• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“SI E NJOHA NËNËN TEREZE”

December 9, 2016 by dgreca

Në 37-vjetorin e laurimit të Nënës Tereze me Çmimin Nobel/

2-1PROMOVOHET VEPRA E FRROK KRISTAJT “SI E NJOHA NËNËN TEREZE”/

Me rastin e shënimit të 37-vjetorit të laurimit të Nënës Tereze, alias shën Nënës Tereze, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ditën e shtunë, më 10 dhjetor 2016, në orën 12, shënohet 10 dhjetori, kur bëhet dorëzimi i Çmimit Nobel, përkatësisht shënohet 37-vjetori i laurimit të Nënës Tereze me Çmimin Nobel për Paqe. Kjo datë edhe ishte kur për herë të parë u lauerua një shqiptar (shqiptare) me Çmimin Nobel. Tani dihet se Nëna Tereze është nobelistja e parë në botë që u shenjtërua. Po ajo është edhe autorja e parë shenjtëreshë në botë e uratave, që do të thotë se ajo e shenjtëroi edhe lutjen, e shenjtëroi lutjen që ne na gjason me poezinë.

Njëherësh, Nëna Tereze është simboli i Nënës së parë në botë që u shenjtërua. U shenjtërua Nëna që lind, rritë dhe edukon brezet e reja. Motrat e nderit pjesëtare të ‘Misionareve të dashurisë” pas Nënës Tereze nuk kanë të drejtë ta trashëgojnë më titullin Nënë. Kjo pra është SHËN NËNA TEREZE.

Nga kjo del se Nëna Tereze ishte shëmbëlltyrë e një nëne shqiptare, që u ngrit në një figurë të një nëne dhe të një të shenjtëre të gjithë njerëzimit. Dhe, nuk është e rastit që shkrimtarja franceze, Margerit Jursenar, se dëshiron që për nënë ta ketë pikërisht një nënë shqiptare.

Me shpalljen e Nënës Terezës shenjtëreshë (4 shtator 2016), ajo u ngrit në lëterin e mbarë njerëzimit pa dallim feje, race apo etniteti.

Për këtë edhe mund të pohohet se ndër personalitetet më të ndritur që pati njerëzimi, ishte figura e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze.

Me këtë rast promovohet edhe vepra e Frrok Kristajt “SI E NJOHA NËNËN TEREZE”.

Filed Under: Kulture Tagged With: Frrok Kristaj, NËNËN TEREZE”, si e njoha

Pronë e kujt ishte Pazari i Korçës ?

December 9, 2016 by dgreca


1-pazari-i-korces
Nga Vepror Hasani/Pazari i Korçës ishte pronë e Iljaz bej Mirahorit (themelues i qytetit) dhe i myslimanëve të Korçës. Askush tjetër nuk mund të bëhej dot pronar dyqanesh, hanesh, kafenesh, restorantesh, furra pjekjesh, sheshesh tregtimi, punishte zejtarish, magazinash etj. Pse ndodhi kështu? Gjithçka sqarohet në vijim, por fillimisht do të bëjmë një shpjegim të shkurtër çfarë përfaqëson Vakëfi.

I-Në vitin 1504-1505, Mirahori shpalli vakëf qytetin e Korçës ku jetonin myslimanët dhe fshatin Peskëpi ku jetonin ortodoksët. Të dy vendbanimet ishin prona personale të tij që nga viti 1496. Edhe Pazarin e shpalli Vakëf. Dekreti u firmos nga sulltan Bajaziti II. Vakëfet krijoheshin për qëllime bamirësie të përcaktuara. Të ardhurat shpenzoheshin për të vobektët, foshnjat, të sëmurët, jetimët, gratë e veja, pleqtë e vetmuar, për dhuratat e fëmijëve, për pajat e vajzave jetime, për librat dhe veshjet e nxënësve me rezultate të larta, për konvikte, për dijetarët, për kërkimet shkencore, për njerëzit që nuk lanin dot borxhet, për lirimin e robërve, për strehimin e të varfërve, për ndriçimin e rrugëve, për kurimin e kafshëve dhe shpendëve të sëmura ose të plagosura, për ruajtjen e ambientit, për sigurimin e ujit të pijshëm, për ndërtimin e rrugëve, urave, puseve, haneve, hamameve, karvansarajeve, mysafirhaneve etj. Gjithashtu vakëfet ishin qendra të mëdha punësimi. Njerëzorja ishte shndërruar në ndjenjën më fisnike të kohës. Francezi Comte de Bonneval shprehej i habitur: “Në vendin e osmanëve është e mundur të shohësh edhe turq të çmendur sa për të dhënë para për të paguar punëtorë që të ujisin pemë joprodhuese vetëm që të mos thahen (të mos vuajnë!) nga vapa!” ( O. N. Topbash, “Vakëfi, dhurimi dhe shërbimi”, f., 26)

II-Edhe qëllimi i Mirahorit ky ishte: t’u qëndronte njerëzve pranë. Me të ardhurat e Vakëfit u çelën shkolla, biblioteka, spitale, farmaci, qendra sociale (imareti), kuvendi i qytetarëve të Korçës, (i quajtur ndryshe “qoshku”), u sistemua lumi, u ndërtuan çezma, rrugë, sheshe, ura, kalldrëme, mulli pa pagesë, bezisteni, postë-telegrafa, kulla e sahatit, rrobalarësja, prodhimi i sapunit, furra gëlqereje etj. Nëpërmjet vakëfit njerëzit duhej të mësonin se në këtë jetë vlerë ka vetëm mirësia, bamirësia, falja, mëshira, të gjendurit pranë tjetrit kur ai ka nevojë, ndihmë me ç’të mundesh, moslënia vetëm e tij dhe pa shpresë për jetën. Këtë gjë e kishte vërejtur edhe De la Motraye te populli turk: “Tek turqit, edhe sikur dikujt t’i digjet shtëpia e t’i bëhet hi me gjithçka, nuk dëgjohen klithma grash e të qara fëmijësh siç ndodh me popujt e tjerë. Te njerëzit që e kanë humbur në këtë mënyrë tërë kamjen, shihet një nënshtrim dhe dorëzim i plotë tek Zoti. Ndërkaq, populli mirëbërës mbledh ndihma të mjafueshme, disa herë edhe mbi nevojat, për t’ia rindërtuar dhe shtruar shtëpinë familjes së dëmtuar.”( O. N. Topbash, “Vakëfi, dhurimi dhe shërbimi”, f., 32).

Për këtë arsye Mirahori e shpalli Pazarin vakëf dhe që nga ai çast ai ishte pronë vetëm e Allahut, që do të thotë pronë e njerëzve në nevojë. “Vakëf” ka kuptimin i palëvizshëm, përjetësisht vakëf; i patjetërsueshëm. Ndaj, vetëm pasi ishin ndihmuar të varfërit dhe ishin bërë punët publike të parashikuara, pjesa e mbetur e të ardhurave, shkonte për ngritje dyqanesh, zejtari, hane etj. Pazari zgjerohej nga viti në vit. Ky ishte rregulli nr.1 i Vakëfit.

III- Ligjet për funksionimin e Vakëfeve ishin të rrepta e të shkruara qartë. Ja disa prej tyre:

  1. Vakëfi konsiderohet si pronë vetëm e Allahut dhe nuk shitet, nuk dhurohet, nuk tjetërsohet, nuk trashëgohet dhe as nuk lejohet që në një mënyrë apo në një tjetër të humbasë rolin e tij si vakëf.
  2. Vakëfi ngelet përherë i tillë edhe nëse pronari i tij i parë ndryshon mendim.
  3. Vakëfi të mos jetë i përkohshëm por i përhershëm.
  4. Nëse vakëfi shitet, kjo shitje është e pavlefshme.
  5. Të respektohet destinacioni për të cilin ai është lënë vakëf nga pronari i tij i parë, si për shembull për të varfërit apo jetimët etj.

Pra, prej Vakëfit nuk mund të shitej asgjë; as truall, as ndërtesa, pasi kjo gjë me kalimin e kohës  tjetërsonte destinacionin dhe qëllimin e tij. Edhe në rast se shitja ndodhte, ajo ishte e pavlefshme. Pra, në Pazarin e Korçës askush nuk mund të bëhej dot pronar dyqanesh, kafenesh, hanesh, magazinash trojesh etj, përveç vakëflënësit Iljaz bej Mirahori, pasardhësve të tij-Mytevelinjve dhe myslimanëve të Korçës.

III-Tashmë, pas kësaj hyrjeje të shkurtër, dikush mund të thotë: Nga sa kuptuam më sipër, Vakëfi e kishte tejet të ndaluar të shiste pjesë të pasurisë së vet, atëherë pse myslimanëve u lejohej të blinin troje, bujtina, magazina etj, apo blerjet e tyre nuk e ndryshonin destinacionin e Vakëfit, kurse blerjet e ortodoksëve e tjetërsonin qëllimin bamirës të tij! Përgjigjja: si fshati Peskëpi ku jetonin ortodoksët ashtu edhe qyteti i Korçës ku jetonin myslimanët, u shpallën vakëfe, por Vakëfi nuk cënonte pronën private. Mitropolia kishte pronat e saj dhe shumë prej tyre i shiti për ndërtimin e kishës- Katedrale dhe kishën e Shën Gjergjit, që do të thotë se pronat e saj ruajtën atë pronar që kishin patur edhe pse fshati Peskëpi u shpall vakëf. Edhe banorët ortodoksë nuk i humbën pronat e tyre; ata shitën një pjesë të tyre (ara dhe kopështe) kur ato u bënë shumë të kërkuara nga banorët e fshatrave larg dhe afër Korçës, kurse myslimanët i kishin pronat edhe te pazari i Korçës (sepse jetonin në qytetin e Korçës) dhe me to mund të ngrinin dyqane, hane, kafene, punishte etj.

IV-Pyetja e dytë: Po hanin e Elbasanit kush e ngriti? Po të Manastirit, të Trebickës, të Vithkuqit, të Panaritit? Po hanin e Baba Aliut? A nuk ishin këto investime nga vetë pronarët e tyre? Mos vallë manastirjotët, elbasanllinjtë, panaritasit etj kishin patur prona në qytetin e Korçës?! Përgjigjja: Në Vakëf mund të investojë gjithkush që dëshiron, por në asnjë rast nuk mund të bëhet pronar i investimit të tij. Ajo që ndërtohet, i dhurohet Vakëfit; bëhet për bamirësi. Të ardhurat shkojnë për të varfërit dhe për vepra publike. Hanet e përmendura më sipër, nuk ka asnjë dyshim që kanë qenë kontribut i njerëzve nga zonat e përmendura: Manastir, Elbasan, Panarit, Vithkuq etj, por bamirësit e kërkojnë shpërblimin vetëm te Zoti: “Personi, i cili e kthen pasurinë e tij në vakëf, këtë e bën për të arritur shpërblimin e Allahut edhe pas vdekjes së tij.” Në rastë të tilla, hanet kishin statusin e mysafirhaneve ku udhëtarët, haxhinjtë, studentët, banorët e zonave përkatëse e njerëzit në nevojë pushonin falas. Hani i Baba Aliut u vinte në ndihmë besimtarve që vinin në malin e shenjtë të Tomorit ose shkonin drejt Mekës apo në vende të tjera të shenjta.

V-Pyetja e tretë: Po dyqanet a mund të jepeshin me qira? Përgjigjja: Dhënia me qira ishte e lejueshme. Vetë vakëfi ishte investim; shfrytëzimi i pasurive të tij nëpërmjet qirave siguronte të ardhura. Qiraja për ndërtesat jepej për një vit, për tokat bujqësore deri në tre vjet. Marrëveshja përsëritej çdo vit. Kontratat shumëvjeçare ishin të palejueshme, pasi ato  çonin në dëmtimin ose asgjësimin e plotë të vakëfit. “Përjashtohen rastet kur këtë e kërkon interesi i ndërtimit të vakëfit, dhe kjo duke marrë paradhënie qiranë e viteve të ardhshme. Në një rast të tillë kontrata e qirasë duhet të ripërsëritet vit për vit”. Qiraja jepej me vlerën e tregut, asnjëherë poshtë saj. Edhe për tokën-vakëf kishte rregulla të përcaktuara deri në detaje. Ajo mund të jepej me qira për një kohë të gjatë, të lihej në dorë të qiramarësit për çfarëdo që do të ndërtonte sipër saj, madje edhe me të drejtën të qëndronte në të dhe të ishte pronë e tij, por vetëm përsa kohë që paguante qiranë dhe kur plotësoheshin këto kushte:

“1. Kur vakëfi ishte  prishur dhe nuk përfitohet më prej tij.

  1. Kur administratorët e vakëfit nuk kanë mundësi financiare të investojnë në të.
  2. Kur nuk gjendet kush mund t’i japë administratorëve të vakëfit një borxh të mjaftueshëm për rindërtimin e tij.
  3. Kur nuk është e mundur që ky vakëf të zëvendësohet me një tjetër nga i cili do të merren të ardhura”.

Pra, të ishe pronar në pasurinë e Vakëfit, ishte e pamundur dhe e palejueshme; nëse ndodhte, akti i pronësisë ishte i pavlefshëm. Pronarë të Pazarit të Korçës ishin Mirahorët, pasardhësit e tyre – Mytevelinjtë, dhe myslimanët e Korçës.

*Shënim: Përsa i përket funksionimit të vakëfeve i jemi referuar artikullit: “Gjykimi fetar për disa çështje që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe investimin e vakëfeve.”

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: e mirahorit, Pazari i Korces, prone

Diaspora- Festim madheshtor në Kircheim –Teck Gjermani

December 9, 2016 by dgreca

15288571_1695106577466862_7657473292814543139_o

????????????????????????????????????
15369988_1695104327467087_2830902251375146181_o

Festa  e flamurit  për  28  Nëntorin madhështore  dhe festive u mbajt në Kircheim –Teck Gjermani/

Shkruan Asllan Dibrani/

Kudo gëzime ,hare dhe festim  përmbajtjesore po mbahen në shtetet e perëndimit. Kush me herët e kush me vonë rreth ditës së madhe të ngritjes s e flamurit tonë në Vlorë po mobilizohen  qe vlerat  veta ti  çmojnë me ç’rast  shpalli pavarësinë e vet nga  perandoria osmane në vitin 1912. Po, ashtu edhe  Shoqata “Kadri Zeka” nga Nürtingeni  , për nderë të 28 Nëntorit festës Kombëtare dhe ditëlindjes së Legjendës Adem Jasharit,organizuan në Kircheim –Teck një tubim dinjitoz  madhështor dhe  me program artistik . Data  e 04.12.2016 nga kjo  Shoqatë u shënua në mënyrë dinjitoze dhe të kulturuar manifestimi  i radhës së  104-vjetorit për ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Salla ishte e madhe dhe plotë më bashkatdhetar. Nën antonimin e Himnit kombëtarë dhe më pas një minutë heshtje përkujtuan dëshmorët e Kombit.Në tubim kishte  mjaft pjesëmarrës përveç, konsujve, z. Arjan Kashtanjeva, Besnik Miftaraj dhe bashkëpunëtorja  e tyre zonja Hanife Statovci,në  sallë ishin prezent edhe  bashkëveprimtarët e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, Faridin Tafallari, Kolë Merturi  dhe  Nami Ramadani.

 Përpos tyre ishte edhe  i burgosuri  politik dhe veprimtari  Asllan Dibrani, Jahja Gashi, kryetar i Shoqatës “Nëna Terezë”, Fatmir Rakipi, hoxhë, Arben Berisha, ish kryetar i Klubit futbollistik në Bernhausen, Tahir Boqolli , e Muhamet Hoxhaj, veprimtar e tjerë. Zoti Xhafer Leci, Kryetar Nderi, i Shoqatës “Kadri Zeka “ uroj festën dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, përshëndeti të pranishmit dhe mysafirët qe morën pjesë  në këtë mbrëmje  të vlerave tona kombëtare. Selami Morina, nënkryetar, lexoj fjalën e rastit për  këtë ditë madhështore…Në emër të Konsullatës së R,së Kosovës në Stuttgart, foli z. Arijan Kashtanjeva. Mirënjohjet për 15 veprimtarë të Shoqatave, klubeve dhe shoqërive i ndau Taxhidin Bakiu, kryetar i Shoqatës “Kadri Zeka “. Poeti i njohur Mentor Thaqi, recitoj një poezi të shkëlqyer për pavarësinë. Të rinjtë Besnik e Arlinda Bekteshi kënduan një këngë për Pavarësinë.

Skenën e stolisen  me ngjyrat tona  kuq e zi  Ansambli “Pavarësia” nga Shoqata “Pavarësia” në Stuttgart, i  cili shkëlqeu para masës së tubuar duke e mirëpritur me duartrokitje frenetike !

DSC_0193

 Me këtë rast u ndanë 15 mirënjohje për aktivistë të dëshmuar nga fusha të ndryshme të kulturës dhe jetës shoqërore në mërgim .Ato u ndanë nga  i z.Taxhidin Bakiu – Kryetar i Shoqatës, z. Xhafer Leci  dhe  biznesmen . Z. Mejdi Laçaj, moderoj në këtë manifestim nga e cila la përshtypjet e se është akoma në vlugun e vullnetit te madh ne aktivitetet e ndryshëme në kohën  e veprimtarisë për Pavarësinë  e Kosovës..Mirënjohje ju ndanë këtyre personave si me poshtë :

DSC_0188
1.- 
Vitor Spaqi, kryetar QKSH Suttgart,
2.- 
Osman Ferizi, Shoqata Sali Çekaj Pfaffenhoffen,
3.- 
Naser Hoxhajj, Shoqata Dardania Mannheim,
4.- 
Gjylije Lecaj, veprimtare e dalluar shumëvjeçare,
5.- 
Lekë Preçi, arsimtar dhe veprimtar shumëvjeçar,
6.- 
Zef Prenka, veprimtar dhe drejtues i revistës Rrezore,
7.- Hazbi Sylejmani, Imam në Xhaminë e Stuttgartit,
8.- 
Qani Rexhepi, drejtues i Radio Kosova Stuttgart,
9.- 
Nue Lekaj, veprimtar dhe zyrtar i Komunës Wernau,
10.- Afrim Sylejmani, ish kryetar shumëvjeçar Klubi Kulturor “B.Gërvalla”në Ludwigsburg,
11.- 
Baki Mustafi, kryetar i Shoqatës “Pavarësia”në Stuttgart,
12.- 
Lon Karrica, Këshilltar i Kishës Katolike në Stuttgat,
13,- 
Halil Zemaj, sekretar i Shoqatës “Atdheu “në Schwäbisch Gmü
14.- 
Bedrush Nezaj, kryetar i Klubit Kulturor “Bardhosh Gërvalla “
15.- Rrustem Selca,veprimtar, baletistë-koreografë(pas vdekjes)…
Ndërkohë  u përvodh një kohe e shkurtër sa për ti  kujtuar tre atdhetar  te këtij rrethi qe lane gjurmët  të mëdha  të cilët nuk jetojnë më, Qemajl Morina, Emin Fazlija dhe Zenel Jashari.
Kënduan këngëtarët e mirënjohur: 
Bujar Osaj, Afërdita Bajrami dhe instrumentistët vëllazërit Gjocaj.

 DSC_0251

Pamje  e një grupi  të ftuar në këtë festë madhështore. Për mos me i hyrë në hak  e falënderojmë publikisht zotin Taxhidin Bakiu – Kryetar i Shoqatës, qe shtroj darke   me mjetet  në këtë mbrëmje. 

 Pastaj, festa vazhdoi më pjesën argëtuese ku e tërë masa u kënaqën më muzikë dhe valle më motive dhe veshje kombëtare deri në ora 23 qe u përmbyll ky manifestim  i shenjtë  në thesarin e vlerave tona kombëtare.

Foto-Reportazh  Kircheim-Teck Dhjetor 2016

Filed Under: Emigracion Tagged With: asllan dibrani, festimet e Flamurit, në Kircheim –Teck Gjermani

NDERIMET REGJIMIT TË KASTROS – NJË FYERJE PËR DEMOKRACINË

December 8, 2016 by dgreca

3-castro-funeral11-fidel-castro2-castro

Shkruar nga Angelo Panebianco/

1-eugjen-merlika-225x300

Perktheu: Eugjen Merlika/

Nuk është vetëm brerore romantizmi që prej kohësh rrethon revolucionin kuban dhe heronjtë e tij (Fidel Kastro, Che Guevara), dikur të rinj e të pashëm, që shpjegon kaq shumë deklarata nderimi kujtimit të Kastros, deklarata në të cilat fakti që Kuba e tij ishte një diktaturë, një burg në qiell të hapur, mbetej me ndrojtje në hije.

Ka edhe diçka tjetër. Dy shkaqe kryesisht. Nëse në të drejtën ndërkombëtare, sidomos në shkëmbimet tregtare, vepron kushti i quajtur i “kombit më të përkrahur”, mund të themi se në politikë, n’atë perëndimore, vlen(me një ndryshim të vogël kuptimi) kushti i “tiranisë më të përkrahur”. Në bazë të këtij kushti, për shembull, në gjysmën e dytë të shekullit të XX ishte e detyrueshme – nga ana e komentuesve të ndodhive publike – të dënohehin me furi krimet e nazistëve por nuk ishte – madje mund të shkaktonte dyshime për filofashizëm – të bëhej e njëjta gjë me krimet e komunistëve (varianti sovjetik apo ai maoist që t’ishte) : të vrarët nga të majtët, për shumë njerëz, vlenin më pak se të vrarët nga të djathtët. Gjykimi pozitiv për BRSS shtrihej, në frymën e atij kushti, te të gjithë revolucionet e të njëjtit frymëzim. Duhet mbajtur parasysh se ky zakon nuk zbatohej vetëm në brendësi të botës komuniste, që do të kishte qenë normale. Edhe shumë jo komunistë (shpesh nga frika se do të paditeshin për kriptofashizëm nga përfaqësues të asaj bote), përdornin dy pesha e dy masa.

Ajo mënyrë gjykimi u bë shkak ndarjesh t’ashpra edhe këtu n’Evropë. Për shembull, qe në origjinën e prishjes në Francë, të miqësisë së hershme ndërmjet sociologut liberal Raymond Aron dhe Jean-Paul Sartre. Kushti i “tiranisë më të përkrahur” është gjithmonë veprues. Mjafton të lexohen deklaratat mbi vdekjen e Fidelit të autoriteteve evropiane (nga Juncker tek Mogherini) dhe të tjerë akoma. Asnjëri prej tyre nuk do të kishte përdorur fjalë aq respektuese, të themi, për vdekjen e Gjeneralismit Franko.

Ideja se, të drejtohej një revolucion kundër një regjimi të korruptuar e shtypës, ishte një titull merite i tillë që të mbulonte çdo gjë të ndodhur mbrapa, ishte bijë, përveç se e një kundër-amerikanizmi të përhapur (Batista, ish diktatori i përmbysur, ishte i lidhur me amerikanët) por edhe e një paragjykimi : pikërisht kushti i “tiranisë më të përkrahur”. Është e njëjta arsye që shpjegon se përse shumë evropianë, të verbuar nga miti i revolucionit, kanë menduar se qe një meritë e madhe e Kubës të përfaqësonte, për vite me rradhë, një fener, një shëmbull të ndritshëm të një (vetë) “çlirimi”, për një kontinent latino-amerikan të shtypur nga diktaturat ushtarake. Qe një lajthitje e madhe. Fatet e Amerikës Latine u përmirësuan ndjeshëm kur, mbasi u shemb Bashkimi Sovjetik, nuk qëndronin më arsyet gjeopolitike që, më parë, kishin shtyrë Shtetet e Bashkuara të mbështesnin diktatura të ndryshme latino-amerikane, në funksion kundër-sovjetik e kundër-komunist. Vetëm atëherë erdhi “çlirimi” (por jo për Kubën).

Ka edhe një arsye tjetër. Vlen sigurisht për Italinë, një nga Vendet evropiane, traditat politiko – kulturore të së cilës kanë disa ngjajshmëri me ato latino-amerikane. Mjafton të shihet për rreth : tek ne “peronistët”(të djathtë e të majtë) janë gjithënjë në numur të madh. Është një Vend, i yni, në të cilin vërtiten shpesh ide të turbullta mbi çfarë është demokracia, dhe cilat janë kërkesat e saj të domosdoshme. Për disa, si shembull, demokracia nënkupton “miratimin e popullit”, ose të shumicës së tij dërmuese. E gabuar. Edhe diktaturat mund të gëzojnë miratimin e shumicës, së paku në disa faza historike. Sepse shprehu këtë për fashizmin italian Renzo de Felice qe objekt i linçimit moral. Qe sepse linçuesit nuk e dinin aspak se nuk është “shkalla e miratimit të popullit” që vendos nëse kemi të bëjmë me një demokraci apo me një diktaturë.

E vendosin atë dy kushte : së pari mbrojtjet ligjore e qenësore që gëzon pakica, bashkësia e atyre që kritikojnë qeverinë, e së dyti, prania e rregullave të lojës që i japin mundësi qytetarëve të përzenë apo të zëvëndësojnë qeveritarët. Kuba e Kastros nuk ka gëzuar asnjërin prej këtyre kushteve. Atëherë përse kaq nderim kundrejt një diktatori? Ka qëndruar aq gjatë në pushtet për arsyen e thjeshtë se asnjëri nuk mundëte t’a përzinte.

Por, thuhet, diktatura kastriste ka patur edhe merita. Në sigurinë se ka qenë një katrahurë, si nga pikpamja politike ashtu edhe ekonomike (të shihet artikulli shumë i arrirë i Angela Nocioni-t tek Fleta e 30 nëndorit), ndonjë meritë – për shembull, në fushën e arsimit – e ka patur. Me që në botë ka gjithmonë drita dhe hije, ndodh që edhe diktaturat mund të mburren me këtë apo atë meritë. Por kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me natyrën e regjimit.

A mund të kufizohemi duke i trajtuar si folklor disa deklarata mbi vdekjen e Fidelit ? Jo, plotësisht. Jo, mbi të gjitha sepse n’Evropë demokracia është përsëri e kërcënuar nga forca në ngritje që nuk e fshehin pakënaqësinë e tyre për detyrimet dhe kufijtë që demokracitë liberale venë në të vepruarit e atyre që deklarojnë se interpretojnë “vullnetin e popullit”. Për këtë është aq e rëndësishme të ngulet këmbë mbi hapësirën, edhe morale, që ndan demokracitë nga diktaturat. Edhe këto të fundit, si të dala nga revolucionet, po ashtu si edhe nga grushtet e Shtetit, mëtojnë se veprojnë gjithmonë në emër të popullit. Me përfundime përgjithësisht shumë të këqija, në Kubë e kudo.

Marrë nga “Corriere della Sera”, 1 dhjetor 2016

 

SHËNIM I PËRKTHYESIT

Shkrimi i profesorit të Fakultetit të Shkencave politike të Univeritetit të Bolonjës, Angelo Panebianco, njërit ndër intelektualët më të spikatur liberalë të botës kulturore italiane, “Nderimet Kastros – një fyerje për demokracinë”, mund të them pa mëdyshje se është një nga artikujt më të goditur, të prerë, objektivë e mësimdhënës, që kam lexuar në shtypin italian gjatë një të katërt qindvjetori.

Shkrimi  është një Lectio magistralis, e zhveshur nga terminologjia e “korrektësisë politike”, karakteristike për gjuhën e zakonëshme diplomatike të së majtës evropiane gjatë shtatë dhjetëvjeçarëve të fundit, e me një thjeshtësi e saktësi mahnitëse trajton tema themelore për botën e sotme, duke marrë shkas nga kundërveprimet e ndryshme t’asaj bote kundrejt ndërrimit jetë të diktatorit kuban. Nuk është e lehtë të shtjellohen në një hapësirë kaq të vogël sa ç’është ky artikull, ato ide e koncepte themelore për të hyrë në vetëdijen historike të një epoke të ndërlikuar e të keqinterpretuar deri në tjetërsim, si ajo e mbas luftës së dytë botërore. Duhet një pendë e fortë, një kurajë qytetare për të shkuar kundër rrymës e, mbi të gjitha duhet një ndershmëri intelektuale, për të pohuar në mënyrë bindëse, siç bën autori, se historiografia e asaj periudhe vuan nga një simptomë e rëndë patologjike, mbi të cilën duhet vepruar, mbasi rrezikon t’u japë brezave t’ardhshëm një përceptim të rremë e të shtrembëruar t’epokës së gjyshërve e baballarëve të tyre.

Autori, i cili është bashkëpuntor i mjaft enciklopedive, ka shkruar për to kapituj të rëndësishëm. Mund të kujtohen ndër to ata me tituj : “Lufta”, Shkenca e politikës” dhe “Politika” për Enciklopedinë e Nëntëqindit (1998, 2000, e 2004). Ka shkruar libra të ndryshëm e parathënie të veprave të politologëve të shquar si Aron, Bull, Buzan, etj.

Shkrimi që përktheva m’u duk tepër i përshtatëshëm edhe për lexuesin shqiptar. Nëse interpretimi i dukurive historike në Perëndimin e zhvilluar lë shteg për diskutime e krijon zbrazëti informative, në Shqipërinë tonë mbetet, ende mbas një të katërt qindvjetori “demokracie”, një problem, jo vetëm i pazgjidhur, por që është tepër shqetësues për edukimin e brezit të ri, mbasi tekstet e shkollave kanë mbetur robër të klisheve të historiografisë së regjimit komunist. Të gjitha problemet që shtron profesori i mirënjohur bolonjez në shkrimin e tij, në Vendin tonë ngrihen në fuqi kubike. Dy peshat e dy masat, në gjykimin e krimeve të nazifashizmit e të komunizmit, mbeten një kostante, jo vetëm e politikës, por edhe e shkencave historike e shoqërore.

Bëjnë përjashtim këtu, fatmirësisht, përpjekjet e lëvdueshme të disa studjuesve e gazetarëve si Kastriot Dervishi, Admirina Peçi, Ҫelo Hoxha etj.,  që hulumtojnë me sukses  në arkivat e Shtetit apo organeve të tij të dhunës, duke botuar fashikuj të tërë e libra të materialeve që pasqyrojnë të vërtetën historike të luftës dhe të mbas luftës. Këta njerëz, ndoshta më shumë se e gjithë aradha e artikullshkruesve, ku hyn edhe i nënëshkruari, meritojnë mirënjohjen e përgjithëshme për punën e tyre të dobishme në drejtim të ndriçimit të së vërtetës historike shqiptare të tre çerek shekullit të fundit.

Konceptet liberale mbi demokracinë, që na paraqet profesori 68-vjeçar italian, janë piketa të rëndësishme të mendimit shoqëror edhe për ne, madje duhet të jenë edhe shtigje udhërrëfyese jo vetëm për studjuesit por, kryesisht, për klasën politike, e cila ka nevojë të domosdoshme të përmirësojë e të rifreskojë idetë e saj. Do të theksoja një frazë nga shkrimi i përkthyer : “Është aq e rëndësishme të ngulet këmbë mbi hapësirën, edhe morale, që ndan demokracitë nga diktaturat”. Ngjarjet e fundit, sidomos rrahja e mendimeve në lidhje me dekorimet e ndryshme, tregojnë se ne jemi larg pohimit të këtij parimi të rëndësishëm. Malli për simbolet dhe “personalitetet” e diktaturës, i shfaqur jo rrallë edhe nga njerëz me moshë relaivisht të re në shoqërinë tonë, është tregues i faktit se rrënjët e “ançarit” të helmuar të saj janë ende të gjalla në trupin e tharë të saj. Titulli i këtij  shkrimi dhe ideja që shpreh, pavarësisht se emri i Kastros mund të këmbehet me secilin nga ish kolegët e tij, përfshirë këtu edhe Enver Hoxhën, duhet të hyjnë thellë në vetëdijen tonë e të jenë një gur themeltar në mendësinë liberale, që duhet të ndriçojë rrugën tonë për sot e për t’ardhmen.

Mendoj se, edhe në emër të lexuesve shqiptarë, është e drejtë të falënderojmë profesorin e nderuar, Angelo Panebianco, për leksionin e tij, aq të dobishëm jo vetëm për opinionin publik të Italisë së tij, por më shumë për atë tonin, i cili lëngon më tepër se të tjerët nga dogmat e së shkuarës komuniste.

Dhjetor 2016 Eugjen Merlika     

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, NDERIMET REGJIMIT TË KASTROS – NJË FYERJE, për demokracinë!

Sami Repishti: LOTË-LAVDI E LUMNIM

December 8, 2016 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/Kohët e fundit më ka mbërrijtur libri me titull: Lotë-Lavdi e Lumnim, i Autorit, Profesorit, Mbrojtësit të të Drejtave të Njeriut, Aktivistit të palodhur të komunitetit shqiptaro-amerikan për çështjet kombëtare dhe ish-të burgosurit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, Z. Sami Repishtit.  

1-repishti-2Libri, që Profesori i nderuar dhe miku dhe kolegu i shtrenjtë pati mirësinë të më dërgonte, është botuar kohët e fundit nga “Botimet Françeskane” në Shkodër, me rastin e ceremonisë së Lumnimit të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar, më 5 nëntor, 2016.  Pikërisht këtyre martirëve u dedikohet kjo vepër, “Me mirënjohjen dhe respektin ma të thellë” nga vet autori, bashkvuajtës me shumë prej tyre në burgjet e Enver Hoxhës, me këtë motivacion: “Për 38 Martirët e fesë katolike dhe kolegët e tyne të masakruem nga terrori komunist, për atë madhështi të pa shkallë që përvujtënia falë vetëm për njerëzit e kushtuem, për atë qetësi që buron vetëm nga shpirti i qenieve njerëzore pa kërkesa, për atë hir që rrezatojnë vetëm ata që idenë e kanë afsh zemre e përpjekjen për atë ide, qëllim të vetëm të jetës së tyne…Shërbim për Zotin e krijesën e Tij, që unë dëshmova gjatë viteve të burgut të përbashkët!”, shkruan Profesor Repishti në dedikimin e librit kushtuar martirëve të lumnuar kohët e fundit nga Papa Françesku.

Në librin e tij të ri, Lotë-Lavdi e Lumnim, autori flet edhe për marëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shqiptarëve me Vatikanin, ndonëse ky nuk është qëllimi kryesor, libri i ofrohet lexuesit shqiptar në trojet tona në Ballkan dhe në mërgim, ndoshta rastësisht me rastin e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-Vatikan, që fillim javën e kaluar u shënua me një konferencë në ambientet e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.  

Profesor Sami Repishti ka lindë në Shkodër ku ka kryer studimet e mesme ndërkohë që gjatë viteve 1939-1944 u angazhua në  rezistencën kundër pushtimit të huaj, por pa antarësim partiak.  I zhgënjyer nga propaganda dhe terrori që ushtrohej nga Partia Komuniste Shqiptare duke filluar nga viti 1945, Z. Repishti vendosi të merrte një qendrim të prerë ndaj regjimit të ri duke kundërshtuar diktaturën komuniste.  Si rrjedhim ai arrestohet në vitin 1946 dhe pas 14 muaj torturash të egëra nga ish-Sigurimi i Shtetit dënohet me 15 vjet burg dhe punë të detyrueshme, nga të cilat bëri 10-vjetë në birucë.   Lirohet në vitin 1956 dhe arratiset në vitin 1959, duke arritur më në fund në Shtetet e Bashkaura të Amerikës, në vitin 1962.  Si një shënjë e Providencës Hyjnore, për më shumë se gjysëm shekulli, Profesor Sami Repishti edhe sot vazhdon misionin e tij profetik, në mbrojtje të të drejtave të njeriut për të gjithë dhe kudo dhe sidomos në mbështetje të klerit katolik shqiptar, të vuajtur, të vrarë e të persekutuar, që si i ish burgosur politik, ishte mik i ngushtë i shumë prej këtyre klerikëve, viktima të komunizmit me të cilët përjetoi ferrin në burgjet komuniste.  Ai edhe sot refuzon të heshtë për ato që ka parë dhe ka përjetuar, për të cilat ende vazhdon “për me tregue”.  

Si viktimë e komunizmit vet, Profesor Repishti, shkruan se, Zoti e deshi që të njoh mjaft prej viktimave në burgje e kampe.  Ai kujton me respekt disa prej atyre viktimave të listës së gjatë të klerikëve katolikë që i ka njohur në burgje: “Aristokratin’ me sjellje e mendim, Dom Mikel Koliqin, kardinalin e ardhëshëm, i heshtun, kryenaltë për vuajtjen që e mbuloi. At Frano Kirin, ‘burrë si motit’, i pa frikë, i pa përkulshëm.  At Donat Kurtin, i përvuejtun, punëtor si bleta”, i cili në mfshehtësi përkthente shqip Testamentin e Ri nga frëngjishtja dhe konsultohej me me mue për gjetjen e fjalës më të përshtatshme”, shënon Profesor Repishti.  Ai kujton edhe bashkvuajtaës të tjerë klerikë, përfshirë “At Aleks Baçlin, gjithëherë i buzqeshun”, At Çiprian Nikën (“Vuajtja o biri im, e ban fitoren ma fisnike!”) dhe ndër të tjerë edhe Dom Ndoc Sumën, i cili sipas autorit, “I plakun e i hutuem, u arrestue në mengjez, u dënue mbas dreke me 20-vjetë burgim, e i cili bënte be se “Pasha Krishtin nuk di pse më kanë arrestue”.  

Në një prej kumtesava të përfshira në libër, Profesor Repishti shkruan se për “Xhelatët ekzekutues nuk kishte rëndësi fakti se klerikët e martirizuar, në të vërtetë, përbënin kolonën vertebrore të një shoqërie shqiptare të organizuar për qëndresë në kryengritjet kombëtare që nga Skënderbeu e deri në Ditën e Pavarësisë, që ky grup i veçantë mbajti gjallë shqiptarizmin për pesë shekuj robënie otomane, që ky grup i veçantë lavroi gjuhën shqipe dhe e mësoi atë në shkolla…se historia e kombit shqiptar nuk njeh nji rast të vetëm kur kleri dhe besimatrët katolikë të mos kenë qenë pjesëmarrës, e në shumë raste udhëheqës në kalvarin shumë shekullor të vendit tonë e në luftat kundër anmiqve kërcënues, e tashti vonë në forcimin e nji Shqipnie të lirë që përpiqet me qenë europiane”, shprehet Profesori.

Është e pamundur që këta martirë të cilëve u është dedikuar libri dhe Kisha Katolike Shqiptare në përgjithsi, të kishin një mbështetës më të fortë, një njeri të penës më të zotin dhe një zëdhënës më të angazhuar dhe më të dedikuar për kauzën e tyre humane se sa Profesor Sami Repishtin.  Ai me të drejtë e cilëson veten si “njëni nga legjoni i madh i viktimave të gjalla”, ndërsa shkruan se, “përvoja ime më detyron me marrë nji ‘angazhim’, cilësi e vjetër që nga ditët e profetënve biblike”, duke e ndjerë përgjegjësinë — me bashkvuajtësin e tij, At Zef Pllumin, “Rrno vetëm për me tregue” — si një “imperativ kategorik moral”.  Profesor Repishti ka filluar të tregojë shumë histori ç’prej fillimit të 1960-ave të shekullit të kaluar dhe falë të Madhit Zot nuk ka të ndalur në këtë mision, ekzaktërisht si një profet biblik me një mision të shënjtë.  Një numër i këtyre tregimeve janë përfshirë në librin, Lotë-Lavdi e Lumnim, të botuara më heret në media të ndryshme ose mbajtur si referate konferencash nga Profesor Repishti, vetëm e vetëm, për angazhimin e tij të përkushtuar, “për me tregue”, si ndër dëshmitarët e pakët të gjallë të këtyre krimeve të tmershme.  “Me tregue”, shkruan Profesori ynë, “vuajtjet e vështira të ‘hetuesisë’ në qelitë e errëta të ish-Sigurimit të Shtetit, vitet e gjata në burgjet e errëta mesjetare, stinët e pandërpreme në punë të detyrueshme, dimën e verë në moçale e në punime betoni nën kamxhikun e policëve idiotë dhe oficerëve kriminelë sadistë prej natyre e specialistë për torturë, të mësueme nga kurset e nëndheshme, larg na drita e diellit, larg nga sytë e botës”.  

Profesor Repishti shkruan se si dëshmitar okular i atyre krimeve çnjerzore në burgjet e Enver Hoxhës, ai e ndjenë veten të detyruar moralisht, “që të flasë haptas sepse heshtja ashtë e pa pranueshme”, shton ai, dhe se, “me folë do të thotë me thanë të vërtetën, që pa qenë absolute, për arsye të kontekstit që e përmban, ashtë shprehja e nji dëshmitari me të gjithë vlerën që ajo mund të ketë.”

Në një kumtesë mbajtur në një konferencë mbi “Krishtërimin në Shqipëri” dy vjetë më parë, Sami Repishti është shprehur se “Martirizimi i klerit shqiptar dhe sidomos i klerit katolik nuk mund të ketë qenë i paqëllimshëm.  Por, sakrificat e tyne do të njohin vlerësimin e tyne të plotë dhe mirënjohjen e përhershme, vetëm atëherë kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyne, do të pasunojnë mendimin tonë dhe do të udhëheqin veprat e bashkatdhetarëve të tyne në të ardhmen”.   Në këtë këndveshtrim, libri i Profesor Repishtit është një mjet i dobishëm për brezin e ri për të njohur më mirë të kaluarën e krimeve regjimit komunist kundër popullësisë së vet të pafajshme, me shpresë se nuk do të përsëriten më.

Profesor Sami Repishti pohon në librin e tij më të fundit, Lotë-Lavdi e Lumnim, se arsyeja se pse ai shkruan për viktimat e komunizmit është, “Sepse jam viktimë e pafajshme e regjimit të krimit dhe kriminelit komunist dhe se denoncimi i tyne justifikon mbijetesën time.”   Por, ai shton se megjithkëtë, “Tragjedia komuniste në Shqipëri nuk është diçka vetëm personale megjith pasionin tim me demaskue dhe me dënue…tragjedia komuniste ka përpjestime universale dhe si e tillë është tragjedia e njerëzimit… një tragjedi që na ka bindë sa të aftë jemi na me damtue njani tjetrin.”  Autori citon shkrimtarin francez Albert Camus, i cili ka thënë se i vetmi qëndrim ndaj një bote jo të lirë është të jetosh një jetë aq të lirë sa që vet ekzistenca e juaj është një akt rebelimi.  Profesor Sami Repishti përfundon duke thënë se, “Ky është imperativi që na detyron me luftue çdo çfaqje që mund të sjellë përsëri tragjedi të reja.  Prandaj shkruej, flas, denoncoj të keqen e madhe: komunizmin”, shkruan ai.

I nderuar Profesor, për këtë qendrim, historia shqiptare do t’u jetë mirënjohëse,  përfshirë këtë libër dhe vepra të tjera si kjo, si dhe për kontributin tuaj prej më shumë se një gjysëm shekulli në mbrojtje të të drejtave të njeriut për shqiptarët në trojet e veta, si mbrojtës i të pafajshëmve, si zëdhënës i atyre që nuk mund të flasin më dhe si një zë gjithmonë aktual për të zgjuar nga heshtja ndërgjegjen morale të kombit shqiptar.   Në veçanti, viktimat e komunizmit, të gjallë e të vdekur, përfshirë martirët e Kishës Katolike shqiptare të cilëve ua kini dedikuar këtë libër, u janë mirënjohës përgjithmonë që të vazhdoni të shkruani dhe të flisni të vërtetën dhe si përherë të denonconi të keqen, me ndershmëri dhe guxim civil, ashtu siç e kini zakon.  Shpresojmë që libri, Lotë-Lavdi e Lumnim, të jetë një kontribut i rëndësishëm për brezin e ri që të mësojë dhe ta kuptojë më mirë të kaluarën, duke shpresuar që t’i kujtojë gjithmonë qelitë e errëta të torturës dhe kampet e vdekjes të regjimit komunist në Shqipëri, të cilat ju dhe bashkvuajtsit tuaj i kini përjetuar.  Ashtuqë, siç shpreheni edhe ju, me shpresë se brezi i ri i shqiptarëve do të ndërtojë një të ardhme më të mire jo vetëm për për veten dhe për fëmijtë e tyre, por edhe për prindërit e tyre të cilët, “sot vuajnë nga pesha e fajit të heshtjes”.  

Shpresojmë me ju, i dashur Profesor se vëllëzrit dhe motrat tona shqiptare kudo, po hyjnë në një fazë të re të “burrënimit shpirtëror”, me besim të patundur në Zotin — se punët e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar do të shkojnë mirë e më mirë, siç është shprehur Kardinali i parë shqiptar Mikel Koliqi.   Shpresojmë, madje edhe kundër shpresës, pasi shpresa nuk vdesë kurrë, ose vdes e fundit.

Filed Under: Histori Tagged With: E LUMNIM, Frank shkreli, LOTË-LAVDI, Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2338
  • 2339
  • 2340
  • 2341
  • 2342
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT