• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TE HENEN E 15 DHJETORIT NDERROI JETE FAIK KONICA

December 16, 2020 by dgreca

…Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor(1942), kur Faiku pësoi papritur hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në hapësirën e ngushtë të banjës dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.

Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.

Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital. Në atë kohë hipertensioni nuk njihej mirë si sëmundje, por as Faiku nuk i dëgjonte këshillat e mjekut dhe nuk mbante dietë. Veç kësaj, pinte deri në tre paketa cigare në ditë.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë. Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.

Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar.

Marre nga: Ilir Ikonomi “Faik Konica, Jeta ne Uashington”…(Dielli 15 Dhjetor 2016)

Filed Under: Featured Tagged With: 15 Dhjetor, Faik Konica, Ilir Ikonomi

Dr.Vjosa Osmani e nisi viziten ne Shqiperi nga Lezha…

December 16, 2020 by dgreca

-Ajo bëri homazhe te Memoriali i Skënderbeut në Lezhë-U.d. Presidentja e Kosovës, dr.Vjosa Osmani ka nisur një vizitë dy ditore në Shqipëri me një homazh të Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë.Ajo tha se nisja e vizitës me homazh te varri i heroit kombëtar është në funksion të rikujtimit të strategut që bëri shumë me projektin integrues mesjetar, duke u shndërruar në fortifikatë të civilizimit perëndimor.Sipas saj, figura e Skënderbeut duhet të shërbejë si model i unifikimit në kohë të trazuara si kjo e sotmja.“Ai bëri atë që na duhet më së shumti sot. Përveç se ishte gardian i vlerave të qytetërimit perëndimor, ishte edhe model i unifikimit. Ai dikur mbrojti vlerat e qytetërimit, të cilin e synojnë bashkë Kosova e Shqipëria”, ka theksuar u.d. Presidentja Osmani.Ajo tha se figura e Skënderbeut është e përbotshme, siç janë Kosova dhe Shqipëria, të cilat pavarësisht sfidave e pengesave, në një të ardhme do të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

Filed Under: Featured Tagged With: dr

Biden: Demokracia “u vu në provë”, por qëndroi e fortë

December 15, 2020 by dgreca

  • Udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit amerikan McConnel njeh Biden si fitues të zgjedhjeve presidenciale/

Në një fjalim të mbajtur në Uilmington të shtetit Delauer, ai tha se demokracia “u vu në provë dhe u kërcënua, por rezultoi e qëndrueshme, e besueshme dhe e fortë.” …”Sundimi i ligjit, Kushtetuta jonë dhe vullneti i popullit fituan,” tha Presidenti i zgjedhur.

Zoti Biden u kërkoi amerikanëve ta hidhnin vështrimin përtej fushatës së zgjedhjeve të 3 nëntorit dhe përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të mos pranuar humbjen.

“Nëse dikush nuk e dinte më parë, tani ne e dimë. Ajo që rreh thellë në zemrat e popullit amerikan është demokracia… Është e drejta për t’u dëgjuar. Që vota juaj të numërohet. Që ju të zgjidhni udhëheqësit e këtij vendi. Që të qeverisni veten,” tha zoti Biden.

Duke iu referuar përpjekjeve të zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve përmes sfidave ligjore që janë refuzuar nga gjykatësit në të gjithë spektrin politik, përfshirë Gjykatën e Lartë, zoti Biden argumentoi se sistemi qeverisës i Amerikës mbetet i paprekur.

“Në Amerikë, politikanët nuk e marrin pushtetin, është populli që ua jep atyre”, tha ai. “Flaka e demokracisë është ndezur në këtë vend shumë kohë më parë. Dhe tani ne e dimë se asgjë, madje as një pandemi, apo një abuzim i pushtetit, nuk mund ta shuajë atë flakë,” tha zoti Biden.

Në fjalimin e tij, Presidenti i zgjedhur tha se fitoi me të njëjtën diferencë votash elektorale si edhe zoti Trump në vitin 2016, duke shtuar se kjo ishte “një fitore e qartë” si atëherë ashtu edhe tani.

Ai vuri në dukje pjesëmarrjen rekord të zgjedhësve në votime dhe tha se kjo pjesëmarrje “duhet të festohet dhe jo të sulmohet”.

Ai u zotua se do të jetë “një president për të gjithë amerikanët.” 

“Do të punoj po aq shumë për ata që nuk më votuan, sa edhe për ata që më votuan,”tha zoti Biden.

Trump, me sfida të reja ligjore

Presidenti Trump, ende këmbëngul në mënyrë të pasaktë, se ai ka fituar në zgjedhjet e muajit të kaluar.

“Kjo çështje nuk është mbyllur”, tha zoti Trump për televizionin Fox News në një intervistë të dielën në mëngjes, megjithëse dhjetra padi lidhur me pretendimet e tij se po i mohohet padrejtësisht një mandat i dytë, janë hedhur poshtë nga gjykatat.

“Ne vazhdojmë përpjekjet. Kemi çështje të shumta në shkallë lokale. Ne fituam në Pensilvani. Fituam në Miçigan. Fituam në Xhorxhia me diferencë të madhe”, tha ai.

Pas humbjes së dhjetra sfidave ligjore në nivel shtetëror dhe federal, Presidenti Trump pritet të ngrejë padi gjyqësore të reja këtë javë. Avokati i tij Rudy Giuliani thotë se pret që të ngrihen pesë procese gjyqësore në nivel shtetesh.

Ndërkohë, senatori republikan Ron Johnson i shtetit Uiskonsin pritet të mbajë të mërkurën një seancë mbi parregullsitë në zgjedhje.

Ai ka ngritur pyetje se përse Kongresi nuk ishte informuar për faktin që taksat e djalit të zotit Biden, Hunter, ishin nën hetim federal gjatë gjyqit të presidentit Trump në përpjeket e demokratëve për shkarkimin e tij.

***.

McConnel njeh Biden si fitues të zgjedhjeve presidenciale

Udhëheqësi i shumicës republikane të Senatit amerikan, Mitch McConnell, uroi të martën presidentin e zgjedhur demokrat Joe Biden dhe nënpresidenten e zgjedhur Kamala Harris për fitoren e tyre në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke i dhënë fund heshtjes së gjatë për rezultatin e garës presidenciale. 

Në komentet e tij në sallën e senatit, zoti McConnell pranoi fitoren e demokratëve pas rezultatit zyrtar të Kolegjit Zgjedhor të hënën. 

Zoti McConnell e mbylli fjalimin e tij prej afro 10 minutash ku ai kryesisht vlerësoi Presidentin republikan Donald Trump, duke thënë: “Sot dua të përgëzoj Presidentin e zgjedhur Joe Biden”, duke shtuar se zoti Biden “i është përkushtuar shërbimit publik për shumë vjet. ” 

Senatori McConnell tha se kishte shpresuar për një “rezultat tjetër” në zgjedhjet e 3 nëntorit, por shtoi se “të gjithë Amerikanët mund të krenohen që vendi ynë për herë të parë ka një nënpresidente të zgjedhur”. 

Që nga fillimi i nëntorit, zoti McConnell kishte shpërfillur presionin për të njohur fitoren e zotit Biden, duke thënë se Presienti Trump kishte të drejtën të ndërmerrte sfida ligjore ndaj rezultatit të zgjedhjeve. 

Të hënën, Kolegji Zgjedhor konfirmoi rezultatet që ishin të qarta që nga 7 nëntori, sipas së cilave presidenti Trump nuk kishte asnjë shans për të fituar zgjedhjet, pavarësisht pretendimeve të tij të përsëritura, të pabazuara për mashtrime zgjedhore, për të cilat ai vazhdoi të këmbëngulte të hënën.(Kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Biden, demokracia u vu ne prove

U. d. Presidentja Osmani vizitë zyrtare 3 ditore në Shqipëri

December 15, 2020 by dgreca

Prishtinë, 15 dhjetor 2020 – U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, njëherësh Kryetare e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, nga data 16-18 dhjetor do të qëndroj në Shqipëri, në vizitën e parë zyrtare prejse e ka marrë detyrën. Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, u.d Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh.

Të mërkurën (16 dhjetor), në orën 13:30, u.d Presidentja do të bëjë nderime te memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut në qytetin e Lezhës.

Kurse, në orën 15:30, u.d Presidentja, do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Ndërsa, në orën 17:00, do të mbajnë konferencë të përbashkët për medie.

Të enjten (17 dhjetor), në orën 09:30 u.d Presidentja Osmani do të takohet me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. (Vendi: Zyra e Kryetarit të Kuvendit, Kryesia e Kuvendit përballë godinës se Kryeministrisë).

Ndërsa në orën 10:15, u.d. Presidentja do të bëjë nderime dhe vendos kurorë lulesh te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Ndërkaq, në orën 12:30, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, do të mbajë fjalim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Në orën 16:00, u.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani do të takohet me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Të premten (18 dhjetor), në orën 10:00, u.d Presidentja Osmani do të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. (Vendi: Selia e PD-së).

Ndërkaq, në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të Çelësit të Qytetit.

Kurse, në orën 11:45, u.d Presidentja Osmani do të ketë takim me ish-Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

Filed Under: Politike Tagged With: 3 dite visite ne Tirane, Dr. Vjosa Osmani

Ligjerata të At Anton Harapit

December 15, 2020 by dgreca

Pater Anton Harapi para gjykatores komuniste/

Fragmente/

Shënim nga Prof. D. Gazulli/

Kam vërejtë ndër komentues paqartësi e mosnjohje të jetës dhe veprës së At Anton Harapit.

Tue qenë këto ligjërata të botueme gjatë Luftës Botënore, janë dëshmi mbi të cilat vetëm mund të thellohemi; ato nuk mund të ndryshojnë ma simbas dëshirës apo pikëpamjeve të njenit apo tjetrit.

Secili le të nxjerrë përfundimet e veta.

Nënvizimet janë të mijat.

FANATIZMI – nji turp për personin dhe për shoqninë

Zotni të ndershëm,

Më falni për guximin: due ta përballoj çashtjen ma delikate në jetën shqiptare.

Kush e kishte zanë besë?… Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe, ndër ateistat e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmnisë shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristianë, janë fakte qi nuk lanë me luejtë, por janë edhe prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare. 

Për sa dij unë deri më sod, kjo çashtje kurrë nuk qe përballue kjartë e mirë; sa herë qe kallë, menjiherë edhe qe mbulue porsi gaca nën hi.

T’i mbetet hatri kujt të duen, unë due ta thom mendimin tem haptas: Marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik e këta jo për besim, sa për inat e për parti. Ndër çasat ma të vështirë të jetës sonë kombtare, njimend se shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti nji tharm, nji gond rryme e partie, sa me të trembë e me të demoralizue. 

Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër ne? 

Ateistat me të gjithë skeptikët, indiferentat, natyralistat, aventurierët e oportunistat, thonë se jo: Na shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiparizma! Këta shpresoj t’i përballoj njiherë tjetër; këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnia nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë t’patënzonë. Fjalën këtë herë e kam me besimtarët e tre elementave.

Pa kontenstim ne jemi nji komb, nji shtet e nji popull me nji shpirt, me nji gjuhë e me nji histori, e po t’ishim edhe të nji besimi, patëm me qenë edhe ma te bashkuem, ma homogjenë, dhe nuk patëm me bjerrë mund’ e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky se na jemi pra myslimanë, ortodoksë e katolikë e si të tillë duem të rrojmë në nji harmoni vëllaznore. Unë thom se për këtë punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vëllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.
Pra, tezin tem e ve kësodore: Shqiptarët, po qenë vërtet të qytetnuem e nacionalista të sinqertë, besues edhe përnjimend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos rrojnë vëllaznisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën njerëzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombtare, e derisa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me qenë të damë e të përçamë, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare.


PENGIMI I MADH: FANATIZMI


Pengimi i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vëllaznimit tonë asht fanatizmi, i cili asht nji turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi, nji turp për jetën shqiptare. Besimi qi mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton. Besimi në nji Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njerinë ndër ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instinktit, ndër të cilat asht dhe egoizmi qi don të justifikohet me shkakun e besimit. Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: Të dy ngulin kambë për nji bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullndesës deri në kulm.., 

por me këtë ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për nji parim t’arsyeshëm, ndërsa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye; njeriu me karakter tregon nji zotësi morale, ndërsa fanatiku dishmon nji dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin e egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerëzisht asht i ligësht; karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në ves e n’egërsi. Fanatizmi asht antinjerzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor. Pra, për të rrojtë vllaznisht, nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim. Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturen vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, d.m.th. nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme, mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjimend në vete ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vëllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi. Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha qi ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për nji çdo tjetër arsye të jashtme; sod duhet të dijmë shka besojmë dhe pse të besojmë; lypet ta justifikojmë, nëmose para vetes, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për nji gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndiesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtues në nji sistem jete. Kjo don me thanë kulturë fetare.


TË RROJMË SHOQNISHT E VLLAZNISHT


Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristianë e myslimanë të jenë të gjithë Shenjtën a Peigambera, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vëllaznisht. 

Pa kulturën njerëzore, nuk jemi të pjekun të rrojmë si njerëz  e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.

Kam pa myslimanë edhe kristianë qi me vetëmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër sado heroike, nuk shfaqin nji madhni shpirtnore, të cilën nuk e kanë, pse qindresa e tyne të shumtën e herës bazohet thjesht në nji zakon, në nji traditë e në nji moskuptim të jetës fetare qi e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.

Nji kusht tjetër qi rrjedh prej kulturës së shpirtit asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë diagnozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këtë fenomen të çuditshëm: kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari em. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamëm fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore. Më ka ra rasa për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çashtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush nji mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenj antagonizmi e luftimi.

Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prapë e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e nji tjetri asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këtë përbindsh të individualizmit egoistik. Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me nji kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, po n’atë mënyrë si kërkojmë qi të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dimë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë nji rrugë a nji parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem të na përbuzë kush ne edhe po të jemi në gabim, ashtu as na mos të përbuzim askend. 

Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshin edhe besimesh të ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kuj shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. 

As në këtë pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.


SHKAQET E DASISË


Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime; E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndërrojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin. 

E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht. Kështu arsyetojnë ata qi besimet i kanë ferrë në sy.

Problemi i vërtetë asht i vështirë, por zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet qi janë:

1. Intoleranca dogmatike, 2.Toleranca shoqnore qytetare, dhe 3. Toleranca shoqnore politike. Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë por i afrohet kuptimit, me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijët, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk bartim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme, na merr nderin.

Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë qi në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë qi ndërgjegjja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë nji parimi, qi e ka për ideal të parë.

Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë qi nuk bartet as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zit e thonit. Fjalë qi me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim në kurrnji mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë, e arsyeshme, e drejtë: e vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar. Ja edhe arsyeja e thanies seme: Nji besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt nji çfarëdo kredoje tjetër, do të përgjigjet me nji “jo” kategorike të preme.

Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnji besim pëmjimend, thotë se besimet janë njinji të vërteta, si t’ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njinji për ta plotsue nji nevojë të jetës. Po qe si njena dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëhere asht njinji si e vërteta si e kundërta, e po qe se Zoti i dha e i dau besimet e kundërta, atëhere Zoti asht hartuesi i gabimit, i rrenës dhe i përçamjes.

Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në nji shtet, në nji popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatike. Për njiherë ashtu po e zamë, edhe po e vejmë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këtë themel, bie fjala, Krishti qe a s’qe Zot, Muhamedi qe a s’qe Profeti i Zotit, në këtë rasë për mue do t’ishte njipërnji; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: si Krishti e Muhamedi të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë qenë hipokritë e mashtruesa, si të kenë qenë të ndershëm e të drejtë.

Kush nuk e sheh këtë dobësi mendore e morale? Njeriu të cilit i vjen era njeri, mosbindjen kurrë nuk e tregon për bindje, dhe atë për shka asht i bindun se asht gabim, kurr nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm nji detyrë e fetarit, por nji detyrë e secilit njeri të ndershëm e t’arsyeshëm.

N’emën të së vërtetës, pra e për hir të sinqeritetit, luftë çdo gabimi, kudo qi ta gjejmë, edhe ndër kërkimet shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave. Për këtë intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike, jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndërsa këtë intolerancë e gjejmë edhe ndër njerëzit e ditunisë, t’artit e të politikës, për shka u përket parimeve të tyne.,. Këtë, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë. Këtë po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, si për besimtarë.


NJI FORMË E INTOLERANCËS: POLEMIKA


Nji formë e intolerancës asht polemika, e cila po qe serioze, ditunore, e paanshme, e bashme ndër sfera të nalta, vërtet ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerëzore e fetare qi kemi, thom se polemika nuk asht për ne. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çashtje, kurrë nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrenen, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive t’ulta, të polemizojmë me pasion.

Tjetër mandej asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këtë parim, na e dallojmë kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht personi e tjetër asht vepra; personin e falim, veprën e gabueshme e dënojmë; atë e duem, këtë e mënijmë; atë e bartim, këtë nuk e durojmë. Ky asht parimi bazë qi na shoqnon: me kurrnji gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët, edhe të jenë të gabuem, afrim, dashuni, vllaznim. Natyra na mëson këtë parim: ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme mban nji harmoni të çuditshme; jeta njerzore na imponon; si, bie fjala, ndër ne të marrunit me ndore, besa, mikpritja, qe se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin. Këtë shoqni qi na mëson natyra, na e imponon jeta; po njikëtë na urdhnon besimi, cilido të jetë. 

Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se nji i njejti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në sajë të nji Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, Na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijt e nji Zoti qi na ka falë. Pra Zoti i të gjithë neve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi nji.

Ja, pra, se kurrgja nuk na vllaznon ma fort se Zoti. Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë shqiptarëve pa ndryshim. 

Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: muhamedani i biri i Zotit, krisatiani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta: porsi vllau për vllanë të ndiejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjen fetare të shoqi-shoqit: për kurrnji arsye nuk kemi te drejtë të përbuzim kend; porsi me të drejtë kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët. Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë. 

Kush e ushtron këte asht me të vërtetë i madh.

Toleranca qytetare- shoqnore e gjen plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore- politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njipërnji të tria besimet në Shqipni; shteti njimend asht afetar, d.m.th. as-njanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnji besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit; ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka as ndryshim, as pengim ndër të drejta të kurrnji elementi; të gjitha ligjet, masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetet ndër zyrtarë, me sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi. Shteti, pra, jep liri të plotë, edhe të tre elementave ua siguron të drejtat qytetare e politike; parimi i tij mbështetet në drejtësi e jo në dashuni; shteti nuk ka miqësi as anmiqësi me kurrnjenin element. 

Pra, për me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë:

  1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. 

E vërteta nuk luen (intoleranca teorike- dogmatike);

  1. Duhet të kemi dashuninë e siqertë midis personave (toleranca shoqnore-qytetare);
  2.  Duhet të mbahet drejtësia me ndërgjegje ndër ligje, e ndër zyrtarë (toleranca shtetnore- politike). 

Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht kjo: Na duhet të rrojmë sëbashku jo si përdhuni, por me vetëdashje; këtë punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullnesa, do ta ndiejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullnesën do ta vendosë e drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht nji virtyt, për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore, do të jetë i prekun e i tërhjekun. 

E tanë puna asht këtu: me dijtë e me qenë të zotët ta bartim shqiptarin, jo si të huej, por si vlla. Kështu, pra, nuk janë besimet ato qi e shqetësojnë jetën vllaznore në Shqipni, por gabimet pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato qi e krijojnë çashtjen fetare në vendin tonë.


PENGIME Q’I DUHEN KAPËRCYE

E mjaft me teori. Kush don, ja ka marrë vesht me kaq, ja nuk ka marrë vesht kurrë. Tash të vijmë te praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofila. Kështu qi nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali, as Bajram Curri pse muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse ortodoksë, as Gurakuqi as Dedë Gjo’ Luli pse katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare! Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengime.

Pengimi i parë, per shërimin e kësaj plage të kobshme qi e shqetëson jetën ndër shqiptarë, asht gabimi i madh i disa udhëhjeksave të cilët duen ta mbulojnë a edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, asht edhe do të shkojë në gangrenë, po nuk u shërue, me dorën e nji kirurgu t’aftë e të ndërgjegjshëm. Shka asht gabim e kalbsinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, le të qitet në shesh, le të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt. Pse ta mo-hojmë? Nji pjesë e mirë, muhamedanë e kristianë, ortodoksë e katolikë nuk shikohen me sy të mirë; nji antagonizëm shoqnor qindron në mes të tyne; ata nuk kanë mbërrijtë ende t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile qi do të kenë. Duhet ta pohojmë botënisht se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: ta njohim e ta ndiejmë sa duhet ketë plagë shqiptare.

Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristianë, nuk janë parimet dogmatike; ato populli as nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit, sot nuk ban kush parti as nuk ngrehë ngatërresa.

Shaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicjone mënie midis elementave; na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemrime kundrejt shoqi-shoqit; me këto lejmë, me këto rritemi, me këto formohemi, e për rrezik tonin me këto edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na i shrranjosë. Do të kalojë edhe ndonji brezni, qi muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhduki krejt idenë “kaurr”, ashtu për nji predispozicion të bam petk, si kristiani i sotëm edhe i nesërmi, qenë e pa qenë, për çdo punë qi nuk i bjen për shtat, ka me kujtue e me ankue: po më bahet e padrejtë, pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë qi të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto re të helmueme.
3. Faktori psikologjik 

Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me ketë dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instinktive, qi kohën e kalueme ndihmoi shumë për të shpëtue shpirt, gjuhë, zakone e tradita tonat; në se qe fat i madh asohere, sot për jetën tonë shoqnore e kombtare mund të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh për ditë shqiptarë edhe me kulturë, të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetes së vet: ata e dijnë fare mirë shka don me thanë jetë e përbashkët, e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet e sakrificat qi lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithkëtë, hir e pa hir, duen të bajnë atë të vetën; duen, vetëm ata të jenë të mendshëm, ata gjela qi këndojnë. E po gjetën injoranta, trashamana, hypokritë, servila, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbë, pa shpirt, edhe të ngrehen kapadaij, udhëhjeksa, pionierë, a shka po dij unë. E ja klanet, partitë, prej nga rrjedhin dasitë e, kontrastet shoqnore: hallet shqiptare. Këta njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba nji grimë pozicion me taktikë vërtet djallore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin, a por sa ta çekin sustën e besimit, se ja, gati nji turmë për t’i ndjekë; e ja, se me nji herë qiti krye çashtja e besimit në shqiptarë, me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime. Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristianit pse asht fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi; këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe fetare, sa me u dalë për vete dhe me u dhanë të tjerëve – u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, i cili, me sa mica e qeni, nuk beson as në Krishtin as në Muhamedin, por formon klane për Dinin ase për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjekë për me qenë ai krye. 

Deri qi të mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm, nuk ka qetësi në Shqipni…

Vazhdon: Ligjërata të At Anton Harapit Pjesa e II

(Fragmente)

Melbourne, 14 Dhjetor 2020.

Filed Under: Analiza Tagged With: Daniel Gazulli, Ligjerata e Anton Harapit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 271
  • 272
  • 273
  • 274
  • 275
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT