• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Promovim libri ne Durres

December 29, 2016 by dgreca

-Ing.Garori prezanton librin më të ri: Anijet, njohuri mbi konstruksionet e tyre/

1-durres-promo-Dhjetra marinarë dhe qytetarë durrsakë mirëpresin botimet e librave për detin/

Nga Shefqet Kërcelli/

Dhjetra marinarë dhe qytetarë durrsakë u mblodhën mbrëmjen e datës 27 dhjetor 2016 në sallën “Odeon” të pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”, për të promovuar librin më të ri të inxhinjerit Albert Garori, “Anijet, njohuri mbi konstruksionet e tyre”. Fillimisht mbas urimit të mirëseardhjes, pjesmarrësit nën kujdesin e mjeshtrit televiziv, Astrit Tahiri, u njohën me një dokumentar të shkurtër që pasqyronte sakrificat dhe profesionalizmin e detarëve tanë gjatë  lundrimeve të kryera më anijet e transportit në vitet 1965-1970.  Më pas inxhinjer Todi Sota, specialist në Regjistrin Detar Shqiptar, bëri një përmbledhje të zgjeruar mbi përmbajtjen e librit në fjalë, duke evidentuar vlerat teknike dhe profesionale që bart ky botim. “Ky libër është vazhdim i botimeve, artikujve dhe kontributeve të mëparëshme në fushën e detarisë të Ing.Garorit, ku spikasin: “Montimi dhe kontrolli i bazamenteve të motorave në anije”, shkrime në revistën “Transporti”, mbi problemet e defekteve në ciftin aks-elike të anijeve, të cilat kulmuan me botimin e librit “Anijet detare” në vitin 2005, theksoi inxhinjer Sota. Libri është konceptuar në 16 kapituj, ku trajtohen teknikisht cështjet e konstruksionit të anijeve, kontrollet që ushtrohen mbi to gjatë dokimit dhe riparimit, përcaktimi i defekteve dhe mënyra e eleminimit të tyre, ndërtimi dhe përmasat kontrolluese të kicit të anijes, valvolat jashtë bordit, elikat e anijeve,{kontrolli, defektet dhe riparimi i tyre}, timoni i anijes, spiranca, fenomeni i osmozit në skafet plastike dhe disa njohuri për anijet me vela. Në recensën e tij, ing.Sota theksoi dhe vlerat e emërtimit në anglisht të pjesëve kryesore të anijeve, një terminologji e cila ilustrohet me figura dhe tregues përkatës. Aspekti konceptual dhe formativ i librit krijojnë një bazë të fuqishme, nga e cila të interesuarit në këtë sektor mund të orientohen për thellimin e njohurive të tyre  rreth konstruksionit, dëmtimeve, riparimeve dhe njohurive të reja, tha zoti Sota. Në vijim, rreth rëndësisë dhe vlerave të librit, diskutuan dhe inxhinjerët Llambi Huta e Fatmir Dragu, si dhe kapiten Enver Gucija dhe miq të autorit. Specialistët detarë evidentuan njohuritë themelore që jep ky libër në fushën e konstruksioneve detare, shërbimeve dhe riparimeve në kohë të tyre. Ndërkohë ata e etiketuan librin si një manual të cmuar që duhet të zerë vendin e tij, jo vetëm në bibliotekën e ekspertëve të fushës, por dhe të studentëve, punëtorëve, ekuipazheve të anijeve dhe të gjithë subjekteve shtetërore e private, që janë të përfshirë në veprimtarinë detare. Më konkretisht, studentëve që studjojnë në degën e detarisë apo menaxhim portesh, për njohuritë që i duhen në lidhje me konstruksionet e anijeve; ekuipazheve të anijeve mbi veprimet e shumta teknike që kryejnë në anije; pronarëve të mjeteve detare, të cilëve i duhen njohuritë bazë në lidhje me menaxhimin, mirmbajtjen dhe përdorimin e mjeteve të vogla detare. Gjithashtu ing.Famir Dragu, mbasi evidentoi rëndësinë tekniko-profesionale të librit për subjektet arsimore dhe instititucionet tona detare, theksoi rolin që duhen te kenë këto studime në të ardhmen e detarisë dhe anijendërtimit të vendit tonë. Diskutantët, dashamirësit dhe miqtë e këtij promocioni i uruan shëndet e suksese të mëtejshme ing.Garorit, njëherësh shprehën dëshirën dhe kënaqësinë që inxhinjeri të vazhdojë krijimtarinë e tij, për t’ja përcjellë brezave të detarëve shqiptarë eksperiencën e tij. Në vijim të aktivitetit zoti Garori, mbasi falenderoi të pranishmit, Drejtorin e Rregjistrit Detar, zotin Emiljan Jani dhe kolegët e tij, nënvizoi se, këtë libër ja kam dedikuar detarëve shqiptarë, të cilët me punën e tyre mbajnë gjallë traditën tonë detare. Inxhinjer Alberti e quan veten me fat, që shërben në sektorin e detarisë për mëse 40 vjet, ndaj jam borxhli që njohuritë e fituara t’ja trashëgoj brezve që vijnë, një detyrim që e ka secili që punon në këtë fushë. Jam përpjekur që të shkruaj dicka teknike që tu shërbejë personave që shërbejnë dhe studjojnë degën e bukur të detarisë, si në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, ashtu dhe “Aleksandër Moisiu” Durrës, theksoi zoti Garori. Në fund të pranishmit shkëmbyen mendime dhe diskutuan për librin, detarinë shqiptare dhe problematikën që ajo bart në ditët e sotme gjatë koktejlit të organizuar në hollin e pallatit “Aleksandër Moisiu”. Duke marrë shkas nga këta njerëz profesionistë, specialistë të anijeve e legjislacionit detar, punëtorë e të përkushtuar për ti dhënë dicka vendit dhe në këtë fushë, dhe unë si autor i këtyre rreshtave nxorra një mësim, duhet të vazhdoj të shkruaj historinë e këtyre mëndjeve e duarve të ndritura, që mbajnë gjallë dhe trashëgojnë vlerat më të mira të detarëve shqiptarë, pra dhe një vëllim tjetër të “Antologjisë së Detarisë”. E meritojnë! Ndaj parangalli që më ka ngecur në faqen 1000 të kompjuterit, duhet të lëvizë për një vëllim tjetër të detarëve shqiptarë gjatë vitit 2017.

Sigurisht një nga personazhet e librit të ri është inxhinjeri dhe studjuesi i talentuar Albert Garori, me një përvojë 45 vjecare në fushën e detarisë, specialist në Regjistrin tonë detar, përfaqësues teknik i Regjistrit britanik {Lloyd Register} në Shqipëri, autor i tre librave dhe dhjetra artikujve në fushën e detarisë, qytetar i thjeshtë durrsak, specialist virtuoz dhe këmbëngulës, që po i përcjell gjeneratave të reja vlerat e praktikat më të mira të detarisë shqiptare.

Inxhinjer Alberti! Natyrisht në këto ditë fundviti të shkon përshtat urimi:

Punë të mbarë inxhinjer, shëndet e lumturi në familje, mbarësi e krijimtari në Vitin e Ri 2017!

Filed Under: Kulture Tagged With: në Durrës, promovim, Shefqet Kercelli

Përse duhet të takohen përfaqësuesit e politikës shqiptare në Maqedoni?

December 29, 2016 by dgreca

1-arben-llalla-250x299Nga Arben LLALLA/Problemi i bashkimit apo gjuhës së përbashkët të partive politike shqiptare në Maqedoni ka bërë që klasa politike të mos ketë një program koordinimi afatgjatë për zgjidhjen e problemeve që ndeshin shqiptarët e këtushëm. Mëritë personale të udhëheqësve partiakë reflektohen në inate kolektive. Mëritë për unin, kryeneçësinë individuale kanë çuar në acarrime të thella mes krerëve të politikës shqiptare në Maqedoni dhe më gjerë, duke bërë që shpesh herë shqiptarët të jenë të papërgatitur përballë ndryshimeve të mëdha që po ndodhin në Europë dhe Ballkan. Ajo çka është shqetësuese sot janë marrëdhëniet e e egra që gjallojnë midis liderëve, të cilat me dasje apo padashje përcillen tek anëtarësia e thjeshtë.

U fol e u përfol shumë takimi i disa liderëve të partive shqiptare në Maqedoni si Ali Ahmeti, Ziadin Sela, Vejsel Mehmeti dhe Gëzim Ostreni për unifikimin e një programi politik shqiptar për krijimin e qeverisë në Maqedoni. Nuk ka asgjë të keqe, nëse përfaqësuesit shqiptarë takohen, diskutojnë me sho-shoqin, por duhet që në këto takime të gjithë të jenë të barabartë. Në takimin në fjalë u duk se diçka nuk ishte e barabartë, pasi Ali Ahmeti ishte bashkë me Teuta Arifin e cila prej disa motesh i qëndron mbi kokë si çekiç, ndërsa Sela, Vejseli dhe Ostreni ishin bashkë.

Do të ishte më e ndershme që në takimin e radhës mes përfaqësuesve të shqiptarëve të jenë edhe përfaqësuesit e “BESA” dhe PDSH, duke mos u bërë bisht bisedave për unifikimin e qëndrimeve kombëtare, sepse nuk është fundi i botës, nëse pinë një kafe për të diskutuar për të mirën e shqiptarëve. Kjo, pasi çdo herë pinë kafe bashkë, kur bëhet fjalë për të mirën e sllavo-maqedonasve, duke i buzëqeshur Brankos dhe Gruevskit e herë Sashenkos e Zaevit.

Çështja është që në takim të gjithë të ndihen të barabartë, ku Sela dhe Vejseli duhet të jenë vetë i dytë ashtu sikurse kishte marrë me vete Aliu çekiçin. Ndërsa prania e Gëzim Ostrenit është e tepërt, sepse partia e tij nuk ka ndonjë ulëse në Kuvendin e Maqedonisë, ndaj nuk ka pse të qëndrojë atje, sepse në politikë nuk ekziston parimi “rëndësi ka të marrësh pjesë në garë”.

Koha kërkon që drejtuesit politikë shqiptarë të Maqedonisë të  zhvishen nga paragjykimet, të jenë më seriozë, të ndahen nga padronët politikë sllavo-maqedonas. Të shohin mundësinë e krijimit të Këshillit të koordinimit të politikës shqiptare mes forcave politike, shoqatave, të iniciativave qytetare e më gjerë. Për të jetësuar të drejtat e shqiptarëve; zgjedhjen përfundimtare të çështjes së gjuhës, flamurit, invalidëve të luftës së 2001, ekështu me radhë, liderët shqiptarë në Maqedoni duhet të çlirohen nga ndikimet e Shqipërisë dhe Kosovës, por të funksionojnë në mënyrë institucionale, pra nëpërmjet funksionimit shtetëror. Në rast të kundërt injorimi i strukturave shtetërore do të shfrytëzohet nga politika përçarëse.

Ka ndonjë lider partie që çirret që është më “patrioti”, se paska luftuar me armë në tre luftëra, patriot që punon për “Shqipërinë dhe shqiptarët” e natyrisht ëndërron që një ditë emri i tij të lartohet krah burrave të shquar të kombit shqiptar si Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Faik Konicës, Frashëllinjëve, Ismail Qemalit, Adem Jasharit. Kjo është e drejta e çdokujt të mendojë si të dojë, por radhitja në listën e emrave të lartpërmendur nuk bëhet duke hedhur gurin dhe fshehur dorën. Duke dalë shpëtimtar i një qeverie, në momentin kur ajo është mospërfillëse ndaj kërkesave themelore të shqiptarëve.

Liderët e sotëm politikë duhet të udhëhiqen nga shembulli i etërve të Kombit, pra të jenë të bashkuar e jo të përçarë.

Meqenëse disa politikanë të këtushëm janë të ndjeshëm ndaj opinioneve të mia, të jenë të qetë e të mos shqetësohen, nëse mizën nuk e kanë nën kësulë.

Prandaj uroj që në takimi e radhës tryezës së bisedimeve t’ju shtohen edhe të tjerët sa nuk është vonë e mos të luajnë rolin e të vështirit. Të ulen e të bisedojnë të gjithë tok, sepse kjo nuk do të thotë që kanë ulur kryet përpara njëri-tjetrit, por të merren vesh njerëzishëm e të punojnë për mbarësibe e shqiptarëve të Maqedonisë.

Në këtë shkrim mund të flisja edhe me fakte më konkrete, por interesi kombëtar e kërkon që të bashkohemi dhe jo të përçahemi.

I shkruajta këto rreshta dhe mendime për ata që kanë dy pare mend e duan mend, e jo për ata që nuk kanë mend e nuk duan mend.

Filed Under: Politike Tagged With: arben llalla, ne Maqedoni, shqiptare, Takimi i politikes

NJË URIM PËR NJË FILLIM TË RI, NË VITIN E RI

December 28, 2016 by dgreca

1-frank-300x212Nga Frank Shkreli/Ja po afrohet Viti i Ri.  Një Vit i Ri, një Fillim i Ri. Një Vit i Ri prej të cilit të gjithë ne shpresojmë dhe presim realizimin e objektivave dhe ëndërrave të pa realizuara deri tashti, një Vit i Ri i mundësive të reja, i ndryshimeve pozitive për ne, si individë dhe si shoqëri, si institucione qeveritare dhe shtetërore, por edhe për botën në përgjithësi.  Një vit i shpresave, se në mos të gjitha gjërat, atëherë të pakën disa prej tyre do të ndryshojnë për më mirë, si në jetën tonë private dhe familjare ashtu edhe në mjedisin shoqëror e politik ku jetojmë.

Është thënë se Viti i Ri nuk është vetëm një ndryshim datash e vitesh, por është një rast për ndryshim drejtimesh, qellimesh e objektivash të reja me një angazhim serioz për realizimin e tyre.  Në 25-vitet e fundit pas shëmbjes së komunizmit dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës, që më në fund çoi në pavarësinë e Kosovës si shtet i pavarur, shpresohej se antagonizmat, përçarjet, grindjet dhe ndasitë politike midis shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të tyre shekullore, kryesisht si rrjedhim i regjimit komunist nën të cilin — megjithse në shtete të ndryshme – shqiptarët jetuan për një gjysëm shekulli, do të merrnin fund. Ishte një fillim që shpresohej të ishte i një rendi të ri shoqëror e politik për Europën dhe për shqiptarët në veçanti.  Madje, fillimi i shekullit 21 u shikua me aq optimizëm sa që u konsiderua se ky, më në fund, do të ishte “shekulli i shqiptarëve”.

Shqiptarët, ndonse të shpërndarë në në pesë shtete, janë një komb, kanë një gjuhë dhe një histori, janë vëllëzër e motra të një gjaku.  Megjithkëtë, fatkeqsisht, historia dhe shpresat e fillim shekullit 21 kanë ndeshë përsëri në një numër trysnishë, kryesisht politike si rrjedhim i antagonizmave dhe përçarjeve midis partive të ndryshme, sa që edhe për optimistin më të madh, vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtij çerek shekulli për të jetuar në harmoni dhe në vëllazërim kombëtar me njëri tjetrin.  Ishin këto 25-vjetë post-komunizëm që fatkeqsisht u dalluan nga mungesa e tolerancës politike dhe shoqërore ndaj njëri tjetri, pothuaj në të gjitha nivelet e shoqërisë, e sidomos në radhët e partive politike dhe të qeverive të drejtuara prej tyre.

Rezultatet e kësaj politike shkatërruese kombëtare, besoj se sot shihen nga të gjithë.  Prandaj, si rrjedhim, 25 vjetë pas rënjes së Murit të Berlinit dhe me Kosovën e pavarur, ka ardhur koha që vullnet mirët dhe atdhetarët e vërtetë të konsiderojnë një fillim të ri politik dhe shoqëror, të vendosin për një angazhim serioz, për një harmoni me të vërtetë vëllazërore atdhetarizmi me njëri tjetrin, me gjithë ndryshimet  dhe pikpamjet politike që mund të ekzistojnë midis tyre.

Urojmë pra që Viti i Ri në prak të cilit gjëndemi, të shërbejë si një rast për një fillim të ri, si një rast që në Vitin e Ri, shqiptari të mos përjashtojë shqiptarin, vetëm e vetëm se tjetri ka pikëpamje të ndryshme politike.  Por të punojnë së bashku për dashurinë ndajë Shqipërisë dhe për hir të përparimit ekonomik dhe politik të mbarë kombit shqiptar.  Për më tepër, siç ka shkruar At Anton Harapi, nëqoftse e duam Shqipërinë dhe fatin e mirë të shqiptarëve, atëherë të zotohen se për të mirën e përbashkët do,  “Të punojmë sa të jetë e mundur më tepër për të futur dashurinë midis vëllëzërve që jetojnë në një vend me ne, kanë të njëjtin emër shqiptar, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal: Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar…Paçim të vëretën udhëheqse, dashuria të na mbajë ngahera.”

Ky pra është urimi im për Vitin e Ri — por besoj se edhe i shumicës dërmuese të shqiptarëve kudo – që shqiptarët në përgjithësi dhe klasa politike shqiptare në veçanti të dëgjojë zërin e arsyes dhe tu tregojnë “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare.” (At Anton Harapi).  

Historikisht, armiqtë e shqiptarëve i kanë dashur ata të ndarë e të pëçarë, politikisht dhe gjeografikisht, në trojet e veta. Fati i shqiptarëve është sot në dorë të vet shqiptarëve. Mos të humbet rasti që shqiptarëve tu jepet arsye që të qëndrojnë në trojet e veta dhe që të kenë besim në një Shqipëri e Kosovë demokratike ku të gjithë ta ndjejnë veten të barabartë dhe të mos  marrin rrugët e botës, vetëm e vetëm sepse klasa politike me ndasitë dhe me përçarjet midis veti, po bjerrë aspiratat e shqiptarëve për një jetë më të mirë në shtëpitë e tyre.

Është ky një urim për një Fillim të Ri, në Vitin e Ri!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, NË VITIN E RI, NJË URIM PËR NJË FILLIM TË RI

Sfidat e Pentagonit për vitin 2017

December 28, 2016 by dgreca

1-pentagoni-1Nga Afganistani në Siri, administrata e ardhshme e presidentit të sapozgjedhur Donald Trump, do të përballet me shumë sfida ushtarake në vitin 2017, por jo të gjitha problemet e saj do të vijnë nga jashtë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara në luftërat kundër ekstremistëve islamikë në Afganistan dhe militantëve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Lufta taktike kundër militantëve të Shtetit Islamik është duke përparuar me ngadalësi, por ende është e paqartë se si do të angazhohet administrata e ardhshme e zotit Trump në zgjidhjen e krizës siriane. Michael O’Hanlon është me Institutin “Brookings”, “Në Siri ne në të vërtetë nuk kemi strategji për t’i dhënë fund luftës civile. Zoti Trump ka lënë të kuptohet se mund të jetë i gatshëm të lejojë presidentin Assad të fitoj luftën, por unë nuk jam i sigurt se kjo është një zgjidhje praktike, sepse Assad i ka duart e lyera me gjak“. Lufta në Afganistan është në vitin e pesëmbëdhjetë. Numri i trupave ndërkombëtare është zvogëluar nga rreth 140 mijë në vitin 2011 në më pak se 15 mijë trupa, dhe ekspert i mbrojtjes Michael O’Hanlon thotë se, ekipi i ri amerikan i mbrojtjes mund të shqyrtojë mundësinë e rritjes së përkohshme të numrit të trupave ndërkombëtare në Afganistan. “Nuk ka asnjë arsye që të mos angazhohemi pak më shumë në qoftë se, një gjë e tillë do të ndihmonte në lehtësimin e presionit nën të cilin ndodhet ushtria dhe policia afgane. Kjo do t’u jepte atyre pak më shumë kohë për të konsoliduar radhët e tyre pas humbjeve të mëdha që ata kanë përjetuar.” Por ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po luftojnë ekstremizmin në të gjithë globin, fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina po modernizojnë forcat e tyre ushtarake. Analisti David Ochmanek është me Korporatën “Rand”, “Për shkak të angazhimit tonë në operacionet kundër ISIS-it, në stabilizimin e Afganistanit dhe Irakut, dhe për shkak të kufizimeve buxhetore të vendosura në vitin 2012, ne nuk kemi qenë në gjendje të blejmë pajisje moderne për t’iu kundërvënë aftësive të reja të vendeve si Rusia dhe Kina. “Në fjalimet e tij politike, Presidenti i zgjedhur Trump ka premtuar fuqizimin e ushtrisë. “Ne kemi njerëzit më të kualifikuar në botë në ushtrinë tonë.  Ne do ta rindërtojmë ushtrinë tonë të varfëruar, dhe më në fund do të kujdesemi për veteranët e ushtrisë sonë”. Analisti i çështjeve të mbrojtjes, David Ochmanek thotë se, Shtetet e Bashkuara duhet të shpenzojnë më shumë në përmirësimin e teknologjisë së raketave “Kruz” dhe raketave ajër-ajër, sepse këto armë mund t’i japin forcave të armatosura më shumë avantazh në parandalimin e kërcënimeve të ardhëshme.

Filed Under: Komente Tagged With: PËR VITIN 2017, Sfidat e Pentagonit

Ministrja Edita Tahiri inauguroi objektin e Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore

December 28, 2016 by dgreca

Në këtë objekt do t’i kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushë veprimtari lokale si Ministria e Administratës Publike, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,  Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia e Statistikave, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve, Agjencia Kadastrave, Agjencia e Arkivave, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës./

1-tahiri2-tahiri3-tahiri-em-xhup

Prishtinë, 28 dhjetor 2016-Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, sot ka inauguruar objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në komunën veriore të Mitrovicës. Ky proces shënon shtrirjen dhe konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit.Me këtë rast ministrja Edita Tahiri deklaroi se pas një periudhe disamuajshe të përgatitjeve intensive të bëra nga Ministria për Dialog dhe Ministria e Administratës Publike si dhe me angazhimin e të gjitha institucioneve dhe në veçanti të mbështetjes së Zyrës së Kryeministrit sot ka filluar puna e institucioneve qendrore në pjesën veriore të vendit. Objekti i Qeverisë së Republikës së Kosovës të cilin e inauguruam sot gjendet në komunën veriore të Mitrovicës. Unë i bëra një vizitë objektit të qeverisë dhe vlerësoj se kushtet e punës janë përgatitur mjaft mirë nga ana e Ministrisë së Administratës Publike. Në këtë objekt do t’i kenë zyrat 15 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushë veprimtari lokale si Ministria e Administratës Publike, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria për Kthim dhe Komunitete, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,  Administrata Tatimore e Kosovës, Agjencia e Statistikave, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Agjencia për Mbrojtjen e Pyjeve, Agjencia Kadastrave, Agjencia e Arkivave, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Gjithsejtë do të punojnë 105 zyrtar të punësuar në këto institucione, theksoi ministrja Tahiri.Po ashtu, sot gjatë ditës në Mitrovicë, ministrja Edita Tahiri ka mbajtur një takim me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve që kanë filluar sot punën në komunën e Mitrovicës veriore. Në këtë takim ministrja Tahiri ka vlerësuar lartë angazhimin e institucioneve të Kosovës për fillimin e mbarë të punës së zyrave si dhe në takim është diskutuar për koordinime sa më të mira për mbarëvajtjen e punës dhe vijimësinë e rregullte të të punësuarve. Po ashtu, janë diskutuar hapat vijues. Në bazë të planit dhe dinamikave, ky proces do të vazhdoi me hapjen e zyrave në Zubin Potok për të cilin objekti është përgatitur si dhe në Leposaviq, ndërsa për Zveçan është bërë akomodimi në objektin e inauguruar sot. Në këtë takim, përfaqësuesit e MAP njoftuan për gjithë procesin e realizuar që nga gjetja e objektit me qira deri te pajisja e tyre me mjetet e punës dhe teknologjisë informative.Përfaqësuesit e institucioneve qendrore njoftuan për të gjithë hapat që kanë ndërmarrë për mbarëvajtjen e punës si dhe caktuan nga një koordinatorë që do të jetë përgjegjës për mbarëvajtjen e punës në këto zyra dhe do t’i udhëzojnë punonjësit në lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e punës në bazë të përshkrimit të vendit të punës për të cilën kanë nënshkruar kontratë punësimi. Secili institucion duhet të vendos një mekanizëm monitorimi me qëllim që të mbikëqyrë mbarëvajtjen e punës dhe rregullsinë e ardhjes në punë të punonjësvePo ashtu edhe një objekt tjetër i Qeverisë së Kosovës do të hapet pas vitit të ri në komunën e Zubin Potokut dhe një tjetër në Leposaviq me të cilat do të plotësohet tutje progresi në shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të vendit i cili është i një rëndësie strategjike.Ministrja Tahiri në fund të takimit theksoi se duke marrë parasysh se që nga fundi i luftës jemi ballafaquar me sfida të ndryshme në këtë pjesë të vendit, tashmë jemi duke shtrirë dhe konsoliduar sovranitetin e shtetit edhe në këtë pjesë të vendit dhe po integrojmë pjesëtaret e komunitetit serb në sistemin e Republikës së Kosovës, duke iu falënderuar dialogut të Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar BE, SHBA dhe vendeve tjera evropiane.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Edita Tahiri, Mitrovica, zyrat ne Veri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2298
  • 2299
  • 2300
  • 2301
  • 2302
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT