• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA, sot 240 vjetori i pavarësisë

July 4, 2016 by dgreca

Shtetet e Bashkuara festojnë sot 240 vjetorin e pavarësisë nga Britania me piknikë, parada dhe fishekzjarre/

Presidenti Barack Obama do të presë në Shtëpinë e Bardhë familjet e ushtarakëve, ku do të jepet edhe një koncert nga Kendrick Lamar dhe Janelle Monae. Nëse sonte në Uashington nuk bie shi, njerëzit do të mund të shohin fishekzjarret në Shëtitoren Kombëtare në qendër të qytetit.

Por festimet kryesore do të jenë gjatë rrugës nga Shtëpia e Bardhë tek ndërtesa e Arkivave, ku është ekspozuar Deklarata e Pavarësisë, që u hartua nga Thomas Jeffersoni dhe u miratua nga Kongresi më 4 korrik, 1776.

Më shumë se çdo gjë tjetër, deklarata është një kritikë e mprehtë ndaj mbretit britanik George, duke e cilësuar atë një tiran që kishte shpërfillur në mënyrë të përsëritur lutjet e kolonive amerikane për trajtim më të mirë.

Deklarata përmbante thelbin e idesë mbi lirinë amerikane dhe mbi të drejtat e natyrshme njerëzore:

“Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”, thuhej në deklaratën e hartuar nga 32 vjeçari Thomas Jefferson.

Ajo që do të pasonte ishte Lufta Revolucionare e cila do të vazhdonte deri në 1783, kur Traktati i Parisit njohu zyrtarisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend sovran dhe të pavarur. Traktati është gjithashtu pjesë e koleksionit të Arkivave Kombëtare.

Mes 27 ankesave të renditura nga Jeffersoni, ishin edhe ato për stacionimin e një numri të madh trupash britanike në koloni, shkëputjen e lidhjeve tregtare të kolonive me botën dhe pezullimin e legjislaturave lokale.

Do të duheshin edhe disa vjet luftë me Britaninë, në atë kohë shteti më i fuqishëm ushtarakisht në botë, që Amerika të fitonte pavarësinë e plotë.

Festa e 4 korrikut përfshin një lexim tradicional të Deklaratës së Pavarësisë në shkallët e ndërtesës së Arkivave. Brenda ndërtesës, dokumenti origjinal është ekspozuar dukshëm për publikun së bashku me Kushtetutën dhe Kartën e të Drejtave.(VOA)

Filed Under: Histori Tagged With: i pavaresise, SHBA, sot 240 vjetori

4 Korriku- Shtetet e Bashkuara, sikurse Kosova sot, dikur ishin komb i ri

July 4, 2016 by dgreca

Fjala e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Greg Delawie gjatë pritjes me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së/

Mirëmbrëma/

Zoti President, zoti Kryeministër, z. Kryetar i Kuvendit, Senatore Ernst, Gjeneral Orr,… qytetarë të Kosovës, anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare, bashkëatdhetarë të mi amerikanë.  Mirësevini në festimin e Ditës sonë të Pavarësisë.

Mendoj se ishte tepër e përshtatshme që e patëm senatorin Bob Corker për t’na ndihmuar ta festojmë Ditën e Pavarësisë së Kosovës në shkurt, kurse tani e kemi këtu senatoren Joni Ernst për t’na ndihmuar që ta festojmë Ditën tonë të Pavarësisë.  Në dhjetor e patëm këtu Sekretarin e Shtetit John Kerry, prandaj mendoj se është e qartë që Kosovës po i kushtohet shumë vëmendje nga zyrtarët e lartë amerikanë.

Sot jemi këtu në nderim të 240 vjetorit të pranimit të Deklaratës sonë të Pavarësisë – një dokument ky që vazhdon t’na frymëzojë me parimet për barazi dhe të drejta të përgjithshme, si dhe për vizionin e tij për demokraci.  Kur u shkrua, Deklarata – në kuptim të drejtpërdrejtë – ishte revolucionare.  Mëtonte të krijonte një komb të ri – një bashkim të njerëzve të ndryshëm me prejardhje dhe ideologji të ndryshme, por të vendosur për të krijuar një identitet të përbashkët kombëtar dhe një qeveri që do t’i pasqyronte vlerat e tij.

Natyrisht, ajo deklaratë nuk paraqiste fundin, por vetëm fillimin e formimit tonë si komb.  Nganjëherë është lehtë të harrohet se edhe Shtetet e Bashkuara, sikurse Kosova sot, dikur ishin komb i ri.  Kosova sapo ka kremtuar tetë vjet si vend i pavarur dhe dihet se tetë vjet pas shpalljes së Deklaratës sonë të Pavarësisë, qeveria jonë ende përpëlitej për ta gjetur rrugën e vet.  Brenda vendit, përpëlitej për shkak të financave.  Jashtë, përpëlitej për ta përkufizuar dhe zbatuar politikën e vet të jashtme dhe për ta tejkaluar trashëgiminë e luftës përmes dialogut me ish-armiken e vet.  Mjaft shpesh, qeveria nuk ishte e aftë t’i pajtonte kontestet politike rreth taksave, investimeve të jashtme dhe tregtisë ndërkombëtare.  Madje ishte përfshirë në një debat të tensionuar për kufijtë territorialë me një shtet fqinj.  Në fakt, në vitin 1784 kur u botua harta e parë zyrtare e Shteteve të Bashkuara, thuhet që i kishte tërbuar pothuajse të gjithë.  A ju tingëllon si diçka e njohur kjo?

Megjithatë, atë korrik, qytetarët e Bostonit të Masaçusetsit, u mblodhën në shesh, ashtu siç kishin bërë çdo 4 korrik prej vitit 1776.  Fjalën kryesore e mbajti avokati dhe politikani i njohur, Benjamin Hitchborn.  Gjatë fjalimit të tij, ai ia përkujtoi turmës se grumbullimet, si kjo e sotshmja, shërbejnë “për t’na përkujtuar se qeveria është privilegj i popullit, jo barrë”.  Ai vazhdoi duke theksuar se “nuk mblidhemi për t’i promovuar pikëpamjet e ndonjërës parti, por me lirinë dhe vendosmërinë e burrave [dhe grave], të cilët kanë të drejtë të mendojnë dhe të veprojnë për vete dhe të analizojnë çështjet e rëndësishme për interesin tonë të përbashkët”.

Në vitin 1789, vetëm 13 vjet pas pavarësisë, vendi ynë i kishte shqyrtuar rrënjësisht dokumentet themeluese për të krijuar diçka të re në frymën e atij interesi të përbashkët – duke e zëvendësuar atë që ishte konfideratë shtetesh me një Kushtetutë dhe republikë të popullit, për popullin dhe nga populli.  Ajo republikë qëndroi, por jo pa përpëlitje.  Lufta civile, shekuj të pabarazisë gjinore dhe racore, konflikte brenda dhe jashtë vendit na kanë sfiduar për ta ri-analizuar veten dhe për tu përpjekur për ta bërë republikën tonë që të funksionojë për tërë popullin tonë.

Edhe sot po përpiqemi.  Në atë grumbullimin qytetar të vitit 1784, amerikanët e dinin se rritja do të ishte me dhimbje.  Në një bashkësi të larmishme, gjithmonë do të ketë dallime dhe mospajtime.  Ato dallime nuk mund – nuk duhet ta ndalojnë një qeveri që të ecë përpara për interesin e përbashkët të kombit.

Kështu, tetë vjet pas pavarësisë këtu në Kosovë, me plagët e historisë ende të freskëta, duhet ta mbajmë mend se të kesh qeveri të lirë, të pavarur dhe demokratike me të vërtetë është edhe privilegj edhe përgjegjësi.  Madje edhe kur një grup i vogël i politikanëve është i dhunshëm dhe përçarës.  Madje edhe kur të tjerët vendosin se mosveprimi është politikisht më i rehatshëm se sa përballja me çështjet e vështira dhe të rëndësishme.  Madje edhe kur popullata humb besimin në qeverinë e vet, politikanët duhet ta mbajnë në mend atë privilegj dhe përgjegjësi dhe të punojnë me mund për ta rikthyer besimin e qytetarëve, të cilët janë punëdhënësit e tyre.  Duhet t’i përqafojmë sfidat dhe mundësitë – mundësitë për të udhëhequr dhe mundësitë për të punuar për ta ndërtuar të ardhmen më të ndritur.  Sepse Kosova, sikurse edhe pjesa tjetër e botës, nuk do të vazhdojë të përparojë pa ndërmarrjen e hapave pozitivë dhe punës së mundimshme të individëve.

Politikanëve dhe zyrtarëve të qeverisë, qëllimi i të cilëve është ta bëjnë Kosovën vend më të mirë për gjeneratën e ardhshme, iu them: përgëzimet e mia.  Kurse ata, qëllimet parësore të të cilëve janë qëllime vetiake politike, personale dhe financiare: i nxis fuqimisht që t’i rishqyrtojnë prioritetet e tyre.  Po ashtu, qytetarët që e shohin vendin e tyre dhe buxhetin e vendit si burim të pajustifikuar të lëmoshës duhet të mendojnë se çka po bëjnë me të vërtetë.  Ata po përfitojnë jo vetëm nga bashkëqytetarët e tyre, por edhe nga fëmijët dhe nipërit e Kosovës dhe nga e ardhmja e këtij vendi.  Ndërtimi i themeleve të një republike të drejtë dhe të duhur – një republike të qëndrueshme – kërkon punë dhe përkushtim të njëmendtë për të mirën e përgjithshme.

E këtu ka mjaft punë të njëmendtë për të bërë: për sundim të ligjit dhe kundër korrupsionit, ku kemi parë disa shenja të përparimit të kohëve të fundit që duhet të vazhdojnë; për zhvillim ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të jashtme; dhe për siguri rajonale dhe forcim të marrëdhënieve me fqinjtë tuaj.  Kosova duhet të ecë përpara për interesin e përbashkët të popullit të saj.  Shtetet e Bashkuara gjithmonë do të qëndrojnë krah jush – por Ju duhet t’i prini vetë fatit tuaj.

Kur Benjamin Franklin, njëri ndër etërit themelues, doli nga Kongresi Kontinental i vitit 1787, një grua iu afrua në rrugë.  “Pra, doktor, çka kemi”? e pyeti ajo.  “Një republikë apo mbretëri”?  “Republikë, zonjë”, u përgjigj ai.  “Nëse mund ta mbani”.  Shtetet e Bashkuara kanë punuar për ta mbajtur republikën qe 228 vjet.  Kosova duhet ta bëjë të njëjtën gjë.

Sot, përderisa po festojmë 4 korrikun, po ashtu festojmë për këtë përgjegjësi që ne, si prijës dhe qytetarë, e ndajmë.  Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri te Republika e Kosovës, një qeveri e popullit, për popullin dhe nga populli, është privilegj që e kemi merituar dhe republikë për të cilën duhet të punojmë të gjithë.

Ju faleminderit.  Ju faleminderit që jeni këtu dhe që po festoni me ne.

Urime Dita e Pavarësisë!

Filed Under: Histori Tagged With: 4 Korriku- Shtetet e Bashkuara, dikur ishin, komb i ri, sikurse Kosova sot

SHBA në 240 vjet Pavarësi, 20 vjet pranie në Kosovë

July 4, 2016 by dgreca

-Dita e Pavarësisë së SHBA, 4 Korriku, në këtë 240-vjetor festohet e urohet  si tradicionalisht në Kosovë me miqësi, mirënjohje e falënderim gjithëmonëshëm/

-Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie: Shtetet e Bashkuara kanë punuar për ta mbajtur republikën qe 228 vjet.  Kosova duhet ta bëjë të njëjtën gjë. Sot, përderisa po festojmë 4 korrikun, po ashtu festojmë për këtë përgjegjësi që ne, si prijës dhe qytetarë, e ndajmë.  Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri te Republika e Kosovës, një qeveri e popullit, për popullin dhe nga populli, është privilegj që e kemi merituar dhe republikë për të cilën duhet të punojmë të gjithë/

Gazeta DIELLI, nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 4 Korrik 2016/ Kosova si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të bëjë të njëjtën për Republikën, është shprehur ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ndërkohë që Dita e Pavarësisë së SHBA, 4 Korriku, në këtë 240-vjetor festohet e urohet  si tradicionalisht në Kosovë me miqësi, mirënjohje e falënderim gjithëmonëshëm.

“Shtetet e Bashkuara kanë punuar për ta mbajtur republikën qe 228 vjet.  Kosova duhet ta bëjë të njëjtën gjë. Sot, përderisa po festojmë 4 korrikun, po ashtu festojmë për këtë përgjegjësi që ne, si prijës dhe qytetarë, e ndajmë.  Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri te Republika e Kosovës, një qeveri e popullit, për popullin dhe nga populli, është privilegj që e kemi merituar dhe republikë për të cilën duhet të punojmë të gjithë”, ka theksuar ambasadori amerikan.

Me rastin e shënimit të ditës së pavarësisë së SHBA-ve, Ambasadori e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie ka organizuar pritje, ku mes shumë të pjesëmarrësve ishte edhe Presidenti kosovar Hashim Thaçi, i cili ka potencuar miqesinë e thellë të Kosovës me SHBA dhe detyrimet që dalin nga kjo marrëdhënie historike.

“Axhenda jonë politike është e përputhshme me axhendën e qeverisë amerikane. Në afat të shkurtër duhet ta përmbyllim demarkacionin si kriter i mbetur për lëvizje të lirë në Europë, e në rrugëtimin afatgjatë duhet të luftojmë korrupsionin dhe ekstremizmin, dy rreziqe thelbësore që mund të na dëmtojnë rrugëtimin tonë drejt NATO-s dhe BE-së. Zoti e bekoftë Kosovën, SHBA-në dhe miqësinë tonë të palëkundur”, është shprehur presidenti kosovar.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ka uruar sot popullin dhe Qeverinë e SHBA-ve.

Në mesazhin e kryeministrit Mustafa thuhet:

“4 Korriku 1776 është një prej datave më të rëndësishme në historinë e njerëzimit, pasi që në këtë ditë u miratua Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Që nga ajo kohë, kombi i madh amerikan ndërtoi shtetin më të fuqishëm në botë të bazuar në vlerat më të avancuara humane, duke e bërë atë simbol të lirisë dhe demokracisë globale.

Qytetarët dhe Qeveria e Kosovës i janë përjetë mirënjohës SHBA-ve për përkrahjen e ofruar.

Kosovarët mbesin populli më proamerikan në botë dhe ne jemi shumë krenar me këtë fakt.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë pjesëtarët e prezencës civile dhe ushtarake amerikane në Kosovë, me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

“Sa herë kujtojmë 4 Korrikun e vitit 1776, Ditëlindjen e kombit amerikan, njëkohësisht kujtojmë dhe nderojmë vlerat që mishëron ky komb, demokracinë liberale, sundimin e ligjit, sovranitetin e popullit, liritë dhe të drejtat e njeriut. Janë pikërisht këto vlera, falë të të cilave bota është më paqësore, më e drejtë dhe më e lirë. Janë po këto vlera që mundësuan lirinë dhe pavarësinë e atdheut tonë- Kosovës.

Stafit të Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës, pjesëtarëve të Ushtrisë Amerikane dhe të gjithë qytetarëve amerikanë që ndodhen në Kosovë, urime të përzemërta në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës për ditën e tyre kombëtare. Gëzuar!”, thuhet në urimin e kryetarit Veseli.

Që prej 20 vitesh, SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, më 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996. Presidenti Rugova bashkë me familjen ka marrë pjesë në hapjen solemne të Zyrës Amerikane në Prishtinë, të parës nga gjithë bota, në një ditë historike.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja para 20 viteve.

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si Ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Zyra e SHBA-ve në Prishtinë u bë Ambasadë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë udhëheqësit më të lartë të Kosovës. “Si rezultat i statusit të ri të Kosovës si vend i pavarur, i njohur nga shumë prej kombeve më të fuqishme dhe më të përparuara të botës, na është dhënë leja nga Kongresi i SHBA-ve për t’u hapur formalisht si ambasadë e Shteteve të Bash kuara”, ka thënë Kaidanow në ceremoninë solemne.

Ajo ka shtuar se, “derisa Zyra e SHBA-ve në Prishtinë ka funksionuar për shumë vite me të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e një misioni të zellshëm diplomatik, emërimi si ambasadë pasqyron një fazë të re në zhvillimin tonë dhe nënvizon përkushtimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm për të punuar për përparimin e Kosovës dhe popullit të saj”.

Diplomatja e SHBA-ve në Prishtinë, Kaidanoë, siguroi për vazhdimin dhe intensifikimin e përpjekjeve në vitet në vijmim dhe se asistenca amerikane Kosovës do të ketë për qëllim sigurimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë.

“Ju sjell urimet nga niveli më i lartë i Qeverisë së SHBA-ve për këtë rast shpresdhënës, përfshirë nga Sekretarja e Shtetit Rice, e cila dërgoi përshëndetjet e saj personale”, tha më tej Kaidanow.

“Është kanqësi dhe nder të jemi këtu në Kosovë në një kohë aq të rëndësishme, dhe i shprehim mirënjohjen tonë të posaçme popullit të Kosovës, i cili na ka ofruar besimin dhe bashkëpunimin e vet gjatë gjithë këtyre viteve”, ka theksuar e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.

Duke e marrë fjalën në ceremoni atëherë Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu tha se “Kosova ka tashmë një histori të marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë farkuar nëpër kohë të stuhishme të ekzistencës sonë”.

Më tej presidenti Sejdiu përkujtoi:

“Po mbushen 12 vjet që kur kemi përfaqësim diplomatik të SHBA-ve në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane më 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit John Kornblum, ka shënuar vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Ky shënonte moment të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, do të thoshte më 1996 Presidenti Ibrahim Rugova, i cili me të drejtë e quante këtë lidhje ‘miqësi të përhershme’ në mes të dy vendeve tona”.
Më tej Sejdiu tha se Presidenti amerikan George W. Bush, në letrën e tij të njohjes së pavarësisë së Kosovës, që ia kishte dërguar atij të nesërmen e shpalljes, përkujtonte “lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë”.

“Kjo miqësi, theksonte Presidenti Bush, ‘e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vitet që kur ka mbaruar lufta në Kosovë’”, tha Sejdiu.
“Sot, me hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, po kurorëzohet njëra pjesë e punës për vendosjen e marrëdhënive të plota diplomatike në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Kjo do të përmbyllet me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Sejdiu, President në atë kohë.
“Dita e sotme është e veçantë për ne, sepse miku ynë më i madh, SHBA-të po avancojnë statusin e prezencës së tyre në shtetin tonë të ri”, ka thënë në ceremoni  atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, Presidenti i tashëm i Kosovës.

Ai vlerësoi se, “duke e avancuar statusin e zyrës së deritanishme në Ambasadë të plotëfuqishme, dëshmohet së SHBA-të kanë besim në Kosovë”.

“Prandaj, unë si Kryeministër dhe i tërë populli i Kosovës jemi të nderuar dhe jemi mirënjohës për këtë gjë. Si përfaqësues i popullit tim, me lejoni që të them se edhe ne kemi besim të madh në Shtetet e Bashkuara. Ne gjithmonë e kemi çmuar dhe do ta çmojmë miqësinë dhe marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

“Besimi në liri, barazi, dhe drejtësi janë vlerat sublime, të cilat e bëjnë kombin amerikan të jetë madhështor sot. Prandaj, ne me vendosmëri shikojmë drejt Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim dhe kultivojmë këto vlera të përbashkëta”, nënvizoi kryeministri në atë kohë.

“Ndërkohë, që Kosova do të vazhdojë udhëtimin e saj në mesin e vendeve të lira dhe demokratike të botës, ne përgjithmonë do të ruajmë në zemrën tonë respektin e veçantë për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë të përfaqësuar nga kjo Ambasadë këtu”, përfundoi Thaçi duke uruar “në këtë rast madhështor”.

Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.

Atëherë kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa (tash kryeministër) dhe ambasadorja amerikanë në Kosovë Tina Kajdanow, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për dhënien e truallit në shfrytëzim Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria të kryeqytetit.

Memorandumi është edhe një shembull i forcimit të lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, u theksua në ceremoni.

Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe  të ambasadave në Kosovë.

“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në fjalën e rastit, duke iu drejtuar, Ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, e cila përfundonte misionin në Prishtinë.

Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delaëie-n që të shërbejë si Ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë me “mirëmengjes” niste prezantimin e tij përmes videos duke paralajmëruar ardhjen në Prishtinë. “Unë jam Greg Delawie dhe është nder për mua të shërbej si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Pres ta vazhdoj miqësinë e gjatë mes shteteve tona. Zyrën tonë informative në Kosovë e kemi hapur në vitin 1996. Tani pothuaj 20 vjet më vonë, objekti i ambasadës sonë të re në Prishtinë është në ndërim e sipër”, shprehej ambasadori duke shtuar se shërbimi publik është i rëndësishëm për familjen e tij.

“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, theksonte ambasadori amerikan.

Njoftimi dërguar nga ambasada e SHBA në Prishtinë theksonte se, Greg Delawie ndjehet i nderuar që do të shërbejë si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë.

Në 21 gusht 2015, Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.

Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes.

Filed Under: Reportazh Tagged With: 20 vjet pranie, Behlul Jashari, ne Kosove, SHBA në 240 vjet Pavarësi

Kujtese-Hapja e Zyrës së SHBA dhe vizita e Holbrooke në Kosovë

July 4, 2016 by dgreca

Arkiv-Raportime para 20 dhe 18 viteve: Hapja e Zyrës së SHBA dhe vizita e Holbrooke në Kosovë/
Korrespondenti tash i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, para 20 viteve raportonte për hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë në 6 qershor 1996./
Para 18 viteve, në 4 korrik 1998 raportonte për vizitën në Kosovë të të dërguarit të Presidentit të SHBA, Bill Clinton, ambasadorit Richard Holbrooke në Kosovë dhe takimin e tij me Presidentin historik Ibrahim Rugova e përfaqësues të tjerë. Raportonte edhe per luften…
http://www.hri.org/news/balkans/ata/1996/96-06-06.ata.html
Albanian Telegraphic Agency

[04] U.S. PRESENCE IN KOSOVA INSTITUTIONALISED

TIRANA, JUNE 5 (ATA)-The USIS Office in Pristina on Wednesday afternoon. The opening of this offices institutionalises the U.S. presence in Kosova, the ATA correspondent in Pristina reports.The report underlines that the U.S.interest and support for the Albanian cause date back to early times and that Albanians recall with respect the interference in favour of Albanians of the U.S. President Wilson against Albania’s division in 1920.

The U.S. interest in the Kosova Albanians’ issue has been increasing in the last years, the report of the ATA correspondent says. It also also provides the following chronology of the increasing U.S. ties with representatives of the Albanian people of Kosova.

“In June 1990, the first delegation of the Kosova Albanians led by Ibrahim Rugova visited Washington upon invitation to provide for the first time testimony in the U.S. Congress. In the same year, in August, a delegation of seven senators headed by Bob Dole visited Pristine. The delegation was welcomed by thousands of Albanians who expressed trust in America against the terror exerted by the Serbs to break them up.

Rugova’s frequent contacts with the U.S. ambassador Zimmerman in the years 1988-1990 were followed by higher level contacts in the U.S. administration and Congress.

In the spring of 1991, the U.S. secretary of State, James Baker, at a meeting in Belgrade with the delegation of the Kosova Albanians headed by Ibrahim Rugova, expressed the U.S. position that Albanians and Kosova will have their own place at the negotiation table about the solution to the Yugoslav crisis.

During these years the U.S. interest in Kosova has been constant.

In 1992, George Bush, pressuring the Belgrade regime, said that they would be responsible in case they provoked a conflict in Kosova and if so the Americans would intervene against Serbia. The reconfirmation of this “red line of danger” by the administration of President Clinton testified to the long-term and constant U.S. policy in the Balkans and in Kosova”.

In 1994 President Rugova met with President Clinton and Vice President Al Gore and last year had two meetings with the U.S. secretary of State Warren Christopher.

The same year, President Rugova asked in Washington the U.S. leading role for the solution of the Kosova question. On this occasion, Washington issued the decision of the opening of the Kosova office in Washington and expressed the possibility of the opening of the U.S. Office in Pristina.

The U.S. Secretary of State, Warren Christopher, during a visit to Belgrade several months ago discussed the Kosova issue with Serb officials and proclaimed the decision of the opening of the U.S. Information Office.

The U.S. Deputy Assistant Secretary of State, Rudolf Perina, in a visit to Pristina last month said that the opening of this office would be followed by other steps of U.S. engagement in Pristina”. b.j/a.ca/lm/Z/

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1998/98-07-04.ata.html

[05] Holbrooke meets with Rugova, leaders of political parties

PRISHTINA, July 4 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that Richard Holbrooke, the special envoy of the U.S. president Bill Clinton for Kosova, arrived early on Saturday in Prishtina from Belgrade and started close-door talks with president of Kosova Ibrahim Rugova.

The U.S. senior diplomat was expected to meet with leaders of the political parties of Albanians in Kosova, who have informed that will join a round table for the second time within the week to discuss the most important issues that is the organisation of political parties and associations in conditions of war in Kosova.

Holbrooke was also expected to hold a news conference. pta/mima/ak/

[14] Holbrooke holds meetings in Kosove

PRISHTINE, july 4 (ata) – ATA correspondent Behlul Jashari reports: At a time when fighting in Kosove is going on, the U.S. and the European diplomacies are committed to an armistice in Kosove and to finding a political solution for it through negotiations.

The special envoy of U.S. President Clinton, U.S. Ambassador in the U.N. Richard Holbrooke, had today meetings and intensive talks with Dr Ibrahim Rugova, President of the Republic of Kosove, with the Negotiating Group of Kosove, with Adem Demaci, chairman of the Parliamentary party of Kosove, the academician Rexhep Qosja, chairman of the Albanian Democratic Movement, while in the afternoon he attended the meeting of all Albanian political parties of Kosove, held for the second time this week, and which is discussing important questions of the coordination of the political stances in the conditions of the war in Kosove.

The talks have been confidential. So far, neither Holbrooke, nor the diplomats accompanying him and the Albanian participants in the meetings and the talks have made any statement for the press, although Holbrooke’s visit to Kosove is being covered by a great number of local and foreign reporters. Holbrooke will reportedly go from Prishtine to Belgrade to return again to Prishtine on Sunday for other talks. /fh/das/xh/

 

[09] Forces of the Yugoslav army shell villages round Vushtrri

Filed Under: Histori Tagged With: Kujtese-Hapja e Zyrës së SHBA dhe, ne Kosove, vizita e Holbrooke

Qeveria Rama ka edhe pak kohë të dëshmojë se nuk po mashtron me Rrugën e Arbërit

July 4, 2016 by dgreca

Deklaratë e Grupit të Lobimit pas interpelancës së 9 qershorit 2016 të Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmod Haxhinasto, kërkuar nga deputetja Mesila Doda/

 Pas debatit të zhvilluar në seancën plenare të datës 9 qershor në Kuvendin e Shqipërisë me objekt “Rrugën e Arbërit”, vërejmë me shqetësim se Qeveria Shqiptare nuk e ka marrë seriozisht çështjen e Rrugës, ashtu siç kishte premtuar gjatë fushatës elektorale në vitin 2013 dhe gjatë miratimit të programit të qeverisë.

Seanca e 9 qershorit 2016 ishte një kopje e shëmtuar e debatit parlamentar të zhvilluar për këtë çështje së paku në 10 vitet e fundit; njëra për të fituar kredo politike në kurriz të çështjes dhe tjetra në përpjekje për të justifikuar vonesat.

Debati parlamentar duhet të synonte së paku, zbardhjen e negociatave mes Qeverisë Shqiptare dhe  ‘China State Construction Company’ si dhe të bënte transparentë koston financiare të debatueshme në këto negociata, në zbatim të ligjit nr. 41/2015, dt. 16.4.2015, të miratuar po nga këta deputetë që ishin në sallë.

Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto përdori shifra të pasakta, të dhëna të vjetruara, mashtrime me të dhënat teknike të projektit, madje arriti deri aty sa të kërcënonte deputetët e parlamentit se “në qoftë se ata vendosin të investojnë në këtë rrugë, gjithë buxheti vjetor për rrugët do të shkonte te Rruga e Arbërit”.

Ky kërcënim është i papranueshëm për ne. Duhet të ishte i tillë edhe për së paku gjashtë deputetë të drejtëpërdrejtë të Dibrës, me në krye Shkëlqim Canin, të cilët, ndërsa në prill të vitit të kaluar deklaronin se “qeveria ka vendosur ta ndërtojë rrugën”, “rruga e shpresës së madhe” “punimet nisin në 2016”,  “dibranët ta gëzojnë rrugën” etj,, tani paturpësisht heshtën. Ata duhet të reagonin me një zë kundër spekullimeve të ministrit Haxhinasto.

Në i ftojmë deputetët në parlament që të mos bëhen më aktorë të skenave të tilla të turpshme. Ne i ftojmë ata të ushtrojnë të gjithë të drejtën e tyre ligjore dhe demokratike për të zgjidhur financimin e rrugës në një kohë sa më të shpejtë.

Deklaratat pa përgjegjësi të Ministrit të Transportit, jo vetëm që janë të pasakta dhe spekullative, por tregojnë papërgjegjshmëri të qeverisë lidhur me këtë çështje.

Ky debat parlamentar kaloi pa reagimin e duhur nga opinioni publik, përveç ndonjë zëri të vetmuar të anëtarëve të shoqërisë civile apo atyre që kanë lidhje me çështjen. Ne u kërkojmë projektuesve të rrugës të bëjnë publike projektet dhe kostot financiare. Mospublikimi i projektit dhe kostos financiare të nevojshme për ndërtimin e rrugës, është një mënyrë e duhur për të ndihmuar zhvillimin e aferave korruptive sot dhe në të ardhmen në Rrugën e Arbërit.

Megjithatë, premtimi për Rrugën e Arbërit u është dhënë dibranëve nga Kryeministri Edi Rama dhe deputeti Shkëlqim Cani. Ne kërkojmë prej tyre të distancohen nga deklaratat e Haxhinastos si dhe sa më parë të bëjnë zbardhjen e negociatave me kompaninë kineze. Këto negociata nuk mund të jenë pa fund, por edhe duhet të jenë transparente dhe të ditura për publikun.

Gjithashtu, ftojmë kompanitë shqiptare apo të huaja, të interesuara për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, të bëjnë publike ofertat e tyre financiare. Të kërkosh të marrësh përsipër ndërtimin e një objekti publik pa zbardhur ofertën financiare, është një mënyrë abuzive në kurriz të takspagueve shqiptare.

Ne, ashtu si dhe më parë, deklarojmë se nuk mbështesim asnjë parti politike, por jemi të vendosur që të ushtrojmë presionin e nevojshëm ndaj ligjvënësve dhe qeveritarëve, në mënyrë që njëherë e mirë të ndahemi nga e kaluara e premtive boshe. Fushata elektorale e radhës është në prag, por ne nuk do të qëndrojmë indiferencë. Ne jemi të vendosur që çështja e Rrugës së Arbërit nuk do të jetë më temë e premtimeve elektorale në Dibër, Mat dhe në lindje të Tiranës.

Dr Gëzim Alpion

Në emër të Grupit të Lobimit

2 Korrik 2016

_____________________________________________________

Ju lutemi nënshkruani peticionin këtu: http://chn.ge/1NZeyGu

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Alpion, Qeveria Rama, Rruga e Arberit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2678
  • 2679
  • 2680
  • 2681
  • 2682
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT