atje dhe nuk kanë emigruar jashtë si unë. Hera e fundit kur vizitova Gostivarin ishte në verën e 2020-ës. Po nuk ishte ai lezeti siç jam mësuar me atë vend, shkaktar ishte pandemija dhe shkaku i kufizimeve që i kemi patur.

Përshtypjet e para kur lëvizët në Zvicër. Çfarë mund të na tregosh për kulturën dhe ambjetimin tuaj me jetën atje?

Jeton Kadriu: Para se të shkoja të jetoja në Zvicër, kam qenë dy herë më parë si turist, dhe më ka pëlqyer jashtë mase siç e kam gjetur veten në atë vend. E adhuroj sepse ka rend jete, çdo gjë është në rregull dhe në vendin e vet pa marrë parasysh se për çka bëhet fjalë. Unë lëviza në Zvicër në vitin 2016-të, ishte fundi i verës në gusht. 

Besoj secili që e len një vend për të shkuar diku tjetër fillon nga zero dhe është shumë e vështirë fillimisht ambjentimi. Mirëpo unë kam pasur shumë shokë që i kam njohur dhe nuk jam ndjerë shumë i vetmuar. Me kalimin e kohës ata miq u bënë familje për mua, meqë familja ime është në Gostivar. Bëhet fjalë për Ilberin, Kujtimin, Jonnyn, etj, etj, që më kanë ftuar edhe në shtëpitë e veta shumë herë për drekë, për darkë, për grill. 

Tashme jetoj në Zyrih (Zürich), qytet i cili gjithmonë është “i gjallë” dhe asnjëherë “i vdekur”. Them kështu pasi që nuk të bëhet bajat asgjë sepse ka shumë gjëra për të parë dhe për të bërë. Jam me fat që kam një rreth shumë të mirë, dhe jam ambijentuar shumë shpejt. Jam pranuar ashtu siç do doja unë, të më pranojnë ky që jam. Vlen të theksohet që rrethi shoqëror të bën edhe njeri më të mirë, më të integruar e ashtu e kam edhe unë falë Zotit. Ju jam mirënjohës Lilit, DJ Kont, Habibit, Shabit, Metit, etj, etj, që janë si një familje për mua. 

Tjetër çka më pëlqen në Zyrih është se aspak nuk mungon profesioni im – muzika. Ka shumë hapësira për të punuar, për t’u promovuar, per tu rritur gradualisht si artist. Flas sepse vetë m’u ka dhënë mundësia nëpër shumë vende të performoj në Zyrih dhe jashtë tij.

Si e kujtoni fillimin e punës tuaj si Dj?

Jeton Kadriu: Kam filluar të mësoj njëherë se si shkon kjo gjë, diku nga viti 2008-të pa ndihmën e asnjërit sepse nuk më ka ndihmuar asnjë DJ në fillim. Të gjithë më kanë anashkaluar, më kanë lënë “out of the game” (jashtë loje). Pastaj dikur m’u ka dhënë hapësira të luaj në real klub, ka qenë në vitin 2010-të në Intermezzo Club në qytetin tim. Pastaj pas disa vite kam pasur suport nga DJ lokal, që sot e kësaj dite i falemenderoj, përkatësisht Fecky Farris dhe DJ Dark Beat (ky i fundit më ka vënë edhe emrin Dark Child). Prej 2010-tës jam aktiv deri sot, d.m.th. kam filluar të merm profesionalisht, dhe i jam kushtuar maksimalisht muzikës dhe karrierës. Pastaj vitet dhe karriera tregojnë vetë se kush jam, ku jam, çka kam lënë pas.

Puna e DJ është art. Sipas jush çfarë e bën një DJ të suksesshëm?

Jeton Kadriu: Kam thënë gjithmonë që të jesh DJ është art në vete, njejtë si një piktor, skulptor, apo aktor. Ajo që tëbën të suksesshëm është të jesh ky që je në fillim, pa dalur nga vetja që t’ju dukesh interesant të tjerëve, apo tëdalësh gjoja më i miri. Ky qëndrim do ishte gabim. Pastaj përveç kësaj ka edhe shumë sende të tjera, sepse rruga e suksesit nuk kalohet sot për nesër. Mund të theksoj që vijon përkushtimi, vullneti për punë, lufta kundër atyre qëdojnë të të “shkelin” dhe më e rëndësishmja që mendoj unë është se nëse e bën atë që e don dhe e bën me pasion e shumë dashuri, patjetër që suksesi do të vijë, herët apo vonë!

Rinora 4 është klubi më i famshëm në Europë. Si ka qenë eksperienca juaj në këtë klub si DJ? 

Jeton Kadriu: Ka diçka interesante, kur kam qenë në fillimet e karrierës me shokun tim të ngushtë Lefin e kemi ndjekur Rinorën dhe gjithmonë i kam thënë, “ah sikur vetëm një herë të bëj muzikë këtu, të kem një foto, një video”. Gjithmonë më ka pëlqyer ky vend pa ditur se një ditë do të jetë residenca ime. Kush do ma kishte thënë këtë në ate kohë do i thoja ke lujt mendsh ti (qesh). Po ja sot ja dola mbanë. Për mua është privilegj të jem pjesë e familjes Rinora4 që padyshim ëndërr e çdo artisti apo DJ është të performojë aty. Dhe çdo shqiptar/e që jeton në diasporë një herë në jete ka qejf që të vijë aty, kush të thotë jo dihet që rren (qesh). 

Cilat janë disa nga vendet qe keni udhëtuar gjatë turneve të muzikës?

Jeton Kadriu: Përveç çdo qyteti në Maqedoni dhe Kosovë, gjithashtu kam performuar edhe në Shqipëri, Serbi, Turqi, Gjermani, Austri, Zvicer, dhe Itali.

Si ka qene përvoja juaj krah yjeve botëtore?


Jeton Kadriu: Përveç G4SHI edhe Wizz Khalifa-s vlen të theksohet se me çdo yll i famshëm botëror kam performuar në Lion Club, që ka qenë rezidenca ime në Luzern. Aty kam pasur nderin që ta ndaj skenën me artistët qe deri dikur vetem i kam luajtur dhe kurrë nuk e kam menduar që do luaj në të njëjtën skenë me ata. E kam kuptuar pastaj se sa “chill” njerëz janë, se sa janë me këmbë në tokë, e kam kuptuar që s’janë ashtu të paprekshëm siç e paramendojmë ne. Kanë qenë të hapur për bisedim, jo që kam folur me të gjithë, po me ata qe kam patur mundësinë të kem një bisedë normale. Ndërsa më vonë e kam kuptuar në fund të fundit muzika na bashkon, s’ka lidhje që ai është artist botëror, e kupton botën artistike të personit tjetër.

Cilin bashkëpunim do veçonit në bashkëpunimet e tua me artistët shqiptarë?

Jeton Kadriu: Unë kam kontakt dhe shoqëri të mirë gati me çdo artist shqiptar, edhe pse nuk kam punuar me të gjithë, përveç Butrint Imerit me të cilin kam kaluar shumë mirë duke qenë tour DJ i tij për 2 vite.

Planet tuaja për vitin 2021? Ku do ju gjeja vera e këtij viti? 

Jeton Kadriu: Ne fillim dua të vazhdoj këtë që jam duke bërë, DJ dhe remix-a të këngeve anglisht dhe shqip. Po më vone kam plan të lansoj projekte të mia personale, me bashkpunime gjithashtu. Vera do më gjejë me siguri në Diamonds Club në Ferizaj, që njëkohësisht është ndër klubet më të mira në Kosovë.

Filed Under: Kulture Tagged With: DJ Dark Child, Ermira Babamusta, Jeton Kadriu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 221
  • 222
  • 223
  • 224
  • 225
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT