• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TE FESTOSH ME VATREN RESPEKTON HISTORINE KOMBETARE

November 23, 2016 by dgreca

*TE DIELEN, ME 27 NËNTOR-VATRA DO TA KREMTOJË FESTËN E FLAMURIT NE EASTWOOD MANOR
riku

VATRA FESTEN E FLAMURIT DO TA KREMTOJE ME FREDERIK NDOCIN DHE ARTISTË TË FTUAR NGA VENDLINDJA/

newspaper-dielli-october-2016-faqe-3

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES”VATRA” PREJ 104 VITESH E FESTON ME DINJITET FESTEN E FLAMURIT. BASHKOJUNI ME NE QE TE RUAJME TRADITEN.HISTORIA NUK FILLON SOT. KUJTESA MBANE GJALLE HISTORINE TONE KOMBETARE. VATRA, E KRIJUAR 7 MUAJ PARA PAVARESISE, I PRIU PAVARESISE…ME NE JANE BASHKUAR : BASHKESITE FETARE, RRENJET SHQIPTARE, LEGALITETI, CAMERIA, RUGOVA, ALBANIAN AMERICAN OPEN HAND ETJ….GRUPI MUZIKOR I TE TALENTUARIT FREDERIK NDOCI DO T’JU ARGETOJE ME MUZIKE NGA TE GJITHA TROJET KOMBETARE.

Filed Under: Featured Tagged With: Festen e Pavaresise, Festoni Me Vatren

POST SCRIPTUM I “SAMITIT” TË DIASPORËS

November 23, 2016 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

1-frank-shkreli-300x150

Nuk dua të komentoj mbi suksesin ose dështimin e pjesëshëm ose të tërë të “samitit” që u cilësua si i pari i diasporës që u mbajtë javën e kaluar në Tiranë, pasi nuk isha i pranishëm dhe nuk dua të bëjë gjykime ose vlerësime nga kjo anë e oqeanit, megjithse në median shqiptare janë shfaqur vlersime në favor dhe kundër.  Vetë Kryeministri Rama kërkoi falje për mungesat që mund të kenë ndodhur në organizimin e samitit.  Por, pa marrë parasyshë përfundimet në të cilat kanë ardhur organizuesit a po edhe kritikët mbi suksesin ose jo të “samitit” të diasporës në Tiranë, unë siç e kam theksuar edhe më heret, besoj gjithnjë se organizimi i një takimi të tillë ishte më se i nevojshëm, ndonëse i vonuar, për derisa takimi   – për nga qëllimi dhe përmbajtja – do të ishte mbarë kombëtar dhe gjithpërfshirës, pa dallime, sidomos pa dallime politike midis diasporës së vjetër dhe asaj të 25-viteve të fundit.

“Samiti” i ashtuquajtur i parë, nuk është një ide e re dhe as i pari.  Pa dashur të tregohem kritik ndaj këtij takimi në kryeqytetin e shqiptarëve, deshta të  ve në dukje një fakt historik dhe të shënoj se “samiti” i Tiranës, në të vërtetë, nuk është takimi i parë i diasporës, ashtu siç u cilësua nga organizuesit dhe nga disa prej folësve në tubimin e Tiranës.  Në një dokumentar që u shfaq në fillim të punimeve të “samitit” në Tiranë, u pohua në një referencë në kalim dhe shkurt, se “Krerët e diasporës shqiptare u takuan në audiencë solemne me Papa Palin e VI, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut”, prillin e vitit 1968.   Por nuk u tha se kush ishin këta krerë, ose kush ishte organizatori i kësaj nisme, megjithse dokumentarit nuk i mungonin emëra të njohur dhe të panjohur, të rëndësishëm dhe jo aq të rëndësishëm të diasporës së vjetër dhe të re dhe nuk u tha se kush në fakt e organizoi atë takim të parë nga mbarë mërgata e atëhershme, përfshirë Arbëreshët e Italisë, e që u mbajt 48-vjetë më parë në kryeqytetin italian.  Duket se ishte tepër e pa pranueshme që nismëtarët e “samitit” të diasporës në Tiranë të përmendnin në dokumentarin e tyre për mërgatën, emërin e Profesor Ernest Koliqit, nismëtarit dhe organizatorit të takimit të përfaqsuesve të mërgatës në Romë.

Fatkeqsisht, duket gjithashtu se hendeku i thellë ideologjik është vështirë të ngushtohet, lere më të zhduket në Shqipërinë tonë të sotëme, bile edhe 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, influencoi edhe organizimin e “samitit” të fundit në Tiranë.   Sa për dijeni të lexuesit, krye-organizatori i kësaj nisme, në të vërtetë të takimit të parë të mërgatës”, ishte Profesor Ernest Koliqi, por të cilit nuk iu përmend emëri në dokumentarin e shfaqur në “samitin e diasporës” në Tiranë, si nismëtari i takimit të parë të mërgatës shqiptare.  Ernest Koliqi,  ishte ai i cili me punë të rëndë dhe me mbështetjen e Vatikanit dhe të një grusht shokësh të tij të ngushtë bëri të mundur grumbullimin e parë të mërgimtarëve të atëherëshëm në Romë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe.   Jo vetëm që ai takim u organizua shumë mirë, por nga të gjitha vlerësimet e pjesëmarrësve, bazuar në rrethanat dhe mundësitë e kohës, mërgata e vjetër shqiptare, ndonëse “pa plang e pa shtëpi, pa dallim partie a krahine” — siç do t’i përshkruante Karl Gurakuqi pjesëmarrsit në atë tubim të parë të mërgatës – me atë tubim i tregoi botës me dinjitet se kush në të vërtetë ishin shqiptarët dhe kush ishte Heroi i tyre Kombëtar.  Ernest Koliqi me bashkpuntorët e tij,  organizuan takimin e parë të diasporës në Romë në prill të vitit 1968, në frymëm dhe në kujtimin e të, “Gjithëmonshmit të fisit tuaj, (Gjergj K astriotit Skënderbe) i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka venë vlerat  e trashëguara të besës, të nderit e të burrënisë”, siç është shprehur në tubimin e parë të mërgimtarëve shqiptarë nga bota e lirë, Papa Pali i VI, në pritjen që u pat bërë  mërgimtarëve shqiptarë në Vatikan.  

Do të ishte mirë që faktet historike të mos nepërkëmbën dhe të mos injorohen, vetëm e vetëm, se disave për arsye ideologjike dhe politike nuk u pëlqejnë  protagonistët e këtyre fakteve.  Organizimi i takimeve si ai i “Diasporës Shqiptare” që u mbajt në Tiranë duhet të ishin larg ndikimeve dhe prapaskenave politike.   Vet i ndjeri Profesor Koliqi do të thonte në lidhje me këtë, ndoshta edhe me pak cinizëm, se gjithçka në botë lëvizë e ndryshon, veç në Shqipni mjerimi mbetet i njëjtë, madje edhe kur ai ndryshon ngjyrën.  Me këtë nuk besoj se Koliqi kishte në mend mjerimin ekonomik!  Nuk është për tu habitur se Shqipëria komuniste kishte refuzuar të dërgonte ndonjë përfaqsues të saj në kremtimet e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skëndërbeut në Romë, por sot 25 vjetë post-komunizëm në Shqipëri nuk duhet të ketë dallime dhe paragjykime të tilla.

Në të vërtetë, në mbledhjen e parë të mërgatës në vitin 1968 në Romë, takimi me Papa Palin e VI në Vatikan ishte vetëm një pjesë e ceremonive me rastin e këtij përvjetori të madh për shqiptarët dhe ishte rasti i parë që Arbëreshët e Italisë dhe pjesëtarë të mërgatës shqiptare nga e mbarë bota e lirë, kryesisht të pas Luftës së dytë Botërore — nga Amerika e deri në Australi – ishin mbledhur në Romë për të përkujtuar heroin e madh të shqiptarëve.  Takimi me Papa Palin e VI dhe fjalimi i tij drejtuar shqiptarëve me atë rast, ishin kulmi i festimeve kastriotjane prej katër ditësh të diasporës shqiptare, por nuk munguan as ceremonitë, ligjëratat akademike dhe shfaqjet kulturore që u mbajtën me këtë rast, anë e mbanë Romës.   

Duhet të theksohet se ndonëse edhe mërgata e asaj kohe ishte e ndarë në disa parti dhe organizata politike të ndryshme, takimi i parë i saj në Romë të Italisë, në kujtim të 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbe, nuk përbënte ndonjë  pengesë politike që ndër pjesëmarrësit në atë takim historik të përfshiheshin përfaqsuesit më të dalluar, të djathtë e të majtë të politikës së diasporës së atëhershme shqiptare.  Në një shkrim të Karl Gurakuqit mbi pjesëmarrjen në takimin e parë të mërgimtarëve shqiptarë në Romë më 1968, botuar në revistën  “Shëjzat” e Ernest Koliqit, shënohet se në kryeqytetin italian kishte shkuar ajka e mërgatës shqiptare të pas luftës.  Merrte pjesë Dhimitër Berati, njëri prej nënshkruesve të Pavarësisë së Shqipërisë, publicisti dhe politikani i njohur shqiptar i fillim shekullit të kaluar.  Nga Amerika, përfaqsues të Federatës Pan Shqiptare Vatra, Anthony Athanas, Christo Thanas, Peter Chikos, Prof Nelo Drizari, Dr. Hamdi Oruçi, e të tjerë.   Komiteti Shqipëria e Lirë përfaqsohej ndër të tjerë, nga Dr. Nexhat Peshkopia.  Aty ishin gjithashtu përfaqsuesit e Ballit Kombëtar, profesorët Abaz Ermeni e Vasil Andoni, Zef Pali e Sulejman Meço.   Natyrisht, organizatori i tubimit të parë të diasporës, Prof. Ernest Koliqi, Kapidan Ndue Gjomarkaj, Profesor Martin Camaj, dr. Ismail Verlaci, dr. Vehbi Frasheri, dr. Ragip Frasheri, piktorët Ibrahim Kodra e Lin Delija dhe Tahir Zajmi, ish-sekretar i Bajram Currit, e shumë e shumë të tjerë.  Burra të tillë të kombit ishin me dyzina nga radhët e intelektualëve të mërgatës politike shqiptare të pas luftës që morën pjesë në takimin e parë të diasporës shqiptare, të gjithë së bashku në ceremoninë fetare në Kishën e Madhe të Shën Pjetrit për të nderuar Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin, megjithse dihesh se mosmarrveshjet politike midis tyre ishin të dukshme dhe shpesh tepër të theksuara.  Por të përbashkët kishin jo vetëm Gjergj Kastriotin Skënderbe dhe vlerat e tija kombëtare, por edhe vuajtjet nepër të cilat përshkohej Shqipëria komuniste e atyre viteve dhe familjet e tyre atje.  Karl Gurakuqi shkruante se gjatë takimit të parë të mërgatës shqiptare në Romë, në vitin 1968, “Mendja e jonë fluturonte atje larg në Shqipni. Na u përfytyrojshin kishat e rrenueme e të djeguna, shërbëtorët e Perendisë të përndjekun, të vramë, të pushkatuem, të kalbun nepër burgje, të tallun e të nepërkambun…na dilshin përpara vuejtjet e të pafajshëmve, lotët e nanave të mbetuna pa djelm.  Shifshim Atdheun në futa të zeza.”

Fatbardhësisht,  me shëmbjen e Murit të Berlinit, shumë gjëra kanë ndryshuar për më mirë ç’prej takimit të parë të  mërgatës shqiptare në Romë.   Diaspora shqiptare sot anë e mbanë botës, është shumë më e madhe dhe më e përhapur dhe në shumë aspekte edhe më e zhvilluar se kurrë më parë.  Shkon e vjen lirisht në Atdhe dhe kryesisht e ndjenë veten si një degë e pandarë e trungut të kombit shqiptar.  Si të tillë besoj se shumica e jonë dërmuese ia duam të mirën Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithsi, pa marrë parasyshë se kush udhëheqë atje.  Besoj se flasë për shumë pjesëtarë të diasporës shqiptare, të vjetër e të re, kur them se mbi të gjitha duam ta shohim Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë shqiptarët në trojet e veta, të nderuar dhe të respektuar në botë, por edhe të përparuar shoqërisht, politikisht dhe ekonomikisht në trojet e veta, ashtu që ata të jetojnë sa më të lumtur në tokën e vet në Ballkan.  Ne nuk duam që të na shtohen radhët në mërgim se jemi mjaft në diasporë dhe nuk duam të boshatisen trojet shqiptare.  Bota e re shqiptare e shekullit 21 — Shqipëria, Kosova dhe Diaspora — në nismat e tyre duhet të jenë të pandashme dhe gjithpërfshirse, pa marrë parsyshë dallimet midis tyre, madje edhe mosmarrveshjet politike   midis brezave të ndryshëm.  Nuk duhet patur frikë nga njëri tjetri, sepse as Shqipëria, as Kosova dhe as Diaspora, si njësi të vetme nuk do të mund të krijojnë botën e re shqiptare të shekullit 21.  Bota e re shqiptare nevojitë  një kulturë të re politike, nevojitë bashkpunim dhe tolerancë ndaj njëri tjetrit në trojet shqiptare dhe në diasporë.  Nevojitet një bashkjetesë vëllazërore midis shqiptarëve, pa marrë parsyshë ku jetojnë ata dhe cilat janë pikpamjet e tyre politike, në përputhje kjo me frymën e kohës moderne të fillim shekullit 21.   Nëqoftse në këtë botë të re, objektivi është ringjallja e kombit shqiptar, atëherë, nevojitet bashkpunimi me forcat më të shëndosha të tija, kudo qofshin ato dhe çfardo pikpamjesh te kenë.  Prandaj, “samiti” që sapo u mbajt në Tiranë dhe “samitet” e diasporës shqiptare që mund të mbahen në të ardhmen, do të konsiderohen të suksesshme — jo për nga investimet që mund të bëjë diaspora në trojet shqiptare, ndonëse edhe ato janë të nevojshme dhe të rëndësishme — por për nga aftësia e organizatorëve, që me respekt  dhe tolerancë për mendimet e njëri tjetrit dhe të tjerëve, të bëjnë të mundur harmonizimin e pikpamjeve të rrymave të ndryshme politike të pjesëmarrësve në ato takime, për të mirën e përbashkët të kombit.  Me qëllimin për të pasuruar dhe për të lartësuar emërin e shqiptarëve në botë, ashtu siç bëri takimi i parë i diasporës shqiptare me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në prill të vitit 1968 në Romë.  “Kjo dëshirë, me e pa vendin tonë mirë të mbarshtruem e të maturuem politikisht mbi baza drejtësie shoqënore, do të mbette ndiesi e thatë, po nuk u shëndrrue në shkas përpjekjeje e vrull veprimtarie që shëndërron dëshirën në realitet”, ka thënë organizatori i takimit të parë të diasporës shqiptare, Profesor Ernest Koliqi.  Shpresojmë që “samitet” e ardhëshëm të bëjnë realitet faktin se mërgata shqiptare, pa dallime dhe paragjykime politike, do të bëhet pjesë e pa ndarë e botës së re shqiptare të shekullit 21.  Kjo është në dorë të Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare.  Ka ardhur koha pra që, sidomos në Shqipëri, të zhduken paragjykimet enveriste mbi “mërgatën e qyqeve” të Nasho Jorgaqit.  Pa marrë parasyshë se ç’mendojnë jorgaqët e kësaj bote, atëherë dhe sot, Diaspora Shqiptare ishte dhe është pjesë e pa ndarë e trungut të kombit shqiptar. Si gjithmonë gjatë historisë, Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për të.  Ato kanë nevojë për mbarë diasporën shqiptare në përgjithësi dhe jo për individë ose grupe të caktuara që nuk përbëjnë as nuk përfaqësojnë pjesën dërmuese të mërgatës si një njësi të vetme.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, POST SCRIPTUM I “SAMITIT”, te diaspores

ISH URDHERVRASËSIT TANË JANË NË KRYE

November 23, 2016 by dgreca

Në kuadrin e 70 vjetorit/

 *Këto nuk duhen harruar: ish vrasësit tanë, ata që urdhëronin kryerjen e masakrave nga më të tmerrshmet apo pinjollët e tyre të jenë në krye të politikës dhe shtetit shqiptar. Ata kanë zaptuar  kreun e disa institucioneve gjoja të pavarura, si Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithëshme dhe gjithë rrjetin e drejtësisë në vend. /

1-reshat-kripa

Nga Reshat  Kripa/*Jemi mbledhur sot në këtë tubim, për të nderuar emrat e pavdekshëm të martirëve të lirisë dhe demokracisë, ekzekutuar nga klika diktatoriale komuniste më 22 nëntor 1946.      Jemi mbledhur për të përkujtuar emrat e tyre, por  njëkohësisht edhe për të mos harruar. Me keqardhje konstatojmë se ende në Shqipëri, ish vrasësit tanë, ata që urdhëronin kryerjen e masakrave nga më të tmerrshmet apo pinjollët e tyre të jenë në krye të politikës dhe shtetit shqiptar. Ata kanë zaptuar  kreun e disa institucioneve gjoja të pavarura, si Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithëshme dhe gjithë rrjetin e drejtësisë në vend.  Ata i gjen pothuajse në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, në parlament, në administratën shtetërore,  madje edhe në disa shoqata që veprojnë në vendin tonë.      Ne nuk jemi për hakmarrje personale ndaj kriminelëve që na vranë dhe burgosën, nuk duam më gjak se boll është gjaku që kemi derdhur ne gjatë kaq viteve,  por kërkojmë që drejtësia të thotë fjalën e saj dhe të mos heshtë sikurse ka bërë gjatë këtyre njëzetetegjashtë viteve. Le të hapen pa hezitim dosjet e ish sigurimit të shtetit, por më parë krahas tyre duhet të hapen edhe ato të punonjësve të diktaturës komuniste, të drejtuesve të komitetetve të partisë komuniste, të shefave të kuadrit nëpër ndërmarrje dhe kooperativa bujqësore, të këshillave popullore të lagjeve dhe fshatrave si dhe gjithë institucioneve të tjerë të dhunës  politike. Hapja e tyre do të pastrojë politikën shqiptare nga llumi ku e kanë futur këta bastardë të sistemit të përmbysur.                              Ne duam të harrojmë të kaluarën e errët të vendit, për të parë drejt së ardhmes botërore të planetit tonë, që retë e zeza të së kaluarës na e pengojnë. Një gjë të tillë na e kërkojnë të rënët tanë midis të cilëve janë edhe këta martirë për të cilët jemi mbledhur sot, eshtrat e të cilëve akoma nuk dihet se ku ndodhen. Ata kërkojnë një varr dinjitoz, ku të afërmit e tyre të derdhin dy pika lot, apo të vendosin një tufë me lule. Një gjë të tillë na e kërkojnë edhe fëmijët tanë, që nëpër shkolla vazhdojnë të mësojnë ato që serviri propaganda komuniste për gati pesëdhjetë vjet.           Kjo është Shqipëria jonë sot.  Një vend ku nuk merret vesh se kush ishte paditësi dhe kush i padituri, kush ishte krimineli dhe kush viktima. Pothuajse të gjithë hiqen “të paditur” dhe “viktima”. E pra, janë pikërisht lakejtë e komunizmit ata që sjellin këtë kaos ku ndodhet vendi.

Ishte 8 nëntor 1946, ora 9:30, ditë e premte. Në sallën e kinemasë “17 Nëntori”    ( ish-“Nacionali”) ndodheshin shumë të pranishëm “të zgjedhur” në sallë. Fillon gjykimi kundër gjashtëmbëdhjetë anëtarëve të “grupit sabotator për tharjen e Kënetës së Maliqit”. Ishte “ditë e madhe, feste të madhe”. Ishte pesëvjetori i themelimit të një partie “të madhe”, që kërkonte kurban të madh. Mjerisht, ishte edhe fillimi i një tragjedie të dhimbshme e të përgjakshme, që do të vazhdonte gjatë… Altoparlantët përcillnin me gjithë fuqitë e tyre atë që ndodhte brenda. Flitej për një “krim të madh”, që do të merrte një ndëshkim gjithashtu edhe më të madh. Procesi zgjati dhjetë ditë. Sipas medies e shtypit, u ndoq në të gjithë Shqipërinë, madje dhe nga popujt fqinjë (ishim të rrethuar me Jugosllavinë socialiste motër) Trupi gjykues, argumenton akuzën e ngritur nga prokurori Nevzat Haznedari dhe jep vendimin: Dy me varje në litar, pesë me vdekje me pushkatim, disa të tjerë me burgim të përjetshëm e më poshtë. Natyrisht, ishte vetëm grupi i parë, se më pas do të vazhdonin pafundësisht arrestimet, vdekjet në tortura, pushkatimet e raprezaljet e familjeve të të gjithë atyre që kishin kryer shkollën amerikane të Fulcit dhe që sipas drejtësisë mjerane të diktaturës ishin prekur nga virusi i spiunazhit anglo-amerikan, ishin bërë agjentë të tyre. Po si qëndronte e vërteta?                                                                                                    Ja si është paraqitur ajo sipas vete Harri Fulcit dhënë në kujtimet e veta  përmes  së  bijës, Xhoanës.

“Gjykimi për gjoja tharjen e kënetës së Maliqit filloi pesë ditë para largimit të misionit amerikan nga Shqipëria. Dy nga të ekzekutuarit ishin ish-studentë të Shkollës Teknike, që u arrestuan për këto arsye:  Vinin nga familje patriotike të Vlorës, prandaj duheshin trajtuar si armiq të klasës. Të dy kishin vëllezër që kishin  shpëtuar  duke  ikur  ne  Itali  (Ymer  Sharra,  vëlla  i  Abdylit,  ishte gjithashtu ish-profesor i vjetër i shkollës teknike që në themelimin e saj). Duhej gjetur një kokë turku për të justifikuar dështimin e tharjes së kënetës, që me mburrje ishte premtuar se do të bëhej brenda tetë muajve. Gjyqi duhej të shërbente për diskreditimin e Fulcit dhe për të shmangur ndikimin e prestigjit amerikan e të Shkollës Teknike në pragun e kthesës që do të bëhej në të ardhmen.

 Kush martirizohej?…

Kujtim Beqiri, 30 vjeç nga Velça e Vlorës, bir i një familjeje patriotike (i ati pjesëmarrës aktiv në ngritjen e flamurit më 1912 dhe në luftën e Vlorës më 1920). Në vitin 1932 kryen Shkollën Teknike (dega elektrike). Në vitin 1940 përfundon me medalje të artë inxhinierinë civile, rruga-ura në Universitetin e Vjenës. Në korrik 1946 dërgohet në punimet e Maliqit. Pa kaluar as 3 muaj, fillojnë arrestimet, që nisin më parë me teknikët (Hans Vala, Mirush Përmeti, Pandeli Zografi, Eugjenio Skaturio, Mario Guernieri). Vijojnë me dorën e dytë: Mihal Stratobërdhen, Jani Vasili, mjeku italian Anastasio Riçio, për të përfunduar me inxhinierët Vasil Mano me të shoqen Zyrakën, Abdyl Sharrën e Kujtim Beqirin.

Si mund t’i shpëtonte Kujtim Beqiri skenarit, edhe pse nuk kishte as tre muaj në detyrë? Kishte qenë student i shkëlqyer në Vjenë dhe kishin kërkuar ta emëronin si pedagog atje. Për të vetë drejtori i Shkollës Teknike, Harri Fulc, duke shprehur simpatinë e madhe, i thoshte se “ti do të bëhesh si Benjamin Franklini”. Ishte ai që në vitin 1976 do të ishte i 22-ti “Yll i Universitetit të Vjenës” (në çdo 50 vjet zgjidhej një nga studentët e shkëlqyer), por mjerisht kishte 30 vjet që ai ishte varur nga bashkatdhetarët e tij këtu në Shqipëri. I vëllai, Skjarrim Beqiri, kujton:

 “Në atë kohë i them Kujtimit se «po arrestojnë shumë njerëz këtu dhe mund të të kapin edhe ty… Ka rrezik të të vrasin për të justifikuar mostharjen e kënetës në afatin e kërkuar». Ai m’u përgjigj: «Unë punoj 18 orë në ditë dhe s’kam pse të kem frikë. U ktheva në Shqipëri. Për sa i takon sabotimit që ti thua, mbaje mend mirë se asnjë teknik kurrë nuk e saboton veprën e tij, se në të ai ka nderin, dinjitetin, aftësinë e vet.”.

Pas dhënies së dënimit me varje në litar, më 19 nëntor, dëshmitarët tregojnë: “Pas dënimit me varje i shkon në birucë djali i xhaxhait, Saliko Sulua, dhe e pyet: «Si veprove kështu?» Kujtimi i përgjigjet: «Nuk kam bërë asnjë faj, por e dija se kam për të vdekur dhe desha të vdes si njeri e jo si qen». Po fjala e tij e fundit para varjes? “Fajin tonë do ta tregoj historia. Të rrojë Shqipëria! Të rrojë flamuri!” Thonë se e shtyu vetë karrigen dhe litari u zgjat deri në tokë, por prokuror Haznedari shpejtoi dhe, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare,   e vari për së dyti.

Abdyl Sharra, 35 vjeç, nga Vlora. Kryen shkollën teknike të “Robert Kolegjit” në Stamboll dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Romë me medalje ari. Emërohet kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit dhe pas tre muajsh arrestohet si “armik i popullit, si iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”. Sipas akuzës mjerane, kryeinxhinieri udhëzimet i merrte nga Fulci dhe raportimet i bënte përmes Zyraka Manos… Po vetë Zyraka Mano? “Ngrini sytë nga qielli të na shikojë Zoti, se Ai dhe ne e dimë që jemi të pafajshëm”, – do t’i thoshte ajo të shoqit, Vasil Manos dhe Eugjenio Skaturos ndërsa shkonin drejt vendit të pushkatimit. Mos harroni1 Në atë kohë Zyraka ishte shtatzanë. Mjerisht, nuk mund të ndalemi më gjatë në kuadrin e një kumtese, por nuk mund të mos përmendim shkrimet e mashtrimet letrare të realizmit socialist që vijuan më pas. “Armiqtë” do ta titullonte romanin e tij Fadil Paçrami, i dënuar më pas edhe vetë si armik. “Këneta” do të titullohej romani i Fatmir Gjatës, që do të studiohej me dhjetëra vjet  ndër shkollat shqiptare. Vijonin në masë edhe arrestimet, torturat, dënimet e pushkatimet e të tjerëve nën akuzën tashmë standarde të sabotimit të kësaj kënete famëkeqe të Maliqit.

Po Mirush Përmeti, 34 vjeçari nga Manastiri, biri i doktorit Bedri Përmeti, që në moshën 70-vjeçare do të lutej:“Djali im e ka thënë që është i pafajshëm. Të gjithë shpresën e kam varur te ky djalë i vetëm që kam. Kam besim të madh se ky apel nuk do mbetet pa u dëgjuar.” Mjerisht, besimi ishte i humbur, sepse i arrestuar më 29 nëntor 1946, më 3 dhjetor do të dilte vendimi i Gjykatës së Lartë, i miratuar nga vetë komandanti suprem gjeneralkolonel Enver Hoxha për vdekje pushkatim edhe për Mirushin, djalin e doktorit, i cili në pritje të pushkatimit gjente mundësinë të nxirrte nga burgu shkrimin për të shoqen, ku e porosiste:“Kujdes gjithmonë ti do të kesh të dy fëmijtë. Pas dore kurrë të mos i lësh. T’i rrisësh për Shqipëri sido që të jetë fati ynë. Ndër mend të kesh gjithnji se i pafajshëm isha gjithmonë. Punova për Shqipëri.           

Ky ishte mesazhi fisnik i Mirushit, që përcolli në emër të të gjithë martirëve që përkujtojmë. Mesazhi fisnik i të gjithë atyre që dhanë gjithçka për Shqipërinë, por vetë Shqipëria i vrau. Ishin pikërisht projektet e këtyre inxhinierëve të shquar që bënë të munduar tharrjen e kënetës së Maliqit dhe kënetave të tjera më vonë. Por për fatin e keq të kombit autorët e tyre nuk ishin më gjallë. Diktatura komuniste i kishte ekzekutuar. Sigurisht, ishte koha e një diktature që sapo niste një rrugë të gjatë mjerane, por fatkeqe e të përgjakshme për vete Shqipërinë e shqiptarët. Ishte mesi i një shekulli që, mjerisht, do ta sillte ndryshimin vetëm në fundin e tij. Deri atëherë numri i martirëve do të ishte i shumtë, lista e gjatë, e pafund, por pa dyshim vendin e tyre në piedestalin e demokracisë shqiptare do ta zinin përjetësisht edhe martirët e kënetës famëkeqe të Maliqit, ata që nga katakombet e hekatombet përkujtohen edhe sot mbas shtatëdhjetë vjetësh.

Le të hapen pra dosjet! Le të hapen dhe të publikohen të gjitha dosjet e sistemit totalitar. Është e drejta e qytetarëve të mësojnë mbi gjithçka që ka lidhje me to. Le të hapen dosjet për të mos lejuar që vendet në parlamentin shqiptar, qeverinë, sistemin e drejtësisë dhe administratën shtetërore dhe vendore të zihen nga të korruptuarit e sistemit të përmbysur. Kështu do të kemi një parlament të pastër, një qeveri të pastër, një drejtësi të pastër, një administratë të pastër, një shtet të pastër. Në rast se sot flitet për një shtet të korruptuar, kjo vjen edhe si rezultat se në të bëjnë pjesë edhe të korruptuarit me dosje që sjellin frymën korruptive të sistemit që i degradoi deri në atë gjendje.                                                                                                                                   Le të hapen dosjet që të mos kemi më në krye  njerëz që ruajnë në ndërgjegje gjynahet e kohës së përmbysur.

Le të hapen dosjet që të mos kemi më gazetarë, analistë, komentatorë e të tjerë që me artikujt, analizat dhe komentet e tyre shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat e këtij kombi.

Le të hapen dosjet që të mos kemi më mësues e këshilltarë gjynahqarë që helmojnë ndërgjegjen e fëmijve tanë apo të mbarë popullit.

Le të hapen dosjet të gjitha dhe të përlyerit të hiqen nga detyrat shtetërore që mbajnë. Këtu nuk bëhet më fjalë për ndëshkim, pasi tani është shumë vonë për këtë. Një gjë e tillë duhej të ishte bërë shumë vite më parë, kur ishin gjallë një pjesë e mirë e fajtorëve të katastrofës së kaluar. Vetëm atëherë do të kemi një Shqipëri të pastër, një Shqipëri dinjitoze. Vetëm atëherë do ta meritojmë të jemi vend anëtar i Bashkimit Europian, të jemi të barabartë me kombet e tjerë.

Së fundi le të hapen dosjet edhe për të ashtuquajturit “të përndjekur politik” që u dënuan për vjedhje apo përdhunime të familjarëve të tyre dhe shteti komunist u shtoi edhe nenet tentativë arratisje apo agjitacion e propagandë për t’i dënuar më tepër dhe që që natë e ditë i dëgjojmë të dërdëllisin për heroizmat e tyre. Këtu dua të shtoj se, për fat të keq, kemi midis nesh disa ish të përndjekur politike që kanë haruar rrugën nga e cila kanë ardhur dhe prejardhjen e tyre familjare dhe janë bërë palë me ata që na vranë, që na burgosën, që na internuan, duke arritur poste të larta në hierarkinë e sundimtarëve të sotëm.

Jemi i vetmi vend i Europës Lindore që nuk i kemi hapur dosjet. Jemi me shumë vonesë, por një fjalë e urtë thotë: “Më mirë vonë, se kurrë!” Mos u mundoni të kopjoni modelin gjerman. çek apo të ndonjë vendi tjetër pasi asnjë prej atyre vendeve nuk mund te krahasohet me krimet e kryera ne Shqipëri. Shqipëria ka një specifikë të veçantë në lidhje me vendet e tjera të lindjes. Ajo ishte vendi që pësoi genocidin më të egër në krahasim me vendet e tjera.

Por a do të happen me të vërtetë dosjet? Personalisht mendoj se kjo është një lodër politike e sundimtarëve të sotëm të shtetit shqiptar.

Ndaj nuk duhet të harrojmë. Nuk duhet të harrojmë të rënët tanë por nuk duhet të harrojmë edhe ata që i vranë. Nuk duhet të harrojmë të burgosurit tanë por nuk duhet të harrojmë edhe ata që i burgosën. Nuk duhet të harrojmë të internuarit tanë por nuk duhet të harrojmë edhe ata që i internuan.

Këto nuk duhen harruar!

*Kumtesë mbajtur në konferencën përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të pushkatimit të martirëve  të të ashtuauajturit “Grupi sabotator i kënetës së Maliqit”

 

Filed Under: Politike Tagged With: ISH URDHERVRASËSIT TANË, JANË NË KRYE, reshat kripa

Kosovë-28 Nëntori ende “ditë memoriale”….

November 23, 2016 by dgreca

-…pushim me vendim të qeverisë/

-Qeveria e Kosovës njëzëri ka aprovuar propozimin e kryeministrit Isa Mustafa që me rastin e 28 Nëntori të jetë ditë pushimi në Kosovë, në mënyrë që t’iu mundësohet qytetarëve që të shënojnë këtë ditë/

-Qeveria 2 javë para 2 vjetorit  zhvillon mbledhjen e 117-të, ku vendosi ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016/2-prizren-11janar2014-foto-behlul-jashari-1

3-prishtine-3-qershor-2016-foto-behlul-jashari-1

– Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për bartjen e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/

1-qeveria-kosove-16-nentor-2016

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 23 Nëntor 2016/ Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që dita e festës së 28 Nëntorit të jetë ditë pushimi, pasi ende nuk është me ligj.“Qeveria e Kosovës njëzëri ka aprovuar propozimin e kryeministrit Isa Mustafa që me rastin e 28 Nëntori të jetë ditë pushimi në Kosovë, në mënyrë që t’iu mundësohet qytetarëve që të shënojnë këtë ditë”, theksohet në njoftimin e dërguar.Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, ditën e 28 Nëntorit e përcakton si “Dita e shqiptarëve”- një nga “ditët memoriale”  e jo si një nga festat zyrtare, kur pushohet.Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para 8 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.Në Kosovë 28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditë e Flamurit Kombëtar është festuar tradicionalisht edhe kur ishte e ndaluar, e tash festohet edhe për Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 – plotësim i Pavarësisë Shqiptare të shpallur në Vlorë në 12 Nëntor 1912.Në 7 maj të vitit 2015, në Kuvendin e Kosovës, në pasditën e ditës së dytë të punimeve të seancës plenare treditëshe, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, pas debatit e shtyrjes së votimit, u hodh në votim, por nuk kaloi.

U votua derisa në sallë ishin 72 deputetë, nga të cilët 50 ishin pro, 20 kundër e 2 abstenuan, ndërsa për t’u miratuar duheshin së paku 61 vota të Kuvendit 120 anëtarësh, nga të cilat së paku 11 nga 20 deputetët e komuniteteve pakicë.Më herët, në punimet e paraditës së seancës së Kuvendit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës nuk u hodh në votim sikur edhe pasditen e një dite më parë pas shqyrtimit të parë, pasi nuk kishte kuorum.“Pse nuk po votohet, të thuhet publikisht e vërteta, le të dihet”, pyeste dhe kërkonte përgjigje Lëvizja Vetëvendosje – subjekti më i madh opozitar.

Pas kësaj pyetje, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli,  përgjigjej se,  “duke u bazuar në nënin 81, amendamenti 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve me interes vital, kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe  shumicës së deputetëve të Kuvendit të cilët mbajnë vendet e garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë në shumicë”.“Kjo ishte edhe aryeja, pasi nuk kishim asnjë përfaqësues të Listës Serbe, pse nuk e proceduam sot votimin”, shtonte kryeparlamentari kosovar gjatë punimeve të paraditës të seancës së Kuvendit të Kosovës në 7 maj të vitit të kaluar.Gjatë debatit në punimet e  seancës plenare të Kuvendit, shumë nga deputetët kërkonin që 28 Nëntori të jetë festë zyrtare në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa,  zhvilloi sot mbledhjen e 117-të të rregullt, të 49-ën në 2016-tën. Që nga 9 tetori i këtij viti Lista Serbe ka njoftuar “ngrirjen” e pjesëmarrjes në qeverinë e Kosovës, ku përfaqësohet me një zëvendëskryeministër e dy ministra, dhe vazhdon me mungesat në mbledhje si kundërshtim miratimit të Ligjit për Trepçën.

Pika e parë që mori mbështetjen e qeverisë në mbledhjen e sotme ishte vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016 të qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes të cilës parashihet ndryshimi i afatit kohor për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim dhe për Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Ndërsa u propozua që të tërhiqen këtë vit nga plani legjislativ këto ligje: Ligji për Konfliktet Administrative; Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shërbyesit Civilë; Projektligji për Administratën Shtetërore; Projektligji për Pagat që realizohen nga Buxheti i Republikës së Kosovës; Projektligji për Fondet Investive, Inspektoratin e Doganës dhe Administratës Tatimore si dhe Projektligjin për Ndryshimin e Kodit Doganor.

Në mbledhje u tha se, pas bisedimeve që janë zhvilluar, Projektligji për Pagat mund të procedohet këtë vit, u bë ftesë që të përgatit sa më shpejtë që është e mundur dhe u paralajmërua se do të quhet projektligj për pagat në sektorin publik.

Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për bartjen e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, pas pak më shumë se dy javësh mbushë dy vjet të punës që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Dy muaj para përfundimit të këtij viti, në 31 tetor, qeveria ka proceduar Projektligjin për buxhetin e shtetit të Kosovës për vitin 2017, ku është paraparë një buxhet zhvillimor prej mëse 2 miliardë euro, por ky projektligj ende nuk është në axhendë seance plenare të Kuvendit, i cili do mblidhet në seancë të re në 30 nëntor, sipas vendimit të mbledhjes së  Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, të mbajtur në mbrëmjen e 17 nëntorit pas tre takimeve me mungesa kuorumi. Kryesia u mblodh në fund të ditës kur në Kuvendin e Kosovës punimet e  vazhdimit të seancës plenare të 28 tetorit, të ndëprprerë në mungesë kuorumi, janë përmbyllur përsëri me mungesë kuorumi.

Të hënën e 21 nëntorit edhe mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa u ndërpre në mungesë kuorumi. Propozimi i kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, që Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 të hiqet nga rendi i ditës dhe të shqyrtohet në një nga mbledhjet e radhës, bëri që përfaqësuesit e opozitës në Komision të braktisin mbledhjen. Në këtë mbledhje nuk ishin të pranishëm përfaqësuesit e koalicionit qeverisës nga PDK.

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: 28 nentori, Behlul Jashari, dite memoriale, pushim nga qeveria

PROJEKTLIGJI PËR BUXHETIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS PËR VITIN 2017

November 23, 2016 by dgreca

KOSOVE- LAJMI I FUNDIT: KOMISIONI PARLAMENTAR PËRKRAHU NË PARIM PROJEKTLIGJIN PËR BUXHETIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS PËR VITIN 2017/

1 Qeveria e Kosoves ok-Komisioni përkrahu edhe kërkesën e Ministrisë së Diasporës,  për mbështetje financiare lidhur me manifestimin për: “Ditët e javës së kulturës në diasporë”/

Buxheti i Republikës së Kosovës, i paraparë për vitin 2017, do të jetë 2 miliardë e një milion euro, tha ministri i Ministrisë së Financave Avdulla Hoti, gjatë prezantimit të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të  Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar.

Ky Projektbuxhet, tha në vijim ministri Hoti, bazohet plotësisht në dokumentet strategjike që i ka të aprovuara Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, përfshirë këtu edhe Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programin e Qeverisë dhe Programin  për Reforma Ekonomike.

Ai më pas sqaroi se lidhur  Projektligjin për Buxhetin, paraprakisht janë konsultuar të gjitha organizatat buxhetore, përfshirë edhe komunat, ndërkaq, anëtarët e Komisionit i siguroi se ndarja e mjeteve është bërë në mënyrë shumë të balancuar. Duke folur për investimet e parapara, ministri Hoti, sqaroi në detaje investimet në secilin sektor të paraparë. Me këtë projektbuxhet, vijoi ministri, synojmë të arrijmë dy objektiva: të krijojmë hapësirë më të madhe për investime kapitale, si  dhe  t’i mbajmë nën kontrollë shpenzimet rrjedhëse.

Pasi që njoftoi se projektbuxheti  i propozuar është i harmonizuar në tërësi me qëndrimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, ministri u shpreh i bindur se, buxheti i paraparë për vitin që vjen, do ndikojë në një rritje ekonomike më të lartë se 4%.

Pas kësaj, anëtarët e komisionit zhvilluan debat lidhur me Projekt-buxhetin e propozuar, ndërkaq, përfaqësuesit e opozitës, pasi shprehën vërejtjet dhe  mospajtimin e tyre lidhur me këtë projektligj, u deklaruan kundër edhe gjatë procesit të votimit.

Ky projektligj, ndonëse (me shumicë votash) u përkrah në parim nga anëtarët e komisionit, kundër votoi edhe deputeti, Shukri Buja (PDK), përfaqësues i koalicionit qeverisës në Komision.

Në këtë mbledhje, Komisioni përkrahu edhe kërkesën e Ministrisë së Diasporës,  për mbështetje financiare lidhur me manifestimin për: “Ditët e javës së kulturës në diasporë”.

Në këtë mbledhje, komisioni shqyrtoi dhe  përkrahu edhe këto projektligje: Projektligji për sponsorizime dhe donacione në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë dhe amendamenteve të Komisionit funksional për Legjislacion,   Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër   Korrupsionit, Raportin me rekomandime për Projektligjin për Ndihmën Shtetërore dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/L-115 dhe Ligjin nr. 04/L-16

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: PËR BUXHETIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR VITIN 2017, Projektligjin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2366
  • 2367
  • 2368
  • 2369
  • 2370
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT